Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Main stream

Kush përjashtohet nga taksat e mjeteve të përdorura?

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:37

Ministria e Financave ka miratuar një udhëzim të ri që sjell ndryshime të rëndësishme në zbatimin e taksave kombëtare, duke prekur si mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave nga taksat, ashtu edhe rregullat për pagesën e taksës së automjeteve të përdorura.

Referuar udhëzimit të botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë në fuqi, një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me pikën 3 të udhëzimit, ku përcaktohen rastet kur nuk paguhet taksa e automjeteve të përdorura.

Sipas rregullave të reja, nga pagesa e taksës së automjeteve të përdorura përjashtohen automjetet e bllokuara ose të sekuestruara të lëna në ruajtje me vendim të gjykatës, të prokurorisë, për periudhën në të cilën mjeti ose dokumentacioni i mjetit ka qenë i bllokuar; Automjetet e vjedhura ose të humbura dhe automjetet e shkatërruara nga aksidentet, kur kjo vërtetohet nga organet e prokurorisë.

Pra ndryshe nga më parë, tashmë përjashtim nga taksat do të kenë edhe ata qytetarë të cilëve u është bllokuar vetëm dokumentacioni i mjeteve.

Sipas udhëzimit, përjashtohen nga pagimi i taksës së përvitshme dhe të regjistrimit fillestar të mjeteve luksoze pagesat e taksës së mjeteve të bllokuara ose të lëna në ruajtje me vendim të gjykatës, të prokurorisë, për periudhën në të cilën mjeti ose dokumentacioni i mjetit ka qenë i bllokuar dhe pagesat e taksës së mjeteve të vjedhura, të djegura, të shkatërruara nga aksidentet, të vërtetuara nga organet e prokurorisë.

Udhëzimi ndryshon edhe mënyrën e rishpërndarjes së të ardhurave që mblidhen nga kjo taksë tek pushteti vendor.

Konkretisht, nga shuma mujore e arkëtimeve nga Taksa e Mjeteve të Përdorura, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, pasi mban komisionin në masën 5 % të totalit mujor të arkëtimeve, derdh diferencën e mbetur prej 95 % në llogarinë bankare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), brenda datës 15 të muajit pasardhës.

DPSHTRR-ja i dërgon Ministrisë së Financave informacion mbi vlerën takuese për t’u shpërndarë sipas njësive të vetëqeverisjes vendore (25% e 95% të totalit mujor të arkëtimeve nga kjo taksë, brenda datës 15 të muajit pasardhës.

Ministria e Financave do t’i dërgojë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vlerën takuese për t’u shpërndarë sipas bashkive. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve transferon vlerën takuese të të ardhurave për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe pjesa tjetër mbetet në buxhetin e shtetit.

DPSHTRR-ja llogarit dhe transferon në llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve shumën e të ardhurave nga taksa e mbledhur prej 95%, pasi zbresin vlerën e komisionit prej 5% që ata përfitojnë.

Në udhëzimin e mëparshëm ishte detyrë e DPSHTRR që të llogariste dhe transferonte për llogari të njësive të qeverisjes vendore shumën e të ardhurave që ju takojnë këtyre njësive nga taksa e mbledhur, përgjegjësi që tashmë i kalon tërësisht administratës tatimore.

Ky mekanizëm synon një ndarje më të qartë dhe më transparente të të ardhurave ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor.

Këto ndryshime synojnë të rrisin transparencën fiskale; të forcojnë bashkëpunimin me pushtetin vendor; dhe të lehtësojnë barrën financiare për qytetarët në raste kur mjeti nuk mund të përdoret për arsye ligjore.

Sulmuesi shqiptar transferohet te klubi që synon Premier League-n

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:34

Anis Mehmeti është zyrtarisht lojtar i Ipswich Town në Angli, shkruan BBC.

Sot janë mryer vizitat mjekësore, për të ardhur më pas zyrtarizimi i transferimit.

Kontrata e firmosur me klubin e Championship është e vlefshme deri në vitin 2029.

Mehmeti largohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të dy sezoneve të fundit te Bristol City.

Në total do mbajë kujtimin e 26 golave dhe nëntë asistimeve. Ky largim ndërkohë ishte paralajmëruar tri ditë më parë.

Kalimi tek Ipsuich është hap i madh në karrierë, pasi Ipsuich synon ngjitjen direkt në Premier League pasi aktualisht mban vendin e tretë në renditje me dy pikë më pak se vendi i dytë.

Shifra e transferimit nga Bristol City nuk është bërë publike ndërsa kalimi te një klub tjetër i Championship nuk mund të ndalohej, pasi sulmuesi shqiptar do të mbetej pa kontratë në fundin e sezonit.

Sulmuesi shqiptar po kalon një formë të shkëlqyer prej dy sezonesh, megjithatë Silvinho nuk e llogarit nga viti 2023.

Rama: Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:24

Në të gjithë territorin e vendit vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

“Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike”, shkruan Rama, ndërsa ndau pamje nga prishja e një ndërtese të ndërtuar pa leje.

E nisur në muajin korrik të vitit të kaluar, nisma për lirimin e hapësirave publike është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 18 065 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 13 947 raste, ndërsa 4 118 të tjera janë në proces shqyrtimi.

Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.

SHIFRAT/ Toka, ajri apo deti, cila është mënyra më e preferuar e udhëtimit për shqiptarët?

