Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

Eugen Cakolli: Debati “kush ka vjedhur më shumë vota” po e fsheh krimin elektoral

17 January 2026 at 18:52


Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar për debatin që po zhvillohet në vend për manipulimet me vota që janë bërë brenda partive politike.

Cakolli përmes një shkrimi në profilin e tij, ka thënë e shtrimi i debatit në formën se kush ka vjedhur më shumë ose më pak, është mbrojtje e hapur e hajnisë.

“Mos me ta marrë mendja që, pas gjithë këtij “zhvillimi shoqëror”, vijmë në pikën kur militantët e hibridët partiak relativizojnë manipulimin e votave duke u përpjekë me zhvendosë debatin te “kush ka manipuluar më shumë”, e jo te pyetja thelbësore: a ka pasur manipulim apo jo.

Madje, për disa, paska ma shumë rëndësi gjatësia e kolonave në grafe sesa faktet, emrat dhe numrat konkretë. Logjika e tyre është e tipit “po, kemi keqpërdorë, po tjerët edhe ma shumë”.

Çdo përpjekje me e kthy krimin elektoral në garë krahasimore partiake është ose padituri, ose mbrojtje e hapur e hajnisë. Në të dyja rastet, është pjesë e problemit. Sepse përgjegjësi duhet me dhanë krejt, për secilën votë – dhe në burg duhet me përfundu secili që ka manipulu, pa përjashtim”, ka shkruar Cakolli.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, pjesë e Forumit Ekonomik Botëror në Davos 2026

17 January 2026 at 18:45


Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është ftuar dhe regjistruar për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror 2026, i cili do të mbahet në Davos, Zvicër.

Pjesëmarrja e Rektorit në Open Forum Davos – The Future Starts Now 2050 përfaqëson një njohje të rëndësishme ndërkombëtare për UBT-në dhe rolin e saj në arsimin e lartë, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Kjo pjesëmarrje paraqet gjithashtu një mundësi të veçantë për të kontribuar drejtpërdrejt në diskutime dhe takime globale që formësojnë të ardhmen, si dhe për të prezantuar modelin UBT 5S dhe konceptin UBT Smart Self-Sustainable City, si modele të së ardhmes.

Ky model përputhet plotësisht me temat kyçe që do të trajtohen në Open Forum Davos, duke reflektuar një qasje bashkëkohore ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe përgatitjes së kapitalit njerëzor për sfidat e së ardhmes.

Modeli, i konceptuar nga Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe i zbatuar edhe në praktikë, po gjenë gjithnjë e më shumë interes për prezantime, studime dhe publikime, si dhe po vlerësohet si një model praktik tashmë i implementuar në ekosistemin e UBT-së. Programi i këtij viti në Davos fokusohet në pesë sfida kryesore globale, ku dialogu dhe bashkëpunimi publiko-privat janë thelbësore për progres.

Në qendër të diskutimeve janë rritja ekonomike, qëndrueshmëria dhe inovacioni si imperativa ndërsektoriale, të cilat do të udhëheqin qasjen e liderëve ndaj kompleksitetit global dhe krijimit të mundësive të së ardhmes.

Forumi Ekonomik Botëror në Davos mbledh liderë botërorë nga qeveritë, biznesi, shoqëria civile dhe akademia, me qëllim zhvillimin e dialogut të avancuar dhe bashkëpunimit global për adresimin e sfidave më të rëndësishme të kohës sonë.

Shqipëria pjesë e Bordit të Paqes për Gazën me ftesë të Trump, Rama: Krenar për vendin tim

17 January 2026 at 18:07


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi sot në 17 janar përmes rrjeteve sociale se Shqipëria është ftuar të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, një iniciativë ndërkombëtare e ideuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Në postimin e tij, Rama shprehet se ndihet tepër i nderuar nga ftesa personale dhe e konsideron këtë një hap të rëndësishëm për vendin në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, Shqipëria përfaqësohet si anëtar themelues, duke ngjitur një tjetër majë të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë, dhe kjo pasqyron edhe rritjen e ndikimit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Rama thekson gjithashtu se kjo ftesë është një reflektim i marrëdhënieve të thella të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që janë forcuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Ai shprehet se ndihet krenar për transformimin e Shqipërisë dhe për respektin që vendi ka fituar ndërkombëtarisht.

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në bordin e paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë. Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, shkruan Rama.

Bordi i Paqes për Gazën u shpall nga Donald Trump si një organizatë ndërkombëtare me qëllim promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme. Ai përfshin figura të njohura ndërkombëtarisht, duke përfshirë liderë politikë, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët do të punojnë për dialog dhe zgjidhje paqësore në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës. Përfshirja e Shqipërisë si anëtar themelues shfaq jo vetëm një njohje për rolin e saj diplomatik, por edhe një mundësi të re për të kontribuar në një çështje me rëndësi globale.


Arsim e zanate për 57 nxënës me nevoja të veçanta në Qendrën “Nëna Terezë” në Mitrovicë

17 January 2026 at 17:57


57 nxënës me nevoja të veçanta përfitojnë arsim, rehabilitim dhe aftësim profesional në Qendrën Burimore “Nëna Terezë” në Mitrovicë. Në këtë qendër një prej institucioneve kryesore edukativo-arsimore dhe rehabilituese për fëmijët me nevoja të veçanta, funksionojnë programet dhe ekipet mobile profesionale.

