Ish-sulmuesi i Chelsea-t dhe kapiteni i Spanjës, Alvaro Morata, raportohet se është larguar nga shtëpia ku jetonte me bashkëshorten Alice Campello dhe katër fëmijët e tyre, vetëm pak ditë pasi ajo mohoi publikisht zërat për një tradhëti të tijën me një mike të saj.
Sipas revistës spanjolle Hola, përpjekja e çiftit për të shpëtuar martesën ka dështuar, pavarësisht ribashkimit të tyre në fillim të vitit të kaluar. Morata dhe Campello, të cilët u ndanë pas triumfit të Spanjës në Euro 2024, kishin njoftuar anulimin e divorcit në janar, duke dhënë shpresë për një fillim të ri.
Megjithatë, burime pranë çiftit bëjnë me dije se ata kanë jetuar të ndarë prej disa javësh, ndërsa Morata është zhvendosur në një tjetër banesë në një nga zonat më ekskluzive të Milanos.
Pavarësisht ndarjes fizike, thuhet se marrëdhënia mes tyre mbetet korrekte dhe e qetë, kryesisht për hir të fëmijëve: Alessandro, Leonardo dhe Edoardo (binjakë), si dhe vajzës Bella.
As Morata dhe as Campello nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj raportimeve.
Vetëm pak ditë më parë, Campello doli publikisht në mbrojtje të Elena Sirigu, eksperte e menaxhimit sportiv, pasi media spanjolle aludoi për një lidhje mes saj dhe Moratës. Influencerja italiane i hodhi poshtë kategorikisht akuzat, duke e quajtur Sirigu një mike të vjetër familjare dhe duke dënuar etiketimin e saj si “shkatërruese familjeje”.
“Nuk meriton këtë ekspozim dhe këto akuza që lënë plagë të thella personale dhe profesionale,” shkroi Campello, duke shtuar se Sirigu është një person serioz me vlera.
Më herët, Campello kishte deklaruar se huazimi i Moratës te Galatasaray sezonin e kaluar kishte ndihmuar në shpëtimin e martesës së tyre dhe se ndarja e parë kishte qenë “gabimi më i madh i jetës sonë”.
Në planin sportiv, Morata po kalon një periudhë të vështirë. Pas një tentative për t’u transferuar te Getafe, ai përfundoi me një huazim te Como, ku ende nuk ka shënuar në 15 paraqitje. Sulmuesi ka folur hapur për betejën e tij me depresionin, duke pranuar se abuzimet dhe kritikat e vazhdueshme e kanë thyer mendërisht.
Madje, ai zbuloi se kishte menduar të simulonte një dëmtim për të shmangur pjesëmarrjen në Euro 2024, turne që Spanja e fitoi nën kapiteninë e tij.
Ndërsa jeta profesionale dhe ajo personale e Moratës mbeten në trazira, e ardhmja e martesës së tij me Alice Campello duket më e pasigurt se kurrë./mxh
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky hodhi poshtë sot raportet se Rusia dëshiron të përdorë asetet e ngrira amerikane për rindërtimin e saj, duke e quajtur idenë “absurde” dhe duke përsëritur se të gjitha fondet e ngrira ruse duhej të përdoreshin për të rindërtuar Ukrainën.
Duke folur me gazetarët e “Kyiv Post” nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh, Zelensky u pyet mbi deklaratën e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin – i cili kishte shprehur gatishmërinë për të përdorur asete të ngrira amerikane me vlerë rreth 5 miliardë dollarë në – për projekte rindërtimi, përfshirë rajonin e Kurskut të Rusisë.
“Ne me siguri do të luftojmë për përdorimin e të gjitha aseteve të ngrira ruse – dhe kjo është absolutisht e drejtë”, tha Zelensky.
“Rusia është agresorja. Kjo njihet nga e gjithë bota. Ata e filluan këtë luftë dhe për këtë arsye Ukraina duhet të rikuperohet nga pasojat e agresionit rus”, tha ai.
Zelensky tha se Kievi e kishte ngritur vazhdimisht çështjen me zyrtarët amerikanë, duke përfshirë edhe asetet e ngrira amerikane me vlerë rreth 5 miliardë dollarë – duke këmbëngulur se ato duhej të përdoreshin për rindërtimin e Ukrainës dhe jo të Rusisë.
“Ne u kemi thënë amerikanëve shumë herë se presim që këto fonde të përdoren për rindërtimin e Ukrainës, sepse Ukraina është vendi që vuajti”, tha ai.
