Fabrika FASAL është vizituar sot nga shefi i Misionit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e FASAL i prezantuan nga afër diplomatit nga Luksemburgu proceset e prodhimit, standardet e cilësisë që aplikohen në fabrikë, si dhe projektet aktuale që po zhvillohen për tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.
Vizita u cilësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim idesh dhe diskutime mbi potencialin e bashkëpunimit dhe zhvillimit të mëtejmë të sektorit të prodhimit dhe eksportit.
Nga FASAL u theksua rëndësia e investimeve në prodhim dhe rritjes së kapaciteteve eksportuese, duke vlerësuar interesimin e treguar nga përfaqësuesit diplomatikë për zhvillimin ekonomik dhe industrial në Kosovë.
Në fund të vizitës, drejtuesit e FASAL shprehën mirënjohje ndaj z. Eric Dietz për vizitën dhe interesimin e treguar për punën dhe investimet e kompanisë, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunime të ardhshme që do të kontribuonin në forcimin e sektorit prodhues dhe eksportues të vendit.
Ndryshe, kompania FASAL si veprimtari kryesore e ka prodhimin e dyerve, dritareve dhe fasadave të jashtme strukturale dhe gjysmë-strukturale.
Politikani serb Nenad Çanak foli në një lidhje live për emisionin Balkan Talks në Euronews Albania, ku analizoi situatën politike në Serbi dhe ndikimin e saj në Kosovë.
Ai vlerësoi se tensionet aktuale dhe gjendja e brendshme në Serbi e bëjnë të pamundur një konflikt të ri mes Beogradit dhe Prishtinës.
Çanak theksoi gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe rolin e presionit ndërkombëtar në shmangien e përplasjeve. Sipas tij, administrata amerikane dhe Bashkimi Evropian insistojnë në pranimin e realitetit që Kosova është shtet sovran, me të njëjtat të drejta si çdo shtet tjetër në rajon dhe në botë.
“Nuk shoh se skenari për luftë mes Serbisë dhe Kosovës është i mundur, sepse Serbia nuk ka potencialin për të qenë e angazhuar në mënyrë aktive”, tha zoti Çanak.
Ai shtoi se pushteti në Serbi është thellësisht i korruptuar dhe shumë vendime qeveritare diktohen nga rrjeti i inteligjencës ruse.
“Ka disa njerëz në qeveri si Aleksandër Vulin apo Nikola Popovi që janë spiun të Kremlinit brenda qeverisë serbe. Por në këtë moment, për shkak të tensioneve mes Perëndimit dhe Lindjes, nuk do të ketë luftë në këndvështrimin tim, edhe pse provokimet janë më se të mundshme”, shtoi ai.
Në lidhje me raportimet për një rezolutë të mundshme të SHBA-së për mbylljen e dialogut Kosovë-Serbi dhe njohjen reciproke, Çanak tha se zoti Dushan Janjiç është një burim shumë i mirëinformuar dhe konsideron serioze atë që ka deklaruar.
Kosova do të nisë zbatimin e rreptë të ligjeve për automjetet e regjistruara jashtë vendit dhe për shtetasit e huaj.
Vendimi synon të parandalojë përdorimin e veturave me targa të huaja në Kosovë dhe qytetarët që jetojnë në zona kufitare kanë frikë se do të përballen me vështirësi.
“Unë për shembull, hyj-dal brenda ditës, njëherë, dy herë”, tha një qytetar.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se ligjet kanë qenë fuqi edhe më herët dhe se zbatimi i tyre është në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Jeta Tela, shefe e kabinetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha për RTK se këto nuk janë dy ligjet e reja.
“Do të thotë edhe ligji për huajt dhe për ligji për automjetet janë ligje që kanë hyrë në fuqi shumë më herët”, tha ajo.
Edhe Qëndrim Bytyqi, Drejtor i Zyrës Ligjore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se Ligji për automjetet parashikon që shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë territorit dhe që posedojnë një veturë që është e regjistruar në shtetin e huaj, kanë drejtë të qarkullojnë Kosovë deri në tre muaj.
“Po kjo nuk i ndalon të njëjtit që pas daljes nga territorit i Kosovës të kthehen prapë, pra kufizimet vlejnë për një periudhë tre mujore që është e pandërprerë, por që nuk kufizohet që ata që kanë vizita më të shpeshta atë mund të hynë prapë me atë veturë në territorin e Kosovës”, tha ai.
Ndërkohë Ragmi Mustafi, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, vlerëson se qytetarët nuk kanë arsye të shqetësohen.
