Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Trump: SHBA do të tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare

By: Fax Web
8 January 2026 at 08:34

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump urdhëroi tërheqjen e vendit të tij nga 66 organizata ndërkombëtare duke thënë se ato nuk u shërbejnë më interesave kombëtare të SHBA-së.

Një memorandum presidencial i nënshkruar nga Trump u drejtohet departamenteve dhe agjencive federale që të ndërpresin pjesëmarrjen dhe financimin për 31 entitete të Kombeve të Bashkuara dhe 35 organizatave joOKB “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Shtëpia e Bardhë tha se organizatat veprojnë në kundërshtim me interesat kombëtare të SHBA-së, sigurinë, prosperitetin ekonomik ose sovranitetin.

Shumë nga organizatat e prekura janë aktive në fusha të tilla si politika e mjedisit dhe klimës ose barazia gjinore.

“Presidenti Trump po i jep fund pjesëmarrjes së SHBA-së në organizata ndërkombëtare që minojnë pavarësinë e Amerikës dhe shpërdorojnë paratë e taksapaguesve në axhenda joefektive ose armiqësore”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha në X se Uashingtoni po tërhiqej nga ato që ai i përshkroi si “organizata ndërkombëtare anti-amerikane, të padobishme ose shpërdoruese”.

Ai shtoi se një shqyrtim i organizatave të tjera ndërkombëtare po vazhdonte.

Që kur u rikthye në detyrë, Trump ka ndërmarrë hapa për të nxjerrë SHBA-në nga disa korniza ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe agjencinë kulturore të OKB-së, UNESCO.

Stuhia ”Goretti” paralizon Anglinë, Uellsin dhe Irlandën

By: Fax Web
8 January 2026 at 08:33

Mbretëria e Bashkuar është përgatitur për reshje të dendura dëbore dhe erëra të forta, ndërsa stuhia ”Goretti” po lëviz sot në të gjithë vendin, sipas BBC të enjten.

Meteorologët kanë lëshuar një paralajmërim të verdhë për dëborë dhe erëra të forta në pjesë të Anglisë, Uellsit dhe Irlandës, së bashku me një numër alarmesh të verdha për motin që përfshijnë pjesë të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar.

Ata u bënë thirrje shoferëve të tregojnë “kujdes të jashtëzakonshëm” për shkak të rrezikut të akullit të zi, pasi nëntë fëmijë u plagosën në një përplasje midis një autobusi shkolle dhe një autobusi në Reading.

”Goretti”, i emëruar nga parashikuesit francezë, ka të ngjarë t’i nënshtrohet “ciklogjenezës shpërthyese” – e njohur edhe si “bombë moti”.

Termi ciklogjenezë shpërthyese përdoret kur presioni qendror bie me 1,0 milibar (mb) në orë gjatë një periudhe 24-orëshe.

Në përgjithësi rezulton në shpërthime veçanërisht të fuqishme të erës gjatë një periudhe prej disa orësh.

Dëbora dhe kushtet e akullta kanë shkaktuar gjithashtu kaos të përhapur në udhëtime në të gjithë Evropën, me mijëra njerëz të bllokuar në aeroportet në Paris dhe Amsterdam pasi fluturimet u anuluan.

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur në incidente të lidhura me motin në të gjithë Evropën këtë javë – pesë në Francë dhe një në Bosnjë-Hercegovinë.

Vjosa në nivel kritik, përmbyten rreth 200 hektarë tokë bujqësore në qarkun Fier

By: Fax Web
8 January 2026 at 08:02

Në qarkun e Fierit situata paraqitet shqetësuese si pasojë e rritjes së vazhdueshme të niveleve të lumenjve, veçanërisht lumit Vjosë, i cili ka arritur në pikën kritike.

Sipas informacionit zyrtar, akset rrugore në të gjithë qarkun janë aktualisht të aksesueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje të plota.

Hidrovorët ndodhen në gatishmëri pune për të përballuar situatën.

Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje, ndërsa situata më problematike paraqitet në lumin Vjosë. Në Urën e Mifolit, prurjet kanë kaluar mbi pikat e matjes, duke arritur nivelin kritik buzë më buzë përgjatë argjinaturës.

Si pasojë e prurjeve të larta, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave. Gjithashtu, raportohet për prezencë të lartë uji në 27 banesa në zonën Ferras–Cerven, të cilat ndodhen brenda sistemit mbrojtës të argjinaturës.

Probleme janë konstatuar edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, Njësia Administrative Frakull, prej nga realizohet furnizimi me ujë i qytetit të Fierit. Si masë paraprake, Ujësjellësi i Fierit ka stakuar disa nga pompat në puset pranë lumit Vjosë dhe po operon me kapacitet të reduktuar nga puse më të largëta, çka ka sjellë furnizim me ujë të kufizuar dhe me grafik për qytetin.

