Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Main stream

“Shqipëria Bëhet” e Lapajt protestë kombëtare para Kryeministrisë, qytetarët mblidhen në bulevard!

By: Fax Web
31 January 2026 at 18:36

Lëvizja Shqipëria Bëhet protestoi sot në tubimin e saj të katërt radhazi para kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e qeverisë pas  aferave si AKSHI.

Qindra qytetarë janë mbledhur në bulevard, para se të niste protesta kombëtare, në orën 18:00, ku binin në sy banderolat, parullat dhe simbolet kombëtare, kryesisht flamuj kuqezi.

Më herët Adriatik Lapaj me grupin e tij ka protestuar përpara Kryeministrisë, pas skandalit me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke qëndruar për më shumë se një muaj në sheshin para kryeministrisë.

/ Rrjeti i trafikut të drogës në Kampusin Universitar të Athinës, droni tradhtoi organizatën shqiptaro-greke

By: Fax Web
31 January 2026 at 18:06

Katër persona u arrestuan nga Policia e Greqisë një ditë më parë, në afërsi të Kampusit Universitar në Zografou të Athinës.

Siç doli nga hetimi i oficerëve të Nëndrejtorit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Athinë, të arrestuarit janë anëtarë të një organizate që trafikonte drogë brenda Kampusit Universitar.

Të arrestuarit janë 2 shqiptarë dhe 2 grekë, kurse aktiviteti kryhej brenda territorit. Organizata drejtohej nga një 27-vjeçar shqiptar.

Nga hetimet ka rezultuar se një dron ka tradhtuar grupin kriminal, ndërsa u sekuestruan të paktën 6 kg hashash dhe mijëra euro cash.

Siç u vërtetua pas një hetimi policor disamujor, gjatë të cilit u përdorën një mori mjetesh teknike si dronë dhe mikrokamera, të pandehurit, të paktën që nga shtatori 2025, formuan një organizatë kriminale me role të dallueshme dhe veprim të vazhdueshëm, me qëllim trafikimin e kanabisit të papërpunuar brenda Kampusit Zografou.

Një pikë kyçe e aktivitetit të organizatës është ngritja e një pike “shitjeje” droge pranë konvikteve studentore të Kampusit të Universitetit Zografou dhe brenda një parku me pemë në mënyrë që t’ua vështirësonte Autoriteteve zbulimin e aktiviteteve të tyre.

“Udhëheqësi i organizatës ishte i huaji 27-vjeçar, i cili në intervale të rregullta gjatë ditës vizitonte pikën ku organizata trafikonte drogë, duke mbikëqyrur procesin e blerjes dhe shitjes, ndërsa kryente edhe kontrolle në stokun e drogës për shitje”, informon “Protothema”.

Në të njëjtën kohë, ai merrte fitimet nga droga e trafikuar ndërsa furnizonte 49-vjeçarin me drogën që trafikohej. “Zouglas” informon se dy shqiptarë dhe dy grekë janë të ndaluarit.

Shtetasi grek 49-vjeçar kishte rolin ekskluziv të “shitësit” të drogës. Çdo ditë, ai qëndronte pothuajse gjithë ditën në pikën e trafikimit të drogës të caktuar nga organizata, ndërsa ua dorëzonte shumat e parave që kishte marrë nga droga e trafikuar anëtarëve të tjerë të organizatës. Furnizimi bëhej nga drejtuesi shqiptar.

KLP miraton kërkesën e kreut të SPAK për mbrojtje të shtuar ndaj Altin Dumanit dhe disa prokurorëve të tjerë

By: Fax Web
31 January 2026 at 17:24

Këshilli i Lartë i Prokurorisë aprovoi kërkesën e kryeprokurorit të SPAK Klodian Braho, i cili me një shkresë të konsideruar të klasifikuar kërkoji marrjen e masave për ruajtjen e prokurorit të posaçëm Altin Dumanit.

Kërkesa vjen pas presionit në rritje ndaj Dumanit lidhur me hetime të shumta që mbajnë firmën e tij si ish krye prokuror i SPAK.

