Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 February 2026Main stream

Moti i keq/ Stuhia e re “Marta”, godet Spanjën dhe Portugalinë

7 February 2026 at 11:50

Spanja dhe Portugalia po përgatiten sot për ndikimin e motit të ri të ashpër të sjellë nga një sistem i ri me presion të ulët, i quajtur ”Marta”, në rajonet që tashmë po përballen me përmbytje shkatërruese.

Agjencitë meteorologjike të të dy vendeve paralajmëruan për mbërritjen e kësaj ngjarjeje të re moti sot në mëngjes, duke ndjekur menjëherë stuhinë ”Leonardo”.

Reshjet rekord të shiut që nga e marta kanë marrë të paktën një jetë në Portugali dhe një tjetër në Spanjë, ku një trup u gjet të premten në jug që autoritetet besojnë se mund të jetë ai i një gruaje që ishte zhdukur që nga e mërkura në të njëjtën zonë.

Në të dy vendet, përmbytjet kanë bllokuar qindra rrugë, kanë ndërprerë shërbimet hekurudhore dhe kanë çuar në evakuime të shumta të banorëve shtëpitë e të cilëve janë nën ujë.

Në Portugali, autoritetet po përpiqen të përmbajnë pasojat e stuhisë ”Leonardo”, ndërsa përgatiten për mbërritjen e ”Martës”, e cila pritej të arrinte në tokë gjatë natës.

Më shumë se 26 500 punonjës shpëtimi janë mobilizuar në të gjithë vendin, ku të dielën mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

Vetëm tre nga komunat më të goditura, përfshirë Alcácer do Sal, kanë zgjedhur ta shtyjnë votimin për një javë.

Shtëpia e Bardhë planifikon të mbledhë Këshillin e Paqes në Gaza më 19 shkurt

7 February 2026 at 11:45

Shtëpia e Bardhë po planifikon të thërrasë takimin e parë të Këshillit të Paqes në Gaza më 19 shkurt.

Takimi i parë zyrtar i organit të krijuar së fundmi nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, sipas raportimeve nga mediat e huaja ka dy qëllime: së pari, të përshpejtojë zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe së dyti, të mobilizojë burimet ndërkombëtare për rindërtimin e zonës.

“Do të jetë takimi i parë i Këshillit të Paqes dhe në të njëjtën kohë një konferencë ndërkombëtare për financimin e rindërtimit të Gazës”, tha një zyrtar amerikan.

Komisioni i BE-së kërcënon me gjobë: “TikTok” të ndryshojë mënyrën e funksionimit, ‘rrezik varësie’

7 February 2026 at 11:25

BE i ka kërkuar shërbimit kinez online TikTok të ndryshojë mënyrën e funksionimit të platformës së videove “që nxit varësinë”.

Komisioni i BE-së deklaroi, se rezultatet e para të hetimit tregojnë, se TikTok-u nuk merr mjaftueshëm parasysh, se “si këto funksione që nxisin varësinë mund të influencojnë në shëndetin fizik dhe psiqik të përdoruesve të tij”.

Si shembull për ndryshimet që mund të bëhen komisioni përmend heqjen e opcionit të “scroll pafund”, aplikimin e pushimeve efikase në monitor si dhe përshtatjen e “sistemit të rekomadnimeve për personalizim në shkallë të lartë”. Gjithashtu komisioni kritikon faktin, që video-clipet aktivizohen automatikisht.

Komisioni i BE-së i kërkon sipërmarrjes, që ta ndryshojë rrënjësisht dizajnin e shërbimit.

Kritika: Fëmijët animohen në mënyrë imponuese për të scroll-ur

Komisioni i BE-së akuzon TikTok-un, se “injoron shenjat e rëndësishme për të imponuar përdorimin e aplikacionit”, si p.sh. kohën e natës që fëmijët kalojnë në platformë. Kjo sipërmarrje duhet ta ndryshojë mënyrën e funksionimit në Europë, “për të mbrojtur minorenët tanë dhe shëndetin e tyre”, tha komisarja e BE-së për Digjitalizimin, Henna Virkkunen.

Si shembull komisioni përmendi “shpërblimin” e vazhdueshëm të përdoruesve me përmbajtje të reja. Kjo ndez nxitjen për të vazhduar scroll-en dhe për ta kaluar trurin në “autopilot”. Studimet shkencore tregojnë, se kjo nxit një gjendje kompulsive dhe vetëkontrolli i përdoruesve, kryesisht i të rinjve, vuan.

