Nga: Louis Chilton / The Independent Përkthimi: Telegrafi.com
A po bëhet televizori më i marrë? Në industrinë e sotme të zbavitjes, rënia e vëmendjes dhe shikuesit e painteresuar po trajtohen jo si pengesa për t’u kapërcyer, por si mundësi tregu. Javën e kaluar, Ben Affleck dhe Matt Damon, duke promovuar filmin e tyre të ri në Netflix, The Rip, duket se konfirmuan atë që është përfolur prej kohësh për prodhimet e Netflix-it - se krijuesve u thuhet qartë që të përshtaten me të ashtuquajturit “shikues në dy ekrane” - ata të cilët e trajtojnë televizorin si diçka që mund të shihet me gjysmë vëmendjeje, ndërsa janë të zënë me Instagram-in, TikTok-in apo ndonjë blog të drejtpërdrejtë mbi sagën e Brooklyn Beckhamit. Damoni bëri shaka duke thënë se Netflix-i i kishte thënë: “Nuk do të ishte keq po të përsërisnit temën tri ose katër herë në dialog, sepse njerëzit janë në telefon teksa shikojnë”. Ai shtoi: “Kjo me të vërtetë do të fillojë të shkel mbi mënyrën se si tregohen ngjarjet”. E, pra, saktësisht kështu.
Nuk është ndonjë zbulim i madh: edhe po të mos kishit lexuar viteve të fundit shumë raportime për kufizimet kreative që u imponohen sot producentëve, kjo zakonisht është e dukshme duke parë produktin përfundimtar. Këtë e ndjen edhe në serialet më të mëdha të platformës, si Wednesday dhe Stranger Things, apo në adaptimin e fundit të Harlan Cobenit, Run Away. Do të ishte budallallëk të mohoje që çdo përsëritje në dialog apo çdo ekspozim i ngathët të ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme - por, nëse sheh mjaftueshëm nga këto përmbajtje në internet, disa modele bëhen të dukshme. Dhe, zakonisht, është më keq në TV sesa në film, sepse regjisorët e mëdhenj të filmave shpesh kanë më shumë kontroll. Problemi, sigurisht, qëndron tek ata që nuk janë duke plotësuar fjalëkryqin e New York Times-it ndërkohë që shikojnë TV, por që shpresojnë të ulen e të përfshihen në një program, qoftë për vlerën artistike apo si një mënyrë për t’u shkëputur nga realiteti. Për këta shikues, përsëritjet e panevojshme e bëjnë përvojën të mërzitshme dhe fyese.
Në një farë kuptimi, natyrisht, nuk ka asgjë të re keqdashëse rreth këtij trendi të ri. Dikur në ditët para të transmetimit në internet, para përhapjes së seteve të DVD-së, televizioni gjithashtu duhej t’i përshtatej një lloji të caktuar të shikuesit pasiv. Duhej, pjesërisht, të merrte parasysh ata që ishin kyçur me vonesë, duke humbur kështu pjesën e parë të një programi - dhe ndërprerjet për reklama shpesh kërkonin që personazhet të përmblidhnin ngjarjen me një kuptim të ngathët të drejtpërdrejt. Serialet më të mira të vjetra televizive nuk e shmangnin këtë, por thjesht gjenin mënyra elegante, artistike, apo edhe qesharake për të përfshirë këto dromca. Kujto, për shembull, një episod të Simpsons që kthehet nga një ndërprerje me reklama, me Homerin që detajon saktësisht se ku janë tani personazhet dhe pse, ndërsa Barti komenton: “Çfarë gjëje e çuditshme për të thënë”.
Megjithatë, rënia e ngadaltë e televizionit në marrëzi shkon përtej kësaj çështjeje të vetme. Si një formë arti, duket se TV‑ja po bën regres në shumë fronte. Pashë dje një diskutim në rrjetet sociale rreth ndikimit të qëndrueshëm të The Wire - dramës gjithëpërfshirëse kriminale, të sofistikuar dhe jashtëzakonisht mbresëlënëse të David Simonit, që ende renditet ndër veprat më të mira në ekranin e shekullit XXI. Keqkuptimi ishte se seria, pavarësisht lavdërimit të përgjithshëm dhe fanatik që i është dhënë, në fakt mbaroi duke pasur pak ndikim te TV‑ja që pasoi - nëse The Wire përdori kanavacën e pakufishme TV‑së për të shtyrë narracionin e ekranit përtej kufijve ekzistues, atëherë asnjë shfaqje, që atëherë, nuk ka synuar me të vërtetë të bëjë të njëjtën gjë. Dhe, është e vështirë të argumentohet se kjo nuk është kështu.
Është gjithashtu e vërtetë që shfaqjet e tjera nga “epoka e artë” e TV‑së - The Sopranos, Deadwood ose edhe Mad Men - bënin gjërat të cilat asnjë gjë tani në TV nuk i provon me sukses. Kishte një kompleksitet të jashtëzakonshëm në një episod të The Sopranos, te mënyra se si historitë pasqyroheshin dhe thelloheshin njëra në tjetrën brenda një ore, gjë që ndihej vërtet si letërsi. Nëse shohim programet më të mira televizive të viteve të fundit - marrim, për shembull, Succession, një vepër jashtëzakonisht e zgjuar televizive, qesharake, me aktrim të mirë dhe mjeshtëror - edhe kjo nuk ka të njëjtën zgjuarsi të narracionit. Në thelb, historia e saj është e drejtpërdrejt, kuptimet e saj të dukshme. Si të gjitha shfaqjet e suksesshme tani, Succession gjithashtu gjithmonë mbajti një sy te rrjetet sociale. Jo patjetër te “shikuesi imagjinar me ekran të dytë”, por te tekat e vivisekcionistëve ose zetgeistëve të internetit. Shfaqjet televizive tani duhet të jenë së pari dhe mbi të gjitha të përshtatshme për meme. Shiva (Sarah Snook) është mbresëlënëse, e matur dhe jashtëzakonisht e besueshme, por a nuk i rrinte mirë ai kostum me pantallona? Dinamika e ndërlikuar midis Tomit dhe Gregut thotë njëqind gjëra të ndryshme rreth mekanizmave të pushtetit dhe klasës, por çfarë nëse do të ishte kondensuar në një montazh homoerotik?
Sigurisht, thesaret e “epokës së artë” të TV‑së, ishin të tilla për një arsye; ato ishin më të zgjuara dhe më komplekse se pothuajse gjithçka që kishte ardhur më parë. Por, edhe në të kaluarën e largët, kur TV‑ja ende konsiderohej si “Kutia e idiotëve”, është fakt se shumë shfaqje televizive, në shumë mënyra ishin më të zgjuara sesa ato që kemi tani. Nëse shikon një episod të Cheers - një sitkom jashtëzakonisht popullor dhe i lehtë - mund të dëgjosh referenca për regjisorë të huaj filmi, për muzikantë klasikë, për romancierë rusë. Niveli i njohurive të supozuara atëherë ishte shumë më i madh; tani TV‑ja rrallë është aventuresk në aludimet e veta.
Në një farë mase, ky nuk është faji i TV-së, por më shumë reflektim i botës ku jetojmë: përderisa monokultura jonë e përbashkët është copëtuar dhe shpërndarë, thjesht nuk ekziston e njëjta bankë referencash për t’u përdorur. (Temat e njohura të diskutueshme që ekzistojnë, pothuajse gjithmonë i përkasin fushave më të reja, më aktuale të kulturës: muzika pop; kinemaja.) Por, është vetëm gjysma e justifikimit - jo të gjithë që shikonin Cheers pritej të dinin se kush ishte Gustav Mahleri apo Ingmar Bergmani; megjithatë, shakatë bëheshin gjithsesi. Tani, TV‑ja është tepër e etur për të pasur prioritet qasjen. Krijuesit janë të përcaktuar që shikuesit të mos mbeten pas - qoftë sepse ata kanë një sy te telefonat e tyre, apo sepse nuk dinë se kush është Carl Jungu. Ajo që ka mbetur është një formë arti që heziton të shikojë jashtë, një formë arti që po bëhet gjithnjë e më i mbyllur.
Në intervistën e tyre në podkastin e Joe Roganit, Afflecku dhe Damoni përmendën një serial tjetër të Netflix‑it, Adolescence, si një “përjashtim” nga rregulli - provë se TV-ja që ka vlerë ende po punon pa u komprometuar nga kërkesat sistematike. Edhe gjatë vitit të kaluar, ka pasur një numër serialesh që ishin inteligjente dhe origjinale, programe të dizajnuara për t’u parë si duhet dhe me vëmendje. Është për ngushëllim që serialet e tilla si Adolescence, apo Pluribus, apo The Chair Company, mund të gjejnë audienca të konsiderueshme pa u dorëzuar ndaj instinkteve më të ulëta të mentalitetit të epokës së transmetimeve në internet. Ndoshta ato janë përjashtime, por janë diçka, të paktën. Në fund të fundit, nuk ka ndonjë përfitim afatgjatë në krijimin e TV‑së që i pëlqen të painteresuarve. Televizioni, me fjalë të tjera, nuk ka nevojë të jetë budalla - le të shpresojmë se ata që janë në krye janë mjaftueshëm të zgjuar për ta kuptuar këtë. /Telegrafi/
Mjeti i improvizuar ka shkaktuar shumë habi - por, kjo flet më shumë për njerëzit sesa për lopët.
Nga: Helen Pilcher / The Guardian (titulli: So a cow can use a stick to scratch its backside. When will we learn that humans are really not that special?) Përkthimi: Telegrafi.com
Kam një shoqe fermere që më rrëfen rregullisht histori plot ngjyra për bagëtinë e saj. Si ajo hera kur një lopë për mish e quajtur Noisette përdori gjuhën për të tërhequr kapësen e derës së stallës të saj, që të mund të vidhte copat e ushqimit nga kazani afër. Ose, hera tjetër kur bëri të njëjtën gjë, jo për të dalë vetë, por mbase vetëm për të qëndruar mënjanë dhe për të parë teksa shoqet e saj të liruara “bredhin dhe shkaktojnë rrëmujë.”
Aty ku të tjerët shohin një tufë lopësh që rrinë kot, shoqja ime sheh një telenovelë - me personazhe dhe kthesa në ngjarje. Lopët, më thotë ajo, mësojnë shpejt, mërziten lehtë dhe kanë një prirje të pashtershme për marifete.
Kështu që, kur u përhap lajmi për një lopë të quajtur Veronika që përdor një fshesë për të kruar prapanicën, shoqja ime nuk u çudit. “Nuk mendoj se ndonjë prodhues qumështi do të habitej nga kjo”, thotë ajo.
Në revistën Current Biology, studiuesit e Universitetit të Mjekësisë Veterinare në Austri, përshkruajnë se si Veronika, një lopë 13-vjeçare shtëpiake zvicerane, kap fshesën me gjuhë, pastaj anon dhe e përdor për të kruar pjesët e trupit që nuk i arrin dot ndryshe. Fundi i sheshtë i fshesës përdoret për lëkurën e ndjeshme të barkut, ndërsa pjesa me fije ruhet për lëkurën më të trashë të shpinës dhe të prapanicës.
Autorët thonë se kjo është jo vetëm hera e parë që përdorimi i mjetit është dokumentuar zyrtarisht te lopët, por edhe tregues i parë që ato mund të përdorin mjetet në mënyrë të përshtatshme dhe për shumë funksione. Veronika e ngriti një fshesë të zakonshme oborri në statusin e një thike shumëfunksionale zvicerane. Duke e kontrolluar me mjeshtëri me gojë, mjeti shërbente si për barkun ashtu edhe për prapanicën.
Reagimi ishte i habitshëm, por nuk duhet të ishte. Ne vazhdimisht i nënvlerësojmë aftësitë e kafshëve jonjerëzore edhe kur provat janë kudo rreth nesh.
Përdorimi i mjetit thuhet se ndodh kur një kafshë manipulon qëllimisht një objekt për të arritur një synim të caktuar. Pra, kur qeni im kruan shpinën duke u rrotulluar në tokë të ngrirë, është gjë e këndshme - por, nuk është përdorim mjeti. Qeni lëviz. Toka jo. Kur ma sjell topin sepse do të luajmë, po, objekti manipulohet, por nuk është ai që e hedh. Në vend të kësaj, ai ka mësuar që unë do ta bëj këtë.
Për një kohë të gjatë, përdorimi i mjeteve mendohej si sjellje unike për njerëzit. Pastaj, në vitet ’60 të shekullit XX, primatologia Jane Goodall pa një shimpanze të egër që zhvishte një degë, e fuste në një grumbull termitesh dhe pastaj e tërhiqte jashtë për të ngrënë insektet që kapeshin në të. Që atëherë, janë dokumentuar shumë shembuj të tjerë të kafshëve që përdorin mjete. Lundërzat e detit përdorin gurë si çekiç për të shkëputur molusqet nga fundi i detit dhe si kudhër për t’i thyer guaskat. Në Senegal, shimpanzetë mprehin majat e degëve për t’i përdorur si heshta, të cilat i përdorin për të goditur kafshët e vogla që flenë. Korbat e Kaledonisë së Re krijojnë grepa të sofistikuar nga degët për të nxjerrë larva nga trungjet.
Më pak të shkathtë, por po aq mbresëlënëse: arinjtë polarë besohet se godasin lopët e detit me gurë në kokë; oktapodët hedhin guaska te njëri-tjetri; ndërsa shqiponjat janë parë duke marrë degë të ndezura nga zjarret dhe duke i lëshuar në zona të tjera për të ndezur zjarre të reja. Më pas, sulmojnë kafshët që ikin nga flakët.
Një nga një, tiparet që dikur i konsideronim vetëm njerëzore - si përdorimi i mjeteve, komunikimi kompleks, aftësia për të numëruar dhe kultura - bien si domino.
Por, prapëseprapë, preferojmë të mbajmë gjallë iluzionin e epërsisë sonë të supozuar. Mendoj se historia e Veronikës na tregon më pak për mendjen e lopëve, dhe më shumë për mendjen e njerëzve. Jemi bërë aq të verbër sa nuk arrijmë të shohim se kafshët janë më të zgjuara dhe më të ngjashme me ne sesa i vlerësojmë. Sidoqoftë, shoqja ime fermere është vigjilente. Ajo ka kaluar vite të tëra duke punuar me kafshët dhe duke u kujdesur për to. Ka vëzhguar sjelljen e tyre dhe nuk ka dyshim se janë krijesa komplekse, me jetë të pasur të brendshme. Dhe, ka të drejtë.
Pas raportimit të përdorimit të mjetit nga shimpanzetë nga Goodalli, paleoantropologu britanik Louis Leakey shkroi: “Tani duhet të riformulojmë përkufizimin e mjetit, të riformulojmë përkufizimin e njeriut, ose t’i pranojmë shimpanzetë si njerëz”. Kam një propozim të katërt: nuk kemi pse t’i pranojmë lopët si njerëz - por, duhet të zbresim nga lartësia dhe të pranojmë se nuk jemi edhe aq të veçantë. Lopët, nga ana tjetër, janë. /Telegrafi/
Libri “Mullahët në sallën e koncerteve” i Hysen Beqës është një vepër provokuese, e guximshme dhe thellësisht kritike ndaj mënyrës se si dogma fetare, kur shndërrohet në instrument pushteti, rrezikon lirinë individuale, rendin demokratik dhe vetë qenien kulturore të shoqërisë së Kosovës pas luftës. Autori ndërton një narrativë të fortë simbolike, ku feja, politika dhe frika bashkëveprojnë në një hapësirë publike të uzurpuar, në sallën e koncerteve, e cila shndërrohet nga vend arti e lirie në skenë ideologjike.
Beqa nuk sulmon besimin si përvojë shpirtërore personale, përkundrazi, ai e dallon qartë besimin e lirë nga feja e instrumentalizuar. Në qendër të librit qëndron figura e “Mullah X”, një karakter alegorik që mishëron autoritetin fetar dogmatik, karizmatik dhe manipulues, përmes të cilit autori zbërthen mekanizmat e indoktrinimit, shfrytëzimit të frikës dhe deformimit të historisë kombëtare.
Tubimi masiv në sheshin e kryeqytetit shndërrohet në metaforë të rrezikshme të një shoqërie që, përmes heshtjes, lejon rrëshqitjen drejt ekstremizmit.