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:21

Në vitin 2025, 8.5 milionë dalje nga territori të shqiptarëve e vendosin vendin tonë në një ritëm lëvizjeje të jashtëzakonshëm.

Ky është tregues i një dinamike të re të përditshme. Shqiptarët po udhëtojnë më shumë jashtë për turizëm, punë, arsye personale dhe familjare apo studime.

Kjo do të thotë se rreth 23,500 shqiptarë kanë dalë mesatarisht çdo ditë nga vendi në vitin që lamë pas. Një numër që habit dhe flet për lidhjet e forta me jashtë dhe ritmin intensiv të udhëtimeve.

Një arsye e fortë është edhe nënçmimi i monedhës së përbashkët europiane dhe rrjedhimisht paketa më të lira turistike të cilat ofrohen shpesh herë në euro.

Për nga mënyra e largimit, toka mbetet rruga kryesore, duke përfshirë autobusë, makina private.

Në total, 6 milionë shqiptarë dalin nga vendi me tokë, që përkthehet në mbi 16,500 njerëz në ditë vetëm me rrugë tokësore.

Udhëtimet ajrore gjithashtu shënojnë një numër të konsiderueshëm, me 2.2 milionë dalje, ndërsa lundrimet me det kontribuojnë 282,648 dalje, kryesisht për pushime dhe tregti.

Ky fenomen reflekton ndryshimet në mënyrën se si shqiptarët lidhen me botën jashtë kufijve. Nga përqindjet e përdorimit të rrugëve të ndryshme, duket se toka mbetet zgjedhja më popullore, ndoshta për shkak të afërsisë me vendet fqinje dhe kostove më të ulëta të udhëtimit. Udhëtimet me ajër po rriten ndjeshëm, duke treguar një trend drejt udhëtimeve më të shpejta dhe të shpeshta, ndërsa deti ruan një rol simbolik dhe sezonal.

Në perspektivë, këto shifra japin një foto unike të mobilitetit shqiptar, duke treguar se lëvizja e përditshme e qytetarëve është pjesë integrale e ekonomisë, turizmit dhe jetës sociale.

“Nesër, Dita e Gjykimit”/ Berisha ultimatum Ramës: Po qe burrë, rri në zyrë

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:17

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat këtë të premte, një ditë para protestës së thirrur nga ai kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Sipas Berishës, nesër qytetarët shqiptar do t’i bëjnë gjyqit kryeministrit Rama duke e quajtur edhe si “Ditën e Gjykimit” për këtë qeveri.

“Nesër është prova e madhe, është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot. Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë. I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera. Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën. Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë.”, tha Berisha.

Kreu i PD i bëri thirrje kryeministrit që “po qe burrë“, ta provojë të rrijë në zyrë.

“Do t’i japim mësimin që meriton qeverisë, kështu do ta cilësoj unë protestën, qytetarët do ti japin leksion të fortë qeverisë. Le të rrijë në zyrë ta provojë. Kaq i them, rri aty. Muret i ke blinduar, dyert i ke plumbosur, rri e shko futu, rri në je burrë”, u shpreh ai.

Sherri në Lezhë, merr fund arratia për vëllanë e ish-deputetit. Do hetohet në gjendje të lirë

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:16

11 ditë pas sherrit të ndodhur në një lokal në Lezhë, është kapur nga policia vëllai ish-deputetit Arben Noka, Gëzim Ndoka.

Pas ndalimit Gëzim Ndoka është lënë i lirë, pasi prokuroria ka vendosur që të hetohet në gjendje të lirë.

Ndërkohë, vijon të jetë ende në kërkim djali i tij, Kevin Ndoka.

Sherri ndodhi në një lokal në Lezhë më datë 12 janar, ku të lënduar mbetën dy kushërinjtë Gjergj dhe Nikolin Marku.

Ata kallëzuan në polici se babë e bir, Gëzim dhe Kevin Ndoka ishin personat që i dhunuan.

LEXO EDHEVëllai dhe nipi i ish-deputetit të PS bëjnë për spital dy kushërinjtë/ Ja pse nisi sherri në Lezhë

Incident i pazakontë! Dreri thyen dritaren dhe hyn në një bankë

By: Fax Web
23 January 2026 at 14:00

Një incident i pazakontë dhe i papritur ka ndodhur në Nju Jork, ku një dre hyri me forcë në një bankë pasi theu një dritare në katin përdhes. Ngjarja ndodhi të dielën e kaluar, më 18 janar, kur “mysafiri” i paftuar u fut brenda godinës, por më pas u bllokua pasi nuk arriti të gjente rrugën për të dalë.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat hynë nga dritarja e thyer për të kapur drerin dhe për ta nxjerrë jashtë në mënyrë të sigurt. Pas disa përpjekjesh, oficerët arritën ta imobilizonin dhe më pas ta lironin, duke e kthyer në habitatin e tij natyror.

Për shkak të dyshimeve të krijuara nga përhapja e materialeve të manipuluara me Inteligjencë Artificiale, agjencia Reuters konfirmoi se pamjet e publikuara nga incidenti janë autentike dhe nuk janë produkt i IA-së.

