Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Main stream

Gjyqi në Hagë, Rama: “Varrosje për së gjalli e katër burrave” në zemër të Evropës demokratike

9 February 2026 at 20:18


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila ka kërkuar 45 vite burg për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në një postim në X, Rama shprehet se nuk arrin të kuptoj logjiken e Prokurorisë Speciale në Hagë “për të varrosur të gjallë” ish-krerët e UÇK-së në zemër të Evropës demokratike.

“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxori sot ajo prokurori në zemër të Evropës demokratike!”, shkruan Rama.

Në fazën përmbyllëse të gjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeprokurorja Kimberly West kërkoi 180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së, konkretisht nga 45 vite për secilin.

Gjatë paraqitjes së fjalëve përfundimtare, West deklaroi se akuzat ndaj katërshes janë të rënda, pasi janë krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

​A “humbën në përkthim” vitet e dënimit të katërshës së UÇK-së?

9 February 2026 at 20:12


Është rasti më i madh e mbase kryesori për të cilin është themeluar Gjykata Speciale.

Por, prokuroria me aktakuzë të së cilës ishin arrestuar katër nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ishte bërë gati sa duhet për fjalën e fundit, të hënën.

Pikërisht në ditën kur duhej ta bënte të qartë kërkesën se me nga sa vite burgim dëshiron të dënohen, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, kryeprokurorja speciale, Kimberley West, e la mundësinë që të keqkuptohet. Kjo, meqë dënimi prej 45 vjetësh, u përmend si i vetëm. Të paktën në përkthimin zyrtar në gjuhën shqipe.



“Ne i qëndrojmë faktit që ne kërkojmë dënimin e personave konkret, ne nuk kërkojmë një dënim për shtabin e përgjithshëm por për persona konkret. Ndërkohë, ZPS kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të rënda në natyrë dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të mbetën ende shumë të rënda”, u citua West nga përkthyesi.

Artikulimi i kërkesës finale i hutoi mediet e gazetarët, disa nga të cilët e dhanë si lajm se bëhet fjalë për dënimin total të katërshes me 45 vjet burgim.

Mirëpo, ishte i madh edhe numri i atyre që kërkuan sqarime si nga prokuroria e specializuar, ashtu edhe nga dhomat e specializuara. Andaj zëdhënësit Michael Doyle e Christopher Bennet u detyruan ta konfirmojnë se bëhet fjalë për dënime individuale, e që në total i bie të jenë 180 vjet për që të katër ish-çlirimtarët.

Veçse në faqen zyrtare nuk e dhanë ndonjë sqarim se si ndodhi kjo paqartësi. /KosovaPress

Incidenti te "Pavarësia", deputeti Rrahmani thotë se duhet merren masa edhe ndaj prindërve të nxënësit

9 February 2026 at 20:04


Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, i cili në zgjedhjet e fundit garoi në listën e PDK‑së, ka reaguar pas rastit të fundit që ka ndodhur në shkollën "Pavarësia" në Prishtinë.

Ai ka deklaruar se, përveç arrestimit të mësimdhënësit të përfshirë në rast, institucionet kompetente duhet të ndërmarrin masa ligjore edhe ndaj prindërve të nxënësve që kanë ushtruar presion dhe kërcënime brenda objektit të shkollës.

“Babai mban përgjegjësi për veprimet e fëmijës së tij, qoftë në aspektin moral, material apo ligjor. Prindi është përgjegjës për sjelljen e fëmijës në shkollë, në rrugë, në lagje dhe kudo”, ka deklaruar Rrahmani.

Sipas tij, mosndërmarrja e veprimeve ndaj prindërve të nxënësve që kanë kërcënuar personelin arsimor përbën rrezik për sistemin e edukimit.