Narracioni i librit lëviz mes realizmit social dhe alegorisë filozofike, duke përfshirë edhe pasazhe metafizike ku vetë koncepti i Zotit vihet në pikëpyetje. Këto pjesë e zhvendosin veprën përtej një libri politik apo social, duke e shndërruar në një reflektim ekzistencial mbi besimin, lirinë dhe përgjegjësinë morale të individit. Gjuha e autorit është e drejtpërdrejtë, shpesh ironike, herë-herë tronditëse, por gjithmonë e qëllimshme.
“Mullahët në sallën e koncerteve” nuk kërkon pajtim të lehtë me lexuesin. Ai kërkon guxim për t’u lexuar dhe ndershmëri për t’u kuptuar. Është një thirrje kundër heshtjes, një paralajmërim ndaj normalizimit të fanatizmit dhe një mbrojtje e fuqishme e lirisë së mendimit në një shoqëri ende të brishtë demokratikisht. Një libër që hap debat, që shqetëson dhe mbetet gjatë në mendjen e lexuesit.
Joshja ndaj eksplorimit të hapësirës mbetet e fuqishme, veçanërisht për një president që kërkon me dëshpërim të lërë një trashëgimi pas vetes.
Nga: Philip Johnston / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Askund në Tokë nuk ke më shumë siguri për të vënë në perspektivë ankthin modern sesa në Egjipt. Vizita ime e fundit te piramidat e Gizës ishte për t’u mahnitur si nga mrekullia e jashtëzakonshme inxhinierike, ashtu edhe nga lashtësia e tyre. Ne jemi më afër në kohë me Kleopatrën, faraonen e fundit e cila vdiq dy mijë vjet më parë, sesa ajo ishte me Kufunë, ndërtuesin e Piramidës së Madhe - e vetmja e mbijetuar e Shtatë Mrekullive të botës së lashtë. Përmasat e historisë që shfaqen aty janë marramendëse.
Kjo, padyshim, i bën të gjitha manovrat rreth kalimit të Robert Jenrickut te Reform-a, apo edhe përpjekjen e Donald Trumpit për të aneksuar Grenlandën, të duken si një gungë e vogël në rrugën e kohës. Me të vërtetë, nëse presidenti amerikan dëshiron të dijë se si duket me të vërtetë ngritja narcisiste, ai duhet të shkojë në Abu Simbel dhe të shohë statujat kolosale të Ramzesit II të gdhendura në shpatin e malit.
Ka qenë një udhëheqës që dinte si ta projektonte imazhin e tij dhe të manipulonte të vërtetën. Grekët e quajtën atë Ozimandia, dhe në poezinë e tij të madhe me të njëjtin emër, Shelley tall ambiciet e tij grandioze dhe përkohshmërinë e pushtetit. Trumpi është Ozimandia i sotëm, deri te “buzërrudhur dhe ftohtas ngërdheshur”.
Udhëtimi im në tokën antike të Egjiptit përkoi me vdekjen e Erich von Dänikenit, shkrimtarit populist që çoi para teorinë se piramidat u ndërtuan nga jashtëtokësorët. Në librin e tij Karrocat e zotave? [Chariots of the Gods?] ai sugjeroi se qytetërimi njerëzor është produkt i ndërhyrjes së qëllimshme nga jashtëtokësorët.
Teza e tij qendrore ishte se vizitorët “e hapësirës”, në kohët e lashta kishin kryer një “eksperiment shumimi” mbi banorët e Tokës, “derisa më në fund ata prodhuan një krijesë mjaftueshëm inteligjente që t’i barteshin rregullat e shoqërisë”.
Pyetja e tij “A ishte Zoti astronaut?” ushqeu dekada të tëra me teori konspirative të Epokës së Re, të përforcuara më pas nga interneti dhe rrjetet sociale. Ai mund të ekspozohej si diletant dhe mashtrues, por librat e tij vazhduan të pranoheshin nga një audiencë naive për të cilën ishte e pamundur për të besuar se egjiptianët e lashtë ishin në gjendje të bënin monumente të tilla.
Megjithatë, ideja absurde që jashtëtokësorët që zotërojnë mjetet teknologjike për të udhëtuar nëpër kozmos do të linin pas një grumbull gurësh dhe një gjuhë misterioze si provë të pranisë së tyre, nuk dukej se i shqetësonte besimtarët. As fakti që eksplorimi hapësinor është pafundësisht më pak i mundshëm sesa mijëra egjiptianë duke përdorur litarë dhe saja për të tërhequr blloqe masive guri në pozicion në Piramidën e Madhe - pa marrë parasysh se sa e jashtëzakonshme mund të duket ajo përpjekje për ne sot.
Vetëm në fantashkencë është e mundur të udhëtosh te ylli më i afërt. Në vitin 2012, sonda hapësinore Voyager 1 u bë objekti i parë i krijuar nga njeriu që doli nga Sistemi Diellor. Ajo u nis pothuajse 50 vjet më parë; megjithatë, më 15 nëntor të këtij viti do të jetë vetëm një ditë drite larg Tokës. Ylli më i afërt me një planet në orbitë që mund të mbajë jetë është më shumë se katër vjet drite larg.
Pra, do të kalojnë mijëra vjet para se çdo qenie, që mund të ndajë këtë univers me ne, të dëgjojë tingujt e Koncertit të Dytë të Brandenburgut të Bahut ose të përpiqet të gjejë kuptimin e vizatimeve të përfshira në të ashtuquajturin Regjistri i Artë që sonda mban.
Do të kishin menduar se, përballë pamundësisë së udhëtimeve në hapësirë, ne do t’i braktisnim ëndrrat tona dhe do të pranonim se nuk po shkojmë askund. Mbi të gjitha, janë 53 vjet nga ulja e fundit me ekuipazh në Hënë nga Apollo 17, një epokë të cilën ne, në mënyrë tepër optimiste, e pamë si fillimin e Epokës Hapësinore, por doli se ky ishte fundi i saj.
Por, tundimi mbetet i fuqishëm, veçanërisht për dikë që kërkon me dëshpërim të lërë një trashëgimi, pra Donald J. Trump. Para Krishtlindjes, ai lëshoi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte NASA-n të çonte një njeri në Hënë deri në vitin 2028 - para se ai të përfundojë mandatet e tij të dytë.
Gjatë fundjavës, raketa e Sistemit të Lëshimit Hapësinor (SLS) dhe kapsula hapësinore Orion u zhvendosën nga Qendra Hapësinore Kenedi e NASA-s në platformën e nisjes. Ishte një kujtim i atyre ditëve të ngazëllyera në fund të viteve ‘60 dhe në fillim të viteve ‘70 të shekullit XX, kur raketat e mëdha Saturn ishin duke u vendosur në pozicion.
Artemisi II është planifikuar të niset muajin e ardhshëm, me katër anëtarë ekuipazhi në bord të cilët drejtohen drejt Hënës, megjithëse jo për të zbritur.
Ajo do të shërbejë, në vend të kësaj, për të vendosur themelet për një ulje hënore nga astronautët me misionin Artemis III, ndoshta vitin e ardhshëm. Pas kësaj, tetë ulje të tjera janë planifikuar për të ngritur një bazë të përhershme në Hënë, për eksperimentim shkencor dhe për t’u përdorur si trampolinë drejt Marsit.
A ka ndonjë kuptim në këtë dhe a mund të përballohet? Qëndrueshmëria e projektit u përmirësua paksa nga zhvillimi i mjeteve të ripërdorshme që çoi Kongresin e ShBA-së, vitin e kaluar, nën Trumpin, të financojë misionet nën një Ligj të madh e të bukur [One Big Beautiful Bill Act]. Por, gjithsesi do të kushtojë me miliarda.
Dhe, megjithëse do të jetë e jashtëzakonshme të shihet një herë tjetër njeriu duke ecur në sipërfaqen e fqinjit tonë më të afërt qiellor, a mund të justifikohet me të vërtetë kjo? Duke u kthyer te programi Apollo, mund të shihet sot si një aventurë e madhe, por ishte thellësisht e papëlqyeshme mes shumë amerikanëve për shkak të kostos.
Ai u motivua po aq nga politika e Luftës së Ftohtë sa edhe nga kërkimi për përparim shkencor. Në vitin 1962, presidenti John F. Kennedy caktoi objektivin për ta çuar njeriun në Hënë deri në fund të dekadës, kryesisht për t’i treguar Bashkimit Sovjetik se Perëndimi kapitalist mund të bënte atë që shteti sklerotik komunist do ta kishte të pamundur për ta arritur. Mbështetja e Trumpit për Artemisin është gjithashtu politike, pasi ai dëshiron të ketë avantazh ndaj Kinës e cila gjithashtu po planifikon misione me ekuipazh, megjithëse jo deri në vitin 2030.
Cilido qoftë arsyetimi - dhe nëse ndoshta do të ishte më mirë të shpenzoheshin paratë për një kurë për Alzheimerin - dëshira për t’u çliruar nga Toka mbetet e fortë. Deri më tani, nuk ka të njëjtin ndjesi entuziazmi rreth Artemisit si ajo që unë e kujtoj në fëmijë me Apollon.
Kur ajo niset muajin e ardhshëm (duke supozuar se kjo ndodh, duke pasur parasysh shumë defekte teknike me anijen hapësinore), presidenti Trump sigurisht do ta shfrytëzojë atë deri në maksimum. Megjithatë, a është një trampolinë drejt yjeve apo thjesht ëndrra e një njeriu mendjemadh? “Shihni ç’bëra! Dhe brenga ju hëngërt”! /Telegrafi/
Nga: David Byrne (nga albumi “Remain in Light”, Talking Heads, 1980) Përktheu: Agron Shala
Mozhiku sheh fshatin e vet Nga një kodër pranë Mozhiku mendon për ditët Para se të vinin amerikanët Ai u shërben të huajve që rriten në numër Ai i sheh të huajt në shtëpi luksoze Ai ëndërron për ditët që ende mund t’i kujtojë
Mozhiku mban një pako Në duart e tij që dridhen Mozhiku dërgon pakon Te burri amerikan Lehtësisht, rrëshqet përgjatë rrugëve dhe rrugicave Vjen era që i shtyn ata të ikin për strehim Ai ndjen, se koha është me siguri tani ose kurrë më
Era në zemrën time, era në zemrën time Pluhuri në kokën time, pluhuri në kokën time Era në zemrën time, era në zemrën time vjen për të Dëbuar ata, dëbuar ata
Mozhiku blen pajisjet e veta Në treg Mozhiku vendos pajisjet Në Zonën e Tregtisë së Lirë Ai ndjen se era ngre lart popullin e tij Ai e thërret erën që ta udhëheqë në misionin e tij Ai e di, që miku i tij - era - është gjithmonë aty pranë
Mozhiku nuhat erën Që vjen nga larg Mozhiku pret lajme Në një vend të qetë Ai ndjen praninë e erës afër tij Ai ndjen fuqinë e së kaluarës pas tij Ai ka dijeninë e erës për ta udhëhequr
Era në zemrën time, era në zemrën time Pluhuri në kokën time, pluhuri në kokën time Era në zemrën time, era në zemrën time vjen për të Dëbuar ata, dëbuar ata
Shpresoj të jem gabim, por gjithçka që shoh është një shtet këmbëngulës paranojak.
Irani është kapluar sërish nga një valë tjetër trazirash masive civile. Këta rreshta shkruhen mes ndërprerjes së internetit, dhe nuk e dija nëse do të mund ta dërgoja. Që nga kryengritja pas zgjedhjeve të vitit 2009, shpërthimet sporadike të zemërimit publik janë bërë thuajse të zakonshme, kryesisht janë heshtur - për një kohë brutalisht - vetëm për të shpërthyer sërish në një rast tjetër.
Protesta në rrugë nuk është mjeti i vetëm përmes të cilit opozita ka përçuar mospajtimin e saj. Iranianët i kanë provuar të gjitha - qofshin zgjedhjet, ndonëse shumë të ngushta dhe të kufizuara vetëm në zgjedhjet që shteti ofron, apo rrjetet sociale, universitetet dhe ngjarjet publike. Kërkesa për ndryshim kuptimplotë përsëritet në mënyra të ndryshme, sërish e sërish, por pa dobi. Që nga viti 2000, shteti iranian i ka kushtuar pak vëmendje kërkesave demokratike. Dhe, kur ka pasur ndonjë çarje të ngushtë në këtë mur shtetëror, njerëz si Donald Trump - me rivënien e sanksioneve dhe shkeljen e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit - i kanë sabotuar dhe devijuar përpjekjet civile për reformimin e Republikës Islamike.
Dhe, ja ku jemi sërish. Shumë prej nesh, iranianë, përballemi me ndjesinë se vullneti ynë ka pak vlerë. Dilema që përballim nuk ndalet këtu. Jo vetëm që shumë prej nesh nuk përfaqësohen brenda Iranit, por gjithashtu as në opozitën e tij. Për shumëkënd, njeriu që përmendet si kundërshtari kryesor i Republikës Islamike, trashëgimtari i tiranit të mëparshëm monarkik të Iranit, Reza Pahlavi, nuk na intereson. Vetë ideja e kthimit te diktatura dhe pushteti te një njeri, sado laik që ai mund të jetë, t’i çon flokët përpjetë, e lëre më kthimi tek ai, i parë gjerësisht si vegël e Izraelit, i rrethuar nga forcat antidemokratike, patriarkal në thelb, i papërvojë dhe i larguar nga shoqëria iraniane për shkak të statusit të tij si emigrant.
Për më tepër, ekziston një mundësi reale që burri i paparashikueshëm në Shtëpinë e Bardhë, i dehur nga shfaqja e tij e forcës në Karakas, të ndërhyjë ushtarakisht. Dhe, ky mund të jetë një akt që do të çonte në një periudhë të gjatë dhune dhe ndoshta në vite të tëra lufte. Trumpi ka treguar se, pavarësisht retorikës së tij, “Fillimisht Amerika”, ai është i gatshëm të luajë me idenë e rilindjes së një forme të re të imperializmit perëndimor. Ai heziton paksa për të përdorur mjetet ushtarake për qëllime politike. Kërcënimet e tij dhe prania e tij “e madhe, e bukur” hedhin hije mbi çdo diskutim, dhe sa të shëmtuara janë fjalët e tij për ne: imazhi oriental i njerëzve të Azisë Perëndimore si të egër që nuk mund të çojnë vendin e tyre në drejtimin e duhur dhe që, në të vërtetë, kanë nevojë për një shpëtimtar të bardhë në formën e një heroi të Marvelit, të Kapitenit Amerika. Në çdo rast, kujtimi i bombardimeve të tij të fundit ndaj Iranit është ende i freskët dhe nuk është kujtim të cilin shumë prej nesh e ruajnë me simpati.
Ky është një tjetër episod i mjerë për Iranin, dhe unë jetoj në një flluskë shoqërore të formuar kryesisht nga individë të arsimuar të cilët, për aq sa mund të kuptoj përmes mjeteve të kufizuara të komunikimit, e shohin këtë episod me frikë. Tani, rrugët nuk janë më skenë protestash, por kur ishin, ishin të rrëmujshme, të përgjakshme dhe apokaliptike. Funerali i 100 policëve u mbajt javën e kaluar në Universitetin e Teheranit, dhe vetëm Zoti e di sa protestues kanë gjetur vdekjen në këmbim. Ky nivel i dhunës është i paprecedentë, dhe spektaklet e tilla frikësojnë shumëkënd.
Ne nuk jemi të panjohur me revolucionin në Iran. Ende jetojmë mes pasojave të revolucionit të fundit të vitit 1979. Dhe, pikërisht për shkak të kësaj, shumë prej nesh kemi frikë. Shembja e shtetit është problematike. Sjell dhunë dhe pasiguri. I frikëson njerëzit drejt migrimit; pra, asgjë për t’u pritur me kënaqësi.
Dhe, mundësia e rrëzimit të Republikës Islamike është e largët. Ky entitet politik ka rrënjë në shumë grupe shoqërore dhe një bazë të përkushtuar që do të qëndrojë me të në çdo situatë. Republika Islamike ka gjasa të mbetet, dhe mund të supozohet se kur përballet me demonstrata të tilla masive dhe të përhapura - të mbështetura nga fuqi të huaja - paranoja e saj fiton një kuptim të ri. Shteti fillon të shohë veten nën kërcënim ekzistencial, ngrit mbrojtjen dhe shuan më ashpër çdo zë për ndryshim. Kjo, sigurisht, çon në një tjetër raund trazirash civile në të ardhmen e afërt. Nëse shteti iranian nuk fillon të lëshojë terren për ndryshime kuptimplota dhe themelore, ajo që mund të shihet duke pritur Iranin është përsëritja e vazhdueshme e trazirave shoqërore në njërën anë dhe shfaqjet e forcës nga shteti në anën tjetër. Një rreth vdekjeprurës i shterimit ku vendi gërryhet dhe fundoset, në vend që të lëvizë drejt një forme politike demokratike. /Telegrafi/
_____________
[1] Autori jeton në Iran, emër i njohur për redaksinë e Guardian-it.
