Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

Aksident në Fier, ndërron jetë 35-vjeçari

By: e xh
25 January 2026 at 18:53

Një aksident me vdekje ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Fier-Libofshë në fshatin Agim.

Një 35-vjeçar ka dalë nga rruga teksa ka qenë duke udhëtuar me motor dhe për pasojë ka marrë lëndime të shumta.

Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit Rajonal Fier, por nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të marra dhe ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të këtij aksidenti me pasoja fatale.

Njoftimi i policisë

Në aksin rrugor “Fier-Libofshë”, shtetasi Xh. K., rreth 35 vjeç, duke drejtuar një motomjet pa targa, ka humbur kontrollin e motomjetit dhe ka dalë nga rruga.

Si pasojë e daljes së motomjetit nga rruga ka humbur jetën shtetasi Xh. K.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

SHBA/ Mbi 600 mijë familje pa energji elektrike,14,800 fluturime të anuluara

By: e xh
25 January 2026 at 15:05

Moti i keq në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qindra mijëra shtëpi, sipas faqes së internetit poweroutage.us, e cila i monitoron këto ndërprerje.

Shtetet e Misisipit, Luizianës dhe Teksasit janë ndër më të prekurat, ndërsa më shumë se 618,000 shtëpi në të gjithë vendin janë pa energji elektrike , sipas faqes së internetit.

Më shumë se gjysma e popullsisë së SHBA-së po përballet me probleme për shkak të njërës prej stuhive më të këqija dimërore që ka goditur vendin në vite. Deri në fundjavë, stuhia pritej të shtrihej rreth 3,000 kilometra, nga New Mexico në jugperëndim deri në Maine në verilindje.

Stuhi ekstreme dëbore në Nju Jork

Një skenë e nxjerrë drejtpërdrejt nga një film me katastrofa zhvillohet në Nju Jork, ndërsa qyteti vihet në gatishmëri të lartë në pritje të një stuhie dëbore jashtëzakonisht të rrezikshme që kërcënon të paralizojë gjithçka.
Përgatitjet po bëhen me një ritëm intensiv dhe me mentalitetin se “po vjen fundi i botës”.

Raftet e supermarketeve po zbrazen në mënyrë mbresëlënëse, me ushqimet, ujin dhe artikujt thelbësorë që zgjasin për një kohë të gjatë që zhduken brenda pak orësh, ndërsa mijëra qytetarë nxitojnë të furnizohen me atë që e konsiderojnë të nevojshme për ditët e izolimit. Në të njëjtën kohë, imazhi në rrugë është zbulues.

Qyteti që nuk fle kurrë duket se ka frenuar. Rrugë qendrore me trafik minimal, trotuare bosh, dyqane me qepena të ulura dhe një ndjesi pritjeje e ngrirë që qëndron pezull mbi rrokaqiejt. Autoritetet po u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet e tyre në gjërat absolutisht thelbësore, ndërsa shumë biznese tashmë janë mbyllur si masë paraprake. Në të njëjtën kohë, rrjetet sociale, dhe veçanërisht TikTok, janë përmbytur me video që kapin ethet e përgatitjes.

Nga zgjidhjet e improvizuara për ngrohjen dhe ruajtjen e ushqimit te patentat e pabesueshme për mbrojtjen e shtëpive dhe makinave nga bora dhe akulli, përdoruesit tregojnë se si po organizohen për kohët e vështira që na presin. Disa me seriozitet, të tjerë me humor, por të gjithë me një emërues të përbashkët: frikën nga moti ekstrem.

Në këtë klimë, informacioni zyrtar nga Autoritetet luan gjithashtu një rol vendimtar. Kryetari i bashkisë, Zorar Momdani, u drejtoi një mesazh publik qytetarëve, duke u bërë thirrje atyre të qëndrojnë në shtëpi, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e shërbimeve të Mbrojtjes Civile. Ai theksoi se bashkia është në gatishmëri të plotë, me makineri pastrimi bore, ekipe dhe forca emergjente në gatishmëri, duke nënvizuar megjithatë se përgjegjësia individuale është thelbësore për të shmangur aksidentet dhe problemet.

