Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

Tragjedi në Itali! Katër anëtarë të familjes shqiptare gjenden të vdekur në banesë, u helmuan nga monoksidi i karbonit

By: A R
5 February 2026 at 08:00

Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin e Rughit, një fshat në Piana di Lucca të Italisë, ku një familje shqiptare është gjetur e pajetë nga monoksidi i karbonit. Siç shkruajnë mediat italiane, viktimat janë babai 48-vjeçar, nëna 42-vjeçare, djali 23-vjeç dhe vajza më e vogël, vetëm 15 vjeç.

Sipas të dhënave të para, shkaku i vdekjes së tyre dyshohet të ketë qenë thithja e monoksidit të karbonit nga një sistem ngrohjeje i prishur. Ekspertët e zjarrfikësve do të kryejnë hetimet teknike për të saktësuar shkakun e ngjarjes.

Ngjarja u zbulua pasi familja nuk iu përgjigj telefonatave të një të afërmi të familjes. Vëllai i pronarit të shtëpisë shkoi për të kontrolluar dhe, duke kuptuar tragjedinë, njoftoi autoritetet. Në vendngjarje u dërguan zjarrfikësit, karabinierët dhe shërbimet e emergjencës. Fatkeqësisht, kur arritën, të katër anëtarët e familjes ishin tashmë të vdekur.

Tre ushtarë të Armatës, të cilët u përpoqën të shpëtonin familjen Kola, u intoksikuan lehtë dhe u shtruan për kontrolle mjekësore, por gjendja e tyre është e stabilizuar. Edhe një i afërm i familjes, i cili ishte i pari që shkoi në vilë, u dërgua në spital.

Kryetari i bashkisë Leonardo Fornaciari shprehu ngushëllimet e tij: “Dhimbje e madhe, nuk ka fjalë për të shprehur atë që po ndjejmë në këtë moment. Duhet vetëm të mbështesim familjarët e tjerë.”

Monoksidi i karbonit është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe mund të shkaktojë dhimbje koke, marramendje, konfuzion, humbje të vetëdijes dhe vdekje, sidomos kur viktimat janë duke fjetur, gjë që e bën të vështirë zbulimin e rrezikut në kohë.

Hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

Galaja e Festës së Pranverës, një shfaqje plot surpriza artistike mbresëlënëse

By: A R
4 February 2026 at 18:49

Të mërkurën u mbajt në Pekin një konferencë për shtypin lidhur me Galanë e Festës së Pranverës të CMG-së për vitin 2026, ku u paraqitën pikat kryesore krijuese të programit dhe aplikimet teknologjike.

Këtë vit, robotët e mishëruar do të shfaqen përsëri skenën e Galasë së Festës së Pranverës, duke arritur nivele të reja artistike. “Modeli i madh mediatik 2.0” i CMG-së do të aplikohet në këtë gala për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe efikasitetin e programit. Standardi i teknologjisë audiovizuale “Jingcai”, i zhvilluar nën udhëheqjen e Laboratorit Kombëtar Kryesor të Qartësisë së Lartë të CMG-së, do të zbatohet plotësisht në prodhimin e numrave të galasë.

Zhang Guofei, kreu i Qendrës së Arteve dhe Argëtimit të CMG-së, u shpreh se janë përgatitur me kujdes numra të ndryshëm të programit të galasë, duke përfshirë këngë dhe valle, pjesë operash, skeçe, numra shpejtësie dhe integrime krijuese, duke paraqitur atmosferën festive dhe të mbarë të Vitit të Ri. Duke përdorur inteligjencën artificiale do të krijohet një spektakël pamor. Artistë nga vende të ndryshme do të angazhohen në dialogje magjepsëse me anë të muzikës dhe vallëzimit, për shkëmbime kulturore.

Galaja e Festës së Pranverës e CMG-së do të transmetohet drejtpërdrejt njëkohësisht në “CCTV-1”, “CRI Online” dhe platforma të tjera të mediave të reja në orën 8 të mbrëmjes së 16 shkurtit.

85 kanalet e CMG-së në gjuhë të ndryshme, duke përfshirë anglishten, spanjishten, frëngjishten, arabishten dhe rusishten, do të bashkëpunojnë me mbi 3 300 media të më shumë se 200 vendeve dhe rajoneve në të gjithë botën për të transmetuar dhe për të dhënë njoftime lidhur me Galanë e Festës së Pranverës të CMG-së.

Zero tolerancë për parkimet e gabuara, Policia Rrugore e Tiranës nis heqjen e mjeteve me karrotrecë të rinj

By: A R
4 February 2026 at 17:01

Policia Rrugore e Tiranës ashpërson masat ndaj drejtuesve që parkojnë gabim në rrugët e kryeqytetit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, uniformat blu bënë të ditur se janë pajisur me dy mjete të reja speciale – një karrotrec dhe një platformë ngritëse – të cilat do të shërbejnë për lirimin e akseve nga mjetet penguese.