Nga: Matt Glazebrook / BBC Përkthimi: Telegrafi.com
Paul Robeson ishte superyll i skenës dhe ekranit, një futbollist i talentuar dhe krijues i hiteve muzikore. Pastaj, mes "zjarrmisë antikomuniste" në ShBA gjatë Luftës së Ftohtë, erdhi një rënie dramatike nga lavdia.
Balada për amerikanët [Ballad for Americans] e Paul Robesonit ishte hit i papritur i muzikës pop. Një kantatë patriotike popullore që zgjaste 10 minuta, ofronte një version gjithëpërfshirës të historisë amerikane, nga formimi i saj i zjarrtë (Më '76 qielli ishte i kuq) deri tek e tashmja shumetnike, siç artikulohej nga një rrëfyes që zbulon veten të jetë vetë Amerika.
Megjithatë, kur baritoni i njohur interpretoi për herë të parë këngën në një transmetim radiofonik kombëtar në CBS në vitin 1939, u bë menjëherë sensacion. Audienca në studio duartrokiti për 20 minuta. Letrat dhe telefonatat përmbytën stacionin dhe emisioni u përsërit gjatë gjithë vitit pasues. Tashmë një yll i skenës, ekranit dhe fushës së futbollit amerikan, transmetimi dhe publikimi i mëvonshëm i Baladës për amerikanët përforcuan statusin e Robesonit si personi më i famshëm me ngjyrë në Amerikë.
Vetëm një dekadë më vonë, ai ishte etiketuar jo vetëm si "antiamerikan", por edhe si një person në fakt inekzistent - i ndaluar nga televizioni, i fshirë nga tekstet shkollore, me pasaportën e revokuar. Teksa Lufta e Ftohtë merrte hov dhe elita politike e kulturore e ShBA-së përfshihej nga zjarrmia antikomuniste, aktiviteti për të drejtat civile dhe solidariteti socialist i Robesonit e bënë atë objektiv kryesor.
Ai vdiq më 23 janar 1976, 200 vjet pas lindjes së përgjakshme të ShBA-së dhe 50 vjet më parë këtë muaj. Dekadat e tij të fundit u shënuan nga sëmundja dhe izolimi, pasojë e një fushate shtypjeje që ishte pa precedent mes ndalimeve të përhapura në industrinë e argëtimit që karakterizuan “Frikën e kuqe” [Red Scare]
Paul Robesoni lindi më 1898 në Prinston të Nju-Xhersit, më i vogli nga pesë fëmijët. Babai i tij pastor e mbajti familjen pasi nëna e tij vdiq në një zjarr shtëpie pak vite pas lindjes së tij. Të thuash se Robesoni ishte një i ri i jashtëzakonshëm do të ishte nënvlerësim i madh. Ai shkëlqeu në aspektin akademik, në sport dhe në art gjatë gjimnazit në Nju-Xhersi.
Robesoni në vitin 1949(Getty Images)
Ai fitoi një bursë katërvjeçare në Universitetin e Ratgersit nga i cili doli me nderimet më të larta akademike dhe mbajti fjalimin e diplomimit. U nderua me 15 vlerësime [varsity letters], përfshirë në bejsboll, basketboll, shtizë, disk dhe hedhje sfere. Por, në futbollin amerikan ai u bë vërtet një yll, duke u përzgjedhur dy herë në ekipin premtues [All-American], përpara se të luante në mënyrë profesionale - për të financuar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Kolumbia në fillim të viteve ’20 të shekullit XX. Walter Camp, eksperti kryesor i futbollit në ShBA, e quajti Robesonin “mbrojtësin më të madh që ka shkelur ndonjëherë fushën”.
Duke jetuar në Harlem në kulmin e Rilindjes së Harlemit, Robesoni përdori gjithashtu kohën e tij në Kolumbia për të nisur aktrimin, si dhe për të kënduar në klubin e famshëm “Cotton Club”. Karriera e tij juridike përfundoi papritur jo shumë kohë pas diplomimit, kur ai dha dorëheqjen nga një firmë ligjore, në shenjë proteste, pasi një sekretare e bardhë refuzoi që ai t’i diktonte. Në vend të kësaj, u bë interpretues me kohë të plotë, i mbështetur fillimisht financiarisht nga gruaja e tij, Eslanda, drejtoreshë e laboratorit të patologjisë në Spitalin Presbiterian të Nju-Jorkut. Ai luajti në dy drama të Eugene O’Neillit (Të gjithë fëmijët e Zotit kanë flatra dhe Perandori Xhons), incizoi albume të ashtuquajturave shpirtërore të zezakëve [Negro spirituals] dhe hapi mjuziklin e ri të Oscar Hammersteinit dhe Jerome Kernit, Shfaqja lundruese [Show Boat], në vitin 1927, duke kënduar Lumin Plak [Ol' Man River], këngë që u vlerësua shumë nga kritika.
Ai filloi gjithashtu të udhëtonte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë. Në vitin 1930, e interpretoi Othellon në Teatrin e Savoit të Londrës, duke u bërë aktori i parë me ngjyrë që e bënte këtë në kryeqytetin britanik - që nga Ira Aldridge një shekull më parë. Dhe, pasi kaloi pjesën më të madhe të dekadës së hershme duke interpretuar jashtë vendit, u kthye në ShBA për të luajtur në versionin filmik të Holivudit të Shfaqjes lundruese në vitin 1936. Ngjitja e tij në statusin e një ylli të kategorisë A ishte e plotë. Në vitin 1928, revista New Yorker e kishte cilësuar atë si “premtimi i racës së tij”, “Mbret i Harlemit” dhe “idhull i njerëzve të tij”.
Robesoni në një skenë filmi (1936)(Getty Images)
Deri në vitin 1940, pak pasi interpretoi Baladën për amerikanët për 30 mijë njerëz në Holivud [Hollywood Bowl], revista Collier’s e shpalli atë “Argëtuesin Nr. 1 me ngjyrë të Amerikës”. Sipas biografit të tij, Martin Duberman, Robesoni i dukej “botës së bardhë në përgjithësi [...] një njeri magnetik, i qytetëruar dhe i talentuar që ishte ngjitur mbi rrethanat e tij jo përmes agresivitetit, por përmes talentit”.
Në realitet, gjatë ngritjes së tij drejt famës, Robesoni kaloi shumë kohë duke u edukuar dhe duke u bërë gjithnjë e më i zëshëm për kontekstin më të gjerë të luftës së njerëzve me ngjyrë. Në Evropë, ai dha shfaqje bamirësie për minatorët uellsianë, refugjatët hebrenj dhe luftëtarët republikanë në Luftën Civile Spanjolle. Ai studioi gjuhë afrikane dhe shkrime marksiste, dhe vizitoi Bashkimin Sovjetik. Në ShBA ai refuzoi të interpretonte për audienca të ndara sipas racës, iu bashkua grevave të sindikatave dhe, në fushatën presidenciale të vitit 1948, mbështeti Partinë Progresive të Henry Wallaceit. Megjithatë, të gjitha këto kauza ishin relativisht të padëmshme për Robesonin - derisa e mbajti një fjalim më 20 prill 1949 në Paris.
Kongresi Botëror i Përkrahësve për Paqen ishte një mbledhje me rreth dy mijë shkencëtarë, mësues, aktivistë dhe artistë nga 75 vende, i thirrur për të dënuar garën e armatimit të Luftës së Ftohtë dhe atë që ata e shihnin si agresion të ShBA-ve ndaj Bashkimit Sovjetik.
“Është e paimagjinueshme që zezakët amerikanë të shkojnë në luftë në emër të atyre që na kanë shtypur për breza”, deklaroi Robesoni para të mbledhurve të krahut të majtë, “kundër një vendi [BRSS] i cili brenda një brezi e ka ngritur popullin tonë në dinjitetin e plotë të njerëzimit”.
Rreth gjashtë vjet përpara bojkotit të autobusëve në Montgomeri dhe lindjes së lëvizjes moderne për të drejtat civile, Robesoni sugjeroi një formë rebelimi të njerëzve me ngjyrë që i tejkalonte objektivat asimiluese të NAACP-së (Shoqata Kombëtare për Avancimin e Njerëzve me Ngjyrë) - që ishte organizata dominuese në atë kohë. Reagimi, si nga liberalët kryesorë ashtu edhe nga antikomunistët konservatorë, ishte i menjëhershëm dhe dërrmues.
Disa muaj pas ngjarjes në Paris, Paul Robesoni tentoi dy herë të jepte një koncert për pushuesit në kampet verore socialiste hebraike pranë Pikskillit në Nju-Jork, ashtu siç kishte bërë edhe në verat e mëparshme. Dy herë, mijëra veteranë lokalë të luftës protestuan dhe trazirat shpërthyen: protestuesit sulmuan pjesëmarrësit me gurë, shkopinj dhe grushte, përmbysën makinat dhe plagosën 150 persona, ndërsa policia qëndroi duke parë. Ndërkohë që kjo përpjekje e dhunshme për ta “anuluar” Robesonin u dënua gjerësisht dhe nuk u përsërit më, një version më i fshehtë ndëshkimi filloi menjëherë pas kësaj.
Robesoni gjatë një greve të sindikatave(Getty Images)
Në mars të vitit 1950, NBC e ndaloi të shfaqej në emisionin televiziv të Eleanor Rooseveltit, Sot me zonjën Ruzvelt [Today With Mrs Roosevelt], pas protestave nga organizata Legjioni Amerikan (një organizatë e veteranëve të luftës) dhe të tjerëve. Pastaj, në korrik, Departamenti i Shtetit ia revokoi pasaportën, duke e penguar të performonte jashtë vendit ku ai vazhdonte të ishte jashtëzakonisht i njohur. Në ShBA, karriera e tij ishte de fakto e përfunduar. Shtëpitë diskografike refuzuan të nxirrnin në treg disqet e tij të vjetër ose të incizonin të rinj. Nga një prej dhjetë artistëve më të paguar në ShBA në vitin 1941 dhe duke fituar 100 mijë dollarë nga koncertet deri në vitin 1947, nga viti 1952 ai mezi arrinte të fitonte gjashtë mijë dollarë në vit.
Teksti i Baladës për amerikanët u hoq nga tekstet shkollore dhe poeti Langston Hughes u detyrua të fshinte çdo përmendje të Robesonit nga libri i tij Krijues të famshëm të muzikës zezake [Famous Negro Music Makers], përndryshe rrezikonte ndalimin e tij në bibliotekat shkollore. Emri i tij u fshi në mënyrë retroaktive nga listat e fituesve të çmimeve të NAACP dhe kampionëve të futbollit njësoj. Madje, po të kishe thjesht një disk të Paul Robesonit - siç kishin qindra mijëra amerikanë - mjaftonte që një punonjës shtetëror të merrte një “shënim të zi” gjatë intervistave për besnikëri që zhvilloheshin në vitet ’50 të shekullit XX.
Ylli i bejsbollit, Jackie Robinson, u thirr përpara Komitetit të Dhomës për Aktivitetet Jo-Amerikane (HUAC) për t’u distancuar nga deklaratat e Robesonit në Paris dhe, në mënyrë të tërthortë, për të ndarë publikun me ngjyrë prej tij. Më në fund, në vitin 1956 vetë Robesoni u paraqit përpara HUAC-së. Pa asnjë ndjesë, ai u tha anëtarëve të komitetit:
“Ju jeni jo-amerikanë”.
Në librin e saj Krimet janë të shumta [Many Are the Crimes], historiania e Luftës së Ftohtë, Ellen Schrecker, pohon se “ndoshta asnjë individ tjetër nuk u censurua kaq rëndë” sa Paul Robesoni. Dhe, në disa mënyra, ai paraqiste vërtet një kërcënim unik. Jo si spiun, por si socialist i zëshëm me ngjyrë. Një njeri që e lidhte luftën e afro-amerikanëve për të drejtat civile me kauzën e klasës punëtore në mbarë botën - nga luginat e Uellsit deri në Afrikën Perëndimore, nga Misisipi deri në Moskë. Dhe, nga të gjithë ata që u përjashtuan (nga skenaristët e Holivudit te nëpunësit civilë dhe akademikët), askush nuk ishte kaq i njohur apo dikur kaq i dashur. Siç thotë Schrecker: “Aktori dhe këngëtari më karizmatik me ngjyrë i brezit të tij ishte shndërruar në jo-person”.
Pasaporta iu kthye Robesonit më në fund në vitin 1959 dhe ai u përpoq të niste sërish një turne ndërkombëtare. Por, i lodhur nga vitet e luftës dhe ballafaqimit, përpjekjet e tij u ndaluan nga episode sëmundjeje dhe depresioni. Nga mesi i viteve ’60 të shekullit XX, ai pushoi së dhëni koncerte dhe, pas vdekjes së Eslandas, vitet e mbetura i kaloi nën kujdesin e motrës së tij.
Në vitin 1973, ai iu drejtua një eventi që e nderonte [Salute to Paul Robeson] në Karnegi-Hall të Nju-Jorkut. Ai deklaroi se ishte “po aq i përkushtuar sa gjithmonë ndaj kauzës botërore të njerëzimit për liri, paqe dhe vëllazëri”, ripohonte angazhimin e tij ndaj luftës së afro-amerikanëve për të “arritur çlirim të plotë nga sundimi racist”, dhe nderonte lëvizjet antikolonialiste në mbarë botën. Ai e përfundoi mesazhin e tij me fjalët në vazhdim: "Edhe pse shëndeti i dobët më ka detyruar të tërhiqem, mund të jeni të sigurt se në zemrën time unë vazhdoj të këndoj:
Por, vazhdoj të qesh Në vend që të qaj, Duhet të vazhdoj të luftoj Derisa të vdes, Dhe Lumi Plak Vazhdon rrjedhën"!
Nga: Olivia Petter / The Independent Përkthimi: Telegrafi.com
Nëse burrat me të cilët kam dalë gjatë vitit të fundit kanë pasur ndonjë gjë të përbashkët, është ajo se të gjithë duan të flasin me mua për inteligjencën artificiale [IA].
E përdor për të shkruar artikujt e mi? Jo.
A jam e shqetësuar se do të ma zaptojë punën? Në fakt jo.
A do të vazhdoj të shkruaj libra nëse të gjithë duan të lexojnë ato që janë shkruar nga IA-ja? Po.
A e kam përdorur ndonjëherë për t’i shkruar mesazh dikujt në një aplikacion takimesh? Jo.
A duhet ta pyesim ChatGPT-në të na përshkruajë për ndonjë partnerë të mundshëm? Oh, Zot.
Këto biseda rrallëherë janë të rastësishme. Kam pasur edhe debate. Një herë hyra në një bisedë të zjarrtë me një burrë nëse njerëzit duhet të kërkojnë këshilla mjekësore te ChatGPT-ja, dhe me një tjetër që pranoi se e kishte përdorur për ta ndihmuar për ta shkruar një mesazhe ndarjeje.
Ndërkohë, sa herë që kam postuar në Instagram në mbështetje të krijimtarisë njerëzore mbi përmbajtjen e gjeneruar nga IA-ja, marr një lumë reagimesh - dhe ato gjithmonë nga burrat e etur për të përmbysur përsiatjet e mia rreth asaj se çfarë do të thotë të krijosh dhe të konsumosh art.
Kjo nuk do të thotë se gratë që njoh nuk e përdorin IA-në - shumë nga to e shohin si mjet të paçmuar për këshilla për karrierë, mbështetje financiare dhe, në disa raste, mbështetje emocionale - por, nuk besoj se e përdorin, apo qoftë edhe mendojnë për të, aq shumë.
Të dhënat e mbështesin këtë. Megjithëse kërkimet ndryshojnë, disa studime kanë treguar se burrat e përdorin IA-në gjeneruese më shumë se gratë. Në vitin 2024, një punim i titulluar Hendeku gjinor në Gen IA ka përshkruar se të dhënat nga Anketa e Pritshmërive të Konsumatorëve tregonin që 50 për qind e burrave përdorin mjete të IA-së gjeneruese, në krahasim me 37 për qind të grave.