“Nëse nuk kërkohet llogari nga prindi, atëherë po mbrohet dhuna, po legjitimohet kërcënimi dhe po shkatërrohet çdo autoritet i arsimit,” ka theksuar ai./Telegrafi/


Pesë gjeneralë serbë u dënuan veç 89 vjet për krimet në Kosovë, për 4 komandantë të UÇK-së kërkohen 180

9 February 2026 at 19:51


Më shumë se 10 mijë shqiptarë janë vrarë nga forcat policore, ushtarake e paramilitare serbo-jugosllave gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.

Më shumë se 1 mijë veta ende konsiderohen si të zhdukur me dhunë në luftë.Konsiderohet që rreth 20 mijë gra shqiptare janë dhunuar seksualisht në këtë periudhë.

Dëmet dhe shkatërrimet mbërrijnë në shumë miliarda euro.

Për krejt këto krime që janë kryer në Kosovë, gjykatat ndërkombëtare kanë dënuar vetëm pesë serbë. Në total, dënimet e tyre nuk mbërrijnë as në 100 vjet. Në fakt, të gjithëve në total iu dhanë vetëm 89 vjet.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit Special në kuadër të asaj që njihet si Gjykata Speciale e Hagës, e krijuar nga Kosova dhe e cila operon me ligje të Kosovës, ka kërkuar dënim prej hiq më pak se 180 vjet për katër komandantët e UÇK-së në rastin Thaçi dhe tjerët. Nga 45 për secilin – Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në rastin e dënimeve për serbët, më i larti, sipas të dhënave nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Luftë në ish Jugiosllavi (ICTY) ka qenë 22 vjet, ndërsa askush nuk mori burgim të përjetshëm. Po ashtu, asnjë aktgjykim nuk u dha për gjenocid në Kosovë.

Krejt këta kanë qenë pjesë e një rasti që njihej si “Milutinović et al.”, i emërtuar sipas ish presidentit të Serbisë, Milan Milutionoviq, i cili, megjithatë ishte shpallur i pafajshëm në këtë akuzë.

Dënimin më të lartë prej 22 vjetëve e ka marrë gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i cili ka qenë komandant i Ushtrisë së Jugosllavisë për Kosovën. Ai u shpall fajtor për krimet: vrasje, përndjekje dhe deportime të shqiptarëve.

I dyti zyrtar i Serbisë që u dënua ishtë Sreten Lukiq, shef i Policisë së Serbisë për Kosovën. Atij iu dhanë 20 vjet burg

Serbi i tretë që u gjet fajtor ishte Vlastimir Gjorgjeviq, zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ai u dënua me 18 vjet burg për deportime, vrasje dhe fshehje e trupave të civilëve shqiptarë në varrezat masive nëpër Serbi.

Dënimi i katërtë më i lartë për ndonjë zyrtar të aparatit shtetëror të Serbisë në lidhje me luftën e Kosovës ishte ai për Dragoljub Ojdaniq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave. Atij iu dhanë 15 vjet burg për nsihmë dhe mbështetje për krimet në Kosovë

I pesti serb që u dënua dhe mori 14 vjet burg ishte gjenerali Vladimir Lazareviq, që kishte shërbyer si komandant i Korpusit të Prishtinës në Ushtrinë Jugosllave. Ai u dënua për krimet e deportimeve dhe përndjekje të shqiptarëve./KosovaPress

Haradinaj i jep mbështetje Osmanit "pa asnjë hezitim" për Bordin e Paqes

9 February 2026 at 19:20


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se sot më 09.02.2026 ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Haradinaj ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për Bordin e Paqes dhe zhvillimet politike në vend dhe në rajon.

Ai ka thënë se Osmanit ia ka shprehur vlerësimin për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, me ftesë të presidentit amerikan Donald J. Trump.

“Çdo partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çdo iniciativë ku jemi krah njëri-tjetrit, është i rëndësisë së veçantë për Kosovën”, ka vlerësuar Haradinaj.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrah pa asnjë hezitim këtë angazhim”, ka shkruar Haradinaj.


Aeroporti i Prishtinës i pari në rajon dhe i shtati në Evropë për rritjen e numrit të pasagjerëve

9 February 2026 at 19:07


Kosova është bërë një qendër e rëndësishme e aviacionit në rajon dhe një destinacion strategjik turistik.