Sipas një deklarate të policisë në platformën X, oficerët iu përgjigjën një alarmi për vjedhje me thyerje në një bankë në zonën Ridge, ku u përballën me “një ndërhyrës të papritur”, i identifikuar si “një dre mashkull që theu dritaren”. “Ndërsa dreri përpiqej të arratisej, oficerët arritën ta ndalonin në mënyrë të sigurt dhe ta kthenin në liri”, thuhet në deklaratën e departamentit të policisë.

 

Botërori i Klubeve 2029/ PSG ekipi i vetëm i kualifikuar. Si funksionon skema

By: Fax Web
23 January 2026 at 13:43

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të edicionit të parë, të fituar nga Chelsea në finale ndaj PSG-së, nga sezoni 2024/2025 ka nisur zyrtarisht gara për Botërorin e Klubeve 2029.

Në këtë turne prestigjioz do të marrin pjesë vetëm 12 klube evropiane dhe kualifikimi do të jetë tepër selektiv.

Klubi i parë që ka siguruar biletën është Paris Saint-Germain, fitues i Champions League 2024/2025. Tre vende të tjera direkte do t’u takojnë fituesve të Champions-it në edicionet 2025/2026, 2026/2027 dhe 2027/2028.

Në rast se i njëjti klub fiton më shumë se një edicion, vendet shtesë do të shpërndahen sipas një renditjeje speciale të UEFA-s, e krijuar posaçërisht për Botërorin e Klubeve.

Në këtë rënditje vlejnë vetëm rezultatet në Champions League: çdo fitore sjell 3 pikë, çdo barazim 1 pikë, ndërsa shtohen edhe bonuset për kalimin e fazave deri në finale. Kështu, PSG-ja ka grumbulluar 49 pikë në sezonin 2024/2025, falë 11 fitoreve, një barazimi dhe triumfit final ndaj Interit.

Në Botërorin e Klubeve mund të marrin pjesë maksimumi dy skuadra për çdo shtet dhe asnjë vend nuk ka kuota të garantuara. Kjo do të thotë se klubet italiane duhet të fitojnë Champions League ose të renditen shumë lart në ranking, përndryshe ekziston rreziku real që Italia të mbetet pa përfaqësues në edicionin 2029.

Renditja (22 janar 2026):

1 Arsenal 68 (pikë)

2 Inter 63

3 Psg 59 (e kualifikuar)

4 Barcelona 57

5 Bayern Munich 55

6 Liverpool 48

7 Dortmund 45

8 Real Madrid 45

9 Atletico Madrid 43

10 Aston Villa 34

(ekipet italiane)

12 Atalanta 34

16 Juventus 30

22 Milan 18

35 Napoli 11

A i është sekuestruar telefoni Drejtorit të policisë Ilir Proda? Ja çfarë thotë SPAK

By: Fax Web
23 January 2026 at 13:30

Prokuroria e Posaçme ka mohuar lajmet në lidhje me sekuestrimin e telefonit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Në programin e transparencës, pyetjes se nëse Ilir Prodës i është sekuestruar telefoni, SPAK ka kthyer përgjigje duke u shprehur:

“Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) nuk e ka sekuestruar telefonin e Drejtorit të Policisë së Shtetit”, thotë SPAK.

Kush përfiton dhe çfarë pritet tani nga Groenlanda?

By: Fax Web
23 January 2026 at 13:28

Nga Corriere della Sera

Donald Trump kishte kërcënuar se do ta merrte me forcë Groenlandën dhe se do të vendoste tarifa të reja doganore ndaj tetë vendeve evropiane. Qeveria autonome e ishullit po përgatitej për “skenarin më të keq”. Danimarka kishte frikë se mund të humbiste kontrollin mbi “Territorin e saj special” në Arktik, një mbetje e epokës koloniale. Disa liderë evropianë dhe një pjesë e madhe e opinionistëve në Evropë dhe SHBA parashikonin madje fundin e Aleancës Atlantike.

Në fund, asgjë nga këto nuk ndodhi. Në Davos, Donald Trump deklaroi se kishte arritur “një marrëveshje kornizë” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Menjëherë pas kësaj, tensionet u ulën dhe tregjet financiare u rimëkëmbën. Megjithatë, kjo është një histori që pritet të lërë gjurmë të thella në ekuilibrat ndërkombëtarë. Kush del më i fituar?

Trump del fitues

Presidenti amerikan ndoqi një strategji të ngjashme me atë të pranverës së kaluar, kur shpalli vendosjen e tarifave doganore ndaj një pjese të madhe të botës. Që para rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump e ngriti tonin për Groenlandën, deri në intimidim të hapur. Megjithatë, për muaj të tërë, në qarqet diplomatike askush nuk besonte se ai do të dërgonte realisht ushtrinë në ishullin e madh, ndoshta trupat speciale të Alaskës, të ashtuquajturit “Arctic Angels”, që po stërviteshin edhe për inkursione të shpejta në akull.

Pas operacionit në Venezuelë, më 3 janar, perceptimi i rrezikut ndryshoi. Sidomos kur më 14 janar, zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio refuzuan ashpër propozimin e ministrave të Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës: të ndërtoheshin baza ushtarake, por pa prekur sovranitetin e ishullit.

