Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 2026Main stream

"Transferimet" politike, 10 deputetët që kanë ndryshuar parti dhe rifitojnë mandatin

11 January 2026 at 21:22


Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e re do të vazhdojë të ketë brenda vetes fytyra të njohura që kanë kaluar në së paku dy parti.

Janë së paku 10 deputetë të cilët tashmë kanë fituar mandatin në Kuvendin e Kosovës dhe që më parë kanë qenë pjesë e partive të tjera politike.

Ky fenomen i ndërrimit të partive nga deputetët ka vazhduar për vite me radhë dhe duket se nuk po ndalet as në legjislaturën e re.

"Transferimi" i deputetëve, tregon se kufijtë ideologjikë në Kosovë mbeten vetëm deklarativë përballë pragmatizmit politik dhe lëvizjeve të interesit elektoral.

Nga të dhënat e analizuara nga Telegrafi, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka qenë përfituesja më e madhe e këtyre lëvizjeve, duke integruar në radhët e saj 7 nga 10 deputetët emigrues.

Ndërkohë, në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) kanë aderuar 2 emra, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 1 deputet nga radhët e rivalit të saj kryesor.

Këto lëvizje flasin për një mungesë stabiliteti të brendshëm të partive politike dhe pakënaqësi të individëve me strukturat udhëheqëse./Telegrafi/

Deputeti/jaPartia AktualePartitë e mëparshme / Historiku
Mimoza Kusari LilaLVVIsh-deputete e AKR (2010), pjesë e koalicionit LDK-AKR (2017).
Albena ReshitajLVVIsh-ministre e AKR (2017), më pas deputete në AAK (2019).
Haxhi AvdyliLVVIshte pjesë aktive e LDK-së (deputet në 2017) para se t'i bashkohej Guxo/LVV.
Andin HotiLVVKa shërbyer si deputet i PDK-së (2017).
Adelina GraincaLVVE zgjedhur fillimisht nga PDK (2021), u transferua menjëherë në LVV.
Agim BahtiriLVVIsh-nënkryetar i AKR-së dhe kryetar komune nga kjo parti.
Labinotë Demi MurteziLVVDeputete e koalicionit PD-PDK në vitin 2014.
Doarsa Kica XheliliLDKFitoi mandatin me LVV (Lista Guxo, 2021) para se të kalonte në LDK.
Ukë RugovaLDKKa pasur një rrugëtim përmes AAK-së dhe Listës Rugova (deputet 2010).
Eman RrahmaniPDKI zgjedhur si deputet i LVV-së (2021), tani pjesë e PDK-së.

Borë e akull, mbyllet për qarkullim një rrugë në Prishtinë

11 January 2026 at 20:51


Për shkak të reshjeve të borës dhe krijimit të akullit, rruga “Arkitekt Karl Gega” në Prishtinë është mbyllur për qarkullim, raporton KosovaPress.

Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike, qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor që lidh lagjen e “Muhaxherët” në Prishtinë, është ndërprerë përkohësisht, për të shmangur rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.

Nga qytetarët kërkohet që të shmangin këtë rrugë dhe të përdorin rrugë alternative, deri në njoftimin e radhës për rihapjen e saj.

Kreu i SBASHK-ut kërkon që të shtyhet fillimi i gjysmë-vjetorit të dytë edhe për disa ditë

11 January 2026 at 20:06


Reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet kanë bërë që nisja e gjysmë-vjetorit të dytë të mësimit në shkollat e Kosovës të shtyhet.

E nesër pritet që procesi mësimor të rinisë në shumicën e shkollave, përveç atyre në Fushë Kosovë dhe Malishevë.

Lidhur me gjendjen, në Klan Kosova foli kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj.

Ai tha se më mirë është që mësimi të shtyhet edhe për disa ditë, për shkak të temperaturave tejet të ulëta, dhe problemeve me ngrohjen në disa shkolla.

“Edhe unë besoj që drejtoritë arsimore bashkë edhe me drejtorët e shkollave do ta analizojnë mirë situatën dhe mësimi do të fillojë atëherë kur duhet. Ka informacione se temperaturat do të shkojnë në – shumë gradë dhe një pjesë e shkollave mund të ketë probleme shtesë me ngrohjen”, deklaroi Jasharaj.