Sipas raportit më të fundit të ACI Europe, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës renditet i pari në rajon dhe i shtati në Evropë për rritjen e numrit të pasagjerëve, duke u pozicionuar mes aeroporteve me zhvillimin më të shpejtë në kontinent.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari", i vetmi aeroport ndërkombëtar në Kosovë, ka shënuar një rritje prej 12,7 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm.

Ky rezultat pasqyron rritjen e qëndrueshme të kërkesës për udhëtime ajrore, zgjerimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe forcimin e rolit të Prishtinës si një pikë kyçe në aviacionin evropian.

Renditja në Top 10 të Evropës tregon se tregu i udhëtimeve ajrore në Kosovë është në zhvillim të vazhdueshëm dhe ka potencial të lartë afatgjatë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës thekson se kjo arritje mbështet vizionin për forcimin e rrjetit ajror, rritjen e kapaciteteve dhe konsolidimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës si një nyje rajonale të besueshme dhe konkurruese.


Manja: Dënimi i komandantëve të UÇK-së do të ishte rishkrim i historisë dhe goditje ndaj drejtësisë ndërkombëtare

9 February 2026 at 18:45


Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe ish-Ministër i Drejtësisë i Shqipërisë, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për 45 vjet burgim ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në një reagim të gjatë, Manja e ka cilësuar këtë rast jo thjesht një akt procedural, por “një moment prove për vetë drejtësinë ndërkombëtare”. Ai tha se procesi ka tejkaluar kornizën penale dhe përbën një “test historik, juridik dhe moral”.

Manja vuri në dukje se UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë çlirimtare, mbrojtëse, ndërsa Serbia ishte agresori përgjegjës për spastrim etnik, deportime masive dhe krime kundër njerëzimit, të dokumentuara nga drejtësia ndërkombëtare. Ai kritikoi përpjekjet për të barazuar komandantët e UÇK-së me arkitektët e politikave shtetërore kriminale, duke e quajtur këtë një “absurditet juridik”, pasi UÇK-ja nuk ishte shtet, pushtet apo aparat represiv, por një lëvizje rezistence çlirimtare.

Manja shtoi se drejtësia ndërkombëtare duhet të ndajë përgjegjësinë individuale nga legjitimiteti i kauzës dhe paralajmëroi se një vendim i padrejtë do të krijonte perceptimin e ndëshkimit të viktimës për faktin se mbijetoi.

“Pa luftën e UÇK-së nuk do të kishte Kosovë shtet, ndërhyrje ndërkombëtare të NATO-s dhe as këtë gjykatë. Sot, në bankën e të akuzuarve nuk është UÇK-ja, por vetë drejtësia ndërkombëtare,” shkroi Manja.

Ai përfundoi se “vetëm pafajësia e komandantëve të UÇK-së e shpëton nderin e drejtësisë ndërkombëtare dhe të vetë gjykatës. Çdo përfundim tjetër nuk do të ishte drejtësi, por rishkrim i historisë me gjuhë juridike”.

Shqipëria e shqetësuar për procesin gjyqësor në Hagë, Spiropali: Gjykata ka përgjegjësi të mos prekë padrejtësisht luftën çlirimtare

9 February 2026 at 18:30


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Specializuar për 180 vjet burgim ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se procesi në Hagë ka shkaktuar shqetësim të thellë në shtetin shqiptar.

Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Spiropali tha se Gjykata Speciale ka një përgjegjësi të madhe për të garantuar që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të mos dëmtojnë padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë së Kosovës dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri.

Ajo kritikoi kohëzgjatjen e paraburgimit – mbi pesë vjet pa një vendim përfundimtar – si dhe natyrën e akuzave, të cilat, sipas saj, ngrenë pikëpyetje mbi proporcionalitetin dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Spiropali paralajmëroi se trajtimi i çështjes në mënyrë të ashpër dhe të njëanshme rrezikon të krijojë perceptimin e standardeve të dyfishta, sidomos kur krahasohet me mungesën e përgjegjësisë së plotë për krimet e kryera nga aparati shtetëror serb gjatë luftës.

“Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe mbeten të patrajtuara. Kjo pabarazi rrezikon të dëmtojë besimin në drejtësinë ndërkombëtare”, shkroi ajo.

Spiropali theksoi se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, duke ruajtur dallimin mes përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri, e cila – sipas saj – gëzoi mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Ajo shtoi se vetëm një vendim i drejtë dhe i standardeve të larta mund të largojë “hijen e rëndë” që, sipas saj, kanë hedhur qëndrimet e Prokurorisë mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë.

Ministrja kërkoi gjithashtu përmbylljen e procesit brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë të standardeve ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke theksuar se besueshmëria e drejtësisë është thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

Republika e Shqipërisë, sipas saj, do të vazhdojë të ndjekë nga afër procesin dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.


Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, hapet rruga për formimin e institucioneve të reja

9 February 2026 at 18:16


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të hënën, më 09.02.2026, rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë më 25 dhjetor 2025.

Me 11 vota për KQZ ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve.

Me certifikimin e rezultateve i hapet rruga formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Certifikimi vjen pasi që Gjykata Supreme i refuzoi si të pabazuara gjashtë ankesat e fundit në lidhje me zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese.

Kjo parti i ka fituar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë ulëse.

Pos 10 ulëseve të garantuara për komunitetin serb, dy ulëse do t’i zënë dy deputetë nga Partia Turke Demokratike e Kosovës. Kurse, nga një ulëse kanë fituar partitë e tjera të komuniteteve joshumicë: VAKAT, Unioni Social Demokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Partia e Bashkuar Gorane.

Certifikimi i zgjedhjeve u zvarrit pasi që KQZ urdhëroi rinumërim të votave në gjithë vendin pas dyshimit për manipulim me numrin e votave të kandidatëve për deputetë.

Për shkak të dyshimeve për manipulim me numrin e votave janë arrestuar dhjetëra përgjegjës të qendrave të numërimit në disa komuna të Kosovës.

BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

9 February 2026 at 18:07


Bashkimi Evropian tha se arrestimi i fundit nga Serbia i një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është “një shkelje tjetër” e obligimeve të Serbisë të Marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar që të mos iniciojë hetime penale apo ndjeje penale për krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë, përveç nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës. Juridiksioni mbi pretendimet për krime të luftës dhe vepra të tjera serioze bie mbi institucionet e Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Më 5 shkurt, autoritetet e Serbisë arrestuan Mitehat Llozhanin me të hyrë në terrorin serb nga kufiri me Kroacinë. Ai, sipas autoriteteve, në Beograd dyshohet për krime kundër popullatës civile.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast.

Sipas Serbisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 "pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave". Në njoftim thuhet po ashtu se "si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve".

Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe.Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave./Radio Evropa e Lirë/

Nga shkolla "Pavarësia" japin version tjetër të ngjarjes: Mësimdhënësi u sulmua nga 10 nxënës, reagoi në vetëmbrojtje

9 February 2026 at 17:43


Një përplasje fizike mes një mësimdhënësi dhe një grupi nxënësish në shkollën fillore të mesme të ulët “Pavarësia” në Prishtinë ka ngritur reagime të menjëhershme nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria, pasi pamjet e pjesshme të incidentit u publikuan në rrjete sociale.

Në videon e shpërndarë, shihet një konflikt i drejtpërdrejtë mes mësimdhënësit dhe një nxënësi. Pas publikimit të pamjeve, mësimdhënësi është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Mirëpo, psikologu i shkollës, Nazim Mahmuti, ka dhënë një version të ndryshëm të ngjarjes.

Në një deklaratë për Telegrafin, ai ka pohuar se mësimdhënësi është sulmuar nga një grup prej rreth dhjetë nxënësish dhe se reagimi i tij ka qenë akt vetëmbrojtjeje.