Përveç Dumanit, është miratuar nga i njëjti komision edhe mbrojtje për disa prokurorë të tjerë te strukturës së posaçme, mes të cilëve edhe për Dritan Prençin, i cili po heton zv kryeministren Belinda Balluku dhe kërkoi caktimin e dy masave të sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë territorit të vendit”.

 

Ndërron jetë në moshën 82-vjeçare aktori i njohur Fitim Makashi! Trashëgimia që la pas

By: Fax Web
31 January 2026 at 17:17

Ka ndërruar jetë sot, 31 janar, në moshën 82-vjeçare aktori i mirënjohur, Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi. Ai u shua si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Shuarja e tij përbën një humbje të madhe për kinematografinë shqiptare, pasi ishte një figurë e rëndësishme e teatrit dhe kinemasë, dhe ka lënë pas një trashëgimi të vyer artistike.

Jeta dhe vepra e Fitim Makashit

Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për aktor dhe mbaroi në 1967. Për një kohë të gjatë punoi si pedagog në ILA dhe në të njëjtën kohë pati një angazhim të herëpashershme në Teatrin Popullor (sot TK). Zyrtarisht ishte viti 1978 kur u emërua aktor në këtë Teatër, vendi ku vazhdoi karrierën artistike si aktor për rreth 12 vjet, saktësisht deri nga mesi i viteve 90-të.

Gjatë kësaj kohe realizoi një sërë rolesh që lanë gjurmë në skenën e teatrit, nga ku ku kujtojmë rolin e Pedagogut në “Pas provimit të dytë” , Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, roli i Benit tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu tek “Dritat e skenës”, Telhai tek “Besa”, Filipoviç tek shfaqja “Inspektori” që mbahet edhe si roli i fundit i tij në Teatër.

Fillimet në film i kishte që në vitin 1967 me një rol episodik të një marinari në filmin “Dueli i heshtur”, duke vazhduar me filmat e tjerë si “Prita” (1968) “Njësiti gueril” (1969) “Ndërgjegja” (1972) “Rugicat që kërkonin diell” (1975) “Në fillim të verës” (1975) “Ilegalët” (1976) “Nga mesi i errësirës” (1978) “Intendenti” (1980) “Gjurmë në kaltërsi” (1981) “Tre njerëz me guna” (1985) “Shpella e piratëve” (1991) “Vdekja e kalit” (1992).

U plagos rëndë me armë pas sherrit për një vajzë, vdes në spital pas katër ditësh 45-vjeçari Denis Çumani

By: Fax Web
31 January 2026 at 17:15

Ka ndërruar jetë Denis Çumani, 45-vjeçari nga Shijaku, i cili mbrëmjen e së martës, 27 janar, u plagos me armë zjarri në derë të shtëpisë.

Çumani ka ndërruar jetë në spital ku ndodhej i shtruar në gjendje të rëndë prej disa ditësh.

Mbrëmjen e së martës, dy kushërinjtë Dorian dhe Indrit Ferra i kanë shkuar në shtëpi Çumanit dhe pasi e kanë dhunuar fizikisht kanë qëlluar me armë drejt tij dhe plumbi i ka përshkuar trupin tejpërtej, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Mësohet se shkak i konfliktit ka qenë një vajzë. Çumani i kishte dërguar mesazhe asaj, ndërkohë që ajo ishte në një lidhje me Dorian Ferrën.

Pak ditë më parë, vajza ishte takuar me Dorianin dhe kishin frekuentuar një lokal, ku gjatë kësaj kohe ajo ka marrë sërish mesazhe nga Çumani, të cilat janë vënë re nga Ferra.

Pas shoqërimit të vajzës në banesë, Dorian Ferra ka marrë kushëririn e tij, Indritin, dhe së bashku kanë shkuar tek banesa e Çumanit. Dy kushërinjtë janë shpallur në kërkim nga policia.

Avokati i Popullit: Monitorojmë protestën e thirrur nga “Shqipëria Bëhet”

By: Fax Web
31 January 2026 at 16:59

Avokati i Popullit bën të ditur se do të monitorojë protestën e organizuar sot nga Partia Shqipëria Bëhet, në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Sipas deklaratës së përcjellë në media, një ekip vëzhguesish të Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore.