Shtyhet procesi mësimor edhe në Drenas

11 January 2026 at 20:04


Komuna e Drenasit njofton se për shkak të vërshimeve, borës, ngricave dhe mungesës së ujit të pijes në disa zona, kryetari i Komunës ka vendosur pezullimin e procesit mësimor në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor dhe shkollor.

Procesi mësimor do të rifillojë të mërkurën, më 14 janar 2026.

"Ky vendim është marrë me qëllim të ruajtjes së sigurisë së nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit arsimor. Komuna e Drenasit do të vazhdojë të njoftojë me kohë për çdo zhvillim të ri. Faleminderit për mirëkuptim dhe bashkëpunim", thuhet në njoftim. Më herët, edhe Komuna e Malishevës dhe ajo e Fushë-Kosovës kanë njoftuar shtyrjen e procesit mësimor për shkak të vërshimeve dhe pasojave nga to.

Lladrovci paralajmëron hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina” për mosfurnizim me ujë të pijshëm

11 January 2026 at 18:52


Komuna e Drenasit, e cila ditëve të fundit është përballur me përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka paralajmëruar padi ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” për ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm.

Sipas Komunës, pas vërshimeve KRU “Prishtina” ka ndaluar furnizimin me ujë në disa pjesë të territorit të Drenasit, gjë që, sipas kryetarit Ramiz Lladrovci, paraqet vështirësi serioze për qytetarët dhe rrezik për një krizë humanitare.

“Vështirësi e veçantë është furnizimi me ujë të pijes për disa ditë në një pjesë të territorit të komunës dhe mund të shkaktohet katastrofë humanitare. Lidhur me furnizimin me ujë, qytetarët duhet të drejtohen pranë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina””, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Tutje bëhet e ditur se Komuna do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina” për mosfurnizim të rregullt me ujë të pijshëm.

“Kryetari i komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se Komuna do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina”, për mosfurnizim të rregullt me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftim.

"Je bërë shumë e bukur", mërgimtari rrihet nga polici në Fier se i komentoi së motrës

11 January 2026 at 17:59


Një emigrant nga Gjermania, i kthyer në vendlindje, në Vjosë të Fierit, ka denoncuar dhunën ndaj tij, mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23:00.

Altin Meçaj, 46-vjeç, në një deklaratë për mediat u shpreh se personi që e ka goditur është një bashkëfshatar i tij, Fredi Lamaj, efektiv i policisë së Fierit.

Arsyeja e dhunës, ka sqaruar emigranti, është një koment që Altin Meçaj i ka bërë në rrjetin social në facebook, motrës së dhunuesit, Fredi Lamaj.

Altin Meçaj është shtruar në urgjencën e Fierit së bashku me të atin e tij, i cili ka të çara në kokë nga goditjet e dhunshme.

Altini sqaron se përpara se të rrihej në pragun e shtëpisë, ka marrë një mesazh kërcënues nga Fredi Lamaj, me tekst “Nuk e di me kë je mpleksur”, gjatë kohës që ishte në lokalin e fshatit.

Pasi ka ardhur në shtëpi, janë fikur dritat dhe në këtë moment ka dëgjuar ta thërrasin nga jashtë. Kur ka dalë ai është goditur brutalisht deri sa ka rënë pa ndjenja.

Sipas tij është hedhur i ati për ta shpëtuar, por edhe atë e kanë goditur.

“Mbrëmë në orën 11 të natës kam qenë te një lokal dhe kam arritur ë shtëpi. Kur isha te lokali më erdhi një mesazh kërcënues nga një like në facebook. Ai është një bashkëfshatar i imi që sot është komandant grupi diçka e tillë me forcat RENEA. Like i bëra motrës së tij në facebook.

“Kur shkova në shtëpi janë fikur dritat vetëm të shtëpisë time dhe jam thirrur në emër për të dalë jashtë. Ai më ka thirrur nga porta e shtëpisë”.

“Mesazhi thonte ‘nuk e di me kë je mpleksur’. Sa dal në derë më qëllojnë direkt dhe më përsërit mesazhin. Ishin të paktën 3 persona”.

“Vetëm atë kam njohur nga zëri. Më kanë rrëzuar për tokë pa ndjenja. Në qoftë për një liken ë facebook apo një koment ka dhe falje, por që të arrijë në këtë fazë që të më bëjnë mua për spital ose babain tim”.