Sipas policisë, fokusi do të jetë tek automjetet që bëhen pengesë serioze për qarkullimin. Këtu përfshihen parkimet mbi trotuare, në kryqëzime, para hyrje-daljeve të banesave e institucioneve, si dhe bllokimi i rampave për personat me aftësi të kufizuara apo mjetet e emergjencës.

Kosto e trefishtë për shkelësit

Policia Rrugore paralajmëron se pasojat financiare për drejtuesit e papërgjegjshëm do të jenë më të rënda. Mjeti jo vetëm që do të hiqet fizikisht nga rruga, por pronari do të përballet me tre pagesa të ndryshme si masën administrative (gjobën) për parkim të gabuar; tarifën për shërbimin e ngritjes me mjet (karrotrec); tarifën për qëndrimin e automjetit në pikën e bllokimit.

Apeli për siguri

Krahas masave për parkimin, Policia Rrugore u ka bërë apel qytetarëve për respektimin e rregullave bazë të qarkullimit, duke vënë theksin te dhënia e përparësisë për këmbësorët në vijat e bardha dhe mosdrejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike.

“Ftojmë përdoruesit e rrugës të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë Rrugore për një qarkullim sa më të rregullt dhe të sigurt për të gjithë,” përfundon njoftimi zyrtar.

Xi Jinping bisedë telefonike me Trump-in, pak orë pas komunikimit me Putinin

By: A R
4 February 2026 at 16:52

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologun kinez Xi Jinping. Telefonata vjen ndërkohë që në prill Trump pritet të vizitojë Kinën.

Mediat shtetërore kineze nuk dhanë detaje të mëtejshme për telefonatën.

Të dy udhëheqësit folën për herë të fundit në telefon në fund të nëntorit, pas së cilës Trump vlerësoi marrëdhëniet me Kinën “jashtëzakonisht të forta“.

Telefonata me Trump erdhi vetëm pak orë pasi Xi bisedoi me Presidentin rus Vladimir Putin me anë të një video-lidhjeje.

Kremlini tha se Putin pranoi një ftesë nga Xi për të vizituar Kinën në gjysmën e parë të këtij viti.

Pas muajsh tensionesh tregtare të shkaktuara nga tarifat e Trump vitin e kaluar, marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit u stabilizuan pas një takimi midis udhëheqësve në tetor në Korenë e Jugut, ku u arrit një armëpushim i brishtë tregtar.

Në Shqipëri rihapet sot zyrtarisht TikTok, vendimi merret në Këshillin e Ministrave

By: A R
4 February 2026 at 15:57

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është vendosur sot, 4 shkurt, që të rihapet rrjeti social TikTok. Kjo do të bëjë që aplikacioni të jetë i aksesueshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Në vendim thuhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme.

Rrjeti TikTok nuk funksiononte që prej 13 marsit të vitit të kaluar në Shqipëri. Vendimi për të mbyllur për 1 vit TikTok-un erdhi pas një konsultimi të nisur nga qeveria me prindërit, i nxitur nga vrasja e një 14-vjeçari në shkollën “Fan Noli”.

Gjatë këtij viti, qeveria shqiptare vijoi komunikimet me drejtuesit e TikTok që të merren masa për vendosjen e filtrave që pengojnë promovimin e materialeve me përmbajtje ku ka dhunë ose promovohet gjuha e urrejtjes.

Siguria në Prokurori dhe Gjykata, në tri vite u regjistruan 23 incidente ku ndërhyri Policia e Shtetit

By: A R
4 February 2026 at 15:49

Vrasja e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja në sallën e gjyqit nuk rezulton incidenti i vetëm në godinat e gjykatave apo prokurorive.

Zv.Ministri i Brendshëm Xhemal Qefalia bëri publik të mërkurën shifrën e ngjarjeve, ku ka ndërhyrë edhe Policia e Shtetit.

“Në tre vitet e fundit janë rreth 23 incidente, për të cilat është dashur ndërhyrja e policisë për zgjidhjen e problemeve”, tha Qefalia.

Të pranishëm në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale drejtuesit e institucioneve të drejtësisë kërkuan ndryshime ligjore dhe burime financiare që godinat e drejtësisë të kenë siguri.

Pritet që ky komision të ulë në tryezë të gjithë aktorët dhe faktorët që më pas të dilet me një vendim për mënyrë sesi do të veprohet për rritjen e parametrave të sigurisë në institucionet e drejtësisë.

Vrasjet e shqiptarëve nga banda serbe “Roja e Urës”, Mitrovica përkujtonin 4 shkurtin

By: A R
4 February 2026 at 15:41

Disa muaj pas përfundimit të luftës, kur për shqiptarët kishte rikthyer shpresën për të jetuar të lirë në Kosovë, qytetarët e Mitrovicës u përballën me vrasje dhe dëbime masive.

Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, banda kriminale serbe e njohur si “Rojat e Urës” nisi sulmet ndaj shqiptarëve që jetonin në veri të urës së Ibrit.