Drejtori i Qendrës Burimore “Nëna Terez”, Skender Avdiu në një prononcim për KosovaPress thekson se kjo qendër është institucion edukativ-arsimor, që çdo ditë sipas tij, zhvillohen aktivitete mësimore dhe rehabilituese për nxënës me nevoja të veçanta.

Skender Avdiu, tregon se këta nxënës përfshihen në programe nga intervenimi i hershëm deri te aftësimi profesional, ku punojnë në profilet e zdrukthëtarisë dhe rrobaqepësisë.

“Në qendër vijojnë mësimin gjithsej 57 nxënës, duke përfshirë të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, duke filluar prej intervenimit të hershëm, nivelit 1 (klasat 1-5), nivelit 2 (klasat 6-9) dhe nivelit 3 që është arsimi dhe aftësimi profesional në dy drejtime apo profile profesionale, profili i zdrukthëtarisë dhe profili i rrobaqepësisë”, tha drejtori i kësaj qendre.

Avdiu tha se krahas punës që bëhet brenda institucionit, në Qendrën Burimore “Nëna Terezë” funksionon edhe ekipi mobil profesional.

“Përveç mbështetjes profesionale që zhvillohet në qendër, në qendër është funksional edhe ekipi mobil profesional, i cili jo vetëm që ofron shërbime në qendër por ofron edhe shërbime profesionale për mësuesit, nxënësit dhe prindërit që i ndjekin shkollat e rregullta në 9-të komunat e Republikës së Kosovës, duke filluar nga Peja, Istogu, Klina, Vushtrri, Skenderaj, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Mitrovica”-tha ai.

Drejtori Avdiu tha po ashtu se procesi mësimor në Qendrën Burimore “Nëna Terezë” zhvillohet sipas kornizës kurrikulare të Kosovës. Ai shtoi se mësimi realizohet në tre nivele dhe përmes planit individual të arsimit.

“Procesi mësimor zhvillohet sipas kornizës kurrikulare të Kosovës dhe kurrikulave bërthamë të tri niveleve dhe realizohet përmes planit individual të arsimit dhe programit të mësimdhënies në fushat e aktiviteteve”, përfundoi Avdiu.

Ndërsa, Labinot Dervishaj, psikolog në Qendrën Burimore “Nëna Terezë”, ka thënë për KosovaPress se aktiviteti i tij kryesor është vlerësimi dhe interpretimi i nevojave të nxënësve.

Psikologu i kë saj Qendre Burimore “Nëna Terezë”, tha se në këtë qendër përfshihen zakonisht nxënësit që nuk mund të integrohen në shkollat gjithëpërfshirëse për shkak të specifikave të tyre të veçanta.

“Në qendrën burimore përfshihen zakonisht nxënësit që nuk mund të përfshihen në shkollat gjithë përfshirë se për shkak të specifikave të tyre te theksuara. Por paraprakisht, para se të regjistrohen në Qendrën Burimore ata duhet të vlerësohen nga ekipi vlerësues komunal, pra ekipi pedagogjik që është atje; ai e vlerëson në se ai nxënës është për Qendrën Burimore. Në momentin që bëhet ky vlerësim atëherë ne e pranojmë, dhe fillimisht është një periudhë tre mujore observuese apo vëzhguese të cilën e bëjmë me secilin nxënës që regjistrohet së pari. Pastaj përcaktohen aftësitë apo objektivat të cilat duhet të punohen me atë nxënës më tutje, edhe vlerësohet nëse është për lëndë te individualizuara apo për mësimin sipas fushave dhe aktiviteteve”- tha ai.

Labinot Dervishaj tha se puna me këtë kategori fëmijësh është gjithmonë e veçantë.

“Vlerësoj dhe konstatoj se është kënaqësi dhe disfatksion me punua me këtë kategori të fëmijëve sepse qoftë edhe një rezultat minimal nëse e arrijmë ata fëmijë, është shpresëdhënës dhe konsiderohet i madh, qoftë vetëm për punën tonë apo rezultatin që ia prezantojmë prindërve”, potencoi Dervishaj.

Ai tha se në kuadër të Qendrës Burimore “Nëna Terezë” janë themeluara edhe ekipet mobile profesionale.

Psikologu, ndër të tjera, tregon se ritmi i mësimit tek shkollat e mesme në këtë qendër është më i shpejtë dhe më dinamik.

Ndërsa te shkollat e mesme (10-11-12) është puna më dinamike sepse janë në një nivel pak më të avancuar në potencialin e tyre të arritjeve, falë punës së bërë në qendër, dhe ata vazhdimisht janë të angazhuar edhe në aspektin profesional, qoftë me mjetet e zdrukthëtarisë apo të rrobaqepësisë, themi më shumë tek këto sepse janë më të avancuara mjetet, por edhe me punë kreative dhe punë dore” – tha Dervishaj.

Labinot Dervishaj përfundoi duke thënë se nxënësit e Qendrës Burimore janë kategoria më e sinqertë e fëmijëve.

Me punën e përkushtuar të stafit dhe mbështetjen e ekipeve profesionale, Qendra Burimore “Nëna Terezë” vazhdon t’u ofrojë fëmijëve me nevoja të veçanta mundësi për zhvillim, mësim dhe përparim, duke i ndihmuar ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Gardiania angleze kreu marrëdhënie intime me të burgosurin shqiptar në qeli

17 January 2026 at 16:59


Një gardiane në Angli është burgosur pasi u kap duke kryer marrëdhënie seksual me një të burgosur ndërsa kamera e trupit që ajo mbante gjatë shërbimit kishe qenë duke regjistruar.