Të dhënat e marra nga pika e matjes në Urën e Memaliajt tregojnë për përkeqësim të mëtejshëm të situatës në orët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.

Situata po monitorohet në terren nga Institucioni i Prefektit dhe strukturat e Bashkisë Fier, të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të agravimit të mëtejshëm.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

GOLAT/ Inter nuk toleron! Mposht Parmën në transfertë dhe ruan kreun e Serie A

By: Fax Web
7 January 2026 at 23:00

Inter nuk fal as në javën e 19 të Serie A duke fituar 2-0 në fushën e Parmës.

Ndeshja u zhvillua nën mjegull të dendur në “Tardini”, por zikaltrit nuk u trembën nga kushte atmosferike.

Golin e parë e realizoi Dimarco në minutën e 42-t, me një të djathtë të saktë pranë shtyllës pas një këndi pothuajse të pamundur.

Para këtij momenti, dy raste të forta për Parmën u ndalën nga shtylla: një goditje e Bisseck dhe më pas nga Ondrejka, duke treguar se vendasit nuk ishin larg golit.

Në pjesën e dytë, Sucic humbi një mundësi të qartë për dyfishimin e rezultatit, por Interi kontrolloi lojën dhe në minutën e 98-të Thuram vulosi fitoren me golin e dytë.

Kjo fitore i jep Interit 42 pikë në tabelë, duke i dhënë avantazh prej katër pikësh mbi Napolin dhe Milanin, me ‘Djallin; që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e javës.

Yesterday — 7 January 2026Main stream

VIDEO/ Gjysmëfinalja e Superkupës si stërvitje, Barça “manita” Bilbaos

By: Fax Web
7 January 2026 at 22:06

Barcelona e kthen në një seancë stërvitore ndeshjen gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës me Athletic Bilbao.

Në Jeddah të Arabisë Saudite, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick e shkatërroi atë baske me rezultatin 5-0 për të kaluar në finalen e kompeticionit me synimin për të fituar trofeun për herë të 16 në historinë e saj.

Ishte një ndeshje e dominuar nga Barcelona, që e vulosi fatin e saj praktikisht që në pjesën e parë të cilën e mbylli me rezultatin 4-0.

Festivali i golave për Barcelonën nisi në minutën e 22 me golin e Ferran Torres. Pas këtij momenti, skuadra katalanase nuk pati më mëshirë për Athletic Bilbaon teksa në minutën e 30 dyfishoi shifrat me Fermin Lopez. La gjurmën e tij në këtë ndeshje edhe Roony Bardghji që e çoi rezultatin në 3-0 në minutën e 34.

Por Barcelona nuk e la me kaq pasi 4 minuta më vonë Raphinha shënoi edhe golin e katërt për blaugranat.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër gol për Barcelonën që plotësoi manitën për rezultatin 5-0 pikërisht me Raphinhan që në këtë mënyrë plotësoi dygolëshin e tij personal. Në minutat në vazhdim, Barcelona arriti të menaxhojë me shumë lehtësi ndeshjen të cilën arriti ta mbylle me rezultatin 5-0 duke u bërë skuadra e parë finaliste e Superkupës së Spanjës.

Barcelona pret në finale fituesin e gjysmëfinales tjetër që do të dalë nga derbi i Madridit mes Realit dhe Atleticos.

VIDEO/ Hap fals i Napolit, ndalet në shtëpi nga Verona

By: Fax Web
7 January 2026 at 21:00

Napoli ka hedhur një hap të gabuar në luftën për titullin kampion, teksa është ndalur në shtëpi në një barazim 2-2 nga Verona.

Verona bëri surprizën e madhe në pjesën e parë duke shënuar me një gol me finte të Frese dhe më pas me penalltinë e Orban.

Por Napoli u kthye me vrull në pjesën e dytë dhe pasi shkurtoi diferencën me të zakonshmin MekTominej, sulmoi me ngulm derisa gjeti barazimin me Di Lorencon, për të marrë të paktën një pikë.

Me këtë pikë, Napoli arrin në kuotën e 38 pikëve, aq sa edhe Milan dhe një pikë më pak se Interi, me të dyja skuadrat që kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.

Rritet niveli i Lanës, Bashkia në gatishmëri për ndërhyrje në rast emergjence

By: Fax Web
7 January 2026 at 20:41

Reshjet e dendura dhe të pandërprera të shiut kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumin Lana në Tiranë, duke krijuar rrezik për dalje nga shtrati, veçanërisht në zonën e Pallatit me Shigjeta.

Lajmin e ka bërë të ditur Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh dhe drejtues politik i PS në Njësinë 5 në kryeqytet, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se ekipet e Bashkisë së Tiranës ndodhen në terren dhe po ndjekin nga afër situatën.