Vlera totale e aseteve sovrane ruse të bllokuara në të gjithë botën është rreth 290 miliardë euro (339 miliardë dollarë), shumica e të cilave mbahen në një numër të vogël juridiksionesh të BE-së dhe G7, sipas bankës qendrore të Ukrainës.
Presidenti tha se qëndrimi i Moskës dukej i palogjikshëm, duke vënë në dukje se asetet ishin ngrirë pikërisht për shkak të pushtimit të Rusisë./mxh
Nëse jeni romantke të dëshpëruara që mezi prisni histori dashurie dhe ëndrra të papërmbushura, duhet t’i falënderoni komeditë romantike të viteve ’90.
Ato ku çdo vajzë ka një takim të lezetshëm dhe rastësor me mashkullin e ëndrrave të saj (edhe nëse nuk e ka kuptuar ende!), marrëdhënia e tyre zhvillohet me shpejtësinë e dritës, dhe pastaj, pas një gjesti totalisht dramatik, kuptojnë që janë perfekt për njëri-tjetrin dhe jetojnë të lumtur përgjithmonë… në botën e filmave.
Po, skenari është i thjeshtë, i parashikueshëm dhe pothuajse i pamundur në jetën e vërtetë, por është po aq i magjishëm.
Vitet ’90 ishin dekada e artë për rom-com-et, dhe shumë nga filmat më ikonë të këtij zhaneri dolën atëherë: “Clueless”, “Pretty Woman”, “Sleepless in Seattle”, për të përmendur vetëm disa prej tyre.
Julia Roberts, Meg Ryan dhe “mbretëresha” të tjera të rom-com-it që ishin gjithmonë në ekran, duket sikur nuk kishin kohë tjetër përveçse të dashuroheshin me kolegun e tyre të ëndrrave.
1. One Fine Day (1996)
Nëse nuk e keni parë Michelle Pfeiffer dhe George Clooney në kulmin e tyre të rom-com-it të viteve ’90, duhet ta shihni menjëherë. Filmi tregon një ditë të jashtëzakonshme në jetën e dy prindërve beqarë në New York, të cilët detyrohen të bashkëpunojnë dhe shpejt zbulojnë një kimi të padiskutueshme mes njëri-tjetrit.
2. Groundhog Day (1993)
Kur një meteorolog cinik dërgohet për të raportuar festimet vjetore të Groundhog Day në Punxsutawney, ai gjendet duke përjetuar të njëjtën ditë pa fund. Një film mbi dashurinë, rritjen personale dhe shanset e dyta që mund të ndryshojnë gjithçka.
3. Father of the Bride (1991)
Steve Martin dhe Diane Keaton luajnë si çifti i martuar George dhe Nina, të cilët përpiqen të organizojnë dasmën e vajzës së tyre, e cila sapo kthehet nga studimet jashtë vendit, i surprizon me lajmin se është fejuar. Ata përpiqen të jenë të qetë, por le të themi që gjërat bëhen pak dramatike ndërsa përpiqen t’i japin vajzës së tyre 22-vjeçare, Annie, dasmën që ajo dëshiron.
4. The Parent Trap (1998)
Ky film klasik është një kombinim mes rom-com dhe filmit për marrëdhënien mes motrash. Dy binjake që nuk e kanë takuar kurrë njëra-tjetrën gjenden papritur në të njëjtin kamp veror dhe vendosin të bëjnë planin për të ribashkuar prindërit e divorcuar.
5. Can’t Hardly Wait (1998)
Kush nuk do të donte një rom-com të lezetshëm adoleshentësh? Kur një klasë maturantësh organizon një festë të madhe për mbylljen e vitit, duket se të gjithë kanë një mision: të bëjnë atë që nuk patën guxim të bëjnë gjatë katër viteve të fundit.
6. Love Potion No. 9 (1992)
Kur një kimist, Paul, dështon në dashuri, viziton Madame Ruth, e cila i jep një pije magjike dashurie. Ai dhe bashkëpunëtori i tij, Farrow, vendosin ta provojnë dhe shpejt bëhen të parezistueshëm për të gjithë. Por nga kush tërhiqen më shumë ata të dy? Ndoshta njëri-tjetri?
7. Sliding Doors (1998)
Nëse keni vrarë ndonjëherë mendjen se si do të ishte jeta juaj nëse do të kishit bërë qoftë edhe një veprim të vogël ndryshe, ky film është një domosdoshmëri. Ai ndjek dy rrjedha të mundshme, shumë të ndryshme, të jetës së një gruaje: njëra ku arrin trenin dhe tjetra ku e humb. Një film që ju bën të vendosni gjithçka në pikëpyetje… dhe të ndjeni keqardhje.
