Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Main stream

Kryeministri i Hungarisë: Vendet kryesore të BE duan që lufta në Ukrainë të vazhdojë

By: e xh
23 January 2026 at 18:21

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka akuzuar Bashkimin Evropian se dëshiron të zgjasë luftën në Ukrainë, duke argumentuar se vendet kryesore të kontinentit nuk po kërkojnë vërtet një armëpushim.

Në një intervistë të botuar në “Corriere della Sera” , Orban e lidhi gjithashtu kritikën e tij me vendimin e Budapestit për t’u bashkuar me Bordin e ri të Paqes, të promovuar nga administrata amerikane dhe të paraqitur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos për të promovuar paqen dhe rindërtimin në Lindjen e Mesme.

Orban është i vetmi udhëheqës i një vendi të Bashkimit Evropian që ka rënë dakord të bashkohet me Bordin e Paqes, një vendim që rrezikon të krijojë përçarje të reja me Brukselin dhe partnerët e saj evropianë, duke pasur parasysh qëndrimin tradicional kritik të Hungarisë ndaj sanksioneve kundër Moskës dhe mbështetjen ushtarake për Kievin.

Kur u pyet për iniciativën, Orban u përgjigj me pyetje:  “Dhe pse nuk janë të tjerët këtu? Kjo është pyetja e duhur.”

Ai raportoi se kishte diskutuar Bordin e Paqes me kryeministren Giorgia Meloni, e cila i shpjegoi vështirësitë kushtetuese të Italisë në anëtarësimin në organizata të reja ndërkombëtare ndërsa tha se “Për Hungarinë, rregullat janë më të thjeshta.”

TikTok finalizon marrëveshjen për të shmangur mbylljen në SHBA

By: e xh
23 January 2026 at 17:11

Pronari kinez i TikTok-ut, ByteDance, njoftoi të enjten se e ka finalizuar një marrëveshje për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët në pronësi amerikane – e cila do t’i ruajë të dhënat në SHBA – me qëllim që ta shmangë mbylljen e aplikacionit të videove të shkurtra në Shtetet e Bashkuara.

TikTok i ka mbi 200 milionë përdorues amerikanë.

Kjo marrëveshje përbën moment kyç për kompaninë e rrjeteve sociale, pas përplasjeve disavjeçare që nisën në gusht të vitit 2020, kur presidenti amerikan Donald Trump u përpoq ta mbyllte aplikacionin për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.

Më pas, Trump vendosi të mos e zbatojë një ligj të miratuar në prill të vitit 2024, i cili kërkonte që ByteDance t’i shiste asetet e veta në SHBA deri në janarin pasues ose të përballej me mbyllje. Kjo masë u mbështet edhe nga Gjykata e Supreme.

ByteDance theksoi se ndërmarrja e re, TikTok USDS Joint Venture LLC, do t’i ruajë të dhënat e përdoruesve amerikanë, aplikacionet dhe algoritmet përmes masave të privatësisë së të dhënave dhe sigurisë kibernetike.

Kompania dha pak hollësi lidhur me procesin e shkëputjes së pronësisë.

Trump e vlerësoi marrëveshjen në një postim në rrjetet sociale, duke thënë se TikTok-u “tani do të jetë në pronësi të një grupi patriotësh dhe investitorësh të mëdhenj amerikanë, më të mëdhenjtë në botë”.

Ai e falënderoi presidentin e Kinës, Xi Jinping, “për bashkëpunimin me ne dhe, në fund, për miratimin e marrëveshjes. Ai mund të kishte vepruar ndryshe, por nuk e bëri, dhe ai çmohet për vendimin e tij”.

Sipas marrëveshjes, investitorët amerikanë dhe ndërkombëtarë do ta zotërojnë 80.1 për qind të ndërmarrjes, ndërsa ByteDance do t’i mbajë 19.9 për qind të aksioneve.

Tre investitorët menaxhues të TikTok USDS JV – gjiganti i informatikës cloud Oracle, grupi i kapitalit privat Silver Lake dhe firma investuese MGX me seli në Abu Dhabi – do t’i zotërojnë secili nga 15 për qind.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Reuters se qeveritë e SHBA-së dhe Kinës e kanë miratuar marrëveshjen.

Trump i ka më shumë se 16 milionë ndjekës në llogarinë e tij personale në TikTok dhe tha se ky aplikacioni e ndihmoi në fitimin e zgjedhjeve presidenciale. Shtëpia e Bardhë gjithashtu hapi llogari zyrtare në TikTok në gusht.

TikTok njoftoi se investitorët në ndërmarrje përfshijnë Dell Family Office – firmën investuese të themeluesit të Dell Technologies, Michael Dell – si dhe Vastmere Strategic Investments, Alpha Wave Partners, Revolution, Merritt Ëay, Via Nova, Virgo LI dhe NJJ Capital.