Reshjet e dendura dhe të pandërprera të shiut kanë rritur nivelin e ujit në lumin Lana,Tiranë. 

Ekipet e Bashkisë nën drejtimin e nënkryetarit Ilir Mëngra ndodhen në terren në afërsi të pallatit me shigjeta për të ndjekur çdo situatë që mund të krijohet nga rritja e mëtejshme e nivelit”, shkruan Balla.

Aktualisht, Lana ka arritur deri në pjesën e lulishtes, ndërsa ekziston rreziku që uji të dalë edhe në rrugë, nëse reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet. Autoritetet po mbajnë situatën nën kontroll dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast emergjence.

Kjo zonë është dhe pika më vulnerabël Lanës pasi në këtë segment pranë Pallatit me Shigjeta edhe ka dalë disa herë nga shtrati në vitet e kaluara, gjatë episodeve me reshje intensive shiu.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin vetëm informacionet zyrtare deri në përmirësimin e situatës.

VIDEO/ Operacioni për emigrantët, oficeri i ICE qëllon për vdekje 37-vjeçaren

By: Fax Web
7 January 2026 at 20:14

Një 37-vjeçare u qëllua për vdekje nga një oficer i Emigracionit (ICE) në Minneapolis, SHBA.

Një zëdhënës i Department of Homeland Security tha se “një nga protestueset e dhunshme përdori automjetin e saj si armë” dhe tentoi të përplaste forcat e zbatimit të ligjit.

Protestuesit janë në vendin e ngjarjes, me video që tregojnë pak zemërim ndaj agjentëve federalë.

Zyrtarët në Minneapolis do të mbajnë një konferencë për shtyp së shpejti – qëndroni me ne.

Incidenti vjen në mes të vendosjes në shkallë më të gjerë të agjentëve të zbatimit të ligjit për emigracionin në kryeqytetin e shtetit të Minesotës që nga fillimi i administratës së dytë Trump.

Nga marka, kambio, lënda djegëse dhe deri tek vendi i origjinës së makinës, çfarë preferojnë shqiptarët?

By: Fax Web
7 January 2026 at 20:10

“Scan Intel” ka përpunuar me imtësi të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) sa i përket mjeteteve të reja të regjistruara duke i dhënë përgjigje shumë pyetjeve, si psh: Cilat janë tendencat e fundit? Cila është marka e preferuar e shqiptarëve për autovetura? A parapëlqejë shqiptarët më shumë autovetura me kambio automatike apo manuale? Po ndër lëndët djegëse cilën duan? Kur është peridhudha e preferuar për të blerë një makinë? Le ti marrim me radhë.

Përgjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej rreth 98 mijë e 900 automjete, ku mbi 80 mijë prej tyre janë autovetura.  Vlerësohen po ashtu rreth 33 lloje mjetesh dhe 721 marka të ndryshme të regjistruara në vitin 2025.

Ndërkohë, deri në fund të vitit që lamë pas në Shqipëri janë gjithsej rreth 1 milionë mjete dhe mbi 847 mijë autovetura. Kjo shifër e vendosur përballë numrit të familjeve nxjerr në pah një fakt domethënës, mesatarisht çdo familje shqiptare zotëron të paktën një makinë, me një raport prej 1.07 autovetura çdo për familje.

Korriku, muaji i preferuar për të blerë makinë

Muajt e verës duket se kanë shënuar edhe nivelin më të lartë të regjistrimeve, ku veçojmë Korrikun me 10 mijë mjete të regjistruara, pasuar nga Qershori me afërsisht 9,400.

Duket se Mercedes-i” nuk do të jetë për shumë gjatë më mbreti i rrugës.

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se Volkswagen ka patur numrin më të lartë të regjistrimeve me rreth 18,000 mjete. Mercedezi renditet i dyti pasuar nga Audi, Hyundai, Toyota dhe BYD.

Automat apo manual? Shqiptarët nuk kanë më dyshime

Ndërkohë që në total, autoveturat me kambio manuale janë më shumë se e ato me kambio automatike apo gjysëm automatike, gjatë viteve të fundit, tendenca ka ndryshuar. Të dhënat e 2025-ës, nga drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) tregojnë se numri i mjeteve të regjistruara për herë të parë sipas kambios është në favor të automjeteve me kambio automatike.

Raporti fiksohet në rreth 71%, ndërkohë pesha e mjeteve të regjistruara për herë të parë me kambio manual fiksohet në rreth 29%. Ky hendek duket se jo vetëm po ngushtohet, por do të kalojë në kah të kundërt, duke para ecurinë e viteve të fundit.

Naftë, benzinë, gaz apo elektrike?