Ky angazhim, theksohet më tej, synon ndjekjen nga afër të çdo veprimi pasues dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të të drejtave të qytetarëve.

“Avokati i Popullit do të vijojë monitorimin e situatës dhe do të ushtrojë kompetencat e tij ligjore në përputhje me zhvillimet në terren”, thuhet në deklaratë.

Gjendet pa shenja jete roja 58-vjeçar në Bulqizë, dyshohet se është rrëzuar në stokun e kromit

By: Fax Web
31 January 2026 at 16:56

58-vjeçari Bashkim Keta, është gjetur i pajetë paraditen e kësaj të shtune në Bulqizë.

Sipas policisë lokale të Bulqizës ngjarja ka ndodhur në Zonën D.

Kanë qenë minatorët të cilët kanë nisur dyshimet e para, pasi roja i cili punonte në subjektin privat galeri kromi nuk e kishin parë në vendin e punës ç’ka kanë filluar ta kërkojnë. Më pas e kanë gjetur pa shenje jete në stogun e kromit dhe kanë njoftuar policinë e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet rreth kësaj ngjarje të rëndë ku dyshohet se roja Bashkim Keta 58 vjeç të ketë rrëshqitur në stogun e kromit duke humbur jetën.

Meta për arrestimin e tij: Ergys Agasi koordinon rrëmbimet e 4 kateve të shtetit të së drejtës

By: Fax Web
31 January 2026 at 13:07

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë një reagim në rrjete sociale, ku akuzon Ergys Agasin, e shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, se qëndron pas mënyrës se si u bë arrestimi i tij, që ai e cilëson si rrëmbim.

Sipas Metës, po përpiqen të justifikojnë ligjshmërinë e arrestimit duke theksuar se akuza i është komunikuar nga policia gjyqësore në orën 14:16, ndërkohë që videoja e arrestimit, e cila u bë virale, është regjistruar në orën 12:18.

“Fiks për 2 orë (pa 2 minuta) banditët i bëjnë xhiro rrugëve të kryeqytetit ish-Presidentit me pranga në duar për t’ia dorëzuar policisë gjyqësore, e vetmja e caktuar nga Gjykata për të kryer ekzekutimin në orën 14:16.”, shkruan ai.

Në reagimin e gjatë, Meta zhvillon një narrativë në formë dialogu, ku përshkruan, sipas tij, rolin e Ergys Agasit në arrestimin, përfshirjen e personave të maskuar dhe përpjekjet e mëvonshme për të “rregulluar” procedurat ligjore.

“Urgjent, – u thotë Gysi, “shkruani urdhrin e arrestit dhe çojuani ta firmosin dhe silleni në Drejtorinë e Tiranës se kanë dy orë çunat me maska dhe janë mbledhur mediat”.

“Po le t’i heqin maskat po kanë vapë, – i thotë ai i BKH-së, “se na duhet pak kohë nga trafiku, sa t’u marrim firmën prokurorëve”.

“O idiot, – i ulëret Gysi, “t’i vërtet kujton se ata me maska janë të Forcave Speciale. Ata janë të gjithë në kërkim dhe mezi i mblodha nga Durrësi dhe Elbasani”.

Kur ata te BKH-së arritën te restoranti për t’u çuar urdhrin, Prokuror Sotiri si më skrupulozi e kapi gabimin dhe ua dy shefave.”, thuhet në dialogun e Metës.

Ai akuzon gjithashtu SPAK-un dhe gjykatën se kanë legjitimuar një arrestim të paligjshëm, përfshirë faktin që urdhri i arrestit, sipas Metës, është bazuar në një ligj të shfuqizuar.

Forumi i Dialogut në Vlorë, ambasadorja franceze: Shqipëria po e shtrin hapin drejt BE-së!

By: Fax Web
31 January 2026 at 11:55

Po zhvillohet sot në Vlorë forumi i Dialogut me temën “Edhe disa hapa akoma drejt BE”, ku marrin pjesë Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ambasadorja franceze në vend, Catherine Suard, ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.