Ish-drejtuesit e TikTok USDS, Adam Presser dhe Will Farrell, janë emëruar drejtor ekzekutiv dhe drejtor i sigurisë, përkatësisht.

Drejtori ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Chew, u emërua gjithashtu anëtar i bordit të ndërmarrjes; ai drejton bizneset dhe strategjinë globale të TikTok-ut./rel

Bloomberg zbulon planin e Trump për Groenlandën

By: e xh
23 January 2026 at 15:49

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një rishikim rrënjësor të marrëveshjes së mbrojtjes me Danimarkën, me synimin për të hequr të gjitha kufizimet ligjore dhe politike mbi praninë e saj ushtarake në Groenlandë. Sipas Bloomberg, Uashingtoni dëshiron të rishkruajë pikat kyçe të marrëveshjes, duke i dhënë vetes liri të plotë veprimi ushtarak në ishullin strategjik të Arktikut. Marrëveshja origjinale e vitit 1951, e ndryshuar në vitin 2004, parashikon që SHBA duhet të konsultohet dhe të informojë Danimarkën dhe Groenlandën për çdo ndryshim të rëndësishëm në aktivitetet apo objektet ushtarake. Kjo klauzolë është pikërisht ajo që negociatorët amerikanë synojnë të dobësojnë ose të heqin, për të shmangur çdo angazhim detyrues.

Burime të njohura me bisedimet i thanë Bloomberg se SHBA po kërkon një formulim që garanton liri të plotë lëvizjeje dhe operimi, pa kufizime kohore apo operative. Megjithatë, detajet përfundimtare të marrëveshjes mbeten ende objekt negociatash. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se nëse marrëveshja finalizohet, Shtetet e Bashkuara do të arrijnë objektivat e tyre strategjike në Groenlandë “me kosto minimale dhe në baza të përhershme”. Ambasada daneze në Uashington nuk pranoi të komentojë zhvillimet.

Presidenti Donald Trump e ka konfirmuar publikisht këtë linjë, duke njoftuar se ekziston një “kornizë për një marrëveshje të ardhshme” pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Ai theksoi se NATO do të përfshihet në proces dhe se brenda dy javësh do të bëhej e qartë nëse Danimarka ka dhënë pëlqimin e saj. Në një intervistë për Fox Business, Trump deklaroi se SHBA synon “akses ushtarak të plotë, pa afat kohor”, duke përfshirë vendosjen e sistemeve raketore dhe forcimin e pranisë së NATO-s në Arktik. Sipas Bloomberg, marrëveshja mund të përfshijë edhe të drejta minerare që synojnë përjashtimin e interesave kineze, në këmbim të angazhimit amerikan për të mos vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane.

Një marrëveshje e tillë mund të ndihmojë në zbutjen e asaj që konsiderohet si kriza më e rëndë në marrëdhëniet transatlantike që nga themelimi i NATO-s. Aktualisht, SHBA mban vetëm një bazë kryesore në Groenlandë, me rreth 150 ushtarakë dhe mbi 300 kontraktorë, një prani shumë më e reduktuar krahasuar me periudhën e Luftës së Ftohtë. Megjithatë, mbetet e paqartë se deri në çfarë mase Danimarka dhe Groenlanda do të pranojnë zgjerimin e pakufizuar të pranisë amerikane. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka deklaruar se është e hapur për zgjerim të marrëveshjes, por vetëm “në mënyrë të duhur dhe respektuese”.

Ushtarët danezë urdhërohen të jenë në gatishmëri në rast sulmi në Groenlandë

By: e xh
23 January 2026 at 15:07

Trupat daneze u urdhëruan të ishin gati me municione luftarake javën e kaluar kundër një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Groenlandës, raportoi sot transmetuesi publik danez DR.

Urdhri u lëshua javën e kaluar, dhe nëse Groenlanda sulmohej, ushtarët danezë ishin gati me municione luftarake. Ushtarëve danezë iu urdhërua të çonin municione luftarake në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, në skenarin më të keq, sipas raportit, duke cituar informacione nga burime politike.

Sipas transmetuesit, ky ishte rasti derisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tërhoq nga përdorimi i forcës kundër Grenlandës pas një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte të mërkurën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Gjithashtu theksohet se kishte vullnet të gjerë politik për të ndërmarrë luftën nëse do të ndodhte një sulm amerikan, jo vetëm në qeverinë daneze, por edhe në një gamë të gjerë partish opozitare.

Trumpi ka treguar interes për Groenlandën për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Arktik, burimeve të pasura minerale dhe shqetësimeve për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.

Danimarka dhe Groenlanda kanë refuzuar propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Pas takimit me Rutten, Trumpi njoftoi se ishte krijuar një kornizë për marrëveshje të mundshme që përfshinte Groenlandën dhe rajonin e Arktikut më të gjerë. Ai hoqi dorë nga kërcënimi për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane që kundërshtuan ofertën e tij të blerjes.