Gjatë vitit të kaluar, pjesa dërrmuese e automjeteve të regjistruara, kishin motor me naftë, më saktësisht 60% e totalit. Makinat me benzinë ndërkohë zënë 25 % të totalit të automjeteve të regjistruara në të gjitha drejtoritë rajonale të transportit rrugor gjatë vitit 2025. Rreth 5% ndërkohë janë autoveturat të cilat përdorin kombinimin me gaz dhe benzin, ndërkohë që makinat elektrike zënë rreth 6% të totalit.

Referuar shifrave, rreth 6 mijë automjete elektrike janë regjistruar në vitin që lamë pas. Muaji Dhjetor ka patur volumin më të lartë me 875 regjistrime, pasuar nga Qershori me 658 mjete elektrike.

Çfarë vit prodhimi ishin autoveturat e regjistruara përgjatë vitit 2025?

Numrat thonë se rreth 55.2% e tyre janë prodhuar në 8-15 vitet e fundit, ndërkohë rreth 24.7% janë prodhuar para 15-të viteve. Ndërkohë, automjetet e regjistruara me vit prodhimi nga 0 deri në 4 vite kanë një peshë prej 14.9% ndaj totalit.

Origjina

Të dhënat për mjetet e regjistruara në vitin 2025 sipas shtetit të origjinës tregojnë një dominim të qartë të Koresë së Jugut, e cila zë pjesën më të madhe të totalit me 21.4%, duke u renditur si burimi kryesor i mjeteve. Pas saj vijnë Gjermania dhe Italia me përqindje pothuajse të barabarta, përkatësisht 15.7% dhe 15.2%, çka dëshmon për një prani të fortë të industrisë europiane të automjeteve. Kina përfaqëson 9.2% të regjistrimeve, duke reflektuar rritjen graduale të mjeteve me origjinë aziatike, ndërsa Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara kontribuojnë me rreth 8% secila. Kanadaja ka një peshë më të kufizuar me 4.4%.

“I forti i Elbasanit” del para gjyqit/ Media belge: Figurë kyçe e mafies së drogës, dosja e mbushur me vrasje me pagesë

By: Fax Web
7 January 2026 at 20:01

Nga Chris Verhaeghe – NIEWSBLAD

Të enjten, para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Bruksel, nis procesi kundër një figure kyçe të mafies shqiptare të drogës.

Franc Gergely Çopja (33 vjeç) del në gjyq së bashku me tetë persona të tjerë për vrasjen me gjakftohtësi të Ardit Spahiut, i cili u qëllua për vdekje në mes të ditës në Sint-Jans-Molenbeek me pistoleta gjysmë-automatike.

Viktima 38-vjeçare u sulmua më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet.

LEXO EDHEMedia belge zbardh skemën e vrasjes së shqiptarit/ U tradhtua nga një shok, Franc Çopja festoi ekzekutimin

Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Autorët qëlluan të paktën 17 herë, nga të cilat 11 plumba goditën trupin e Spahiut.

Klanet rivale

Ardit Spahiu nuk ishte i panjohur për botën e krimit. Ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe në vitin 2010 u arrestua nën dyshimin për përfshirje në një vrasje në qytetin e tij të lindjes, Elbasan. Spahiu i përkiste klanit Alibej, i cili prej vitesh ishte në konflikt me klanin rival Çopja.

Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua. Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve.

Thyerja e SKY ECC

Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja. Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.

Gergely është krimineli i parë i drogës që është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë. Ai ndodhet në paraburgim në Belgjikë që nga fundi i vitit 2023 dhe dyshohet se ka dhënë urdhrin për vrasjen e Ardit Spahiut.

Juria e procesit u përzgjodh të hënën. Të enjten procesi nis zyrtarisht me leximin e aktakuzës, e cila përbëhet nga plot 204 faqe.

Groenlanda, Rubio: Do e blejmë, nuk do e pushtojmë

By: Fax Web
7 January 2026 at 19:14

Europa është vënë në lëvizje pas deklaratave të Donald Trump se ai kërkon që të bëjë Groenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara. Franca po punon me aleatët për një përgjigje në rast se Uashingtoni zbaton kërcënimin për të pushtuar Groenlandën.

Ministri i Jashtëm i Francës, Zhan Noël Barro, tha se ai dhe homologët e tij nga Polonia dhe Gjermania do të koordinohen për veprimet që do të ndërmarrin.

Diplomati francez mbajti më herët një telefonatë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, I cili përjashtoi mundësinë e një pushtimi.

Rubio gjithashtu raportohet t’u ketë thënë ligjvënësve në një takim me dyer të mbyllura, se kërcënimet e fundit të administratës kundër Groenlandës nuk sinjalizojnë një pushtim të afërt dhe se qëllimi është blerja e ishullit nga Danimarka.