Luan Abrashi, atëherë 13-vjeçar, u bë dëshmitar i vrasjes së të ëmës, Sebihasë.

“Ka qenë e organizuar shumë mirë nga ana e strukturave serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve. Ka qenë një natë e tmerrshme, realisht vrasjet janë bërë pa dallim gjinie, pa dallim moshe, në mënyrën më barbare, me bomba dhe armë të ftohta”, tha Luan Abrashi.

Që prej 26 vjetësh, ai bashkë me familjen jetojnë në jug të Mitrovicës dhe kërkojnë drejtësi.

“Pas 26 vitesh ende nuk ka drejtësi për viktimat e asaj nate. Nuk është dënuar askush, edhe pse dihet shumë mirë se kush ka qenë në krye, si Oliver Ivanoviçi, Delibashiçi e të tjerë”, shtoi Abrashi.

Në “natën e tmerrit”, banda “Rojat e Urës” vrau dhjetë civilë shqiptarë, përfshirë fëmijë dhe pleq, plagosi 25 të tjerë dhe dëboi me dhunë rreth 12 mijë shqiptarë nga veriu i Mitrovicës. Sipas dëshmitarëve, gjithë kjo ndodhi në praninë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Në këtë përvjetor, në urën e re mbi lumin Ibër është përuruar një pllakë përkujtimore për viktimat.

“Duhet të jetë e paharruar sakrifica dhe gjaku i derdhur i qytetarëve shqiptarë edhe pas çlirimit të Kosovës dhe prezencës së KFOR-it në Kosovë”, tha Faton Pec, kryetari i Mitrovicës së Jugut.

Fotografitë e trupave të të vrarëve, të atyre që u keqtrajtuan dhe të shtëpive që u dogjën do të jenë pjesë e ekspozitës së hapur në Qendrën e Kulturës në jug të Mitrovicës. Ndërkohë, drejtësia ende mungon.

Më 11 gusht 2014, Prokurori Ndërkombëtar ngriti aktakuzë ndaj Oliver Ivanoviçit, Aleksandër Llazoviçit, Dragolub Delibashiçit dhe Ilija e Nebojsha Vujaçiçit, për krime lufte kundër popullatës civile në prill 1999 dhe shkurt 2000. Pas shqyrtimit rreth një viti, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Roxana Comsa shpalli fajtor vetëm Ivanoviçin për akuzën e parë dhe liroi të tjerët për akuzën e dytë. Në tetor 2016, Gjykata e Apelit e ktheu këtë rast në rigjykim, mirëpo më 16 janar 2018, Ivanoviç u vra para zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut.

Deklarata për Rusinë, në Ukrainë dalin kundër Infantinos: Pse nuk ke ardhur asnjëherë?!

By: A R
4 February 2026 at 15:34

Deklaratat e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, nuk janë pritur mirë në Ukrainë. Infantino deklaroi së fundmi se pezullimi i Rusisë nuk ka arritur asgjë përveçse ka shtuar urrejtjen, duke propozuar rikthimin e ekipeve ruse, të paktën në nivelin e të rinjve.

Drejtori Ekzekutiv i Shakhtar Donetsk, Serhii Palkin, nuk u kursye me deklaratën e tij, ndërsa u përgjigj me tone mjaft të ashpra, duke kujtuar se Ukraina ndodhet në vitin e katërt të një lufte totale me qindra mijëra viktima dhe infrastrukturë të shkatërruar.

Ai e sfidoi hapur Infantinon, duke e pyetur se pse në katër vite luftë nuk ka vizituar asnjëherë Ukrainën për të parë se si fëmijët luajnë futboll nën sirenat e sulmeve ajrore.

“Pozicioni i Gianni Infantinos përfaqëson një shkëputje të plotë nga realiteti dhe jam thellësisht i zhgënjyer prej tij. Ne kemi vuajtur nga një luftë totale për katër vjet. Qindra mijëra njerëz janë vrarë. Infrastrukturat politike, sportive dhe energjetike janë shkatërruar.

Deklaratat nuk janë një rrugë drejt paqes, ato janë një vazhdim i këtij tmerri. Ato janë një përpjekje për të pretenduar se lufta dhe agresioni nuk ekzistojnë. Futbolli nuk mund të ekzistojë jashtë realitetit. Dhe nuk ka të drejtë të mbyllë sytë ndaj të keqes që po bëhet.

Çfarë ju çon tani në këto deklarata? Pse, pas katër vitesh lufte, nuk keni ardhur në Ukrainë as edhe një herë për të parë me sytë tuaj se çfarë po ndodh këtu?

Le të vijë zoti Infantino dhe të shohë se si luajnë futboll fëmijët në Kharkiv, Dnipro, Kiev dhe Lviv, nën sirenat e sulmeve ajrore, pranë strehimoreve, nën kërcënimin e vazhdueshëm të raketave dhe dronëve”, deklaroi Palkin.