Digital Services Act është si halë në sy për Donald Trump

Brukseli nisi hetimin në shkurt 2024 – që ishte i pari kundër TikTok nën ligjin e BE-së për shërbimet digjitale (DSA). Hetimet do të përqendroheshin kryesisht për të vërtetuar, nëse TikTok ndërmerr masa sa duhet për të shmangur efektet negative ndaj të rinjve.

Ligji i BE-së ⁠Digital Services Act (DSA) ndër të tjera duhet të garantojë respektimin e kërkesave për transparencë. ​Ai përfshin edhe masa për të luftuar përmbajtjet antiligjore online. Ky ligj është si një halë në sy për qeverinë e presidentit të SHBA-së Donald Trump si dhe për një sërë koncernesh të teknologjisë së lartë në SHBA.

TikTok i hedh poshtë akuzat dhe do të mbrohet

Sipërmarrja kineze online i kedh poshtë akuzat e Komisionit të BE-së si të pabaza. Do të mbrohemi me të gjitha mundësitë. Nëse konfirmohet qendrimi i komisionit, TikTok-u mund të gjobitet me një shumë deri në gjashtë përqind të xhiros së tij vjetore mbarëbotërore./DW/

Forcat EOD shqiptare dhe Garda Ajrore Kombëtare e New Jersey-t, forcojnë bashkëpunimin në kuadër të NATO-s

7 February 2026 at 11:17

Teknikët e Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (EOD) të Gardës Ajrore Kombëtare të New Jersey dhe të Forcave të Armatosura stërviten së bashku për të forcuar ndërveprueshmërinë në NATO dhe për të ndërtuar një kapacitet të qëndrueshëm EOD në Shqipëri.

Sipas një njoftimi të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ky partneritet afatgjatë zhvillon aftësitë, standardizon procedurat dhe siguron që ekipet shqiptare EOD të mund t’u përgjigjen në mënyrë të sigurt kërcënimeve shpërthyese në të gjithë vendin.

SPAK çon në gjyq 3 persona/ “Ndikim të paligjshëm”, i morën 20 mijë euro një gruaje për ekstradimin e vëllait

7 February 2026 at 10:32

SPAK ka dërguar për gjykim tre persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në procedurën e transferimit të një të dënuari nga Turqia në Shqipëri.

Sipas hetimeve, dy nga të pandehurit i kanë marrë një shume prej 20 mije euro të pandehurës se tretë, për t’i garantuar transferimin në Shqipëri të vëllait të saj të dënuar ne Turqi.

Njoftimi;

Zef Mali, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal.

-Kreshnik Domi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal;

-Jemine Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal nisën mbi bazën e akteve që u referuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Tiranë.

Përmes veprimeve hetimore, përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe administrimit të provave u dokumentua fakti penal, sipas të cilit i pandehuri, Zef Mali, në bashkëpunim me të pandehurin, Kreshnik Domi i kanë kërkuar dhe marrë të pandehurës, Jemine Çoku një përfitim të parregullt prej 20.000 (njëzet mijë) eurosh.

Në kohën kur Zef Mali ka kryer këtë veprim mbante detyrën e oficerit të Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës dhe Kreshnik Domi ishte një lidhje shoqërore e tij.

Sipas hetimeve, ata  i kanë premtuar dhe siguruar të pandehurës Jemine Çoku se do të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për të ndjekur procedurën e transferimit në Shqipëri të vëllai të saj, shtetasit shqiptar Kujtim Çeliku, i dënuar me burgim në Republikën e Turqisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Konkretisht, nga muaji janar deri në tetor të vitit 2025, në të cilën ishte në zhvillim procedura e personit të dënuar, të pandehurit Zef Mali dhe Kreshnik Domi kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën Jemine Çoku dhe me familjarë të tjerë të saj, duke i siguruar se ata kishin mundësi të ndikonin tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e procedurës së transferimit të të dënuarit.

Për këtë qëllim, e pandehura Jemine Çoku u ka dhënë të pandehurve shumën prej 20.000 eurosh, si përfitim të parregullt.

Gjatë hetimit është evidentuar gjithashtu fakti i fillimit të ndjekjes së procedurës ligjore të transferimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për shtetasin shqiptar, Kujtim Çeliku, për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.

Analiza e REL: “Pingpongu” institucional në Mal të Zi ngadalëson rrugën evropiane

7 February 2026 at 10:11

“Pingpongu” politik i kthimit të ligjeve mes presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe Kuvendit po e ngadalëson edhe më tej rrugën evropiane të këtij vendi.

Kjo ndodh në kohën kur Mali i Zi, edhe pa këto përplasje institucionale, ka nisur të shfaqë shenja ngecjeje në përmbushjen e detyrimeve në disa fusha të rëndësishme për integrimin evropian.