Sipas The Sun, i burgosuri rezulton të jetë shtetas shqiptar, i identifikuar si Erion Nakdi, 42 vjeç, i dënuar për trafikim droge.

Rebecca Pinckard, 46 vjeçe, kishte pranuar më parë fajësinë për sjellje të pahijshme në një zyrë publike në HMP Highpoint, Stradishall.

Incidenti u zbulua kur pamjet e regjistruara nga kamera e saj e trupit treguan çiftin në një dollap dyqani duke kryer marrëdhënie intime.

Gjykata dëgjoi gjithashtu se Pinckard kishte qenë më parë paralajmëruar për një afërsi të tepërt me të burgosurit, duke u dhënë atyre torta dhe ëmbëlsira.

Pinckard u burgos për 32 javë, ndërkohë, Nakidi, i cili pranoi posedimin e një telefoni celular në burg, u dënua me 10 muaj shtesë burgim përveç dënimit ekzistues, duke qenë se më parë kishte marrë mbi 16 vjet për shitje droge të klasit A.

Akademikët e Kosovës jashtë projektit, fjalori i madh i Gjuhës Shqipe shkakton debate

17 January 2026 at 16:36


Pas 45 vitesh u publikua online fjalori i madh i gjuhës shqipe. Gjuhëtarja Anila Kananaj, njëherësh edhe koordinatorja e projektit, thotë se ai do t’i vijë në ndihmë drejtshkrimit të saktë të gjuhës.

“Presim ndryshim në nivelin e drejtshkrimit në të gjitha nivelet. Në shkollë, në dokumentacion zyrtar, në legjislacion, në media. Ky fjalor do të jetë shumë ndihmues, duke filluar që nga fjalët android, fjala online…”

Fjalori, i cili ka rreth 125 mijë njësi leksikore, mund të përdoret nga të gjithë online.

“Ke të gjitha konceptet e reja që brezi i ri i njeh dhe i përdor. Ke lëvizje masive të popullsisë, bashkë me lëvizjen e popullsisë hyjnë fjalë të reja, koncepte të reja. Ke fjalë të vjela nga dialektet. Fjala hajgara (shaka), përdoret shumë në Kosovë. Ne përdorim variant tjetër, ama kjo nuk do të thotë që nuk duhet ta fusim si fjalë”.

Por publikimi i këtij fjalori nga Akademia e Shkencave në Shqipëri ka nxitur reagime në Kosovë. Akademikët atje thonë se u lanë jashtë projektit për shkak të parimeve të diskutimit.

“Në Këshillin Ndërakademik ishte paraparë të diskutoheshin çështjet e leksikut. Së pari, pra, do të përcaktoheshin parimet e punës dhe do të zgjidheshin dilemat. Ne, në Akademinë e Kosovës, nuk e kemi parë të arsyeshme të punojmë pa ato parime dhe nuk kemi pranuar të përfshihemi në atë mënyrë”, tha Bardh Rugova.

Për këto rezerva, grupi i punës në Shqipëri thotë se ka bashkëpunuar me Institutin e Albanologjisë në Prishtinë.

“Kemi grup pune atje në Kosovë, të Institutit të Albanologjisë, që ka qenë pjesëmarrës që nga fillimi. Mendimi i tyre nuk ka munguar kurrë në fjalor. Ata na kanë sjellë vazhdimisht pasuri leksikore nga Kosova”, u shpreh Kananaj.

Për 9 muaj fjalori do të jetë i hapur për të marrë sugjerime nga publiku, të cilat do të reflektohen nga grupi i punës./Tv Klan


KQZ rinumëron 34% të vendvotimeve – disa kandidatë humbin mijëra vota, të tjerë përfitojnë

17 January 2026 at 00:07


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 309 nga gjithsej 914 vendvotime të përfshira në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 34 për qind të totalit.

Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit dhe rinumërimit të votave ka përfunduar në 20 komuna, ndërsa komunat e tjera do të përfshihen në këtë proces sipas radhës së përcaktuar.

Nga verifikimi i votave janë evidentuar ndryshime të konsiderueshme, ku disa kandidatëve u janë hequr qindra vota, ndërsa disa të tjerëve u janë shtuar dhjetëra e qindra vota.

Megjithatë, sipas të dhënave aktuale, këto ndryshime nuk pritet të sjellin lëvizje në listat e kandidatëve që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Kandidatët me më së shumti vota të hequra pas verifikimit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV):

  • Ejup Maqedonci: -252 vota
  • Vendenis Lahu: -239 vota
  • Filiz Mustafa: -224 vota
  • Adelina Stublla: -165 vota
  • Albin Kurti: -152 vota
  • Dafina Alishani: -141 vota

Partia Demokratike e Kosovës (PDK):

  • Fetah Paçarizi: -1,323 vota
  • Nait Hasani: -667 vota
  • Arianit Çollaku: -507 vota
  • Xhavit Haliti: -477 vota
  • Luljeta Veselaj Gutaj: -450 vota
  • Kujtim Gashi: -434 vota
  • Enver Hoxhaj: -430 vota
  • Fadil Demaku: -306 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK):