Ndërkohë, negociatat vazhduan, të udhëhequra kryesisht nga Mark Rutte. Detajet përfundimtare të marrëveshjes pritet të bëhen publike, por nga sa ka dalë deri tani, Trump duket se ka marrë në thelb atë që kërkonte. Groenlanda do të përfshihet në planin “Golden Dome”, mburoja hapësinore e projektuar për të kapur raketat nga Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut që mund të vijnë nga rrugët arktike.

Trump ka arritur gjithashtu një fitore të rëndësishme politike: edhe një herë, ai është imponuar si epiqendra e rendit të ri botëror. Këtë e konfirmon edhe struktura e Bordit të Paqes për Gazën, një organizëm shumëpalësh i ndërtuar rreth rolit qendror dhe lidershipit personal të Trump.

Roli i ish-kryeministrit

Reputacioni i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ishte dëmtuar rëndë pas samitit të Aleancës në Hagë, kur ai e kishte quajtur Trump-in “babushi ynë”. Këtë herë, megjithatë, duhet pranuar se ish-kryeministri holandez veproi me kujdes dhe efektivitet.

Ai bashkëpunoi ngushtë me liderët e vendeve kryesore, veçanërisht me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, për ta kthyer një përplasje të mundshme frontale me Trump-in, që rrezikonte të shkatërronte NATO-n, në një çështje “teknike” mes aleatëve. Rutte siguroi fillimisht mandatin për të negociuar në emër të të gjithë partnerëve, më pas e përfshiu Groenlandën në dosjen më të gjerë të “sigurisë në Arktik”, duke propozuar përfshirje të drejtpërdrejtë dhe investime të mëdha ushtarake nga vendet nordike, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Ai mori parasysh edhe shqetësimet e Danimarkës dhe vetë Groenlandës, duke ndërtuar një propozim që, për momentin, duket se funksionon. SHBA-të do të kenë dorë të lirë në Groenlandë, pa qenë e nevojshme të marrin pronësinë e ishullit, përveç ndoshta zonave ku do të ngrihen baza ushtarake dhe do të mbështeten nga aleatët në gjithë Arktikun. Nëse kjo linjë konfirmohet, NATO shpëton edhe kësaj here, dhe roli i Rutte-s duket vendimtar.

Evropa në ndjekje

Deri pak ditë më parë, kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, u bënte thirrje bashkatdhetarëve të “përgatiteshin për skenarin më të keq”, pra për një ndërhyrje ushtarake amerikane. Danimarka u përpoq të organizonte një reagim të fortë, duke ftuar vendet evropiane në një stërvitje ushtarake në ishull, por mori vetëm shtatë përgjigje pozitive.

Qeveria e Kopenhagenit shpresonte për një veprim simbolik që do ta bindte Trump-in të hiqte dorë nga Groenlanda, por negociatat morën një drejtim tjetër. Liderët e BE-së u detyruan edhe një herë të ndjekin taktikat e paparashikueshme të Trump-it. Sot ka lehtësim në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane.

Por a është vërtet një sukses? Emmanuel Macron-i, Friedrich Merz-i, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe të tjerët arritën kryesisht të kufizonin dëmin. Ndoshta kjo është mjaftueshëm, por siç tha kryeministri kanadez Mark Carney në Davos, “fuqitë e mesme” duhet të bashkëpunojnë për të ndërtuar një hapësirë autonomie në përplasjen mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

Mes tensioneve gjeopolitike, çmimi i arit arrin nivel rekord

By: Fax Web
23 January 2026 at 12:50

Çmimet e arit u ngjitën sot në nivele rekord, të nxitura nga pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike dhe ekonomike që ka vazhduar të nxisë kërkesën për asete të sigurta.

Çmimi i arit në vend u rrit me rreth 0.4% në 4.954 dollarë për ons që nga ora 07:00, pasi arriti nivelin më të lartë historik prej 4.967 dollarësh më herët gjatë seancës. Çmimet u rritën me rreth 7.8% gjatë javës.

Ari është rritur me afërsisht 80% gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 15% që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e rritura tregtare dhe gjeopolitike si dhe uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.

Argjendi gjithashtu përparoi, duke u rritur me 3% në 99.38 dollarë për ons. Çmimet e argjendit janë rritur më shumë se 225% gjatë vitit të kaluar.

Aktorët e tregut theksojnë shqetësimet e përsëritura gjeopolitike si faktor kyç, përfshirë debatet mbi Grenlandën pas deklaratave të fundjavës së presidentit të ShBA-së, Donald Trump që kërcënonte me tarifa shtesë për vendet që kundërshtonin kontrollin e territorit nga ShBA-ja dhe vendosjen e personelit ushtarak atje.

VIDEO/ Plas sherri në fushë, trajnerin e nxjerrin me zor nga fusha

By: Fax Web
23 January 2026 at 12:46

Trajneri argjentinas, Jorge Sampaoli shquhet për gjaknxehtësi dhe nervat e tradhëtuan gjatë ndeshjes Amerika-MG dhe Atletiko-MG e mbyllur në barazimin 1-1.

Pas përfundimit të derbit, Sampaoli tentoi të zihej me trajnerin e ekipit kundërshtar, Alberto Valentim. Kjo për shkak se ky i fundit u tall me gjatësinë trupore të argjentinasit.

Brenda sekondash, lojtarët dhe anëtarët e të dy stafeve të trajnerëve u përfshinë në një përleshje që i detyroi gjyqtarët dhe personelin e sigurisë të ndërhynin.

