Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 15 January 2026Main stream

“Së shpejti edhe Klod Brahon”/Hakerimi i SPAK! U morën dosjet e Ahmetajn, Veliajt, Gjiknurit, Allajbeut dhe…

By: Fax Web
15 January 2026 at 21:45

Materiale hetimore dhe informacione rreth ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, Erjon Veliaj, Damian Gjknurit, Klodjan Allajbeu, fotografi me kallëpe floriri deri tek kontrolle në banesën e Franc Çopjas.

Këto janë disa nga shkresat e përftuara nga hakërimi i kompjuterëve të tre prokurorëve të SPAK.

Siç dëshmon i akuzuari Zambak Gjoni ju përcollën nga hakeruesi Arnold Rrokaj pak orë përpara se ndërhyrja të zbulohej për shkak se një gazetar, që ju përcollën dokumentet, informoi menjëherë ish-kreun e Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani.

Në dosjen e dorëzuar gjykatës, SPAK pretendon se hyrja e paautorizuar u krye në formën e grupit kriminal janë në akuzë Agim Ismailaj, Arnold Rrokaj dhe Zambak gjoni.

Ky i fundit rrëfen se miku i tij Rrokaj i kishte nisur në Whatsapp edhe letër porosi drejt Austrisë, por edhe një link që nuk hapej mbi bisedat e përftuara nga aplikacioni “SKY ECC”.

Gjoni insiston se i delegoi informacionet tek miq me të cilët fliste rreth aktualitetit në Shqipëri, një ndër ta edhe ish Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili.

Por SPAK e konsideron përfitimin e të dhënave si të koordinuar dhe për këtë sillet një bisedë ku kërkohen të dhëna edhe për Ulsi Manjën, për të cilin ish zyrtari i burgjeve përgjigjet, do ishte e hatashme.

Arnold Rrokaj ka insistuar se hyri në faqen e SPAK i shtyrë nga kurioziteti dhe se sipas tij duke provuar fjalëkalimet ka thyer e-mailet e tre prokurorëve që kishin e-mail me password “SPAK 2019”.

Por hakerimi mbeti vetëm te tre prokurorët ndërsa bie premtimi i hakeruesit që i shkruan Zambak Gjonit: “Shumë shpejt Klod Brahon”.

Sot, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.277/1/1 datë 02.07.2025 në ngarkim të të pandehurve:

Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Prokurori i çështjes në fjalë është Bledar Maksuti.

“Toyota Auris'”/ Gjykata e Lartë prish vendimin e Apelit të Posaçëm për ish-prokurorin e Vlorës

By: Fax Web
15 January 2026 at 21:20

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm për Aurel Zarkën, i cili ndryshe nga GJKKO, kërkonte rikualifikimin e veprës penale si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Gjykata ka dërguar çështjen për rishqyrtim me trup tjetër gjykues.

Sipas njoftimit, gjykata ka vendosur “Prishjen e vendimit nr.62 (87-2025-398) datë 12.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.”

Zarka bëri rekurs vendimin që i prishi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg në shkallë të parë duke kërkuar rëndim të veprës penale si grup i strukturuar kriminal, me argumentin se nuk mund t’ia rëndonte situatën penale.

Zarka u shpall fajtor për akuzat “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Për këto akuza, ai u dënua me 4 vite burg, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar, u përkthyen në 2 vite e 8 muaj. Ai është akuzuar gjithashtu për përdorimin e aplikacionit SkyECC.

“Toyota Auris”, u regjistrua si çështje penale pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Çani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri, ndërsa u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi.

Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2024, si rrjedhojë e të dhënave të përftuara nga aplikacioni Sky ECC, SPAK arrestoi prokurorin e Vlorës Aurel Zarka, avokatin Radovan Çela, Astrit Vladin, vëllain e Elvis Vladit dhe shpalli në kërkim hetuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Daupaj.

Katër të pandehurit dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste kanë ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë në 8 çështje penale, përfshirë gjykimin për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit.

“Kryeni sulm ndaj Iranit sepse…”/ Çfarë diskutuan në telefon Trump dhe Netanyahu 

By: Fax Web
15 January 2026 at 20:41

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka kërkuar personalisht presidentit amerikan Donald Trump që të shtyjë një sulm të mundshëm ushtarak të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë telefonike të mërkurën, në një moment kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur ndjeshëm për shkak të protestave masive anti-regjim në Iran dhe reagimit të ashpër të autoriteteve iraniane.

Po atë ditë, Presidenti Trump deklaroi se kishte marrë informacione nga “burime shumë të rëndësishme nga pala tjetër”, sipas të cilave Irani kishte ndaluar vrasjen e disidentëve dhe nuk kishte plane për ekzekutime.

Këto deklarata u interpretuan si një sinjal për uljen e tensioneve nga ana e SHBA-së dhe u shoqëruan me një vendim për të intensifikuar presionin diplomatik ndaj Teheranit, me qëllim ndalimin e shtypjes së protestuesve anti-regjim.

Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan është shprehur se Trump nuk i ka përjashtuar opsionet ushtarake që i janë paraqitur nga forcat e armatosura ditët e fundit.

Sipas tij, çdo vendim për një sulm të mundshëm do të varet nga hapat e mëtejshëm të shërbimeve të sigurisë iraniane dhe mënyra se si ato do të përballen me protestat masive në vend.

Superiorja/ Rihapet gara për titull. Si paraqitet situata pas javës së parë të 2026-ës

By: Fax Web
15 January 2026 at 20:35

Sot janë mbyllur ndeshjet e mbetura të javës së 19-të të Superiores, ku ndodhi një rezultat i rëndësishëm për Vora, që mundi Partizanin 1-0, ndërsa Teuta dhe Dinamo nuk arritën të shënojnë, duke barazuar 0-0.

Pas javës së 19-të, Egnatia vazhdon të udhëheqë kampionatin me 3 pikë përpara Elbasanit, që arriti të marrë vetëm një pikë këtë javë.

Rrogozhinasit, nga ana tjetër, pësuan një humbje, duke bërë që distanca mes dy skuadrave të rritet.