  • Xhavit Uka: -355 vota
  • Visar Azemi: -193 vota
  • Driton Selmanaj: -169 vota
  • Anton Quni: -144 vota

Kandidatët që kanë përfituar më së shumti nga rinumërimi

Lëvizja Vetëvendosje (LVV):

  • Driton Hyseni: +61 vota
  • Alban Bajrami: +49 vota
  • Mefail Bajqinovci: +44 vota
  • Fatos Geci: +32 vota

Partia Demokratike e Kosovës (PDK):

  • Uran Ismaili: +166 vota
  • Përparim Gruda: +129 vota
  • Vlora Çitaku: +104 vota
  • Arian Tahiri: +100 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK):

  • Paris Guri: +60 vota
  • Shaban Osmanaj: +27 vota
  • Doarsa Kica-Xhelili: +23 vota
  • Ukë Rugova: +20 vota
Ndryshime më të pakta të votave në AAK.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit do të vazhdojë deri në përfundimin e verifikimit të të gjitha vendvotimeve të parapara, ndërsa rezultatet përfundimtare do të certifikohen pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore./Telegrafi/

Dy dronë nga Serbia kalojnë mbi vijën kufitare në Kamenicë, njohësit e sigurisë: Provokim

16 January 2026 at 23:28


Serbia po vazhdon të mos heq dorë nga përpjekjet e saj destabilizuese në Kosovë. Më 12 janar të këtij viti, dy dronë të cilët vinin nga ana serbe, shkelën hapësirën ajrore të Kosovës pranë fshatit Muqivërcë të Kamenicës, kështu duke përçuar edhe një mesazh të heshtur provokimi.

Mjetet ajrore pa pilot ishin në vëzhgim të forcave policore të Kosovës. Njoftimi i Policisë për këtë veprim ishte i menjëhershëm në drejtim të forcave të KFOR-it.

Këta të fundit thonë se kontaktuan autoritetet serbe nga të cilat kërkuan sqarime. Në një përgjigje për RTK-në, KFOR-i tha se vazhdojnë ta monitorojnë nga afër situatën dhe të kontribuojnë në një mjedis të sigurt.

“KFOR është njoftuar për këtë zhvillim të pretenduar më 12 janar 2026. Policia e Kosovës i ka komunikuar KFOR-it se kishte vëzhguar dy mjete ajrore pa pilot që vinin nga ana serbe e vijës kufitare pranë fshatit Kamenicë. Pas kësaj, KFOR kontaktoi Forcat e Armatosura të Serbisë përmes procedurave të mirëpërcaktuara. Këto përfshinë një komunikim telefonik dhe një notë zyrtare me shkrim, ku kërkohej një përgjigje e detajuar lidhur me këtë çështje. Përgjigjja e menjëhershme e Forcave të Armatosura të Serbisë përmes telefonit ishte se ato nuk kishin kryer asnjë aktivitet në atë lokacion, në atë kohë të caktuar", thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sipas njohësve të sigurisë ky është provokim nga Serbia e cila duhet t'u kërkojë vigjilencë institucioneve të sigurisë pasi Serbia qëllimisht i përdorë këta dron për interesat e tyre ushtarake.

"Serbia po vazhdon me kërcënimet hibride, ndër to është edhe përdorimi i dronëve. Sa kemi informacione janë këta dronët komercial po shkojnë në baza private por krejt janë me regji të sistemit të inteligjencës serbe për nevoja edhe të Forcave të Armatosura edhe të policisë e tjera. Vetë koncentrimi i forcave aty dhe me kujdes po vëzhgohet e gjithë kjo situatë", tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Edhe njohës të tjerë thonë se autoritet vendore të sigurisë duhet të jenë të kujdesshme në këto raste, duke nënvizuar se KFOR-i është përgjegjës për hapësirën ajrore të Kosovës, andaj edhe reagimi i tyre duhet të jetë më i qartë.

"Misioni i NATO-s, KFOR është përgjegjës për territorin e Republikës së Kosovës në këtë rast edhe për ajrin, paqen dhe sigurinë. Në Republikën e Kosovës si reagues i tretë përgjegjës është KFOR. Duhet të jemi gjithmonë vigjilent në aspektin e sigurisë", deklaroi Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

Nuk është rasti i parë që Serbia provokon Kosovën përmes lëshimit të dronëve në drejtim të vijave kufitare me vendin tonë. Një shkelje e hapësirës ajrore të Kosovës nga shteti serb përmes dronëve e kishte konfirmuar në shtator të vitit të kaluar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla./RTK

Gjendet shëndoshë e mirë i riu i raportuar si i humbur në Gjilan

16 January 2026 at 23:17


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas veprimeve operative dhe angazhimit të njësive relevante policore, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët dhe mediat, është gjetur personi i raportuar më herët si i humbur, Xhengiz (Aliriza) Hyzeiri, i lindur më 15 korrik 2008, me vendbanim në rrugën “Lufta e Gjilanit” në Gjilan.

Sipas njoftimit zyrtar, i mituri është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe aktualisht ndodhet në ambientet e Policisë së Kosovës, ku po zhvillohen procedurat e nevojshme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka falënderuar mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe informacionet e ofruara gjatë kërkimit, duke vlerësuar lart kontributin e tyre në zbardhjen e këtij rasti.