Sipas Mahmutit, incidenti ka ndodhur në sallën e arsimtarëve, një hapësirë pa kamera sigurie, të cilën nxënësit e kanë zgjedhur pikërisht për këtë arsye.

Ai thotë se pamjet e publikuara tregojnë vetëm momentin e fundit të përplasjes, duke krijuar një perceptim të njëanshëm të ngjarjes.

Psikologu ka pohuar gjithashtu se nxënësi i përfshirë në video nuk është nxënës i mësimdhënësit dhe ka pasur më herët masa të shumta disiplinore për sjellje problematike.

Sipas tij, konflikti nisi pasi nxënësi e fyeu dhe e shau mësimdhënësin, i cili ndodhej në shkollë duke përgatitur aktivitete për Ditën e Shkollës të planifikuar më 16 shkurt.

Mahmuti ka shtuar se mësimdhënësi në fjalë njihet si një nga arsimtarët më korrekt dhe më të përkushtuar në institucion, ndërsa nxënësi ka një dosje me mungesa të shumta, vërejtje dhe sjellje të papërshtatshme ndaj stafit arsimor.

Policia dhe Prokuroria pritet të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit./Telegrafi/


PDK: Qëndrimet e Prokurorisë në Hagë, devijim nga e vërteta dhe drejtësia

9 February 2026 at 16:50


Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke e akuzuar atë për devijim nga misioni i saj dhe përpjekje për të ndërtuar një narrativë të rreme mbi luftën çlirimtare të Kosovës.

Sipas PDK-së, deklarimet e Prokurorisë në fazën përmbyllëse të gjykimit kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – konfirmojnë se procesi ka humbur karakterin e tij gjyqësor dhe është shndërruar në një përpjekje për “deformim të së vërtetës historike”.

Partia thekson se lufta e UÇK-së ka qenë përgjigje e domosdoshme ndaj represionit dhe krimeve të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, ndërsa përpjekja për ta portretizuar atë si projekt kriminal përbën “barazim të viktimës me agresorin”.

PDK e ka cilësuar “absurde” kërkesën e Prokurorisë për dënime të larta ndaj të akuzuarve, duke e interpretuar atë si ndëshkim politik. Po ashtu, partia e ka quajtur të papranueshme çdo tentativë për të lidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke theksuar se ky akt është i mbështetur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe i bazuar në të drejtën për vetëvendosje.

Në reagim, PDK rikonfirmon bindjen e saj në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe legjitimitetin e luftës çlirimtare, duke e konsideruar çdo kriminalizim të saj si tentativë për rishkrim të historisë dhe cenim të themeleve të shtetit të Kosovës.

“Liria nuk është krim. Dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon deklarata e partisë.

Prokuroria dhe Policia hetojnë falsifikimin e rezultateve zgjedhore në Dragash – 9 persona ndalohen për 48 orë

9 February 2026 at 16:40


Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka nisur hetime pas informacioneve publike të dala gjatë rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.

Me autorizim të Kryeprokurorit Petrit Kryeziu, organet hetimore kanë intervistuar 51 persona të dyshuar.

Nga ta, nëntë komisionerë janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria njofton se brenda afateve ligjore do të vendosë për masat që do të ndërmerren për të siguruar paraqitjen e të pandehurve në procedurë.

Institucionet përgjegjëse theksojnë përkushtimin e tyre për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, garantimin e së drejtës së votës, si dhe luftimin e çdo vepre penale që cenon zgjedhjet e lira dhe demokratike./Telegrafi/

Spacialja shfaq deklaratën e Limajt për narrativën e saj mbi strukturën e Shtabit të UÇK-së

9 February 2026 at 16:31


Zyra e Prokurorit të Specializuar pas një pauze ka vazhduar fjalën përmbyllëse, në gjyqin e madh ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, me pretendimet e tyre për funksionimin dhe strukturat e Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas prokurorit, të akuzuarit kanë pasur kompetencë mbi strukturat që ekzistonin dhe i kanë përdoruar për të ekzekutuar planin e tyre që e quajnë “kriminal”.