“Si ka mundësi një person i tillë që është komandant grupi e vjen me shokët. Mund të ishim ulur ta kishim sqaruar. Mund të kishim pirë një kafe ta kishim sqaruar. Njihemi kemi pasur marrëdhënie të mira. Nuk ka asnjë tjetër. Fredi Astrit Lamaj e ka emrin”.

“Më ka thënë të njëjtat gjëra si në mesazh ‘nuk e di me kë je mpleksur’ dhe diçka tjetër që nuk mund ta them. Unë kërkoj që kjo mos të përsëritet dhe dua të drejtën time. Më është shkelur prona. Këtë person e kam dalluar vetëm nga zëri kur kam dalë jashtë. Unë i thashë që motra jote është e madhe nuk është e vogël, mund të më thotë ‘Altin boll se po më bezdis’. Komenti ka qenë ‘je bërë shumë e bukur’, një kompliment”, deklaroi 46-vjeçari Altin Meçaj”.

Babai i tij, 76-vjeçari Ylli Meçaj tha se djali i kishte ardhur për pushime dhe se kjo ndodhi i kishte shokuar të gjithë. Me lot në sy ai kërkon drejtësi dhe siguri për familjarët pas kësaj ngjarje të rëndë.

“Nuk kam pasur asnjëherë ngatërresa në fshat. Djali ka qenë emigrant që në vitin 1997. Djali shkonte çdo darkë të i vëllai në një lokal tek shkolla. Erdhi rreth orës 11:00 të darkës. Në këtë kohë u fikën dritat. Në këtë kohë dëgjoj zëra”.

“Kur u ngrita e pashë djalin të shtrirë pa ndenja fare dhe e godisnin me shqelma nga këmba dhe i kishin hipur mbi trup. Por nuk i pashë sesa persona ishin. I rashë djalit përsipër dhe bërtita. Në këtë kohë më qëllojnë dhe mua u lava në gjak”.

“Doja të lëvizja djalin nuk e lëvizja dot. Gruaja ulërinte. Erdhi djali i madh duke ulëritur. Sikur mos të kisha dalë unë, djali nuk do të ishte gjallë sot. Nuk njoha asnjë njeri. Kam dëmtime në kokë. Kërkojmë drejtësi se po më shuhet gjithë familja. Janë gjithë njerëzit e shokuar në shtëpi”, tha Ylli Meçaj.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga policia, ndërsa raportohet se rasti i ka kaluar për hetim Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore (AMP), për shkak se i denoncuari është pjesë e strukturave të policisë./Balkanweb

Prishtina rifillon nesër mësimin në të gjitha shkollat, Malisheva e Fushë Kosova e shtyjnë

11 January 2026 at 17:51


Komuna e Prishtinës njoftoi se nesër do të rifillojë procesi mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit.

Procesi mësimor do të vazhdojë pa u shtyrë më shumë, pasi Komuna thotë se ka ndërhyrë dhe menaxhuar suksesshëm situatën pas reshjeve të shumta.

“Pas ndërhyrjeve dhe menaxhimit të suksesshëm të situatës pas reshjeve të shumta, njoftojmë se nesër rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. Falë angazhimit të ekipeve në terren dhe masave të marra, është siguruar ambient i sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor. Urojmë nxënësve një rikthim të mbarë në shkollë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Ndryshe, për shkak të vërshimeve, Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi të ndarë, shtyu për dy ditë, përkatësisht për 14 janar nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës.

Ndërkaq, drejtoria e Arsimit në Fushë-Kosovë tha se ka vendosur që ta shtyjë rinisjen e mësimit deri më 19 janar.

Ministria e Arsimit veçse ka shtyrë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë për 12 janar, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet./Telegrafi/



Pesë minatorë u bllokuan nën tokë për nëntë orë

11 January 2026 at 17:43


Pesë pompistë kujdestarë të Ndërmarrjes “Trepça” kanë mbetur për disa orë brenda minierës si pasojë e problemeve teknike me furnizimin me energji elektrike.

Kryesindikalisti i Trepçës, Ibrahim Jonuzi, ka konfirmuar për KosovaPress se punëtorët kanë qëndruar rreth 8–9 orë në vendet e tyre të punës, deri në stabilizimin e situatës.

“Janë pesë pompistë kujdestarë, të cilët kanë mbetur në vendet e tyre të punës në minierë për shkak të problemeve teknike me energjinë elektrike. Ata kanë qëndruar rreth 8–9 orë”, ka deklaruar Jonuzi.

