Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Durrës, te Ura e Dajlanit. Një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke përfunduar rreth 30 metra poshtë saj.
Si pasojë e aksidentit, pasagjerja 18-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit, 26 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Po ashtu janë plagosur edhe dy këmbësorë, raporton euronews.al.
“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te Ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi. Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.
Nga burime thuhet se është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e dy të rinjve që ndodheshin brenda automjetit.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Sot mbahet seanca gjyqësore për sulmin në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Seanca nis në ora 09:30.
Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.
Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.
Në aktakuzë thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.
Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.
Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike. /Telegrafi/
Shqipëria të premten do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit, pas orëve të mesditës mot me kthjellime dhe vranësira kalimtare.
Në veriperëndim – perëndim, pjesërisht në qendër dhe në ekstremin jugor në orët e mëngjesit deri në orët e mesditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal.
Ndërkaq, mjegull do të ketë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.
Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 5 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 9 m/s.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka bërë të qartë se të huajt që emigrojnë në SHBA duhet ta mbajnë veten me punë, dhe jo të bëhen barrë e shtetit.
Prandaj, të mërkurën e 14 janarit vendosi ta pezullojë përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Kosovën.
Tani, Departamenti amerikan i Shtetit po e bën rishikimin e plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve, për t’u siguruar që emigrantët nga këto shtete – që autoritetet amerikane i cilësojnë si vende me rrezik të lartë – të mos i shfrytëzojnë ndihmat sociale të shtetit amerikan dhe të mos bëhen barrë e parasë publike, shkruan Evropa e Lirë.
Vendimi, i cili prek edhe kosovarët që duan të aplikojnë për vizë emigrantësh, e njohur më shumë si “Green Card”, do të hyjë në fuqi më 21 janar 2026.
Më poshtë mund të lexoni krejt çfarë duhet të dini për këtë çështje.
Çfarë është viza e emigrimit?
Viza e emigrimit është vizë që ia mundëson një shtetasi të huaj të hyjë në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të jetojë atje përjetë. Pra, në thelb, kjo vizë është bileta që ia mundëson përfituesit të bëhet ligjërisht banor i përhershëm në SHBA, si mbajtës i “Green Card”.
Kjo vizë u lëshohet atyre që duan të zhvendosen përherë në SHBA, në vend se ta vizitojnë përkohësisht për turizëm, studime ose punë.
Pasi i pranohet viza, personi zakonisht fiton të drejtën për të jetuar përherë në SHBA, për të punuar pa kufizime, dhe përfundimisht për të aplikuar për shtetësi amerikane.
A lejohet aplikimi për vizën e emigrimit gjatë periudhës së pezullimit?
Po. Shtetasit nga vendet e prekura nga vendimi i Trumpit mund të bëjnë kërkesë për vizë dhe mund të marrin pjesë në intervistë.
Departamenti i Shtetit njoftoi se do të vazhdojë të caktojë terminë për intervista, pavarësisht se gjatë kohës së pezullimit nuk do të lëshojë viza të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve të prekura.
Kush nuk preket nga ky pezullim?
Shtetasit me dy shtetësi që aplikojnë me pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i futur në listën e 75 vendeve të prekura nuk preken nga ky vendim.
Për shembull, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk preket nga ky vendim.
Si ndikon pezullimi tek ata që kanë vizë të vlefshme?
Vendimi i Trumpit nuk ndikon tek ata që tashmë kanë vizë të vlefshme të emigrimit. Pra, vendimi nuk kërkon heqjen e vizave të lëshuara paraprakisht.
A vlen vendimi për vizat turistike?
Jo. Ky vendim vlen vetëm për aplikantët për vizë të emigrimit. Vizat turistike nuk janë viza emigrimi, prandaj edhe nuk preken.
Pse e mori Trump këtë vendim?
Presidenti amerikan tha se një përqindje tejet e lartë e të huajve që janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara, përmes vizës së emigrimit, nuk punojnë – por varen nga ndihmat sociale amerikane.
Ai nuk dëshiron që të huajt që synojnë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara të bëhen barrë e parasë publike dhe ndihmave të shtetit.
Për shembull, 46 për qind e shtetasve të Kosovës që kanë shkuar në SHBA përmes vizës së emigrimit marrin ndihma sociale nga Qeveria amerikane, sipas listës së publikuar nga Trump në rrjetet sociale më 4 janar.