“Qeveria e Kosovës vazhdimisht është në komunikim intensiv për gjitha ato çështje që prekin edhe shqiptarët e Luginës e Preshevës dhe sigurisht edhe për këtë çështje, andaj është edhe kjo hapësira informuese, andaj i bëj ftesë edhe këtë radhë gjitha qytetarëve shqiptarë të Luginës e Preshevës që janë në Kosovë që të fillojnë të rregullojnë dokumentet”, tha ai.
E banorët, megjithatë, kanë dilemat e tyre. Ndërsa institucionet sigurojnë se nuk do të ketë pengesa, banorët e zonave ndërkufitare mbeten në pritje të sqarimeve më të qarta për ndikimin konkret këtij vendimi në jetën e tyre të përditshme./RTK
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit K.M., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Musë Povataj, pas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda. Sipas gjykatës, ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të paraparë në nenin 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Masa e paraburgimit është caktuar në bazë të kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe do të zbatohet nga data 6 shkurt 2026, në ora 04:00, deri më 6 mars 2026.
Sipas vendimit të gjykatës, paraburgimi do të mbahet fillimisht në Repartin e Psikiatrisë në Pejë, për aq kohë sa vlerësohet i nevojshëm trajtimi shëndetësor i të pandehurit, ndërsa pas përfundimit të trajtimit ai do të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit.
Ndryshe, dje është arrestuar një person nën dyshimin për veprën penale vrasje në tentativë, pas një incidenti të rëndë që ka ndodhur në fshatin Isniq të Deçanit, ku një person dyshohet se është lënduar rëndë me sëpatë nga një familjar i tij.
Rastin fillimisht e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare rreth orës 15:35.
“Rreth orës 15:35, Stacioni Policor është njoftuar nga QMF se është duke u trajtuar një person i lënduar me mjet të fortë, sëpatë, i cili dyshohet se është lënduar nga një familjar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Isniq të Deçanit. Personi i lënduar është dërguar në emergjencën e Pejës për shkak të lëndimeve që ka pësuar. Prokurorja e shtetit është njoftuar me rastin dhe ka autorizuar që me rastin të merret sektori i hetimeve rajonale për shkak të peshës së veprës”, ka deklaruar Gashi./Telegrafi/
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramë Buja, ka shpalosur detaje të panjohura më parë rreth Konferencës së Rambujesë, 27 vjet pas zhvillimit të saj.
Duke e përshkruar atë periudhë si një kthesë vendimtare për fatin e Kosovës, Buja si ish-anëtari delegacionit Kosovar, për KosovaPress ka ofruar një vështrim të thellë mbi sfidat ushtarake, diplomatike dhe personale me të cilat u përball delegacioni shqiptar në shkurtin e vitit 1999. Rrëfimi i Bujës nis me situatën kritike në terren para nisjes për në Francë. Ai zbulon se UÇK-ja ndodhej në një moment delikat, me mungesë të theksuar municioni dhe me nevojën urgjente për të fituar kohë dhe mbështetje ndërkombëtare. Vendimi për të shkuar në Rambuje nuk ishte thjesht diplomatik, por një manovër ekzistenciale për të shpëtuar bërthamën e rezistencës së armatosur dhe për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës në nivelet më të larta botërore.
“Çështja e një konference ndërkombëtare për Kosovën është nisur diku në qershor apo korrik të vitit ‘98. Kur trojka europiane vije në Kleçkë dhe na takon Jakup Krasniqin, Fatmir Limën dhe mua dhe aty filloi një farë forme ai propozimi se a jeni të gatshëm ju të shkoni në një konferencë ndërkombëtare kudo që do bëhet në në Evropë apo botë për të realizuar atë që ju mund të pretendoni për të realizuar. Faktikisht, pastaj shkoi kohë relativisht e gjatë prej asaj kohe dhe ëh, ishte problem jo i voçkël apo jo i vogël kombinimi dhe strukturimi i delegacionit, sepse do duhej të ishin pjesëtarët e delegacionit edhe ata të cilët ishin në Prishtinë dhe nuk ishin pjesë e luftës. Pastaj një pjesë tjetër që ishte edhe andej edhe këndej, dhe pastaj një pjesë e delegacionit që ishin anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ata ishin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Ram Buja. Kështu që këta ishim ne të UÇK-së dhe nuk ishte e lehtë ajo që të pranonim për të shkuar sepse 10 pikat nismëtare për ta pranuar konferencën si të tillë çfarë ishte, ishin të rënda. Por ne si delegacion i UÇK-së, i dinim pozicionet tona. Ishim në një pozicion shumë të rëndë për faktin që na u kishin, na kishin ardhur gati në fund municionet. Dhe e kishim hallin ta zgjasim jetën, ta zgjasim kohën që ushtarët tanë të furnizoheshin me municione dhe me armatim që të vazhdohet lufta. Nuk e kishim iluzionin hiç të përafërt që ne në Rambuje do të realizojmë diçka që është madhështore për Kosovën. Por të fitojmë kohë dhe ta bëjmë UÇK-në më të njohur në botë. Sepse një konferencë e tillë, padyshim që do përcillej nga të gjithë mediat e televizionet e botës dhe do tregojmë se cila është e vërteta e luftës sonë”, tha ai.
