Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 January 2026Main stream

17:58 Pas divorcit me Nicole Kidman, Keith Urban në një romancë të re

By: Monika
18 January 2026 at 17:58

Keith Urban raportohet se ka nisur të bashkëjetojë me një partnere të re, vetëm pak kohë pas divorcit të bujshëm nga Nicole Kidman.

Sipas thashethemeve, partnerja e re e tij është këngëtarja e muzikës country, Karley Scott Collins, por përfaqësuesit e tyre nuk kanë komentuar ende mbi këto raportime.

Ndërkohë, fëmijët e çiftit duket se nuk e kanë pritur mirë këtë zhvillim të ri në jetën e këngëtarit.
“Kam dëgjuar se Keith ka dikë në jetën e tij, dhe kjo është arsyeja pse vajzat po e mbështesin publikisht mamanë e tyre. Madje, njerëzit mendojnë se ata po jetojnë bashkë. Shiko, vajzat adoleshente i duan shumë baballarët e tyre, ndaj ka një arsye pse duket sikur janë tre kundër një,” i tha një burim Daily Mail-it, duke iu referuar dy vajzave të ish-çiftit.
Sipas të njëjtit burim, vajzat e dyshes janë më të pranishme gjatë daljeve publike të aktores, gjë kjo që nuk e shihnim kaq shpesh më parë.
“Sa herë që i shikon, janë duke i mbajtur dorën njëra-tjetrës ose duke ecur krah për krah. Duket si ‘ne kundër botës’,” tha burimi.

Keith Urban, po punon për një album ndarjeje në Nashville, i cili sipas medieve, mund të jetë mbi një rrëfim të ndjerë rreth fundit të historisë së dashurisë me Nicole Kidman.

Divorci i tyre u finalizua më herët këtë muaj, pas gati dy dekadash martesë.
Më herët, një burim kishte deklaruar për Page Six se Nicole Kidman “nuk e donte ndarjen dhe po përpiqej ta shpëtonte martesën”, ndërsa çifti raportohet se jetonte i ndarë që nga fillimi i verës 2025./mxh

17:47 Fitore me dedikim për presidentin që ndërroi jetë, Fiorentina triumfon mes dhimbjes

By: Monika
18 January 2026 at 17:47

Fiorentina mori një fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Bolognas, në duelin e javës së 21-të në Serinë A.

Vetëm pak orë pas ndarjes nga jeta të presidentit të tyre, Rocco Comisso, skuadra nga Firence triumfoi 2-1 në transfertë.

Një sukses, që merr vlerë të madhe pas ngjarjeve të fundit, ndërsa ishte padiskutim, një dedikim për të ndjerin.

Sa i përket ndeshjes, Mandragora zhbllokoi takimin në minutën e 19-të, ndërsa Piccoli dyfishoi shifrat para fundit të pjesës së parë.

Bologna u zgjua vetëm në fund të takimit, ku ngushtoi diferencat me Fabbianin.

Me këtë sukses, Fiorentina ngjitet në vendin e 18-të me 17 pikë të grumbulluara, ndërsa Bologna mban vendin e tetë me 30 pikë./mxh

17:37 “Rrëfim i javës në imazhe”/ Spiropali ndan pamje nga vizita zyrtare në Ukrainë, nderimi nga Zelensky

By: Monika
18 January 2026 at 17:37

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga vizita e saj zyrtare në Kiev të Ukrainës. Spiropali shprehet se gjatë kësaj vizite pa më nga afër lodhjen e shtetasve ukrainas nga lufta.

Ndër të tjera, ministrja bën më tej me dije se u nderua nga presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I.