Rama paralajmëron mbylljen e televizionit publik

16 January 2026 at 23:08


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shfaqur pakënaqësinë e tij në lidhje me mënyrën se si po menaxhohet Radio Televizioni Publik Shqiptar (RTSH).

Komentet Rama i bëri në fjalën përmbyllëse të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku tha se RTSH nuk do të përfitojë më asnjë lek nga taksat e shqiptarëve.

Shefi i qeverisë tha po ashtu se çdo opsion do të shqyrtohet për RTSH, që nga reformimi, privatizimi e deri te mbyllja e kësaj mediaje.

“Kemi tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Se di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i RTSH është dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje. Ne s’kemi televizion publik sot në Shqipëri, kemi një kanal atje, por hera e fundit kur e kam parë është në vitin 1990. Që atëherë televizion publik s’kam parë, kam vajtur i ftuar po as veten s’kam parë dhe janë të vetmet intervista pas të cilave nuk marr asnjë mesazh.

S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë, edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është. Unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë në asnjë lloj tentative për të rregulluar median”, tha mes të tjerash Rama./A2 CNN

- YouTube youtu.be

KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

16 January 2026 at 23:03


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit.

Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit dhe rinumërimit të votave ka përfunduar në 18 komuna, ndërsa komunat e tjera do të përfshihen në këtë proces sipas radhës së përcaktuar.

Nga verifikimi i votave, disa kandidatëve u janë shtuar vota, ndërsa disa të tjerëve u janë hequr qindra vota.

Megjithatë, bazuar në të dhënat aktuale, këto ndryshime nuk pritet të ndikojnë në listat e kandidatëve që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rezultateve të deritanishme të rinumërimit, ndryshimet më të theksuara të votave janë si në vijim:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV):

  • Ejup Maqedoncit pas verifikimit i hiqen 263 vota
  • Venedis Lahu: -244 vota
  • Filiz Mustafa: -227 vota
  • Albin Kurti: -137 vota
  • Driton Hyseni: +61 vota

Në PDK pas rinumërimit Fetah Paçarizit i janë hequr 461 vota, derisa Bekim Haxhiut i janë shtuar 62 vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK):

  • Fetah Paçarizi: -461 vota
  • Arianit Qollaku: -186 vota
  • Nait Hasani: -178 vota
  • Bekim Haxhiu: +62 vota
Në LDK kandidati më "i favorizuar" nga komisionerët deri më tani del të ketë qenë Xhavit Uka të cilit i janë shtuar 153 vota, derisa Partis Guri është dëmtuar më shumë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK):

  • Xhavit Uka: -153 vota
  • Paris Guri: +54 vota
Në partitë tjera ndryshimet janë të vogla deri më tani.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit do të vazhdojë deri në përfundimin e verifikimit të të gjitha vendvotimeve të parapara, ndërsa rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore./Telegrafi/

Yesterday — 16 January 2026Main stream

Një fëmijë goditet nga automjeti në Mitrovicë, dërgohet në QKUK për trajtim të mëtejshëm

16 January 2026 at 22:08


Një fëmijë i lindur në vitin 2013, i gjinisë mashkullore, është dërguar për ndihmë mjekësore mbrëmjen e sotme në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, si pasojë e goditjes nga një automjet.

Sipas njoftimit të spitalit, fëmija është paraqitur rreth orës 19:55, ku menjëherë ka marrë trajtim dhe ekzaminim emergjent nga ekipi mjekësor, përfshirë edhe masat reanimatore.

Në bashkëpunim me Shërbimin e Radiologjisë, është realizuar Tomografia e Kompjuterizuar (CT), si dhe janë kryer analizat laboratorike të nevojshme. Po ashtu, rasti është konsultuar edhe me mjekun kujdestar ortoped.

Mjekët kanë bërë të ditur se fëmija është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa për shkak të natyrës së lëndimeve, është referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për konsultë të mëtejshme me specialistët e Neurokirurgjisë dhe Kirurgjisë Maksilofaciale.

Sipas spitalit, lëndimet janë kryesisht në zonën e fytyrës dhe sinuseve, por gjendja e fëmijës është stabile dhe jashtë rrezikut jetësor./Telegrafi/


Qeveria mirëpret heqjen e masave, ka disa pritje tjera në rrugën drejt BE-së

16 January 2026 at 21:42


Paralajmërimi i Bashkimit Evropian për largimin e tërësishëm të masave ndëshkuese ndaj Kosovës po mirëpritet nga qeveria në detyrë. Sipas tyre, lirimi i fondeve për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillim është një vendim i duhur i BE-së, sado që, siç thonë ata, është i vonuar ky hap. Përkitazi me këtë, në ekzekutiv presin që këtë vit të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancimin në procese, siç është marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian të enjten për KosovaPress, konfirmoi se ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove këtë fillim viti, në mbështetje financiare për vendin.

Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se lirimi i mjeteve financiare për Kosovën nga ky fillim viti, është pozitiv për vendin, siç shton, sado i vonuar që është ky hap.

Madje, thekson nevojën që BE-ja të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian.

“Bashkimi Evropian përmes presidentes Ursula von der Leyen veçse ka njoftuar publikisht se do të vazhdojë me heqjen e masave, përmes së cilës do të lirohen fondet për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillim viti. E mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian, sado i vonuar që është ky hap. Në vijim presim që të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancim në procese po ashtu të vonuara, siç është marrja e statusit të vendit kandidat”, thuhet në përgjigjen e Kadiut për KosovaPress.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojnë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.