Një valë e fortë moti të keq pritet të godasë pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara sot, pasi shkaktoi reshje të dendura dëbore në rajonet qendrore, duke kërcënuar miliona amerikanë me ndërprerje të energjisë elektrike dhe duke paralizuar rrjetin e transportit për shkak të temperaturave polare. Shumë supermarkete kanë zbrazur raftet e tyre pasi Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) parashikoi reshje të dendura dëbore dhe temperatura ngrirëse me efekte lokale potencialisht “katastrofike”.

Në total, 20 shtete dhe kryeqyteti, Uashingtoni, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Më shumë se 14,800 fluturime për në dhe nga SHBA-ja janë anuluar për sot, pasi më shumë se 4,000 u anuluan dje, ndërsa mijëra itinerare të tjera janë vonuar, sipas faqes së internetit FlightAware.

Kjo stuhi dimërore, e cila u përshkrua si “jashtëzakonisht e gjerë dhe e zgjatur” nga NWS, u shkaktua nga masa shumë të ftohta që vinin nga Kanadaja.

Në Nju Jork, ku temperaturat pritet të mbeten nën zero gjatë gjithë ditës dhe Central Park pritet të ketë 30 cm dëborë, kryebashkiaku Zohran Mamdani u bëri thirrje banorëve të shmangin udhëtimet jo thelbësore sot. Një vendim do të merret më vonë gjatë ditës nëse shkollat do të mbyllen nesër, në të cilin rast mësimet do të mbahen në internet.

Reshjet e dëborës u regjistruan dje në pjesën qendrore të SHBA-së, kryesisht në Kansas, Oklahoma dhe Missouri, ku në disa zona trashësia e dëborës arriti në 20 cm mbrëmë, sipas NWS.

Dallasi, një qytet jugor i mësuar me temperatura më të buta, pa temperaturat të binin në -6 gradë Celsius.

Në Hjuston, i cili ka një popullsi prej gati 2.4 milionë banorësh, strehimoret u hapën të enjten pasdite, kryesisht për të pastrehët. “Mbrëmë, isha në tendën time në shi, por nuk ishte shumë ftohtë. Por e di që sonte, mund të më vrasë”, tha për AFP-në Carol Eaton, një burrë 71-vjeçar i pastrehë në Hjuston.

Meqenëse rrjeti elektrik i Teksasit u godit rëndë nga një stuhi e madhe dimërore në vitin 2021, autoritetet nxituan të siguronin se rrjeti do të rezistonte këtë herë.

Donald Trump tha dje se kishte miratuar një gjendje të jashtëzakonshme për 12 shtete në Bregun Jugor dhe Lindor, e cila do të lejojë vendosjen më të shpejtë të FEMA-s, agjencisë amerikane për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

“Qëndroni të sigurt dhe qëndroni ngrohtë!” ishte apeli i Trump në platformën e tij Truth Social.

Ndërron jetë i riu në Burgun e Shkodrës

By: e xh
25 January 2026 at 14:11

Në burgun e Shkodrës ka ndërruar jetë 20-vjeçari Nicolae Ionnut Erion Deliver, i lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

Përmes një njoftimi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se Nicolae Ionnut Erion Deliver ishte transportuar me urgjencë drejt spitalit më të arfërt, pasi ishte vënë re gjendja e tij e rënduar shëndetësore, por fatkeqësisht nuk ka arritur të mbijetojë.

Ky shtetas ishte arrestuar në tetor të vitit 2024 për ‘vjedhje me dhunë’ dhe “prodhim dhe shitje narkotikësh”. Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e këtij shtetasi.

Njoftimi për mediat:

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se, në datën 25.01.2026, në IEVP Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.

Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).

Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin.

Vrasja e një personi nga agjentët federalë, Trump: Lërini aëtë bëjnë punën

By: e xh
25 January 2026 at 13:52

Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump reagoi ndaj incidentit të përgjakshëm në Minneapolis, ku një agjent i Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlloi dhe vrau një burrë.