Postimi i plotë:

Rrëfim i javës në imazhe.
Në Kievin që përballet çdo ditë me sulme barbare në mesin e këtij dimri të egër, gjatë vizitës sime zyrtare në Ukrainë pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme. Familje që jetojnë me mungesa. Prindër që jetojnë me frikën e çdo ditë. Fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.
Brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur, u nderova nga Presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I.
Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm, ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë./mxh

17:26 Avioni në Indonezi u zhduk nga radarët/ Gjendet trupi i një prej pasagjerëve, mister fati i të tjerëve

By: Monika
18 January 2026 at 17:26

Trupi i pajetë i një pasagjeri që ishte në avionin që u zhduk nga radarët në Indonezi, është gjetur ditën e sotme. Aeroplani me 10 persona në bord, një ATR 42-500, që i përkiste grupit të Transportit Ajror të Indonezisë, i cili ishte ngritur nga Yogyakarta për në Makassar, humbi të gjitha kontaktet me kontrollin e trafikut ajror të shtunën në zonën Maros, Kelibia Jugore.

Ekipet e të dërguara në vendngjarje gjetën trupin e avionit, pjesën e pasme dhe dritaret, tha gjatë një konference për shtyp Muhammad Arif Anwar, kreu i agjencisë së kërkim-shpëtimit në Makassar.

“Trupi i pajetë i një burri u gjet gjithashtu… në një thellësi prej rreth 200 metrash në një përrua, pranë rrënojave të avionit”, u shpreh zyrtari.
Andi Sultan, një tjetër zyrtar lokal i shpëtimit, konfirmoi zbulimin e një trupi dhe tha se ai do të nxirret nesër për shkak të kushteve të këqija të motit në zonë.

Në aeroplan ishin tre punonjës të Ministrisë së Çështjeve Detare dhe Peshkimit, të cilët ishin në një mision mbikëqyrjeje ajrore, si dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit. Autoritetet fillimisht kishin deklaruar se në bordin e avionit ndodheshin tetë anëtarë të ekuipazhit, por më vonë deklarata u ndryshua.

Në total, më shumë se 1000 persona janë të përfshirë në operacionet për gjetjen e trupave të tjerë. Bangun Naëoko, një oficer i ushtrisë, u tha gazetarëve se operacionet e shpëtimit po kryheshin me vështirësi për shkak të terrenit të ashpër dhe mjegullës.

Kreu i Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (KNKT) të Indonezisë, Soerjanto Jahjono, tha se bazuar në gjetjet fillestare të agjencisë, avioni u rrëzua në shpatin e malit.

“Kjo quhet fluturim i kontrolluar në terren. Piloti arriti ta kontrollonte avionin dhe përplasja nuk ishte e qëllimshme”, tha Soerjado për mediat lokale.
Hetuesit ende nuk e kanë përcaktuar shkakun e rrëzimit. Dyshohet se avioni kishte probleme teknike, por ishte konsideruar i aftë për fluturim para fluturimit për në Makassar. Ky lloj avioni nga prodhuesi franko-italian ATR përdoret përgjithësisht për fluturime lokale dhe rajonale dhe ka kapacitet për të transportuar 42 deri në 50 pasagjerë./mxh

17:15 Gjermania tenton tërheqjen nga Botërori 2026…si presion ndaj presidenti Trump, për aneksimin e Groenlandës

By: Monika
18 January 2026 at 17:15

Plani i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të vendosur kontroll mbi Groenlandën ka shkaktuar një reagim të fortë në qarqet politike gjermane.

Jürgen Hardt, zëdhënësi i politikës së jashtme i grupit parlamentar CDU/CSU dhe një person i besuar i ngushtë i Kancelarit Friedrich Merz, nuk e përjashtoi mundësinë e bojkotimit të Kupës së Botës FIFA 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Kjo u raportua nga Welt, shkruan UNN.

Hardt deklaroi se një bojkot i turneut mund të jetë një “masë ekstreme” për të detyruar administratën Trump të heqë dorë nga pretendimet e saj ndaj territorit danez. “Ne e kuptojmë sa e rëndësishme është kjo Kupë Bote për Trumpin”, – theksoi politikani në një koment për Bild.