Në pjesën e parë, ai ka përmendur vendet strategjike të UÇK-së, që sipas tij janë caktuar për të pasur kontroll.

“Vendet e caktuara për Shtabin e Përgjithshëm, ishin të rëndësishme për kontekstin dhe janë përzgjedhur në mënyrë strategjike, për të siguruar që të operonin dhe të ushtronin kontroll në mënyrë efektive. Shtabi ka përdorur disa vende, në Drenicë, Pashtrik dhe Nerodime. Në fillim të periudhës së aktakuzës, shtabi e kishte bazën dhe funksiononte në Likofc. Këto vende dhe seli, ishin në qendër të Kosovës, në afërsi të zonave operative, duke lehtësuar kontrollin e Shtabit, ashtu siç është shpjeguar nga Fatmir Limaj”

E për këtë çështje, është shfaqur edhe një deklaratë e Fatmir Limajt.

“Pa marrë parasysh terrenin, e kishte vendin më të sigurt vendosjen në këtë pjesë të Kosovës, nga ku do të ndërlidhte veprimet ushtarake dhe komunikimin me të gjitha njësitë ushtarake anekënd Kosovës. Kjo ishte qendra e Kosovës, në të cilën mund të komunikohej me të gjitha anët e Kosovës. Prandaj, edhe vendosëm që shtabi ta kalojë pjesën më të madhe në këtë pjesë”, thotë Limaj.

“Edhe në Shqipëri ka festa si ato të Epstein”, Pano: Ata që kanë para dhe pushtet abuzojnë me vajzat

8 February 2026 at 23:52


Të ftuara në panelin e Greta Topjana në Review në Euronews Albania, psikologia Eksena Qerici dhe aktivistja Lindita Pano folën mbi rastin e skandalit të Jeffrey Epstein, ku ditët e fundit shumë të dhëna, foto dhe video të publikuara nga Departamenti i Shtetit në Shtetet e Bashkuara kanë trazuar rrjetin.

Qerici, duke iu referuar rastit të Epstein, theksoi se një person i abuzuar mund të rritet dhe të bëhet abuzues, si pasojë e asaj që përjeton gjatë abuzimit.

“Nëse ne kemi një individ që kryen abuzimin dhe nuk zbulohet, dhe humbet në një rast të tillë, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një individ, por me një fenomen, sepse do të prodhojë tek këto viktima mundësinë që të rilindë një person tjetër i kësaj natyre. Pra, një person i abuzuar në fëmijëri mund të rritet dhe të bëhet një person abuzues i këtyre përmasave, sepse ka pushtet dhe politikë. Nuk kemi më të bëjmë me një çështje nëse ka një apo dy personalitete, por flasim për dëmtime të rënda të aspektit seksual”, u shpreh Qerici.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Pano e lidhi këtë rast me një fenomen që ndodh edhe në Shqipëri, por që sipas saj nuk flitet dhe nuk diskutohet në vendin tonë.

“Epstein kishte treg, nuk mund të shesësh diçka kur nuk ka treg. Këto lloj festash ndodhin edhe në Shqipëri, por nuk flitet për to. Ndodhin nga i njëjti rang pushteti dhe parash dhe në të njëjtën mënyrë përdoren vajzat, ashtu si Epstein ka abuzuar”, tregoi Pano.

- YouTube youtu.be

Tërmet i lehtë në Kosovë

8 February 2026 at 23:37


Lëkundje sizmike janë ndjerë në Kosovë pak pas orës 23:00 të së dielës.

Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC), magnituda e tij ishte 3 ballë.

Epiqendra e tërmetit ishte 18 km në lindje të Prizrenit, me thellësi 5 km.


Vetura përplaset me kalin në Lushnje, plagoset një person, ngordh kafsha

8 February 2026 at 23:21


Një aksident ka ndodhur në mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Tri Urat-Lushnje, ku një automjet tip BMW është përplasur me një kalë që i ka dalë papritmas para mjetit.