Sampaoli dukshëm i shqetësuar, u shoqërua në dhomën e zhveshjes mes shtyrjeve dhe britmave. Valentimi mbeti në anë, duke parë rrëmujën nga distanca, ndërsa tifozët bërtisnin, të ndarë midis të qeshurave dhe fishkëllimave.

Konferencë ndërkombëtare në Tiranë në përkujtim të Kryepeshkopit Anastas

By: Fax Web
23 January 2026 at 12:11

Me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Kryepiskopit të lumur Anastas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij Joan, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ka organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore, në qendër të të cilave është Konferenca Ndërkombëtare Shkencore me temë: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit” (Mt. 15:19).

Konferenca, e organizuar nga Departamenti i Teologjisë dhe Kulturës i Kolegjit Universitar “Logos”, zhvillon punimet nga data 22 deri më 24 janar 2026, ndërsa aktivitetet përkujtimore kulmojnë të dielën, më 25 janar, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

NJOFTIMI I KISHES ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
Me rastin e njëvjetorit të jetëndërrimit të Kryepiskopit të lumur Anastas, nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij Joanit, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës i Kolegjit Universitar “Logos” organizon Konferencë Ndërkombëtare me temë: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit” (Mt.15:19). Konferenca do të zhvillojë punimet nga datat 22-24 janar 2026.

Ndërsa, ditën e diel, më 25 janar 2026, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë do të kryhen Mëngjesorja dhe Liturgjia Hyjnore, ora 7:30 – 10:30, në drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, së bashku me të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe me pjesëmarrjen e të ftuarve dhe besimtarëve.
Më pas, ora 10:30, do të kryhet Shërbesa e Përshpirtjes në përkujtim të Kryepiskopit të lumur Anastas.

 

Të enjten pasdite hapi më 22 janar 2026, ora 17:00 hapi punimet e Konferencës Ndërkombëtare me temë: “Kryepiskopi Anastas, madhështia në të bërët dhe në të mësuarit” (Mt.15:19), në auditorin qendror të Kolegjit Universitar “Logos”.
Fjalë përshëndetëse u mbajtën nga Rektori i Kolegjit Universitar “Logos”, i cili theksoi vizionin largpamës Kryepiskopit të lumur Anastas në ngritjen e Kolegjit Universitar “Logos” me moton “Dritë dhe fuqi jete”; Arqipeshkvi i Kishës Katolike, Shkëlqesia e Tij Arjan Dodaj; Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Erjon Sylari.
Pas paraqitjes së veprës së Kryepiskopit Anastas nëpërmjet një videojeje, u përcoll fjala përshëndetëse e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik Bartholomeu, drejtuar Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Joan të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, organizatorëve të nderuar, dijetarëve dhe pjesëmarrësve të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore të mbledhur në Tiranë në nder të kujtimit të bekuar të Kryepiskopit të ndjerë të Shqipërisë, Anastasit. Tema e kësaj Konference: “Madhështia në të bërët dhe në të mësuarit,” e nxjerrë nga fjalët e Zotit në Ungjillin e Shenjtë, përmbledh me qartësi të veçantë ethosin kishtar dhe vizionin misionar të Kryepiskopit Anastas. Në personin e tij, reflektimi shkrimor nuk u nda kurrë nga veprimi baritor, as ungjillëzimi nuk u shkëput nga përulësia, dialogu dhe dashuria. Jeta e tij qëndron si një sintezë e gjallë e shpalljes dhe shërbesës, mësimit dhe sacrifice – nënvizoi Patriarku Ekumenik në fjalën e tij.
Gjithashtu mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse Ambasadorja e Greqisë, znj. Lambrini Komini; Znj. Ksanthi Morfi, Ekspertja e Komunikimit të WCC, e cila përcolli fjalën e Kryepiskopit Vicken Aykazian, Zëvendës-Moderator i Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave dhe Shkëlqesia e Tij, Mitropoliti i Gjermanisë Qendrore, Dr. Isaac Barakat.

Zonja Blerina Bombaj përcolli përvojën e saj personale. Ndërsa Prof. Dr. Vasil Tole mbajti fjalën: Kryepiskopi Anastas, Rindërtuesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepiskopi Joan mbajti fjalën kryesore me temë: Kontributi Theologjik dhe Eklesiastik i Kryepiskopit Anastas i cili shpalli zyrtarisht hapjen e punimeve të saj për ditët në vazhdim. Si person unik në jetën dhe veprën e Kryepiskopit të lumur Anastas, ai theksoi që nëpërmjet shembullit të tij Kryepiskopi e ka forcuar tek të gjithë ne besimin e patundur tek Perëndia. Është bërë tashmë proverbiale thënia e tij: “Perëndia nuk do të na braktisë”. Besoj se jeta dhe vepra e tij janë një shembull i gjallë dhe frymëzim i vazhdueshëm, jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat që do të vijnë. Nuk mund të gjeja fjalë më të përshtatshme për të përfunduar sesa vetë fjalët e tij në lidhje me vizionin e Orthodhoksisë: “Kur e mendoj Orthodhoksinë në shekujt që vijnë, e ëndërroj të hapur ndaj zhvillimit, ndaj kushteve të reja të krijuara nga shkenca, arti dhe teknologjia. Vendi i Orthodhoksisë nuk është në një hapësirë jashtë historisë, por në qendrën e brumosjeve sociale, në pararojë të progresit…”. Siç ai vetë na ka thënë shpesh: “Nuk dua admirues, por bashkëpuntorë”. Ashtu edhe ne, nuk duhet të ndalemi vetëm në admirimin për jetën dhe veprën e tij, por edhe ta ndjekim atë pas, duke u bërë bashkëpunëtorët e tij në veprën shpëtimtare të Zotit tonë Jisu Krisht, nëpërmjet Kishës së Tij.
Kryepiskopi Anastas: “Ringjallja e misionit në shekullin XX: mësime të nxjerra dhe parime udhëzuese për sot dhe për të ardhmen” ishte tema e fjalës së mbajtur nga atë Martin Ritsi, Drejtor i Qendrës së Misionit të Krishterë Orthodhoks në Amerikë.
Himnet e kënduara nga dy koret e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë” mbyllën programin e ditës së parë të Konferencës Ndërkombëtare