Në vendin e tretë dhe të katërt qëndrojnë Dinamo dhe Vllaznia, të cilat kanë nga 33 pikë secila.

Pas një barazimi të pashpresë me Teutën, Dinamo mbetet në vendin e tretë, ndërsa Vllaznia ka përmbushur pritshmëritë e saj deri tani. Teuta, që mbetet skuadra më e afërt për Final Four, është 7 pikë larg.

Në pjesën tjetër të renditjes, 5 ekipe janë të angazhuara në luftën për mbijetesë. Partizani, një nga ekipet më të njohura, është 5 pikë larg Bylisit, që mban vendin e tetë. Vora, me fitoren e sotme, ka ngritur moralin dhe është vetëm një pikë më poshtë Partizanit, në vendin e shtatë.

Flamurtari mban vendin e fundit me 15 pikë, ndërsa Tirana, e cila ka kaluar një periudhë të vështirë, gëzoi fitoren e saj të dytë të sezonit këtë javë, duke shtuar 3 pikë të rëndësishme për të shpëtuar nga zona e rrezikut.

REZULTATET:

E MËRKURË (14.01.2025)

Bylis 0-1 Tirana

AF Elbasani 1-1 Flamurtari

Vllaznia 1-0 Egnatia

E ENJTE (15.01.2025)

Partizani 0-1 Vora

Teuta 0-0 Dinamo

RENDITJA:

Pasaportat më të fuqishme në botë për vitin 2026, ja ku renditen Shqipëria dhe Kosova

By: Fax Web
15 January 2026 at 20:01

Në hartën globale të udhëtimit, ekziston një grup i vogël vendesh, pasaportat e të cilave ofrojnë privilegje dukshëm më të mëdha, duke lejuar udhëtimin jashtë vendit me kontrolle minimale, më pak pengesa burokratike dhe pritje më të shkurtra në kufi.

Sipas botimit të fundit të Indeksit të Pasaportave Henley , kryesimi i renditjes është kryesisht nga vendet aziatike . Singapori shfaqet i pari, ndërsa Japonia dhe Koreja e Jugut ndajnë vendin e dytë. Mbajtësit e pasaportave të Singaporit mund të udhëtojnë pa viza në 192 vende dhe territore.

Pas tyre vijnë Japonia dhe Koreja e Jugut, me qytetarët që kanë akses të lirë në 188 destinacione.

Metodologjia e indeksit lejon që më shumë se një vend të jetë në të njëjtin pozicion, për sa kohë që ato kanë të njëjtin numër destinacionesh pa viza.

Kështu, në vendin e tretë janë pesë vende evropiane: Danimarka, Luksemburgu, Spanja, Suedia dhe Zvicra, me akses në 186 vende. Vendi i katërt është gjithashtu ekskluzivisht evropian , me njëmbëdhjetë vende me 185 destinacione pa viza: Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia , Irlanda, Italia, Holanda dhe Norvegjia.

Në vendin e pestë, me udhëtim pa viza në 184 vende, janë Hungaria, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shqipëria renditet në vendin e 43-të, duke u mundësuar shtetasve të saj udhëtime në 121 destinacione pa procedura të ndërlikuara vizash. Ndërkohë, Kosova është në vendin e 49-të, me akses pa vizë ose me vizë në mbërritje në 81 destinacione të botës.

Emiratet e Bashkuara Arabe dallohen si vendi me përmirësimin më të madh në historinë 20-vjeçare të Indeksit të Pasaportave Henley . Që nga viti 2006, ai ka shtuar 149 destinacione të reja pa viza , duke fituar gjithsej 57 vende në renditjen globale.

Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Malta, Zelanda e Re dhe Polonia zënë vendin e gjashtë. Australia mbetet në vendin e shtatë, së bashku me Letoninë, Lihtenshtajnin dhe Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar ka rënien më të madhe vjetore në indeks , me qytetarët e saj që tani mund të udhëtojnë pa viza në 182 destinacione, tetë më pak se një vit më parë. Në vendin e tetë janë Kanadaja, Islanda dhe Lituania me 181 destinacione, ndërsa Malajzia vjen në vendin e nëntë me qasje në 180 vende.

Dhjetë vendet e para plotësohen nga Shtetet e Bashkuara , të cilat janë rikthyer në vendin e 10-të me një rezultat prej 179 , pasi ranë nga dhjetë vendet e para në fund të vitit 2025. SHBA-të ndjekin Mbretërinë e Bashkuar në rënien më të madhe vjetore, pasi kanë humbur qasjen pa viza në shtatë destinacione në 12 muajt e fundit.

 Lista e pasaportave më të fuqishme në botë për vitin 2026:

  1. Singapori (192 destinacione)
  2. Japonia, Koreja e Jugut (188)
  3. Danimarka, Luksemburgu, Spanja, Suedia, Zvicra (186)
  4. Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia , Irlanda, Italia, Holanda, Norvegjia (185)
  5. Hungaria, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe (184)
  6. Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Malta, Zelanda e Re, Polonia (183)
  7. Australia, Letonia, Lihtenshtajni, Mbretëria e Bashkuar (182)
  8. Kanadaja, Islanda, Lituania (181)
  9. Malajzia (180)
  10. Shtetet e Bashkuara (179)

E bujshme nga Spanja: Perez do rikthimin e Mourinhos te Real Madrid

By: Fax Web
15 January 2026 at 19:51

72 orët e fundit në kampin e Real Madrid kanë qenë një katastrofë e vërtetë.

Pas humbjes së finales së Superkupës me Barcelonën dhe shkarkimit të trajnerit Alonso, erdhi edhe befasia e radhës: eliminimi nga Kupa e Mbretit kundër Albacetes.

Aventura e Arbeloas në kampin madrilen nisi me një disfatë, që nuk e ndihmon aspak për pozitat e tij të brishta në krye të kampit “galaktik”.

Madje, pak orë pas turpërimit në Kupë kanë qarkulluar lajmet se Florentino Perez është duke menduar për një tjetër trajner te Reali.

Lajmi i bujshëm nga mediat spanjolle është që në listën e gjatë të dëshirave të presidentit të Realit është edhe një rikthim i Jose Mourinhos.

