Nga DASHNOR KALOÇI
Vetëm pak ditë pas themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë (12 dhjetor 1990), e cila ishte forca e parë opozitare që u krijua pas afro 45 vitesh të diktaturës së egër komuniste të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, krahas mitingjeve të zhvilluara në Qytetin “Studenti” në Tiranë, krerët kryesorë të saj me në krye Azem Hajdarin, Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Aleksandër Meksin, Neritan Cekën, Arben Imamin, Eduart Selamin, Preç Zogajn, Genc Rrulin, Tritan Shehun, Genc Pollon, Rexhep Ukën, etj., filluan të dalin dhe të zhvillonin mitingje proteste edhe nëpër rrethe të ndryshme të vendit, ku sapo ishin formuar degët e Partisë Demokratike.

Por, paradoksalishit, edhe pse ishte lejuar pluralizmi, në mitingjet e zhvilluara, krahas lejes së marrë në Degët e Punëve të Brendshme, Partia Demokratike duhet që të deklaronte aty edhe emrat e organizatorëve të atyre mitingjeve, numrin e pjesëmarrësve, parullat që do hidheshin aty, kohën që do të zgjaste mitingu, etj., etj. Dhe moszbatimi i këtyre rregullave ngarkonte me përgjegjësi penale jo vetëm organizatorët e saj, por edhe pjesëmarrësit e ndryshëm në mitingje, të cilët nuk i zbatonin ato, apo dhe kryenin “eksese”, të ndryshme!
Siç ishin hedhja e parullave që nuk ishin parashikuar në lejet e dhëna, apo goditja me gurë e sende të tjera të forta ndaj godinave të Komiteteve të Partisë, Komiteteve Ekzekutive dhe Degëve të Punëve të Brendshme, etj., çka bënte që forcat e rendit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (të kryesuara nga Hekuran Isai) dhe ato ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore (të kryesuara nga Kiço Mustaqi), që ishin në mbështetje dhe bashkëpunim të ngushtë me forcat e rendit, të arrestonin të gjithë “kundërvajtësit”.
Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë në këtë shkrim, ku ndodhet komunikata operative sekrete e Ministrisë së Punëve të Brendshme (e nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme), ku janë pasqyruar të gjitha ngjarjet e jashtëzakonshme të ndodhura në rrethe të ndryshme të vendit në datën 4 janar 1991. Siç ishte dhe mitingu i Partisë Demokratike i zhvilluar në qytetin e Lushnjes atë ditë, ku përveç Azem Hajdarit, përmenden edhe emrat e disa prej të arrestuarëve, pjesëmarrës në atë miting proteste.
Krahas komunikatës operative, në këtë shkrim po publikojmë edhe raport-informacionin e Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes, dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku pasqyrohet me detaje e gjithë ngjarja e ndodhur atë ditë në mitingun e Partisë Demokratike në atë qytet, dokument i cili është publikuar për herë të parë nga ish-kreu i Arkivit të Ministrisë së Brendshme studiuesi dhe historian i njohur, Kastriot Dervishi. Për më shumë rreth këtyre etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat publikohet për herë të parë (dhe me faksimilen përkatëse) nga Memorie.al.
DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE SEKRETE TË MINISTRISË SË BRENDSHME MË 4 JANAR 1990, PËR MITINGUN E PARTISË DEMOKRATIKE TË ZHVILLUAR NË QYTETIN E LUSHNJES, QË DREJTOHEJ NGA AZEM HAJDARI DHE PERSONAT E ARRESTUAR
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 5.1.1991
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 3
LUSHNJA
Më datën 4.1.1991, ora 15.30, u bë manifestimi i Partisë Demokratike. U hodhën parulla jashtë programit. Me ndërhyrjen e forcave të rendit, ato u ndërprenë. Azem Hajdari tha; “Poshtë PPSH-ja, diktatura e proletariatit, dinastia dhe diktatori Enver Hoxha”.