Një studim nga Danimarka zbuloi se gratë kanë më pak gjasa të përdorin ChatGPT-në për punë sesa burrat, ndërsa kërkimi i kryer në Shkollën e Biznesit të Harvardit zbuloi se, ndërmjet nëntorit 2022 dhe majit 2024, gratë përbënin 42 për qind të 200 milionë përdoruesve mesatarë mujorë të faqes së internetit të ChatGPT-së.
Po shfaqet një hendek i qartë - i tillë që shumëkush ka frikë se do të thellojë pabarazitë ekzistuese ekonomike në vendin e punës.
Shpjegimet më të zakonshme përfshijnë faktin se gratë janë më pak të përfaqësuara në karrierat STEM [Shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë] dhe në rolet specifike të IA-së, si një industri që kryesisht mbahet nga burra; vetëm 14 për qind e pozicioneve ekzekutive të larta në IA mbahen nga gratë.
Por, sinqerisht, mendoj se arsyeja pse gratë nuk e përdorin AI-në aq shumë shkon shumë më thellë sesa përfaqësimi i thjeshtë.
Si fillim, kjo teknologji është përdorur kundër nesh - që nga fillimi. Ka trillime pornografike [deepfake] të krijuar nga Grok-u dhe platforma të tjera; të dashurat e IA-së që burrat përdorin për të zhvilluar biseda dhe për të realizuar fantazi në hapësira ku pëlqimi nuk ekziston; dhe, një mori paragjykimesh gjinore që teknologjia vazhdon të përforcojë.
Ajo i nënvlerëson problemet e shëndetit të grave, shpesh i portretizon gratë në role shtëpiake ose nënshtruese, dhe mbështetet në asistente që janë në thelb të feminizuara - mos harroni që ChatGPT-ja përdori (dhe më pas hoqi) një ndërfaqe zanore që tingëllonte në mënyrë të frikshme si zëri i Scarlett Johanssonit nga filmi Her?
Me gjithë këtë në mendje, a është për t’u habitur që disa gra mund të ndihen të rezervuara për të përqafuar IA-në me të njëjtin entuziazëm që duket se po shfaqin burrat?
Kam disa shokë që janë gjithashtu të pavendosur, por, si unë, ata punojnë në fusha krijuese ku IA-ja aktualisht përbën më shumë kërcënim sesa ndihmë. Edhe kështu, disa prej tyre janë të lumtur t’i bëjnë pyetje ChatGPT-së, gjatë gjithë ditës, ashtu siç nuk i kam parë kurrë gratë.
Ndoshta ekziston një nivel i natyrshëm i besimit në lojë - një supozim se kjo platformë mund të më ndihmojë sepse më favorizon.
Është një vetëbesimqë gratë nuk janë inkurajuar ta zhvillojnë. Dhe, megjithatë, përderisa teknologjia evoluon, IA-ja do të formësojë dhe përcaktojë gjithnjë e më shumë jetën tonë.
Mbetet vetëm të shpresojmë që përgjatë rrugës të bëhet një hapësirë më e sigurt për gratë. Ndërkohë, do të mund t’u bënte mirë përdoruesve të zjarrtë meshkuj që të jenë të vetëdijshëm për këtë - ose, të paktën, të kenë një shkallë të shëndetshme skepticizmi gjatë përdorimit të saj.
Kjo më kthen te takimi ku një burrë sugjeroi të përdornim ChatGPT-në për të na përshkruar si partnerë të mundshëm. Ia dërgova timen: një listë e çrregullt me klishe të parashikueshme të gjeneruara nga ajri i nxehtë i internetit (“Olivia është altruiste, bujare dhe e ngrohtë”).
Bëra shaka për faktin që nuk isha asnjë nga këto gjëra. Ai nuk dukej se e kuptoi dhe u përgjigj se në të vërtetë do të donte shumë të ishte me një altruiste, bujare dhe të ngrohtë. “Sa keq”, shtoi ai.
Historia e re madhështore e Mark B. Smithit, Dalja nga Stalini: Bashkimi Sovjetik si një qytetërim, 1953-1991, [Exit Stalin: The Soviet Union as a Civilization, 1953-1991] e zhvesh realitetin e jetës së përditshme gjatë spirales së vdekjes së Bashkimit Sovjetik
Nga: Simon Heffer / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Për shumicën prej nesh në Perëndim, “Rusia” ishte sinonim i Bashkimit Sovjetik deri në rënien e Murit të Berlinit. Ndër 15 shtetet përbërëse të perandorisë komuniste, Rusia ishte gjithmonë ajo më e rëndësishmja. Ajo kishte kryeqytetin e BRSS-së, Moskën, dhe qytetin tjetër të madh, Leningradin (tani Shën Petersburg); ajo përbënte pjesën më të madhe të prodhimit ekonomik dhe industrial të këtij unioni.
Megjithatë, ajo nuk siguronte domosdo figurat udhëheqëse sovjetike. Stalini ishte gjeorgjian. Familja e Khrushchevit rridhte nga ajo që tani është Ukrainë dhe atje ai kaloi pjesën më të madhe të viteve të formimit. Pasaporta e Brezhnevit shënonte përkatësinë e tij etnike si “ukrainas”. Edhe pse Andropovi, Chernenko dhe Gorbachevi ishin të gjithë rusë, ata vinin nga pjesë aq të largëta dhe provinciale të perandorisë - Chernenko nga Siberia, dhe dy të tjerët nga Stavropoli buzë Kaukazit - saqë ata dhe figurat e tjera të Politbyrosë me prejardhje të ngjashme, klasifikohen nga historiani Mark B. Smith si “të jashtëm”. Dalja nga Stalini, libri i shkëlqyer i Smithit, është pjesërisht për mënyrën se si sovjetizmi përfundoi keqas - në mënyra të ndryshme - për shumicën prej tyre.
Stalini, me vdekjen e të cilit Smithi fillon veprën, ishte bërë figurë kulti e frikës dhe urrejtjes - ndonëse kjo mbeti e fshehur deri te fjalimi “sekret” i përcaktimit të epokës nga Khrushchevit në vitin 1956. Vetë Khrushchevi u shkarkua nga kolegët e tij në vitin 1964, por të paktën iu lejua të vdiste në shtrat shtatë vjet më vonë dhe nuk u dërgua me forcë në gulag. Forma e shtypjes e Brezhnevit ishte më e butë, të paktën brenda vendit - çekët në vitin 1968 do të kishin pikëpamje më pak dashamirëse - por, ai ishte teveqel shumë kohë para vdekjes së tij në vitin 1982. Pasuesit e tij, Andropovi dhe Chernenko, morën pushtetin si pleq të sëmurë dhe së bashku qëndruan në detyrë për pak më shumë se dy vjet. Gorbachevi, vetëm 54 vjeç kur mori pushtetin, arriti ta varrosë projektin sovjetik.
Joseph Stalin, lideri i Bashkimit Sovjetik në vitet 1924-1953(PhotoQuest/Getty Images)
Duke analizuar sundimin gjashtëvjeçar të Gorbachevit, tani duket si një epokë e artë përpara se BRSS-ja të shembej dhe klouni i dehur Yeltsin të bëhej presidenti i parë i Rusisë. Ky i fundit do të hapte rrugën për rikthim në tirani nën Putinin. Kjo është historia tragjike dhe Smith e tregon në mënyrë madhështore.
Megjithatë, Dalja nga Stalini nuk është thjesht një histori politike e një vendi që luftoi për dekada të tëra përpara se më në fund të fitonte vendin e vet si një nga dy superfuqitë botërore. Siç thotë nëntitulli i librit, është një studim i Bashkimit Sovjetik “si qytetërim”. Smithi përqendrohet te historia kulturore dhe shoqërore, duke u siguruar që ne ta kuptojmë gjendjen e zymtë në të cilën ekzistonin njerëzit dhe klimën e frikës në të cilën, edhe pas vitit 1956 dhe çlirimit nga fantazma e Stalinit, ata duhej të jetonin.
Për shembull, familjet e mëdha ishin grumbulluar në ndërtesa banimi të ndërtuara keq. Ndonjëherë atyre u duhej të paketoheshin në dy dhoma apo edhe të ndanin hapësirën me familje të tjera. Smithi shkruan për një aktore sovjetike e cila, duke u rritur në vitet 1950-1960, ndante një hapësirë dhe një banjë të vetme me 43 njerëz të tjerë. Disidentët u mbyllën në spitale psikiatrike, për asnjë arsye tjetër përveçse kishin guximin të dilnin dhe të protestonin. Disa, si Aleksandr Solzhenicini, u dërguan në gulag.
Gratë ruse mbërrijnë në Kishën e Ringjalljes në Moskë me kulaçe tradicionale të Pashkëve (1959)(Foto: Bettmann)
Nxënës rusë të veshur me versione në miniaturë të uniformave të Ushtrisë së Kuqe(Foto: Bettmann)
Vetëm në epokën e Brezhnevit, gjërat do të përmirësoheshin: Andrey Sakharov dhe gruaja e tij, Elena Bonner, u dërguan në internim të brendshëm në një apartament provincial. Dalja nga Stalini nuk na lë kurrë në një përshtypje tjetër përveç asaj se jeta në Bashkimin Sovjetik, qoftë sipas standardeve absolute apo krahasuese, ishte e tmerrshme, ndërsa ai e paraqet Stalinin, në veçanti, si dikë i cili për krimet e sundimit të tij dhe për hijen që la për dekada pas vdekjes së tij, meriton plotësisht të barazohet me Hitlerin.
Duke u përqendruar te jeta e përditshme e popullit sovjetik, yjet e tyre të muzikës pop, filmat që shikonin, qasja (ose mungesa) ndaj mallrave të konsumit dhe kushtet e tyre të zymta të jetesës, Smithi përshkruan një shoqëri jo aq në mes të një krize kolektive nervore - megjithëse aspekte të saj duket se mbizotëronin në ditët e fundit të perandorisë sovjetike - por, në mbërthimin e një sëmundjeje mendore kolektive dhe kronike.
Çdo gjë duhej të justifikohej në përputhje me revolucionin, megjithëse askush nuk ishte saktësisht i sigurt se çfarë nënkuptonte revolucioni. Vdekja e Stalinit, dhe fshirja e trashëgimisë së tij nga Khrushchevi, të paktën lejuan një relaksim të pjesshëm ndaj tmerrit për gulag, për internim apo ekzekutim të pafund të radhëve të të burgosurve politikë, dhe pranimin e disa shkallëve të modernizimit.
Kushte të zymta: Familje të mëdha ishin grumbulluar në ndërtesa banimi të ndërtuara keq (Kiev, 1955)(Foto: Renato Perez/Pictorial Parade/Archive Photos/Getty Images)
Radhët para hapjes së një dyqani ushqimor në Moskë, në nëntor të vitit 1983(Foto: Mikki Ansin/Getty Images)
Përparimi më i jashtëzakonshëm - dhe i tillë ishte efekti i tij rimoralizues mbi shoqërinë sovjetike, saqë Smith me të drejtë i jep atij theks të madh - ishte Yuri Gagarini si njeriu i parë në hapësirë në vitin 1961. Ishte një ngjarje që e vendosi këtë vend - përndryshe ende primitiv, brutal, të privuar, të egër - në vijën e parë të futurizmit.
Fakti që sovjetikët nuk e çuan gjithashtu njeriun e parë në Hënë, tregon se si natyra e shoqërisë së tyre e pengoi evolucionin e shpejtë dhe efektiv të teknologjisë. Sistemi i tyre arsimor prodhoi një numër të madh e të habitshëm matematikanësh të avancuar, por kontributi që këta të fundit mund të jepnin për të ardhmen u shtyp - deri në një farë mase për arsyen sepse autoritetet shqetësoheshin për faktin se shumica nga këta matematikanë gjenialë ishin hebrenj.
Brezhnevi, duke qeverisur nga 1964 deri në 1982, pati zgjuarsinë të fillonte të shqetësohej për opinionin ndërkombëtar mbi Bashkimin Sovjetik, dhe epoka e détente solli marrëveshjet e Helsinkit, përparim drejt kufizimit të armëve, dhe lidhjen në hapësirë të astronautëve amerikanë me kozmonautët sovjetikë. Por, reformimi i vërtetë ishte tepër i ngadaltë për të ardhur. Përtej kufijve sovjetikë, bota po ndryshonte me shpejtësi dhe, brenda tyre, më shumë qytetarë sovjetikë po fillonin të ndjenin mospëlqim për atë që ata e dinin se është jo vetëm si liri, por edhe standard më i lartë jetese i ekonomive të përçmuara kapitaliste.
Yuri Gagarin ishte njeriu i parë në hapësirë në vitin 1961, një moment që për pak kohë e vendosi Bashkimin Sovjetik në vijën e parë të futurizmitKredi: AFP nëpërmjet Getty Images
Ndryshimi u bë i pashmangshëm, dhe ndërrimi i gjeneratave drejt Gorbachevit e përshpejtoi atë. Ai studioi Leninin dhe tekste të tjera revolucionare, por hoqi dorë nga përpjekjet për t’i lidhur ato në mënyrë mekanike me botën. Kur forcat e sigurisë, për të cilat ishte përgjegjës, zbatuan metoda tradicionale brutaliteti ndaj kundërshtarëve të shtetit, Gorbachevi dënoi ashpërsinë. Këshilltarët e tij ekonomikë i thanë atij të lëvizte drejt një ekonomie tregu. Kjo nuk ishte thjesht një çështje e popullit sovjetik që donte më shumë liri: kishte mungesa ushqimi dhe dështime teknologjike, veçanërisht në prill të vitit 1986 në centralin bërthamor të Çernobilit. Jeta u rrezikua nga ngadalësia e qeverisë për ta pranuar katastrofën, në përputhje me mënyrën tradicionale sovjetike për të fshehur të vërtetat e pakëndshme. Modeli i vjetër ishte qartësisht i thyer.
Përshkrimi që i bën Smithi rënies kaotike dhe të shpejtë të atyre viteve të fundit, është i matur dhe interesant. Pavarësisht nëse ishte qëllimi i tij apo jo, Gorbachevi del si një figurë me madhështi të vërtetë. Sa i madh është dëshpërimi që trashëgimia e tij është shpërdoruar në mënyrën siç është tani. Ky libër jashtëzakonisht i rëndësishëm paraqet një histori të idealizmit që dështoi për shkak të mungesës së brendshme të lirisë, shtypjes dhe korrupsionit të tij. Tani duket se, të paktën në Rusi, historia është në procesin e përsëritjes së vetes. /Telegrafi/
Çdo vit, Forumi Ekonomik Botëror në Davos - apo siç njihet shkurtimisht, WEF - mbledh liderë politikë, biznesorë dhe institucionalë për të diskutuar për kahun e botës dhe për t’i paraprirë zhvillimeve që po vijnë. Forumi Ekonomik Botëror, Davos 2026, fillon këtë javë dhe zhvillohet në një moment kur bota është më e fragmentuar se kurrë. Motoja e këtij viti është A Spirit of Dialogue [Fryma e dialogut], ku në qendër të diskutimeve është bashkëpunimi global. Tema e dytë është rritja ekonomike në një realitet të ri nga burime të reja.Inteligjenca artificiale [IA]dhe teknologjia janë kudo në agjendë. Pyetja nuk është më a do të përdoret IA-ja, por si rregullohet, si integrohet në ekonomi pa shkatërruar tregun e punës dhe pa krijuar monopole të pakontrollueshme. Një tjetër shtyllë diskutimi është kapitali njerëzor. Aftësitë, edukimi, shëndeti mendor dhe përshtatja e fuqisë punëtore me teknologjinë po trajtohen si çështje strategjike, jo sociale. Dhe, mbi të gjitha, si zakonisht është tema klima dhe qëndrueshmëria.
Për fat të mire, ka dy vite që Republika e Kosovës paraqitet më denjësisht në këtë forum përmes shtëpisë së saj aty, “House of Kosova”, gjë që ka ngjallë interesim të madh për bashkëpunim nga miq, partnerë e institucione të ndryshme ndërkombëtare. Një forum tillë duhet ta shfrytëzojmë më shumë, të shkojmë me iniciativa dhe projekte konkrete dhe pjesëmarrje dinjitoze dhe promovim efikas në nivel global edhe në media sociale.
Edhe ekonomia e Kosovës ka nevojë për të njëjtin reflektim në nivelin e vet. Ekonomia vendore ka nevojë për një forum të përhershëm të biznesit, ku kompanitë, shoqatat dhe asociacionet kryesore takohen fillimisht mes vete për diskutime strategjike, për të lexuar kërkesat e tregut, sfidat rajonale, deficitin tregtar, tranzicionin energjetik, industrializimin, digjitalizimin, arsimin, fuqinë punëtore dhe konkurrencën.