Ai ka bërë të ditur se të gjithë pompistët kanë dalë nga miniera pa asnjë incident dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre. Sipas Jonuzit, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe nuk raportohet për asnjë pasojë.

Ferid Agani: E vlerësoj bashkëpunimin me LDK-në, rezultati zgjedhor nuk e zbeh atë

11 January 2026 at 17:37


Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, që garoi në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se rezultati i dobët nuk e zbeh “vlerën dhe bashkëpunimin politik” me partinë më të vjetër në vend.

“Pas përfundimit të procesit zgjedhor, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim institucional dhe politik për bashkëpunimin parazgjedhor ndërmjet Partisë së Drejtësisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pavarësisht faktit se ky bashkëpunim nuk rezultoi me përfaqësim të drejtpërdrejtë parlamentar për Partinë e Drejtësisë në këtë përbërje të Kuvendit, e konsideroj të rëndësishme të theksoj se fushata u zhvillua në frymë korrektësie, respekti reciprok dhe partneriteti të sinqertë politik”, tha ai një deklaratë.

“Rezultati zgjedhor, përfshirë edhe faktin që personalisht nuk arrita të siguroj mandat deputeti, pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme qytetare, nuk e zbeh vlerën e bashkëpunimit politik dhe as përgjegjësinë tonë për të kontribuar në stabilitetin institucional dhe proceset e ardhshme shtetformuese”, shtoi ai.

Agani tha se “Partia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të saj programore dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit politik e partiak me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në funksion të interesit publik, konsolidimit demokratik dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Në periudhën që vjen, vendi ynë përballet me vendime të rëndësishme politike dhe institucionale. Në këto rrethana, nevojitet maturi, dialog dhe bashkëpunim ndërpartiak – parime të cilat Partia e Drejtësisë do të vazhdojë t’i mbrojë dhe t’i promovojë. Falënderoj të gjithë votuesit që na mbështetën, strukturat e PD-së për angazhimin e tyre, si dhe partnerët tanë politikë në Lidhjen Demokratike të Kosovës për korrektësinë dhe bashkëpunimin gjatë gjithë këtij procesi”.

Banorët nisën të hapnin rrugën e bllokuar, policia vendos shiritin e sigurisë

11 January 2026 at 17:12


Policia e Vlorës ka vendosur shiritin e sigurisë në të dy krahët e rrugës Matogjin-Bashaj.

Vendimi vjen pas ndërhyrjes së banorëve, të cilët gjatë ditës së sotme tentuan të hapnin vetë rrugën në Bashaj dhe Matogjin.

Sipas Policisë, ky veprim është tejet i rrezikshëm për shkak të rënies së sipërfaqes malore dhe rrezikut të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e dheut. Për këtë arsye, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë duke bllokuar zonën dhe kanë këshilluar banorët të mos kryejnë asnjë veprim tjetër që mund të vërë në rrezik jetën e tyre apo të personave të tjerë, shkruan A2 CNN.

Policia apelon për respektimin e masave të sigurisë deri në stabilizimin e situatës.

Bekim Haxhiu ankohet në PZAP për votat me postë

11 January 2026 at 17:01


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kontestuar votat me kusht dhe votat me postë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Haxhiu, i cili nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se ankesa e tij lidhet me shkelje serioze të integritetit të procesit zgjedhor, konkretisht me pranimin dhe numërimin e fletëvotimeve me postë pas afatit ligjor.

Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se ligji parashikon qartë se fletëvotimet me postë pranohen vetëm deri më 29 dhjetor 2025, në orën 16:00, ndërsa sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota që kanë mbërritur pas këtij afati.

Haxhiu ka vlerësuar se kjo nuk është çështje teknike, por shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit, duke theksuar se asnjë vendim administrativ nuk mund të ndryshojë afatet ligjore.

Ai ka shtuar se pranimi i votave jashtë afatit ka ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, duke deformuar rezultatin zgjedhor.

“Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë. Pa ligj, nuk ka zgjedhje të ndershme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Shoferi ndëshkohet për drift të rrezikshëm në rrethrrotullim në Prishtinë

11 January 2026 at 16:46


Patrullat e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Prishtinë kanë ndëshkuar një shofer për shkelje të rënda në komunikacion.

Shoferi ka kryer veprime të rrezikshme me veturën e tij në një nga rrethrrotullimet e kryeqytetit, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik (drift).