Sherr në Kukës, dy kushërinj tentojnë të vrasin një person

By: e xh
23 January 2026 at 15:04

Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar në dhunë në qytetin e Kukësit, ku disa persona kanë goditur me shkop bejsbolli dhe kanë tentuar të vrasin me armë zjarri një shtetas.

Sipas informacionit paraprak, shtetasit Ç. M. dhe E. M., kushërinj me njëri-tjetrin, dyshohet se së bashku me tre shtetas të tjerë janë përfshirë në një konflikt në ambientet e një lokali. Gjatë përplasjes, ata kanë goditur me shkop bejsbolli shtetasin S. I. dhe kanë tentuar ta vrasin me armë zjarri.

Si pasojë e dhunës, shtetasi S. I. ka pësuar dëmtime nga goditjet me shkop bejsbolli dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Nga të shtënat me armë zjarri nuk raportohet për persona të lënduar.

Kreu i FIFA-s, Gianni Infantino: Trofeun e Kupës së Botës 2026 do e dorëzojë Trump

By: e xh
23 January 2026 at 14:12

Presidenti i FIFA-s (organizmi botëror i futbollit), Gianni Infantino, ka bërë një njoftim të rëndësishëm gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, duke konfirmuar se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të jetë pjesë e ceremonisë së dorëzimit të Kupës së Botës 2026 për fituesit e turneut.

Infantino u prit me tone entuziaste nga Trump përpara kamerave, i cili e prezantoi presidentin e FIFA-s me fjalët: “Ja ku është Gianni, ai është mbreti i futbollit, mbreti i sportit”.

Në përgjigje, Infantino u shpreh me të njëjtin admirim, duke zbuluar planin për ceremoninë finale të Kupës së Botës.

“Verën e ardhshme, do t’ia dorëzoj Kupën e Botës kampionit së bashku me presidentin e Shteteve të Bashkuara”.

Ky njoftim konfirmon rolin e Trump në ngjarjet madhore të futbollit, pas precedentit të vendosur verën e kaluar në Kupën e Botës për Klube, ku presidenti i SHBA-së i dorëzoi trofeun Chelseat pas fitores ndaj Paris Saint Germain.

Duke folur më gjerësisht në Davos, Infantino e shfrytëzoi momentin për të theksuar rolin e futbollit si faktor bashkues në një botë të polarizuar.

“Ne jetojmë në një botë të ndarë, por ne mbështesim paqen. Njerëzit i besojnë FIFA-s dhe vendeve pritëse. Amerika do ta mirëpresë botën,” u shpreh kreu i FIFA-s.

Kupa e Botës 2026 do jetë më e madhja në histori, me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Spanja refuzon pjesëmarrjen në Bordin e Paqes: Bie në kundërshtim me OKB-në

By: e xh
23 January 2026 at 14:09

Spanja nuk do të marrë pjesë në iniciativën e Bordit të Paqes të nisur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për të trajtuar konfliktet globale, duke thënë se vendimi ishte në përputhje me besimin e saj në sistemin e Kombeve të Bashkuara.

E vlerësojmë ftesën, por e refuzojmë“, u tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez gazetarëve të enjten vonë pas një samiti të BE-së në Bruksel.

Uashingtoni thotë se ky organ do të ndihmojë në ndërmjetësimin dhe monitorimin e armëpushimeve, do të organizojë marrëveshjet e sigurisë dhe do të koordinojë rindërtimin në vendet që dalin nga lufta. Koncepti rrjedh nga plani i paqes i Trump për Gazën.

Në ceremoninë e hapjes së bordit të mbajtur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës të enjten munguan aleatët tradicionalë të SHBA-së, si Kanadaja, Britania dhe të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përveç Hungarisë dhe Bullgarisë.

Sanchez përmendi qëndrueshmërinë me angazhimin e Madridit ndaj së drejtës ndërkombëtare, OKB-së dhe koordinimit ndërkombëtar si arsyet kryesore pse po refuzonte të merrte pjesë.

Sanchez tha gjithashtu se Bordi i Paqes nuk përfshinte Autoritetin Palestinez.

Izraeli është bashkuar me bordin, së bashku me vendet e Lindjes së Mesme si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Goditën policen brenda në komisariat, arrestohen dy vajza

By: e xh
23 January 2026 at 14:07

Dy vajza kanë përfunduar në pranga pasi akuzohen se kanë goditur për shkak të detyrës një oficere policie.

Në pranga përfunduan M.A., 38 vjeçe dhe R.A., 29 vjeçe, pasi dyshohet se në hyrje të ambienteve të Komisariatit, kanë goditur për shkak të detyrës, një oficere policie.