Trump theksoi se agjentët e ICE ishin të pambrojtur, pasi mungonte mbështetja e policisë lokale, dhe akuzoi kryetarin e bashkisë së Minneapolis dhe guvernatorin e Minesotës për “nxitje të trazirave” duke kërkuar largimin e agjentëve federalë pas dy incidenteve fatale

“Lërini patriotët e ICE të bëjnë punën e tyre!”,shkroi Trump në postimin e tij dhe shtoi se shumë oficerë policie ishin penguar të merrnin masa, duke detyruar ICE-në të mbrohej vetë.Në të njëjtën kohë, Trump kritikoi guvernatorin e Minesotës dhe kryetarin e bashkisë së Minneapolis të dy demokratë për veprimet e tyre, duke i akuzuar se po mbështesin një situatë kaotike me retorikën e tyre, duke e përshkruar atë si të rrezikshme dhe arrogante.

Ai shtoi se ky “nxitim trazirash” ka për qëllim të largojë vëmendjen nga një çështje më serioze që ndodhet në shtetin e Minesotës.“Ku janë dhjetëra miliarda dollarë që janë vjedhur nga shteti dikur i madh i Minesotës? Ne jemi këtu për shkak të mashtrimit të madh financiar që ka ndodhur këtu. Miliarda dollarë janë humbur, dhe kriminelët të cilët janë lejuar të infiltrohen në shtet për shkak të politikës së kufijve të hapur të demokratëve, kanë kontribuar në kaosin që po shohim”, shkruan Trump.

Ai gjithashtu shprehu shqetësim për situatën e sigurisë, duke akuzuar autoritetet vendore për mbulimin e keqmenaxhimit dhe për aspekte të tjera të mundshme të korrupsionit. Ai theksoi se shumë kriminelë të huaj të paligjshëm, përfshirë ata të dhunshëm, janë arrestuar dhe larguar nga Minesota nga agjentët e ICE.

“Ne duam paratë mbrapsht dhe i duam TANI. Mashtruesit që vodhën këto para do të shkojnë në burg, aty ku u takon. Kjo nuk është ndryshe nga një grabitje masive bankash”,shkroi Trump në postimin e tij.

Ai përfundoi postimin me një mesazh të fuqishëm: “12,000 kriminelë të huaj të paligjshëm, shumë prej të cilëve të dhunshëm, u arrestuan dhe u larguan nga Minesota.
Nëse do të ishin ende atje, do të shihnit diçka shumë më të keqe se ajo që po shihni sot.

Nga takimi kokë më kokë me Netanyahun te fjalimi në Parlament, Rama vizitë në Izrael

By: e xh
25 January 2026 at 13:21

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, më 25–27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.

Paralelisht, Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.

Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.

Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.

Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.

Ndërsa, Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.

Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

Berisha flet pas protestës: Qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës

By: e xh
25 January 2026 at 12:57

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se mbrëmjen e djeshme protestuesit triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës.

Komentet Berisha i bëri në një konferencë për mediat, ku tha se protesta nuk kishte asnjë lidhje me godinat e Qeverisë e të Parlamentit, por me keq-qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.

Berisha teksa e cilësoi tubimin si një protestë të ndërgjegjes qytetare, shtoi gjithashtu se ‘lufta’ e opozitës do të vijojë deri në rrëzimin e qeverisë Rama.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Mirëdita! Të dashur qytetarë dhe qytetare. Dje për tre orë kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin, sheshet e saj.

Në një protestë të fuqishme qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe mbarë Shqipëria u përballën me guxim të jashtëzakonshëm për më shumë se tre orë me fallangat e krimit të narkoregjimit Edi Ramës.

Nderim të madh të gjithë atyre qytetarëve djemve, vajzave, burrave dhe grave, të moshuar, që nga Tirana dhe mbarë Shqipëria protestuan në mënyrën më të vendosur kundër rilindjes kalbësirë, kundër organizatës kriminale të Edi Ramës.

Protesta e tyre nuk kishte lidhje me ndërtesat, as dhe institucionet kushtetuese. Protesta, revolta, zemërimi i qytetarëve shqiptarë dje dhe që zjen sot në të katër anët e vendit dhe në diasporë, ka lidhje vetëm me Ramaduron, vjedhjet e tij qindra milionëshe e miliarda euro, lidhjet e tij me krimin e organizuar, kartelët e drogës.

Lidhet me Lubi Ballukun, Lindat e Ramës, ajo e AKSHIT dhe e Surrelit, Ergys Agasin dhe qeveritarët e tjerë hajdutë.