“Shoferi në fjalë është hasur duke kryer manovra të rrezikshme me veturë, veprime këto që kanë rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Pas identifikimit të tij, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe ndaj shoferit është shqiptuar gjoba për kundërvajtje në komunikacion, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet e rregullta dhe të intensifikuara me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, ndërsa ka ftuar qytetarët për bashkëpunim dhe respektim të rregullave të trafikut./Telegrafi/


Komuna e Fushë Kosovës merr vendim për shtyrjen e mësimit

11 January 2026 at 16:36


Drejtoria Komunale për Arsim në Fushë Kosovë ka njoftuar se fillimi i gjysmë-vjetorit të dytë në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në këtë komunë është shtyrë për një javë.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë duke u bazuar në gjendjen aktuale në territorin e Komunës së Fushë Kosovës, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme, të cilat kanë shkaktuar vërshime në shumë lagje dhe fshatra. Po ashtu, janë marrë parasysh vështirësitë serioze në sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore, si dhe temperaturat e ulëta.

Autoritetet komunale kanë vlerësuar se nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit mësimor, andaj është vendosur që gjysmë-vjetori i dytë të nisë më 19 janar, në të gjitha shkollat e Komunës së Fushë Kosovës.

Ky vendim është marrë me qëllim të garantimit të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të siguruar mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor.

Drejtoria Komunale për Arsim ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve arsimore që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit lidhur me këtë vendim, ndërsa për çdo informatë shtesë publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare.

Trafik i rënduar drejt Prishtinës, bllokim nga Parku i Biznesit deri në Sllatinë

11 January 2026 at 18:14


Kolona të gjata automjetesh janë krijuar sot në rrugën Pejë–Prishtinë, duke shkaktuar ngarkesë të madhe në qarkullim dhe vonesa për drejtuesit e mjeteve.

Sipas disa fotove të dërguara nga lexues të Telegrafit, fluksi i automjeteve është rritur dukshëm në segmentin nga Parku i Biznesit deri në Sllatinë, ku vërehet ngadalësim i theksuar i lëvizjes.

Ngarkesa më e madhe raportohet në afërsi të kyçjes në autostradë për Veternik, ku automjetet lëvizin me ritëm të ngadaltë dhe herë pas here ndalen plotësisht.

Shoferët shprehen se pritjet kanë zgjatur deri tre orë, ndërsa në terren vërehet qarkullim i dendur sidomos në drejtim të Prishtinës.

Ende nuk dihet saktësisht shkaku i krijimit të kolonave, ndërsa qytetarët këshillohen të përdorin rrugë alternative nëse kanë mundësi dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, sidomos pranë kyçjeve dhe daljeve të autostradës.

Aksident trafiku në Prishtinë, dy persona të lënduar

10 January 2026 at 23:55


Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë për Kryeqytetin, Enis Pllana, bëri të ditur se në aksident janë përfshirë një automjet dhe dy këmbësorë.

Si pasojë, dy personat e lënduar kanë pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë, me rastin po merret Njësia e Trafikut të Kryeqytetit, e cila është duke zhvilluar hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Yesterday — 10 January 2026Main stream

Abdixhiku: Mercenarët u lajmëruan vetë, s'lejojmë sulmet e paguara të depërtojnë në LDK

10 January 2026 at 22:49


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai i cilëson si sulme të paguara dhe ndikime të jashtme ndaj partisë që ai drejton, duke theksuar se LDK-ja nuk do të lejojë shtrirjen e një “botëkuptimi të bazuar në krim, frikë dhe shitblerje”.

Në një postim publik, Abdixhiku ka deklaruar se sulmuesit, pa u përmendur drejtpërdrejt, janë “vetëlajmëruar”, duke treguar sipas tij mënyrën se si mendojnë dhe veprojnë. Ai ka theksuar se ky mentalitet nuk përfaqëson vlerat e LDK-së dhe nuk do të lejohet as si fjalë, as si mendim, e as si ndikim brenda partisë.

“Unë besoj në politikë që s’blihet, në fjalë që s’paguhen dhe në njerëz që nuk shiten. Anëtarësia e LDK-së nuk shitet dhe nuk blihet, dhe kjo është ajo që na dallon”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se do ta mbrojë partinë dhe secilin anëtar të saj nga sulmet e paguara nga jashtë, edhe nëse mbetet i vetëm në këtë qëndrim.