Një nga momentet më dramatike të intervistës është përshkrimi i kërkesës së pazakontë të delegacionit të UÇK-së për t'u nisur të armatosur drejt aeroportit të Prishtinës, i cili kontrollohej nga forcat serbe. Buja tregon se si ata ishin të gatshëm të vetëvriteshin sesa të dorëzoheshin të gjallë në duart e regjimit të Milosheviqit, një detaj që dëshmon vendosmërinë sublime të luftëtarëve të lirisë.
“Dhe është një mik që akoma është gjallë dhe jemi përshëndetur shpesh me të, Shawn Byrnes, që ka bërë punë të jashtëzakonshme rreth delegacionit dhe për delegacionin dhe për Kosovën për këtë çështje, saqë kemi pasur hallin se si do shkojmë në Rambuje. Dhe kjo si do shkojmë në Rambuje, kishim hallin ne që do të shkojmë në aeroportin e Prishtinës, dhe në aeroport të Prishtinës dihej që ishin forcat serbe. Dhe ne bëmë një kërkesë jo të zakonshme për delegacionin amerikan dhe për Shaën Byrnes-in, që ne kërkojmë që në Rambuje të shkojmë të armatosur. Ishte diçka që s'nuk ka ndodhur dhe s'i dihet, nuk mendonin dot se çfarë kërkese është kjo. Dhe na thanë jo, s'është e mundur kjo gjë të bëhet. Po kur ua sqaruam se përse duam të shkojmë të armatosur me armë të lehta, me armë të vogla, ëh, në aeroportin e Prishtinës dhe i thamë, ne nuk do bëjmë luftë aty. As që s'e dihet kjo punë. Por nuk dorëzohemi të gjallë në tek forcat serbe. E kemi hallin, nëse na vije puna që ata vijnë në pozicion aq të rëndë, na vijnë në pozicion aq të rëndë, ne vrasim veten. Ky është qëllimi i marrjes së armës me vete. Nuk ka gjë tjetër. Dhe atëherë menjëherë kanë thënë po, do ta keni. Dhe kështu domethënë ne shkuam të armatosur me ato që armë që kishim, armë të lehta ose revole..
Udhëtimi që do të ndryshonte rrjedhën e historisë së Kosovës nuk filloi me bujë ushtarake, por me një kërkim të ethshëm për rroba civile.
Për ne, sepse s'kishim rroba civile. Dhe dikush na binte rroba të ndryshme dhe tash dikujt i binin të mëdha, dikujt të vogla. Dhe dikur na merr në telefon Shën Blozi dhe thotë, miqtë e mi, mos u brengosni për këtë punë, sepse disa miq tuaj janë të gatshëm t'ju furnizojnë, t'ju blejnë dhe t'ju sjellin... ne ju sjellim rrobat prej Prishtinës. Dhe na sollën, nuk e di sa valixhe, dy-tre valixhe, që të kemi mundësi edhe t'i ndërrojmë ato. Na erdhën në Shalë. Po tash u dashke ta kemi edhe një mjeshtër që i lidh kravatat. Dhe unë dikur që di t'i lidh kravatat. Nusja ime, Fatimja na i kthente këto rrethin e pantallonave, e lidhjen e kravatave, na i bëri ato gati dhe ne u nisëm të përgatitur. Por për të na marrë në Shalë erdhën dy makina të blinduara të KDOM-it amerikan atëherë dhe ishte interesant që ne shkonim për në aeroport të Prishtinës dhe ishte një ndjenjë e çuditshme e një gëzimi të veçantë. E dinim që mund të përfundonim në aeroport. E dinim atë, ne ishim të ndërgjegjshëm. Por, ishim të gëzuar se po shkojmë në një konferencë ndërkombëtare që do ta bëjmë vërtet ndërkombëtare krejt kërkesën tonë për liri.