Perez mendon se portugezi është njeriu i duhur për të vendosur rregull në skuadër dhe për të menaxhuar yjet që ka në organikë.

Mourinho ka qenë më parë trajner i Real Madrid nga viti 2010 deri në vitin 2013, duke fituar 3 trofe, mes tyre edhe një titull kampion.

Kushtetuesja i jep të drejtë Berishës: Arresti shtëpiak, i tejzgjatur

By: Fax Web
15 January 2026 at 19:09

Gjykata Kushtetuese jep vendim për kërkesën e Sali Berishës mbi tre qëndrimet e gjykatave më të ulëta mbi masën e “arrestit shtëpiak”, duke i dhënë të drejtë ish-kryeministrit se kohëzgjatja e mbajtjes nën arrest shtëpiak ishte e tejzgjatur.

Vendimi është dhënë pa praninë e palëve.

Seanca ishte mbajtur me daten 17 dhjetor 2025

Çështja lidhet me qëndrimin e mbajtur nga avokatët e Berishës gjatë seancave të raportimit dymujor, ku ata kundërshtonin vazhdimisht kërkesën e SPAK, i cili insistonte në vijimin e masës së arrestit shtëpiak.

Siç dihet, në janar të vitit 2025, masa e arrestit shtëpiak ndaj ish-kryeministrit u ndryshua në “detyrim paraqitjeje”, vendim që tashmë gjen mbështetje edhe në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese.

“SEE NEWS”: SIGAL në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut në “Top 100” e Evropës Juglindore

By: Fax Web
15 January 2026 at 21:26

SEE News, South East Europe News, rrjeti profesional i lajmit të specializuar në analizë biznesi, raportime krahasuese dhe renditje mbi kompanitë, qeveritë dhe investimet rajonale në Evropën Juglindore, publikoi së fundmi edhe renditjen e kompanive më të mëdha në rajon për vitin 2024, në edicionin e tetëmbëdhjetë të saj.

Në “SEE TOP 100” për vitin 2024, ku renditen kompanitë, bankat dhe siguruesit më të mëdhenj të 11 shteteve të Evropës Juglindore, SIGAL Insurance Group përfaqësohet me të tre degët e sigurimeve në rajon, SIGAL në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut.

Dega e SIGAL në Shqipëri renditen në vendin nr. 51/100, e rritur me dy vende nga viti paraardhës, me 58.4 milionë euro prime të shkruara bruto, 4.19% rritje nga viti paraardhës dhe 4.1 milionë euro fitim, e rendit SIGAL në Shqipëri si kompaninë e parë të sigurimeve në vendin tonë.

Në Top 100-shen e siguruesve të 11 vendeve të Evropës Juglindore bën pjesë edhe SIGAL në Maqedoninë e Veriut, kompania radhitet në vendin nr. 81/100, e rritur me shtatë vende nga viti paraardhës. Ndërsa SIGAL në Kosovë radhitet në vendin nr. 92/100, duke ruajtur pozita të pandryshuara.

Kjo renditje konfirmon pozitat tërësore të SIGAL Insurance Group si kompania më e madhe e sigurimeve në rajonin Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut.

Balla kujton masakrën e Reçakut: Ndërsa komandantët e UÇK po mbahen padrejtësisht në Hagë, ekzekutorët dhe urdhëruesit vazhdojnë t’i shmangen drejtësisë

By: Fax Web
15 January 2026 at 18:55

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kujtuar masakrën e Reçakut përmes një reagimi në rrjetet sociale, në 27-vjetorin e një prej krimeve më të rënda të kryera nga forcat pushtuese serbe gjatë luftës në Kosovë.

Balla shkruan se 45 civilë shqiptarë u masakruan brutalisht në fshatin Reçak, duke theksuar se drejtësia për këtë krim dhe për masakrat e tjera ende mungon. Ai shprehet se, ndërsa komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë për akuza që i cilëson të pabazuara, ekzekutorët dhe urdhëruesit e masakrës vazhdojnë t’i shmangen ndëshkimit.

Në reagimin e tij, Balla nënvizon gjithashtu se dëshmitarët e masakrës së Reçakut dhe të krimeve të tjera po ndahen nga jeta pa parë drejtësinë të vihet në vend, duke e bërë edhe më të domosdoshme kujtesën kolektive dhe kërkesën për llogaridhënie.

“Kurrë mos harro Reçakun”, shkruan Balla, duke e cilësuar këtë masakër si simbol të dhimbjes dhe sakrificës së popullit shqiptar të Kosovës.

Masakra e Reçakut mbetet një nga ngjarjet që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe shërbeu si pikë kthese për ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.

Pozicioni vakant i Kryeinspektorit të Përgjithshëm/ VKM: Kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit

By: Fax Web
15 January 2026 at 18:44

Me dorëheqjen e Shkëlqim Hajdarit nga posti i Kryeinspektorit të Përgjithshëm dhe pas publikimit të lajmit se kryeministri Edi Rama kishte propozuar ish deputetin demokrat Dashnor Sula, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar në mbledhjen e sotme kriteret e veçanta dhe procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e inspektorit të përgjithshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës hap aplikimin brenda 15 ditëve nga krijimi i pozicionit vakant. Kandidatët dorëzojnë aplikimet e tyre dhe komisioni shqyrton dokumentacionin dhe zhvillon intervistat.

Më pas, komisioni harton listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar, të shoqëruar me renditjen sipas pikëve të grumbulluara, dhe ia paraqet sekretarit të Përgjithshëm të institucionit përgjegjës brenda 3 ditëve kalendarike nga përfundimi i procesit të vlerësimit.

Inspektori i Përgjithshëm emërohet në detyrë me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të titullarit të institucionit përgjegjës që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm.

LEXO EDHE: Emërohet Drejtor i ri i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe… Ja vendimet e sotme të qeverisë

VKM:

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË VEÇANTA DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRZGJEDHJEN, EMËRIMIN, VLERËSIMIN E REZULTATEVE NË PUNË, DISIPLINËN, LIRIMIN DHE SHKARKIMIN NGA DETYRA TË INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16, të  ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Ky vendim përcakton kriteret e veçanta dhe procedurat për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra të inspektorit të Përgjithshëm.