Ajo tha se ky vendim është marrë pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale. Derisa tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.

“Kemi liruar afërsisht 50% të ndihmës financiare që arrin në rreth 216 milionë euro. Kjo do të lejojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte (që përfaqësojnë gjithsej 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe fillimin e zbatimit; për të përfunduar programimin e të gjitha fondeve të mbetura IPA III të destinuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit të Komisionit në pranverën e vitit 2026 që do të lejonte që projektet e para të fillonin në gjysmën e dytë të vitit 2026). Për më tepër, Komisioni synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti, në përputhje me Përfundimet e Presidencës për Zgjerimin të miratuara më 16 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së BE-së.

Në anën tjetër, hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëreshë Loxha, thotë për KosovaPress, se largimi i masave karshi përfitimit të mjeteve financiare është i rëndësishëm edhe në imazhin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar.

Sipas saj, posa të formohen institucionet e reja në vend, duhet të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës.

“Heqja tashmë e plotë e masave të BE-së është një hap i duhur, ndonëse i vonuar. Gjithsesi, përtej faktit që është i vonuar, në vazhdimësi ne si GLPS dhe si shtet kemi bërë thirrje që të njëjtat të hiqen, sidomos pas tejkalimit të krizës në veri me çështjen e zgjedhjeve. Ne konsiderojmë se është një hap i duhur dhe do t’i hapë rrugën zhbllokimit të fondeve që Kosova ka rrezikuar t’i humbë për shkak të masave. Të njëjtat do të jenë shumë të dobishme në momentin që do të hyjnë në ekonominë e Kosovës. Gjithashtu, largimi i masave është pozitiv dhe i rëndësishëm edhe sa i përket imazhit të Kosovës. Kosova nuk do të ketë një barrë mbi imazhin e saj në rrafshin ndërkombëtar, pasi nuk ka qenë e mirë që Kosova ka qenë e dënuar nga BE-ja. Unë uroj që sa më shpejt, me krijimin e institucioneve të reja, të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës dhe imazhit të saj në rrafshin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm”, thekson ajo.

Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.

Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.

​Akuzohej se tentonte ta vriste Maduron, lirohet shqiptari i burgosur në Venezuelë

16 January 2026 at 21:21


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informoi sot se shtetasi shqiptar Jozef Ndoci, i cili mbahej i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit (tetor 2024 – janar 2026), është liruar dhe ndodhet aktualisht në gjendje të sigurt.

Ndoci mbahej në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda dhe lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë.

Pas transferimit të përkohshëm në ambientet e DGCIM, ai u lirua dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në Karakas.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, ka ndjekur çështjen në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa rrafshe, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi diplomatike mike, duke patur në fokus mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasit shqiptar.

Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e Ndoci dhe do të vijojnë të ofrojnë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për kontributin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe për bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike partnere në Karakas.

MEPJ gjithashtu rikonfirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e shtetasve shqiptarë kudo që ata ndodhen.


Përfundon rinumërimi në Kaçanik – një kandidateje i hiqen 100 vota

16 January 2026 at 21:09


Kaçaniku është komuna e dytë e cila ka përfunduar procesin e rinumërimit të votave, një ditë pas Komunës së Dragashit.

Bazuar në të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dallime të konsiderueshme janë vërejtur në mes numërimit të QKN-së dhe rinumërimit.

Diferencë e madhe votash i doli kandidates për deputete nga radhët e Partisë Demokratike, Kosovare Murseli, 100 vota më pak, saktësisht 3,889 vota nga 3,989 vota sa kishte në këtë komunë.

Ndërkaq, ish-kryetarit të kësaj komune, Besim Ilazi i dolën 53 vota më pak.

Kandidatit Elmi Reçica iu shtuan 24 vota ndërsa Përparim Grudës, 23.

Në bazë të rinumërimit të votave, nga Lëvizja Vetëvendosje, kandidati për deputet Jeton Raka është kandidati me më shumë vota të humbura, saktësisht 78 nga 5,756 vota sa kishte.

I dyti pas tij del se është Albin Kurti me 44 vota më pak e pas tij, Glauk Konjufca me 20 më pak.

Diferenca të mëdha nuk pati në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Lumir Abdixhiku humbi dy vota, njësoj sikurse Hykmete Bajrami.

Ukë Rugova doli me pesë vota më shumë ndërsa Paris Guri, me 11.

Nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj morri tre vota ndërsa më së shumti humbi Hafize Sallahi, 15 vota më pak.

Në nivel vendi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka mbi 100 vota më pak.

Pas tij radhitet, Ejup Maqedonci me 96 më pak dhe Glauk Konjufca me mbi 80 më pak.

Diferencë të madhe të votave ka pësuar Filiz Mustafa me afro 300 vota më pak.

Nga radhët e PDK-së kryeson Kosovare Murseli me mbi 100 vota më pak, e ndjekur nga Besim Ilazi me 51 ma pak.

Ndërsa në Lidhjen Demokratike, në nivel vendi Lumir Abdixhiku ka humbur mbi 20 vota ndërsa Ukë Rugova ka fituar mbi dhjetë.

Mbi 20 vota ka humbur Xhafer Gashi ndërsa Hykmete Bajrami, ka humbur sa gjysma e tij.