Buja hedh dritë gjithashtu mbi solidaritetin e brendshëm dhe mbështetjen popullore. Një njësi speciale e UÇK-së nga Kleçksiguroi përcjelljen e tyre në një zonë me rrezikshmëri të lartë afër aeroportit. Para nisjes, u bë një përcjellje formale ushtarake. Derisa popullsia e Shalës dhe fshatrave përreth u mblodh për t'i parë me gëzim dhe shpresë të madhe.
Dhe për çudi, djemtë tanë, me gjithë sigurimin amerikan që kishim me ato mjetet e blinduara amerikane, një njësiti i veçantë, special i Kleçkës na ka përcjellur gjer afër aeroportit se ishte rrezik shumë i madh. Dhe me ta ishte edhe Adem Grabovci, domethënë, mes tjerash që janë të shtabit. Domethënë janë gjëra këto që kur t'i kujton njeriu janë të mira, goditëse domethënë për këtë kohë, kur e kujton se çfarë sakrifice është bërë dhe, a thua çmohet ajo sakrificë që kanë bërë djemtë tanë, kanë ardhur domethënë gjer afër aeroportit. Ne mos, nuk ishim të rëndësishëm. Ne e kishim vendosur.
E para gjë do ta them diçka që harrova dhe është mëkat po të harrohet, që Tahir Sinani i ndjerë, komandanti i njësisit special të Shtabit të Përgjithshëm, e bëri gardën rresht dhe na përcolli me të gjitha nderimet ushtarake për t'u nisur për në Rambuje. Ndërsa popullata e Shalës, e Krojmirit dhe fshatrave përreth, dolën aty për të na përcjellur me një gëzim se sikur diçka ne do merrnim, diçka të mirë për të realizuar atë që është më fisnikja, lirinë. Ne ishim të ndërgjegjshëm, ishim të kujdesshëm, e dinim se nuk mund të bëhet mrekullia, por megjithatë po shkojmë për të bërë një hap serioz drejt realizimit të qëllimit tonë.
Një nga dëshmitë më ekskluzive dhe historike që sjell Buja në këtë intervistë është rrëfimi mbi takimin me Komandantin Suprem të NATO-s, Gjeneralin Wesley Clark, në një lokacion tjetër jashtë Rambujesë.
Shkuam tek Klarku, u takuam me të dhe, siç e ka thënë edhe vetë, jo një herë dhe në librin e tij, Na priti me katër ushtarakë të tjerë. S'ua dinim ne gradat. Ne ishim pesë edhe ata ishin pesë. Dhe na tha: “Ju lutem, më hapni portat që ta godas Millosheviqin. Se të jeni i bindur se nuk e urreni ju më shumë Millosheviqin se unë”. Ishte e jashtëzakonshme për ne kjo.
Së fundmi, profesori bën një lidhje të drejtpërdrejtë mes ngjarjeve të vitit 1999 dhe procesit aktual gjyqësor në Hagë. Ai argumenton se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së do të ishte një dënim për vetë historinë e ndërhyrjes së NATO-s dhe vlerave demokratike perëndimore. Me tone të ashpra kritike ndaj Gjykatës Speciale, Buja mbron pastërtinë e luftës çlirimtare dhe bën thirrje për njohjen e sakrificës së atyre që sot po gjykohen padrejtësisht, duke nënvizuar se pa UÇK-në, as ndihma e aleatëve nuk do të kishte qenë e mundur.
Ministri në detyrë i Mjedisit, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se ka nisur një inspektim i përbashkët me Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Tregtisë lidhur me importimin, tregtimin dhe përdorimin e kimikateve, biocideve dhe pesticideve.
Siç bën të ditur Durmishi, pas informatave të pranuara nga MBPZHR, është konstatuar se disa operatorë kanë keqpërdorur sistemin e regjistrimit, duke paraqitur pesticide si biocide, përfshirë edhe substanca të ndaluara nga direktivat ndërkombëtare, njofton Dukagjini.
“Për këtë arsye, institucionet kanë ndërmarrë masa konkrete dhe të pakthyeshme, në përputhje me standardet evropiane”, ka shkruar ai në Facebook.