Nuk është e qartë nëse Rubio thjesht po tentonte të qetësonte ligjvënësit, por administrata Trump ka sinjalizuar prej kohësh se ka kërkuar të bindë Danimarkën të dorëzojë kontrollin e Grenlandës, ishullit më të madh në botë. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë thonë se nuk kanë parë shenja se Shtëpia e Bardhë po përgatit një pushtim ushtarak të Grenlandës.

Kreytari I republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Johnson, një nga mbështetësit më të vendosur të Donald Trump, reagoi gjithashtu për zhvillimet e fundit, dhe tha se veprimet ushtarake në Groenlandë do të ishin të papërshtatshme.

Trump ka përsëritur ditët e fundit se dëshiron të fitojë kontrollin e Grenlandës, një ide e shprehur për herë të parë në vitin 2019 gjatë presidencës së tij të parë. Ai ka argumentuar se është çelësi për ushtrinë amerikane dhe se Danimarka nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur atë.

Groenlanda nuk është një anëtare e pavarur e NATO, por mbrohet nga anëtarësimi i Danimarkës në aleancën veriatlantike.

Disa vende në të gjithë Evropën kanë shprehur mbështetje për Groenlandën dhe Danimarkën pas kërcënimeve të vazhdueshme të Donald Trump për të aneksuar territorin.

Udhëheqësit evropianë, përfshirë Keir Starmer dhe Emmanuel Macron, lëshuan një deklaratë të përbashkët duke thënë se Groenlanda i përket popullit të saj.

ARRSH në terren, Kozeli: Kapacitete maksimale për të garantuar qarkullimin pa problematika të mjeteve

By: Fax Web
7 January 2026 at 19:11

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) vijon të jetë në terren në të gjithë vendin për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq, reshjet e dendura dhe temperaturat e ulëta, ndërsa drejtori i përgjithshëm i institucionit, Ami Kozeli, ka zhvilluar sot në 7 janar 2025 një inspektim në zonën e Qafë Thorës, një nga akset më të ndjeshme gjatë kushteve të vështira atmosferike.

Gjatë inspektimit, drejtori Kozeli u njoh nga afër me situatën në terren, ku si pasojë e reshjeve të vazhdueshme janë krijuar prezencë balte dhe grumbullime inertesh në disa segmente të rrugës.

Ai theksoi se këto janë fenomene të pashmangshme në kushte moti ekstrem, por se strukturat janë të angazhuara për t’i menaxhuar ato në kohë sa më të shpejtë.

“Ka pasur baltë dhe ky është një fenomen që nuk shmanget dot, sepse moti ka qenë i keq kohët e fundit”, u shpreh Kozeli, duke shtuar se ndërhyrjet po kryhen pa ndërprerje për pastrimin e rrugës dhe ruajtjen e sigurisë së qarkullimit.

Ai shprehu gjithashtu falënderime për kompanitë nënkontraktore që kanë në ngarkim mirëmbajtjen e akseve rrugore, duke theksuar rolin e tyre në përballimin e situatave emergjente gjatë dimrit.

“Falenderoj nënkontraktorët që po bëjnë mirëmbajtjen e akseve”, u shpreh Kozeli, ndërsa theksoi se bashkëpunimi mes ARRSH-së dhe kompanive të mirëmbajtjes është thelbësor për reagim të shpejtë në rast rrëshqitjesh, grumbullimi inertesh apo probleme të tjera që mund të vijnë si pasojë e reshjeve.

Sipas drejtuesit të ARRSH-së, pavarësisht kushteve të vështira të motit, aktualisht i gjithë rrjeti rrugor kombëtar mbetet i qarkullueshëm dhe nuk ka bllokime të akseve kryesore.

“Gjithë rrjeti që është në ngarkim të ARRSh është i qarkullueshëm dhe nuk është gjë e lehtë në kushte ekstreme moti, që po kalon vendi”, theksoi ai, duke shtuar se monitorimi i akseve vijon pa ndërprerje, veçanërisht në zonat malore dhe në segmentet e njohura për problematika gjatë reshjeve.

Autoritetet rrugore kanë bërë njëkohësisht thirrje për drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, sidomos në zonat me kthesa, pjerrësi dhe në akset ku mund të ketë lagështi, baltë apo ngrica.

ARRSh u rekomandon shoferëve të udhëtojnë me shpejtësi të reduktuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të pajisin automjetet me goma dimërore, për të shmangur aksidentet dhe për të mos penguar ndërhyrjet e mjeteve të mirëmbajtjes në rast emergjencash.

“Mirupafshim Shqipëri”, shkrimtarja reagon pas zërave për “kryeministre teknike”: llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve t’i kam lënë…

By: Fax Web
7 January 2026 at 19:05

Shkrimtarja Lea Ypi shkakton debat sa herë vjen në Shqipëri.