8. Clueless (1995)
Ugh! Si mund të mos jetë ky në krye të listës? Cher Horowitz ka qenë frymëzim për shumë vajza teksa përpiqej të navigonte jetën e shkollës së mesme dhe t’i bënte një transformim total vajzës së re në shkollë, Tai-t. Fakt interesant për adhurueset e Jane Austen: filmi është bazuar në romanin “Emma”.
9. Four Weddings and a Funeral (1994)
Këtu Hugh Grant fitoi famën e tij në rom-com. Ai është protagonisti në këtë film, që flet për një grup shoqëror që përballen me dy nga ngjarjet më të pashmangshme të jetës: martesa dhe vdekja.
10. The Wedding Singer (1998)
Shumë rom-com-e janë më të ngarkuara me dashuri sesa me humor, por jo ky. Adam Sandler do t’ju bëjë të qeshni dhe qani njëkohësisht. Ai luan një këngëtar dasmash që braktiset në altarin e tij; më pas, fillon të dashurohet me shoqen e re, Julia (Drew Barrymore).
11. There’s Something About Mary (1998)
Ky film bëri bujë kur doli, dhe për një arsye të mirë: është njëkohësisht humoristik dhe i ëmbël. Ted, 29 vjeç, punëson një person që të gjejë dashurinë e tij të gjimnazit, Mary, por investigatori përfundon duke u dashuruar vetë me të, dhe shpejt zbulon se nuk është i vetmi që po e ndjek Mary-n.
12. As Good as It Gets (1998)
Ky është filmi i fundit rom-com që ka fituar çmimet Oscar për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë. Një shkrimtar i mërzitur me OCD në New York bie në dashuri me kamerieren, e vetmja që e duron sjelljen e tij.
13. Jerry Maguire (1996)
Një opsion i mirë nëse po përpiqeni të bindni një person që s’i pëlqen rom-com-et të shikojë këtë film bashkë me ju. Tom Cruise luan një agjent sportiv që jep dorëheqjen nga puna për të hapur agjencinë e tij. E vetmja kolege që e ndjek është Dorothy, një nënë e re 26-vjeçare, luajtur nga Renée Zellweger. Ata fillojnë të dashurohen, por rruga nuk është e lehtë.
14. The Best Man (1999)
Ky film ka gjithçka: romancë, komedi dhe dramë. Kur një kopje e librit të papublikuar të Harper Stewart mbi aventurat e tij dashurore të mëparshme shpërndahet përpara se të bëhet shoqëruesi i dhëndrit, ai përpiqet ta mbajë sekret, duke u frikësuar se do të dalin sekretet mbi të dhe nusen e dasmës.
15. How Stella Got Her Groove Back (1998)
Stella, 40 vjeç, pranon të shkojë në një udhëtim në Xhamajka me shoqen e saj, Delilah. Aty takon Winston Shakespeare, 20 vjet më të ri. Por mosha është vetëm një numër dhe ata fillojnë një romancë së bashku.
16. Runaway Bride (1999)
Pothuaj një dekadë pas “Pretty Woman”, Julia Roberts dhe Richard Gere bashkohen sërish me regjisorin Garry Marshall për historinë e një vajze, një djali dhe shumë dasmave. Filmi nuk është aq magjik sa “Pretty Woman”, por gjithmonë ka diçka speciale t’i shohësh këta dy aktorë si një çift çmendurisht të dashuruar.
17. Notting Hill (1999)
Roberts pati një vit të jashtëzakonshëm në 1999-n, me “Runaway Bride” dhe “Notting Hill”. Ky i fundit është më ikonik për shkak të kimisë mes saj dhe Hugh Grant, dhe shumica mund ta dinë se përse: për shkak të momentit të famshëm ku ajo i thotë “Jam vetëm një vajzë, duke qëndruar përpara një djali, duke i kërkuar që të më dojë.”
18. You’ve Got Mail (1999)
Meg Ryan dhe Tom Hanks na tregojnë një histori të ëmbël dashurie. Qyteti i New York-ut është pothuajse personazh i tretë. Dhe skena e fundit në Riverside Park? Lot pa pushim.
19. She’s All That (1999)
Ka shumë argumente për ta konsideruar këtë rom-com të shkollës së mesme si film përkufizues i viteve ’90. Ky film ka gjithçka: transformimin e plotë të “vajzvs së shëmtuar”, Usher, Rachael Leigh Cook duke zbritur shkallët, Paul Walker (RIP) dhe skenën më të çmendur të kërcimit në historinë e kinemasë.