Ky forum duhet të shërbejë si mekanizëm paraprijës i cili duhet të shfrytëzojë këtë vit, këtë periudhë dimri dhe kohën para themelimit të qeverisë së re që të përgatisë me saktësi e qartësi gjithë planin katërvjeçar se si e sheh vetë biznesi zhvillimin ekonomik e social. Nëse Davosi është busulla globale, Kosova ka nevojë për busullën e vet. Ky mekanizëm apo forum diskutimi duhet të jetë një hap para diskutimit me Këshillin Ekonomik-Social që organizon qeveria. Kjo platformë është domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm.
Ideja është e thjeshtë. Bizneset janë të parat që i shohin ndryshimet dhe presionet që po vijnë. Qeveria ka përgjegjësinë e drejtimit dhe të planit zhvillimor kombëtar. Kur këto dy palë flasin me kohë dhe në mënyrë të strukturuar, shmangen vonesat, keqkuptimet dhe politikat e gabuara.
Raporti i fundit i Institutit GAPpër importet dhe eksportet e Kosovës e zbret këtë diskutim në shifra të qarta. Importet dominojnë, deficiti i madh tregtar, struktura e eksporteve është e ngushtë dhe vlera e shtuar mbetet e ulët. Është pasqyrë e realitetit ekonomik në vendin tonë.
Ky raport na tregon sa shumë punë na pret përpara. Na tregon ku po humbim, ku po varemi nga jashtë dhe ku realisht kemi potencial për rritje të brendshme dhe eksporte. Një analizë tjetër e Institutit GAP, e publikuar para disa vitesh, tregonte se përmes një mbështetjeje minimale prej vetëm disa eurocentësh nëse do të mbështeteshin bizneset vendore të prodhimit të blloqeve, tullave etj. nga argjila; importi nga Serbia do të binte ndjeshëm dhe do të kishte mundësi që kërkesën e madhe për ndërtim ta mbulojnë me prodhim vendor. Por, kjo nuk ka ndodhur, për fat të keq! Pse? Sepse duhet një forum serioz dhe profesional diskutimi që përfaqëson interesat e komunitetit të biznesit.
Prandaj, një forum i biznesit për diskutime strategjike duhet të nisë nga të dhënat si këto, nga analiza serioze - sektor për sektor. Që në ditën e parë të dialogut me qeverinë, biznesi të jetë i përgatitur me fakte, me prioritete të qarta dhe me propozime konkrete për ndryshim.
Vetëm kështu diskutimi kalon nga “çfarë nuk është mirë” në “çfarë duhet bërë dhe si”. Dhe, vetëm kështu krijohet baza për politika që e ndryshojnë realisht strukturën ekonomike të vendit.
Kjo nismë duhet të duhet të jetë një ftese për takim pune mes komunitetit të biznesit. Vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë e kanë rritur pasigurinë, por nuk e kanë ndalur ekonominë. Bizneset vazhdojnë të punojnë, të investojnë, të rrezikojnë dhe të mbajnë peshën kryesore të zhvillimit. Pikërisht për këtë arsye, komuniteti ekonomik nuk mund të presë pasivisht. Duhet të organizohet, të artikulojë qartë nevojat dhe të jetë gati me një agjendë të përbashkët që nga dita e parë e krijimit të institucioneve të reja.
Takimi i propozuar synon të mbledhë në një tryezë odat ekonomike, shoqatat e biznesit, kompanitë dhe ekspertët për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët. Politika ekonomike, projektet strategjike, sektorët që kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe roli i diasporës si partner zhvillimor.
Kjo qasje e kthen dialogun me qeverinë nga një proces ad hoc në një mekanizëm të strukturuar. Biznesi vjen i përgatitur, me analiza, me kërkesa të qarta dhe me projekte konkrete. Qeveria fiton një partner serioz, jo vetëm një palë që reagon pasi vendimet janë marrë.
Në thelb, kjo është thirrje për pjekuri dhe unitet. Një hap i domosdoshëm për ta lidhur ekonominë reale me politikat publike dhe për të mos humbur edhe një vit tjetër në pritje.
(Autori është drejtor i Bordit të KIMERK-ut - Klasteri i Industrisë së Metalit dhe Energjisë së Ripërtëritshme)
Të shoh në kopshtin tënd duke u kujdesur për bimët me duart e tua që psherëtijnë si shpirti yt dhe kërkojnë mënyrën më të mirë për t’i bërë ato të ndihen të lumtura.
Të shoh dhe mendoj se tani jam edhe unë pjesë e kësaj pune dhe jam te mendimet që shkojnë dhe vijnë si shkreptimat që rritin pafundësinë e qiejve dhe tënden. Dhe më pëlqen kur hutohesh e më thërret në vend të ndonjë zambaku apo mullage.
Jafar Panahi, regjisori i filmit fitues të Palmës së Artë, Ishte thjesht një aksident[Yek tasādof-e sāde], thotë se udhëheqësit iranianë duan ta shkatërrojnë vendin.
Nga: Philip Oltermann / The Guardian (titulli: Khamenei regime will not be able to keep control of Iran, says dissenting film-maker) Përkthimi: Telegrafi.com
Pas shtypjes së dhunshme të valës më të fundit të protestave, regjimi i Khameneit nuk do të jetë në gjendje të mbajë kontrollin mbi shoqërinë iraniane, ka parashikuar një nga kineastët kryesorë të vendit.
“Është e pamundur që kjo qeveri të mbajë veten në këtë situatë”, tha për Guardian, regjisori Jafar Panahi. “Edhe ata e dinë këtë. E dinë që do të jetë e pamundur të sundojnë mbi njerëzit. Ndoshta qëllimi i tyre i vetëm tani është ta çojnë vendin në prag të kolapsit të plotë dhe të përpiqen ta shkatërrojnë”.
Protestat e shkaktuara nga ekonomia e dobët kanë përfshirë Iranin që nga fundi i dhjetorit dhe janë përballur me goditje vdekjeprurëse nga forcat e sigurisë gjatë fundjavës, me raporte për më shumë se 2 500 njerëz të vrarë.
Ndërprerja e internetit të premten e kaluar, që bllokoi 95-99 përqind të rrjetit të komunikimit të vendit, ishte “shenjë se një masakër shumë e madhe po vinte”, tha Panahi. “Por, ne kurrë nuk parashikuam që shtypja do të kishte përmasa dhe shifra të tilla”.
Panahi, 65 vjeç, foli për Guardian-in nga ShBA-ja, ku ai po promovon filmin e tij më të fundit, Ishte thjesht një aksident. Vitin e kaluar, ai filmi fitoi Palmën e Artë në festivalin e filmit në Kanë dhe është një pretendent kryesor për Oskar më 2026 në kategorinë e filmit artistik ndërkombëtar.
Pjesërisht triler hakmarrjeje, pjesërisht komedi e zezë, konkurrimi francez për çmimin e Akademisë ndjek një grup ish-të burgosurish politikë iranianë që përpiqen të vendosin nëse do të marrin hak ndaj një burri për të cilin ata besojnë se i ka torturuar ata në burg.
“Ajo që kam paraqitur në këtë film është se kur cikli i dhunës vazhdon, atëherë bëhet shumë e vështirë për ta ndaluar atë”, tha Panahi. “Për fat të keq, për shkak të egërsisë që po kryhet nga shteti, frika është se ky cikël i dhunës do të vazhdojë”.
Në dhjetor, regjisori u dënua me një vit burg në mungesë për akuza për krijimin e propagandës kundër sistemit politik, por ai ka shpallur synimin e tij për t’u kthyer në vend.
Ai është burgosur dy herë, për protestimin kundër ndalimit të dy kineastëve kolegë që kishin qenë kritikë ndaj autoriteteve në vitin 2022, dhe për mbështetjen e protestave kundër qeverisë në vitin 2010.
Panahi tha se ndërsa kolapsi i qeverisë së udhëhequr nga udhëheqësi klerik, Ajatollah Ali Khamenei, ishte i pashmangshëm pas shtypjeve të përgjakshme të fundit, koha e tij ishte e pamundur për t’u parashikuar.
“Regjimi do të bjerë, 100 përqind”, tha Panahi. “Kjo është ajo që u ka ndodhur qeverive diktatoriale në të gjithë historinë. Kur do të bjerë, askush këtë nuk e di. Ne duam që të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, në minutat e ardhshëm, por ka shumë faktorë që duhet të bashkohen që kjo të ndodhë”.
Ai paralajmëroi qeveritë perëndimore për përfshirjen me regjimin klerikal si akterë racionalë. “Në diktatura të tjera rreth botës, do të shihni që do të ketë të paktën disa njerëz që do të veprojnë duke u bazuar në racionalitet dhe që nuk do ta lejojnë që të arrijë në këtë pikë”, tha ai, duke folur përmes përkthyeses së tij Sheida Dayani. “Por, për fat të keq, në këtë sistem nuk ka racionalitet. Gjithçka për të cilën ata mund të mendojnë është shtypja dhe si të qëndrojnë në pushtet edhe vetëm një ditë më shumë. Gjëja e fundit për të cilën ata po mendojnë janë njerëzit”.
Disa protesta kundër regjimit, në Iran dhe mes diasporës iraniane në Evropë dhe ShBA, kanë bërë thirrje për kthimin e Reza Pahlavit, djalit të mërguar të shahut të fundit të Iranit. Pahlavi, i cili jeton në Uashington, babai i ndjerë i të cilit sundoi Iranin si një monark autokrat nga viti 1941 deri më 1979, ka bërë thirrje që njerëzit të dalin në rrugë.
Panahi e pranoi që thirrjet për kthimin e djalit të shahut ishin “zëri që po del [nga protestat], me të vërtetë”. Megjithatë, ai shtoi: “Siç ka thënë vetë Reza Pahlavi, pas tranzicionit duhet të ketë një referendum në Iran, dhe atëherë njerëzit do të vendosin çfarë lloj qeverie duan dhe kë duan që t’i sundojë ata. Gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, duhet të gjithë të jemi të bashkuar”.
I pyetur nëse Pahlavit mund t’i besohet mbikëqyrja e tranzicionit post-regjim, ai tha se kjo i takon popullit të Iranit për të vendosur. “Qoftë nëse biem ose jo në pajtim me Pahlavin, ajo që dimë është se shumica dërrmuese e popullsisë së Iranit duan që regjimi aktual të largohet”. /Telegrafi/
Nga: Riley Cooper (Whitman Wire, mars 2025) E përktheu: Jola Tasellari
Kudo dëgjojmë: Njerëzit nuk lexojnë më si dikur. Edhe pse format tradicionale të leximit mund të jenë më pak të zëshme, kultura e leximit është jo vetëm e gjallë, por edhe vitale. Ajo thjesht ka marrë forma të ndryshme nga përfytyrimi klasik i hapjes së gazetës çdo mëngjes apo leximit spontan të Lartësitë e stuhishme. Një vëzhgim të ngjashëm ka bërë edhe kolegu im Arham Khan për mënyrën se si të rinjtë i përthithin lajmet, duke theksuar se Nëse pyesni bazën tonë mediatike, arsyeja pse të rinjtë po largohen nga lajmi tradicional është sepse qenkan dembelë, të painformuar ose tepër të fiksuar pas rrjeteve sociale për t’u shqetësuar për botën reale. Kjo është kryekëput marrëzi! Për mua, e njëjta logjikë vlen edhe për librin. Narrativa se të rinjtë po i largohen letërsisë tradicionale për shkak të dembelizmit, mungesës së informacionit apo varësisë nga rrjetet sociale është e pavërtetë. Njerëzit nuk po i kthejnë shpinën leximit; përkundrazi, kultura e leximit po shndërrohet në diçka të bukur dhe të shumëllojshme, e cila gabimisht po interpretohet si e vdekur.
Edhe pse format tradicionale të leximit mund të mos jenë më aq dominuese, vetë kultura e leximit ka evoluar ndjeshëm gjatë pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Larg zhdukjes, leximi është përshtatur me mënyrat e reja të jetesës dhe teknologjitë bashkëkohore, duke krijuar forma të reja angazhimi, si rasti i botimit të librit të parë të Harry Potter në vitin 1997, i cili shiti 107 milionë kopje, duke u renditur pas The Book of Mormon (Libri i Mormonit) me 192 milionë kopje të shitura. Shpërthimi i letërsisë për të rinj (young adult) luajti një rol themelor në formësimin e klimës bashkëkohore të leximit. Pas Harry Potterit erdhën vepra si Twilight, The Hunger Games, Divergent dhe The Maze Runner, tematika e të cilave mbërtheu fort Gjeneratën Z, Milenialët dhe mjaft lexues nga brezat më të vjetër.
Mua nuk më lejuan ta lexoja The Hunger Games deri në klasën e gjashtë, pasi prindërit e mi e konsideronin të tepërt për mendjen e një 10-vjeçari idenë e disa fëmijëve, brenda një zone, duke konkurruar deri në vrasje me njëri- tjetrin. Kjo për mua ishte shkatërruese, ndaj iu drejtova librave të tjerë si Divergent, The Maze Runner dhe Twilight, për të qenë koherent me bashkëmoshatarët e mi dhe për të marrë pjesë në lojëra e debate të zjarrta në oborrin e shkollës mbi “grupet” ku përkisnim. Ditën e parë të klasës së gjashtë, mora nga biblioteka librin e parë të The Hunger Games dhe kam ndenjur tërë natën pa gjumë duke e lexuar të gjithin në një frymë. Entuziazmi për leximin që më ngjalli letërsia për të rinj ishte aq i fuqishëm, sa nuk u shua kurrë plotësisht.
Shpërthimi i letërsisë për të rinj në fillim të viteve 2010 rigjallëroi kulturën e leximit masiv. Seritë bestseller si ato të sipërpërmendura tërhoqën audienca të mëdha, duke ndërthurur temat distopike me përjetimet, dëshirat dhe ankthin adoleshent. Këta libra dominuan listat e shitjeve dhe frymëzuan edhe plot adaptime kinematografike të suksesshme, duke kultivuar një brez lexuesish të uritur për më shumë. Ndonëse kulmi i letërsisë për të rinj mund të ketë kaluar, ndikimi i saj ndihet ende. Këta libra i futën shumë lexues në një rrëfim serial dhe i çelën rrugën zhanreve të tjera letrare. Shumë prej atyre që u rritën me këtë letërsi kanë kaluar sot te letërsia bashkëkohore, fantazia, romanca apo klasikët letrarë.
Suksesi i letërsisë për të rinj tregoi gjithashtu se sa thellë rezonojnë me lexuesin temat e identitetit, rebelimit dhe marrëdhënieve njerëzore. Motivet e fuqizimit dhe qëndrueshmërisë emocionale u bënë ura lidhëse me lexuesit në mbarë botën. Autorë si Angie Thomas, me The Hate U Give, apo Elizabeth Acevedo, autorja e The Poet X, ndërthurën trajtimin e tematikave sociale me narrativën tërheqëse, duke dëshmuar se letërsia për të rinj mund t’i ofrojë njëkohësisht dhe arratisjen nga realiteti, dhe debatin kuptimplotë. Audio-librat po ashtu kanë transformuar ndjeshëm mënyrën se si konsumohet letërsia. Dikur të konsideruar si një medium “periferik”, sot ata janë jashtë mase të përhapur, dhe jo kot, por me arsye.
Platforma si Audible dhe Spotify kanë përfituar nga ky trend. Udhëtarë, sportistë, kuzhinierë, prindër të ngarkuar, praktikisht kushdo, mund t’i drejtohet audio-librit për të shijuar një tregim pa pasur nevojë për kohë të dedikuar leximi. Kritikët debatojnë mbi faktin se dëgjimi i librave nuk “llogaritet” si lexim. Megjithatë, studimet tregojnë se audio-librat angazhojnë trurin në mënyra të ngjashme me leximin tradicional, madje edhe më efektivisht për grupe të caktuara, si personat me disleksi, ata që lexojnë në një gjuhë që nuk e kanë amtare. Për shumëkënd, audio-librat kanë ringjallur kënaqësinë e rrëfimit.
Industria e audio-librit ka nxitur edhe inovacion në performancë. Narratorë të talentuar si Bahni Turpin dhe Jim Dale i kanë dhënë jetë personazheve përmes interpretimit vokal dinamik, duke krijuar përvoja të jashtëzakonshme. Efektet zanore, muzika dhe interpretimet me shumë zëra e kanë pasuruar më tej këtë formë leximi. Pastaj, ca njerëz thjesht preferojnë audio-librat. Së fundmi dëgjova librin Big Swiss, të cilin e shijova shumë më tepër sesa do ta kisha lexuar në tekst, falë theksit zviceran të personazhit kryesor, qenit dhe efekteve zanore që shoqëronin veprimet.