Durmishi, ka njoftuar se deri më tani është inicuar audimi i brendshëm për mbi 100 lëndë, është ndaluar importi, shpërndarja dhe përdorimi i substancave të rrezikshme, janë forcuar inspektimet në terren, janë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj çdo shkelësi, pa dallim, është rritur koordinimi ndërinstitucional për zbatim të plotë të ligjit, janë krijuar grupe punuese për formulimin e akteve dhe rregulloreve të reja, janë shfuqizuar vendime të lejeve për import, që kanë qenë në kundërshtim me ligjin si dhe është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e kimikateve, duke pamundësuar daljen e tyre në treg.
“Si Ministër i MMPHI-së dhe si Qeveri, kemi politikë me zero tolerancë ndaj çdo veprimi që cenon shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Jeta dhe shëndeti publik janë mbi çdo interes tjetër. Prandaj, ftojmë institucionet e rendit dhe drejtësisë që të veprojnë me prioritet dhe seriozitet të plotë. Institucionet tona janë të gatshme për bashkëpunim të plotë, në mënyrë që ligji të zbatohet pa përjashtime dhe pa ndikime.Mesazhi është i qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë praktikë që rrezikon njerëzit, kafshët apo mjedisin nuk do të tolerohet”, ka shkruar ai.
Avokati, Arianit Koci, ka sqaruar edhe njëherë tërheqjen e tij nga organizimi i protestës lidhur me kundërshtimin e shtrenjtimit të rrymës.
Megjithatë, Koci, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, bëri të ditur se sot ishte protestoi teksa ironizoi me numrin e pjesëmarrësve pasi sipas tij më shumë kishte njerëz që prisnin autobusin sesa që protestonin.
“Çdo punë e bëjë me shumë seriozitet dhe nuk frikësohem e nuk mundet me më ble askush – por në analizë e sipër e kam pa që kauza e protestës mundët me u dëmtu pasi unë ka një kohë të gjatë që jam avokat dhe mundet me u kriju një situatë që dikush e shfrytëzon për konflikt interesi. Për këtë unë jam tërhequr nga organizimi i asaj proteste, por unë sot kam qenë në protestë”, u shpreh Koci.
“Të shumë pati qytetarë që ishin duke e pritur autobusin sesa duke protestuar e njësoj pati edhe më shumë gazetarë. Sot u arrestua një 80-vjeçar që nuk proteston pa pasur një zor të madh e nuk del në shi për të protestuar, por uroj që e lirojnë shumë shpejtë. Çdo kauzë që është në interes të qytetarë do të jem në mbështetje të saj. Populli duhet të vetëdijesohet se kur diçka nuk është në rregull duhet të protestojë”, u shpreh Koci./Tv Dukagjini/
Gjykata e Apelit ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, duke e kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të paraburgimit ndaj D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V., F.L., M.H., dhe G.P., të dyshuar për manipulim me vota në Prizren.
Përmes vendimit të marrë më 4 shkurt 2026 Apeli ka aprovuar pjesërisht si të bazuara ankesat e mbrojtjes së të pandehurve: D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., F.L., M.J., dhe G.P., avokatëve: Rinard Pulaj, Blerim Mazreku, Muhamet Shalaj, Hysen Gashi, Kushtrim Muqaj, Bekim Parallangaj, Xhelil Elshani dhe Valon Kabashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Apelit, të pandehurit mbeten nën masën e paraburgimit deri në marrjen e një vendimi të ri.
Në vendimin e Apelit thuhet se Themelorja më 24 janar ua caktoi paraburgimin të pandehurve: D.Sh., J.H., S.B., A.L., Q.K., A.V., F.L., M.J., dhe G.P.
Kundër këtij aktvendimi, ankesë kishin paraqitur avokatët: Rinard Pulaj, Blerim Mazreku, Muhamet Shalaj, Hysen Gashi, Kushtrim Muqaj, Bekim Parallangaj, Xhelil Elshani dhe Valon Kabashi.
Avokati i D.Sh., Rinard Pulaj kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljes së të drejtës për liri dhe siguri të garantuar me Kushtetutë, shkeljes së dispozitave procedurale që garantojnë respektimin e të drejtës dhe gabimeve në fakte, të cilat kanë rezultuar me gjetje të gabuara nga ana e gjykatës lidhur me pretendimet për plotësim të kushteve për caktimin e paraburgimit.
Mbrojtja kishte propozuar që të ndryshohet aktvendimi i ankimuar dhe që masa e paraburgimit të zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.
Mbrojtësi i J.H., avokati Blerim Mazreku kishte paraqitur ankesë për shkak të të gjitha bazave ankimore, duke i propozuar Apelit që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri, ose t’i zëvendësohet me ndonjë masë më të butë.