20. 10 Things I Hate About You (1999)
Nëse “She’s All That” nuk është rom-com-i i pakundërshtueshëm i viteve ’90, atëherë ky duhet të jetë. Një përshtatje e “The Taming of the Shrew”, me Joseph Gordon-Levitt, Julia Stiles dhe Heath Ledger.
21. My Best Friend’s Wedding (1997)
A është Julia Roberts mbretëresha e rom-com-eve? Po, padyshim. Aftësia e saj për të balancuar romancën dhe komedinë në mënyra të reja dhe të ndryshme është fantastike. Në duart e dikujt tjetër, ky film mund të dukej i çuditshëm: vajza prish dasmën e shokut të ngushtë sepse papritmas kupton se e do?! Vetëm Julia Roberts mund ta bëjë këtë dhe prapë të pëlqehet nga të gjithë./mxh
Kjo javë ka qenë e gjitha mbi dramën e familjes Beckham. Lidhur me të ka komentuar edhe motra e ish-it të Nicola Peltz, Alana Hadid, në një postim të publikuar nga faqja Saint Hoax në Instagram.
“Të përfundosh një rrëfim prej tetë paragrafësh mbi konfliktet familjare me ‘gjithçka që duam është privatësia’ na mjafton për ta kuptuar gjithë situatën”, shkruante një ndjekës dhe Alana ishte në të njëjtën mendje me të.
“Po pra, dhe ajo vajza nuk kërkon aspak privatësi, ka dhjetë vjet që përpiqet të bëhet e famshme,” u shpreh ajo.
Reagimi i saj vjen ndaj një postimi ku shfaqej Victoria, David-i dhe Brooklyn krah Nicola-s. Teksa komentoheshin dy prej deklaratave të Brooklyn-it, konflikti i tij me familjen u krahasua me përplasjen që ndodhi në familjen mbretërore disa vite më parë.
“Konflikti i familjes Beckham është pjesa e dytë e historisë së Meghan dhe Harry-t.”
“Brooklyn Peltz Beckham thotë se nuk dëshiron të pajtohet me familjarët.”
“Brooklyn Beckham thotë se mamaja e tij, Victoria, i vodhi vallëzimin e parë me Nicola-n gjatë dasmës.”
Nicola Peltz dhe vëllai i Alana-s, Anwar Hadid, kanë qenë në një lidhje 2-vjeçare disa vite më parë. Nuk e dimë nëse ka ende ndonjë hatërmbetje nga e shkuara, por mund të themi me siguri se pavarësisht deklaratave mjaft të detajuara të Brooklyn-it, jo të gjithë qëndrojnë në anën e bashkëshortes së tij./mxh
Për të paraprirë efektin boomerang të fluksit të turistëve vite më parë, qeveria i ndryshoi pritshmëritë e turizmit nga sasia në cilësi.
Dhe kështu rezulton edhe në raportet e INSTAT për 2025, teksa rritja e numrit të turistëve ishte e lehtë, ndërsa më e ulët se në vitin 2023.
Rreth 12.5 milionë të huaj e vizituan vendin një vit më parë, 6.6% më shumë se në 2024.
Me një gjeografi të përqendruar kryesisht nga rajoni dhe Evropa Jugore, Shqipërinë e vizituan më shumë shqiptarë të Kosovës, italianë, gjermanë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca etj. Ndërsa si qëllim kryesor kishin pushimet, nuk munguan as turistët tranzit, që e përdorin Shqipërinë për të udhëtuar drejt vendeve të tjera.
Pak më shumë turistë, por kjo nuk u përkthye rrjedhimisht në më shumë të ardhura.
Marketimet e forta në rrjetet sociale për Shqipërinë si një destinacion me larmishmëri bukurish natyrore, ushqime të mira, çmime të lira, sollën edhe tipologjinë e turistëve që na vizituan.
Operatorët turistikë e argumentojnë këtë me ndryshimin e tipologjisë së turistit në low cost, që gjatë vitit 2025 karakterizohej nga të rinj aventurierë, që pushonin duke shpenzuar sa më pak.
Rreth 12.4 milionë të huaj hynë në vend, por shqiptarët rritën daljet në 8.6 milionë gjatë gjithë vitit për pushime, udhëtime mjekësore e biznesi etj., drejt vendeve të BE-së dhe më tej.
Ekspertët parashikojnë se turizmi këtë vit nuk pret surpriza, por do të vazhdojë me një ecuri të njëjtë me vitin 2025.