Dje regjimi u trondit nga themelet. Dje qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës. U bënë zëri i ndërgjegjes se njerëzve të ndershëm, të cilët nuk pajtohen kurrë me një qeveri me lidhje të tmerrshme me drogën dhe krimin.

Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që nuk del nga vullneti i tyre, por nga farsa elektorale. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që vjedh 97% të taksave të tyre dhe të çmendurisht të gjitha pasuritë publike.

Dje ata ishin pra vetë ndërgjegja e kombit në betejë. Ata u përcollën mesazh çdo shqiptari se nuk po luftojmë për veten tonë, se nuk po luftojmë për Sali Berishën, se nuk po luftojmë për Partinë Demokratike, as dhe parti të tjera, se po luftojmë për ndërgjegjen e njeriut, për dinjitetin njerëzor, për interesin kombëtar.

Po luftojmë dhe për ju që po na ndiqni në televizione, po luftojmë dhe për ju që mund të mos u pëlqejë protesta. Në fakt, po luftojmë dhe do luftojmë për çdo shqiptar. Kjo është veçantia e kësaj proteste.

Kjo është protesta e ndërgjegjes dhe nuk ka asgjë më të fuqishme, nuk ka asgjë më të pathyeshme, nuk ka asgjë më të pamposhtur se sa ajo që buron nga ndërgjegja e njeriut.

“Ishte vdekjeprurëse”, Trump zbulon detaje rreth armës sekrete amerikane

By: e xh
25 January 2026 at 12:04

Informacionet për një armë çudibërëse amerikane, të mbajtur të fshehur nga publiku, kanë qarkulluar prej kohësh.

Tani, duket se askush tjetër përveç Presidentit të SHBA-së jo vetëm që e ka konfirmuar ekzistencën e një arme të tillë, por edhe ka zbuluar detaje në një intervistë me Washington Post në Zyrën Ovale

Sipas raportimeve, arma sekrete mund të jetë përdorur në arrestimin e ish-presidentit të Venezuelës. Trump tha se forcat amerikane përdorën një armë që ai e quajti “Disorientimi ose humbje e orientimit” gjatë operacionit amerikan në Karakas në fillim të këtij muaji që rrëzoi Nicolás Maduron.

Trump u mburr se arma misterioze “çaktivizoi pajisjet e armikut” kur helikopterët amerikanë mbërritën në Karakas më 3 janar për të arrestuar Maduron dhe gruan e tij Cilia Flores me akuza federale për drogë dhe armë – pa humbur asnjë jetë amerikane.

“Diskombobulatori. Nuk më lejohet të flas për këtë”, tha Trump në intervistë – dhe më pas zbuloi disa detaje të jashtëzakonshme. Ai shpjegoi se arma kishte “çaktivizuar” pajisjet armike.

“Ata nuk i lëshuan kurrë raketat e tyre”, tha Trump, sipas Post. “Ata kishin raketa ruse dhe kineze, dhe nuk lëshuan asnjë. Ne hymë, ata shtypën butona dhe asgjë nuk funksionoi. Ata ishin plotësisht të përgatitur për ne.”

Sipas mediave amerikane, administrata Biden bleu një armë me energji pulsi, me shumë gjasa të llojit që shkakton “Sindromën e Havanës”. Rrëfimet e dëshmitarëve okularë nga Venezuela përshkruan se si burrat e armatosur të Maduros u detyruan të bien në gjunjë, duke nxjerrë gjak nga goja.

Një anëtar i ekipit të truprojave të sundimtarit të rrëzuar raportoi më vonë: “Papritmas, të gjitha sistemet tona të radarit dështuan pa asnjë shpjegim.”

Në orët pas operacionit, të quajtur “Operacioni Absolute Resolve”, presidenti aludoi për një aftësi teknologjike gjatë një konference për shtyp pas bastisjes. Shtëpia e Bardhë fillimisht nuk iu përgjigj një kërkese për informacione të mëtejshme në lidhje me armën.

“Ishte errësirë, dritat e Karakasit ishin kryesisht të fikura për shkak të një ekspertize të caktuar që kemi. Ishte errësirë dhe ishte vdekjeprurëse”, tha Trump pas operacionit.