Gara bërthamore Rusi-SHBA, pa kontroll, të enjten skadon traktati New Start, bota në alarm

By: A R
4 February 2026 at 15:27

Traktati i fundit në fuqi për kontrollin e armëve bërthamore mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara skadon të enjten, duke hequr kështu të gjitha kufizimet për dy arsenalet më të mëdha atomike në botë për herë të parë në gati gjysmë shekulli.

Mungesa e një marrëveshje për të zgjatur traktatin New Start, apo për të formësuar një tjetër të ri, ka nxitur frikën për një garë të pakontrolluar e të papërmbajtur të armëve nukleare. Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh i gatshëm për t’iu përmbajtur kufizimeve të traktatit edhe për një vit nëse edhe Uashingtoni bën të njëjtën gjë, por presidenti amerikan Donald Trump nuk ka shprehur angazhim për diçka të tillë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka sugjeruar vazhdimisht se synon të ruajë limite ndaj armatimeve bërthamore dhe të përfshijë Kinën në bisedime për kontrollin e këtyre armëve, sipas një zyrtari të cituar në kushte anonimiteti.

Sipas tij, Trump do të marr një vendim për këtë çështje, në momentin e vlerësuar prej tij. Pekini ka kundërshtuar çdo kufizim ndaj arsenalit të tij me të vogël bërthamor por që po pasurohet me shpejtësi. Zëdhënësi Dimitry Peskov tha të martën se bota do të ishte më e rrezikshme pa kufizimet ndaj stoqeve të armëve bërthamore të Rusisë dhe SHBA.

Megjithatë, Kremlin theksoi sedo te vepronte me kujdes dhe përgjegjësi. Teksa mungojnë vetëm orë nga skadimi i traktatit, New Start, Papa Leoni i bëri thirrje të dyja palëve të mos i braktisin limitet e parashikuara aty. I nënshkruar në vitin 2010 nga presidentët e atëhershëm Barak Obama dhe Dmitri Medvedev, traktati kufizonte secilën palë të kishte jo më shumë se 1550 koka bërthamore dhe 700 raketa e bombardues, të vendosura dhe gati për përdorim. Ai duhej të skadonte fillimisht në 2021 por u zgjat me 5vite të tjera. Ekspertët paralajmërojnë se pa një marrëveshje të re, rritet paqëndrueshmëria dhe rreziku i një konflikti bërthamor.

SPAK “i mbylli derën” komisionit, Xhafaj i përgjigjet Klodian Brahos: Kemi të drejtë kontrolli

By: A R
4 February 2026 at 15:18

Fatmir Xhafaj priti disa ditë përpara sesa ti kthente përgjigjen publike SPAK që e refuzoi ta priste në takim. Ndonëse nuk ia përmendi emrin, fjalët e thëna në mbledhjen e radhës të komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, duket se ishin një mesazh për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme i cili refuzoi t’ia hapte derën.

“Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin kurrsesi funksionin kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura dhe sidomos ndaj veprimtarisë së tyre, dhe ndaj nuk kanë aspak karakter ndërhyrës të çdo natyre qofshin ato. Vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe në legjislaturën e kaluar”, u shpreh Xhafaj.

Sipas Xhafajt, komisioni që ai drejton e ka të normuar në ligj kontrollin parlamentar, dhe ky kontroll sipas tij, shërben për të rritur bashkëpunimin dhe jo presionin ndaj tyre.

“Shqipëria është republikë parlamentare. Kuvendi në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese shërben edhe si hapësirë e dialogut institucional ku ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet pushteteve dhe konsolidohet kultura e bashkëpunimit institucional”, theksoi ai.

Fatmir Xhafaj kishte kërkuar që në datën 6 shkurt të zhvillonte një takim pune me SPAK në kuadër të masave të marra për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, por që për Prokurorinë e Posaçme, këto vizita janë cenim i pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.

Braçe: Bashkia e Tiranës s’mund të jepet si qokë me parimin “e kemi të sigurt që e fitojmë”!

By: A R
4 February 2026 at 15:12

Deputeti socialist Erion Braçe nuk kurseu kritikat edhe për drejtimin e bashkisë së Tiranës.

Nga studio e “Shqipëria Live” Braçe tha se Tirana ka nevojë për ndryshim radikal në mënyrën e qeverisjes dhe nuk mund të jepet si qokë, me mendimin “hajde se e fitojmë”.

“Jam deputet i Tiranës, ajo që mendoj është se Tirana ka nevojë për ndryshim radikal për mënyrën e qeverisjes dhe zgjedhjes së problemeve. Ky ndryshim radikal nuk bëhet duke e menduar bashkinë e Tiranës si qokë!

Mendimi “Tirana e fiton” dhe hajde vendosim një atje, jo nuk bëhet ndryshimi me qokë për kulm apo majë karriere”-u shpreh Braçe në “Shqipëria Live”.

