Dalai Lama fiton për herë të parë Grammy, Kina reagon ashpër
TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ – Dalai Lama, lideri shpirtëror tibetan, ka fituar për herë të parë çmimin Grammy për veprën “Meditations: The Reflections of His Holiness the Dalai Lama”, një nderim që ai e ka pranuar me “mirënjohje dhe përulësi”. Për këtë çmim, i cili u mor në emër të tij nga muzikanti Rufus Wainwright, Dalai Lama theksoi se e sheh jo si një çmim personal, por si një përkujtim të përgjegjësisë universale që ndajmë të gjithë.
Megjithatë, lajmi ka shkaktuar reagim të ashpër nga Kina. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, në një konferencë për shtyp deklaroi se Pekini “kundërshton fuqimisht përdorimin e çmimeve artistike si një mjet për manipulim politik anti-Kinë”. Dalai Lama, i cili jeton në Dharamshala të Indisë që nga 1959, është konsideruar nga Pekini si rebel dhe separatist, pasi u detyrua të largohej nga Tibeti pas shtypjes nga trupat kineze të një kryengritjeje.
Lideri shpirtëror, i cili është gjithashtu fitues i Çmimit Nobel për Paqen, ka mbajtur për dekada fjalime dhe fushata për më shumë autonomi për Tibetin, ndërkohë që Kina e konsideron provincë të pandashme të saj. Fitimi i këtij Grammy shihet si një moment historik që vlerëson ndikimin e tij shpirtëror dhe përkushtimin ndaj paqes dhe mesazheve universale të bashkëjetesës dhe tolerancës.
The post Dalai Lama fiton për herë të parë Grammy, Kina reagon ashpër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.