SHBA-ja i kishte lëshuar 6.674 viza emigrimi për kosovarët në 10 vjetët e fundit, apo mesatarisht rreth 670 viza në vit, sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për të marrë një koment prej saj për këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka pranuar një përgjigje.
Butani i prin listës, pasi 81.4 për qind shtetasve të tij që janë zhvendosur në SHBA përmes vizës së emigrimit, jetojnë me ndihma sociale.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Shtetet e Bashkuara kishin lëshuar mbi 612.000 viza emigrimi në gjithë botën në vitin 2024, që është më shumë së në vitin paraprak (562.976).
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti një ditë më parë takoi përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Kurti në një postim në X shkruan se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel, ndërsa kërkoi tërheqjen e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit.
“Dje, mirëprita Përfaqësuesin Special të BE-së Peter Sørensen në takimin tonë të parë pas zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel. Përparimi domethënës kërkon besim të mirë, duke përfshirë tërheqjen e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja serbe Brnabiq në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij për t'u përballur me drejtësinë në Kosovë për sulmin paraushtarak dhe terrorist në Banjskë, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit/Ohrit si garanci ligjore për rrugën përpara”, shkruan Kurti.
Ai tutje theksoi se Kosova ka një mandat demokratik të rifreskuar që siguron përfaqësim të besueshëm në dialog. /Telegrafi/
Yesterday, I welcomed EU Special Representative Peter Sørensen for our first meeting following Kosova’s December elections.
Kosova remains committed to full normalization and constructive dialogue in Brussels. Meaningful progress requires good faith, including the withdrawal of… pic.twitter.com/KlHFDTlcbB — Albin Kurti (@albinkurti) January 15, 2026
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Departamentit të Shtetit për pezullimin e lëshimit të vizave emigruese për një listë vendesh, përfshirë Shqipërinë.
Ambasada në një njoftim sqaron se vendim prek vetëm vizat e reja emigruese dhe nuk ndikon në vizat turistike ose ato që janë lëshuar më parë.
Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetasit nga Vendet me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike
Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.
Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:
Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.
Pyetje të Shpeshta
Çfarë ndodh me takimin tim për intervistën e vizës emigruese?
Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.
A ka ndonjë përjashtim?
Shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.
A ndikon kjo në vizën time aktuale të vlefshme?
Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.
A zbatohet kjo për vizat turistike?
Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Korçë, pasi një banesë ka marrë flakë.
Për pasojë ka ndërruar jetë brenda banesës shtetasja Fluturie Potka, 70 vjeç, si pasojë e tymit.
Top Channel njofton se shërbimet zjarrfikëse dhe Policia ndodhen në vendngjarje.
Një banore e zonës u shpreh “Ajo jetonte vetëm. Ka një djalë këtu, por nuk donte të shkonte të jetonte me të edhe pse ai i thoshte që të jetonin bashkë. Ishte e paralizuar nuk dilte. E ndihmonin gratë e lagjes për t’i bërë pazaret, i nxirrte nga ballkoni me një qese me litar”.
Ndërsa një fqinje tjetër u shpreh “Ka qenë një grua që kujdesej për të e cila ka hapur derën e jashtme dhe ka parë tymin ndërsa ka kërkuar ndihmën e fqinjëve të tjerë të pallatit për të lajmëruar zjarrfikësen. Fqinjët jashtë kamerave thonë se shkak i zjarrit mund të jetë bërë një cigare e ndezur nga e moshuara pasi ajo ishte duhanpirëse”.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot ishte i pranishëm në Reçak, në nderim të viktimave të masakrës së Reçakut, që ndodhi 27 vjet më parë.
Abdixhiku në një deklaratë për media tha se Reçaku nuk harrohet dhe se drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet.
“Sot shënojnë dhe njëkohësisht nderojmë viktimat e masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike të kontinentit të Evropës, së historisë moderne të Evropës. Në mëngjesin e hershëm, të 15 janarit 45 civilë burra, gra, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar u masakruan nga forcat paramilitare serbe, duke dhënë kështu një tronditje jo veç në Kosovë, por edhe një tronditje ndërkombëtare e cila u dokumentua si krim njerëzor nga institucionet ndërkombëtare dhe në atë kohë nga ambasadori Walker”, tha ai.
Tutje, kryetari i LDK-së tha në këtë ditë kujtohen viktimat dhe nderohet sakrifica e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe për çlirim, për të drejtën për të jetuar të liri me dinjitet.