Megjithatë, në shtypin amerikan janë ofruar shpjegime të tjera për dështimin e mbrojtjes venezueliane. Sipas një raporti në “Neë York Times”, zyrtarët amerikanë deklaruan se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore të Venezuelës, të teknologjisë së fundit, nuk ishin as të lidhura me radarin kur helikopterët amerikanë u shfaqën mbi Karakas për të kapur Maduron.

Sipas raportit, Venezuela kishte vështirësi në mirëmbajtjen e pajisjeve ruse. Shpesh, mungonin pjesët e nevojshme rezervë dhe ekspertiza teknike. Për më tepër, thuhet se ushtria amerikane ka bombarduar vendet ku ishin të stacionuara ose të ruajtura sistemet ruse të mbrojtjes ajrore Buk-M2 me bazë tokësore përpara kapjes së Maduros.

Zhvendosen nga burgu i Fushë-Krujës 142 të dënuar

By: e xh
25 January 2026 at 11:17

142 të burgosur në burgun e Fushë-Krujës janë trasnferuar drejt burgjeve të tjera të vendit mëngjesin e së shtunës.

Zhvendosja e tyre është bërë në zbatim të një plani masash të marra nga Drejtoria e Burgjeve, për shkak të nisjes së rikonstruksionit të godinës së burgut të Fush-Krujës.

Transferimi masiv i të burgosurve është bërë në masa të rrepta sigurie nga forcat operacionale të burgjeve, përmes auto-burgjeve të vendosur në autokolonë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nga 142 të burgosurit e zhvendosur nga Fushë-Kruja, 85 prej tyre janë transferuar në burgun e Peqinit, ndërsa 57 të tjerët në burgun e Durrësit.

Për lëvizjen e të burgosurve dhe itenerarin që do të ndiqnin dy autokolonat nga Fushë-Kruja drejt Durrësit dhe Peqinit janë njoftuar Drejtoritë e Policisë së Tiranës e Elbasanit dhe komisariatet përkatëse.

Sipas burgjeve, transferimi është kryer sipas planifikimit, pa asnjë problem deri në dy burgjet e tjera, ku më tej janë marrë masat e mëtejshme për pritjen, kontrollete nevojshme dhe sistemimin e të dënuarve.

Rama për protestën e PD: Ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur

By: e xh
25 January 2026 at 11:13

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës që Partia Demokratike zhvilloi mbrëmjen e djeshme përballë Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Përmes një postimi në rrjeton social ‘X’, Rama është shprehur se PD është e vetmja parti në Europë që ka në programin e aktivitetit të saj ushtrimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronës.

Po ashtu Rama në postim shkruan se ata që kryejnë akte dhunë në protestat e PD-së janë mercenarë të rekrutuar me lekë, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mos u identifikuar nga kamerat.

Teksa ju uroi shërim të shpejtë punonjësve të lënduar të Policisë, Rama vijoi më tej duke shkruar se protestat e organizuara nga kryedemokrati Sali Berisha janë një degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm.

Reagimi i Ramës:

Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…

Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për  të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!

Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!

Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër.

Policia e Shtetit: 11 efektivë të dëmtuar, 23 persona të shoqëruar

By: e xh
24 January 2026 at 23:40

Policia e Shtetit ka dalë me njoftim zyrtar, duke deklaruar se 11 policë janë plagosur në protestën kombëtare të Partisë Demokratike.

Gjithashtu, ka bërë me dije se 23 persona janë shoqëruar, duke sqaruar edhe shoqërimin e një të mituri.

Njoftimi i Policisë:

Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës. Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.

Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit.

Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.

Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.

Yesterday — 24 January 2026Main stream

“Kush je ti që s’më lejon mua”, përplasja e Bardhit me policinë në komisariat

By: e xh
24 January 2026 at 22:27

Përplasje të ashpra kanë ndodhur në ambientet e komisariatit numër 1 në Tiranë.

Pas arrestimit të 20 protestuesve qytetarë dhe deputetë të Partisë Demokratike janë futur në ambientet e komisariatit ku nuk kanë munguar përplasjet me policinë.

“Jam deputet. Kush je ti që s’më lejon mua të futem në një institucion shtetëror?”, ishin fjalët e Gazment Bardhit drejtuar një prej policëve.