Ambasadorja Catherine Suard theksoi se “askush nuk mund të dyshojë se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj, që nga reforma në drejtësi, digjitalizimi i shërbimeve, mbrojtja e qytetarëve dhe harmonizimi me politikat e jashtme”.

Sipas saj, këto arritje japin besim në arenën ndërkombëtare.

“Për këtë besim, Presidenti Emmanuel Macron erdhi dy herë radhazi në Shqipëri, vizita që i dhanë një ritëm të pandërprerë marrëdhënieve tona. Shqipëria e shtrin hapin, jo vetëm ecën drejt Europës”, shtoi Suard.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e fazës përfundimtare të integrimit.

“Kilometrat e fundit janë më të vështirët dhe më entuziazmuesit. Këto pika janë thelbësore për integrimin tuaj të ardhshëm dhe tregojnë një drejtim të vetëm, pa rrugë të tërthorta. Kjo pakthyeshmëri e bën Shqipërinë një partner të besueshëm për Francën dhe Europën.”

“Franca është krah jush, jo për të numëruar hapat, por si partner gjatë rrugës. BE nuk është një destinacion, ajo vetë është në lëvizje”, përfundoi ajo.

Në kërkim për kultivim lëndësh narkotike, arrestohet i riu në Malësi të Madhe

By: Fax Web
31 January 2026 at 11:54

Një 25-vjeçar nga Malësia e Madhe, i cili ishte shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia. Ai akuzohet se në bashkëpunim me familjarët e tij, ka kultivuar 1275 bimë narkotike pranë banesës së tyre, në fshatin Aliaj.

Bimët narkotike janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë në muajin shtator.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera dyshohet se i riu në bashkëpunim me familjarët e tij, ka kultivuar në tokën pranë banesës së tyre, në fshatin Aliaj, 1275 bimë narkotike, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar  më 4 shtator 2025.

Zgjidhet sot kryetari i ri i LDK, kandidatët në garë

By: Fax Web
31 January 2026 at 11:33

355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhen sot për të diskutuar dorëheqjen e kryetarit, Lumir Abdixhiku dhe hapjen e garës për kreun e ri të partisë.

Kuvendi nis në orën 12:00 në njërën nga hotelet në Prishtinë. Megjithëse Kuvendi është thirrur vetëm për votëbesimin ndaj Abdixhikut, anëtari i Kryesisë së LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, shpalli kandidaturën e tij për kryetar të kësaj partie më 25 janar.

Hoti është zotuar se nëse merr besimin për ta udhëhequr LDK-në, do të drejtojë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje të plotë me Statutin e partisë, duke garantuar pjesëmarrje aktive të të gjitha strukturave dhe forumeve.

Ai ka theksuar se synimi i tij është ndërtimi i një LDK-je të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, me fokus të veçantë në përfshirjen e profesionistëve, grave dhe të rinjve.

Ambicie të tilla janë konsideruar legjitime nga bashkëpartiakë të Hotit, megjithatë theksojnë se ky është një proces tjetër që derivon nga vota pro apo kundër Abdixhikut.

Kurse, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk ka dashur të përfshihet në debatet publike lidhur me rezultatin zgjedhor dhe zhvillimet aktuale brenda LDK-së, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatet është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda organeve vendimmarrëse të partisë.

Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë vendimmarrës, duhet të garantojë orientimin e qartë ideologjik të partisë si subjekt konservator i qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik, si dhe të shmangë përdorimin e LDK-së si platformë për interesa të tjera politike.

“Në LDK askush nuk është i tepërt. Përgjegjësia duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike, ku rezultati ka pasojë,” ka përfunduar Mustafa.

Përndryshe, anëtarët e kryesisë së LDK-së kanë thënë se edhe Ismet Beqiri ka paralajmëruar se sot në Kuvend do ta bëjë publike kandidaturën e tij për kryetar.