E njëjta gjë ndodhi edhe këtë here ku më shumë se sa deklaratat e saj, prezenca në mjediset publike të Tiranës prodhoi debat.

Pasi u përfol si një emër i mundshëm për kryeministre të një qeverie të mundshme teknike në të ardhmen, u komentua nga lideri i opozitës Sali Berisha, i cili gjithsesi nuk e hodhi poshtë si opsion, ajo ka reaguar në një postim në Facebook ku në fund të shkrimit thotë se “çfarë i ka lënë në derë Shqipërisë”, e çfarë ka zgjedhur të marrë me vete.

Reagimi i plotë:

Mirupafshim Shqipëri.

Llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve biografike, ideologjike, gjeopolitike, sociale, materiale e sa e sa të tjera më kanë dëgjuar veshët e parë sytë për veten këto ditë, ti kam lënë në derë.

Në fund të fundit hiçi dixhital e mediatik mbi diçka duhet ngritur që atij grushti logosh ku tek asgjëja çlirohet vetmia, trishtimi, mllefi, dështimi, varfëria e mendimit, shfrytëzimi, paburrëria, ti mbushet mendja se mbase diçka është.

Por emocionet e takimeve të këtyre ditëve me qindra njerëz të vërtetë, lexues të gjithfarë brezave, bindjesh politike, përvojash historike, me aq shumë pyetje, vërejtje, komente, kritika, fjalë nxitëse, të rinj e të reja me guxim për tu parë në sy e për tu përballur pa u fshehur në lloj lloj pseudonimesh e maska karnavalesh, shkëmbimet tona rreth fateve të botës e të këtij katundit tonë, skutave të historisë, dritës që hedh arti në kërkim të së vërtetës – të gjitha këto i mbaj me vete.

Kam përshtypjen se bota sot i ngjan labirintit të minotaurit ku gjithkush kërkon shpëtim nga përbindëshat e dukshëm e të padukshëm. Ndoshta secili nga ne e mban në dorë një pjesë nga filli i Ariadnes, mjafton që duart të bashkohen dhe njerëzit të rigjejnë kuptimin e të qenit njeri.

Faleminderit të gjithë atyre që në këtë skutën shqiptare të labirintit shtrënguan dorën time.

Gazetari i njohur propozohet për Komitetin Ekzekutiv në FSHF

By: Fax Web
7 January 2026 at 18:59

Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër zhvilloi sot Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore 2026, ku morën pjesë 19 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 27 delegatë.

Pika kryesore e rendit të ditës ishte zgjedhja e kryetarit të SHRF Shkodër për katërvjeçarin e ardhshëm.

Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor, deklaroi se ishte paraqitur vetëm një kandidaturë, kërkesa për rikandidim nga Lazer Matija, i propozuar nga 17 anëtarë të shoqatës.

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore, me unanimitet të plotë, vendosi të rizgjedhë z. Lazer Matija si Kryetar i SHRF Shkodër për një mandat katërvjeçar.

Në fjalën pas rizgjidhjes, Lazer Matija i falënderoi të gjithë për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet zhvillimi i futbollit, mbështetja e klubeve, forcimi i strukturave dhe krijimi i mundësive sa më të mira për talentet e rinj.

“Dua t’ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë për besimin dhe mbështetjen që më keni dhënë duke më rizgjedhur si Kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër. Mandati i ri përfaqëson një përgjegjësi të madhe, por po aq edhe një mundësi të çmuar për të vazhduar punën tonë drejt përparimit dhe forcimit të futbollit rajonal.

Jam plotësisht i vetëdijshëm për peshën e këtij posti dhe angazhimi im do të jetë i palëkundur, të punoj me transparencë, me profesionalizëm dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha klubet, akademitë dhe anëtarët e shoqatës. Besoj fort se së bashku do të përballojmë çdo sfidë dhe do të arrijmë objektivat tona.

Prioritet do të mbeten zhvillimi i futbollit, mbështetja e klubeve, forcimi i strukturave tona dhe krijimi i mundësive të reja për talentet e rinj që përfaqësojnë të ardhmen e sportit në rajonin tonë”, – tha Lazer Matija.

Gjatë punimeve të asamblesë u miratuan raporti i aktivitetit të shoqatës, pasqyrat financiare dhe buxheti i vitit 2026. U zgjodhën gjithashtu delegatët që do të përfaqësojnë SHRF Shkodër në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së: kryetari Lazer Matija dhe Alfred Pjetri.

Anëtarët e shoqatës propozuan z. Armand Duka si kandidat për President të FSHF-së, i cili u votua unanimisht, ndërsa për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së u votua gazetari i njohur dhe autori e drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu.