Trump zbulon sa naftë ka marrë nga Venezuela: Ata do të bëhen të pasur

By: e xh
23 January 2026 at 13:53

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se nga marrja e naftës së Venezuelës do të përfitojë vendi i tij dhe ai amerikano-jugor. “Mbi 50 milionë fuçi nafte tashmë kanë hyrë ose janë duke hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe shumë më tepër pritet të vijnë”, tha Trump për gazetarët nga Air Force One, teksa kthehej nga Zvicra ku mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Trump tha se SHBA do të marrë një pjesë të naftës dhe do ta përdorë për të përfituar ekonomikisht, ndërsa shtoi se nga kjo do të përfitojë edhe Venezuela.

“Do të ndahet dhe vendi ynë do të bëhet më i pasur, që do të thotë se taksat tona do të ulen dhe edhe ata do të përmirësohen. Venezuela do të ecë më mirë se kurrë më parë. Edhe pse ne jemi duke marrë ne një pjesë shumë të ndershme.  Venezuela do të ecë shumë më mirë se sa ka ecur ndonjëherë. Ata do të bëhen shumë të pasur”, shtoi Trump.

Protesta, Berisha: Populli opozitar do i bëjë gjyqin Ramës

By: e xh
23 January 2026 at 13:24

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se protesta e të shtunës është prova e madhe për opozitën dhe luftën e saj për rrëzimin e Edi Ramës, të cilin e etiketoi si “kryehajduti” i kombit.

“Është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot. Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë. I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera”, tha Berisha.

“Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën. Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë”.

Trump i “mbyll derën” Kanadasë në Bordin e Paqes

By: e xh
23 January 2026 at 11:38

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ia ka tërhequr Kanadasë ftesën për t’iu bashkuar nismës së tij, Bordi i Paqes, e cila synon zgjidhjen e konflikteve botërore.

Ky vendim i Trumpit erdhi pas fjalimit të kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku ai i kritikoi hapur shtetet e fuqishme, duke thënë se ato i përdorin integrimin ekonomik si armë dhe tarifat si mjet trysnie.

“Ju lutem, le të shërbejë kjo letër për të njoftuar se Bordi i Paqes po e tërheq ftesën për ju në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë në atë që do të jetë bordi më prestigjioz i udhëheqësve të mbledhur”, shkroi Trump të enjten në një postim në Truth Social drejtuar Carneyt.

Javën e kaluar, zyra e Carneyt kishte njoftuar se ai ishte ftuar të shërbente në bord dhe se synonte ta pranonte ftesën.

Carney mori duartrokitje të rralla në Davos pas fjalimit që mbajti, në të cilin u bëri thirrje kombeve të pranonin fundin e një rendi global të bazuar në rregulla.

Kanadaja, e cila së fundmi ka nënshkruar një marrëveshje tregtare me Kinën, mund të tregojë se si “fuqitë e mesme” mund të veprojnë së bashku për ta shmangur viktimizimin nga hegjemonia amerikane, shtoi ai.

Trump u kundërpërgjigj duke thënë se Kanadaja “jeton falë Shteteve të Bashkuara” dhe u tha pjesëmarrësve në Davos se Carney duhet të jetë mirënjohës për bujarinë që SHBA-ja ka treguar deri tani.

“Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që bën deklaratat e tua,” shtoi ai, duke iu drejtuar direkt Carneyt.

Tërheqja e ftesës për Kanadanë erdhi disa orë pasi Trump zyrtarisht e themeloi bordin, i cili fillimisht ishte menduar të konsolidonte një armëpushim në Gazë.

Anëtarëve të përhershëm iu kërkohet ta ndihmojnë financimin e bordit me një pagesë prej 1 miliard dollarësh secili, sipas Trumpit.

“Pasi ky bord të formohet plotësisht, ne mund të bëjmë praktikisht çfarë të duam”, tha Trump të enjten në Zvicër. “Dhe do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara”.

Krijimi i bordit u miratua nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si pjesë e planit të Trumpit për paqe në Gazë, dhe zëdhënësi i OKB-së, Rolando Gomez, tha të enjten se angazhimi i OKB-së në bord do të jetë vetëm në këtë kontekst.

Vendet anëtare përfshijnë Kosovën, Shqipërinë, Argjentinën, Bahrejnin, Marokun, Pakistanin dhe Turqinë.

Aleatë të tjerë të SHBA-së, si Britania, Franca dhe Italia, kanë thënë se nuk do t’i bashkohen bordit tani për tani.

Rusia, Ukraina dhe SHBA, bisedime trepalëshe në Abu Dhabi

By: e xh
23 January 2026 at 10:51

Rusia, Ukraina dhe SHBA-të do të zhvillojnë bisedime trepalëshe Kjo është hera e parë që të tre vendet marrin pjesë në një takim së bashku që kur Moska nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Samiti vjen pas një takimi midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarve të SHBA-së Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Moskë mbrëmjen e të enjtes.

Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, i përshkruan bisedimet si “konstruktive dhe shumë të sinqerta”, por çështjet territoriale mbeten një pikë ngërçi, raporton BBC.