“Lavdi të rënëve për këtë liri, lavdi viktimave të Reçakut. Reçaku nuk harrohet, drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet”, u shpreh Abdixhiku. /Telegrafi/
Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali ka shpjeguar lidhur me vendimin e DASH për bllokimin e vizave për 75 vende, përfshirë Shqipërinë.
Sipas Spiropalit, SHBA nuk ka bllokuar lëvizjet dhe udhëtimin e shqiptarëve, por ka ndryshuar politika e imigracionit për lejet e qëndrimit.
Ajo akuzoi opozitën se po mundohet të nxijë Shqipërinë, ndërkohë që vendi ynë siç tha “sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktiv se kurrë”, raporton euronews.al.
“Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të, sipas tyre, kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët.
Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!
Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.
Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit.
Pra, nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.
Pra, shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në një njoftim për media thekson se para disa ditësh ka njoftuar opinionin se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në produktin kafe e bluar, me origjinë nga Kosova, të eksportuar në Republikën e Kroacisë.
AUV thekson se në përputhje me Planin Vjetor të Inspektimit dhe parimin e vlerësimit të riskut ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, përfshirë kontrolle dhe analiza laboratorike për të gjitha brendet e kafesë që përpunohen për konsum brenda vendit dhe për eksport nga Republika e Kosovës në vendet tjera.
"Sipas standardeve të sigurisë ushqimore, rezultatet e analizave në kafe kanë konfirmuar se nivelet e akrilamidës në të gjitha produktet e testuara janë nën kufirin maksimal të lejuar", thuhet në njoftim.
“Bazuar në këto rezultate, operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë tregtimin e kafesë. AUV do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Sot në gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore do t’i kushtohet 15 janarit të vitit 1999, masakrës së Reçakut.
Po ashtu, do të ketë homazhe nga niveli komunal dhe shtetëror në varrezat e dëshmorëve dhe në kompleksin memorial në Reçak.
27 vjet më parë në Reçak të Shtimes, forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë të paarmatosur, në mesin e tyre kishte gra, pleq e fëmijë.
Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore për Kosovën.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ish-ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.
Ndryshe, në dhjetor të 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e kryer më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.
Sipas aktakuzës, të pandehurit O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J., akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.
“Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas hetimeve të prokurorisë forcat serbe fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga zonat e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, për ta granatuar më pas nga distanca me mjete ushtarake. Ata kanë hyrë shtëpi më shtëpi, kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar janë ekzekutuar.
Prokuroria tutje thotë se hetimet kanë vërtetuar gjithashtu se civilët janë rrahur brutalisht me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.
Si pasojë e këtyre operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit ndodhen jashtë Kosovës dhe janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/
Si pasojë e rritjes së temperaturave dhe ndikimit të rrezeve të diellit në shpatin malor, është riaktivizuar rënia e ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore, duke bllokuar segmentin rrugor rreth km 5.5.
Aktualisht, ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor, raporton Tch.
Për këtë arsye, është urdhëruar ndërprerja e çdo përpjekjeje për largimin e borës nga ortekët.
Duke vlerësuar situatën e krijuar dhe nivelin e lartë të rrezikshmërisë, qarkullimi në Qafë Thore ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht për arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit.
Në njoftimin e bërë në Facebook bëhet e ditur se Ndoci ndodhej në paraburgim prej vitit 2020 për vepra të rënda penale, mes tyre vrasje në rrethana cilësuese dhe organizatë kriminale.
Verifikimet paraprake kanë zbuluar shkelje të rënda procedurale, pasi vizita mjekësore nuk ishte raportuar dhe nuk janë respektuar protokollet standarde të shoqërimit.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:
Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.
Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.
I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.
Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:
•Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
•Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
•Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
•Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
• Aulon Quku – Kryeinfermier;
•Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
•Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
•Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
•Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
•Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
•Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
•Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:
• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. /Telegrafi/
Mohimi i krimeve serbe në Kosovë është kërcënim i drejtpërdrejt për të ardhmen, u tha në 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku në një tryezë shkencore të organizuar nga forumi i intelektualëve në Shtime u diskutua tema "Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit, destabilizim për Ballkanin".
Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se masakra në Reçak bëri kthesën e madhe në historinë e Kosovës. Në mesin e 400 masakrave të kryera nga Serbia, ai tha se ajo e Reçakut u denoncua ndërkombëtarisht, shkruan KosovaPress.