Më 3 shkurt, Millatoviq ia ktheu Kuvendit një paketë ligjesh për rishqyrtim, duke u arsyetuar se dëshiron që deputetët t’i lexojnë dhe shqyrtojnë me seriozitet ato.

“Reformat evropiane nuk nënkuptojnë thjesht ngritje dore në Kuvend, as miratim ligjesh pa debat dhe diskutim”, shkroi presidenti malazez në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për një paketë prej 25 ligjesh që tashmë kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian dhe që janë të domosdoshme për Malin e Zi për të vazhduar mbylljen e kapitujve në negociatat e anëtarësimit në BE.

Dy ditë më vonë, Millatoviq ndryshoi qëndrim dhe i shpalli ligjet në fuqi.

Ai tha se kthimi i tyre në Kuvend, me pritjen që deputetët t’i lexonin dhe t’i shqyrtonin seriozisht, sipas vlerësimit të tij, nuk do të kishte asnjë efekt praktik.

Kjo paketë ligjesh, e njohur në zhargonin politik si “ligjet blu”, e kishte miratimin e Brukselit dhe Komisioni Evropian konfirmoi se ishte në dijeni për vendimin e presidentit të Malit të Zi për t’i shpallur ligjet.

“Ne konfirmojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për synimin ambicioz të Malit të Zi që t’i mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave deri në fund të vitit, me kusht që të përmbushen plotësisht të gjitha kushtet e nevojshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

Megjithatë, veprimi i fundit nxori në pah një problem më të thellë: Mali i Zi, i cili tani po hyn në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit në BE, ka nisur të shfaqë shenja të ngadalësimit të procesit.

Ambicia nuk është vetëm e Malit të Zi, por edhe e institucioneve evropiane, që ky vendi t’i mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të këtij viti.

Kjo, së paku teorikisht, do ta bënte të realizueshëm sloganin shtetëror “28 deri më 28”, që nënkupton se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në fund të vitit 2028 – duke pasur kështu kohë të mjaftueshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit, e cila nënshkruhet pas përfundimit zyrtar të negociatave.

Procesi i ratifikimit duhet të kalojë në të gjitha shtetet aktuale anëtare të BE-së – gjithsej 27 – si dhe në shtetin që i bashkohet unionit, në këtë rast, Malin e Zi.

Ky është një proces që zakonisht zgjat nga një deri në tre vjet.

Megjithatë, Mali i Zi, i cili shpesh konsiderohet si lider në procesin e zgjerimit të BE-së, po e zvarrit ritmin e reformave dhe të negociatave.

Sipas zyrtarëve evropianë, plotësimi i pozitave kyç, si gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, tashmë përbën një pengesë serioze për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit.

Po të kishte vendosur presidenti Millatoviq t’i frenonte të ashtuquajturat “ligje blu”, kjo do të kishte rrezikuar konferencat e ardhshme ndërqeveritare, të planifikuara për muajt mars dhe prill, në të cilat mund të mbyllen disa kapituj negociues, bëjnë të ditur burime të Radios Evropa e Lirë.

E, këtë e konfirmoi edhe Mercier.

“Vonesat e vazhdueshme në procese kyç, si miratimi i ligjeve dhe emërimi i pozicioneve të lira, nëse mbeten të pazgjidhura, mund të përbëjnë një pengesë serioze për realizimin e ambicies së Malit të Zi që t’i mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit”, tha ai.

Eurodeputeti Tomisllav Sokoll, anëtar i delegacionit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi, paralajmëroi se ngadalësimi i ritmit të miratimit të ligjeve të nevojshme për mbylljen e kapitujve, “mund të ketë pasoja afatgjate për rrugën evropiane të shtetit”.

“Dritarja e BE-së nuk do të jetë e hapur përgjithmonë, dhe dihet se kush dëshiron ta mbyllë atë. Prandaj, është e rëndësishme të mos humbet një moment që rrallëherë përsëritet”, shkroi Sokoll në rrjetet sociale.

Në janar, Mali i Zi mbylli përkohësisht kapitullin 32 dhe aktualisht i ka të mbyllur 13 kapituj nga gjithsej 33 në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pritet që gjatë gjysmës së parë të vitit, Bashkimi Evropian të miratojë formimin e grupeve punuese që do të angazhohen në hartimin e draftit të Marrëveshjes së Anëtarësimit.

Teksti i kësaj marrëveshjeje përcakton kushtet e anëtarësimit, marrëveshjet kalimtare, masat mbrojtëse, kontributin buxhetor, numrin e deputetëve në Parlamentin Evropian, votat në Këshillin e BE-së, si dhe komisionarin që do ta përfaqësojë Malin e Zi.