Tensionet u përshkallëzuan pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, e cila rriti frikën e evropianëve rreth realitetit të kërcënimeve të Trump për të përdorur forcën për të aneksuar ishullin strategjik.

Kritika ndaj udhëheqjes së FIFA-s

Ndërkohë, ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, kritikoi ashpër kreun aktual të FIFA-s, Gianni Infantino, në një intervistë me “The Guardian”.

Platini akuzoi ish-zëvendësin e tij për besnikëri të tepruar ndaj “të pasurve dhe të fuqishmëve” dhe e quajti stilin e tij të menaxhimit autoritar. “Fatkeqësisht, pas pandemisë, Infantino po bëhet gjithnjë e më shumë një autokrat. Ai e humbi lojën. Tani ka më pak demokraci në FIFA sesa gjatë kohës së Blatterit,” – ka deklaruar Platini.

Kritikat kanë të bëjnë gjithashtu me vendimin e FIFA-s për t’i dhënë Donald Trump një “Çmim të Paqes” të ri, të cilin shumë e shohin si një favorizim politik ndaj udhëheqësit amerikan në mes të politikës së tij të jashtme agresive./mxh

17:07 Tarifat e Trump për shkak të Groenlandës/ Meloni: Fola me presidentin, i thashë se ishte gabim

By: Monika
18 January 2026 at 17:07

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, lidhur me vendimin e tij për të vendosur tarifa ndaj 8 vendeve evropiane për shkak të vendosjes së trupave në Groenlandë.

“Unë besoj se vendosja e tarifave të reja do të ishte një gabim. Fola me Donald Trump disa orë më parë dhe ia thashë mendimin tim”, u tha kryeministrja italiane gazetarëve në Seul, ku ndodhet për një vizitë.
Meloni tha gjithashtu më tej se zhvilloi një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili sipas saj i ka konfirmuar se Aleanca ka filluar të merret me këtë çështje./mxh

17:03 Përplasje mes dy automjeteve në Milot, katër persona të plagosur

By: Monika
18 January 2026 at 17:03

Last Updated on 18/01/2026 by Monika

Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në Milot, ku janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar drejt Spitalit të Lezhës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sipas verifikimeve paraprake, dy drejtuesit e mjeteve nuk kanë qenë nën efektin e alkoolit. Rrethanat e aksidentit po hetohen nga autoritetet përkatëse./mxh

16:59 Përfundon gati gjysma e rinumërimit të votave në Kosovë/ Kërkohet hetim për procesin

By: Monika
18 January 2026 at 16:59

Në pothuajse gjysmën e vendvotimeve që supozohet t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ky proces tashmë ka përfunduar.

Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve nisi më 13 janar, pasi u vërejten dallime në fletëvotimet me votat për kandidatët brenda subjekteve politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar në 19 komuna dhe se tani fillimisht do të vazhdojë me rinumërimin në Prizren dhe pastaj me komunat e tjera.

Në Prizren deri tash janë numëruar 172 nga 235 vendvotime dhe kjo komunë prin dukshëm me numrin e fletëvotimeve me gabime. Megjithatë, edhe me kaq vendvotime të rinumëruara, ndryshimi në votat për kandidatë brenda partive politike është i dukshëm.

Ndryshime ka pasur edhe te votat për kandidatët e partive joshumicë. Sipas votave të rinumëruara deri më tani, jashtë Kuvendit mund të mbetet ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damkën, nga Partia Demokratike Turke e Kosovës.

Për shkak të ndryshimit në numër të votave, para tij tani ka dalë kandidati Ergul Mazreku. Damkës i janë hequr 68 vota deri më tani, ndërsa Mazrekut i janë shtuar 15.

Meqë deri tani janë gjetur dhjetëra mijëra fletëvotime me gabime, rinumërimi i plotë është përmendur si opsion i vetëm edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit shkroi në Facebook se “pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, duke shtuar se Prokuroria duhet të nisë hetime lidhur me manipulimet e mundshme.