Nuk mori vendim për Ballukun, Berisha: Gjyqtarët u vetëposhtëruan, shkelën Kushtetutën

By: A R
4 February 2026 at 15:06

Sali Berisha e konsideroi një akt të turpshëm marrjen e kohës nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur lidhur me padinë e Kryeministrit Edi Rama që kërkon të të interpretojë nëse SPAK mund të pezullojë nga detyra një ministër.

Një ditë pas tërheqjes së dytë për reflektim të anëtarëve të Kushtetueses, Berishën tha se mosmarrja e një vendimi në kohë është shkelmim i ligjit dhe i kushtetutës, ku sipas tij gjyqtarët janë duke zbatuar urdhrat e Edi Ramës.

“Ata po faktojnë para syve tuaj se janë shtrofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit. Këta e bëjnë Shqipërinë hore para gjithë botës me gjithë këto qëndrime. Këta e bëjnë Shqipërinë një shtet horr, zuzar, që nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Pasi e konsideron trupën kushtetuese një turp për vendin, kryetari i Partisë Demokratike shpresën për ndryshim e sheh te qytetarët dhe u bën thirrje për të reaguar.

“Këta mender-gjykatës një pjesë e tyre, turp-gjykatës një pjesë e tyre. Janë njerëz të zhveshur nga çdo moral njerëzor, nga çdo moral zyrtari. Janë njerëz që shkelmojnë mbi ju si larva qytetarë. Ju jeni shpresa e fundit dhe e vetme e këtij vendi, prandaj të vazhdojmë me vendosmërinë më”, shtoi Berisha.

Teksa nuk kurseu asnjë gjyqtar të Kushtetueses, kur erdhi puna të komentonte betejën mes Edi Ramës dhe shoqatës gjyqtarëve, lidhur me problemin e pagave, Berisha ndryshoi tonet dhe u dha të drejtë togave të zeza duke thënë se po kërkojnë vetëm zbatimin e ligjit.

“Ata kanë të drejtën e Zotit, kanë të drejtën e Kushtetutës, kanë të drejtën e ligjit në pretendimin e tyre. Ndaj dhe ato të zeza që i bëri vendit Edi Rama, ato duhet t’i paguajë një minutë e më parë, të largohet”, tha Berisha.

Sipas Berishës ligji i piramidës së pagave është votuar nga Kuvendi dhe duhet të zbatohet, pavarësisht se gjyqtarët mund të marrin më shumë para.

33 masa për mbetjet e rrezikshme, çfarë zbuluan hetimet e prokurorisë: Analizat u bënë në Itali

By: A R
4 February 2026 at 14:56

Prokuroria e Durrësit kërkoi masa sigurimi për 33 persona, të cilat u pranuan nga gjykata. Deri më tani janë ekzekutuar 20 prej tyre ndërsa 13 të tjerë janë në kërkim. Por për çfarë bëhet fjalë?

Rasti ka të bëjë me mbetjet e rrezikshme dhe toksike që u dërguan me anije drejt Tajlandës, por u kthyen më pas. Ekspertimi provoi se mbetjet në 102 kontejnerët e anijes Moliva ishin të rrezikshme.

Hetimi në fjalë është regjistruar për 7 vepra penale.

•‘Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”,

•“Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”,

•“Falsifikimi i dokumentave”,

•“Transportimi i mbetjeve”,

•“Menaxhimi i mbetjeve”,

•“Shpërdorimi i detyrës”

•“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Hetimet nisën pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Hetimit Doganor, e cila ishte njoftuar në datë 25 korrik 2024 nga OLAF (European Anti-Fraud Office-European Commission) për një ngarkesë se dyshohej që mund të transportonte mbetje nga Shqipëria në Tajlandë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe OLAF bashkëpunuan për identifikimin dhe verifikimin e ngarkesës, ku u evidentua eksportimi i sasisë prej 2.816.300 kg nga subjekti Sokolaj sh.p.k.

Kjo sasi, e ngarkuar në 102 kontejnerë u kthye në Portin e Durrësit në datë 28 tetor 2024 me anijen Moliva XA443A, pasi ishte refuzuar nga autoritetet e Tajlandës.

Në datë 8 nëntor 2024, u krye sekuestrimi i kontejnerëve dhe nga testet për radioaktivitet nuk u konstatua prani e lëndës radioaktive Gama apo Neutron. Por për të kryer testimet laboratorike, prokurorëve u është dashur të dalin jashtë vendit.

“Nuk rezultoi asnjë institucion, laborator apo ent që të kishte infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit të tyre”, njoftoi prokuroria.

Në bashkëpunim me autoritetet italiane, projektit EU4LEA dhe ekspertëve italianë të sigurisë, u identifikua dhe verifikua një laborator në Itali i cili kreu të gjitha testimet laboratorike.

“Mostrat e marra nga 102 kontejnerët e sekuestruar dhe mostrat e marra nga: Shoqëria Kurum International sh.a.; Sokolaj sh.p.k. dhe Alliance Resource sh.p.k., ju nënshtruan ekspertimit për përbërjen e tyre kimike, karakteristikat fizike, klasifikimin, përputhjen midis tyre, përputhjen me fletët e analizave të paraqitura nga subjektet për eksportin e tyre dhe rrezikshmërinë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis.  