Konferenca vazhdon punimet në Kampusin e Kolegjit Universitar “Logos” në Shën Vlash, Durrës.

Hiqej si avokate dhe premtonte zgjidhje të çështjeve ligjore përmes mashtrimeve, dërgohet në gjyq e dyshuara

By: Fax Web
23 January 2026 at 11:49

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një të dyshuar, e cila përmes mashtrimeve hiqej si avokate dhe iu dilte garant qytetarëve për të zgjidhur çështjet ligjore shpejt. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasen me inicialet K.K., e cila akuzohet për veprën penale ‘Mashtrimi’ e kryer më shumë se një herë dhe ‘Fshehja e të ardhurave’.

NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon për gjykim, shtetasen K.K. për veprën penale ‘Mashtrimi’ e kryer më shumë se një herë dhe ‘Fshehja e të ardhurave’ parashikuar nga neni 143 pg.2 dhe 180, pg.1 të Kodit Penal. Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.768 të vitit 2025, regjistruar mbi bazën e kallëzimit të disa shtetasëve dhe transmetimit në mediat investigative ku paraqiteshin shqetësimet se e pandehura K.K., duke u prezantuar si avokate, kishte arritur të merrte vlera monetare nëpërmjet mashtrimit, u evidentua se e pandehura, e cila për një periudhë të gjatë kohore është prezantuar si avokate, ka përfituar shuma monetare nga disa qytetarë, duke u premtuar zgjidhjen e çështjeve të ndryshme ligjore, administrative dhe gjyqësore, përfshirë legalizime pronash, procedura pensioni, çështje pronësie, përfaqësim në procese gjyqësore civile etj.

Nga verifikimet e kryera rezulton se këto shërbime, nuk janë realizuar, megjithëse vlerat monetare janë marrë nga e pandehura. Pagesat janë kryer në forma të ndryshme, përfshirë dorëzime në dorë, transferta financiare dhe pagesa të deklaruara si kapar apo shpenzime procedurale. Në disa episode, viktimat janë siguruar nga e pandehura se procedurat ishin në vijim dhe se çështjet do të përfundonin brenda afateve të caktuara, ndërkohë që më pas komunikimi me të është ndërprerë dhe nuk është dhënë asnjë rezultat konkret. Në raste të tjera, rezulton se janë dhënë informacione të pavërteta mbi ekzistencën e proceseve gjyqësore apo aplikimeve administrative, të cilat, pas verifikimit pranë institucioneve përkatëse, nuk kanë rezultuar të jenë bërë prej saj. Të mashtruar nga e pandehura në këtë procedim janë evidentuar 8 shtetas kryesisht qytetarë të Lushnjes dhe Fierit.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se e pandehura ka kryer veprime në dukje të një përfaqësimi ligjor në një kohë kur nuk kishte status aktiv për ushtrimin e profesionit të avokatit, si dhe ka përfituar të ardhura nga ky aktivitet pa i deklaruar ato pranë organeve tatimore. Nga të dhënat e administruara, rezulton se për disa vite ajo ka ushtruar aktivitet ekonomik faktik, ndërkohë që figuronte me status pasiv në regjistrat tatimorë, duke mos deklaruar të ardhurat e përfituara dhe duke shmangur detyrimet përkatëse tatimore.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin pasurinë dhe të drejtat ekonomike të subjekteve të dëmtuar.

Makina përplaset me murin mbrojtës, plagoset 45-vjeçarja

By: Fax Web
23 January 2026 at 10:54

Aksidenti ka ndodhur gjatë orëve të natës, në zonën e Melanit. Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është përplasur me murin mbrojtës anës rrugës.

Mësohet se në automjet udhëtonin babë e bijë. Gruaja, me iniciale S.D., 45 vjeçe, ka pësuar dëmtime në kokë dhe është transportuar drejt spitali në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore. Sakaq, babai i saj ka marrë mjekim në spitalin e Peshkopisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Arrestohet hajduti serial në Tiranë, tentoi të grabisë edhe filialin e një banke

By: Fax Web
23 January 2026 at 10:44

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Objektivi”, duke zbardhur 6 raste vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje, të dyshuara të kryera nga një shtetas gjatë dy ditëve të fundit dhe përgjatë vitit 2025.

Në kuadër të operacionit, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4, identifikuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin K. M., 43 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e vjedhjes.