Ai ka theksuar se LDK-ja do të vazhdojë rrugën e saj përpara, pavarësisht, siç u shpreh, “ulërimave” dhe presioneve të jashtme, duke nënvizuar se zhurma mund të paguhet, por e vërteta jo.

“E vërteta fiton gjithmonë”, ka përfunduar kryetari i LDK-së./Telegrafi/


Strategji ka por dhuna në familje vazhdon, pse po dështon parandalimi në Kosovë?

10 January 2026 at 22:43


Dhuna në familje vazhdoi të mbetet një problem shqetësues në Kosovë gjatë vitit 2025, me raste të shumta të raportuara çdo ditë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga muaji janar deri në tetor janë evidentuar mbi 2 mijë e 400 raste të dhunës në familje, ku pjesa më e madhe e viktimave janë gra.

Edhe pse janë ndërmarrë masa ligjore, duke hartuar strategji shtetërore, ku edhe funksionon monitorimi elektronik i urdhrave mbrojtës, institucionet dhe shoqëria civile vlerësojnë se duhet më shumë angazhim për parandalimin e dhunës, rritjen e sigurisë për viktimat dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë 10 muajve të vitit 2025 janë raportuar 2 mijë e 429 raste të dhunës në familje, me gjithsej 2 mijë e 424 viktima, prej të cilave 1 mijë e 897 ishin gra dhe 527 meshkuj. Gjatë kësaj periudhe ndodhën dy vrasje si pasojë e dhunës në familje, ku viktimat ishin një grua dhe dy meshkuj.

Po ashtu, Policia njofton se nga fillimi i vitit 2025, kur nisi edhe zbatimi i sistemit të monitorimit elektronik, janë vendosur gjithsej 66 hallka elektronike për mbikëqyrjen e urdhrave mbrojtës.

“Deri më tani janë vendosur gjithsej 66 hallka elektronike, ndërsa aktualisht janë monitorim 37 urdhra mbrojtës”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, thekson se numri i rasteve të dhunës në familje mbetet shqetësues dhe kërkon trajtim të veçantë.

Ai thotë për KosovaPress, se ndonëse Kosova ka strategji kombëtare për parandalimin e dhunës, efektiviteti i saj nuk ka qenë i mjaftueshëm, ndërsa problemi kryesor qëndron te vetëdija e popullatës dhe edukimi i hershëm i gjeneratave të reja.

“Shqetësues mbete numri i madh i rasteve të dhunës në familje ajo q konsiderohet si prezencë e dhunës në familje në familjet tona natyrisht do trajtim të veçantë. Kemi strategji kombëtare për parandalimin e dhunës në familje, por sa duket nuk arritur të jap efektin e mjaftueshëm...Problematika qëndron tek ngritja e vetëdijes së përgjighshme të popullatës duhet më bë më shumë qysh në edukimin e hershëm të gjeneratave të reja....Fatmirësisht ka pas rënie të rasteve me fatalitet këtë vit, kanë disa që vërtet kanë qenë tepër shqetësuese kur i kemi 2-3 raste të vrasjeve brenda një viti, po besoj se kjo është e rezultati punës së mirë që po e bëjnë edhe segmentet e shoqërisë...megjithatë nga statistikat që ne kemi pranuar, vërehet që vazhdon të jetë një numër shumë i madh i rasteve të dhunës në familje kjo përderisa e ka anën e vetë të mirë se është ngritur vetëdija për t’i raportuar rastet, është rritur besimi tek institucionet, është shenj shumë shqetësuese sepse ne nuk kemi arritur me bë mjaftueshëm që me parandaluar këtë dukuri”, thotë Qelaj.

Ndërkaq, këshilltarja politike në ministrinë e Drejtësisë, Vlora Limani-Hajnuni beson se strategjia për parandalimin e dhunës në familje është zbatuar në masë të madhe.

Megjithatë, ajo pranon se ekzistojnë mangësi në implementim, veçanërisht në Qendrat për Punë Sociale, ku kapaciteti njerëzor është më i ulët se sa duhet.