Mbrojtësi i A.L., avokati Hysen Gashi kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore të KPPK-së, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet ndonjë masë më e butë sikurse është paraqitja në stacion policor.
Mbojtësi i S.B., avokati Muhamet Shalaj kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës penale, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së dispozitave të Kodit Penal, me propozim që t’i ndërpritet paraburgimi S.B.
Edhe avokati i F.Ll., Bekim Parallangaj kishte ushtruar ankesë për shkak të së drejtës për liri dhe siguri të garantuar me Kushtetutë, shkeljes së dispozitave procedurale që garantojnë respektimin e të drejtës dhe gabimeve në fakte, të cilat kanë rezultuar me gjetje të gabuara nga ana e gjykatës lidhur me pretendimet për plotësimin e kushteve për caktim të paraburgimit. Propozoi që të anulohet aktvendimi i ankimuar ose të zëvendësohet paraburgimi me ndonjë masë alternative.
Mbrojtësi i Q.K., avokati Kushtrim Muqaj kishte ushtruar ankesë për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave të KPPRK-së, duke propozuar ndryshimin e aktvendimit të ankimuar, t’i ndërpritet paraburgimi ose t’i zëvendësohet me ndnjë masë alternative sikurse është paraqitja në stacion policor.
Edhe mbrojtësi i G.P., avokati Valon Kabashi kishte ushtruar ankesë për shkak të shkelejeve thelbësore të dispozitave të procedurës penale, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor.
Dhe mbrojtësi i M.J., avokati Xhemil Elshani kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave procedurale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që të ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me masën e paraqitjes në stacion policor.
Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesat e mbrojtjes të refuzohen si të pabazuara dhe të vërtetohet aktvendimi i ankimuar.
Gjetjet e Apelit:
Gjykata e Apelit gjen se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, lidhur me dyshimin e bazuar, në cilat prova mbështetet dyshmi i bazuar dhe arsyetimin e caktimit të kësaj mase.
Sipas Apelit, gjyqtarja e procedurës paraprake në arsyetimin e aktvendimit të ankimuar nuk ka dhënë arsyet të qarta dhe konkrete mbi bazën e të cilave do të vërtetohej dyshimi i bazuar se nëntë të pandehurit kanë kryer veprat për të cilat dyshohen, e që do të ishte edhe bazë ligjore për caktimin e masës së paraburgimit./Betimi për Drejtësi/
Një aksident trafiku ka ndodhur të premten pasdite në aksin rrugor Gjilan–Kamenicë, ku dyshohet se një vozitës ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka përfunduar jashtë rrugës.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili bëri të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00.
Sipas Osmanit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të trajtuar rastin. Si pasojë e aksidentit, vozitësi ka pësuar lëndime trupore dhe është duke pranuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Gjilan.
Policia ka bërë të ditur se rrethanat dhe shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar nga njësia e hetimeve të aksidenteve.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qëndruar në Pentagon, ku është pritur në takim nga z. Alton Buland, Drejtor Kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Luftës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Haradinaj ka theksuar mirënjohjen e përhershme të Kosovës ndaj popullit dhe shtetit amerikan për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën e lirisë, ndërtimit të shtetit dhe sigurisë.
Ai ka nënvizuar se tani është momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke theksuar se kjo do të kontribuonte drejtpërdrejt në stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Haradinaj ka riafirmuar gjithashtu se Ushtria e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë krah për krah me Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me ushtritë e vendeve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Që prej datës 3 shkurt , fati i bariut Ylli Dine, 65 vjeç, mbetet i panjohur. Sipas dyshimeve paraprake, ai mendohet se është rrëmbyer nga rrjedha e lumit Vjosa pasi është rrëzuar në zonën e njohur si “Fusha e fshatit Peshtan”, në bashkinë Tepelenë.
Ngjarja ka tronditur familjarët dhe banorët e zonës, të cilët prej ditësh jetojnë mes ankthit dhe shpresës. Prej ditës së parë të raportimit të zhdukjes, kërkimet po zhvillohen me intensitet të lartë.
Në operacion janë angazhuar palombarët e RENEA-s, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e vullnetarë.
Krehja e shtratit të lumit po kryhet nga të dyja anët, në një terren të vështirë dhe me rrjedhë të fortë uji. /A2 CNN
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve po thellohet dhe po shndërrohet në një aleancë vizioni.
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani u shpreh se ky partneritet ka lindur në kohë sfidash dhe është ndërtuar mbi besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë.