Njerëzit filluan të këndonin këngën: “Djem rrëmbeni pushkën, ja vdekje ka liri” dhe shkuan në drejtim të Komitetit të Partisë. Me ndërhyrjen e forcave të rendit u shpërndanë. Ata qëlluan me gurë dhe thyen xhamat e Komitetit të Partisë, të Komitetit Ekzekutiv të Degës së Brendshme, etj. Në manifestim morën pjesë rreth 5000-6000 veta. Për qetësimin e gjendjes, morën pjesë dhe forcat e Divizionit.
Për këto veprime u ndaluan Marko Kaso Liçaj, vjeç 50, inxhinier, i dënuar njëherë, Albert Koli Liko, vjeç 29, punëtor, Ilir Hyqmet Bilimashi, vjeç 19, i dënuar dy herë, Petrit Novruz Topi, vjeç 23, punëtor, Nazmi Rexhep Naku, vjeç 42, shofer, i dënuar një herë, Shpëtim Liman Prodeni, vjeç 17, punëtor, Shuaip Fejzi Alija, vjeç 26, punëtor, etj.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
XHELAL LANI
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT-INFORMACIONIN E DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË RRETHIT TË LUSHNJES, PËR MITINGUN E PARTISË DEMOKRATIKE TË ZHVILLUAR ME DATËN 4 JANAR 1991
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME SEKRET
DEGA E P. TË BRENDSHME LUSHNJE Ekzemplar Nr. 1
Nr. Prot…. Lushnjë më 4.1.1991
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
T I R A N Ë
RAPORT-INFORMACION
Lënda: Për disa shkelje të rregullave në mitingun e zhvilluar nga Partia Demokratike dhe e pasuar me një incident.
Siç është njoftuar më 4.1.1991, në ora 15.30 filloi mitingu popullor i organizuar nga Partia Demokratike në qytetin e Lushnjes. Paraprakisht përfaqësuesit e kësaj partie nga Tirana, dërguan kërkesën me numër protokolli 12, datë 3.1.1991, pranë sektorit të Policisë të Degës së Punëve të Brendshme Lushnje, kërkesa me shkrim e cila u dorëzua më datë 4.1.1991, ora 7.00. Në kërkesë, konform ligjesh ishin parashikuar parullat që do të hidheshin dhe aktiviteti që do të zhvillohej. Sqarojmë se nismëtarë të Degës së Partisë Demokratike për Lushnjën, ishin ngarkuar:
– Kujtim Gina – ekonomist në Divizionin e Lushnjës.
– Bujar Xhaferri – libretist i teatrit të estradës.
– Shpendi Sollaku – mësues në gjimnaz (gruaja e tij është ndihmës prokurore).
– Gëzim Hajdari – mësues në gjimnaz.
– Visar Zhiti – punëtor në fabrikën e tullave (ka qenë arsimtar dhe është dënuar me 10 vjet për agjitacion e propagandë armiqësore).
– Arben Sulo – student.
Në këtë miting morën pjesë përfaqësues të Partisë Demokratike: Sali Berisha, Azem Hajdari, Arben Imami, Aleksandër Meksi dhe Zenel Hoxha. Folën Sali Berisha dhe Azem Hajdari.
Për zhvillimin në bazë të ligjit të mitingut, nga sektori i Policisë dhe gjithë organi, u hartua plani i masave dhe u morën masat përkatëse. Në miting morën pjesë rreth 6.000 veta, ndërsa më tepër aktivë u treguan mbi 300 veta, të cilët erdhën të organizuar dhe me parulla. Kryesisht këta elementë punojnë në fabrikën e Tullave, SMT, Uzinën e Plasmasit, në Savër, Plug, etj.