Nga akti i ekspertimit rezultoi se, materiali i analizuar, është pluhur i grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut (Electric Arc Furnace – EAF), proces i cili përfshihet qartësisht në fushëveprimin e nënkapitullit 10 02 të EËC. Bazuar në përbërjen kimike të materialit dhe në aktivizimin e vetive të rrezikut HP10 dhe HP14, në perputhje me Annex III të Direktives 2008/98/EC (Ëaste Frameëork Directive) dhe rregulloret përkatëse zbatuese, kodi përkatës brenda këtij nënkapitulli duhet të jetë ai i shënuar si mbetje e rrezikshme me kod sipas katalogut te mbetjeve 10 02 07*.

Në mostrat e marra nga kontejnerët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Në përputhje me legjislacionin europian dhe kombëtar materiali duhet t’i nënshtrohet rikuperimit të kontrolluar, stabilizimit dhe trajtimit të përshtatshëm përpara depozitimit përfundimtar”, njoftoi prokuroria.

Prokuroria thotë se nga analizimi i kontratave dhe dokumentacioneve “provohet në mënyrë të arsyeshme se prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme Kurum International sh.a. në dijeni të plotë të ndalimeve ligjore kombëtare (ligjit nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ndryshuar dhe akteve nënligjore) dhe ndërkombëtare (ligjit nr.8216, datë 13.5.1997 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Bazelit për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjesimin e tyre”, Kodit Doganor etj.), ka kryer një sërë veprimesh në bashkëpunim me subjekte të tjera, për të mbuluar natyrën e vërtetë të mbetjeve dhe për t’i eksportuar jashtë Shqipërisë dhe për t’i tregtuar ato brenda territorit shqiptar”.

Pas administrimit të aktit të ekspertimit ku provohet se mbetjet janë të rrezikshme dhe toksike, Prokuroria Durrës, krijoi bindjen e plotë se jemi përpara jo thjesht një fakti penal, por një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme që sjellin pasoja të rënda në disa drejtime si në mjedis, shëndet, veprimtarinë doganore, veprimtarinë e autoriteteve për sigurinë dhe cilësinë në mjedis, si dhe veprimtarinë e ndershme dhe konkurruese ekononomike.

‘Shpërthen’ Melinda Gates: “Epstein” rikthen kujtimet e dhimbshme të martesës me Bill Gates

By: A R
4 February 2026 at 14:45

Filantropistja miliardere Melinda French Gates ka thënë se përfshirja e ish-bashkëshortit të saj, Bill Gates, në dokumente të reja lidhur me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein, i riktheu “kujtime shumë të dhimbshme” nga martesa e tyre.

Në një intervistë për podcastin e NPR, ajo shtoi se çdo pyetje e mbetur në këto dokumente duhet të përgjigjet nga personat e përmendur, përfshirë ish-bashkëshortin e saj. “Jam shumë e lumtur që jam larg të gjitha këtyre baltave”, tha Melinda, ndërsa çifti u divorcua në vitin 2021.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së përfshijnë pretendime të Epstein për Gates, përfshirë edhe një sëmundje seksualisht të transmetueshme, të cilat zëdhënësi i Gates i ka quajtur “absolutisht të pabesueshme”. Bill Gates nuk është akuzuar nga asnjë viktimë e Epstein, dhe përfshirja e emrit të tij në dosje nuk nënkupton asnjë veprim penal.

Gates ka deklaruar se takimet me Epstein ishin vetëm disa darka dhe se nuk ka vizituar ishullin e tij. “Çdo minutë që kam kaluar me të e pendohem dhe kërkoj falje që e kam bërë atë”, tha Gates në një intervistë.

Dokumentet përmbajnë më shumë se tre milionë email-e, dokumente dhe foto që tregojnë rrjetin e gjerë të Epstein, përfshirë figura të famshme, drejtues biznesesh dhe liderë botërorë. Epstein vdiq në burg në New York në vitin 2019, ndërsa priste gjykimin për trafikim seksual.

Rama për Shoqatën e Gjyqtarëve: Regjistrimi nuk mbyllet me gjykatën, por duhet bërë edhe te tatimet

By: A R
4 February 2026 at 14:37

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar përmes një reagimi në rrjetin social X se në deklaratat e tij të mëparshme nuk ka artikuluar se shoqata e gjyqtarëve është e paregjistruar në gjykatë, por se ajo ndodhet ende brenda afatit ligjor për regjistrim.

Reagimi i Kryeministrit vjen pas pretendimeve të disa përfaqësuesve të shoqatës së prokurorëve, të cilët Rama i cilësoi si “zëdhënës vullnetarë”, se shoqata e re ishte regjistruar tashmë në gjykatë dhe se ai kishte dhënë informacion të pasaktë.

“Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë. Unë shkruajta: ‘janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit’”, thekson Rama.

Sipas Kryeministrit, qëllimi i deklaratës së tij nuk ishte kritikimi apo ironizimi i shoqatës, por ilustrimi i faktit se ajo është ende në fazat e para të funksionimit. Rama shton se procesi i regjistrimit të një shoqate nuk përfundon vetëm me gjykatën, por kërkon edhe regjistrimin pranë administratës tatimore, procedurë që sipas tij ende nuk është kryer.

“Pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës, ndërkohë që dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur”, shprehet Rama.

Në reagimin e tij, Kryeministri kritikon edhe mënyrën e komunikimit publik të asaj që ai i quan “zëdhënës vullnetarë”, duke theksuar se shpeshherë zelli i tepruar shoqërohet me informacion të pjesshëm.

“Por halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysmë të vërtetave- të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”, përfundon Rama.

Mbetjet e Kurum, Prokuroria: Pluhur nga filtrimi i gazrave të furrave elektrike të çelikut, rrezik për njerëzit

By: A R
4 February 2026 at 14:32

Ekspertimi laboratorik ka provuar se mbetjet e transportuara me anijen “Moliva XA443A” janë të rrezikshme dhe toksike, duke zbuluar një skandal mjedisor. Pas këtij përfundimi, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar masa sigurimi për 33 persona, ndërsa deri më tani janë ekzekutuar 20 prej tyre.

Hetimet nisën në korrik 2024, pas një njoftimi nga OLAF, që sinjalizonte për një ngarkesë të dyshimtë me destinacion Tajlandën. U zbulua se subjekti kishte eksportuar 2.816 ton mbetje në 102 kontenierë, të cilët u kthyen në Portin e Durrësit pasi u refuzuan nga autoritetet tajlandeze. Ngarkesa u sekuestrua dhe u dërgua në Porto Romano, ku iu nënshtrua ekspertimit të specializuar në laboratorë në Itali.

Sipas akt-ekspertimit, materiali rezulton të jetë pluhur nga filtrimi i gazrave të furrave elektrike të çelikut, i klasifikuar si mbetje e rrezikshme me kod 10 02 07*, që paraqet rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, veçanërisht për ekosistemet ujore.

Prokuroria konstaton se shoqëria “Kurum International” sh.a., në bashkëpunim me subjekte të tjera private dhe funksionarë shtetërorë, ka fshehur natyrën reale të mbetjeve, duke falsifikuar dokumente dhe duke tentuar eksportimin e tyre në shkelje të rëndë të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij hetimi, janë lëshuar masa sigurimi për drejtues të kompanive, agjentë doganorë, punonjës të Doganës së Durrësit dhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për vepra penale që përfshijnë kontrabandën, menaxhimin e paligjshëm të mbetjeve, falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.

Prokuroria e Durrësit deklaron se hetimet vijojnë për kapjen e 13 personave të tjerë dhe zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, duke garantuar mbrojtjen e interesit publik, shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.

“Nuk kam takuar askënd më të keq se Trump”, ja çfarë i thoshte Epstein ish-sekretarit Amerikan

By: A R
4 February 2026 at 14:20

“Të kam thënë se kam takuar njerëz vërtet të këqij, por asnjë më të keq se Trump. Nuk ka asnjë qelizë të mirë në trupin e tij. Prandaj po, është i rrezikshëm!”

Ai që e thotë këtë, ose më saktë e shkruan, është Jeffrey Epstein në një shkëmbim e-mailesh me ish-sekretarin amerikan të Thesarit, Larry Summers. Korrespondenca e cituar nga Telegraph daton në shkurt të vitit 2017 dhe përfshihet në mesin e dokumenteve mbi ish-financierin dhe abuzuesin e vetëvrarë në burg, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë.

Në faqet e publikuara përmendet gjithashtu edhe emri i Bill Gates, dhe ish-bashkëshortja e themeluesit të Microsoft shprehet e keqardhur për viktimat e pedofilit. Melinda Gates thotë se milioneri duhet të japë llogari mbi pretendimet në dosjet Epstein, ku, siç thuhet, ishte infektuar me një sëmundje seksualisht të transmetueshme pas marrëdhënieve të kryera me vajza ruse. Gates rrëfen se kishte ndjerë trishtim të thellë pas këtyre zbulimeve.

Sipas New York Times, disa ditë para se të vetëvritej, Epstein kishte firmosur një dokument ku ia linte shumicën e pasurisë së tij, një total prej 100 milionë dollarësh, të fejuarës së asaj kohe, Kryna Shuliak. Siç thuhet, po mendonte të martohej me të dhe t’i dhuronte një diamant 33 karatësh.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hequr mijëra dokumente në lidhje me financierin e vetëvrarë nga uebsajti i tij, pasi viktimat janë ankuar për komprometim të identitetit të tyre. Avokatë të viktimave të Epstein thonë se redaktimet e mangëta në dokumentet e publikuara të premten kanë përmbysur jetët e gati 100 prej të mbijetuarave. Departamenti i Drejtësisë sqaroi se kishte hequr të gjitha materialet komprometuese dhe tha se gabime ishin bërë për shkak të problemeve teknike ose njerëzore.