“Një partneritet që lindi në kohë sfidash dhe sot po thellohet si aleancë vizioni, duke dëshmuar se miqësia e vërtetë ndërtohet me besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë”, ka deklaruar Osmani në një video që ka shpërndarë nga kjo vizitë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten një partner i rëndësishëm strategjik për Kosovën, ndërsa vizita e saj synon forcimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.
Qytetarët e frustruar për shkak të paralajmërimit të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike protestuan sot para KEDS-it dhe Qeverisë. Pati edhe hedhje të tymosjes në drejtim të objektit të KEDS-it, derisa një i moshuar është arrestuar.
Protestuesit shprehin pakënaqësinë e tyre lidhur me rritjen e të faturave të energjisë elektrike nga viti i kaluar e deri më tani.
Ata thonë se kjo situatë është e papërballueshme për familjet, pensionistët dhe shtresat me të ardhura të ulëta, në një kohë kur janë rritur ndjeshëm edhe çmimet e ushqimeve, bukës dhe mallrave bazë, gjë që po e vështirëson çdo ditë e më shumë jetesën.
Protestues nga qyteti i Ferizajt, Bastri Mustafa, tregon se padrejtësisht janë shtrenjtuar faturat e energjisë elektrike prej vitit të kaluar e deri më tash.
“Kjo është diçka katastrofale për jetën tonë që jetojmë në Kosovën e lirë. 146 euro më ka ardhë rryma për 1 muaj ditë. Unë ia dal ndoshta, unë jam pensioner edhe me një djalë jam, ama çka me bo një person që i ka 4 a 5 persona, çka do të han ai, a duhet me mendu qeveria për ata njerëz apo çetat i kanë mashtru, ka 100 euro ua kanë dhënë edhe çmimet në anën tjetër në hava. A mendon që faturat e rrymës janë rritur padrejtësisht? Normal, ajo dihet… 70 euro është më shumë e shtrenjtuar prej vitit të kaluar”, tha Mustafa.
Inxhinieri i elektroteknikës dhe ish-punonjësi i KEK-ut, Sylejman Krasniqi, ndan shqetësimet e rritjes së faturave të rrymës, duke e cekur se është shumë e vështirë për atë.
“Shumë shtrenjtë. Në KEK nuk ka pas kështu rritje, çdo muaj ka 50 apo 40 përqind. Ja me mbyt nënën, ja babën për me ble gjëra të nevojshme për shtëpi, as sheqer, as kripë, as biber, as… krejt senet u shtrenjtun. Tash ka me u rrit buka, krejt: me zejtari, me sheqer, me tesha, me këmisha, me maica, me krejt kanë me u rrit. S’ka pare mo, s’ka. Për ato po rrehen gjinia, po shkojnë në burg. Nuk e di vallë, se unë as nuk guxoj me mendu atë, se veç me mbyt veten”, theksoi Krasniqi.
I burgosuri politikë, Avdi Xhata është shprehur i revoltuar nga kjo situatë.
“Qeveri kriminale i ka lënduar me qindra policë, që sot këta fëmijët tanë të mjerë e kapin prindërit e tyre pse kundërshton shtrenjtimin e rrymës. Unë plak 70-vjeçar kam me i pri këtij populli për ta përmbys këtë qeveri, qeveri kriminale. Ai kryeministër që ik prej popullit nuk është kryeministër i popullit të Kosovës”, tha Xhata.
Qytetarët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të rishikojnë urgjentisht politikat e çmimeve të energjisë elektrike dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për familjet që mezi po përballojnë shpenzimet mujore./KosovaPress
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën paszgjedhore.
Gjatë takimit, Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rudolph me qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me rrethanat politike aktuale, duke theksuar domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, stabile dhe funksionale.
Kryetari i LDK-së vuri në pah nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar se qytetarët presin një shtet që u shërben atyre, garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale.
Po ashtu, Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar se ajo ka qenë dhe mbetet një partnere kyçe dhe aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të saj.
Takimi u vlerësua si pjesë e komunikimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për tejkalimin e sfidave politike dhe forcimin e institucioneve demokratike në vend.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve të qendrave të numërimit, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka zhvilluar veprime intensive hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit brenda subjekteve politike.
Në kuadër të këtyre veprimeve, janë intervistuar gjithsej 22 kryesues, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në procesin e falsifikimit të rezultateve gjatë numërimit të votave.