Ndërsa si problem ngrenë të njëjtat kushte me të cilat u përballën të gjithë në verë: çmime të larta, mungesë uji, ndërprerje energjie, djegie mbeturinash në pikun e sezonit dhe një infrastrukturë rrugore të dëmtuar.
Pritshmëritë për një turizëm elitar janë shumë larg dhe shpresat e bizneseve mbeten te turistët low cost, të organizuar dhe individualë./mxh
Pas komenteve të Presidentit Donald Trump se trupat e NATO-s qëndruan larg vijave të frontit në Afganistan, Shtëpia e Bardhë ka dalë me një deklaratë zyrtare.
“Presidenti Trump ka të drejtë: kontributet e Amerikës në NATO janë më të mëdha se ato të vendeve të tjera. Përmbushja e premtimit prej 5% të shpenzimeve nga aleatët po ndihmon Evropën të marrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj,” thuhet në deklaratë.
Sipas BBC, SHBA-të shpenzojnë më shumë për mbrojtje sesa çdo anëtar tjetër i NATO-s, duke përbërë rreth 62% të shpenzimeve totale të aleancës në vitin 2025.
Trump ka inkurajuar aleatët të rrisin shpenzimet për mbrojtje, me një objektiv afatgjatë që ata të arrijnë 5% të PBB-së së tyre deri në vitin 2035. Aktualisht, asnjë vend anëtar nuk ka arritur këtë nivel. Polonia, që shpenzon më shumë për mbrojtje në raport me PBB-në, ka shpenzuar pak më pak se 4.5% në vitin 2025, ndërsa SHBA-të rreth 3.22%./mxh
Princi Harry, i cili ka shërbyer në Afganistan, ka nxjerrë një deklaratë në përgjigje të komenteve të Trump mbi NATO-n.
Harry përmendi shërbimin e tij në Afganistan dhe sakrificat e ushtarëve atje në përgjigjen e tij ndaj Donald Trump, i cili kishte deklaruar se forcat e NATO-s në vend ishin “pak prapa vijave të frontit”.
Deklarata e presidentit amerikan shkaktoi reagime nga politikanët në Britani, si dhe nga veteranët dhe familjet e ushtarëve të rënë.
“Në vitin 2001, NATO aktivizoi Nenit 5 për herë të parë dhe të vetme në historinë e saj. Kjo do të thoshte se çdo vend aleat ishte i detyruar të qëndronte pranë Shteteve të Bashkuara në Afganistan, në kërkim të sigurisë sonë të përbashkët. Aleatët iu përgjigjën kësaj thirrjeje”.
“Unë kam shërbyer atje. Kam bërë miq për jetën atje. Dhe kam humbur miq atje. Vetëm Mbretëria e Bashkuar pati 457 ushtarë të vrarë. Mijëra jetë u ndryshuan përgjithmonë. Nënat dhe baballarët varrosën bij e bija. Fëmijët mbetën pa prindër. Familjet mbajnë koston. Këto sakrifica meritojnë të flitet për to me të vërtetë dhe me respekt, ndërsa të gjithë mbetemi të bashkuar dhe të përkushtuar ndaj mbrojtjes së diplomacisë dhe paqes.”/mxh
Dymbëdhjetë shtete amerikane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme – përpara mbërritjes së asaj që mund të jetë një nga stuhitë më të rënda dimërore në vitet e fundit, raportoi sot media amerikane.
E shoqëruar nga reshje të dendura dëbore dhe erëra të akullta, stuhia do të përhapet në një distancë prej rreth 3,000 kilometrash nga Nju Meksiko në jugperëndim deri në Maine në verilindje gjatë fundjavës, paralajmëroi shërbimi meteorologjik.
Linjat ajrore kanë anuluar tashmë qindra fluturime si masë paraprake, sipas raportimeve të medias.
Shumë shkolla anuluan sot mësimin – si masë paraprake.
Ekzistojnë gjithashtu frikëra për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të rënies së pemëve ose shkëputjes se linjave të energjisë si rezultat i peshës se akullit.
Paralajmërimet e motit ose këshillat speciale janë në fuqi për rreth 160 milionë njerëz.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul paralajmëroi se i ftohti mund të jetë “absolutisht vdekjeprurës”.
Në disa pjesë të Minesotës dhe Dakotës së Veriut, temperaturat mund të bien në minus 45 gradë Celsius, sipas shërbimit meteorologjik.
Presidenti amerikan, Donald Trump e përdori të ftohtin ekstrem për t’u dhënë një tjetër goditje ekspertëve të klimës./mxh
Kryeministri britanik Keir Starmer ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte sugjeruar se trupat e NATO-s qëndronin larg vijave të frontit gjatë luftës në Afganistan.