Gjashtë grabitje brenda dy ditëve, arrestohet 43-vjeçari në Tiranë

By: e xh
23 January 2026 at 10:49

Zbardhen 6 raste të vjedhjes/tentativës për vjedhje, të dyshuara të kryera nga një 43-vjeçar, gjatë 2 ditëve të fundit dhe gjatë vitit 2025.

Kapet dhe vihet në pranga 43-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje.

Sekuestrohen një shumë parash e dyshuar e vjedhur, veshje që dyshohet se ka përdorur 43-vjeçari, gjatë kryerjes së vjedhjeve, dhe sende të forta që ai përdorte për hapjen e dyerve.

Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Objektivi”, si rezultat i të cilit u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:

-K. M., 43 vjeç banues në Tiranë, i dyshuar si autor i 6 rasteve të vjedhjes/tentativës për vjedhje, konkretisht:

-më datë 21.01.2026, dyshohet ka vjedhur me thyerje, një shumë parash dhe disa dokumente, në zyrat e postës shqiptare në rrugën “Kujtim Laro”, si dhe ka tentuar të vjedhë në filialin e një banke;
-në datat 09.10.2025 dhe 26.11.2025, ka vjdhur shuma parash dhe produkte, në 4 lokale në zona të ndryshme në Tiranë.

Gjatë kontrollit në banesën e 43-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën një shumë parash të dyshuar të vjedhur, veshje që dyshohet se ai i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve dhe sende të forta që përdorte për hapjen e dyerve.

Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

Si të veprohet me Donald Trump? Brukseli në ditë të vështira

By: e xh
23 January 2026 at 09:52

Pesë orë diskutuan krerët e qeverive dhe shteteve të BE: Tema kryesore e diskutimit ishte trazirat e ditëve të fundit dhe kërcënimet nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Shumë pjesëmarrës, disa të kënaqur, por të paktën të lehtësuar, u shprehën të kënaqur qqë kishin qëndruar të vendosur edhe para takimit. Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se nuk do të komentonte më tej ngjarjet e javës të fundit: “Ka një rezultat të mirë”, tha ai dhe hodhi poshtë zërat për fundin e NATO-s dhe bëri thirrje për ruajtjen e saj, duke theksuar se “kjo aleancë nuk është thjesht e braktisur”.

Por mënyra si Trump sillet me BE dhe toni i tij i ka bërë shumë anëtarë të mendohen thellë, por edhe të vendosur.  “Marrëdhëniet midis partnerëve dhe aleatëve duhet të trajtohen me respekt”, paralajmëroi kreu i Këshillit të BE, António Costa pas takimit. Evropa dhe SHBA-të kanë interesa të përbashkëta në Arktik. NATO po punon për këtë dhe BE-ja do të marrë një rol më të fortë. Por Costa gjithashtu bëri shumë të qartë: “Vetëm populli i Danimarkës dhe i Groenlandës mund të marrin vendime për të ardhmen e tyre. Ne jemi të përkushtuar tek ligji ndërkombëtar, integriteti territorial dhe sovraniteti kombëtar. Kjo është thelbësore për Evropën dhe për bashkësinë ndërkombëtare në tërësi.”

Dyshime për Këshillin e Paqes

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa nuk ishte shumë pozitiv në lidhje me të ashtuquajturin Këshill Paqeje të Trump, në të cilin janë ftuar edhe disa krerë qeverish evropiane dhe Komisioni. “Kemi dyshime serioze për një numër elementësh në këtë këshill”, tha Costa, “si në lidhje me madhësinë ashtu edhe me përgjegjësinë e tij”. Ai shtoi se nuk ishte e qartë se si ky përputhet me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Presidenti portugez shpjegoi se ata ishin të përgatitur të punonin me SHBA-në për një plan gjithëpërfshirës paqeje për Gazën, por vetëm me një institucion që e shihte veten si një entitet kalimtar.

Ende nuk ka vendim për marrëveshjen Mercosur

Një temë tjetër diskutimi në samitin e posaçëmt të ishte marrëveshja e Mercosur-it, e cila aktualisht është bllokuar në Parlamentin Europian. Ndërkohë, si në Parlament edhe në Këshill po shtohen thirrjet për ta futur në fuqi këtë marrëveshje të paktën përkohësisht. Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen raportoi se ekziston “një interes i qartë për të siguruar që përfitimet e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme të mund të realizohen sa më shpejt të jetë e mundur”.

Nëse dhe kur Komisioni do të nisë procesin për zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes nuk është vendosur ende, sipas Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen. Së pari, do duhet të bëhet ratifikimi në vendet e para të Mercosur, shpjegoi von der Leyen. “Ne jemi gati kur ata të jenë gati” – kur ata të jenë gati, atëherë edhe ne në BE do të jemi./DW

Fotot/ Ivanka Trump ndan në rrjetet sociale pamjet nga vizita në Shqipëri

By: e xh
23 January 2026 at 08:47

Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, ka ndarë në rrjetet e saj sociale pamjet nga vizita në Shqipëri.