Falsifikim i rezultateve të votimit, pesë të pandehur në paraburgim

By: Fax Web
31 January 2026 at 11:31

Gjykata Themelore në Prizren ka mbajtur të premten tri seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, të dyshuar për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit dhe keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas vendimit të gjyqtarëve të procedurës paraprake, katër të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S. dhe H.P., u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më 28 shkurt 2026. Ata dyshohen se secili veç e veç, kanë kryer veprën penale falsifikimi i rezultateve të votimit, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, ndaj një të pandehuri tjetër, N.B., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila gjithashtu mund të zgjasë deri më 28 shkurt 2026, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, të Kodit Penal, që ka të bëjë me moskryerjen me dashje të një detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj.

Gjykata ka bërë të ditur se argumentimi i këtyre dyshimeve dhe vërtetimi i fakteve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Sipas njoftimit, këto vendime janë vazhdimësi e rastit të trajtuar më 24 janar 2026, kur ndaj njëzet e tre të pandehurve ishte caktuar masa e paraburgimit, lidhur me veprat penale kundër të drejtës së votimit.

Shiste drogë dhe kryente vjedhje, arrestohet 45-vjeçari

By: Fax Web
31 January 2026 at 10:47

Një 45-vjeçar, i cili shiste drogë dhe kryente vjedhje në Durrës, ka rënë në prangat e policisë.

Teksa tentoi të arratisej, Julian Ismailaj nën efektin e lëndëve narkotike, mësohet se përplasi automjetin që po lëvizte me atë të Policisë.

Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Përfshirja e shumëfishtë”.

-I përfshirë në shitje drogash të forta, autor i dyshuar vjedhjesh dhe posedues armësh të ftohta, arrestohet 45-vjeçari.

I arrestuari, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, automjetin e Policisë që i ishte vënë në ndjekje.

Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi Heroine, sasi Kokaine dhe 1 elektroshok.

Shpallet në kërkim 1 bashkëpunëtor i 45-vjeçarit, në vjedhje, dhe 1 bashkëpunëtor tjetër, në shitjen e lëndeve narkotike (ky i fundit i kishte dhënë 45-vjeçarit, automjetin, me qira).

-Procedohet penalisht një shok i 45-vjeçarit, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanosi një shtetas, me pistoletë lodër.

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të veprimeve operacionale, menjëherë pas një kallëzimi të marrë për një rast kanosjeje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja e shumëfishtë”.

Gjatë operacionit u identifikua shtetasi që dyshohet se kishte kanosur kallëzuesin, për motive të dobëta, E. H., 36 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Në automjet, 36-vjeçarit iu gjet pistoleta lodër me të cilën dyshohet se kreu kanosjen. Sendi u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Në momentin e konstatimit të 36-vjeçarit, ai shoqërohej me shtetasin J. I., 45 vjeç, banues në Durrës, i cili sapo ka parë afrimin e shërbimeve të Policisë, është larguar me shpejtësi, me automjet. Shërbimet i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe kanë mundësuar arrestimin e tij. 45-vjeçari gjatë lëvizjes me shpejtësi, ka përplasur me automjet, automjetin e Policisë. Si pasojë pati vetem dëme materiale.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi J. I. e drejtonte automjetin që kishte marrë me qira nga shtetasi B. M., 51 vjeç, në efektin e lëndëve narkotike. Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi drogash të forta (Heroinë dhe Kokainë) dhe 1 elektroshok.

Si rezultat i verifikimeve të mëtejshme dyshohet se shtetasi J. I., në bashkëpunim me shtetasin V. K., 32 vjeç, ka vjedhur mëngjesin e djeshëm, në një servis për automjete, bateri automjeti dhe sasi nafte.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të 45-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të dokumentuar plotësisht, me prova ligjore veprimtaritë kriminale ku është përfshirë ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Komunat në veri votojnë sërish për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

By: Fax Web
31 January 2026 at 10:31

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të premten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Kjo është hera e dytë që ato votojnë për këtë, pas votimit të 18 dhjetorit të vitit të kaluar.

Por, votimi i dhjetorit ishte shpallur i paligjshëm nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për shkak të parregullsive procedurale, pasi, ndër të tjera, propozimi ishte bërë nga kryetarët e komunave.

“Kjo praktikë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (neni 47.2), i cili përcakton se vetëm anëtarët e kuvendit kanë të drejtë të kërkojnë shtimin e pikave në rendin e ditës gjatë seancës, dhe atë vetëm për çështje urgjente me rëndësi publike”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook pas votimit të dhjetorit.