Protesta, Berisha: Kërkoj lirimin e 25 demonstruesve

By: e xh
24 January 2026 at 21:02

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga selia e partisë që ai drejton, u shpreh se “narkopolicia përdori në agresivitet absolut mjetet e dhunës, sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaz helmues, me topa uji dhe me mjete të tjera”.

“Mirënjohje guximtarëve që sot, në protestën më të fuqishme, lebetitën narkodiktatorin, kreun e organizatës kriminale. Të mbledhur nga mbarë Shqipëria, në një protestë ku i dhanë mesazhin më të fuqishëm Edi Ramës: Vrimën e miut nuk do ta gjesh më! Narkopolicia përdori në agresivitet absolut mjetet e dhunës, sulmoi në mënyrë të çmendur protestuesit me gaz helmues, me topa uji dhe me mjete të tjera. Domethënë, Edi Rama kërkonte përleshjen e policisë me demonstruesit. Garantoj që demonstruesit do të përleshen me Edi Ramën dhe i them mos të ndërzeje policinë kundër protestuesve. U bëj thirrje policëve të mos bëhen shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligj dhe moral, të një njeriu që është armik i egër i çdo shqiptari”, tha Berisha.

“Betohemi se me këtë betejë, kilometri ynë i fundit do të jetë fundi i merituar i Edi Ramës. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë, të cilët nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë në polici vetëm si akt urrejtjeje”, shtoi kreu demokrat.

Studimi/ Dhjami i trupit luan një rol të rëndësishëm në shëndetin fizik dhe mendor

By: e xh
24 January 2026 at 14:50

Dhjami i trupit ndihmon në gjithçka, nga shëndeti i kockave deri te humori, dhe tani, hulumtimet sugjerojnë se rregullon edhe tensionin e gjakut dhe imunitetin, sipas “New Scientist”.

Nëse mendonit se dhjami i trupit ishte thjesht një depo pasive për ruajtjen e kalorive, hulumtimet sugjerojnë se ai luan një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë të përgjithshëm.

Dhjami ekziston në disa forma. Për shembull, ekziston dhjami i bardhë, i cili ruan energji dhe çliron hormone që ndikojnë në metabolizëm; dhjami kafe, i cili gjeneron nxehtësi; dhe dhjami bezhë, i cili ndodhet diku midis tyre, i cili nxit prodhimin e nxehtësisë në kushte të caktuara.

Edhe brenda këtyre kategorive, vendndodhja ka rëndësi: dhjami nën lëkurë është përgjithësisht më pak i dëmshëm, ndërsa dhjami thellë brenda barkut – i njohur si dhjami visceral – është i lidhur fort me inflamacionin, diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës.

Hulumtimi më i fundit,  sugjeron se dhjami, ose indi dhjamor, ndihmon në mënyrë aktive në rregullimin e presionit të gjakut dhe koordinimin e përgjigjeve imune në vende kyçe.

Studiuesit në Spitalin Universitar Karolinska në Stokholm, Suedi hartuan arkitekturën qelizore të dhjamit visceral nga vende të shumta brenda barkut.

Ata zbuluan se dhjami epiploik, i cili mbështjell zorrën e trashë, është jashtëzakonisht i pasur me qeliza imune, si dhe me qeliza yndyrore të specializuara që prodhojnë proteina inflamatore të shoqëruara me aktivizimin imunitar.

Eksperimentet e mëtejshme treguan se produktet mikrobike që burojnë nga zorrët i bëjnë këto qeliza yndyrore të aktivizojnë qelizat imune aty pranë.

Sipas studimit, depot e dhjamit janë të specializuara sipas vendndodhjes së tyre anatomike, dhe ato që ndodhen më pranë zorrëve duken veçanërisht të përshtatura për ndërveprimin imunitar.

Dhjami epiploik shërben për funksione thelbësore të ngjashme tek njerëzit e të gjitha peshave trupore, pasi të gjithë kanë pak yndyrë që rrethon zorrën e tyre.

Zorra është vazhdimisht e ekspozuar ndaj lëndëve ushqyese, produkteve mikrobike dhe substancave që vijnë nga mjedisi ynë.