Në mesin e deputetëve të LDK-së që, deri tash, rezultojnë të kenë marrë më shumë vota se që u takonin është edhe Anton Quni.

Ai ka shkruar në Facebook se kjo është bërë pa dijeninë apo dashjen e tij dhe e quajti këtë një operacion kriminal që i ka “njollosur personalitetin dhe karrierën”.

Ngjashëm ka reaguar edhe kandidati tjetër i LDK-së, Driton Selmanaj, të cilit deri tash rezulton të i jenë shtuar 983 vota më shumë se që i takonin, gjatë numërimit në qendra komunale.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës reagoi ndaj këtyre zhvillimeve, duke thënë se po i përcjell ato dhe se manipulimet e votave janë të papranueshme.

“Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve. Partia Demokratike e Kosovës i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Ndërkohë, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka bërë thirrje në Facebook që Prokuroria të nisë hetimet dhe ndjekjet penale për manipulimin e votave të kandidatëve.

“Emrat e komisionerëve për secilën tavolinë numërimi në QKN dihen. Por këto manipulime nuk janë bërë krye në veti nga komisionerët. Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor”, tha ai.
Cakolli shtoi se “përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është shumë e mundshme. Kështu që, hetimi, pashmangshëm duhet t’i përfshijë edhe ata”.

Kur ishin numëruar pak më shumë se 200 vendvotime, Cakolli kishte llogaritur se më së shumti ndryshime ka pikërisht lista e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Cakolli kishte thënë më herët gjatë javës se procesi i numërimit nuk përcillet me kontrolle të hollësishme të fletëvotimeve, duke mundësuar kështu manipulimet, dhe se në këtë ka ndikuar edhe fakti që numërimi ishte realizuar në kohë festash.

Sipas Çohu dhe Cakollit, mënyra të tilla të keqpërdorimit janë vërejtur në pothuajse secilin proces zgjedhor në Kosovë dhe se zgjidhja për këtë problem do të ishte skanimi teknologjik i fletëvotimeve në vend të numërimit tradicional nga zyrtarët.

Cilat janë pasojat?

Së voni, Organizata joqeveritare Çohu ka publikuar një hulumtim që tregon se mbi 90 për qind e rasteve për manipulimet zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose me gjoba.

Kjo do të thotë se nëse ndonjë zyrtar vërtetohet se ka manipuluar votat gjatë numërimit, ai ka pak gjasa të ndëshkohet me burg për këtë gjë.

Por, pasojat mund të jenë më të mëdha për institucionet, pasi rinumërimi, i cili pritet të zgjasë deri në dy javë, mund ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja, në një kohë delikate për institucionet.

Kuvendi i ri duhet të nxitojë për të kaluar marrëveshje ndërkombëtare financiare për vendin, si dhe ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, para se Vjosa Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.

Këto afate mund të bëhen edhe më vështirë të arritshme nëse vendoset për rinumërim të plotë – gjë që megjithatë sipas Cakollit mbetet opsioni më i mire tani që është vërtetuar se ka pasur shumë ndryshime në vota gjatë numërimit në qendra komunale,.

Gjatë javës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e përsëriti për REL-in mesazhin e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, se nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit./mxh

16:44 Moment i veçantë, sulmuesi i Shqipërisë debuton në Serinë A

By: Monika
18 January 2026 at 16:44

Talenti i Kombëtares shqiptare, Joi Nuredini, ka regjistruar hedhur hapat e parë në elitën e futbollit italian, duke debutuar në Serie A gjatë sfidës mes Parmës dhe Genoas.