Edhe industria e librave komikë vijon të rritet. Sipas Business Insider, shitjet e librave komikë, përfshirë romanet grafike, numrat individualë dhe komiket digjitale, arritën në 2.075 miliardë dollarë në vitin 2021, një rritje prej 62 përqind krahasuar me vitin paraardhës dhe 70 përqind krahasuar me 2019-ën. John Jackson Miller, themelues i Comichron, theksoi se botuesit fituan më shumë nga përmbajtja e komikut sesa në çdo vit tjetër. Komunitetet e fan fiction-it ilustrojnë gjithashtu evolucionin e peizazhit të leximit. Platforma si Archive of Our Own (AO3) dhe FanFiction.net u kanë dhënë fansave mundësinë të zgjerojnë universet letrare të dashura, duke krijuar përmbajtje dinamike që mban lexuesit të angazhuar. Për shumëkënd, fan fiction-i shërben si hyrje në botën e rrëfimit dhe si nxitje për kreativitet e debat.
Në kundërshtim me parashikimet se libraritë do të zhdukeshin në epokën digjitale, libraritë duket sikur kanë rilindur. Ekspozime të kuruara, ambiente intime dhe aktivitete komunitare i kanë shndërruar libraritë në qendra kulturore. Rrjetet sociale si TikTok (veçanërisht prej #BookTok) kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e shitjeve, duke kthyer tituj të panjohur në fenomene virale. Lexuesit sot kanë po aq gjasa ta zbulojnë librin e radhës përmes një rekomandimi në TikTok sa nga një kritik letrar; një demokratizim i kulturës së librit që vlerëson lidhjen emocionale mbi elitizmin intelektual. Libraritë janë përshtatur me këto preferenca, duke ofruar hapësira për klube leximi, takime me autorë dhe workshop-e. Përzgjedhjet e kuruara nga autorë të ndryshëm kanë zgjeruar përfaqësimin në letërsi, duke reflektuar më mirë identitetet dhe përvojat e lexuesve. Libraritë po shndërrohen në “hapësira të treta”. Siç shprehet Courtney Stookey, pronare e Lovebound Library në Salt Lake City: Doja që të ishte një hapësirë e sigurt ku çdokush, pavarësisht nëse lexon 300 libra në vit apo nuk ka prekur kurrë një roman, të ndihet i mirëpritur.
Ky transformim pasqyron një prirje më të gjerë: Leximtarët po i përqafojnë librat gjithnjë e më shumë si argëtim, jo vetëm si përfitim intelektual. Letërsia e njohur nuk ka më nevojë të mbrojë veten ndaj pretendimeve se vlen më pak; lexuesit janë të lirë të shijojnë atë letërsi që u flet më fort.
Nga ana tjetër, letërsia eskapiste po popullarizohet vitet e fundit. Në një kohë trazirash sociale dhe politike, lexuesit i janë kthyer romancave, fantazive dhe mistereve, për të gjetur aty prehje. Këto zhanre ofrojnë zgjidhje të kënaqshme dhe tema frymëzuese, si një strehë në kohë të pasigurta. Leximi është bërë “chic”. Estetika e Instagram-it me rafte librash të kuruara, romane të shënjuara dhe kënde leximi të rehatshme, e ka kthyer kulturën e librit në një trend vizual. Lexuesit ndajnë me krenari blerjet e tyre, objektivat e leximit dhe përshtypjet onlajn, duke ndërthurur rrjetet sociale me përfshirjen tradicionale letrare. Aty ku leximi dikur shihej si veprimtari vetjake, sot ai është thellësisht social. Klubet e leximit, sfidat onlajn dhe rrjetet sociale nxisin lexuesit të ndajnë përvojat dhe mendimet. Për dekada, leximi mbarti një ngjyrim elitist: “Lexuesit seriozë” pritej të merreshin me klasikë, filozofi apo letërsi të “fortë”. Ky qëndrim përjashtoi shumë lexues potencialë. Sot, kjo mendësi po zbehet. Pranimi i leximit si formë argëtimi ka krijuar një hapësirë më gjithëpërfshirëse, ku zhanret dhe romanet grafike vlerësohen njësoj.
Lexuesit nuk ndihen më të detyruar të lexojnë tërë veprën e një autori apo të qëndrojnë te titujt e kanonit letrar. Eksplorimi i zhanreve të ndryshme, interesave dhe kënaqësive e ka bërë leximin më të prekshëm dhe më të gëzueshëm. Edhe institucionet e arsimit po i përshtaten këtyre ndryshimeve kulturore. Shkollat po përfshijnë gjithnjë e më shumë zhanre të ndryshme, romane grafike dhe letërsi bashkëkohore në kurrikula, për të angazhuar lexuesit që hezitojnë. Duke legjitimuar letërsinë “në modë” si letërsi të vlefshme, ata po nxisin përvoja pozitive leximi që krijojnë marrëdhënie afatgjata me letërsinë.
Në këtë peizazh dinamik, një gjë mbetet e paprekur: dëshira njerëzore për t’u lidhur përmes rrëfimit. Qoftë i dhënë pas një romani, duke dëgjuar një audio-libër apo duke shfletuar një Webtoon, lexuesi vijon të kërkojë narrativa që e frymëzojnë, ngushëllojnë dhe sfidojnë. Kultura e leximit nuk po zhduket. Ajo po lulëzon në forma të reja dhe të papritura. /Gazeta “ExLibris”/
Ah, mor djalë, unë nuk kam frikë të vdes, sadoqë, ndonjëherë, kur punoj natën, seç kam një shtrëngim në zemër, të ngopesh me jetën, biri im, e pamundur është.
Mos jeto në këtë botë si qeraxhi, as si me pushimet e verës, si në shtëpi të tyt eti të jetosh. Besoji grurit, tokës, detit por më parë njeriut.
Duaji retë, librin, makinën, po më parë njerinë.
Ndjeje thellë në zemër dhimbjen e degës që thahet, të yllit që shuhet, të kafshës së plagosur, por më parë dhimbjen e njeriut.
Gëzim të dhënçin gjithë të mirat e dheut: hija dhe drita gëzim të dhënçin, të katra stinët të dhënçin gëzim, por mbi të gjitha, me të dyja duart, njeriu të dhëntë gëzim!
Nga: Douglas Murray / New York Post Përkthimi: Telegrafi.com
Për 46 vjet me radhë, Qeveria Islamike Revolucionare ka torturuar popullin e Iranit. Që nga momenti kur Ajatollah Khomeini u kthye nga ekzili në Paris, ai arriti të hedh njërën nga kulturat më të mëdha të botës në një epokë të re të errësirës.
Që nga viti 1979, ky regjim ka masakruar dhe ekzekutuar kundërshtarët e vet të brendshëm politikë. Ka varur publikisht njerëzit e dënuar për “krime kundër moralit”, përfshirë edhe ata të dënuar për “krimin” e të qenit homoseksual. Ka sponsorizuar terrorizmin në të gjithë Lindjen e Mesme, në Evropë dhe në Amerikë.
Ky regjim ka qenë fuqia më e madhe kolonialiste dhe imperialiste në Lindjen e Mesme. Dhe, ka tentuar të vrasë një president amerikan, një sekretar Shteti amerikan dhe një këshilltar për siguri kombëtare të ShBA-së - ndër të tjerë - në tokën amerikane.
Duke i pasur parasysh këto, mund të mendohej se do të kishte marshime kundër ajatollahëve, për disa javë në qytetet perëndimore. Por, nuk ndodhi kështu. Kur njerëzit iranianë u ngritën më parë (si në Revolucionin e Gjelbër të vitit 2009), e bënë këtë të vetëm. Atëherë, presidenti Obama nuk bëri asgjë për të mbështetur lëvizjen pro-demokracisë në Iran. Ai thjesht u zmbraps dhe lejoi që gratë protestuese të qëlloheshin në kokë nga milicia e ndyrë Basixh dhe forcat e tjera qeveritare.
Dekada dobësie
Çfarë është ndryshe këtë herë?
Dy gjëra. Së pari është shkalla e protestave kundër regjimit brenda Iranit. Gjatë ditëve të fundit, qeveria iraniane ka ndërprerë internetin në përpjekje për të ndaluar popullin nga koordinimi. Por, populli trim iranian po del në rrugë me qindra-mijëra. Ata kanë rrëzuar simbolet e regjimit dhe kanë sulmuar ndërtesat e tij. Kjo tashmë është më e madhe se çdo kryengritje e mëparshme.
Gjëja e dytë që është ndryshe këtë herë është se Donald Trumpi është në Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 1979, kur ndodhi Revolucioni Iranian, një lloj tjetër presidenti ndodhej në Zyrën Ovale. Jimmy Carter jo vetëm që lejoi që revolucioni të ndodhte, por në mënyrë poshtëruese dështoi të lirojë 66 amerikanët që u morën peng nga forcat që kishin përmbysur Shahun.
Ishte kohë e një dobësie të tmerrshme në politikën e jashtme amerikane. Ajatollahët e dinin këtë - dhe e shfrytëzuan. Po ashtu, ata e dinin se Obama nuk do të bënte asgjë në vitin 2009, për të mbështetur protestuesit pro-perëndimorë, pro-amerikanë që dolën në rrugët e Iranit.
Mbase ishte e pashmangshme që udhëheqja amerikane të ishte kaq e dobët. Mbi të gjitha, që nga nisja e Revolucionit Iranian më 1979, ngjarja u keqkuptua në një pjesë të madhe të Perëndimit.
Për shembull, intelektuali i njohur i së majtës, Michel Foucault - ende një nga “idiotët” më të cituar në akademinë amerikane - pretendonte se Khomeini do të sillte një revolucion shpirtëror në Iran që do t’i eliminonte ato “mëkate” të tmerrshme perëndimore - si kapitalizmi dhe materializmi.
New York Times botoi një artikull që thoshte se përshkrimi i Ajatollah Khomeinit “si fanatik dhe bartës i paragjykimeve të ashpra, sigurisht dhe fatmirësisht duket i pavërtetë”. Ndërsa revista Foreign Affairs shkroi se “Republika Islamike e Khomeinit pritet të ketë një doktrinë të drejtësisë sociale në qendër të saj; sipas të gjithë treguesve, ai do të jetë fleksibil në interpretimin e Kuranit”.
Të gjitha këto opinione dhe shumë të tjera ranë poshtë. Khomeini dhe pasardhësi i tij, Ajatollah Khamenei, ishin dhe janë fanatikë. Ata masakruan në burgjet iraniane me qindra kundërshtarë të tyre të majtë dhe sindikalistë. Ata detyruan një shoqëri liberale të bëhej një vend ku të gjitha gratë do të duhej të mbulonin kokën. “Policia e moralit” e tyre patrullonte vendin duke kërkuar gratë të mund t’i arrestonin dhe rrihnin. Ata rrëmbyen, përdhunuan, torturuan dhe vranë studentët që i kundërshtonin. Dhe, Perëndimi, gjatë gjithë kohës, nuk bëri asgjë.
Opsionet e Trumpit
Natyrisht, pyetja prej shumë vitesh ishte “çfarë mund të bëjmë”?
Njëra përgjigje - e dhënë nga liderë të dobët në ShBA dhe Evropë - ishte të përpiqeshim ta pranonin Revolucionin Iranian. Por, regjimi në Iran nuk donte të ishte pjesë e të njëjtës botë si ne. Ata donin të vazhdonin të thërrisnin “Vdekje Amerikës. Ata donin të vazhdonin të premtonin shkatërrimin e Amerikës dhe të pjesën më të madhe të Perëndimit. Donin ta mbanin revolucionin e tyre islamik fundamentalist dhe ta zgjeronin atë në gjithë rajonin dhe më pas në botë.
Tani që populli trim i Iranit është në rrugë, është koha e duhur për t’u treguar atyre se këtë herë nuk janë të vetëm.
Nuk është vetëm në interesin më të mirë të rajonit, por në interesin më të mirë të botës që qeveria më e madhe terroriste në botë të bjerë.
Por, si mund të arrihet kjo?
Presidenti Trump tashmë ka dhënë një paralajmërim të qartë ndaj Ajatollahut. Pamjet që janë kontrabanduar jashtë Iranit ofrojnë dëshmi të mijëra qytetarëve iranianë të cilët regjimi tashmë i ka masakruar. Kërcënimi i regjimit për të nisur ekzekutimet publike të protestuesve solli një reagim të ashpër nga presidenti Trump, i cili paralajmëroi se nëse kjo do të ndodhte, Amerika do të ndërhynte.
Megjithatë, siç kanë treguar disa informacione nga qarqet kundër Trumpit, ekziston një frikë e thellë në Uashington dhe në kryeqytete të tjera që ka origjinën që nga Afganistani dhe Iraku.
Rregulli në atë kohë ishte ai i vjetri i [shitores] “Pottery Barn”: “Nëse e thyen, e jotja është”.
Por, siç mund të shihet nga veprimi i guximshëm i Trumpit në Venezuelë, ai vepron ndryshe.
Politika e tij është se ndonjëherë gjërat janë veçse të thyera dhe ti duhet të bësh ndërhyrje minimale për t’i rregulluar ato. Ose, t’ua lejosh vetë njerëzve të vendit t’i rregullojnë ato.
ShBA-ja mund të ndihmojë aktivistët dhe aleatët brenda Iranit për të goditur qendrat kryesore të regjimit të terrorit. Ne mund të godasim selitë e Gardës Revolucionare Iraniane dhe të milicisë Basixh që po bëjnë luftë kundër popullit iranian.
Amerika gjithashtu mund të ndihmojë njerëzit brenda Iranit që të kenë cak ata që janë përgjegjës për terrorin.
Duke vepruar kështu, mund të tregojmë se njerëzit që duan lirinë në Iran kanë një mik në Shtetet e Bashkuara. Dhe se ata që vrasin popullin e vet dhe përhapin terror në të gjithë botën, nuk do të mbeten të pandëshkuar.
Presidenti Trump ka një mundësi historike. Ai mund të ndihmojë në përfundimin e makthit gjysmë-shekullor të Iranit dhe të kompensojë 46 vjetët me dështime në politikën e jashtme. Duke e bërë këtë, do të dëshmojë se - ndryshe nga paraardhësit e tij - ai është presidenti që qëndroi në krah të lirisë përballë terrorit. /Telegrafi/
Nga: Ben Beaumont-Thomas / The Guardian (titulli: ‘A nasty little song, really rather evil’: how Every Breath You Take tore Sting and the Police apart) Përkthimi: Telegrafi.com
Seancat e kësaj jave në Gjykatën e Lartë mes Stingut dhe ish-anëtarëve të grupit The Police, Stewart Copeland dhe Andy Summers, janë kapitulli më i fundit në jetën e një kënge energjia negative e së cilës duket se është përhapur edhe në jetën reale.
Every Breath You Take është objekt i një padie të ngritur nga Copelandi dhe Summersi kundër Stingut, duke pretenduar se ai ua ka borxh honorarët që lidhen me kontributet e tyre në këtë këngë jashtëzakonisht të njohur - veçanërisht nga të ardhurat prej platformave të transmetimit, të vlerësuara në rreth dy milionë dollarë [1.72 milionë euro] në total. Ekipi ligjor i Stingut ka kundërshtuar, duke thënë se marrëveshjet e mëparshme mes tij dhe anëtarëve të grupit për honorarët e tyre nga kënga nuk përfshijnë të ardhurat nga transmetimi në internet - dhe në dokumentet para-gjyqësore u tha se dyshja është paguar “më shumë seç duhet”. Në ditën e parë të seancës, u zbulua se që nga ngritja e padisë, Stingu ua ka paguar atyre 870 mijë dollarë [747 mijë euro] për të rregulluar atë që avokati i tij i quajti “disa pagesa”. Por, ende ka shumë të ardhura të mundshme të ardhshme që janë në diskutim.
