Kanë kaluar 3 vite, por përjetimet e dhunës makabre që përjetoi në trup dhe në shpirt janë ende të freskëta për Afërditën. Ishte natë dhjetori, kur 49-vjeçarja nga Tirana u godit me thikë nga burri i saj. Shenjat e 20 plagëve në trup, i ka ende edhe sot.
“Gjithsej kam 20 thika në trup. Nuk e di si kam jetuar. Thikën e parë që kam ngrënë, i thash përse po më vret, që të paktën të kërkoj falje. Vetëm të dua të vdekur më ka thënë. Ai mendoi se kisha vdekur. Më ra të fikët, isha mbuluar me gjak. Mora shumë goditje në fytyrë, në qafë. Kam dëgjuar vetëm fjalët e ish-burrit; lamtumirë, shihemi në botën tjetër! I kam kërkuar vetëm pak ujë. Më tha, ti meriton të vdesësh. Mbylli derën dhe iku. Nuk ka zgjatur me sekonda e zvarritur, erdhën komshinjtë edhe vajza…..falë atyre jam gjallë”, tregon Afërdita.
Sa kohë keni qëndruar në spital nga ky episod dhune? Kam qenë në gjendje kome tre ditë, dhe 1 muaj në spital.
Plagët me thikë i sollën 49-vjeçares pasoja të parikuperueshme për shëndetin si dhe në gjendjen psikologjike.
“Në çdo moment unë kam frik të shoh gjak, kam frik nga një hija, kam frik nga një zhurmë në shtëpi, kam frikë nga gjithçka….më ka lënë pasoja. unë jam me paralizë në fytyrë. Jam e tronditur në kokë. Kam shumë plagë në dorë ku nuk mund të punoj, për momentin jam pa punë.”
Afërdita me ish-bashkëshortin u njohën në gjimnaz. Pas martesës sollën në jetë dy fëmijë. Në 33 vite, Afërdita thotë se jetën e ka kaluar mes dhunës fizike e psikologjike, për shkak të xhelozisë se bashkëshortit.
“Episodet e para kanë nisur që kur martova vajzën. Sepse djali ka ik shumë herët në kurbet. Kam 33 vite martesë, pas 18 vitesh nisi dhuna. Aty nisën konfliktet, pinte alkool. Filloi drogën. Shfaqi shenja xhelozie, për gjëra më të vogla. 2-3 herë më ditë episode dhune. Rrinim 24 orë bashkë dhe në darkë më thonte të kam parë këtu, të kam parë atje. Edhe një mesazh që do vinte në telefon, ai do e kontrollonte… Kam jetuar në ankth, kam jetuar në dhunë. Kam jetuar si mos më keq.”
– Në sytë e fëmijëve je dhunuar ndonjëherë?
– Po, jam dhunuar, në sytë e vajzës.
Në vitet e fundit çdo çast mendonte divorcin, por serish tërhiqej për të ruajtur familjen.
“Qaja gjithë natën dhe në mëngjes qeshja, që asnjë njeri mos ta kuptonte se jam dhunuar nga burri . Nuk doja që të përçaja fëmijët. Nuk doja që fëmijët ta urrenin, ata e kanë baba.”
– E kishe mbështetjen e familjes për divorcin?
– Familja ime ka dashur me vite që unë të ndahem, jo tani. Më kanë mbështetur nga të gjithë mënyrat. Që para 4 vitesh kur më godiste, më thonte motra, një ditë do na vij thirrja në telefon që ti ke vdekur. Ne e presim këtë lajm…
Afërdita thotë se shenjat e dhunës dhe njollat e gjakut në dysheme ishin kthyer në tmerr për fëmijët e saj.
“Absolutisht nuk duan t’ia dinë, a është gjallë apo ka vdekur. Unë prap vazhdoj t’ju them e keni baba, Zoti vendos drejtësi. Nuk mund ta harroj kurrë atë skenë më thotë djali, kur e kanë njoftuar se mami po lufton me vdekjen. Nuk ja fal kurrë më thotë, nëse është diçka që të thonë liroja litarin babait, unë do u thoja shtrëngoja dhe pak.”
Dhuna nuk e mposhti, përkundrazi e bëri më të fortë dhe luftarake për veten dhe dy fëmijët e saj. Megjithatë, ajo tregon edhe pengun e jetës.
“Tani më interesojnë vetëm dy fëmijët e mi. Më intereson vetja ime, dhe them kam bërë një gabim shumë të madh në jetë, kur unë se kam ngrit zërin më përpara. Këtë nuk ja fal vetes që arrita deri këtu. Fëmijët më thonë ku ke qenë më herët. Kam harruar të qesh.”
Sot, burri i saj po vuan dënimin në burg për dhunën e ushtruar ndaj Afërditës. Ndërsa ajo përpiqet të rindërtojë jetën dhe t’u japë mesazh grave të tjera:
“Jam grua më në fund, e pijë kafen e qetë. Mesazhi im për gratë e vajzat është kjo, unë e kam përjetuar dhe nuk ma mbush dot mendjen njeri që burrat duhen falur. Ju lutem mos falni dy herë një person. Mos jepni shans të dytë. Unë i kam dhënë shumë herë shans, dhe ja ku përfundova me 20 thika në trup.”
Kjo është historia e një gruaje që i mbijetoi dhunës ekstreme nga njeriu qe deshi dhe me te cilin ngriti familjen dhe ndërtoi jetën. Një histori që sfidon friken dhe dekurajimin dhe jep mesazhin e forcës dhe ringritjes për të gjitha gratë e dhunuara si Afërdita.