  1. KRITERET PËR PËRZGJEDHJEN DHE EMËRIMIN

Kandidati për inspektor të Përgjithshëm, krahas kritereve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 16, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, duhet të plotësojë edhe këto kritere të veçanta:

  1. a) Të ketë diplomë të nivelit “Master i Shkencave” ose “Master Profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” ose të barasvlershme me to;
  2. b) Të ketë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë pune në pozicione të larta drejtuese në institucione publike ose private.

III. PROCEDURA E PËRZGJEDHJES DHE EMËRIMIT

  1. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalenderike nga krijimi i pozicionit vakant të inspektorit të Përgjithshëm, sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, hap thirrjen për aplikim dhe ngre një komision ad hoc të përbërë nga:
  2. a) një përfaqësues nga institucioni që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm;
  3. b) një përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike;
  4. c) një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.

Njoftimi për aplikim publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në faqen zyrtare të institucionit përgjegjës dhe qëndron i hapur për një periudhë jo më pak se 7 (shtatë) ditë kalendarike.

Kandidati paraqet këto dokumente:

a) Kërkesën për aplikim;

b) Jetëshkrimin të përditësuar (CV);

c) Kopjen e diplomës dhe të listës së notave;

ç)  Dëshminë e përvojës profesionale;

d) Vetëdeklarimin për konfliktin e interesit dhe papajtueshmërinë sipas legjislacionit në fuqi;

dh) Kopjen e letërnjoftimit (ID);

e) Vërtetimin nga institucioni që nuk ka masë disiplinore në fuqi;

ë)  Vetëdeklarimin e gjendjes gjyqësore;

f) Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimimin shtesë, publikimet, angazhimet akademike apo të tjera, të përmendura në jetëshkrim.

  1. Komisioni ad hoc përfundon shqyrtimin e dokumentacionit dhe zhvillimin e intervistave me kandidatët, brenda një afati jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga data e përfundimit të afatit për dorëzimin e aplikimeve.
  2. Vlerësimi i kandidatëve bëhet në një total prej 100 pikësh dhe përbëhet nga:

a) Vlerësimi i dokumentacionit dhe i përvojës profesionale: deri në 60 pikë;

b) Intervista e strukturuar me gojë: deri në 40 pikë.

6. Vlerësimi i dokumentacionit dhe i përvojës profesionale deri në 60 pikë realizohet sipas skemës së mëposhtme:

a) Deri në 10 (dhjetë) pikë për tejkalim të nivelit të arsimit, sipas kritereve të mëposhtme:

5 pikë, për diplomë ekzekutive ose diplomë specializimi;

10 pikë, për gradë ose titull shkencor.

  1. Deri në 20 (njëzet) pikë për tejkalim të përvojës në punë si drejtues në institucione publike apo private, sipas kritereve të mëposhtme:
  2. 5 pikë, për 1 (një) vit përvojë shtesë;

iii. 10 pikë, për më shumë se 1 vit deri në 3 vjet përvojë shtesë;

iii. 20 pikë, për më shumë se 3 vjet përvojë shtesë.

c) Publikime, angazhime akademike: 10 pikë;

ç) Deri në 15 (pesëmbëdhjetë) pikë për trajnime ose kualifikime profesionale, sipas kritereve të mëposhtme:

  1. 5 pikë, për 1 (një) deri në 3 (tre) trajnime ose kualifikime profesionale;
  2. 10 pikë, për 3 (tre) deri në 5 (pesë) trajnime ose kualifikime profesionale;

iii. 15 pikë, për më shumë se 5 (pesë) trajnime ose kualifikime profesionale.

  1. d) Integriteti profesional në bazë të deklaratave, referencave dhe dokumentacionit plotësues: 5 pikë.
  2. Komisioni harton listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar, të shoqëruar me renditjen sipas pikëve të grumbulluara, dhe ia paraqet sekretarit të Përgjithshëm të institucionit përgjegjës brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga përfundimi i procesit të vlerësimit.
  3. Komisioni ad hoc funksionon në përputhje me këto rregulla:
  4. a) Mbledhjet janë të vlefshme kur marrin pjesë të gjithë anëtarët;
  5. b) Vendimmarrja bëhet me shumicë votash;
  6. c) Çdo anëtar nënshkruan një deklaratë mbi mungesën e konfliktit të interesit para fillimit të vlerësimit;

ç) Në rast mungese të një anëtari, zëvendësimi bëhet nga institucioni përkatës brenda 3 (tri) ditëve kalendarike.

Komisioni garanton barazi, objektivitet dhe transparencë gjatë gjithë procesit të vlerësimit.

Inspektori i Përgjithshëm emërohet në detyrë me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të titullarit të institucionit përgjegjës që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm.

MASAT DISIPLINORE DHE PROCEDURA DISIPLINORE

  1. Në rastet kur ka indicie të arsyeshme për shkelje disiplinore, sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, me iniciativë të tij ose pas informacionit zyrtar të ardhur nga institucione shtetërore, vendos fillimin e procedurës disiplinore dhe njofton me shkrim inspektorin e Përgjithshëm për shkeljen e dyshuar dhe për fillimin e hetimit administrativ.
  2. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës urdhëron ngritjen e një grupi të posaçëm për hetimin administrativ të inspektorit të Përgjithshëm, duke mbledhur prova, dëshmi, raportime dhe deklarata, sipas natyrës së shkeljes së pretenduar.
  3. Inspektori i Përgjithshëm ka këto të drejta:

 

a) Të paraqesë shpjegime me shkrim;

b) Të zhvillojë një dëgjesë me grupin e posaçëm, brenda një afati jo më të gjatë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga data e njoftimit;

c) Të përfaqësohet nga përfaqësues ligjor.

 

  1. Pas përfundimit të hetimit, grupi i posaçëm përgatit një raport përfundimtar, i cili i paraqitet sekretarit të Përgjithshëm brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të këtij hetimi.