Sipas parimeve negociuese të miratuara nga Konferenca e Anëtarësimit, marrëveshjet e arritura gjatë negociatave për kapitujt e veçantë, edhe kur janë të pjesshme, nuk konsiderohen përfundimtare, derisa të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të gjithë kapitujt.

Mali i Zi duhet të mbyllë edhe 23 kapituj negociues, ndërsa për mbylljen e secilit prej tyre kërkohet miratimi i të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian./REL/

Destinacion i preferuar për dashamirësit e skive, Rama ndan fotot nga Dardha ‘magjike’

7 February 2026 at 09:54

Reshjet e dëborës kanë zbardhur fshatin turistik të Dardhës, duke e shndërruar atë në një nga destinacionet më të frekuentuara dimërore në juglindje të vendit.

Pamja alpine dhe bora e bollshme kanë tërhequr qindra turistë vendas dhe të huaj, veçanërisht të apasionuarit pas sporteve dimërore.

Vetëm 18 kilometra larg Korçës, pista e skive në Dardhë po vizitohet masivisht nga të rinj dhe familje që shijojnë ski, snowboard dhe aktivitete të tjera rekreative në dëborë.

Kushtet klimatike dhe infrastruktura turistike e zonës e bëjnë Dardhën një zgjedhje ideale për pushime dimërore.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Dardha e mbuluar nga dëbora, ku fëmijë dhe të rritur shihen duke shijuar sportet dimërore dhe bukurinë natyrore të zonës, duke përcjellë edhe një mesazh pozitiv për fundjavën.

VIDEO/ Ndihmoi 6 emigrantë të kalonin ilegalisht kufirin, arrestohet në Korçë i riu sudanez

7 February 2026 at 09:48
Finalizohet operacioni i koduar “Itinerari 2”. Një shtetas sudanez është arrestuar nga policia. Sipas informacioneve ky shtetas ndihmoi 6 emigrantë për të kaluar kufirin nga Greqia, në drejtim të vendit tonë me qëllim destinacionin një nga vendet e BE-së.Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet edhe një tjetër. 30-vjeçari dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi.
“Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale intensive, të kryera me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, dhe konkretisht aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës, kundrejt parave, emigrantëve që synojnë të shkojnë në mënyrë të kundërligjshme në shtete të BE-së, strukturat e DVKM Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Itinerari 2”. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi 24 vjeç, banues në Darfur, Sudan. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare në vendin e quajtur “Fusha e Parë”, mbi fshatin Drenovë, Korçë, pasi nga veprimet hetimore dhe informacionet e siguruara në rrugë operative dyshohet se ka ndihmuar 6 emigrantë për të kaluar ilegalisht nga Greqia në territorin e Shqipërisë. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasin 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi”, thuhet në njoftimin e policisë
Materialet procedurale për këto raste iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

VIDEO/ Tentoi të grabiste zyrën e Postës Shqiptare dhe një market, kapet “skifteri” në Shkodër

7 February 2026 at 09:38
Shkodër- Finalizohet operacioni policor “Reagimi”, në pranga ka rënë shtetasi Mikel Mhilli. 24-vjeçari tentoi të merrte me dhunë dhe nën kërcënimin e thikës, shuma parash në filialin e Postës Shqiptare dhe në një subjekt tregtar.
Gjithashtu policia ka sekuestruar 2 biçikleta të vjedhura dhe disa nga rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së kësaj vepre penale. I riu ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë.
“Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare.
Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur. Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”. Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Universiteti në Selanik shndërrohet ‘në fushëbetejë’, përplasje me molotov e gaz lotsjellës, 309 të arrestuar

7 February 2026 at 09:31

 309  persona janë arrestuar pas incidenteve të dhunshme në Universitetin Aristoteli të Selanikut. Incidentet filluan gjatë mesnatës pas një feste në Shkollën Politeknike të Universitetit Aristoteli të Selanikut,  kur një grup burrash me kapuçë hodhën kokteje Molotov drejt forcave të policisë.

Ndërkohë forcat e policisë u përgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës. Sipas informacioneve, një grup personash me fytyra të mbuluara dolën nga ambientet e universitetit dhe u zhvendosën drejt Rrugës Egnatia, ku sulmuan një skuadër policie për ndërhyrjen e shpejtë .

Një oficer policie përfundoi në spital me djegie pas përplasjeve të dhunshme.

 

Anulohet festivali i luleve të qershisë në Japoni: Sjellje e keqe e turistëve ka ndikuar në jetën e banorëve

7 February 2026 at 09:21

Festivali vjetor i luleve të qershisë në Parkun Arakurayama Sengen në Fujiyoshida, pranë malit Fuji në Japoni është anuluar.