“Unë mendoj që strategjia është hartuar dhe ka qenë e drejtë koha kur është hartuar dhe parametrat tanë thonë që strategjia është zbatuar në një masë shumë të madhe. Natyrisht ka defekte aty-këtu në kuptimin e implementimit të kësaj strategjie, në veçanti në Qendrat për Punë Sociale atje ku kapaciteti i tyre human është më i vogël sesa që do të duhej të ishte. Por kjo është çështje e cila iu takon komunave, sepse Qendrat për Punë Sociale janë institucione të komunave... Unë mendoj që ka arritje të dukshme, natyrisht nuk janë të mjaftueshme si me thënë, por janë arritje të dukshme të cilat edhe e kanë sensibilizuar opinionin, por edhe e kanë sensibilizuar edhe vetë viktimën në këtë rast, sepse ka pasur plot viktima që ndoshta edhe nuk e kanë raportuar, kanë jetuar në dhunë por nuk e kanë raportuar”, deklaroi Hamiti.

E Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës thekson se dhuna në familje është shumë më e përhapur sesa tregojnë shifrat zyrtare.

Ajo kritikon dështimet e zinxhirit institucional, nga policia deri te gjykatat, duke theksuar mungesën e vlerësimit të rrezikut, mbledhjen e pamjaftueshme të provave dhe dënimet e lehta ndaj dhunuesve.

“Puna jonë në terren tregon që rastet e dhunës janë shumë më të larta sesa ato që raportohen. Përveç kësaj puna jonë me rastet e dhunës në familje na tregon që kur një viktimë vendos me raportua dhunën ajo ka qenë duke jetuar për vite të tëra në ambiente abuzive. Asnjëherë nuk mund të merren të sakta rastet e raportuar sepse ka raste të dhunës edhe më shumë.... Është zinxhir i tërë i hallkës institucionale që dështon në trajtim të rasteve të dhunës në baza gjinore specifikisht në rastet e dhunës në familjes duke filluar prej policisë e duke mbaruar në gjykata. Vlen të përmendet që policia dështon ende me bë vlerësim të rrezikut përveç kësaj prokuroria dështon me mbledh provat relevante për të dënuar dhunën në familje. Padyshim që edhe gjykatat vendosin dënime minimale në rastet e dhunës në familje. Kemi shumë raste që janë dënuar vetëm me gjobë apo janë liruar me kusht”, tha ajo.

Sociologu Genc Xërxa vlerëson se dhuna ndaj grave mbetet një problem serioz shoqëror, i ndikuar nga mentaliteti patriarkal, pabarazia gjinore dhe dominimi ekonomik i burrave.

"Kohëve të fundit ka një ekspansion apo një rritje, bëhet për arsye të ndryshme. Njëra mundet me qenë biologjike, duke ditur që gruaja është më e brishtë, më e dobët, ana burri apo ana maskuline e përdor forcën për ta dominuar, zotëruar, sidomos në qoftë se kemi në këto rrethana apo kontekstin tonë kulturor patriarkal, atëherë kjo në njëfarë forme justifikohet nga konditat, zakonet e prapambetura të kohëve të vjetra të cilat nuk përkojnë me realitetin e sotëm dhe kështu kemi një përplasje të sistemit të vlerave ku gruaja dëshiron që të jetë vendimmarrëse në shtëpi, pastaj gjithashtu duhet të jetë edhe në publik, të jetë e barabartë brenda familjes, gjithashtu të jetë e barabartë në hapësirat publike, sidomos në vendimmarrje edhe në punësim, që të pohohet, edukohet, të arsimohet edhe të jetë e barabartë si pjesëtare e shoqërisë, si pjesë e vlefshme e shoqërisë. Në qoftë se këto të gjitha mungojnë edhe mbizotëron bota e burrave, atëherë ne kemi problematika të tjera të jo barazisë, ku burri me gjithë dominancën e vet ekonomike, në pamundësi të pavarësisë ekonomike të gruas mund ta disponojë, t’u ushtrojë pastaj presione të ndryshme psikologjik, e të cilat ndeshur me raste nga problematikat e ndryshme familjare, socio-ekonomike mund të shfaqet edhe në dhunë", deklaroi Xërxa.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë periudhës janar–nëntor 2025, nga lëmia penale për dhunë në familje, ndihmë juridike falas kanë përfituar gjithsej 59 qytetarë, prej të cilëve 40 ishin gra dhe 19 burra, ndërsa për këto raste janë ndërmarrë 60 veprime juridike.

Ndërkohë, nga lëmia civile, në rastet e dhunës në familje, ndihmë juridike falas kanë përfituar 121 qytetarë, prej tyre 101 gra dhe 20 burra, për të cilët janë realizuar 202 veprime juridike.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2024 janë raportuar 2 mijë e 959 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2023 ishin raportuar 2 mijë 639 raste.