Ligj i posaçëm për filtrimin e investimeve të huaja, reagon  Dhoma Amerikane e Tregtisë

By: Fax Web
7 January 2026 at 18:50

Projektvendimi i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores mbi procedurat për vlerësimin dhe shqyrtimin e investimeve të huaja direkte që lidhen me ose ndikojnë në infrastrukturën publike kritike, teknologjitë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacion të ndjeshëm apo lirinë e medias”, i nxjerrë për konsultim publik, ka marrë vëmendjen e plotë të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Sipas një deklarate të Amcham, projektvendimi, i cili synon të skanojë investimet e huaja që targetojnë sektorët strategjikë me qëllim garantimin e sigurisë kombëtare, vlerësohet me rëndësi të veçantë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, duke qenë se misioni i saj kryesor është nxitja e investimeve të huaja, veçanërisht atyre amerikane.

Ndërsa ekziston dakordësi në parim për nevojën urgjente të vendosjes së një mekanizmi filtrimi të kapitalit të huaj, AmCham thekson se Shqipëria duhet ta zhvillojë këtë proces përmes një ligji të qartë dhe gjithëpërfshirës, i cili të mbrojë sigurinë kombëtare dhe njëkohësisht të garantojë qartësi dhe parashikueshmëri për investitorët lidhur me kriteret që duhet të përmbushin.

Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, miratimi i një ligji të posaçëm, dhe jo vetëm i një akti nënligjor, është i domosdoshëm për të harmonizuar kuadrin ligjor të vendit me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe për të siguruar një zbatim të balancuar dhe proporcional të mekanizmit të skanimit të investimeve.

Duke vendosur në ekuilibër mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe nevojën për të tërhequr kapital të huaj në ekonomi, AmCham vlerëson se siguria mund të garantohet përmes një kuadri ligjor që rrit përgjegjshmërinë e investitorëve për origjinën e fondeve të tyre, ndërkohë që mbështet iniciativat investuese përmes transparencës dhe sigurisë juridike.

Reshjet e dendura të shiut, lumi Lana shumë pranë daljes nga shtrati

By: Fax Web
7 January 2026 at 18:45

Reshjet e dendura të shiut ka shkaktuar përmbytje të rënda në të gjithë vendin, duke paralizuar rrugë, përmbytje banesash dhe dëme të shumta në infrastrukturë.

Ndërkohë, në Tiranë, lumi Lana është fryrë tej mase dhe rrezikon që të dalë nga shtrati.

Situata më problematike paraqitet në zonën e “Pallatit me Shigjeta”.

Tirana ka qenë qarku më i qetë ditët e fundit, ndërsa mbrëmjen e sotme dhe ditën e nesërme, sipas IGJO, priten sërish reshje intesive.

LEXO EDHE: Sot dhe nesër reshje intensive në të gjithë vendin, IGJEO: Zonat më të rrezikuara

Sot dhe nesër reshje intensive në të gjithë vendin, IGJEO: Zonat më të rrezikuara

By: Fax Web
7 January 2026 at 20:47

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 07) dhe nesër (e enjte, dt. 08) pritenreshje intensive në të gjithë vendin.

Në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshkitje të dherave.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte 8 Janar, do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Seman, Shkumbin.

Rrezik të shtuar përpërmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme do të ketë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës.

Reshjet

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 07) dhe nesër (e enjte, dt. 08) në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarkun Kukës priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata. Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 500 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

Temperatura

Nesër (e enjte, dt. 08) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 5 / 10 °C

në vendet e ulëta: 0 / 9 °C

në vendetmalore:  -5 / 4 °C

Era

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 07) dhenesër (e enjte, dt. 08) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.

Dëshmia e banorit/ Shtëpi të përmbytura dhe bagëti të ngordhura në Fushë Kuqe, institucionet zhduken

By: Fax Web
7 January 2026 at 18:36

Fushë Kuqe po përballet me një situatë dramatike për shkak të përmbytjeve, ndërsa banorët denoncojnë mungesë totale të ndihmës institucionale. Shtëpia e zotit Agim Shaptej është e izoluar plotësisht nga uji, pa asnjë ndërhyrje apo mbështetje nga Bashkia Kurbin.

Sipas banorit, uji ka hyrë brenda banesës, duke shkaktuar dëme të rënda materiale, ndërsa disa krerë bagëti kanë ngordhur.

Situata paraqet rrezik serioz për jetën e familjes, e cila është lënë në mëshirë të fatit.

Kjo nuk është një fatkeqësi natyrore, por një dështim i plotë i menaxhimit të përmbytjeve”, shprehet banori, duke theksuar se mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve dhe reagimit të institucioneve ka përkeqësuar situatën.

Në terren ka qenë edhe deputetja Elda Hoti, e cila ka dëgjuar nga afër shqetësimet e banorëve dhe ka denoncuar publikisht mungesën e institucioneve lokale.