Ai e kishte kritikuar Listën Serbe se me këtë votim po synonte “nxitjen e ndasive ndërmjet komuniteteve, përçarjen, mosbesimin dhe tensionet, duke treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me komunat e tjera në kuadër të Asociacionit”.

Vendimi i ri i së premtes duhet t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për aprovim, pasi ajo është organi kryesor mbikëqyrës i komunave.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023. Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare./REL/

Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmetit

By: Fax Web
31 January 2026 at 10:28

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmeti, i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg për veprime në fushën e akteve terroriste.

Sipas prokurorisë, Alimehmeti po hetohet në Shqipëri për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nga verifikimet rezultoi se Sajmir Alimehmeti dhe familjarët e tij kanë kryer transaksione financiare dhe veprime ekonomike me vlera të konsiderueshme, të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara. Familjarët e tij, Z.A. dhe V.A., deklaruan se të ardhurat janë krijuar nga qiratë dhe kursimet, por nuk kanë ofruar dokumente që të mbështesin këto pretendime.

Bazuar në hetimet, prokuroria thekson se vlerat monetare nuk kanë prejardhje të ligjshme dhe nuk justifikohen me dokumentacion të rregullt.

Për këtë arsye, prokuroria kërkon konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive në vijim:

Llogaritë e Z.A.: 39.49 lekë, 4.74 USD, depozita USD 50,109.56 dhe 3,862,244.93 lekë,  Llogaritë e V.A.: 15,001.09 euro.

Llogaritë e përbashkëta të Z.A. dhe V.A.: 11,734,250 lekë

Prokuroria Tiranë kërkon konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit S.A. të dënuar në SHBA për vepra penale në fushën e akteve terroriste

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit Sajmir Alimehmeti, i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg, për vepra penale në fushën e akteve terroriste, me akuzën se ka siguruar ose ka tentuar të sigurojë mbështetje materiale për individë apo grupe të përfshirë në aktivitet terrorist dhe ka bërë deklarim të rreme për t’u pajisur me pasaportë.

Aktualisht ky shtetas, i njohur ndryshe edhe si A.Q., në Shqipëri po hetohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ndërsa hetimet mbi procedimin pasuror nr.8 të vitit 2025, nisën nga informacionet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

Ky shtetas, është i biri i shtetasve Z.A. dhe V.A. Nga verifikimi i bërë në lidhje me të dhe familjarët e tij, rezultoi se ka transaksione financiare në banka shqiptare të nivelit të dytë, apo veprime të tjera ekonomike në vlera të larta ekonomike të cilat nuk mund të justifikohen me të ardhurat e krijuara ndër vite. Këta shtetas deklaruan se të ardhurat i kanë krijuar nga qiratë e kursimet, por nuk kanë dokumente të provojnë këto deklarata dhe vlerat monetare objekt kërkese për konfiskim nuk kanë prejardhje të ligjshme si dhe faktin që këto pasuri nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme dhe dokumentacion.

Përfundimisht bazuar në hetimin e kryer vlerat monetare të mësipërme nuk justifikohen nga subjekti S.A. dhe pjestarët e tjerë të familjes së tij.

Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiran kërkon konfiskimin dhe kalimi në pronësi të shtetit të llogarive si më poshtë:

Llogaritë e shtetasit Z.A. me gjendje lekë 39.49, Usd 4.74, si dhe depozitat në vlerën USD 50,109.56 dhe Lekë 3,862,244.93;

Llogaritë e Shtetases V. A. me gjendje Euro 15,001.09; dhe

Llogaritë e shtetasve Z.A. dhe V.A. me gjendje Lek 11,734,250.00.

Kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, tre të arrestuar në Tiranë

By: Fax Web
31 January 2026 at 09:32

Finalizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni i koduar “Brand 3”.

Identifikohen 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe nga Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe i shitnin duke shmangur detyrimet tatiore.

Vihen në pranga 3 nga këta shtetas, procedohen penalisht 4 të tjerët.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta dhe 2 automjete.

