Me 33 fletë-arresti të firmosura, 26 për burg dhe 7 për arrest shtëpie, prokuroria e Durrësit i dha fund hetimeve që nisën për 2800 ton mbetje të rrezikshme të prodhuara nga Kurum International në Elbasan dhe u nisën me anije drejt Tajlandës duke përdorur dokumenta të falsifikuara.
Por sipas asaj që shkruan Lapsi.al jo vetëm se 2800 ton mbetje ishin të rrezikshme, por nxjerr në dritë një skandal të përmasave të frikshme, shumë herë më i madh se ai që denoncoi “Basel Action Network”, organizata mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara.
Nga hetimet del se Kurum prodhoi qindra mijëra tonelata mbetje në vitet e fundit, që u menaxhuan në mënyrë kriminale, madje disa dhjetëra mijëra prej tyre humbën pa gjurmë në Elbasan.
Faktet tregojnë se 2800 ton mbetjet e nisura drejt Tajlandës ishin vetëm maja e ajsbergut. Sepse në realitet tonelatat me mbetje të rrezikshmë në Shqipëri magazinohen në mjedise të papërshtatshme, trafikohen me dokumenta të falsifikuara, madje edhe zhduken pa lënë asnjë gjurmë.

Zyrtarja më e lartë e arrestuar është ish-drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Arta Dollani. Në media ajo përflitet si një nga njerëzit e besuar të ish-ministres Mirela Kumbaro, por është e lehtë të kuptohet se lidhjet e biznesmenëve që merren me transportin e mbetjeve të Kurum shkojnë shumë më lart. Nuk është rastësi që ata veprojnë në një mjedis të pakontrolluar, ku shteti nuk ekziston dhe ku ligji përkulet duke toleruar një treg kriminal të transportit të mbetjeve.
Në faqen 70 të dosjes, prokuroria shkruan se Agjencia Kombëtare e Mjedisit “rezulton se nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin pranë shoqërisë Kurum International sha, Alliance Resource shpk, Sokolaj shpak dhe ESM APO” Për pasojë, vazhdojnë hetuesit, është lejuar grumbullimi, transportimi dhe më pas kontrabandimi e mbetjeve të rrezikshme, të cilat “sipas të dhënave të administruara nga Prokuroria, në të paktën 4 vitet e fundit janë transportuar me qindra mijëra tonelata në vit“.
Sasia gjigande me mbetje që përmendin prokurorët është tronditës, por tregon përmasat e vërteta të paligjshmërisë në këtë fushë.
Në letër rezulton se kompania turke Kurum International ka prodhuar vetëm 1000 ton mbetje të rrezikshme, por sqaron prokuroria e Durrësit “nga të dhënat rezulton se ka tregtuar vetëm tek Sokolaj shpk nëpërmjet 4 faturave në vitin 2023 dhe 2024 mbi 4122 Ton mbetje te rrezikshme”. Kjo përplasje shifrash me 4 mijë herë më shumë se sa deklarohej, është dëshmi se sa larg ka shkuar abuzimi me dokumentat shtetërorë.
Kurum prodhoi 30 mijë ton mbetje të rrezikshme në 4 vjet
Ekspertimi kimik mjedisor i përmendur në aktet e prokurorisë sillet kryesisht në dy përbërje të materialit tregtar, një përzierje tipike e pluhurit të furrës elektrike të çelikut, EAF dust, e cila përmban metale të rënda, oksid hekuri apo oksid zinku.
Vlen të citohet një dëshmi brenda uzinës e një personi të quajtur Rami Bunga, i cituar si specialist pranë zyrës së mjedisit te Kurum International. Ai shpjegon se prodhimi i oksidit të zinkut, “për 4 ose 5 vitet e fundit ka qenë rreth 25.000 deri në 30.000 ton”.
Sasitë e mëdha që prodhohen çdo vit tregojnë se rasti i denoncuar i Tajlandës ishte thjesht një destinacion ku u ndez sirena.
Mbi këtë sfond, Prokuroria ka ngritur akuza për drejtues të Kurum International, të kompanive që merreshin me transportin e lëndëve kimike dhe për zyrtarë të Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Doganës, Autoritetit Portual dhe operatorit të terminalit.
Në të njëjtën kohë, sipas strukturës së dosjes, tre kompani dalin si nyje ku mbetjet kalonin përpara se të humbnin gjurmët ose të dilnin jashtë, Alliance Resource sh.p.k., Bajrami N sh.p.k., Sokolaj sh.p.k..
“Alliance Resource” dhe “Sokolaj shpk”, falsifikimet për eksportin e mbetjeve
Sokolaj sh.p.k. është kompania që falsifikoi dokumentat për 2800 ton mbetje të rrezikshme që ishin nisur drejt Tajlandës por sipas prokurorisë së Durrësit, kjo ishte një skemë që zbatohej prej vitesh.
Faturat e gjetura në kompaninë Kurum dëshmonin për prodhimin e mbetjeve të rrezikshme, por në fund të procedurave, nga porti i Durrësit rezultonte se eksportohej mbetje e parrezikshme. Faturat manipuloheshin rrugës, por për të kuptuar sasitë e mëdha që ka eksportuar kjo kompani jashtë vendit prokuroria ka sekuestruar disa kontrata.
Në njërën prej tyre, që vlen të citohet në faqen 40 të dosjes thuhet: “Në kërkesën e datës 19.08.2022, Sokolaj shprehet se bazuar në kontratën me gjeneruesin e mbetjeve Kurum International sh.a., angazhohet ti blejë mbetjet me kod 10 02 07*, me sasi vjetore 25.000 ton në vit, me vend origjine Kurum, Elbasan.”