Në rinumërim 100 përqind mbesin Komuna e Leposaviqit, Prizrenit, Skenderajt, Shtimes, Ferizajt, Vushtrrisë, Mamushës dhe Ranillugut.

Kurse në 28 komunat tjera do të rinumërohen 10% e vendvotimeve./Dukagjini/

Vonesat e rinumërimit, rrezik për zgjedhjen e Presidentit

16 January 2026 at 20:06


Rinumërimi i votave nga zgjedhjet e fundit në Kosovë po zgjatet më shumë se sa ishte paraparë, duke vonuar certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve. Sipas KQZ-së, procesi mund të zgjasë deri në dy javë, ndërsa njohësit e çështjeve kushtetuese paralajmërojnë rrezik për shkelje të afateve ligjore duke përfshirë këtu, edhe zgjedhjen e presidentit.

19 janari ishte data e planifikuar nga KQZ-ja për shpallje të rezultateve përfundimtare por procesi i rinumërimit të votave e ka shtyrë dukshëm këtë afat.

Si rrjedhojë pritet që të vonohet edhe certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, si hap kryesor për nisjen e konstituimit të Kuvendit e formimit të Qeverisë së re.

Për të përshpejtuar këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur numrin e komisionerëve në Qendrën e Numërimit të votave.

“Nga 10 tavolina numërimi janë shtuar edhe 10 të tjera”, ka deklaruar për Dukagjinin zëdhënësi, Valmir Elezi duke theksuar se procesi pritet të zgjasë përafërsisht 12- 14 ditë.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, në këtë ritëm, gjasat janë që të shkelet edhe afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të vendit.

“Gjasat janë që si pasojë e këtij rinumërimi të shkojmë deri ka data 10-15 shkurt kur rezultatet priten të certifikohen. Në rastin më të keq, mundet edhe më shumë sepse nëse konsiderohet se ka mospërputhje nga rezultatet paraprake, KQZ me gjasë do shkojë në rinumërim të plotë e që do ndikojë në afatet kushtetuese veçanërisht për zgjedhën e presidentes ku zgjedhja do duhej bërë jo më larg se 5 mars dhe këtu do hyjmë në një cikël që nuk mund të bëhet zgjidhje. Ç’ka ndodhë nëse Kuvendi s’arrin të konstituohet dhe qeveria s’arrin të formohet sepse afati është 5 mars”, u shpreh Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Problematikë në vete sipas Jakajt, mbetet mos-konstituimi i Kuvendit që do të lë peng procese që varen nga votimet e deputetëve.

“Dy muajt e parë të këtij viti do shkojnë pa miratim të buxhetit për vitin 2026 ku dhjetëra projekte infrastrukturore do mbesin pa realizuar. Është edhe premtimi elektoral për pagën e 13 ku 94 mijë zyrtarë publik nuk iu është transferu aktualisht dhe në ndërkohë, dy marrëveshjet që vijnë nga plani i rritjes së BE-së, marrëveshja me Bankën Botërore, financimi i qëndrueshëm për RTK-në dhe katër buxhetet për komunat në veri të vendit. Janë çështje për të cilat kuvendi do duhej konstituuar dhe pasojat do jenë të menjëhershme” u shpreh ai.

Por, sipas Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, shkuarja në rinumërim të plotë mbetet e pashmangshme e telashe, konsiderohet të sjellë zgjedhja e presidentit.

“Këtu besoj që mund të ketë probleme serioze për të siguruar votat, por që në anën tjetër kjo do të tentohet që të ndahet si përgjegjësi në mes të të gjitha partive, sepse normalisht për partinë fituese të zgjedhjeve, ndonëse në parim për askënd nuk janë zgjedhjet të konvenueshme, por për partinë në pushtet e cila do ta kishte, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, dhe u.d. të presidentit mund të jetë në një pozicion pakëz më të favorshëm sesa të tjerat”, u shpreh Cakolli.

Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual./Dukagjini/

- YouTube youtu.be

AAK shpenzoi mbi 24 mijë euro për fushatë, rreth 86 mijë euro të hyra

16 January 2026 at 19:55


KQZ ka bërë publike detajet financiare të fushatës së AAK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti.

Raporti i paaudituar tregon se partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar mbi 24 mijë euro, kryesisht për reklama, paga dhe detyrime të tjera, duke e lënë me suficit të konsiderueshëm të hyrash në fund të periudhës.

Sipas raportit për periudhën 9 qershor – 9 nëntor 2025, AAK ka realizuar të hyra totale prej 85 mijë e 818 euro e 33 centë, duke përfshirë donacione prej 1 mijë euro dhe kontribute në natyrë në vlerë prej 5 mijë e 185 euro.

Shpenzimet totale të fushatës kanë arritur në 24 mijë e 187 euro e 70 centë, duke përfshirë:

Pagat dhe kompenzimet: 5 mijë e 318 euro e 68 centë

Shpenzimet e transportit: 1 mijë e 641 euro e 70 centë

Reklamat, reprezentacioni dhe konferencat: 12 mijë e 250 euro e 67 centë

Blerja e mallrave: 320 euro

Shpenzimet e përgjithshme: 3 mijë e 781 euro e 65 centë

Shpenzimet e ndryshme: 875 euro

Në raport raportohet gjithashtu se gjatë periudhës janë kryer pagesa mbi 5 mijë euro, përfshirë: Gjoba dhe ndëshkime për PZAP: 20 mijë e 366 euro e 67 centë; Paga dhe blerje të objekteve: 6 mijë e 500 euro dhe 24 mijë e 343 euro e 20 centë.

