Kurti: Ibrahim Rugova zë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë
Sot është shënuar 20-vjetori i vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të Parë të Kosovës, liderit të shquar politik, intelektualit të angazhuar dhe studiuesit të spikatur të letërsisë.
Në këtë ditë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe përkujtime për figurën që shënoi historinë e shtetndërtimit të vendit.
Dr. Rugova ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nga themelimi i saj më 23 dhjetor 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006.
Ai u zgjodh President i Kosovës më 24 maj 1992, duke udhëhequr një Republikë të shpallur më 7 shtator 1990, në një kohë kur Serbia ia kishte suprimuar autonominë vendit.
Gjatë kësaj periudhe, Rugova arriti të imponojë praninë e Kosovës edhe në skenën ndërkombëtare, duke u takuar me liderë botërorë, përfshirë edhe Presidentin e SHBA-së, Bill Clinton.
Konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore dhe urtësia në veprim e mendim i hapën rrugë Kosovës në shumë forume ndërkombëtare.
Ai ka merita të veçanta për orientimin e vendit drejt Perëndimit dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke mbetur një figurë kyçe në historinë politike dhe kulturore të vendit.
I lindur më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut, Rugova ndoqi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku doktoroi në vitin 1984.
Para angazhimit të tij politik, ai punoi si studiues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku botoi dhjetëra studime dhe libra.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e trashëgimisë së Rugovës dhe ndikimin e tij të pashlyeshëm në jetën politike dhe institucionale të Kosovës, duke e konsideruar atë një udhëheqës model dhe një simbol të rezistencës dhe shtetndërtimit.
The post Kurti: Ibrahim Rugova zë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë appeared first on Albeu.com.