 

  1. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, pas administrimit të raportit përfundimtar, i njofton titullarit të institucionit rezultatet e raportit të grupit të posaçëm.

 

  1. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, në rast të konstatimit të shkeljes dhe në varësi të rrethanave të konstatuara, i propozon titullarit të institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, një nga masat disiplinore të mëposhtme:

 

a) Vërejtje me shkrim;

b) Vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra;

c) Largim nga detyra.

Titullari i institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, merr vendim për dhënien e njërës nga masat disiplinore të parashikuara në pikën 6, të këtij kreu.

 

  1. VLERËSIMI I REZULTATEVE NË PUNË TË INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM

 

  1. Inspektori i Përgjithshëm i nënshtrohet vlerësimit të rezultateve në punë 1 (një) herë në vit nga titullari i institucionit, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm.

 

  1. Vlerësimi i inspektorit të Përgjithshëm kryhet në bazë të performancës së tij profesionale, në përputhje me kriteret e përgjithshme, si më poshtë vijon:

 

  1. a) Realizimi i objektivave institucionalë të përcaktuar në fillim të periudhës së vlerësimit;

 

  1. b) Cilësia dhe efektiviteti i veprimtarisë inspektuese;

 

  1. c) Menaxhimi i burimeve njerëzore dhe financiare në dispozicion të institucionit;

 

ç) Respektimi i dispozitave ligjore dhe i standardeve të etikës profesionale;

 

  1. d) Transparenca dhe komunikimi me publikun;

 

dh)Nismat për përmirësim të punës dhe përdorimi i teknologjisë në proceset inspektuese;

 

  1. e) Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfaqësimi institucional.

 

  1. LIRIMI DHE SHKARKIMI NGA DETYRA

Inspektori i Përgjithshëm lirohet dhe shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të titullarit të institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, sipas rasteve të parashikuara në ligjin nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga marrja dijeni apo konstatimi i shkakut për lirimin apo shkarkimin nga detyra të inspektorit të Përgjithshëm, i paraqet titullarit të institucionit raportin me faktet dhe rrethanat përkatëse.

VII. DISPOZITË E FUNDIT

Ngarkohet Inspektorati i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Emërohet Drejtor i ri i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe… Ja vendimet e sotme të qeverisë

By: Fax Web
15 January 2026 at 18:36

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime që lidhen me miratimin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2027-2029, miratimin në parim të marrëveshjes me qeverinë e Ukrainës për transportin ndërkombëtar rrugor, përcaktimin e kritereve të veçanta dhe të procedurave për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra të inspektoriatit të përgjithshëm si dhe emërimin e Marjeta Përlala si drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Vendime:

•Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2027-2029, “Treguesit kryesorë makroekonomikë” dhe “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”.

•Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për transportin ndërkombëtar rrugor.

•Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të disa pronave të paluajtshme shtetërore, sipas formularëve.

•Përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2026, për njësitë e qeverisjes qendrore.

•Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë “Dua të luaj””, Bashkia Fier.

•Përcaktimin e kritereve të veçanta dhe të procedurave për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra të inspektoriatit të përgjithshëm.

•Znj. Marjeta Përlala emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

VKM-të e plota të Qeverisë

U zhduk muaj më parë, gjendet trupi i pajetë i 35-vjeçares shqiptare

By: Fax Web
15 January 2026 at 18:30

Është gjetur trupi i pa jetë i Floresha Prengu, 35 vjeçe, banore e Trentos 40 kilometra larg shtëpisë përgjatë lumit Adige, raportojnë mediat italiane.

Trupi u njoh nga familjarët, të cilët deri shpresuan për një përfundim tjetër.

Floresha Prengu, me origjinë shqiptare dhe nënë e dy vajzave, ishte parë për herë të fundit në Trento më 22 tetor.
Më pas gjurmët e saj u humbën.

Pas zhdukjes së saj, familjarët iu drejtuan menjëherë forcave të rendit duke kërkuar që të kontaktojnë në 112 në rast se e shihnin atë.

Në ditët menjëherë pas zhdukjes u organizua një kërkim i gjerë në qytet, me përdorimin e skuadrave përgjatë lumit, zjarrfikësve vullnetarë përgjatë lumit Adige dhe helikopterit për verifikime nga ajri, që nuk dhanë rezultate konkrete.

Sipas autoriteteve, mendohet se 35-vjeçarja u mor nga rryma e lumit Adige, të cilës nuk arriti dot t’i mbijetonte.

Rey Manaj pranë zyrtarizimit te ekipi kinez/ Kontratë 2-vjeçare me pagë “sheiku”

By: Fax Web
15 January 2026 at 18:27

Aventurë e re për Rey Manaj.

Sulmuesi i Kombëtares duket se do të vazhdojë të luajë në kampionatin kinez të futbollit, duke hapur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij.

28-vjeçari ka rënë dakord për të qenë pjesë e klubit kinez Zhejiang të paktën për dy vite.

Sipas marrëveshjes, Manaj do të përfitojë një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon, plus bonuse, duke u bërë një nga transferimet më të rëndësishme të klubit për këtë periudhë merkatoje.

Ky transferim shënon një kapitull të ri për sulmuesin shqiptar jashtë Evropës, pas eksperiencës së fundit me Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ai u dallua për paraqitjet e mira dhe numrin e golave të shënuar.

 

Zhejiang FC synon të forcojë ndjeshëm repartin ofensiv me përvojën ndërkombëtare të Manajt, duke rritur njëkohësisht konkurrencën dhe ambiciet e klubit në kampionatin kinez.

Emri i Manajt ishte përfolur për një rikthim të mundshëm në Turqi, por në fund sulmuesi i Kombëtares vendosi të pranojë ofertën nga Kina, duke zgjedhur një sfidë të re në një kampionat interesant.

EMRI-FOTO/ Ekzekutoi ish-snajperistin kurd, Britania shpall në kërkim të riun shqiptar

By: Fax Web
15 January 2026 at 18:22

Një shtetas shqiptar, i identifikuar si Armando Marku, është shpallur në kërkim nga Mbretëria e Bashkuar pasi akuzohet për vrasjen e një 32-vjeçari, ngjarje e ndodhur në vitin 2019, në Hartlepool.