Bëhet fjalë për sasi mbetjesh të rrezikshme të cilat ishin stok pranë kompanisë Kurum në Bradashesh të Elbasanit. Prokuroria vazhdon: “Sokolaj nuk rezulton të ketë Autorizim për eksportim të mbetjeve të rrezikshme… për periudhën 2022,2024”.
E njëjtë është skema edhe tek kompania Alliance Resource sh.p.k. Vetëm se tek kjo kompani janë gjetur sasi të mëdha në stok në kushte të papështatshme për t’u ruajtur.
“Përveç faktit që nuk ka disponuar dokumentacionin, sasia e mbetjeve është gjendur në stok, ndërkohë që subjekti marrës i mbetjeve të rrezikshme ka detyrën e trajtimit të tyre dhe jo të magazinojë sasi të mëdha mbetjesh duke i lënë të patrajtuara duke shtuar efektet e rrezikut të lëshimit të gazrave toksikë në mjedis e në ajër” thuhet në dosje.
Hetuesit kanë kryer kontrolle në ambjentet e Alliance, por thonë se kompania nuk ka paraqitur dokumentacion provues se çfarë ka ndodhur me këto mbetje, si janë trajtuar, nëse janë transportuar a shitur tek të tretë, apo janë eksportuar.
Dyshimet janë se Kurum dhe Alliance “kanë shkelur legjislacionin për menaxhimin e mbetjeve duke i transferuar mbetjet tek të tretët në sasi shumë të mëdha, me kosto të ulët për të shmangur kostot e asgjësimit” thotë dosja.
“Bajrami N”, dhjetëra mijëra ton mbetje të zhdukura pa gjurmë
Por ndërsa dy kompanitë e tjera kishin synim t’i nxirrnin mbetjet jashtë vendit për t’u trajtuar, një krim akoma më i rëndë duket të jetë konsumuar nga një kompani tjetër “Bajrami N” sh.p.k. Kjo kompani përmendet në dosje për sasi të mëdha mbetjesh të parrezikshme, kryesisht skorje që janë zhdukur pa gjurmë.
Hetuesit kanë gjetur tre kontrata me gjithsek 40 mijë ton mbetje, të cilat kjo kompani synonte t’i trajtonte me impiant betoni dhe t’i përdorte si stabilizant të rrugëve.

Hetimet listojnë shifra të tilla si “ka shitur 15996 ton… 16253 ton… dhe 10359 ton”, por që shoqërohet me humbje të gjurmës, “nuk ka asnjë informacion… ku janë depozituar këto mbetje, dhe si janë trajtuar… nuk ka asnjë regjistër”.
Nga fashikulli i prokurorisë, kompania Bajrami N shpk del si “vrima e zezë” e hetimit, ku dhjetëra mijëra tonelata me mbetje janë zhdukur pa lënë gjurmë.
“Bajrami N” sh.p.k. ka lidhur kontratë me shoqërinë “Kurum International sh.a.” por shoqëria “Bajrami N” sh.p.k. nuk disponon leje për përpunimin/trajtimin e skorjeve… Asnjëri prej kodeve 100201 dhe 100202 nuk përfshihet në lejet mjedisore të kësaj shoqërie. Nga të dhënat e administruara nuk ka asnjë informacion se çfarë procesi pune ka ndodhur, ku janë depozituar këto mbetje, dhe si janë trajtuar pasi nuk ka asnjë regjistër të deklaruar mbi to” citohet prokuroria e Durrësit.
Një qeveri e shqetësuar për lajmet toksike
Institucioni që duhet të ishte gardiani i këtij tregu delikat dhe me pasoja të rënda për mjedisin, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, përshkruhet si një hallkë jofunksionale në tregun e mbetjeve të Kurum.
Drejtuesja e AKM, Arta Dollani akuzohet se “nuk e ka përmbushur detyrën… nuk ka kryer vlerësime të plota… dhe rezulton se nuk e ka monitoruar zbatimin e kritereve të lejes”.
Në një tjetër pasazh, prokuroria thotë se “nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin” pranë subjekteve kryesore, Kurum International, Alliance Resource sh.p.k., Sokolaj sh.p.k., dhe ESM APO”.
Autoriteti Kombëtar i Mjedisit duket se ka kërkuar informacion vetëm “pasi është bërë publik rasti i eksportimit”, në Tajlandë, por më parë “nuk ka kryer asnjë lloj verifikimi në terren”.
Megjithatë kjo është fotografia e bllokimit të një mekanizmi të vogël, siç është Autoriteti Kombëtar i Mjedisit. Prokuroria e Durrësit është përqëndruar te ky mekanizëm, duke lënë jashtë dështimin e aparatit të madh shtetëror, si një organizëm që zgurdullon sytë vetëm kur skandali del në media, përpëlitet pak kur ndërhyn prokuroria, por rikthehet sërish në gjumë me idenë se çudia më e madhe tre ditë zgjat.
Akoma më rëndë ishte në fjalimin në parlament kryeministri Edi Rama. Fajin për mbetjet e rrezikshme që prodhohen dhe trafikohen, ai ia faturoi mediave dhe opozitës, me pretendimin se skandali u shpik nga kokat e sëmura që janë prekur nga “psikopatologjitë”, të atyre që shkruajnë “fletërrufe” dhe të atyre që udhëhiqen nga “fantazi malinje”, që kanë për qëllim “helmimin e shqiptarëve” përmes burimeve dixhitale.
“A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave të bëra me dije publikisht, në çdo deklaratë, e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme”, u shpreh kryeministri në parlament.