Në përfundim të mitingut, Azem Hajdari foli pa letër, duke i bërë thirrje pjesëmarrësve në miting kundër Partisë së Punës së Shqipërisë si: “Poshtë Partia e Punës së Shqipërisë dhe diktatura e proletariatit që na kanë shtypur për 45 vjet me radhë”, “Poshtë Stalini dhe pasuesit e tij në Partinë e Punës së Shqipërisë”, “Poshtë dinastia e miqësive në Komitetin Qendror të Partisë së Punës”, “Poshtë diktatori Enver Hoxha që na rrëmbeu lirinë e demokracinë dhe ata që i bënë atij muzeun me paratë e popullit, kur populli nuk kishte bukë të hante”, “Partia e Punës së Shqipërisë ka 45 vjet që është në fuqi dhe gënjen për demokracinë”: “Partia e Punës së Shqipërisë ka mbrojtur serbët e jo kosovarët”, “Partia e Punës së Shqipërisë ka qenë e lidhur me Titon dhe Mao Ce Dunin dhe ka mbrojtur interesat e Serbisë dhe jo të kosovarëve” etj.
Këto thirrje i nxitën shumë pjesëmarrësit në miting të cilët të entuziazmuar brohoritnin: “Sali, Sali, ne do të fitojmë”, “Ushtria është me ne” (në këtë rast, disa pjesëmarrës ngrinin lart mbi njerëz një ushtar i cili mbante një parullë në dorë) si dhe pati brohoritje si: “Poshtë Dhimitër Çili, poshtë dinastia” etj. Po ashtu disa pjesëmarrës në miting erdhën me një parullë në dorë në të cilën shkruhej: “Të shtyhen zgjedhjet”. Gjithashtu midis pjesëmarrësve në miting, krahas thirrjeve që bëheshin ngrinin gishtat lart dhe brohorisnin për Partinë Demokratike, dëgjoheshin edhe zëra të ndryshëm si; “ruhuni nga spiunët’: “të largohet policia” etj.
Megjithëse u bënë thirrje të tilla dhe u hodhën parulla në kundërshtim me programin e ligjin, deri në përfundim të mitingut nuk u krijua asnjë shqetësim, shërbimet u kryen me korrektësi dhe në bazë të rregullores. Në vazhdim, pjesëmarrësit në miting, të përzierë me masën e madhe të popullit filluan të vijnë në qendër të qytetit duke brohoritur e hedhur parullat e theksuara më lart, ku mbasi u bë thirrje të kalonin në drejtime të ndryshme e të mos grumbulloheshin në qendër të qytetit ata kundërshtuan dhe filluan të qëllojnë me gurë forcat e rendit. Autorët që qëllonin, gurët i kishin depozituar në xhepa. Pikërisht në këtë moment u thyen dy xhama të stendës së emulacionit si dhe u gris portreti i shokut Enver Hoxha.
Në këtë moment u gjykua që krahas përpjekjeve për të kapur autorin, manifestuesit të kalonin përmes qytetit. Në këtë moment pa u urdhëruar nga askush, toga e Ndërhyrjes së Shpejtë të Repartit 326, e pajisur me mjete mbrojtëse ndërhyri forcërisht. Momentalisht manifestuesit u sprapsën, por më pas u shumëfishuan nga të gjitha drejtimet duke kaluar rreth 1.000 veta të cilët qëllonin me gurë. Negativisht për shërbimet tona ndikoi edhe terreni, sidomos kodra në verilindje të qytetit, e cila është e mbushur me gurë, si dhe ndërtesa shtesë e Komitetit të Partisë, rreth së cilës ka tulla, gurë, e mbeturina në largësi të caktuar.
Veç veprimeve aktive ndaj forcave të rendit dhe ndërtesave të Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv, manifestuesit hidhnin parulla: “Poshtë Enver Hoxha”, “Enver Hitler”, “Lironi të burgosurit politikë”, “Poshtë kryetari i Komitetit Ekzekutiv”, si dhe filluan të këndojnë; “Eja mblidhuni këtu-këtu”, “Rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri” etj. Është për t’u theksuar qëndrimi indiferent i popullit i cili jo vetëm nuk ndërhyri për t’i ndihmuar forcat e rendit dhe stabilizuar gjendjen, por i pengoi këto shërbime sepse duke qëndruar para demonstruesve këta të fundit qëllonin me gurë e tulla nga prapa dhe maskoheshin.