Si pasojë e përplasjes, kafsha ka ngordhur në vend, ndërsa bashkëshortja e drejtuesit të mjetit është transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Lushnjes për ndihmë mjekësore.

Automjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit./A2 CNN

Kërkesat për trajtim shëndetësor në banjat termale në rritje

8 February 2026 at 23:12


Kërkesat për trajtim shëndetësor në qendrat rehabilituese me burime të ujërave termale janë shtuar dukshëm gjatë vitit që lamë pas. Mjekët në Qendrën Rehabilituese në Kllokot dhe ata në Banjë të Pejës thonë se burimet natyrore të ujërave termale kanë veti shëruese për shumë sëmundje, veçanërisht ato ortopedike.

Burimi i ujit termal në fshatin Kllokot të komunës së Vitisë bartet brenda qendrës rehabilituese dhe shfrytëzohet për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Doktori që e ka nisur profesionin në këtë qendër dhe po e vazhdon punën edhe pas pensionimit, thotë se ky ujë ka fuqi shëruese që në shumë raste mund të zëvendësojë edhe medikamentet.

“Mungon edukata shëndetësore jo vetëm tek popullata por edhe te personeli shëndetësor, një pjesë e tyre nuk kanë njohuri se si mund të ndikojë një banjë e tillë, i ngarkojnë pacientet aq shumë me medikamente, kurse efektet e këtij uji dhe mjekimit këtu nuk kanë kurrëfarë indikacione, me përjashtim që mjeku që e jep terapinë duhet të ketë kujdes se çfarë gjendje shëndetësore gjendet organizimi i atij pacienti”, tha Shasivar Musliu, specialist fiziatër.

Sipas pronarit të Banjës së Kllokotit, vlera të ngjashme të këtij uji janë gjetur edhe në disa shtete të tjera evropiane.

“Sipas vlerësimit të dhënë nga ekspertë të ish-shtetit jugosllav, banja e ngjashme është në Çeki dhe Rusi. Në perëndim banjat ma shumë përdoren gjatë dimrit e sa verës, këtu tek ne është më ndryshe”, tha Nezir Rexhepi.

Një tjetër burim i rëndësishëm i ujërave termale ndodhet edhe në Banjë të Pejës. Sipas mjekëve, ky ujë ka veti të veçanta shëruese sidomos për problemet shëndetësore të lëkurës.

“Karakteristikë e këtij uji më shumë është për sëmundjet vaskulare, d.m.th. edhe për sëmundjet post traumatike, neurologjike, gjinekologjike, urologjike etj, por edhe te sëmundjet e lëkurës është karakteristikë se përmbajtja e sulfurit ka ndikim shumë të mirë në lëkurë”, tha dr. Hyrije Blakaj, specialiste fiziatër.

Përveç Kllokotit dhe Banjës së Pejës, burim i ujit termal ekziston edhe në Banjskë të Mitrovicës, por ky kompleks nuk është rikthyer në shërbim për qytetarët që nga viti 2000.

Mjekët e qendrave rehabilituese vlerësojnë se burimet natyrore të ujërave termale përbëjnë një pasuri të rëndësishme shëndetësore për Kosovën, e cila ende nuk është shfrytëzuar në potencialin e saj të plotë./RTK

Yesterday — 8 February 2026Main stream

Elektrosever nuk rrit çmimet, qytetarët në veri mbeten me tarifa më të ulëta se pjesa tjetër e vendit

8 February 2026 at 22:46


Derisa qytetarët në 34 komuna mund të përballen me një rritje të serishme të çmimit të rrymës nga pranvera e këtij viti, ata në katër komunat me shumicë serbe në veri nuk do ta kenë këtë brengë as këtë vit.

Në përgjigjen e parë që nga licencimi, më 2022, kompania Elektrosever njoftoi se tarifat e saja do të mbesin të pandryshuara.