Qendërsulmuesi i lindur në vitin 2007 u hodh në fushë nga trajneri Daniele De Rossi në minutat e fundit të takimit, si zëvendësues i sulmuesit Lorenzo Colombo. Nuredini ka qenë pjesë e planeve të ekipit të parë të Genoas prej kohësh, por vetëm këtë fundjavë arriti të bëjë debutimin e tij pas disa grumbullimeve radhazi.

18-vjeçari po shfaq një formë të lartë këtë sezon, duke shënuar 4 gola në 9 ndeshje me ekipin e të rinjve, statistika këto që bindën stafin teknik për ta përfshirë në grupin kryesor.

Joi Nuredini është gjithashtu një emër i njohur për strukturat e ekipit kombëtar, ku pasi kaloi nëpër nivelet U-16 dhe U-17, aktualisht është pjesë e Shqipërisë U-19. Ky debutim në moshë kaq të re shihet si një sinjal pozitiv për të ardhmen e lojtarit në radhët e Genoas dhe një opsion më shumë për sulmin kuqezi në perspektivë./mxh

16:36 Turi i “Foltores”/ Berisha takohet sot me demokratët e Kombinatit

By: Monika
18 January 2026 at 16:36

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të takohet sot me demokratët e zonës së Kombinatit në Tiranë.

Takimi është caktuar të mbahet pasditen e kësaj së diele, në orën 18:00.

Berisha do të zhvillojë këtë takim në Kombinat, si pjesë e turit të ‘Foltores’, për të bashkëbiseduar e diskutuar me mbështetës, qytetarë e simpatizantë lidhur me situatën aktuale të PD-së dhe qeverisjes socialiste./mxh

15:58 Vendimi drastik, trajneri i Torinos “përjashton” Asllanin

By: Monika
18 January 2026 at 15:58

Trajneri i Torinos, Marco Baroni, ka lënë jashtë listës mesfushorin Kristjan Asllani për ndeshjen e radhës në Serie A kundër Romës.

Ndryshe nga periudha te Interi, ku Asllani mbetej jashtë vetëm në raste dëmtimesh, kjo zgjedhje e stafit teknik sinjalizon një mbyllje të mundshme të eksperiencës së tij te Torino.

Ndërkohë, klubi që zotëron kartonin, Interi, po punon për gjetjen e një destinacioni të ri, megjithëse operacioni konsiderohet i ndërlikuar në këtë fazë.

Nga ana tjetër, lajme pozitive vijnë për Ardian Ismajlin, i cili është rikuperuar dhe do të jetë i gatshëm për sfidën e radhës. Mbrojtësi la fushën i dëmtuar në ndeshjen e fundit të Kupës, por gjendja e tij fizike tashmë është e stabilizuar./mxh

15:45 “Zarfi i zi në shtëpi”/ Kiara Tito surprizohet për ditëlindje, nuk i mban dot lotët

By: Monika
18 January 2026 at 15:45

Në nisje të “Fan Club”, Kiara Tito u surprizua për ditëlindjen e saj të 30-të.

Në kufje moderatores iu komunikua sikur në shtëpinë e Big Brother kishte mbërritur një zarf i zi dhe duhej shfaqur momenti në “Fan Club” por klipi në fakt ishte një surprizë për të.

Në video ishin momentet më të bukura të Kiarës dhe mesazhi i urimit për të.

Ajo u shpreh e emocionuar, ndërsa nuk i mbajti dot lotët./mxh

15:37 Familjarët e Dolces reagojnë ndaj Leonora Jakupit pas komenteve në BBVK

By: Monika
18 January 2026 at 15:37

Pas komenteve të opinionistes Leonora Jakupi gjatë prime-it të së premtes, familjarët e Dolce kanë zgjedhur të reagojnë përmes llogarisë së saj zyrtare në Instagram.

Ata i janë drejtuar drejtpërdrejt Leonorës me një Instastory duke shkruar: “Kur gjykon mua, shpejt po e harron të kaluarën tënde… Pastaj në moshën që ke, normal vetëm gjumi të ka ngelur…”, duke e etiketuar emrin e saj në postim.