Mosmarrëveshja nuk ka të bëjë me ndonjë hit të vjetër të pluhurosur, me anëtarët e grupit që kërkojnë thjesht të rishpërndajnë fitime të vjetra - çdo interpretim i marrëveshjeve mes anëtarëve të grupit do të ketë ndikim të madh dhe të vazhdueshëm financiar. Ndërkohë që seancat nisin, Every Breath You Take ndodhet në top 10-shen e këngëve më të transmetuara përditë në mbarë botën në Spotify, duke mbledhur rreth 3.5 milionë dëgjime në atë platformë secilën ditë: më shumë se disa nga këngët më të njohura të kohëve të fundit, si Birds of a Feather nga Billie Eilish dhe Die With a Smile nga Lady Gaga dhe Bruno Mars. Në Spotify, dëgjimet u rritën me 89 përqind në vitin 2024 dhe vazhduan kështu me një tjetër rritje prej 36 përqind vitin e kaluar, me popullaritet të veçantë në ShBA, Meksikë, Brazil, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar që janë tregjet më të mëdha të këngës.
Kjo e bën Every Breath You Take një motor tepër të fuqishëm për honorarët (d.m.th. të drejtave të autorit), që aktualisht po shkojnë kryesisht te Stingu (ai është i vetmi i regjistruar si autor, megjithëse Copelandi dhe Summersi marrin 15 përqindëshin përmes një marrëveshjeje që daton në vitin 1977). Every Breath You Take ka përfituar nga përfshirja në kolonën zanore të Stranger Things, duke u shfaqur në sezonin dy dhe katër, dhe si shumë këngë të tjera - teksa adhuruesit e rishikojnë gjithë sagën fantastiko-shkencore - ka marrë një shtysë në transmetim, por gjithashtu ka qenë shumë e pranishme edhe edhe jashtë serialit, si në TikTok.
Ajo ishte në vendin e parë në toplistat në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ShBA kur u publikua fillimisht në vitin 1983. Dhe, kënga e vitit 1997, I’ll Be Missing You, një homazh pas vdekjes për Notorious B.I.G.-ut - nga Puff Daddy dhe Faith Evans që ndërthuri shumëçka nga ajo këngë - ishte një tjetër hit global. Por, suksesi i përjetshëm i Every Breath You Take fsheh format e ndryshme të konfliktit në zemër të saj.
Stingu ka thënë se synoi të shkruante një këngë “romantike, disi joshëse” dhe ka pranuar se ajo “nuk është aspak origjinale; ka një sekuencë standarde akordesh që ndoshta është vjedhur nga Stand By Me” e Ben E Kingut. (Ai gjithashtu ia ka atribuuar frymëzimin këngës Slip Slidin’ Away të Paul Simonit - detaje interesante për një seancë gjyqësore të përqendruar tek autorësia). Është aq klasike saqë studiuesit në Universitetin Arhus në Danimarkë e cilësuan si këngën më tërheqëse në lidhje me përputhjen me ritmet e jetës së përditshme: “Një këngë shumë e këndshme, ndoshta edhe pak e zakonshme”, ka thënë në vitin 2021, studiuesi kryesor i studimit.
Por, Every Breath You Take e merr fuqinë e saj nga marifeti djallëzor që shkakton te dëgjuesit. Stingu e cilësoi si baladë të lehtë me një strukturë qetësuese, të thjeshtë dhe klasike, mbushur me premtime për dashuri dhe mbështetje të përjetshme. Është pothuajse e mundur ta kuptosh fjalë për fjalë, dhe Faith Evans nuk kishte nevojë të ndryshonte diçka për ta kthyer në një këngë të pastër përkushtimi për burrin e saj të vdekur. Ajo interpretohet, pa ironi, në dasma. Por, Stingu i shtoi asaj atë që ai e quajti “detyrim, deri në pikën e obsesionit, ku kjo bëhet disi ligësi” - duke e cilësuar si deklaratë të sinqertë dashurie në fjalët e një përndjekësi që nuk mund të heq dorë.
Ka diçka pranë djallëzores në manipulimin e saj dhe Stingu - i cili e quajti atë “një këngë të ndyrë, vërtet djallëzore” - madje ndjeu nevojën për të zhbërë mallkimin me këngën e vitit 1985 që nisi solo-karrierën e tij, If You Love Someone Set Them Free. “Duhej të shkruaja antidotin”, tha ai, “pasi i helmova njerëzit me këtë gjë të tmerrshme.”
Every Breath You Take ishte gjithashtu makth për t’u realizuar, si gjithë albumi jashtëzakonisht i famshëm Synchronicity në të cilin ajo u përfshi. “Ata ishin lodhur nga njëri-tjetri”, ka thënë producenti i albumit, Hugh Padgham. “Stingu dhe Stewarti e urrenin njëri-tjetrin, dhe megjithëse Andy nuk tregonte aq pezëm, mund të bëhej i vrenjtur - dhe kishte si përplasje verbale ashtu edhe fizike në studio”. Ishte Every Breath You Take ajo që pothuajse i çoi drejt pikës së thyerjes, me Copelandin që ndihej i kufizuar nga modeli i ritmit të tupanëve të këngës. Padgham kujtoi: “Stewart thoshte: ‘Dua të vendos pjesën time të tupanëve në të’ dhe Sting thoshte: ‘Nuk dua të vendosësh pjesën tënde të tupanëve në të! Dua të vendosësh atë që dua unë!’... dhe vazhdonte kështu. Ishte vërtet e vështirë ... Mbaj mend mjaft qartë që punuam pandërprerë për 10 ditë ... dhe nuk kishim asgjë në shirit që të ishte e dëgjueshme”.
Nëse Copelandi ndihej i kufizuar nga vizioni i Stingut për këngën, Summersi ka pohuar se ai pati ndikim më të thellë në të: “Ishte e pavlerë derisa nuk interpretova unë në të”, tha ai më 2016. Duke iu përgjigjur një versioni demo të interpretuar nga Stingu mbi akorde organoje, Summers krijoi figurën e kitarës si një mënyrë “për t’i bërë të lumtur ata bastardët e tjerë. Ajo këngë ishte për t’u hedhur. Stingu dhe Stewarti nuk mund të pajtoheshin se si do të shkonin basi dhe tupanat. Ishim në mes të Synchronicity dhe Sting thoshte: ‘Hajde, pra, futu atje dhe bëje tënden’. Dhe, e bëra me të parën. Të gjithë u çuan dhe duartrokitën”.
Përleshjet fizike vazhduan në turneun e albumit, me Copelandin që ia theu një brinjë Stingut. Më pas Copelandi e përshkroi këtë si “lojë fizike”, por ndasitë u treguan tepër të thella. Stingu donte të eksploronte muzikën me të tjerët dhe The Police u shpërbënë në kulmin e suksesit të tyre, duke fituar reputacionin si një nga grupet më të përçara në historinë e rokut.
Një tjetër shaka e brendshme e grupit qëndron te Every Breath You Take. Siç tha Copelandi në vitin 2018: “Një nga shakatë tona të preferuara është se, kur Puff Daddy përdori Every Breath You Take në I’ll Be Missing You, ai përdori figurën e kitarës së Andyt, jo melodinë apo tekstin. Unë dhe Andy themi: ‘Hajde Sting, paguaje Andyn për honorarët e tij’. Dhe, Stingu thotë: ‘Në rregull Andy, ja ku janë ...’! Pa e afruar dorën te portofoli”.
Por, ajo shaka ka marrë tashmë formë shumë reale, dhe siç Every Breath You Take është e famshme si dikur, edhe marrëdhëniet në The Police mund të jenë po aq të këqija si në kohën kur u incizua. /Telegrafi/
Ata që kanë më së paku ngjashmëri me Krishtin e quajnë veten të krishterë dhe ata që kanë më së paku patriotizëm mbështillen me flamur dhe ata që kanë më së paku inteligjencë i dinë të gjitha dhe ata që kanë më së paku arsimim të tregojnë çfarë mund të lexosh dhe ata që kanë më së paku njerëzillëk janë ata që marrin detyrën të na mbrojnë dhe ata që kanë më së paku përvojë na pengojnë dhe ata që kanë më së paku burrëri sillen si kapadainj si pallonj të armatosur që kruhen për të vrarë dhe ata që më së paku janë të informuar japin lajmet dhe ata që kanë më së paku kualifikim kanë vendet më të larta të pushtetit dhe ajo që më së paku mund të bëjmë është të përballemi dhe të mbrojmë fqinjët tanë dhe veten tonë të kundërvihemi dhe të themi: kurrë më kurrë më kurrë më kurrë më kurrë më
Ndërmarrja e Furnizimit të Punëtorëve në Mëzez, më 26 tetor 1981 denoncoi se banakieri i klubit të punëtorëve të Minierës së Priskës, i cili nuk kish mbushur muajin në punë ende, i kishte hedhur ujë rakisë të llojit “Rrashbull” që tregtonte për arsye përfitimi.
Konstatimin e kish bërë banakieri tjetër.
Po ashtu punëtorët ankoheshin se nuk e ndjenin që rakia të kishte bërë efektin e vet për të rritur entuziazmin te ata, në mënyrë që me hov revolucionar të shkonin në punë.
Fillimisht u bllokuan në cilësinë e provës materiale katër shishe me raki. U dërguan në laborator. Atje u konstatua se rakia nga 18 gradë kish zbritur në 15 gradë.
Ndërmarrja bisedoi fillimisht me shokët e gjykatës popullore e më pas me shokët e hetuesisë së rrethit. Filloi çështja penale bazuar në nenin 75 të Kodit Penal (shitja e mallrave të cilësisë së lartë për cilësi më të ulët). Mirëpo, nga hetimi rezultoi se banakieri “rridhte nga një familje punëtorësh me përbërje të mirë moralo-politike”, e për këtë arsye çështja duhej parë në një sy tjetër, me një skenar larg atij armiqësor. U vendos të thuhej banakieri e kishte derdhur pa dashje rakinë dhe nga frika e zëvendësoi me ujë. Në këto rrethana, duke lidhur me pendesën e tij, partia vendosi që çështja të pushohej. Për këto arsye, meqë “nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore”, hetuesia vendosi pushimin e çështjes, duke rekomanduar për të akuzuarin një punë me pagë më të ulët brenda ndërmarrjes, veprim të cilin e miratoi edhe Prokuroria, “për politikë penale”.
Nga: Ahmet Xhavit Delvina (fragment nga libri Enigma e një epoke)
Enver Hoxha ishte një sadist i paimagjinueshëm, një vampir i paskrupullt që tallej e zbavitej me vartësit e tij, apo bashkëpunëtorët e zellshëm “revolucionarë” që punonin me të, për t’i ndërruar faqen këtij vendi, d.m.th., për ta bërë Shqipërinë “Parajsë të vërtetë”. Ai, pas një periudhe kohore, këtyre bashkëpunëtorëve iu merrte jetën në mënyrat më të turpshme e më ç’njerëzore! Por, populli asnjëherë nuk është njohur me bëmat e tij, apo poshtërimet që ai iu bënte këtyre bashkëpunëtorëve udhëheqës. Ai, nëpërmjet kongreseve, plenumeve, gjyqeve, shtypit, historisë, deri edhe letërsisë artistike, figurat e tyre i trajtonte si të kishte qejf. Ai këta i paraqiste si burracakë, injorantë, imoralë dhe iu vinte shumë emërtesa të tjera, ashtu si t’i interesonte atij, në asnjë rast nuk u pasqyrua e vërteta për ta, kështu që populli këtë taktikë të tijën, nuk e zbërtheu kurrë dhe nuk e mësoi asnjëherë të vërtetën.
Unë, siç e kam trajtuar rreth këtyre bëmave të Enver Hoxhës, kam patur biseda konfidenciale me daiun tim Esat Dishnica, i cili ishte lidhur me të që në Liceun e Korçës e deri në fund të jetës. Esati ka qenë krye miku unikal i tij, apo më mirë, “si vëllezër binjakë”, dhe këtë nuk e them vetëm unë, apo ne si familjarë, por edhe të gjithë ata që kanë patur dijeni rreth marrëdhënieve të tyre reciproke. Ata nuk u ndanë për asnjë rast. Kjo ishte një çudi shumë e veçantë apo, siç thoshte babai im për këtë miqësi: “Eksepsion unikal”.
Enveri, për ta përjashtuar edhe ruajtur Esatin nga rregulli i asgjësimit të planifikuar dhe periodik, që nuk përjashtonte as edhe një lloj shoku, vetëm Esatin e mbajti me poste “speciale”, biles edhe gjatë Luftës “Nacional-Çlirimtare”, si antar i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm “Nacional-Çlirimtar”, ose me pozita relativisht të larta në Shtabin e Përgjithshëm, ose e caktoi organizator të çetës së Dumresë etj. Pas “çlirimit” të vendit, e bëri dy herë deputet të Korçës në Kuvendin Popullor, pastaj e ruajti në hije dhe e emëroi drejtor të Shtëpive të Pushimit në Pogradec dhe më vonë drejtor të Shoqërisë-Komisionare.
Kaq ishin detyrat për Esatin aq sa jetoi. Trajtimi ekonomik i tij ishte i privilegjuar, hynte e dilte dhe drekonte tek Enveri, pa asnjë lloj audience, kalonin pushimet verore, gjithnjë bashkë, sidomos në Pogradec. Përfundimisht mund të them se e ruajti intimitetin shoqëror deri në fund të jetës së tij. Ky qe rasti më unikal në historikun e Partisë Komuniste Shqiptare dhe personalisht i Enver Hoxhës.
Ja ç’më tregonte daiu im Esati për Enver Hoxhën
Në bisedat që bënim, daiu im Esati thoshte se nga Enver Hoxha historikisht dridheshin të gjithë, apo siç thuhet shqip (popullorçe) “dh... në brek”. Çdokush që kish takim me të, mendonte gjithë natën se si do ta ndërtonte diskutimin, që ky të ishte i sigurt që ai do ta pëlqente. Ky ishte preokupimi më i madh i këtyre udhëheqësve qyqarë. Në të gjithë historinë që Enveri ka qenë në krye, vetëm dy persona e kanë kundërshtuar ballë për ballë atë. Ky qe një rast shumë i veçantë, ishte me të vërtet çudi, sidomos për “udhëheqësit trima”.
Këta të dy ishin, Pilo Peristeri dhe Ramadan Çitaku. Ky i dyti (Çitaku), i ka thënë Enver Hoxhës tekstualisht: “Mjaft më me llafet e tua, të dëgjojmë edhe të tjerët”. Kjo ndodhi kur u prishëm me Jugosllavinë, në një mbledhje të Komitetit Qendror. Po kështu foli edhe Pilo Peristeri kur u prishëm me Bashkimin Sovjetik; “Dale o Enver, se ata rusët na e mësuan se ç’është komunizma”! Për këto dy raste, Enveri bëri dy tolerime të pashpjegueshme për natyrën e tij.
Për Ramadan Çitakun, nuk u mor ndonjë masë ekstreme “siç ishte zakon”, sepse gjoja Enveri i kërkoi Komitetit Qendror, që nëse “ishte e mundur”, të mos ia vinte re “Bacës” se ishte njeri i mirë, por i trashë, “kosovar hesapi”, ndërsa për Pilo Peristerin, po kështu foli në Komitetin Qendror, që edhe këtij mos ia vinin re, sepse këto lojë gafash apo lajthitjesh, si të thuash, janë në natyrën e Pilos, se ai për mungesë kulture të lartë politike, shprehet proletarçe, siç thotë edhe ai, por të jeni të sigurt se i ka pa qëllim të keq.
Komiteti Qendror i “mori parasysh” kërkesat e Enverit dhe mori për të dy masa simbolike. “Bacën” e çoi drejtor Qendror te Sigurimet Shoqërore, ndërsa Pilon, drejtor në Uzinën Mekanike në Qytetin Stalin, meqë i shkonte për racë se kishte prejardhje hekurpunuesi. Pilon e fali shumë shpejt, pasi ia kishte nevojën, sepse ky ishte “ciceroni” personal i tij dhe i shërbente me zell për të evidentuar aktivitetin revolucionar të Enver Hoxhës, sidomos në 16 tetor të çdo viti, atë e çonte nëpër radio, televizion, institucione të ndryshme, shkolla, reparte ushtarake e kudo nëpër republikë për të propaganduar veprën e tij, sakrificën, aftësitë e tij “të veçanta” organizative, ushtarake, politike e çdo gjë tjetër.
“Mos fol po deshe”! Pilua, shokun Enver e vinte në vendin e njeriut të rënë nga qielli, kaluar edhe një profeti. Ai thoshte se shoku Enver ishte babai i vërtetë dhe mësuesi i këtij populli, që e gjeti Shqipërinë pa asnjë dije, për të mos thënë popull plotësisht injorant në politikë, pale në filozofi dhe pa asnjë traditë revolucionare. Pikërisht puna e tij, mësimet, sakrificat e tij nga më të paimagjinueshme na prunë “aty ku jemi sot” dhe që na e ka lakmi e gjithë bota. Natyrisht “leksionet” e Pilos ishin të parapërgatitura në “fabrikën” e Nexhmije Hoxhës. Kjo “fabrikë”, në gjuhën zyrtare quhej Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste.