Për më shumë shikoni raportin e plotë. /Telegrafi/

Person i humbur në Gjilan, policia  kërkon ndihmën e qytetarëve

16 January 2026 at 19:21


Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim lokalizimin dhe identifikimin e vendndodhjes së personit, njofton opinionin publik se Xhengiz (Aliriza) Hyzeiri, i lindur më 15.07.2008, me adresë banimi në rrugën “Lufta e Gjilanit”, qyteti Gjilan, është shpallur person i humbur që nga data 02.01.2026, dhe deri më tani nuk dihet vendndodhja e tij.

Në kuadër të veprimeve hetimore dhe përpjekjeve për gjetjen e personit, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve.

"Çdo person që posedon informacion të dobishëm lidhur me vendndodhjen e personit të paraqitur në fotografinë e bashkëngjitur, lutet të njoftojë Policinë e Kosovës përmes njërës nga mënyrat në vijim: Stacioni më i afërt policor, aplikacioni digjital “Lajmëro Policinë”, e-mail: info@kosovopolice.com, numrat kujdestarë: 192".

Policia e Kosovës thotë se të gjitha të dhënat e ofruara nga qytetarët do të trajtohen me konfidencialitet të plotë./Telegrafi/


Rasti Banjska, Koci: Ka prova të shumta, kërkojmë burgim të përjetshëm për të akuzuarit

16 January 2026 at 18:55


Përfaqësuesi i familjes së zyrtarit policor të vrarë, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën gjatë sulmit terrorist në Banjskë, avokati Arianit Koci, ka deklaruar se do të kërkojnë burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Koci, i ftuar në emisionin “FIVE” në televizionin Dukagjini, tha se mbrojtja e të akuzuarve po tenton ta relativizojë të gjithë sulmin terrorist.

“Procedura është dashur të kthehet nga fillimi, gjë që është shumë e keqe për atë që ka ndodhur. Kryetari i mëparshëm i trupit gjykues ka kaluar në një pozitë më të lartë dhe është dashur të ndërrohet trupi gjykues. Megjithatë, e kam mirëpritur disponimin pozitiv të kryetarit aktual, i cili ka pranuar të udhëheqë trupin gjykues për ta mbajtur dinamikën e gjykimit. Gjykimi duhet të zhvillohet edhe brenda një kohe të arsyeshme dhe, si përfaqësues i familjes Bunjaku dhe palëve të dëmtuara, insistoj që ky proces të përfundojë sa më shpejt. Në të njëjtën kohë, nuk duhet t’u lihet hapësirë të akuzuarve që, përmes zvarritjes së procedurës, të pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre”, u shpreh Koci.

Ai shtoi se këtë të premte, ditën kur edhe ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarve, avokatja e njërit prej tyre ka tentuar të krijojë alibi.

“Sot mbrojtja po tenton, përmes disa propozimeve, ta relativizojë të gjithë këtë sulm terrorist. Avokatja e njërit prej të akuzuarve ka propozuar nëntë dëshmitarë të rinj, kinse për të gjetur alibi se i akuzuari nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, por diku tjetër. Pra, personi që akuzohet nga Gjykata për kryerjen e sulmit terrorist bashkë me të tjerët po tenton të sigurojë alibi. Aktakuza është shumë e qartë – askush nuk është i akuzuar vetëm mbi një provë, por mbi shumë prova që i ngarkojnë për veprën. Ne e kemi parë ngjarjen edhe përmes pamjeve nga dronët dhe gjithçka ka qenë e qartë”, tha Koci.

Në fund, Koci theksoi se familja Bunjaku kërkon që rasti të përfundojë sa më shpejt dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme ndaj të akuzuarve, për çka ai ritheksoi se do të kërkojnë dënim me burgim të përjetshëm.

- YouTube youtu.be

KQZ publikon shpenzimet e partive – LDK shpenzoi mbi 203 mijë euro, të hyra vetëm 23 mijë euro

16 January 2026 at 18:26


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet financiare të partive politike lidhur me shpenzimet e fushatës për zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2025.

Sipas raportit të publikuar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar shpenzime totale prej 203 mijë euro për fushatën zgjedhore, ndërkohë që të hyrat e raportuara nga kjo parti kapin vlerën prej vetëm 23 mijë e 540 euro.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të LDK-së është orientuar në reklama dhe organizimin e konferencave, duke përbërë zërin kryesor të kostove të fushatës.

Sa i përket të hyrave, LDK ka raportuar rreth 16 mijë euro donacione në formë të mallrave dhe shërbimeve.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre donacioneve ka ardhur nga vetë zyrtarë të LDK-së apo kandidatë për deputetë.

Po ashtu, partia ka pranuar edhe donacione në të holla në vlerë prej rreth 8 mijë euro nga gjithsej gjashtë donatorë.

KQZ ka bërë të ditur se raportet financiare të partive politike janë publikuar në kuadër të transparencës dhe mbikëqyrjes së financimit të fushatave zgjedhore, ndërsa të njëjtat do t’i nënshtrohen procedurave të rregullta të verifikimit dhe auditimit.

Për më shumë shikoni raportin e plotë. /Telegrafi/

❌
❌