Si rezultat i hetimeve të shpejta të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të kontrabandës së mallrave dhe shitjes së tyre në informalitet, është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Brand 3”.

Si rezultat, u identifikuan 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe më pas i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore.

Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, duke transportuar me 2 automjete, 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve:

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Vendimet e Kongresit të Lushnjës për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë

By: Fax Web
31 January 2026 at 08:51

Kongresi i Lushnjës, një nga më të rëndësishmit në historinë e kombit shqiptar, i mbylli punimet më 31 janar të vitit 1920.

Qëllimi i mbajtjes së këtij kongresi ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike: ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913.

Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.

Danimarka do të rihapë ambasadën në Siri

By: Fax Web
31 January 2026 at 08:49

Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës ka bërë të ditur se vendi po planifikon të rihapë ambasadën e saj në Siri.

Ministria daneze tha se ambasada e saj në Siri do të rihapet më vonë në vitin 2026, pasi ka qenë e mbyllur për publikun që nga viti 2012 si pasojë e luftës civile.

Duke folur para Komitetit të Politikës së Jashtme, ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Lokke Rasmussen, gjithashtu njoftoi se do të emërohet një ambasador danez në Siri.

“Me rihapjen e ambasadës sonë në Siri, do të jemi më të aftë të nxisim një zhvillim pozitiv në Siri. Ne gjithashtu dëshirojmë të rrisim bashkëpunimin me qeverinë tranzitore siriane për kthimin dhe ri-atdhesimin. Këtë e diskutova me ministrin e jashtëm sirian kur vizitova Damaskun në muajin nëntor dhe prania e një ambasade daneze në vend do të na japë mundësi më të mira për ta ndjekur këtë çështje”, tha Rasmussen.

Po ashtu u theksua se rihapja e ambasadës do të përmirësojë mundësitë për të mbajtur një dialog të ngushtë me OKB-në dhe partnerët e tjerë në Siri lidhur me ndihmën humanitare daneze dhe mbështetjen për rimëkëmbje të hershme.

Rama ndan pamje nga kantieri “Dua të luaj” në Elbasan: Një hapësirë moderne për të gjithë grupmoshat

By: Fax Web
31 January 2026 at 08:41

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë pamje nga kantieri i këndit “Dua të luaj” në qytetin e Elbasanit, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Sipas kryeministrit, ky projekt synon të krijojë një hapësirë moderne dhe gjithëpërfshirëse për komunitetin, duke ofruar ambiente çlodhjeje dhe argëtimi për të gjitha grupmoshat.

“Mirëmëngjes 😊 dhe me kantierin e këndit ‘Dua të luaj’, në Elbasan, një hapësirë moderne prej 22 mijë m², me fusha sportive, kënde lojërash dhe ambiente rekreative për fëmijë, familje dhe të moshuar, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Ukraina shkatërron sistemin raketor kinez të përdorur nga rusët

By: Fax Web
31 January 2026 at 08:41

Anëtarët e Shërbimit Shtetëror Kufitar të Ukrainës dhe Forcave të Mbrojtjes kanë shkatërruar një sistem lëshimi raketash të shumëfishta Tipi 63 të prodhuar në Kinë, i cili përdorej nga forcat ruse, në frontin jugor.

Shërbimi Shtetëror Kufitar njoftoi se ekipet e dronëve gjetën dhe goditën një sistem të Tipit 63 që forcat ruse ishin përpjekur ta fshihnin.

Goditja u pasua nga një shpërthim. Sipas të dhënave, ky është një sistem i prodhuar në Kinë.

Ndryshe, së bashku me skepticizmin nëse Vladimir Putin ka rënë dakord të ndalojë së synuari infrastrukturën energjetike të Ukrainës për një javë, Volodymyr Zelensky ka reaguar ndaj raportimeve se është ftuar në Moskë nga presidenti rus.

Ai thotë se është gati për “çdo format” të samitit të liderëve, por jo për një që zhvillohet në Moskë, duke e quajtur një veprim të tillë “të pamundur”. Zelensky tha se nuk do të takohej me Putin as në Bjellorusi, një vend me lidhje të forta me Kremlinin.

❌
❌