FOTOLAJM / Rama vizitë në Vatikan, pritet nga Papa Leoni XIV

By: A R
4 February 2026 at 14:12

Me ftesë nga Selia e Shenjtë, Kryeministri Rama do të vizitojë Vatikanin dhe do të pritet në audiencë nga Papa Leoni XIV, njoftoi Kryeministria, pwrcjell A2 CNN. Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Romës, ku do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Vatikan, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj.Linda Rama dhe delegacioni.

Kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij. Pritja do t’i paraprijë audiencës që kryeministri Rama do të ketë me Papa Leonin XIV, në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.

Më pas, vizita do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.

Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me Kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit

Rusia rikthehet në futbollin ndërkombëtar?! Reagime të ashpra ndaj Infantinos

By: A R
4 February 2026 at 14:04

Drejtori ekzekutiv i Shakhtar Donetsk, Serhii Palkin, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për rikthimin e mundshëm të ekipeve ruse në garat ndërkombëtare, duke i cilësuar ato si një “shkëputje të plotë nga realiteti”.

Në një deklaratë të ndarë me Flashscore dhe media të tjera, Palkin shprehu zhgënjimin e tij të thellë ndaj qëndrimit të kreut të FIFA-s. “Qëndrimi i Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, në lidhje me rikthimin e mundshëm të ekipeve ruse në garat ndërkombëtare përfaqëson një shkëputje të plotë nga realiteti dhe jam thellësisht i zhgënjyer prej tij”, deklaroi ai.

Palkin theksoi se realiteti në Ukrainë është i pamohueshëm pas katër vitesh lufte të përmasave të plota. “Ne kemi mbijetuar një luftë në shkallë të plotë për katër vjet. Qindra mijëra njerëz janë vrarë. Qytetet janë shkatërruar. Infrastruktura civile, sportive, energjetike dhe e ngrohjes është shkatërruar. Jetët e miliona njerëzve janë shkatërruar”, tha drejtori ekzekutiv i Shakhtar Donetsk.

Ai iu drejtua publikisht Infantinos me pyetje të drejtpërdrejta mbi deklaratat e tij dhe mungesën e një vizite në Ukrainë. “Dua ta pyes publikisht zotin Infantino: Çfarë e shtyu të bënte një deklaratë të tillë në këtë moment? Dhe pse, pas katër vitesh lufte, ai nuk ka ardhur asnjëherë në Ukrainë për të parë me sytë e tij se çfarë po ndodh këtu?”, u shpreh Palkin.

Në vijim, ai ftoi presidentin e FIFA-s të shohë nga afër realitetin e përditshëm në vend. “Le të vijë dhe të shohë se si jetojnë njerëzit. Si luajnë futboll fëmijët në Kharkiv, Zaporizhzhia, Dnipro, Kiev dhe Lviv – nën sirenat e sulmeve ajrore, pranë strehimoreve kundër bombave, nën kërcënimin e vazhdueshëm të raketave dhe dronëve”, tha ai.

Palkin përmendi edhe shembuj konkretë nga klubi i tij, duke theksuar pasojat personale të luftës te futbollistët. “E ftoj zotin Infantino të marrë pjesë në ndeshjen tonë të parë në shkurt. Le të flasë me lojtarët tanë – me Dmytro Riznyk, i cili humbi vëllanë e tij në luftë, dhe me Denys Tvardovskyi, babai i të cilit u vra gjithashtu duke mbrojtur Ukrainën”, përfundoi ai.

Reagimi i Palkin vjen pasi Infantino kishte deklaruar më herët se ndalimi i ekipeve ruse “nuk ka arritur asgjë” dhe se “thjesht ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje”, duke shtuar se do të ndihmonte që “vajzat dhe djemtë nga Rusia të jenë në gjendje të luajnë ndeshje futbolli në pjesë të tjera të Evropës”.

Hetim ndaj postave private në Shqipëri, sekuestrohen 13 mln lekë

By: A R
4 February 2026 at 13:56

Prokuroria e Tiranës ka ushtruar kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet. Aksioni erdhi pas hetimeve për evazion fiskal.

Sipas asaj që njofton prokuroria, deri më tani janë sekuestruar 13 milionë lekë si dhe mallra të marra në dorëzim pa fatura tatimore.

“Deri më tani, nga kontrollet janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, 13 milionë lekë, si dhe dokumentacion shoqërues, prova që sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, tregojnë paligjshmëri në drejtim të evazionit fiskal, si dhe shuma parash që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm”, njoftoi prokuroria.

Ndërkohë prokuroria thotë se po vijojnë hetimet për identifikimin e shitësve realë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.

❌
❌