Indi dhjamor ndihmon në koordinimin e reaksioneve imune dhe ofron një shtresë shtesë mbrojtjeje.

Megjithatë, në obezitet, ky sistem mund të bëhet kronikisht i mbiaktivizuar.

Ushqimet me përbërje të veçanta bakteriale brenda mikrobiomës së zorrëve mund të nxisin potencialisht sinjalizim imunitar të vazhdueshëm në dhjamin e zorrëve, duke kontribuar në inflamacionin e shkallës së ulët – të lidhur me një sërë gjendjesh metabolike, të tilla si diabeti i tipit 2 dhe obeziteti.

Berisha mesazh para protestës: Sot dita e ngadhënjimit mbi të keqen

By: e xh
24 January 2026 at 13:26

Kur na ndajnë edhe pak orë nga protesta e paralajmëruar e opozitës para kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka përçuar një mesazh për qytetarët, përmes një postimi në X, Berisha shprehet se sot është dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës.

Berisha e cilëson këtë ditë si ditën e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë.

“Sot është dita e guximit qytetar. Dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë”, shkruan Berisha.

Protesta e PD/ Ambasada e SHBA-qytetarëve amerikanë: Shmangni zonat e demonstratës

By: e xh
24 January 2026 at 13:25

Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët për protestën e sotme të opozitës. Në njoftimin e publikuara në faqen zyrtare të ambasadës këshillon qytetarët amerikanë që të shmangin demonstratën, të mbajnë një profil të ulët, të kenë një plan emergjence dhe kufizojnë shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik.

Sipas ambasadës amerikane protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt.

Protesta do të nisë sot në orën 17:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë Kryeministrisë.

Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës, ndërsa pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut.

Paralajmërim për Demonstratë: E shtunë, 24 janar 2025, në orën 17:00

Ambasada Amerikane në Tiranë, Shqipëri

Mesazh për qytetarët amerikanë

Subjekti:  Alarm Demonstrimi

Një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të shtunën, më 24 janar 2025, në orën 17:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen te ndërtesa e Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut. Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personelit të Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:

Veprimet që duhen ndërmarrë:

Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin këtë ngjarje

Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth

Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik

Monitoroni mediat lokale

Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje

Mbani një profil të ulët

Ndihmë:

Ambasada Amerikane në Tiranë, Shqipëri

+(355) (0)4224-7285

+(355) (0)4224-7285 (pas orarit të punës)

ACSTirana@state.gov

https://al.usembassy.gov/us-citizen-services/

Departamenti i Shtetit –  Çështjet Konsullore

888-407-4747 ose 202-501-4444

Informacion mbi Vendin e Shqipërisë

Regjistrohuni në Programin e Regjistrimit të Udhëtarëve të Mençur (STEP)  për të marrë përditësime sigurie

Na ndiqni në  Facebook   dhe  X

Vdekja e vajzës së lojtarit, shtyhet ndeshja Tirana–Flamurtari

By: e xh
24 January 2026 at 13:13

Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për lojtarin e KF Tiranës, Freddy Alvarez, dhe familjen e tij, pas ndarjes tragjike nga jeta të vajzës së tij.

Në shenjë respekti dhe solidariteti në këtë moment të rëndë, si dhe në dakordësi me KF Tiranën dhe KF Flamurtarin, Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ndeshja Tirana–Flamurtari, e programuar të zhvillohej sot në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”, është shtyrë.

Takimi do të luhet nesër, në të njëjtën orë, 13:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Federata Shqiptare e Futbollit qëndron pranë Freddy Alvarez, familjes së tij dhe KF Tiranës në këtë moment zie.

Shpërthim në një fabrikë kokaine në Kolumbi, 9 viktima dhe 10 të plagosur

By: e xh
24 January 2026 at 12:50

Një shpërthim në një fabrikë të paligjshme prodhimi kokaine në jugperëndim të Kolumbisë, pranë kufirit me Ekuadorin, ka lënë të vdekur nëntë persona dhe ka plagosur dhjetë të tjerë.

Viktimat punonin për Koordinatorin Kombëtar të Ushtrisë Bolivariane, një fraksion renegat i grupit gueril FARC, tashmë i shpërbërë. Një hetim paraprak zbuloi se një bombol gazi shpërtheu ndërsa po përdorej për të prodhuar drogën, tha koloneli i policisë John Jairo Urrea, raporton Le Monde.