Megjithëse manifestuesit nuk bindeshin edhe pse ju bë thirrje me megafon dhe ju fol që të hiqnin dorë nga këto veprime, si dhe sulmi nuk përballohej me 30-40 policisë, togës së Repartit 326, ju dha komanda të largohej nga shërbimi. Ndërkohë manifestuesve u bëhej thirrje nga shefi i policisë të largoheshin në shtëpitë e tyre. Krahas kësaj, disa nga pjesëmarrësit shoqëruan nga prapa automjetin e policëve të Reparti 326, e cila hyri në territorin e DPB Lushnje dhe manifestuesit vazhduan të qëllojnë me gurë edhe në drejtim të Degës së Punëve të Brendshme, ku thyen xhamat e tre dritareve dhe sportelin e oficerit të rojës. Në këtë moment u ndërhy me forcë dhe sulmi u spraps.
Në qendër të qytetit, manifestuesit vazhdonin të hidhnin parulla sidomos të grumbulluar para Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, ku bënin thirrje e përdornin fjalë fyese ndaj kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit. Kjo veprimtari e kundërligjshme vazhdoi rreth 2 orë dhe pastaj të gjithë manifestuesit grupe-grupe për në shtëpitë e tyre. Nga vlerësimi paraprak që ju bë dëmeve të shkaktuara, ai arrin rreth 500-600 lekë. Gjatë kësaj kohe, veç forcave të rendit, gjatë manifestimit dhe më pas në krye të detyrës, ishin gjithë punonjësit e aparatit të Partisë, ndërsa fare pak nga aparati i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit.
Bile vetë kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit, nuk ndodhej as në zyrë dhe as në shtëpi dhe vartësit e tij nuk dinin adresën edhe pse u kërkua disa herë nga sekretarja e parë e Komitetit të Partisë, për të rivendosur situatën dhe eliminuar dëmtimet. Efektivi i Degës së Punëve të Brendshme vazhdoi shërbimet, i forcoi atë në vendet ku intensiteti ishte më i madh si dhe me shpejtësi grumbulloi informacionin mbi bazë të të cilit u ndaluan 9 veta dhe po kërkohen 4 të tjerë. Në vazhdim, të nesërmen, mbasi u kryen edhe disa veprime të tjera operative, u arrit që të ndalohen edhe 4 të tjerë si dhe janë në kërkim për t’u ndaluar edhe disa të tjerë.
Në bashkëpunim me hetuesinë dhe prokurorinë, po vazhdon puna për të gjetur organizatorët dhe për të dokumentuar fajësinë e tyre. Sqarojmë se pothuajse i gjithë mitingu është filmuar si dhe disa pjesë nga fjala e Azem Hajdarit janë incizuar. Tërheq vëmendjen fakti se përgjithësisht elementët më aktivë, si në miting dhe në manifestim dhe veprimet e kundërligjshme, janë kontingjente të ndjekjes së krimeve, ish-të dënuar, por midis tyre pati elementë të mashtruar. Disa nga këto të fundit janë penduar dhe në hetuesi shprehen ; “neve na thanë se do t’ju japin lekë, prandaj ejani në miting, se po ta dinim kështu, nuk do të vinim”. Krahas kësaj, me vështirësi dhe janë fare të paktë personat që janë dëshmitarë, bile në raste të veçanta hezitohet edhe nga ndonjë punonjës i aparatit të Partisë, apo kuadro të tjerë.
Në të njëjtën kohë, ndalimi i 13 personave dhe kërkimi për të ndaluar të tjerë, në mjediset e huliganëve ka krijuar opinionin që të sulmojnë Degën e Punëve të Brendshme, për të liruar të arrestuarit. Për të dominuar më mirë situatën, i gjithë organi është në krye të detyrës, janë shpeshtuar takimet me agjenturën nga të gjithë sektorët, janë aktivizuar ish-punonjësit e organeve tona, elementë pozitivë, ish-bashkëpunëtorë, etj., të cilët edhe gjatë mitingut e manifestimit kanë qenë së bashku me forcat destruktive. Po ashtu tërheq vëmendjen fakti se nga ngjarjet e 2 korrikut, por sidomos gjatë muajit dhjetor e në vazhdim, ka shumë ngacmime e presion nga elementët huliganë kavajas, tiranas, etj.