“Kompania Elektrosever nuk planifikon të rrisë çmimet e energjisë elektrike për momentin. Ne monitorojmë me kujdes dhe vazhdimisht situatën në treg dhe marrim në konsideratë të gjithë faktorët përkatës që ndikojnë në formimin e çmimeve”, thuhet nga ana e Elektroserverit.

Furnizuesi i licencuar për Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok aktualisht ka tarifa 12 deri në 22 për qind më të ulëta se sa ato në kuadër të Furnizuesit të Shërbimit Universal apo KESCO-s.

Ndërkaq, një aprovim eventual nga Zyra e Rregullatorit për Energji i propozimit të KESCO-s për rritje prej 21.3% do të thellonte dallimit.

Në një situatë hipotetike – nëse tarifat e KESCO-s do të rriteshin aq sa propozimi – për konsumin mujor nën 800 kilovatë orë Elektrosever do të kishte tarifa 48% më të ulëta.

Ndërsa, për bllokun mbi 800 kilovatë orë për tarifën lartë apo të ditës – dallimi do të ishte 36% e për atë të ulët apo të natës 47%.

Ndonëse Elektrosever funksionon jashtë tregut të rregulluar, në ZRRE nuk u përgjigjën në pyetjet e televizionit për këto dallime brenda vendit./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Emini: Dezinformimi po përdoret nga Serbia si instrument destabilizimi

8 February 2026 at 22:42


Hulumtuesi i Institutit “Octopus”, Ridvan Emini, ka vlerësuar se dezinformimi vazhdon të mbetet një nga instrumentet kryesore të Aleksandër Vuçiqit për destabilizim në Kosovë dhe rajon.

Sipas Eminit, propaganda shtetërore serbe, në vazhdimësi, përpiqet ta paraqesë Kosovën si shtet jofunksional dhe burim tensioni, përmes fabrikimit të lajmeve të rreme dhe shpërndarjes së narrativave manipuluese.

Ai ka përmendur si shembull të fundit raportimin e mediumit serb Blic.rs, i cili ka pretenduar se “një grup shqiptarësh” ka qëlluar me mbi 100 plumba ndaj policisë serbe në një fshat të Kurshumlisë, duke shtuar se grupi më pas është larguar drejt Kosovës.

Emini thekson se ky raportim është i pabazuar, pasi nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, prova apo burime të pavarura që e mbështesin këtë pretendim.

Sipas tij, pretendimi bëhet edhe më i pabesueshëm duke marrë parasysh faktin se fshati Parada ndodhet më shumë se tre kilometra në thellësi të territorit të Serbisë dhe larg rrugëve që lidhen me Kosovën.

Ai rikujton se raste të ngjashme janë përsëritur edhe më herët. Në nëntor të vitit 2025, autoritetet dhe mediat serbe kishin pretenduar se “një grup i armatosur shqiptarësh” kishte shtënë ndaj Ushtrisë së Serbisë pranë bazës ushtarake “Debella Gllava” në Bujanoc. Ky pretendim ishte demantuar nga Policia e Kosovës, e cila kishte konfirmuar se nuk kishte ndodhur asnjë incident i tillë.

Sipas Eminit, realiteti në terren kishte qenë i kundërt, pasi brenda territorit të Kosovës ishin arrestuar gjuetarë të armatosur serbë të armatosur, të cilët kishin hyrë ilegalisht në fshatin Sfircë.

Ai shton se kësaj ngjarjeje i kishte paraprirë edhe plagosja dhe kidnapimi i shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, nga xhandarmëria serbe.

Emini vlerëson se Serbia po e përdor shpifjen dhe dezinformimin si formë të “luftës hibride”, me synim krijimin e konfuzionit dhe zhvendosjen e vëmendjes nga veprimet e veta, duke tentuar ta portretizojë Kosovën si faktor destabilizues, ndonëse, sipas tij, propaganda shtetërore serbe mbetet një nga burimet kryesore të pasigurisë në rajon.


❌
❌