Sipas autoriteteve ky vendim është marrë pas sjelljeve të papërshtatshme dhe të rrezikshme nga vizitorët.

Festivali, i cili është mbajtur për dekadën e fundit dhe zgjat disa javë, ka tërhequr rreth 200,000 turistë çdo vit.

Megjithatë, siç njoftuan autoritetet lokale ai nuk do të zhvillohet këtë vit, pasi situata ka filluar të ndikojë seriozisht në jetën e përditshme të banorëve, raporton Guardian.

Mbyllen dy aeroporte në Poloni, shkak bëhet ‘aktiviteti i paplanifikuar ushtarak’

7 February 2026 at 09:11

Hapësira ajrore në aeroportet e Lublinit dhe Rzeszovit në Poloninë juglindore është mbyllur në orët e fundit. Shkak për këtë është bërë “aktiviteti ushtarak i paplanifikuar”, njoftoi administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA).

“Aeroportet polake të Lublinit dhe Rzeszovit janë të paarritshme për shkak të aktivitetit ushtarak që lidhet me sigurimin e sigurisë kombëtare. Mbyllja e hapësirës ajrore lidhej me avionët e NATO-s që vepronin në zonë”, huhet në reagim e FAA.

Aeroportet e Rzeszow dhe Lublin pezulluan përkohësisht operacionet muajin e kaluar, duke përmendur operacione rutinë, pa përmendur ndonjë kërcënim për hapësirën ajrore polake.

SHBA: Trump preferon diplomacinë me Iranin, por nuk përjashton opsionet ushtarake

7 February 2026 at 08:53

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar të enjten se diplomacia është zgjedhja e parë e presidentit amerikan Donald Trump për përballjen me Iranin. Megjithatë, Trumpi paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara kanë edhe opsionin ushtarak, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Bisedimet pritet të zhvillohen pavarësisht mosmarrëveshjeve mes dy palëve lidhur me agjendën, gjë që ka rritur dyshimet për arritjen e një marrëveshjeje. Trump ka kërcënuar më herët se SHBA-ja mund të ndërmarrë sulme ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se duan që bisedimet të përfshijnë edhe programin raketor të Iranit dhe çështje të tjera, ndërsa Teherani këmbëngul që fokusi të jetë vetëm te programi bërthamor. Ende nuk është e qartë nëse kjo mosmarrëveshje është zgjidhur.

“Diplomacia është gjithmonë opsioni i parë i presidentit, qoftë ndaj aleatëve apo kundërshtarëve”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke folur për negociatat e ardhshme.

Ajo përsëriti qëndrimin e Trumpit se “zero kapacitete bërthamore” për Iranin është një kërkesë e panegociueshme.

“Presidenti dëshiron të shohë nëse mund të arrihet një marrëveshje”, tha Leavitt. “Por ndërkohë, i kujtojmë regjimit iranian se presidenti ka edhe shumë opsione të tjera, përveç diplomacisë, si komandant i forcës ushtarake më të fuqishme në historinë e botës”.

Mot me vranësira dhe intervale kthjellimesh

7 February 2026 at 08:26

Ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura,  kryesisht në pjesën e parë të ditës, ndërsa nuk do të mungojnë intervale me kthjellime.

Reshjet parashikohen të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në formë shtrëngatash afatshkurtra në pjesën më të madhe të vendit nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit.

Gjatë ditës reshjet e shiut pritet të vijojnë me intensitet të ulët, të herëpashershme në të gjithë vendit por me ndërprerje.

Në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore verilindje- juglindje të vendit reshje dëbore me intensitet kryesisht të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje-veriperëndim  me shpejtësi mesatare 4m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era pritet të fitojë shpejtësi 9m/s, me valëzimin në det të forcës 1-2ballë.

Media franceze: Udhëtim në Shqipëri, nga gjiret magjike, në qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore

7 February 2026 at 08:24

Shqipëria nuk është më një vend i panjohur! Ajo është tashmë nën radarin e turistëve ndërkombëtarë, e lehtë për t’u arritur, dhe ende mund të duket e egër në mënyrë surprizuese, shkruan Vincent Mabire në një artikull të botuar në median franceze të udhëtimeve “Ulysse News”.

Sekreti është të ngadalësoni ritmin sa duhet, për t’i dhënë vendit mundësinë të shfaqë anën e tij më të bukur — nga gjiret magjike joniane, te qytetet e gurta dhe shtigjet e qeta malore.