Sipas Hotit, autoritetet janë zhdukur pikërisht në momentin kur qytetarët kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe ndërhyrje urgjente.

Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga Bashkia Kurbin dhe institucionet përgjegjëse, për evakuim, ndihmë emergjente dhe zgjidhje afatgjata për të shmangur përsëritjen e këtyre situatave.

LEXO EDHESot dhe nesër reshje intensive në të gjithë vendin, IGJEO: Zonat më të rrezikuara

SHBA sekuestron cisternën e naftës me flamur rus, reagon Moska: Askush s’ka të drejtë të…

By: Fax Web
7 January 2026 at 18:29

Forcat amerikane njoftuan të mërkurën se kanë sekuestruar në Oqeanin Atlantik të Veriut tankerin e naftës me flamur rus Marinera, i njohur më parë si M/V Bella 1, për “shkelje të sanksioneve të ShBA-së”.

Sipas njoftimit, sekuestrimi u koordinua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Mbrojtjes, dhe u bë publik përmes X.

Operacioni u krye “në bazë të një urdhri të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane, pasi anija ishte ndjekur nga USCGC Munro (anije e Rojës Bregdetare të ShBA-së)”, thuhet në deklaratë.

“Bllokada e naftës venezueliane të sanksionuar dhe të paligjshme mbetet plotësisht në fuqi, kudo në botë”, deklaroi shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.

Sipas njoftimit, operacioni është pjesë e përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për t’i goditur anijet që “kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e Hemisferës Perëndimore”, në kuadër të zbatimit të sanksioneve ndaj dërgesave të naftës.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, tha se si Bella 1 ashtu edhe Sophia, një tjetër tanker i ndaluar të mërkurën nga ShBA-ja, “ishin ose të ankoruara së fundmi në Venezuelë, ose në rrugë drejt saj”.

“Kriminelët e botës janë paralajmëruar. Mund të vraponi, por nuk mund të fshiheni,” tha Noem, duke e quajtur ndryshimin e flamurit dhe emrit të Bella 1 “një përpjekje të dëshpëruar dhe të dështuar”.

Sipas The Wall Street Journal, ShBA-ja përdori avionë P-8 Poseidon dhe avionë luftarakë AC-130J për të asistuar në operacion.

Tankeri kishte refuzuar fillimisht një tentativë të Rojës Bregdetare për kontroll pranë Venezuelës në dhjetor, përpara se të “zhdukej” nga radarët duke fikur Sistemin Automatik të Identifikimit, duke ndryshuar emrin dhe duke u riregjistruar nën flamurin rus.

Moska reagoi duke dërguar një nëndetëse dhe mjete të tjera detare për të shoqëruar Marineran, sipas CBS News.

Ministria e Jashtme ruse deklaroi se anija “po lundronte në ujëra ndërkombëtare të Atlantikut të Veriut nën flamurin shtetëror të Federatës Ruse dhe në përputhje të plotë me normat e së drejtës ndërkombëtare detare”, duke paralajmëruar se po i kushtohej “vëmendje qartësisht joproporcionale”.

Uashingtoni e kishte sanksionuar anijen në vitin 2024 për përfshirje të dyshuar në transport të paligjshëm nafte të lidhur me naftë iraniane dhe entitete të tjera të sanksionuara. Anija ishte nisur për të ngarkuar naftë në Venezuelë kur Roja Bregdetare tentoi ta ndalonte, por ekuipazhi kreu një kthesë të menjëhershme dhe u largua drejt Atlantikut.

Venezuela i ka dënuar veprimet e ShBA-së duke i quajtur “pirateri ndërkombëtare”.

Operacioni vjen vetëm pak ditë pasi ShBA-ja kreu një operacion ushtarak në Venezuelë për kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.

Reshjet intensive vazhdojnë/ Tirana në kolaps nga trafiku,  ja rrugët më problematike

By: Fax Web
7 January 2026 at 18:15

Teksa shumë qarqe të vendit po përballen me reshje intensive shiu dhe përmbytje, kryeqyteti po përballet me trafik të rënduar.

E bllokuar plotësisht raportohet dytësorja e autostradës Durrës-Tiranë, por e rënduar paraqitet situata edhe në rrugët brenda qytetit.

Problematik është qarkullimi në Laprakë, te 21 Dhjetori, në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Edhe Rruga e Kavajës, zona e Ali Demit, Rruga e Dibrës, rruga “Xhanfize Keko” dhe ajo për në Tufinë janë bllokuara nga rradhë të gjata automjetesh.

I vështirë qarkullimi rrugor raportohet edhe në Unazën e Madhe.

LEXO EDHESot dhe nesër reshje intensive në të gjithë vendin, IGJEO: Zonat më të rrezikuara

❌
❌