Sipas hetimeve, më datë 21.01.2026, 43-vjeçari dyshohet se ka vjedhur me thyerje një shumë parash dhe disa dokumente në zyrat e Postës Shqiptare në rrugën “Kujtim Laro”, si dhe ka tentuar të vjedhë në filialin e një banke. Gjithashtu, në datat 09.10.2025 dhe 26.11.2025, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash dhe produkte në katër lokale të ndryshme në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë sekuestruan një shumë parash të dyshuar të vjedhur, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve, si dhe sende të forta që shërbenin për hapjen e dyerve.

 

Hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjes nga ky shtetas, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Përplasi me makinë një person dhe u largua nga vendngjarja, arrestohet 65-vjeçari në Bulqizë

By: Fax Web
23 January 2026 at 10:35

Policia e Bulqizës ka identifikuar dhe arrestuar autorin e një aksidenti rrugor, i cili pasi përplasi një këmbësor, u largua nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur më datë 22.01.2026, në segmentin rrugor Maqellarë–Bulqizë, ku një shtetas, gjatë drejtimit të automjetit, aksidentoi këmbësorin B. P., 72 vjeç, dhe më pas u largua pa i dhënë ndihmë. Si pasojë e aksidentit, i moshuari mbeti i dëmtuar dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin e automjetit të përfshirë në aksident, si dhe të drejtuesit të tij. Në vijim, specialistët e Policisë Rrugore lokalizuan dhe arrestuan shtetasin A. Sh., 65 vjeç, banues në Maqellarë, i cili dyshohet se ka tentuar t’i shmanget përgjegjësisë penale duke u larguar nga vendngjarja.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Pretendimet e Trumpit për NATO-n në Afganistan shkaktojnë zemërim në Mbretërinë e Bashkuar

By: Fax Web
23 January 2026 at 09:53

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shkaktuar reagime të forta dhe zemërim në Mbretërinë e Bashkuar, pasi pretendoi se trupat e NATO-s që shërbyen në Afganistan qëndruan larg vijave të frontit, duke minimizuar rolin dhe sakrificën e aleatëve amerikanë. Trump i bëri deklaratat në një intervistë për Fox News, ku përsëriti bindjen e tij se NATO nuk do ta mbështeste SHBA-në nëse do të ishte e nevojshme. “Ne kurrë nuk kishim nevojë për ta”, tha ai. “Ata thanë se do të dërgonin disa trupa në Afganistan… dhe e bënë, por qëndruan pak prapa, larg vijave të frontit.”

Këto komente u dënuan gjerësisht nga deputetë britanikë dhe veteranë të luftës, të cilët theksuan se 457 ushtarë britanikë humbën jetën në Afganistan, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën gjatë misioneve luftarake. Deputeti laburist Calvin Bailey, ish-oficer i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF), i cili shërbeu përkrah njësive amerikane të operacioneve speciale në Afganistan, tha për Shoqatën e Shtypit se pretendimet e Trump “nuk kanë asnjë lidhje me realitetin e përjetuar nga ata që shërbyen në terren”. Ndërsa deputeti konservator Ben Obsi-Jekti, ish-kapiten në Regjimentin Mbretëror të Yorkshire, e quajti “të trishtueshme” mënyrën se si, sipas tij, sakrifica e Britanisë dhe e partnerëve të NATO-s po trajtohet kaq lehtë nga presidenti amerikan.

Kryetari i Komitetit të Përzgjedhur të Mbrojtjes në Dhomën e Komunave, Tan Dezey, i cilësoi komentet e Trump si “të tmerrshme” dhe “një fyerje ndaj burrave dhe grave britanike që rrezikuan jetën e tyre për të ndihmuar aleatët”. Edhe kryetarja e Komitetit të Punëve të Jashtme, Emily Thornberry, deklaroi se komentet ishin “më shumë se një gabim” dhe përbënin një fyerje për familjet e ushtarëve të rënë. Trump është kritikuar prej vitesh për shmangien e shërbimit ushtarak gjatë Luftës së Vietnamit, përmes përjashtimeve mjekësore, një fakt që u rikujtua nga kritikët pas deklaratave të fundit.

Ish-ushtari dhe gazetari Stephen Stewart tha se komentet e presidentit amerikan janë “si ofenduese ashtu edhe të pasakta”, duke shtuar se Trump “ka përdhosur kujtimin e qindra ushtarëve britanikë që sakrifikuan jetën në Afganistan”. Ndërkohë, lideri i Liberal Demokratëve, Ed Davey, shkroi në platformën X se Trump “ka shmangur shërbimin ushtarak pesë herë” dhe nuk ka të drejtë të vërë në dyshim sakrificën e ushtarëve aleatë. Mbretëria e Bashkuar ka pasur numrin e dytë më të lartë të viktimave ushtarake në Afganistan pas SHBA-së, e cila humbi 2,461 ushtarë. Në total, vendet aleate humbën rreth 1,160 trupa, afërsisht një e treta e viktimave të koalicionit. Shtetet e Bashkuara mbeten i vetmi vend që ka aktivizuar Nenin 5 të NATO-s për mbrojtje kolektive, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kur aleanca u rreshtua në mbështetje të Uashingtonit.