Nëse pyesni vizitorët pse janë dashuruar me Shqipërinë, shumica do të fillojnë me detin e saj të kristaltë.

Pastaj, do të flasin për një qytet malor ku perëndimi i diellit të lë pa frymë, për një sit romak të fshehur mes pishave, ose për një vakt të shijshëm që ishte shndërruar në një bisedë të gjatë dhe të paharrueshme.

Kjo është magjia e vërtetë e Shqipërisë: ajo shpërblen kuriozitetin dhe ritmin e ngadaltë, jo shpejtësinë!

Kombinoni kohën në plazh, eksplorimet kulturore dhe natyrën e gjallë, dhe do të përjetoni një udhëtim të paharrueshëm në këtë vend të mrekullueshëm.

Pse Shqipëria duket si një destinacion i ri edhe pasi është bërë trend?

Magjia e Shqipërisë nuk qëndron vetëm te çmimet e përballueshme!

Ajo vjen nga ndjesia se vendi ende po zbulon veten, në kohë reale, sidomos kur largohesh nga pikat më të njohura të plazhit!

Në Tiranë, kjo energji ndihet menjëherë: kafenetë janë të mbushura, lagjet ndryshojnë shpejt, dhe qyteti kombinon ngjyra të guximshme me histori të freskët.

Ajo që e bën Shqipërinë të ndryshme nga shumë destinacione klasike mesdhetare është diversiteti i peizazhit.

Në një udhëtim të vetëm, mund të vizitoni bregdetin e Jonit, qytetet e vjetra të listuara në UNESCO dhe në fund të përfundoni në ajër të pastër malor.

Destinacionet kulturore që i shtojnë thellësi të vërtetë një udhëtimi në plazh

Nuk keni nevojë të jeni një adhurues i historisë për të shijuar vendet kulturore të Shqipërisë.

Këto vende janë të vendosura në peizazhe magjepsëse dhe e tregojnë qartë historinë nëse lexoni secilën pllakë.

Niseni turin me Butrintin dhe një nga qytetet e listuara në UNESCO.

Parku Arkeologjik i Butrintit ndodhet pranë bregdetit jugor, mjaftueshëm afër për të kaluar disa ditë në plazh dhe për të rifreskuar mendjen!

Është një vend ku mund të shëtisni nëpër shumë epoka, i rrethuar nga gjelbërimi dhe uji.

Gjithashtu, vizitoni Sarandën dhe zgjidhni një mjedis praktik ku mund të notoni në det, të kaloni një mëngjes kulturor dhe në mbrëmje të relaksoheni pranë bregut.

Ju rekomandojmë të zbuloni qytetet e vjetra, dyshen klasike, Beratin dhe Gjirokastrën, për disa arsye të mira!

Berati është i ndritshëm, i butë dhe piktoresk ndërsa Gjirokastra është shkëmbore, e pjerrët dhe emocionuese.

Të dy qytetet është më mirë të eksplorohen ngadalë, duke bërë një shëtitje pasdite vonë dhe duke shijuar një darkë të qetë në një nga restorantet aty pranë.

Nëse nuk keni shumë kohë në dispozicion, zgjidhni vetëm një nga qytetet dhe zbuloni sa më shumë që të mundeni!

Një natë e vetme mund të jetë magjike, nëse arrini herët dhe shijoni një shëtitje para perëndimit të diellit.
Gjithashtu, vizitoni Durrësin, dhe zbuloni amfiteatrin romak që daton në fillim të shekullit II pas Krishtit, një monument i historisë së gjatë dhe të lashtë të qytetit bregdetar.

Vija bregdetare jugore, e njohur si Riviera Shqiptare, është vendi ku “lindin” kartolinat.

Aty do të gjeni ujëra të kristalta ngjyrë bruz, rrugë buzë shkëmbinjve dhe plazhe që duken shumë të pastra për të qenë reale.

Por ka një detaj të rëndësishëm: koha.

Në korrik dhe gusht, destinacionet kryesore bregdetare mund të duken të mbipopulluara.

Zgjidhja nuk është e ndërlikuar, por strategjike.

Planifikoni kohën që do të shpenzoni në plazh për të shijuar momente relaksi.
Shkoni herët, dhe gjeni një vend ku ka hije dhe lëvizni për shëtitje panoramike pasi të bjerë vapa.

Qendroni larg zonave më të nxehta dhe vizitojoni ato gjatë ditës.

Kështu shijoni pamjet,shmangni kaosin dhe shpesh shpenzoni më pak.

Saranda është një nga destinacionet më të mira në jug, ndërsa Vlora mund të jetë një pikë e mirë orientimi për në veri, në varësi të itinerarit tuaj!