“Për shkak të gabimit njerëzor dhe trajtimit të bombolave ​​të gazit… vendi u përfshi nga flakët brenda pak sekondash”, tha grupi në një deklaratë.

Laboratori ndodhej në një zonë prodhimi kokaine me një prani të madhe të grupeve të armatosura ilegale në territorin indigjen të Awa-s, në departamentin jugperëndimor të Narinos.

Presidenti konservator i Ekuadorit, Daniel Noboa, nisi një luftë tregtare me Kolumbinë të mërkurën duke vendosur një tarifë prej 30% dhe duke akuzuar qeverinë e Petros se nuk po bën mjaftueshëm për të frenuar trafikun e drogës përgjatë kufirit të tyre të përbashkët. Petro u kundërpërgjigj me të njëjtën tarifë dhe mbrojti përpjekjet e tij kundër trafikantëve të paligjshëm të drogës.

Pasi u përball me akuza të ngjashme nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë vitit të kaluar, Petro pritet të udhëtojë për në Uashington për takime me homologun e tij amerikan më 3 shkurt.

Moti i keq, ndalohet lëvizja e mjeteve të vogla dhe të peshkimit në Portin e Vlorës

By: e xh
24 January 2026 at 12:25

Si pasojë e kushteve të përkeqësuara të motit, kapiteneria e Portit në Vlorë ka ndaluar lëvizjen e mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit, duke nisura nga ora 12:00 të datës 24.01.2026 deri në datën 26.01.2026 në orën 06:00.

Kjo masë është marrë për të parandaluar çdo situatë të papritur për shkak të kushteve atmosferike të këqija. Ndërsa njoftohet se anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Trageti i linjës Vlorës-Brindisi-Vlorë ka anuluar mbërritjen datën 25.01.2026.

Kërcënonte me vdekje gruan, arrestohet 53-vjeçari në Memaliaj

By: e xh
24 January 2026 at 12:24

Policia e Tepelenës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në familje, në fshatin Lulëzim të Memaliajt.

Pas njoftimit se një shtetas ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes dhe e kërcënonte me vrasje, shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj ndërhynë menjëherë, duke vënë në pranga 53-vjeçarin.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, në Komisariatin e Policisë  Tepelenë, pas njoftimit se një shtetas kishte dhunuar bashkëshorten e tij dhe e kishte kanosur atë, se do ta vriste, kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, është bërë neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. D., 53 vjeç, banues në fshatin Lulëzim, Memaliaj”, njofton Policia.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Trafik droge, GJKKO lë në burg djalin e ish-deputetit të PS dhe 7 të tjerë

By: e xh
24 January 2026 at 12:23

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për 8 prej pjesëtarëve të grupit Rraja, mes tyre dhe djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rexhep Rraja. Ndërsa dy prej tyre Sokol Qaja dhe Agim Nina nuk bënë ankim.

Islam Sefa, Jani Çavo, Aldo Gjini, Marvin Bushati, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Rexhep Rraja, Zamir Aliaj u arrestuan me urdhër të SPAK në dhjetor.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi Rraja së bashku me 2 grupe të tjera, kanë trafikuar drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së.

Mbeten në fuqi masat “arrest ne burg”

  1. Islam Sefa
  2. Rexhep Rraja
  3. Perparim Rraja
  4. Gazmir Rraja
  5. Aldo Gjini
  6. Zamir ALiaj
  7. Jani Cavo
  8. Marvin Bushati

Nuk bënë ankim

Sokol Qaja dhe Agim Nina

KOMUNIKIM PËR MEDIAN I GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më datë 24.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 1 akti, datë 19.01.2026 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve I.S, J.Ç, A.Gj., M.B., P.Rr., G.Rr., R.Rr., dhe Z.A.: “Ankim kundër vendimit nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale. Ankim kundër vendimit nr. 126, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

  1. Miratimin e Vendimit nr. 124, datë 09.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
  2. Miratimin e Vendimit nr. 126, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
  3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë, me datë 24.01.2026.
❌
❌