Sipas njoftimit, lidhur me ngjarjen janë dënuar bashkëpunëtorët e të riut shqiptar, ndërsa vetë ky i fundit ndodhet në arrati.

Policia e Mbretërisë së Bashkuar bën thirrje që kushdo që ka informacion për të riun, të njoftojë autoritetet.

Njoftimi:

Pak më shumë se gjashtë vjet pasi Hemawand Ali Hussain u ekzekutua brutalisht në Hartlepool, një tjetër person është tashmë i akuzuar në lidhje me vrasjen e 32-vjeçarit.

Si pjesë e hetimeve të vazhdueshme mes Policisë së Cleveland, Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) dhe partnerëve ndërkombëtarë, Sajmir Dodoveci (40) u ndalua në një stacion treni në Bruksel të martën, më 23 dhjetor-dy ditë para Krishtlindjes.

Dodoveci u ekstradua këtë javë në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u akuzua për vrasjen e z. Hussain, i cili u qëllua me armë nga afër brenda një shtëpie në rrugën Charterhouse në shtator 2019.

Ai doli ditën e premte, 9 janar para Gjykatës së Magjistratëve në Teesside dhe u la në paraburgim deri në paraqitjen e tij në Gjykatën e Kurorës në Teesside të martën e 13 janar-it.

Hetimet e gjera nga Policia e Cleveland më parë çuan në burgim të përjetshëm për Eugert Merizaj për vrasjen e z. Hussain. Ai ishte larguar nga Mbretëria e Bashkuar pas vrasjes dhe u gjurmua gjithashtu në Belgjikë, u ekstradua dhe u dërgua në gjyq ku u shpall fajtor.

Tre burra të tjerë u dënuan në janar 2021 pasi u shpallën fajtorë për vrasje nga pakujdesia. Ata janë Noza Saffari, 40 vjeç, i dënuar me 15 vjet burg, Dorian Pirija, 34 vjeç, i dënuar me 19 vjet, dhe Qazim Marku, 26 vjeç, gjithashtu i dënuar me 19 vjet burg.

Një 34-vjeçar u ndalua gjithashtu në Belgjikë në shkurt 2024 dhe po bëhen përgatitjet për ekstradimin e tij për t’u përballur me gjyqin.

Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, shqiptari 26-vjeçar Armando Marku (në foto më poshtë), mbetet ende në arrati.

Hetuesja Kryesore, Inspektorja Detektive Lyndsey Dale nga Policia e Cleveland, tha: “Pavarësisht kalimit të kohës, ky rast mbetet një prioritet për forcën dhe kemi bërë përparim të konsiderueshëm përmes hetimeve të gjera – si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe jashtë saj.

Ky është një rast kompleks dhe sfidues që ka kërkuar bashkëpunim në disa juridiksione për një periudhë të gjatë. Oficerët tanë dhe agjencitë partnere, përfshirë organizatat ndërkombëtare dhe NCA, kanë punuar pa u lodhur gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ne vazhdojmë të ndjekim çdo pistë të mundshme.

Dua të falënderoj ekipin tim dhe të gjithë ata që janë përfshirë për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe për ndarjen e angazhimit tonë për të arritur drejtësi për Hemawand Ali Hussain dhe familjen e tij, pavarësisht sa kohë mund të marrë.

Gjatë muajve të fundit, detektivët tanë të përkushtuar kanë bashkëpunuar me agjenci ligjzbatuese në Evropë, duke ndarë inteligjencë dhe duke kryer hetime të gjera. Këto hetime ndërkombëtare kanë qenë vendimtare për zhvillimin e pistave të reja që çuan në arrestimin e fundit; ndalimi i Dodovecit provon se thjesht nuk

mund t’i shpëtosh ligjit.

Të gjitha mendimet tona mbeten me familjen e z. Hussain dhe me bashkëshorten dhe djemtë e tij, të cilët po mbahen të informuar për zhvillimet.”

Më në fund, Inspektorja Detektive Dale paralajmëroi: “Tani do të dyfishojmë përpjekjet tona për të gjetur dhe arrestuar Armando Markun, i cili ende kërkohet në lidhje me këtë vrasje.

Hetimet tona në vend dhe jashtë vendit na bëjnë të besojmë se ai ka lënë Mbretërinë e Bashkuar dhe aktualisht ndodhet jashtë, kështu që po punojmë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare për ta gjurmuar dhe arrestuar;

kjo do të jetë fokusi i vazhdueshëm i ekipit hetimor. Ne nuk do të ndalemi dhe do të përdorim të gjitha metodat e disponueshme për ta gjetur.

I bëj thirrje kujtdo që ka informacion për Armando Markun ose vendndodhjen e tij aktuale të na kontaktojë. Edhe detaji më i vogël mund të ndihmojë hetimin tonë.

Ju lutemi kontaktoni Policinë e Cleveland në 101 duke cituar numrin e incidentit SE19159141 (Operacioni Chard).

Dhe kur z. Marku ta shohë këtë përditësim, siç jam e sigurt që do ta shohë, do ta nxisja të paraqitet dhe t’i dorëzohet autoriteteve lokale, pasi është vetëm çështje kohe para se policia ta gjejë dhe ta arrestojë.” 

VIDEO/ Spiropali dekorohet me “Urdhri i Princeshë Ollgës“ nga Presidenti Zelensky

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:59

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i dorëzoi sot në Kiev, Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, dekoratën e “Urdhrit të Princeshës Olga”, e Klasit të Parë.

Dekorimi i Spiropalit nga Zelensky me një prej nderimet më të larta shtetërore të Ukrainës, vjen për kontributin e çmuar personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Spiropali theksoi në një mesazh se “e pranova Urdhrin e Lartë jo vetëm në emrin tim personal, por në emrin e çdo qytetari shqiptar, si dhe në emër të vlerave të shenjta njerëzore dhe solidaritetit që të gjithë, gratë, vajzat, djemtë dhe burrat shqiptarë strehojnë në zemrat e tyre.”