Në brendësi të Shqipërisë, udhëtimi fillon të marrë frymë.

Zhurma e plazhit zëvendësohet nga lugina, lumenj dhe qytete që ecin me një ritëm tjetër.

Nëse kërkon një destinacion të lehtë dhe të qetë, ktheje vështrimin nga Liqeni i Ohrit, në lindje.

Është vendi ideal për mëngjese të ngadalta, shëtitje buzë liqenit dhe një ritëm udhëtimi të butë.

Për një itinerar të fokusuar te natyra, zona e lumit Vjosë është një zgjedhje shumë e mirë, sidomos nëse të pëlqejnë hapësirat e gjera dhe ideja e një Shqipërie më të egër e më autentike.

Në skajin verior, Alpet Shqiptare ofrojnë një “wow” krejt tjetër: maja të thepisura, fshatra të vegjël dhe shtigje ecjeje që mund të kthehen në pikën kulmore të gjithë udhëtimit tuaj.

Çelësi është të pranosh lëvizje më të ngadalta dhe të planifikosh më pak ndalesa.

Dy ose tre netë në të njëjtën zonë malore shpesh vlejnë më shumë sesa një xhiro e shpejtë që të lë pa frymë.

Një udhëtim i paharrueshëm në Shqipëri rrallëherë ka të bëjë me të bërë sa më shumë gjëra! Ka të bëjë me krijimin e një ritmi të natyrshëm.

Mbani mend se gjatë verës, vendet kulturore shijohen më së miri në mëngjes, ndërsa pasditet i përkasin detit, dhe drekave të gjata.

Shqipëria ofron më të mirën e saj kur i jepni kohë të ndalet dhe t’ju prekë!

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

7 February 2026 at 08:00

Dashi

Në dashuri do të keni mundësi që të zgjidhni problemet në çift, në sajë të kalimit tranzit të Venusit. Në punë do të keni dëshirë për ndryshim. Këshillohet që të mos krijoni polemika të kota.

Demi

Do të nisë gradualisht një fazë rikuperimi. Në dashuri gjërat ecin mirë, por sërish ju do të jeni nervoz. Në punë dhe me çështjet financiare, do të keni shumë gjëra për të menduar dhe sistemuar. Kjo për shkak se fitimet nuk janë ashtu siç i kishit menduar.

Binjakët

Dashuria do të jetë nën ritmin e duhur, pasi mund të ketë momente krize me njeriun e zemrës, të cilat duhen kaluar. Është momenti për të menduar për të ardhmen si dhe për të vlerësuar ofertat e punës.

Gaforrja

Ky është një moment rikuperimi sa i takon punës, ku gjërat do të nisin që të ecin më mirë. Dashuria do të jetë e mbushur me pasiguri, pasi mund të keni pengje nga e kaluara.

Luani

Duhet të mundoheni që të shmangni problemet dhe debatet, ndonëse do e keni mjaft të vështirë. Në dashuri, takimet janë mjaft të favorizuara. Në punë, duhet të rrini të përqendruar dhe të vëmendshëm.

Virgjëresha

Mundohuni që të jeni sa më pozitiv, pasi nervozizmi dhe stresi do të jenë në nivele shumë të larta. Në dashuri nëse ka pasur probleme, është momenti për ti zgjidhur. Hëna në shenjën tuaj, do ju ndihmojë që të bëni projekte me rëndësi.

Peshorja

Dita do të jetë mjaft pozitive për të lindurit e kësaj shenje. Në dashuri problemet mund të zgjidhen, madje janë mjaft të favorizuara ndryshimet pozitive. Në punë, do të keni mundësi që të merrni një rol të rëndësishëm.

Akrepi

Duhet të përqendroheni dhe të shmangni debatet. Në dashuri shqetësimet kryesore do të vijnë nga situata ekonomike që po jetoni, shkruan noa.al. Puna do të përmirësohet gradualisht, por momentalisht bëni durim.

Shigjetari

E shtuna do të jetë nën ritmin e duhur, pasi Hëna dhe Venusi do të kenë ndikim të kundërt. Në dashuri, mund të ketë probleme, debate, por edhe dyshime. Në punë, gjërat nuk do të ecin siç dëshironi.

Bricjapi

Ky është momenti për të zgjidhur disa probleme dhe për të jetuar më mirë dashurinë. Mund të lindë një histori dashurie me dikë që nuk e prisni. Po ashtu mund të ndjeni bezdi nga njerëzit që iu rrethojnë.

Ujori

Duhet të mundoheni që të relaksoheni. Në dashuri gjërat do të ecin mirë dhe nëse keni përjetuar një ndarje, kjo periudhë premton takime interesante. Gjithashtu mund të përballeni me probleme në punë, të cilat kërkojnë zgjidhje. Kujdes duhet treguar me paratë.