Disa prej pamjeve janë nga Plazhi i Porto Novos, pamje me sfond ishullin e Sazanit si dhe pamje nga vizita e saj në Manastirin e Zvërnecit.

Ivanka duket e mahnitur nga vendet që ka vizituar, madje njërën prej videove e ka shoqëruar me këngën e njohur shqipe “Luleborë”.

Vajza e president Donald Trump ndiqet nga 8.7 milionë njerëz në Instagram.

 

“Nottingham Post”: Britanikët zgjedhin Ksamilin, “Maldivet e Evropës”

By: e xh
23 January 2026 at 08:45

Turistët që kërkojnë destinacione mahnitëse dhe me diell këtë verë, mund të marrin në konsideratë udhëtimin përtej pikave tradicionale turistike si Spanja ose Greqia, duke eksploruar në vend të tyre Ksamilin, një zonë bregdetare spektakolare e quajtur “Maldivet e Evropës”, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen britanike “Nottingham Post”.

Me ujëra të kristalta, peizazhe mahnitëse malore dhe çmime të përballueshme, Ksamili ndodhet përgjatë Rivierës Shqiptare dhe po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion të preferuar për turistët britanikë, të tërhequr nga shkëlqimi i tij natyror, klima e ngrohtë dhe birra jashtëzakonisht të përballueshme.

Nuk është çudi që 120 000 vizitorë britanikë udhëtojnë në Shqipëri çdo vit. Vendi i bukur evropian është vetëm tre orë larg me linjë ajrore.

Falë vijës bregdetare piktoreske dhe një grupi plazhesh të qeta, Ksamili përfaqëson një thesar magjepsës që tërheq turistët.

I konsideruar si “Karaibet e Evropës” nga britanikja “The Telegraph” – e cila vlerësoi palmat, plazhin verbues, detin e kaltër dhe çadrat me kashtë – Ksamili ndodhet në Rivierën jugore të Shqipërisë, ku do të gjeni edhe Parkun Kombëtar të Butrintit.

Ky fshat bregdetar është mjaftueshëm i bukur për të magjepsur edhe turistin më me përvojë.

Plazhi i Ksamilit ofron brigje të pastra me rërë dhe temperatura verore që arrijnë deri në 30°C – duke krijuar një vendpushim ideal për adhuruesit e diellit.

Është e rëndësishme të theksohet se Ksamili, mbetet jashtëzakonisht i përballueshëm, me akomodim të disponueshëm për vetëm 20 paund nata, ndërsa vaktet me tre pjata mund të kushtojne deri në 17 paund, raporton “Mirror“.

Gazeta britanike “The Guardian” e renditi Plazhin e Ksamilit dhe bregdetin e Jonit në Shqipëri, në vitin 2013, mes 20 destinacioneve më të mira për pushime në plazh – si për pushuesit britanikë ashtu edhe për ata ndërkombëtarë.

Në vitet në vijim, zona bregdetare shqiptare ka dëshmuar një rritje të konsiderueshme të turizmit që rezultoi në rritjen e numrit të hoteleve.

Sipas DW.com nga maji i kaluar, mbi 11,7 milionë turistë ndërkombëtarë vizituan vendin ballkanik në vitin 2024, me autoritetet që parashikojnë një rritje të numrit të tyre – në 15 milionë deri në fund të vitit 2025 – pothuajse katërfishi i popullsisë së vendit.

Në një përpjekje për të konkurruar me vendet tradicionale të pushimeve, pronarët e hoteleve shqiptare, po kërkojnë të krijojnë lidhje më të forta me vizitorët duke ofruar atraksione kulturore, duke përfshirë degustacione kulinare dhe shfaqje valleve tradicionale shqiptare.

Për më tepër, turistët e magjepsur nga Shqipëria i postojnë rekomandimet e tyre në mediet sociale.

“Plazhet e Ksamilit të kujtojnë ato të Greqisë. Shumica prej tyre janë në pronësi private – por restorantet dhe kafenetë që kanë shezlongje plazhi dhe çadra i ofrojnë ato më lirë pas orës 15:00 pasdite. Ju mund të notoni në ujërat e kristalta ose të shtriheni duke lexuar dhe ngrënë petulla, fruta të freskëta dhe ëmbëlsira të tjera që shiten nga vendasit”, raporton “48 Hours in Europe”.

Adhuruesit e kulturës do të kenë shumë mundësi zgjedhjeje, me një gamë mrekullish natyrore të ndërthurura me një mori monumentesh historike.

Këto variojnë nga Gjirokastra, Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dikur një fortesë sulltanore, deri te Parku Arkeologjik i Apollonisë, plot me mbetje të qytetërimeve të lashta greke dhe romake.

Veliaj padit institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin Ols Dado

By: e xh
23 January 2026 at 08:42

Veliaj padit institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin Ols Dado

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të noterit në prokuror, kur nuk lejohej nga ligji i kohës pa kryer më parë Shkollën e Magjistraturës.