"Masakra e Reçakut nuk është se është më e madhja apo më e përgjakshmja se ka edhe të tilla që janë kryer, siç është Izbica, siç është Meja, Rahoveci, por Reçaku e ka rolin e vet në historinë më të re të Republikës së Kosovës, te shtetit tonë sepse aty falë një burri qe është ambasadori William Walker që më 15 janar 1999 në kuadër të misionit ndërkombëtar qëlloi aty dhe denoncoi krimin makabër të Millosheviqit, ajo u bë kthesë e madhe historike dhe pastaj dhe mblodh gjithë bashkësia ndërkombëtare, ndodhi konferenca e Rambujesë, ku në fund pala serbe nuk e nënshkroi marrëveshjen dhe filluan bombardimet e NATO-s dhe për 78 ditë u bombardua shteti kriminal i asaj kohe dhe NATO-ja me makinerinë e saj nga lart dhe vajzat e djemtë më të mirë të kombit, duke luftuar me pushkë në dorë pa dyshim edhe diplomacia dhe shteti shqiptar me rolin e jashtëzakonshëm, bën që më 12 qershor 19999 të vije liria jonë dhe më vonë dhe shteti i pavarur dhe Republika që bashkërisht sot e gëzojmë... Para dy viteve me avokimin tonë pas memorialit të Jasharëve edhe memoriali i Reçakut është projekt nacional dhe shteti do të kujdeset qe këtu të investohet dhe këtu të mbrohen dhe arkivohen të gjitha detajet e krimit serb mbi popullatën civile", tha ai.
Ai përmendi edhe aktakuzën e ngritur në fund të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale, ku akuzohen 21 kriminelë serbë.
Kryetari i Forumit të Intelektualëve në Shtime, Banush Imeri tha se Reçaku mbetet ndër plagët më të rënda në historinë e Kosovës.
"Masakra e Reçakut është njëra prej shumë masakrave të kryera nga Serbia, por kjo në Reçak u bë një nga simbolet. Sot, më 14 janar po e mbajmë këtë tryezë para akadamisë përkujtimore në kujtim të masakrës së Reçakut, me synim qe përmes trajtimeve dhe analizave profesionale, di të ndriçohet edhe më shumë dimensioni i kësaj masakre dhe rëndësisë së saj për identitetin dhe kujtesën kolektive", tha ai.
Mohimi i kësaj masakre nga krerët e lartë në Serbi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha se është kërcënim i mohimit të drejtpërdrejtë për të ardhmen.
“Mohimi i krimeve serbe në Kosovë, nuk është thjesht mohim i së shkuarës, ai është kërcënim i drejtpërdrejt për të ardhmen. Ai minon drejtësinë, pengon pajtimin e sinqertë dhe mban tensione që rrezikojnë stabilitetin rajonal. Pa drejtësi, pa përgjegjësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Pikërisht për këtë arsye, roli i akademisë, roli i studiuesve, i institucioneve dhe diplomacisë mbetet thelbësor edhe sot për të mbrojtur të vërtetën historike, për të kundërshtuar narrativat mohuese dhe për t'i kujtuar komunitetit ndërkombëtar se drejtësia për viktimat nuk është çështje e së kaluarës por obligim i së tashmes”, përfundoi ai.
Më 15 janar të vitit 1999 forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.
I pari që i tha botës se aty u krye krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe. /kp/
Vendi sot po përballet me reduktime të energjisë elektrike, gjersa u tha se 50 për qind e energjisë po importohet.
Lidhur me këtë ka reaguar Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se sot është një nga ditët me çmime të bursës ndërkombëtare të rrymës, ndërkohë festohet 51% me Kryeministër, Ministre e ZRRE në, në heshtje.
Lexoni të plotë postimin:
Kur një Qendër të Mjekësisë Familjare e humbim brenda ditës.
Kur një shkollë e humbim brenda ditës.
Kur një çerdhe e humbim brenda ditës.
Kur një Qendër për Pensionerë e humbim brenda ditës.
Kur e humbim jetën tonë me dinjitet si qytetar, nga importi i energjisë elektrike.
Sot e dje janë një nga ditët, me çmime të bursës ndërkombëtare të rrymës, ndërkohë festohet 51% me Kryeministër, Ministre e ZRRE në, në heshtje. /Telegrafi/