Kjo ka gjallëruar shumë elementin rrugaç e vagabond në Lushnje, si në qytet edhe në disa sektorë të fermave apo fshatra të tjerë. Për të përballuar këtë situatë veçanërisht tani, në fushatën e zgjedhjeve për deputetë në Kuvendin Popullor, nuk po punohet sa duhet me njerëzit nga organizatat shoqërore të masave edhe nga organet e pushtetit dhe ato të ekonomike. Ka në indiferentizëm të theksuar, çdo gjë kërkohet të zgjidhet nga policia, deri për të ruajtur lopët të mos ua marrin nga stallat. Nuk pengohen këto forca destruktive që kryejnë veprime të kundërligjshme, por në ndonjë rast u krijohen kushte siç ndodhi ditën e mitingut, ku disa drejtues të fermave u kishin dhënë mjetet e transportit huliganëve dhe ish të internuarve për të ardhur në mitin e Partisë Demokratike.
Sa më sipër, në zbatim edhe të urdhrit tuaj nr.114, datë 30.12.1990 e shohim të nevojshme që të disiplinohet organikisht një kompani për ndërhyrjen e shpejtë ndaj veprimeve huliganiste. Kjo edhe për faktin se Divizioni i Lushnjës nuk disponon aktualisht as në perspektivë forca për të përballuar veprimet e grupeve keqbërëse dhe armiqësore. Në vijim të kësaj, kërkojmë të pajisemi edhe me mjete shërbimi si radio “Stomi’: armë speciale, etj.
Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme
Azem Hajdari deklaronte:
Vëllezër ju lutem dëgjoni, sepse televizionin nuk po i transmeton fjalimet tona nëpër rrethe. Prandaj ju lutem shumë dëgjoni. Rroftë ky popull liridashës dhe demokrat i Rrethit të Lushnjës. Vëllezër e motra! Politika 45-vjeçare që ka ndjekur Partia e Punës, duhet të shikohet me syrin kritik. Na kanë pushtuar policiakët dhe na kërkojnë me nxitim! Partia e Punës së Shqipërisë ka qenë e lidhur me Titon dhe Mao Ce Dunin dhe ka mbrojtur interesat e Serbisë dhe jo të kosovarëve. Vëllezër e motra! Partia e Punës thotë se i solli popullit shqiptar lirinë. Kurse Skënderbeu tha tash 500 vjet; lirinë e gjeta midis jush. Prandaj ne dhe demokracinë nuk e sollëm ne po e gjetëm midis jush (brohoritje) …
Të shkojmë se është rasti i duhur drejt Europës. Nuk ka nevojë për llafe të saja, nuk ka nevojë populli shqiptar për të mirat komuniste. Populli shqiptar ka nevojë për demokraci, për liri. Ne nuk jemi mbështetësja e nipërve dhe e mbesave. Ne partinë tonë po hyjnë demokratët, kush të ketë dëshirë. Partia e Punës flet për forcimin e shtetit juridik. Proceset juridike nuk i mbështet më. Partia e Punës është shteti i diktaturës së proletariatit. Duhet ta rrëzojmë diktaturën! Të vendosim Shqipërinë e re. Në Shqipërinë e re demokratike që do të ndërtojmë, do të mbrojmë gjithnjë një vijë për gjendjet e vështira e aspiratat e popullit kosovar. E jo ashtu siç bëri Partia e Punës, që ishte një mbështetje e serbit e jo e kosovarëve”. Memorie.al
(Pjesë nga fjala e Azem Hajdarit, zbardhur pjesërisht me teknikë operative)