Starmer e cilësoi këtë koment si “ofendues dhe sinqerisht të neveritshëm”, duke shtuar se ishte e qartë se ky veprim kishte shkaktuar dhimbje tek familjarët e ushtarëve të vrarë ose të plagosur në luftë.
Në një deklaratë për mediat, Starmer u shpreh: “Komentet e Presidentit Trump janë ofenduese dhe të neveritshme. Nuk është për t’u habitur që ato kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje për ata që humbën të dashurit e tyre në luftë. Po të kisha bërë një koment të tillë, sigurisht do të kërkoja falje.”
Këto fjalë vijnë pas një interviste që Trump dha për Fox News, ku ai përsëriti një nga pikëpamjet e tij më të përhapura, duke thënë se NATO nuk ishte një aleat i besueshëm për SHBA-në, veçanërisht gjatë operacioneve ushtarake në Afganistan.
Trump theksoi: “Ne kurrë nuk kishim nevojë për ta. Ata thanë se do të dërgonin disa trupa, por ata qëndruan larg vijave të frontit.”
Këto komente të Presidentit Trump kanë nxitur një valë kritikash nga politikanët dhe veteranët britanikë, që theksuan se gjatë misionit të NATO-s në Afganistan, 457 ushtarë britanikë humbën jetën. Po ashtu, u përmend edhe fakti se Trump shmangu shërbimin ushtarak gjatë luftës në Vietnam.
Kryeministri Starmer, si pjesë e një homazhi për ata që humbën jetën gjatë luftës, ka nderuar kujtimin e ushtarëve britanikë, duke e cilësuar si një mision të rëndësishëm për sigurinë globale dhe për mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë./mxh
Negociatorë nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja janë takuar në Abu Dhabi për bisedimet e tyre të para trepalëshe që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Pavarësisht formatit të ri, dallimet thelbësore mbeten të njëjta, me pritshmëri të kufizuara ndonëse aksionet janë të larta. Donald Trump po bën presion të fortë për një marrëveshje paqeje, duke e quajtur “budallallëk” nëse palët…
Një aksident ka ndodhur në hyrje të Beratit, në vendin e quajtur “Rruga e Re”. Mësohet se dy automjete janë përplasur me njëra tjetrën.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur lehtë çifti i bashkëshortëve. Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, për të marrë mjekim shëndetësor.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë që po kryejnë edhe këqyrjen e vendit të aksidentit, për të përcaktuar dinamikën dhe shkaqet e tij./mxh
Xhuli Nura ka ndarë së fundmi disa detaje të pathëna nga jeta e saj private, duke folur hapur për takimet me figura të njohura ndërkombëtare- deklarata që menjëherë ndezën rrjetet sociale dhe mediat rozë.
Gjatë një interviste për emisionin Canape, ajo zbuloi se, përveç takimeve me yjet e futbollit Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema, ka pasur rastin të njohë nga afër edhe Princ Harryn e monarkisë britanike, në kohën kur ai ishte ende beqar.
Duke folur për këtë përvojë, Xhuli ndau përshtypjet e saj, duke e përshkruar Princ Harryn si një person jashtëzakonisht gazmor dhe me energji pozitive.
“Kemi taku edhe më të mëdhenj se Ronaldo… kemi taku plot, po mendoj kush është më i lartë për momentin se sa Princ Harry, kur u ‘kanë’ beqar në Angli”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se për të nuk ka rëndësi statusi apo fama e një personi, por energjia, respekti dhe vibe-i që transmeton. “Princ Harry është shumë funny. Ronaldo është njeri shumë i mirë, por për mu nuk ka rëndësi kush është dikush, por çfarë energjie më jep dhe sa i respektueshëm është. Unë jam një vajzë e diasporës, e udhëtuar, që ka parë botën dhe ka punuar në vende prestigjioze- normal që kemi akses”, shtoi Xhuli./mxh
Banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Alba Pollozhani, ka bërë një rrëfim të fortë dhe mjaft personal gjatë darkës së të nominuarve.
Ajo u shpreh hapur se nuk e sheh veten duke krijuar familje apo pasur fëmijë me asnjë mashkull tjetër përveç Limit. Sipas saj, në rast se kjo dashuri nuk realizohet, zgjedhja e saj do të jetë birësimi.
Alba theksoi se edhe nëse Limiti vendos të ndërtojë jetën me dikë tjetër, ajo do të preferonte me mire të adoptonte një fëmijë sesa të sillte në jetë një fëmijë pa dashuri. “Për mua, fëmija është fryt i dashurisë”, u shpreh ajo me bindje.