Shpërthimi me eksploziv në Greqi, zbardhet ngjarja, arrestohen dy vëllezër shqiptarë

By: Fax Web
23 January 2026 at 09:35

Dy vëllezër shqiptarë, persona me precedentë penalë në Greqi, janë arrestuar si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv të diskotekës “Jacky.O” në rrugën Michalakopoulou të Athinës, mbrëmjen e 7 tetorit 2025. Në prangat e policisë greke ranë Blerim Buci, 41 vjeç, dhe Besmir Buci, 32 vjeç, të dy nga Tirana. Veç akuzës për shpërthimin me eksploziv, ndaj tyre ishte aktiv edhe një urdhër arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, grabitje, si dhe shkelje të ligjeve mbi armët.

Në mënyrë më të detajuar, u zbulua se pasi parkoi një automjet pranë diskotekës, 32-vjeçari Besmir Buci iu afrua objektit në këmbë dhe më pas vendosi dhe aktivizoi pajisjen shpërthyese të improvizuar. Më pas, ai hipi përsëri në automjet, ku 41-vjeçari Blerim Buci po e priste, dhe u larguan së bashku. U konstatua gjithashtu se automjeti i përdorur nga autorët e aktit u ishte siguruar atyre nga bashkëpunëtori i tyre, një 44-vjeçar grek. Gjatë kontrolleve të kryera, u gjetën dhe u sekuestruan një thikë palosëse, tetë telefona celularë, një pajisje telekomandimi me ekran, dy fletore me shënime, veshje të përdorura gjatë shpërthimit, si dhe automjeti i mësipërm i përdorur për kryerjen e aktit.

“Për bombën, më punësoi një çift që kishte hesape të vjetra, siç më thanë, me pronarin e dyqanit dhe më dhanë 5,000 euro që të shkoja ta vendosja.” Këto ishin të vetmet fjalë pranimi nga njëri prej dy burrave të arrestuar. Sipas hetimeve të policisë, bomba ishte një “mesazh paralajmërues”. Autorët kërkuan para për ofrimin e mbrojtjes së paligjshme, por refuzimi kategorik i pronarit për t’iu nënshtruar shantazhit çoi në hakmarrje. Gjatë operacionit, 41-vjeçari Blerim Buci u gjet në një zonë të izoluar në natyrë, ku ishte përpjekur të fshihej. Kur policia iu afrua dhe tentoi ta ndalonte, ai rezistoi fuqishëm, duke goditur me duar dhe këmbë, por efektivët arritën ta neutralizonin. Personat e arrestuar, të cilët janë akuzuar edhe më parë, ndër të tjera, për — sipas rastit — vjedhje, pahijshmëri, grabitje, mashtrim, dëmtim të rrezikshëm trupor, falsifikim, si dhe shkelje të ligjeve për drogën, u dërguan në autoritetin kompetent të ndjekjes penale.

Marrëveshja pritet të finalizohet këtë javë, SHBA dhe Kina gjejnë akordin për shitjen e aksioneve të TikTok

By: Fax Web
23 January 2026 at 09:21

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë nënshkruar një marrëveshje për të shitur degën amerikane të TikTok një konsorciumi investitorësh kryesisht amerikanë të udhëhequr nga Oracle dhe Silver Lake. Marrëveshja raportohet se do të finalizohet këtë javë. Si rezultat i marrëveshjes, kompania kineze ByteDance do të mbajë vetëm 20% të aksioneve në degë, ndërsa Oracle, Silver Lake dhe MGX me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbajnë secila nga 15%. Investitorë të tjerë përfshijnë Susquehanna, Dragoneer, DFO dhe zyrën familjare të Kryetarit të Dell, Michael Dell.

22 janari shënon datën e mbylljes për shitjen e degës amerikane të TikTok te një grup investitorësh amerikanë. Sipas mediave kineze, ndërmarrja e re e përbashkët e platformës së mediave sociale do të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave dhe moderimin e përmbajtjes mediatike.

Sipas firmës analitike Sensor Tower, TikTok u bë aplikacioni më i shkarkuar në SHBA në vitet 2021 dhe 2022. TikTok aktualisht përdoret nga afërsisht 170 milionë amerikanë, që përfaqësojnë afërsisht gjysmën e popullsisë së vendit.

 

Në shtator 2025, Presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të miratuar marrëveshjen që i vendos operacionet e rrjetit social kinez në SHBA nën kontrollin e bizneseve amerikane. Dokumenti, i publikuar nga Shtëpia e Bardhë në faqen e saj të internetit, thotë se “aplikacioni amerikan i TikTok do të operohet nga një kompani e re e përbashkët me seli në Shtetet e Bashkuara”. Kompania do të “operohet në SHBA nga një bord drejtorësh me kredenciale të sigurisë kombëtare dhe sigurisë kibernetike, dhe do t’i nënshtrohet rregullave të rrepta për të mbrojtur të dhënat e amerikanëve dhe sigurinë tonë kombëtare”.

Në vitin 2024, administrata e ish-presidentit amerikan Joe Biden miratoi një ligj që detyronte TikTok të shitej ose të ndërpritej në vend deri më 19 janar 2025. Pas inaugurimit të tij më 20 janar 2025, Trump nënshkroi një dekret që shtynte bllokimin e platformës. Më vonë, ai e zgjati këtë shtyrje dhe në shtator, Kina dhe Shtetet e Bashkuara arritën një mirëkuptim mbi marrëveshjen e ardhshme.

❌
❌