Sot, në Kiev, me përulësi dhe një ndjenjë të thellë mirënjohjeje, pranova Urdhrin Princeshë Olga, Klasi I, akorduar dhe dorëzuar nga Presidenti Volodymyr Zelensky.

E pranova këtë Urdhër të Lartë jo vetëm në emrin tim personal, por në emrin e çdo qytetari shqiptar, si dhe në emër të vlerave të shenjta njerëzore dhe solidaritetit që të gjithë, gratë, vajzat, djemtë dhe burrat shqiptarë strehojnë në zemrat e tyre. Ukraina është sot fushëbeteja jo vetëm e luftës, por edhe e ndërgjegjes sonë kolektive. Aty, do të shkruhet nëse e ardhmja do të jetë e diktuar nga frika apo nga vlerat. Dhe kam bindjen, sot edhe një herë më shumë, që e ardhmja, ashtu siç ka thënë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, nuk do të shkruhet nga forca e armëve, por nga forca e njerëzve dhe vlerave të tyre“, deklaroi Spiropali.

Në takimin e posaçëm që pasoi ceremoninë e dekorimit, Presidenti Zelensky e vuri theksin te qëndrimet e qarta dhe të principta të Qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Edi Rama kundër krimeve të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës. Ai falenderoi Spiropalin për kontributin e saj aktiv përkrah kauzës së Ukrainës.

Më herët, Spiropali u prit nga homologu i saj ukrainas Andrii Sybiha, ku deklaroi se “një paqe e drejtë për Ukrainën, do të thotë garanci sigurie; do të thotë që të burgosurit të kthehen në shtëpi, krimet e luftës të hetohen dhe të ndiqen penalisht, dhe agresori të mbahet përgjegjës.”

Spiropali shtoi se “Shqipëria ka ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën, ka mirëpritur refugjatët dhe ka kontribuar në mbështetje ushtarake në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët e BE-së.”

Në vizitë, u riafirmua vizioni i përbashkët për Integrimin Europian si një faktor kyç për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në Europë.

Spiropali shprehu gatishmërinë për të mbështetur reciprokisht aspiratat e Integrimit Europian të Ukrainës dhe Republikës së Shqipërisë.

VIDEO/ “Dëgjuam një shpërthim të fortë”, zjarr masiv në një qytet të Holandës, çfarë ka ndodhur?

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:54

Një shpërthim i fortë ka tronditur pasditen e sotme qendrën e qytetit të Utrechtit në Holandë, duke shkaktuar një zjarr të madh në një rrugë historike të ngushtë të mbushur me shtëpi të vjetra familjare.

Ngjarja ndodhi pak para orës 15:30, ndërsa dhjetëra ekipe të ndihmës së shpejtë u nisën menjëherë drejt vendngjarjes.

Sipas një zëdhënësi të shërbimeve të urgjencës, të paktën një person ka mbetur i lënduar, ndërsa numri i saktë i të plagosurve ende nuk është konfirmuar.

“Një zjarr shpërtheu në një banesë në rrugën Visschersteeg,” bëri të ditur zyra rajonale e emergjencave, duke shtuar se telefonata të shumta nga banorët e zonës raportuan për një shpërthim të fortë.

Sipas mediave vendase, xhama të thyer dhe mbeturina u shpërndanë në rrugë, ndërsa ekipet e shpëtimit nisën evakuimin e banesave dhe bizneseve në zonat përreth, përfshirë Mariaplaats dhe Springweg.

Të paktën gjashtë ambulanca u dërguan në vendngjarje, ndërsa një ekip mjekësor traume mbërriti me helikopter.

Policia rrethoi zonën për arsye sigurie, ndërsa zjarrfikësit u përpoqën të vinin flakët nën kontroll. Pak më vonë, autoritetet njoftuan se zjarri kishte marrë përmasa shumë të mëdha dhe aktivizuan protokollin e emergjencës rajonale GRIP 2, i cili parashikon koordinimin e të gjitha shërbimeve nga një komandë e vetme dhe ngritjen e një qendre të posaçme jashtë vendngjarjes për menaxhimin e situatës.

Një numër qytetarësh u mblodhën për të parë nga afër zhvillimet, por shërbimet e emergjencës bënë thirrje për distancim.

“Janë thirrur njësi të shumta për ndihmë. I kërkojmë të gjithëve t’u lënë hapësirë ekipeve të emergjencës dhe të mos i afrohen zonës së incidentit,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi nga autoritetet.

“Refuzon fermerët”, reagon “Lufra”: Shëndeti i konsumatorëve dhe siguria ushqimore, prioritet për kompaninë

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:45

Kompania e njohur “Lufra” reagon pas pretendimeve, të publikuara edhe në media, se kompania po refuzon bashkëpunimin me fermerët e Myzeqesë.

Përmes një deklarate zyrtare, “Lufra” shprehet se, shëndeti i konsumatorëve dhe siguria ushqimore janë prioritet absolut për kompanisë dhe se nuk refezon fermerët.

DEKLARATA E KOMPANISË:

“Te Lufra, shëndeti i konsumatorëve dhe siguria ushqimore janë prioritet absolut. Lufra nuk refuzon
fermerët, por ka për detyrë të mbrojë shëndetin e konsumatorit.

Bashkëpunimi me fermerët vendas ka qenë dhe mbetet një vlerë themelore për ne. Çdo ditë
punojmë me ta për të garantuar që qumështi të përmbushë standardet ligjore dhe ato europiane të
cilësisë dhe sigurisë.

Çdo vendim për mospranimin e përkohshëm të qumështit për disa nga fermerët bazohet vetëm në
analiza laboratorike dhe kryhet për të mbrojtur konsumatorin. Sapo kriteret e sigurisë plotësohen,
qumështi pranohet menjëherë.

Qëllimi ynë është një zinxhir furnizimi i sigurt, i qëndrueshëm dhe në përputhje me ligjin në interes
të fermerëve, kompanisë dhe mbi të gjitha të konsumatorëve”.

VIDEO/ Australi, era e fortë hedh makinat në det

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:26

Një stuhi e fuqishme ka goditur shtetin e Viktorias në Australi, duke bërë që makinat të përfundonin në det.