“Nuk do të rri me asnjë mashkull tjetër dhe nuk do të bëj fëmijë me asnjë mashkull tjetër”, deklaroi Alba, duke lënë të kuptohet se kjo është një zgjedhje e prerë e saj./mxh
Gjykata penale e Spanjës ka vendosur për herë të dytë të ndalojë hetimin për përdorimin e programit spiun Pegasus ndaj telefonave të zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke akuzuar autoritetet izraelite për mungesë të vazhdueshme bashkëpunimi dhe shkelje të parimit të mirëbesimit mes shteteve.
Vendimi u bë i ditur nga gjyqtari José Luis Calama i Audiencia Nacional në Madrid, i cili theksoi se moskthimi i përgjigjeve nga Izraeli ndaj kërkesave zyrtare për informacion ka penguar identifikimin e autorëve të përgjimeve, duke e bërë të pamundur vijimin e hetimit.
Hetimi kishte nisur në maj 2022, pasi qeveria spanjolle njoftoi se telefonat e kryeministrit Pedro Sánchez dhe ministres së Mbrojtjes Margarita Robles ishin infektuar një vit më parë me spyware-in Pegasus, i prodhuar nga kompania izraelite NSO Group. Më pas u konstatua se ishin vënë në shënjestër edhe telefonat e ministrit të Brendshëm dhe atij të Bujqësisë.
Zbulimet shkaktuan pasoja politike në Spanjë, duke çuar në shkarkimin e shefes së shërbimit sekret, Paz Esteban, si dhe në pranimin e mangësive brenda Qendrës Kombëtare të Inteligjencës (CNI).
Calama theksoi se Izraeli ka shkelur dy marrëveshje ndërkombëtare ligjore që ka nënshkruar dhe se sjellja e tij cenon ekuilibrin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai kujtoi se hetimi ishte mbyllur fillimisht në korrik 2023, por u rihap pas informacioneve të ardhura nga Franca për përdorimin e Pegasus ndaj zyrtarëve francezë, të cilat megjithatë nuk sollën prova të reja vendimtare.
Sipas gjyqtarit, pa bashkëpunimin e autoriteteve izraelite, përfshirë edhe marrjen në pyetje të drejtuesve të NSO Group, hetimi mbetet i “ngrirë” derisa të dalin prova të reja.
Nga ana e saj, NSO Group ka deklaruar se dënon çdo përdorim të paligjshëm të teknologjisë së saj dhe se është e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet, duke theksuar se kompania vetëm ofron softuerin dhe nuk ka kontroll mbi mënyrën se si përdoret nga klientët shtetërorë./mxh
Rumania po kalon momente ankthi për gjendjen shëndetësore të trajnerit të kombëtares, Mircea Lucescu. Sipas raportimeve nga mediet vendase, tekniku 80-vjeçar ndodhet i shtruar në një spital në Bukuresht, ku po mbahet nën vëzhgim të vazhdueshëm mjekësor, vetëm pak muaj përpara sfidave vendimtare të “play off”-it.
Problemet shëndetësore të Lucescu-t nisën gjatë periudhës së Krishtlindjeve, pas një gripi të rëndë që solli komplikacione në aspektin kardiak. Gjendja u bë më delikate për shkak të historikut të tij me zemrën dhe moshës së avancuar. Fillimisht, trajneri iu nënshtrua një kure intensive në kushte shtëpie, por mungesa e përmirësimit të ndjeshëm detyroi mjekët të vendosin shtrimin e tij në spital për kontrolle dhe trajtim më të specializuar.
Këto vështirësi fizike kanë ndikuar drejtpërdrejt në përgatitjet e kombëtares rumune. Pas rreth dy muajsh, Rumania do të përballet me Turqinë në gjysmëfinalen e “play off”-it për kualifikimin në Kupën e Botës 2026, një ndeshje me peshë të jashtëzakonshme. Për momentin, Lucescu është detyruar të tërhiqet nga ndjekja e drejtpërdrejtë e grumbullimeve dhe e ndeshjeve, duke ia deleguar detyrat stafit të tij teknik.
Megjithatë, vetë trajneri ka tentuar të qetësojë opinionin sportiv: “Temperatura më arriti në 39 gradë. Jam në spital nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe po ndjek terapinë e nevojshme. Shpresoj të rikuperohem sa më shpejt dhe, sipas mjekëve, të hënën pritet të dal nga spitali”. Në Rumani mbizotëron shpresa që Lucescu të rikthehet sa më shpejt në pankinë, në një moment kyç për ëndrrën botërore të përfaqësueses./mxh
Rrjetet sociale po vlojnë sërish nga aludimet për rikthimin e fenomenit të “Big Brother VIP 2”, Luiz Ejlli, në një tjetër format madhor televiziv.