Pilo Peristeri konsiderohej nga komunistët më të vjetër shqiptar, së bashku me Miha Lakon, kështu i kishte caktuar “Zeusi”, prandaj Pilua ishte ngarkuar në këtë rol të rëndësisë së veçantë, meqenëse e kishte edhe besimin. Përsa u takon të gjithë komunistëve shqiptarë, duke përfshirë edhe udhëheqjen më të lartë “shtatë në qese” iu shkonin nga Enveri - thoshte Esati. Ja p.sh. Mehmet Shehun, që e mbajnë për trim të madh, apo Hero të Luftës, që e quan i tërë populli shqiptar, “dh... në brek nga ai” - “shtatë n’qese i shkojnë”, ngrihet në mbledhje të Byrosë Politike një ditë dhe me servilizmin më të madh dhe të dukshëm plot neveri, për t’i bërë qejfin “komandantit”, propozoi: Shokë, për të rritur sigurinë, për mbrojtjen e jetës së mësuesit dhe komandantit tonë, shokut Enver Hoxha, aq të shtrenjtë për ne dhe për gjithë Shqipërinë e matanë nëpër botë, propozoj që edhe ne anëtarët e Byrosë Politike, duke filluar që nga unë i pari, të kontrollohemi deri në trup e “kudo”, përpara se të hyjmë për punë në zyrën e shokut Enver, sepse kështu e kërkon situata dhe interesi i atdheut. Megjithëse shokut Enver ky propozim iu duk i tepërt edhe vet, jo vetëm që nuk e pranoi, por edhe e kundërshtoi. Mehmeti iu imponua Byrosë Politike, por në saj të demokracisë së brendshme në parti dhe duke patur parasysh vlerat e jashtëzakonshme të shokut Enver, kjo masë që do të merrej për ruajtjen e jetës së tij, ishte fare e vogël, rrjedhimisht me shumicë votash u pranua propozimi i “Heroit” Mehmet Shehu.
Kështu, që nga ajo ditë njerëzit e Sulo Gradecit ose pjesëtarët e sektorëve të mbrojtjes së udhëheqjes, kontrollonin me dorë në të gjithë trupin, edhe anëtarët e Byrosë Politike, së bashku me “trimin legjendar” Mehmet Shehun, kur i thërriste për ndonjë punë në zyrë apo në shtëpi, shoku Enver. Por, Mehmeti bëri edhe një propozim të dytë shumë më interesant se i pari dhe ky qe kulmi i servilizmit dhe i frikës, gjithashtu ndaj Enverit. Mesa duket si kriminel profesionist i regjur që ishte vetë, kishte filluar të mendonte se i qenë sosur ditët e jetës dhe e ndiente se ishte afër dita që do të vepronte edhe tek ai mekanizmi “auto-vrasës” tashmë i njohur.
Për ta larguar sado pak këtë siklet apo ankth dhe të investonte në Parti shenja të reja besueshmërie, ngrihet në një mbledhje të Byrosë Politike dhe thotë:
- Meqenëse shoku Enver është shumë i lodhur nga një punë shumëvjeçare dhe me intensitet të paimagjinueshëm për interesat e atdheut dhe për më tepër kanë dalluar se ai, lodhjen e tij mundohet ta fsheh kur është në krye të detyrës, apo në mes nesh, me qëllim që të mos na shqetësojë ne, lëre pastaj për ndonjë rast të jashtëzakonshëm që ai mund të mungojë në ndonjë mbledhje tonën, për arsye shërbimi jashtë Tiranës, se sa keq i vjen për mungesën, prandaj neve na bie për detyrë, që të gjejmë mënyra të reja, që me punën e përbashkët, të arrijmë të mos pengojmë për asnjë rast objektivat e punës, që shoku Enver i ka vënë vetes.
- Por, dua të theksoj edhe një gjë shumë të rëndësishme për këtë situatë të re shumë të ndërlikuar ndërkombëtare që po jetojmë. Kjo situatë e re ka lindur probleme të reja që duan zgjidhje, jo vetëm me mënyrat e zakonshme teknike, ekonomike, politike, diplomatike etj., por, kërkojnë mënyra dhe trajtime më të kualifikuara, nuk mjaftojnë më besnikëria klasike ndaj Marksizëm-Leninizmit në mënyrë shabllone, por baza e zgjidhjes duhet të jetë shumë më e gjerë, e mbështetur pa asnjë ekuivok në mendimet e reja që e pasurojnë Marksizëm-Leninizmin në mënyrë shkencore, për kushtet e sotme të hedhura nga Partia jonë me shokun Enver në krye. Dua të shtoj edhe një gjë: Ne, anëtarët e Byrosë Politike lëmë shumë për të dëshiruar, që të arrijmë këtë nivel të ri, neve na duhet të punojmë shumë që t’i asimilojmë këto direktiva të reja, prandaj propozoj që në çdo mbledhje të Byrosë Politike, të asistojë për të na ndihmuar shoqja Nexhmije Hoxha, që është natyrshëm specialistja më e mirë për ç’ka shtrova më sipër. Prezenca e saj në mbledhjet tona, si dhe ndihma e saj, jo vetëm që na ndihmon që ne të mos gabojmë kurrë në “vijë”, por njëkohësisht shokut Enver i krijon mundësira të reja, kohë të re e më të zgjatur, për të punuar në studion e tij në shtëpi për çështjen tonë. Ndërsa ne të informohemi nëpërmjet shoqes Nexhmije, për kërkesat apo udhëzimet e reja, kështu që ne i kursejmë komandantit ecejaket për ne, “kohë “është, po si!
- I lutem shoqes Nexhmije të mos keqkuptohet se çdo gjë që shtrova, e di se do t’i pëlqej shokut Enver, pavarësisht se ai do të ngarkohet me më shumë punë, por ama e dimë që ai është i etur për punë dhe ne me këto propozimet e reja, do t’i lehtësojmë lëvizjet e parëndësishme. I lutem gjithashtu edhe njëherë shoqes Nexhmije, se për këtë ndihmë që do të na japi ne dhe Partisë, do t’i jemi mirënjohës dhe për të mos shkelur rregullat administrative të Partisë, të mos e protokollojmë prezencën e saj në mbledhjet tona. Me gjithë kundërshtimin e shoqes Nexhmije, propozimi u hodh në votë dhe u miratua njëzëri. Si rrjedhim shoqja Nexhmije merrte pjesë në çdo mbledhje të Byrosë Politike, pa u shënuar kurrë në protokollin zyrtar të mbledhjes. Edhe Suloja kënaqej nga niveli i lartë i ndërgjegjes, së shokëve të “Birosë”.
Mehmeti me këto furçet apo pallavrat e tij për figurën e Enverit, mendonte se do të fitonte diçka, së paku të arrinte ta bindte sadopak Nexhmijen, se ai ushqente dashuri e respekt për të, prandaj e kishte aktualizuar këtë çështje. Enveri kishte disa kohë, që nuk vinte gjithnjë në mbledhje të Byrosë, për shkak të sëmundjeve të tij të njohura si, diabet i lartë, sëmundjen e rëndë të zemrës etj., por e keqja më e rëndësishme për të ishte, kur ai duhej të paraqitej në kontakte të ndryshme me njerëzit, sepse ai kishte pësuar një ezauriment mendor galopant në formë mjaft të rëndë, sa kishte arritur t’i pengonte dhe rrjedhshmërinë e të folurit, lëre pastaj dhe nivelin mendor.
Por, siç u duk më vonë, këto forma apo sjellje servile që Mehmet Shehu përdori, nuk i dhanë asnjë përfitim për të keqen që mendonte, se do t’i ndodhte sipas historisë dhe rregullit “auto-vrasës”, që funksiononte normalisht në Parti. Koha tregoi se edhe atij i ishte përcaktuar me saktësi dita e asgjësimit. Kjo ishte në fakt periudha më e keqe shëndetësore e Enverit dhe tashmë ishte e qartë për të gjithë, se ai nuk e merrte më veten dhe shëndeti i tij do të shkonte përditë e më keq. Kështu që komandën e shtetit shqiptar, efektivisht e kishte marrë në dorë në mënyrë absolute, “Zonja e Zezë” Nexhmije Hoxha dhe Sulo Gradeci, dora e hekurt e saj, të dy kriminelë sadistë sa s’ka. Ndërkohë llahtaria dhe frika tek Mehmeti, kishin mbërritur kulmin edhe te mua si Xhavit.
Më kujtohet një rast shumë i turpshëm për “heroin” frikacak Mehmet Shehu. Vjen një ditë gjithë madhështi dhe autoritet në Kombinatin e Auto-Traktorëve me cilësinë e kryeministrit, në një mbledhje pune në bazë (siç i thoshin atëherë), me rastin e prodhimit të traktorit të parë shqiptar. Gjatë fjalës së tij që përshkohej nga një entuziazëm i madh për “sukseset” e arritura nga klasa jonë punëtore nën udhëheqjen e Partisë me shokun Enver në krye, një shok i yni po komunist, Vesel Bano, nga “entuziazmi” i madh që e kishte pushtuar, ndërpreu fjalën e Mehmetit dhe bërtiti në sallë: Rroftë shoku Mehmet Shehu dhe natyrshëm e gjithë salla brohoriti “Urra, urra ...” në mënyrë frenetike, por për çudi ngrihet Mehmeti i “nervozuar” në kulm dhe urdhëron me duar e zë të lartë: Të dalë menjëherë jashtë, ai që hodhi atë parullë krejtësisht të gabuar.
Pas pak vazhdoi duke bërtitur rishtazi: More-more, po ç’jam unë? Unë nuk jam gjë tjetër, veçse një si ju dhe asgjë më tepër. Neve duhet të thërrasim dhe të bërtasim biles, por jo, jo, jo “rroftë Mehmeti”, por “Rroftë shoku Enver Hoxha” - themeluesi i Partisë sonë, sepse ai na rriti, na edukoi dhe na bëri këta që jemi sot, ai punoi me të gjithë ne si mësuesi me nxënësin, prandaj të gjithë e kemi detyrim të thërrasim me forcë dhe biles me forcë të madhe. Të rrojë Partia jonë dhe themeluesi e mësuesi ynë shoku Enver Hoxha, urra-urra ... dhe kështu ndodhi në Kombinatin tonë.
Pra, me këto që përshkrova shkurtazi për Mehmet Shehun, del dhe vërtetohet katërcipërisht se ai ishte një burracak i vërtetë dhe katil shumë ordiner, si të gjithë shokët e sërës së tij.
Por, dimë edhe historinë, edhe fundin e Mehmet Shehut, që shkoi si “cjapi te kasapi”, kur i erdhi momenti i planifikuar për t’u asgjësuar si gjithë të tjerët, biles ai ishte aq i “ndërgjegjshëm”, sa la edhe një letër përshëndetëse për Partinë që e rriti, e edukoi dhe në fund natyrshëm e asgjësoi. Enveri tek Mehmeti si person, shfrytëzoi në maksimum anën e tij kriminale, që e kishte në kufijtë shumë më të lartë se shokët e tij dhe mund të themi pa frikë, se ishte kampion i kriminelëve të tjerë, duke përjashtuar vetëm Enver Hoxhën që ia kalonte. Enveri e asgjësoi Mehmetin kur deshi, tamam si një pulë, pa asnjë problem.
Ai nuk i zuri besë atij asnjëherë, gjithmonë dyshonte për të, i dukej se ishte mosmirënjohës dhe biles, Enveri nga qëndrimi që ai mbante, çuditej se si nuk e kuptonte se i kishte kaluar shumë koha e flijimit, si të gjithë shokët paraardhës. E keqja për Mehmetin dhe që e “mori në qafë”, ishte bindja e tij se Enveri nuk bënte dot pa të dhe njëkohësisht besonte për një vdekje të papritur për të, prandaj ai mendonte se si po shkonin punët, nuk e kishte keq, sikur do t’ia hidhte. Por, njëkohësisht edhe Enveri e mendonte shumë mirë, se sa keq do të sillej Mehmeti me emrin e figurën e tij pas vdekjes, lëre pastaj me familjen e tij. Prandaj ai meritonte trajtim të veçantë.
Gradualisht i zhduku edhe gruan Fiqirete Sanxhaktarin. Edhe kjo kriminele e njohur që kishte mbajtur dhe funksione të larta partie, prandaj edhe ajo ishte në nomenklaturën që mekanizmi auto-vrasës i Partisë, duhet të vepronte edhe mbi të, rrugë të cilën ajo ja u kishte caktuar personalisht shokëve dhe shoqeve të saj. Po kështu i zhdukën edhe djalin e madh Vladimirin me (vetë)vrasje. Ky qe shpërblimi që ju jepte “nëna Parti” bijve dhe bijave të saja, për punën e tyre të “vyer” ndër vite. Enveri, bashkëpunëtorët e tij të afërt i analizonte me shumë kujdes, ai p.sh., sikur të dallonte tek ata që natyra i kishte dhuruar pak nder dhe pak trimëri, ai i refuzonte menjëherë dhe nuk i donte kurën e kurës pranë vetes.
Ai preferonte ata njerëz që veç mungesës së nderit dhe trimërisë, mundësisht të kishin edhe të kaluar të diskutueshme. Kjo gjë i interesonte atij, sepse e kishte më të lehtë të bënte me ta çfarë të donte. Këto “vegla” qorre kalonin kontroll pas kontrolli dhe në fund i shikonte edhe njëherë ai vet me shumë kujdes, këta kandidat, që ia ofronin për bashkëpunëtorë sipas shijes së tij, organet e caktuara për këto probleme, mbi të gjitha ai u kontrollonte edhe a kishin cilësi të larta natyrale për t’u përpunuar sipas dëshirës së vet dhe po të bindej ai vetë personalisht për këto cilësi, atëher ata konsideroheshin të padiskutueshëm për të.
Ai nëpërmjet informacioneve të sakta merrte vesh shkallën e kolaboracionizmit të tyre me qeveritë e kaluara, ky informacion ishte një avantazh për të, sepse e dinte që ata do të ishin më të gatshmit për t’u futur në çdo punë të pisët, apo krime të çdo lloji, vetëm për të mbuluar të kaluarën e tyre të kompromentuar. Po përmend disa nga këta elementë të ulët që punuan me shumë devocion për atë sistem dhe në fund shumë prej tyre i përpiu mekanizmi i famshëm auto-vrasës i partisë së tyre:
- Dr. Omer Nishani, ka qenë përfaqësues i lartë i Dhomës Koorporative Fashiste dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit.
- Ramiz Alia, me kombësi boshnjake, ka qenë anëtar i Rinisë Fashiste, i veshur me këmishë të zezë. Partia dispononte fotografi origjinale dhe regjistra fashiste, ku kishte prej tyre edhe me firmën e tij origjinale.
- Gjeneral Qazim Kondi, në shtator të vitit 1941 ishte oficer fashist; për merita ndaj fashizmit, në janar të 1943, emërohet nënprefekt i Kurveleshit
- Gjon Banushi, rreshter i kuesturës në Vlorë dhe punonjës i strukturave të “SIMIT” (Shërbimi i Fshehtë Britanik) deri në fillim të vitit 1943.
Pa përmendur të tjerë si: Spiro Moisiu, Shefqet Peçi, Bedri Spahiu, Et’hem Berhani etj. Përmenda vetëm disa nga këta të niveleve nga më të lartat e deri te më të ulëtat. Ai me këta tipa luante si të donte, prandaj kishte arritur rezultate të larta në krime, duke përdorur këtë lloj llumi apo elementi dhe për këta mund të flasësh sa të duash, por fatkeqësisht në agjenturat e Sigurimit të Shtetit, kishte të kompromentuar edhe nga radhët tona.
Kjo e keqe ndodhi dhe u bë fakt edhe sepse kishte nga tanët që nuk mundën tu rezistonin terrorit dhe torturave për kohë të gjatë e që u shtrinë deri te familjarët e këtyre “qyqarëve” fatkeqë. Ky ishte një fakt i papritur dhe i paimagjinueshëm, prandaj këtë fatkeqësi të turpshme duhet ta pranojmë ashtu siç ishte realiteti. Kështu që edhe “hienat” komuniste duke penetruar edhe ndërmjet nesh, shkaktuan dëme të pa llogaritura. /Memorie.al/