Të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 kryesuesit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka paraqitur kërkesë pranë gjykatës kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe se do t’i trajtojë me prioritet të gjitha veprat penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve./Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetime lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë procesit të numërimit për zgjedhjet parlamentare, në komunat që janë nën kompetencën territoriale të kësaj prokurorie.
Sipas njoftimit zyrtar, më 22 janar 2026 Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës për manipulime të mundshme të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Pas veprimeve hetimore dhe takimeve koordinuese mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, si dhe pas pranimit të raporteve fillestare, Prokuroria ka bërë të ditur se në komunën e Ferizajt, nga 153 vendvotime të përfshira në raport, keqpërdorimet kanë qenë në përqindje të ulët. Konkretisht, vetëm një kandidat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa për kandidatët e tjerë janë evidentuar shtesa prej një deri në tre vota.
Edhe në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve të konstatuara është e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra votimi, me një përqindje më të lartë të shtimit të votave. Sipas raportit, për tre kandidatë janë regjistruar shtesa që variojnë nga dhjetë deri në 45 vota.
Në lidhje me këto raste, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve në komunën e Shtimes.
Sa i përket komunave të Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria ka bërë të ditur se është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç rasteve kur paraqiten rrethana të reja që kërkojnë veprime shtesë hetimore.
Në fund, Prokuroria ka ritheksuar angazhimin e saj për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor, duke theksuar se çdo rast i dyshuar do të trajtohet në përputhje me ligjin./Telegrafi/
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit në Washington, një ngjarje prestigjioze ku mori pjesë edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe liderë të lartë politikë dhe institucionalë nga e gjithë bota.
Ky manifestim tradicional, i cili organizohet që nga viti 1953, mbahet çdo të enjte të parë të muajit shkurt dhe përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme shpirtërore dhe institucionale në SHBA.
Lutjet Nacionale të Mëngjesit mbledhin anëtarë të Kongresit Amerikan, politikanë, liderë ushtarakë, si dhe mysafirë nga mbi njëqind vende të botës.
Pjesëmarrja e Prof. Dr. Edmond Hajrizi në këtë ngjarje të rëndësishme përbën një moment domethënës për përfaqësimin akademik dhe institucional të Kosovës në një platformë globale me ndikim të veçantë.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme u prit në Kongresin Amerikan nga Kongresmeni Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën dhe iniciues i “Projektligjit për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës”.
Ky projektligj kërkon monitorimin dhe raportimin nga Departamenti i Shtetit Amerikan mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Gjatë takimit, Spiropali theksoi se nisma e Kongresmenit Self, përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe adresimin e tyre institucional.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, në bashkëpunim me aleatët tanë”, deklaroi Spiropali.
Vizita e Spiropalit në Uashington do të vijojë me takimet në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në disa organizata e think-tanke të mendimit politik me fokus zhvillimet e fundit globale.
Këtë të enjte, Spiropali ka zhvilluar edhe disa takime në Senatin Amerikan, me fokus bashkëpunimin dhe koordinimin për çështje me interes të përbashkët mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Në takimin me senatoren Elissa Slotkin, u trajtua koordinimi strategjik për çështjet e sigurisë, bashkëpunimit ekonomik e politik mes dy vendeve.
Spiropali theksoi në një mesazh në rrjetet sociale se “si përfaqësuese e Michiganit, Senatorja Slotkin vlerëson rolin aktiv të komunitetit të madh shqiptar në zonën e saj”.
Vigan Qorrolli nga Lëvizja Vetëvendosje ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Qorrollit ka thënë se Kushtetuesja ka ndryshuar precedent për më pak se katër muaj, që sipas tij, ka hapur një terren të pazakontë dhe të rrezikshëm në historinë post-pavarësisë së Kosovës.
“Ne besojmë fuqishëm që ndryshimi i precedentit për më pak se katër muaj nga ana e GJK nga aktgjykimi paraprak. Që lidhet me konstituimin e Kuvendit dhe që përfshin edhe çështjen e nënkryetarëve nga radhët e pakicave, ka ndërtuar një fenomen të pashpjegueshëm edhe kushtetutshmërish edhe ka kaluar ne taborin politik. Kalimi në taborin politik lidhet që GK përse instrument kryesor i kontrollit të kushtetutshmërisë dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën ka hyrë në një terren të rrezikshëm dhe të pa precedentë në historinë post-pavarësisë”, ka thënë Qorrolli në Debat Plus.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas ankesës së Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit, të cilin Kushtetuesja e kishte gjetur si zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit. Megjithatë, aktgjykimi nuk ka efekt prapaveprues.