Sipas zërave që po qarkullojnë me shpejtësi, emri i tij lidhet ngushtë me sezonin e ri të spektaklit “Ferma VIP”, i cili pritet të startojë së shpejti në ekranin e Vizion Plus. Thuhet se Luizi mund të marrë një rol kyç në lojë, konkretisht atë të “Kryeplakut” të fermës – një pozicion me autoritet dhe ndikim të drejtpërdrejtë mbi konkurrentët dhe dinamikat e spektaklit.
Por surprizat nuk ndalen këtu. Vëmendja më e madhe është përqendruar te moderimi, ku përflitet se në krye të prezantimit mund të rikthehet një nga figurat më ikonike të televizionit shqiptar, Arbana Osmani.
Pas largimit të saj nga formati rival, emri i Arbanës është përmendur vazhdimisht për projekte të mëdha televizive, ndërsa një bashkëpunim i mundshëm me Luiz Ejllin shihet si lëvizja “shah-mat” që mund të rrëmbejë audiencën këtë sezon.
Megjithëse deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga produksioni apo protagonistët, fansat janë të bindur se, nëse kjo dyshe bëhet realitet, “Ferma VIP” do sjelle surpriza te medha!/mxh
Selin dhe Greta janë bërë pjesë që prej javëve të para të shtëpisë së Big Brother, dhe marrëdhënia mes tyre nuk ka kaluar pa u komentuar nga banorët në lojë. Por përveç tyre, rrjedhimisht ‘pjesë’ e debateve është bërë dhe personi që i bashkon dy vajzat, vëllai i Selin që është njëherësh dhe i dashuri i Gretës.
Së fundmi po qarkullon lajmi se i riu punon si DJ, dhe emrin e artit e ka “ONNO”. Ajo që vihet re në rrjetet sociale, është se ai nuk ka foto të përbashkëta me Gretën, edhe pse lidhja e tyre tashmë është e konsoliduar prej më shumë se një viti, aq sa vajzat janë etiketuar si kunata./mxh
Kreu i të drejtave të njeriut në OKB bëri thirrje të premten që administrata e presidentit Donald Trump të sigurojë që politikat e emigracionit respektojnë të drejtat individuale dhe ligjin ndërkombëtar. Ai shprehu shqetësim për arrestimet dhe mbajtjet arbitrare dhe të paligjshme të migrantëve.
“Individë po survejohen dhe arrestohen, ndonjëherë edhe me dhunë, madje në spitale, kisha, xhami, gjykata, tregje, shkolla dhe brenda shtëpive të tyre, shpesh thjesht mbi dyshimin se janë migrantë pa dokumente,” tha Volker Turk, përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Operacionet e fundit në qytetin e Minneapolisit kanë përfshirë rreth 3,000 oficerë federalë të armatosur dhe të maskuar, të cilët kanë arrestuar persona që pretendohet se janë shkelës të ligjit për emigracionin, duke përfshirë edhe qytetarë të ligjshëm dhe migrantë të rregullt.
Tensionet u rritën pas vrasjes së Renee Good, një qytetare amerikane dhe nënë e tre fëmijëve, më 7 janar, nga një oficer i emigracionit. Zëvendëspresidenti JD Vance mbrojti operacionet, duke fajësuar “agitatorët e ekstremit të majtë” dhe autoritetet lokale që nuk bashkëpunojnë.
Turk kërkoi një hetim të pavarur mbi rritjen e numrit të vdekjeve në kujdesin e Agjencisë për Imigracion dhe Dogana të SHBA-së, duke cituar 30 vdekje në 2025 dhe gjashtë deri më tani këtë vit. Ai gjithashtu dënoi denigrimin rutinor të migrantëve dhe refugjatëve në SHBA, duke theksuar se kjo rrit ekspozimin e tyre ndaj urrejtjes dhe abuzimit xenofobik./mxh
Një stuhi dimërore masive dhe e rrezikshme po kërcënon gjysmën e Shteteve të Bashkuara, me 13 shtete që tashmë kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Rreth 230 milionë njerëz pritet të preken nga ky sistem i madh moti, i cili po formohet në Malet Shkëmbore dhe Rrafshnaltat e Mëdha, duke u përhapur në zonat jugore dhe qendrore nga e premtja, dhe më pas përgjatë bregut lindor deri në Maine.