Veliaj ka depozituar sot në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.

Sipas padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit – pa shkollën përkatëse të Magjistraturës. Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.

Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi ‘nul ab initio’, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe personit.

Ols Dado i është propozuar Presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, teksa ai qartësisht nuk plotësonte kushtet kur ishte vetëm noter dhe pa magjistraturë dhe më pas Presidenca ka dekretuar në paligjshmëri noterin në prokuror.

Parashikimi i motit, 23 janar 2026

By: e xh
23 January 2026 at 08:37

Ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave bregdetare të vendit. Lokalisht shtrëngataafatshkurtra.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 5 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 10 m/s.

Horoskopi, 23 janar 2026

By: e xh
23 January 2026 at 08:37

Dashi

Ditë edhe me mosmarrëveshje, por edhe me pasion të zjarrte kjo e sotmja për të dashuruarit. Do përjetoni emocione pa fund. Beqarët do realizojnë takime vërtet interesante të cilat mund t’ua shndërrojnë jetën përgjithmonë. Situata financiare do konsolidohet tej mase. As vetë nuk do e kuptoni sepse gjithçka do vendoset në rregull.

Demi

Do ju kushtoni rëndësi të madhe edhe detajeve të vogla sot juve të dashuruarit dhe gjërat do ecin për mrekulli. Do i harroni njëherë e mire problemet dhe mosmarrëveshjet e dikurshme. Beqarët do vërtiten gjatë gjithë kohës në kërkim të dashurisë, por nuk do e gjejnë atë. Ne planin financiar nuk duhet te rrezikoni shumë edhe sikur gjendja të jetë e qëndrueshme.

Binjaket

Jeta sentimentale e çifteve do jetë e favorizuar në çdo moment. Do dashuroheni me ëmbëlsi me atë që keni në krah. Priten dashuri me shikim të parë gjatë kësaj ditë për beqaret. Shume gjera kane për te ndryshuar rrënjësisht për ta. Në planin financiar përfitoni nga atmosfera e qetë për të riorganizuar gjendjen sepse më vonë do jetë e pamundur.

Gaforrja

Të dashuruarit do kalojnë një ditë shume normale dhe aspak problematike. Në mbrëmje mund të ketë edhe ndonjë darke romantike. Ju beqarët nuk duhet t’iu besoni plotësisht atyre që do iu joshin sepse disa janë eksperte te gënjeshtrave. Do vuani me vonë nëse nxitoheni. Në planin financiar situata do ndërlikohet edhe me tepër për shkak të shpenzimeve të detyruara.

Luani

Mërkuri nuk do krijoje kushtet e favorshme sot për të dashuruarit dhe nga ana tjetër do i nxite ata të debatojnë me njeri-tjetrin. Dita do jetë delikate. Beqaret do jenë të pafat dhe nuk do e gjejnë personin e ëndrrave. Financat do jenë shumë të mira. Do i kryeni të gjitha shpenzimet e domosdoshme dhe do ju mbeten edhe disa para për t’i hequr mënjanë.

Virgjëresha

Ditë e mrekullueshme dhe e mbushur me kënaqësi pa fund kjo e sotmja për të dashuruarit. Do ndiheni te bekuar nga yjet ne çdo moment. Beqarët do kenë një ditë plot angazhime dhe nuk do kenë mundësi për të dalë nëpër takime. Financat do jenë në një gjendje më të mirë se kohët e fundit, por ende nuk është koha për të bërë investime të tejskajshme.

Peshorja

Do jeni mjaft në humor gjate kësaj dite ju te dashuruarit dhe do përgatisni surpriza pa fund për partnerin. Shpeshherë do përjetoni kënaqësi te papërshkrueshme. Beqaret do qëndrojnë serish të vetmuar dhe do e vuajnë tej mase këtë. Mos e fajësoni gjithë kohës veten për gjendjen delikate të financave, por mundohuni të gjeni nga një zgjidhje.

Akrepi

Dite shume e turbullt dhe e mbushur me mosmarrëveshjet të shumta kjo e sotmja për te dashuruarit. Asgjë nuk ka për te ecur ashtu si e kishit ëndërruar. As beqaret nuk do arrijnë ta bëjnë për vete atë qe kanë kohe qe e pëlqejnë dhe kjo do i mërzitë. Jupiteri do iu beje me te organizuar ne planin financiar. Situata do vije duke u përmirësuar.

Shigjetari

Venusi do e mbroje sot jetën tuaj ne çift. Klima do jete e ngrohte dhe ju do jeni mjaft seksuale. Do jeni te kuptueshëm dhe do toleroni mjaft. Edhe beqarët më në fund do vendosin pak rregull në jetën e tyre. Tregohuni sa më të hapur ndaj takimeve dhe mund të ndeshni personin e ëndrrave. Projekti që kishit menduar për të përmirësuar financat do të realizohet.