Si pasojë e motit të keq, mijëra banorë vuajnë mungesën e energjisë elektrike.

Stuhia erdhi menjëherë pasi Rruga e Madhe e Oqeanit u mbyll për shkak të zjarreve në shkurre, që filluan kur vendi përjetoi valën e të nxehtit.

Është propozuar për postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, reagon Dashnor Sula

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:23

Mesditën e sotme, duke iu referuar burimeve të saj të besueshme, Faxweb raportoi se, ish deputeti i Partisë Demokratike është propozuar nga kryeministri Edi Rama për të marrë postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, pas dorëheqjes së Shkëlqim Hajdarit.

Lidhur me këtë informacion ka reaguar vetë ish deputeti demokrat, i cili as e pohon dhe as e mohon propozimin nga ana e kryeministrit Rama.

“Jam duke ikur për në Itali. Dhe nuk kam marrë ende asnjë detyrë”, ka thënë në reagimin e tij të shkurtër Dashnor Sula.

Sula ka qenë një ndër deputetët dhe eksponentë më aktivë të Partisë Demokratike, ndërsa u largua prej saj gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025 pasi kreu i saj Sali Berisha nuk e vendosi në listën e kandiatëve për deputetë.

Prapaskenat e takimit në Shtëpinë e Bardhë, përplasje e fortë për Groenlandën

By: Fax Web
15 January 2026 at 17:16

“Pres sqarime”, ka deklaruar Donald Trump duke iu referuar takimit të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë mes sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, zëvendëspresidentit JD Vance dhe ministrit të Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen, si edhe përfaqësueses së Groenlandës, Vivian Motzfeld.

Informacionet e para janë dhënë nga delegacioni evropian gjatë një konference të ngarkuar për shtyp jashtë ambasadës së Danimarkës në Washington.

Sipas Rasmussenit, diskutimi ka qenë “i hapur dhe konstruktiv”, por palët mbeten të ndara sa i përket mënyrës se si mund të garantohet “siguria afatgjatë e Groenlandës”.

Nga burime brenda delegacionit, megjithatë, kanë rrjedhur vlerësime më kritike: “takimi shkoi keq”, thuhet, ndërsa toni i Motzfeldit la të kuptohej vështirësia për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.

Rasmussen e përmblodhi qëndrimin danez duke theksuar se presidenti amerikan ka shprehur qartë vizionin e tij, por se Mbretëria e Danimarkës mban një pozicion të ndryshëm. “Ne besojmë se siguria mund të garantohet përmes marrëveshjes ekzistuese të vitit 1951, si edhe në kuadër të NATO-s. Çdo ide që nuk respekton integritetin territorial të Danimarkës dhe të drejtën e vetëvendosjes së banorëve të Groenlandës është plotësisht e papranueshme”, deklaroi ai. “Kemi një mospajtim thelbësor, por jemi dakord të mos biem dakord”, shtoi më tej.

Hapi i radhës, sipas Rasmussenit, do të jetë gjetja e një rruge të përbashkët për të menaxhuar këtë çështje, të cilën ai e përshkroi si “ambicie” apo “dëshirë” personale të Trump. Për këtë qëllim pritet të ngrihet një grup pune, i cili do të mblidhet në javët në vijim për të trajtuar temat kyçe.

Delegacioni evropian kishte mbërritur në Washington me pritshmëri të ulëta dhe pa synimin për të ndryshuar bindjen e administratës amerikane. Situata u ndërlikua më tej nga zhvendosja e takimit nga Departamenti i Shtetit në Shtëpinë e Bardhë dhe përfshirja e ekipit të zëvendëspresidentit JD Vance, një prani e perceptuar si më pak e prirur për dialog dhe kompromise.

Ndërkohë, që në orët e para të mëngjesit, Trump kishte përgatitur terrenin për bisedimet përmes disa postimeve në rrjetin Truth Social. Ai kishte deklaruar se NATO do të ishte më efektive nëse Groenlanda do të ishte nën kontrollin e SHBA-ve dhe kishte theksuar se nuk do të pranonte asnjë zgjidhje tjetër përveç marrjes së kontrollit të ishullit. Presidenti amerikan kishte përmendur sërish kërcënimin rus dhe kinez, duke i bërë thirrje NATO-s të veprojë: Thuajini Danimarkës t’i dëbojë. Tani! Dy qen slitash nuk mjaftojnë, vetëm SHBA-ja mund ta bëjë këtë.

Rasmussen iu përgjigj disa orë më vonë, duke kujtuar se qentë e slitave janë thelbësorë për patrullimin e disa zonave dhe duke kundërshtuar narrativën amerikane mbi praninë kineze. “Shërbimet tona të inteligjencës nuk kanë regjistruar anije kineze në ato ujëra prej dekadash”, tha ai.

Nga Zyra Ovale, pas përfundimit të takimit dyorësh, Trump përsëriti qëndrimin e tij: “Nuk do të heq dorë nga asnjë opsion» në lidhje me Groenlandën dhe «nuk mund të mbështetem te fakti që Danimarka është në gjendje të mbrohet e vetme”.

Nuk është ende e qartë se çfarë propozimi konkret kanë paraqitur Shtetet e Bashkuara. Burime amerikane flasin për një ide të JD Vance për blerjen e pjesës veriore të ishullit, me synimin për të bllokuar aksesin rus dhe kinez nga Arktiku drejt Gjirit të Baffinit, ndërsa pjesa lindore do t’u mbetej evropianëve. NBC raporton se një studim i kryer nga akademikë dhe ish-zyrtarë amerikanë vlerëson koston e blerjes së gjithë Groenlandës në rreth 700 miliardë dollarë.

Ndërkohë, Gjermania pritet të dërgojë në ditët në vijim 13 ushtarë në Groenlandë për të “rësuar kushtet për një kontribut të mundshëm ushtarak në mbështetje të Danimarkës”, sipas gazetës Bild. Edhe Franca do t’i bashkohet misionit të udhëhequr nga Danimarka, Suedia dhe Norvegjia për forcimin e sigurisë së ishullit.

❌
❌