Peshqit

Ju pret një ditë e mbushur me tension, ndaj bëni mirë që të mos krijoni polemika të kota. Në dashuri, situata do të jetë e komplikuar. Historitë e lindura prej pak kohësh, mund të mos rezultojnë të frytshme. Në punë, duhet të tregoni kujdes maksimal.

Yesterday — 6 February 2026Main stream

Moti i keq/ Masivi i gurëve shkëputet nga shpati në Qafën e Vishës, bllokohet njëri krah i rrugës

6 February 2026 at 15:46

HIMARË- Reshjet e shiut kanë shkaktuar rënien e gurëve dhe dherave në Qafa e Vishës, në Himarë duke bllokuar njërin krah të rrugës dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.

Sipas informacioneve nga zona, masivi i gurëve është shkëputur nga shpati përreth dhe ka përfunduar mbi asfalt, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Drejtuesit e mjeteve janë të detyruar të lëvizin me kujdes dhe me shpejtësi të reduktuar, pasi rruga është e kalueshme vetëm në një krah.

Autoritetet pritet të ndërhyjnë për pastrimin e segmentit dhe rikthimin e normalitetit në qarkullim./abcnews.al/

Moti i keq/ Përrenjtë kanë dalë nga shtrati, Bashkia e Himarës thirrje qytetarëve: Shmangni çdo lëvizje

6 February 2026 at 15:21

Bashkia e Himarës ka bërë apel që qytetarët të shmangin lëvizjet për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të shiut.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar Bashkia e Himarës bën thirrje që qytetarët të qëndrojnë në mjedise të sigurta.

Hapet rruga Korçë-Librazhd/ ARRSH: Bëmë ndërhyrje, nuk ka rrezik për rrëshqitje në rrugë

6 February 2026 at 15:17

Segmenti Librazhd – Prrenjas është hapur për qarkullim të automjeteve.

Autoritetit Rrugor Shqiptar, thotë se pas vlerësimit të situatës në këtë segment u morën   masa të menjëhershme  duke kryer punime për zgjidhjen e situatës së krijuar.

Pas ndërhyrjeve me mjete të rënda u bë e mundur heqja e masivit që përbënte rrezik për rënie të pakontrolluar, duke e pastruar të gjithë sipërfaqen rreth saj.

Tashmë kjo skarpatë nuk përbën  rrezikshmëri për lëvizjen e mjeteve.

Ndërhyrja në këtë segment rrugor do të parandalojë rrezikun nga rrëshqitjet apo rëniet e materialeve/inerte dhe do të përmirësojë qarkullimin për banorët e zonës dhe përdoruesit e tjerë të këtij aksi të rëndësishëm kombëtar

Bankat, transparencë për komisionet/ Rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë: Qytetarët të informohen

6 February 2026 at 15:04

Qytetarët që tërheqin para në bankomate ose kryejnë transferta do të marrin më shumë informacion në lidhje me interesat dhe komisionet që do ti mbahen.

Banka e Shqipërisë ka hartuar një rregullore të re e cila synon të që të rrisë transparencën  dhe të shtrëngojë kriteret në lidhje me  tarifat që aplikohen për këmbime të monedhës, veçanërisht në tërheqjet nga bankomatet dhe pagesat me kartë.

Operatorët e pagesave duhet ta publikojnë përqindjen në një mënyrë të kuptueshme dhe lehtësisht të aksesueshme, në një platformë elektronike.

Institucionet financiare, duhet t’i dërgojë qytetarëve ose bizneseve , një mesazh elektronik me informacionin   e përshtatshëm.

Në këtë mënyrë para nisjes së transaksionit të pagesës, ofruesi i shërbimeve duhet t’i komunikojë  klientëve shumën totale të transfertës të kreditit të përllogaritur në monedhën e llogarisë së paguesit, duke përfshirë çdo tarifë të transaksionit dhe çdo tarifë të këmbimit të monedhës, në një mënyrë të qartë, neutrale dhe të plotë.

Ndryshimet synojnë të adresojnë ankesat e shumta për kostot e larta, veçanërisht për tërheqjet cash jo vetëm për shqiptarët por edhe  nga kartat e huaja, një problem i raportuar shpesh nga turistët dhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. sipas rregullave të reja, klientët do të informohen gjithashtu, përpara pagesës ose tërheqjes, për shumën që do të debitohet nga llogaria e tyre dhe për shumën që do të përfitojë marrësi, në monedhën përkatëse./abcnews.al/

❌
❌