Bricjapi

Jeta sentimentale e çifteve do jete e favorizuar. Iu jeni nder ata qe i jepni një rëndësi te madhe asaj dhe e gjeni kohen kurdoherë. Do ndiheni mirë sot. Edhe jeta e beqarëve do jetë më e animuar. Do keni takime interesante te cilat mund t’iu ndryshojnë rrjedhën e gjithçkaje. Mos e lini zgjedhjen e problemeve financiare për më vonë, merruni sot sepse situata mund të ndërlikohet.

Ujori

Gjate kësaj dite do flisni për disa tema delikate me partnerin tuaj. Ai do iu kuptoje dhe do iu mbështesë ne gjithçka. Edhe ata qe kane pasur probleme do mund te vendosin paqen. Dita për beqaret do jete shume e këndshme. Do keni takime interesante me persona qe ia vlen te krijoni një lidhje. Financat do jete te qëndrueshme, por gjithsesi nuk është momenti i duhur për te bere transaksione.

Peshqit

Jeta juaj në çift do jetë gjatë gjithë kohës e mbrojtur sot. Do merreni vesh për çdo gjë me personin që keni ne krah dhe priten veç gjera te mira të ndodhin. Për beqaret do ketë veçse mundësi për aventura kalimtare, asgjë me tepër sesa aq. Financat do jenë mjaft delikate. Do ju duhet durim dhe mund për ta stabilizuar situatën sa më parë.

Yesterday — 22 January 2026Main stream

Çfarë do ndodhë në protestën e 24 janarit? Berisha: Opozita do tregojë fuqinë e saj

By: e xh
22 January 2026 at 22:24

Kryetari i PD, Sali Berisha është treguar i rezervuar për skenarin e protestës të së shtunës që do të zhvillohet në orën 17:00 para Kryeministrisë.

Në emisionin “Opinion” Berisha renditi arsyet pse protestat nuk kanë pjesëmarrje masive, duke thënë se Rama ngjall frikë te qytetarët dhe censuron median.

Më tej, kryedemokrati u shpreh se të shtunën “opozita do të tregojë fuqinë e saj dhe kreativitetin e saj” dhe se betejën me qeverinë “Rama” do e vijojë deri në “pikën e fundit”.

“Në situatën aktuale kauza e kësaj proteste është kauza më e ligjshme se çdo proteste për dy arsye, qeveria nuk ka legjitimitetin për shkak të farsës elektorale, kjo është faktuar nga raportet ndërkombëtare dhe nga Departamenti i Shtetit. Së dyti, një qeveri që del nga zgjedhje të ndershme, por vjedh qytetarët ajo humbet legjitimitetin. Në një diktaturë autoritare, fika ka dy faktorë të tmerrshëm. Çdo ditë takoj njerëz. Rama njeriu i urrejtjeve personale ka përcjell këtë frymë  në të gjithë narko-shtetin e tij. Këtu është faktori frik i pamohueshëm Faktori i dytë është censura, kontrolli që u bëhet mediave. Efekti më i tmerrshëm i censurës është se i bën njerëzit që të mos dinë se çfarë të besojnë. Jep 40 rroga analistësh që në çdo studio mashtrojnë qytetarët. Pra, kur ai merr tokën e shkollës të dhuruar nga pronarët për të bërë shkollë bujarisht dhe ia jep medias për ta kontrolluar atë me një euro. Njëri pronar është socialistë aty dhe merr 3 milion euro shpërblim për tokën, ai që ka televizionin e merr me një euro dhe qytetarët 3 milionë euro. 90% e mediave kontrollohen nga qeveria. Të riut shqiptar unëi ofroj gjën ëmë të madhe mundësin për të ndërtuar ëndrrën në Shqipëri dhe jo rrugëve të botës dhe unë e kam faktuar këtë. Në vitin ’94-’96 rritej numri i shqiptare dhe në vitin 2007-2014 numri i qytetarëve shqiptarë rritje. Iu garantojë se Shqipëria ka çdo mundësi që të rinjtë shqiptarë të ndërtojnë ëndrrën në vendin e tyre. Rama nuk është alternativë ai duhet të largohet. Rama nuk qëndron në zyrë gjatë protestave, ia mbath, le të qëndrojë dhe ta provojë. Populli ka fuqi. Opozita është në provën e saj më të madhe. Në provën me jetë ose vdekje. Në datën 24 do të tregojmë fuqinë e opozitës, kreativitetin e saj. Do i tregojmë botës se vërtet ky kryeministër përdor drejtësinë për të mbrojtur ministrat sepse është vetë. Është kuptuar se mbrapa Belindës është Rama, të gjitha këto janë të zbardhura. Nuk janë akuza të opozitës, janë dëshmi tronditëse brenda dhe jashtë vendit. opozita do të qëndrojë deri në pikën e fundit të saj se këta kanë zero legjitimitet”,-tha Berisha.

 

❌
❌