Komentet e Jakupit erdhën pas një diskutimi të nxehtë në studio, ku ajo i kishte thënë Dolces se po “zë meshkuj” më shpejt se sa e zë gjumi. Reagimet nuk vonuan, duke përfshirë edhe vetë konkurrenten./mxh

Yesterday — 17 January 2026Main stream

17:59 Rrëfimi i vështirë i një mashkulli, Tom Brady: “Ndarja nga Giselle, sfida më e ashpër”!

By: Monika
17 January 2026 at 17:59

Ish-kampioni i NFL-së ka thyer heshtjen dhe foli për një periudhë të vështirë: ndarjen nga supermodelja, vështirësitë familjare dhe lamtumirën e dhënë futbollit merikan. I mësuar të fitojë nën presion, Tom Brady pranon se sfida më e madhe e jetës së tij nuk është luajtur në një fushë football-i. Në moshën 48-vjeçare, ish-quarterback-u më i suksesshëm në historinë e NFL-së ka vendosur të flasë hapur, duke rrëfyer divorcin nga Gisele Bündchen dhe një moment personal që e ka shënuar thellë.

Ndarja nga supermodelja braziliane, e ndodhur në vitin 2022 pas trembëdhjetë vitesh martesë, përfaqësoi një pikë kthese në jetën e Brady-t. “Ishte e vështirë, më vuri në provë,” ka rrëfyer ai.

Një periudhë e dhimbshme, e jetuar teksa përpiqej të mbante të balancuara karrierën, familjen dhe pritshmëritë e mëdha, brenda dhe jashtë dhomave të zhveshjes. Në shkurt të vitit 2023 erdhi tërheqja zyrtare nga futbolli profesionist, pas një kariere legjendare të kurorëzuar me shtatë fitore në Super Boël.

Brady ka treguar se sezoni i tij i fundit ishte veçanërisht i komplikuar: “Kisha shumë probleme familjare. Ishte një sfidë e vërtetë.” Një barrë emocionale që e shoqëroi deri në largimin nga NFL-ja. Sot, për Tom Brady-n prioriteti absolut ka një emër të qartë: familja. Ai është baba i tre fëmijëve: Jack, 18 vjeç, nga lidhja me Bridget Moynahan, si dhe Benjamin dhe Vivian, përkatësisht 16 dhe 13 vjeç, nga martesa me Gisele Bündchen.

“Tani dua t’u përkushtohem atyre,” ka theksuar ai, duke shënuar fillimin e një etape të re në jetën e tij, larg dritave të sportit aktiv./mxh

17:48 Leonora Jakupi shpërthen ndaj Dolces: Më shpesh i zë ti meshkujt aty, se sa më zë gjumi mua!

By: Monika
17 January 2026 at 17:48

Debatet në Big Brother VIP Kosova morën një kthesë të fortë pas një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes opinionistes Leonora Jakupi dhe Dolces. Këngëtarja dhe opinionistja nuk i kurseu kritikat, duke e vendosur Dolcen në qendër të vëmendjes gjatë diskutimeve në studio.

Shkak për reagimin e ashpër u bë situata e krijuar mes Limit, Dolces dhe Albës, e cila po kalonte një gjendje të rënduar emocionale pas afrimit të dyshes para syve të saj. Jakupi e akuzoi Dolcen për mungesë ndjeshmërie dhe empatie, duke theksuar se në një ambient të mbyllur si ai i shtëpisë, përgjegjësia emocionale ndaj të tjerëve është thelbësore.

Por reagimi i opinionistes nuk u ndal vetëm te kritikat morale. Me tone ironike dhe të forta, Leonora Jakupi lëshoi një deklaratë që ndezi menjëherë situatën:
“Ti i zë meshkujt në shtëpi më shpesh sesa më zë mua gjumi.”

Kjo frazë u prit me reagim të menjëhershëm nga Dolce, e cila e cilësoi deklaratën fyese dhe të papranueshme, sidomos duke ardhur nga një opinioniste. Ajo u shpreh se nuk është e drejtë të gjykohet në këtë formë nga dikush që ka rolin e analizueses dhe këshillueses në spektakël.

Përplasja nxiti diskutime të forta brenda shtëpisë dhe jashtë saj, duke u kthyer në një nga momentet më të komentuara të javës në BBVK 4./mxh

17:33 Trump fton Erdoganin dhe Sisin t’i bashkohen “Këshillit të Paqes” në Gaza

By: Monika
17 January 2026 at 17:33

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një letre, ka ftuar presidentin turk, Recep Tayip Erdogan, të bëhet anëtar i “Këshillit të Paqes”, i cili do të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës, e cila ka qenë në një armëpushim të brishtë që nga tetori. Ftesën e ka bërë të ditur presidenca turke.

“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën 2803, vendosi të mbështesë Planin Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza të shpallur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Brenda këtij kuadri, në Gaza po krijohet një Këshill Paqeje dhe organe përgjegjëse për sigurimin e sigurisë dhe rindërtimit. Më 16 janar 2026, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, në cilësinë e kryetarit themelues të Këshillit të Paqes, dërgoi një letër duke ftuar Presidentin tonë, Recep Tayyip Erdogan, të bëhet anëtar themelues i Këshillit të Paqes”, tha kreu i Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, Burhanettin Duran, në një deklaratë të publikuar në X.

Në të njëjtën kohë, Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelati deklaroi në një konferencë për shtyp se po shqyrton ftesën e Donald Trump drejtuar Presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Këshill Paqeje” për Gazën.

Dje, Shtëpia e Bardhë njoftoi disa anëtarë të Këshillit të Paqes, të cilin do ta kryesojë Trump. Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, në Këshillin e Paqes do të marrin pjesë Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i dërguari i Trump, Steve Witkoff, dhëndri i tij, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik Tony Blair, biznesmeni miliarder Mark Rowan, Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe këshilltari politik Robert Gabriel.

Diplomati bullgar Nickolay Mladenov do të marrë detyrën e Përfaqësuesit të Lartë për Gazën. Gjeneralmajori Jasper Jeffers është emëruar komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në enklavën palestineze.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u njoftua si një nga anëtarët e “Këshillit Ekzekutiv për Gazën”, së bashku me Marco Rubio, Steve Witkoff, Tony Blair dhe Jared Kushner, Mark Rowan, si dhe diplomatin e lartë të Katarit Ali Thawadi, kreun e inteligjencës egjiptiane, Hassan Rashad, Ministren e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Reem al-Hashimi, biznesmenin izraelito-qipriot Yakir Gabbay, ish-koordinatoren humanitare të OKB-së Sigrid Kaag dhe Nickolay Mladenov, ish-i dërguarin e OKB-së në Lindjen e Mesme./mxh

16:54 Në kërkim për vjedhje/ Ndalohet 38-vjeçari në Durrës

By: Monika
17 January 2026 at 16:54

Një 38-vjeçar është ndaluar nga policia e Durrësit pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhje. Ai ishte kallëzuar për vjedhjen e disa pajisjeve elektrike në një magazinë. Po ashtu ai dyshohet se ka vjedhur ditën e djeshme në lagjen nr.13 një shumë parash.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh ndaluan shtetasin D. K., 38 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte i shpallur në kërkim më datë 11.01.2026, për veprën penale “Vjedhja”. Ndaj tij ka kallëzuar shtetasi B. D, se i ka vjedhur disa pajisje elektrike në magazinën e tij.

Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas dyshohet si autor edhe i një vjedhjeje tjetër më datë 16.01.2026, në lagjen nr. 13, pasi ka kallëzuar shtetasi A. B, se ky shtetas i kishte marrë një shumë parash dhe ishte larguar me vrap”, thuhet në njoftimin e policisë./mxh

16:45 Debutim me fitore në derbi për Carrick, Manchester United triumfon ndaj City-t

By: Monika
17 January 2026 at 16:45

Michael Carrick ka regjistruar fitoren e parë si trajner i Manchester United në debutim kundër Manchester City-t.

Ndeshja derbi përfundoi me rezultatin 2-0, ku të gjithë golat u shënuan gjatë pjesës së dytë.

Bryan Mbeumo zhbllokoi shifrat në minutën e 65-të, ndërsa Patrick Dorgu dyfishoi avantazhin 11 minuta më vonë. Gjatë minutave të fundit, Mason Mount shënoi një gol të tretë, i cili u anulua pas rishikimit për pozicion jashtë loje.

Me këtë rezultat, Manchester United është ngjitur në vendin e katërt të klasifikimit me 35 pikë. Manchester City mbetet në vendin e dytë me një total prej 43 pikësh./mxh

16:38 “Gjakun e mamit…”/ Çfarë do të ndodhë sonte në Prime-n e “BBV5”?

By: Monika
17 January 2026 at 16:38

“Big Brother VIP” është një nga formatet televizive më të ndjekura, i cili premton emocione të forta, debate të zjarrta, rrëfime personale, skandale, incidente dhe histori dashurie. Në shtëpinë e “BBV” gjithçka është e mundur dhe ende kemi shumë për të parë.

Vetëm pak më parë, faqja zyrtare e “BBV” ka publikuar një promo se çfarë pritet të ndodhë në primen e sotëm në mbrëmje. Një rrëfim nga Stelina, e cila dëgjohet të thotë:

“Lamë me duart tona gjakun e mamit…”.

29 ditë Big Brother, shtëpia e ndarë në grupe. Rrëfimi rrëqethës i Stelinës… Një ballafaqim i shumëpritur dhe shumë surpriza./mxh

16:26 Rikthehet kaosi në aksin Tiranë-Elbasan, radhë kilometrike automjetesh

By: Monika
17 January 2026 at 16:26

Rikthehet sërish kaosi dhe trafiku i rënduar në aksin e rrugës kombëtare Tuneli i Krrabës – Rrethrrotullimi i Bradasheshit, në hyrje të Elbasanit. Që prej orës 14:30 të së shtunës, drejtuesit e mjeteve po përballen me radhë të gjata dhe lëvizje tepër të ngadalësuara, në rrugën që lidh Tiranën me Elbasanin, Librazhdin dhe më tej me Juglindjen e Shqipërisë.

Shkak kryesor i situatës është fluksi i shtuar i automjeteve në drejtim të Pogradecit dhe Korçës, ku me qindra familje nga kryeqyteti udhëtojnë për të kaluar fundjavën. Ky fluks ka rënduar ndjeshëm qarkullimin dhe ka vështirësuar lëvizjen normale të automjeteve, sidomos në segmentet më problematike të aksit.

Në pikun e trafikut janë shtuar edhe shërbimet e Policisë Rrugore, e cila po punon për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur bllokimet totale. Megjithatë, sipas drejtuesve të mjeteve, mungesa e infrastrukturës së përshtatshme mbetet problemi kryesor që çon në krijimin e radhëve tejet të gjata dhe në përsëritjen e këtij skenari pothuajse çdo fundjavë.

Gjatë javës së parë të këtij viti, për shkak të fluksit të lartë të automjeteve dhe mbizotërimit të motit të keq, radhët e mjeteve të bllokuara në këtë aks kanë arritur deri në 25 kilometra, duke sjellë vonesa të gjata dhe lodhje për qytetarët.

Drejtuesit e automjeteve apelojnë për zgjidhje afatgjata infrastrukturore, ndërsa këshillohen të planifikojnë udhëtimet jashtë orareve të pikut për të shmangur pritjet e gjata në trafik./mxh

❌
❌