26 vjet pritje dhe dhimbje, familjet e të pagjeturve ende pa përgjigje për fatin e më të dashurve

10 January 2026 at 22:35


Që prej 26 vitesh, Vera Hoti nga Krusha e Madhe zgjohet dhe fle me të njëjtën dhimbje, pa asnjë lajm për fatin e vëllait të saj, bashkë me dy djemtë e axhës të cilën janë të zhdukur që nga lufta. Koha ka kaluar, por pritja nuk ka mbaruar kurrë. E njëjta plagë e hapur jeton edhe në zemrat e më shumë se 1 mijë 570 familjeve, që ende presin një përgjigje, një shenjë, një të vërtetë.

Familjarët, shoqatat dhe njohësit e çështjes konsiderojnë se viti 2025 nuk solli lajme apo zhvillime pozitive për të pagjeturit. Mosrespektimi i Deklaratës së Përbashkët dhe vonesat në dialogun Kosovë-Serbi shihen si pengesë kryesore për përparim në zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Vera Hoti në një rrëfim për KosovaPress thotë se dhimbja për vëllain është e madhe dhe e vazhdueshme. E derisa familjarët jetojnë me ankth, duke pritur lajme për të afërmit e tyre, ajo kërkon nga institucionet dhe faktori ndërkombëtar të ushtrojnë trysni mbi shtetin serb për të treguar të vërtetën.

Hoti thotë se shteti serb po i persekuton emocionalisht familjet kosovare që ua mori më të dashurit e tyre.

“E drejtë elementare është të marrim informacionin për familjarët tanë, eshtrat e tyre të vendosen në vendlindje, por ne si familjarë ende vazhdojmë të persekutohemi emocionalisht, psikologjikisht nga shteti i cili i ka kryer këto krime dhe adresa dihet shteti serb... Dhimbja është shumë e madhe edhe çdo familjar, çdo nënë, çdo grua, çdo fëmijë që ka humbur prindin vazhdon me këtë vuajtje dhe këtë ankth që pret ndonjë lajm për të ditur ku janë njerëzit tanë... Kërkoj nga institucionet tona që të kërkojnë nga faktori ndërkombëtarë për t’i bërë trysni shtetit serb që të tregojë për njerëzit tanë se ku janë dhe të dimë për fatin e tyre”, shprehet ajo.

Vera Hoti deklaron se pas 26 vjetësh shteti nuk ka zbardhur fatin e të dashurve të saj, dhe kjo e lëndon shumë. Por, ajo shton se shpresa nuk i ka vdekur dhe do të vazhdojnë të presin lajme për vëllain dhe kushërinjtë e saj.

Kjo motër shpreson shumë se një ditë do ta di varrin e vëllait të saj.

“Të gjithë së bashku duhet të jemi të qëndrueshëm dhe të kemi vëmendjen e plotë ndaj kësaj çështjeje kaq të dhimbshme që Serbisë t’i bëjmë trysni të vazhdueshme për t’i marr informacionin. Nuk jemi të kënaqur përfundimisht me rezultatin sepse janë bërë 26 vjet, por meqë e dimë se kush është faktori që e mban peng këtë çështje atëherë neve vetëm na mbetet të mos dorëzohemi... Ne po vazhdojmë me këtë dhimbje, shpresa nuk vdes kurrë. Shpresojmë se një ditë do të marrim informacione dhe do të dimë së paku varret e tyre ku janë”, thotë ajo.

Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thonë se përkundër angazhimit të tyre çështja e personave të zhdukur vazhdon të mbetet plagë e hapur për shumë familje kosovare.

Kushtrim Gara nga ky Komision thekson se gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar gërmime në 32 lokacione dhe janë gjetur 24 mbetje mortore.

Sipas tij, sfiduese mbete mungesa e informacioneve dhe qasja politizuese e shtetit serb karshi të të pagjeturve.

“Janë diku më shumë se 30 lokacione të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues brenda territorit të Republikës së Kosovës. Sigurisht që jo të gjitha kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore për shkak se kemi thënë gjithmonë se sfidë në këtë proces vazhdon të mbetet mungesa e informacioneve të besueshme, më saktësisht mungesa e informacioneve që do të duhej të vinin nga arkivat institucionale të Serbisë. Pra rrjedhimisht sfida vazhdon të mbetet qasja politizuese e Serbisë kundrejt kësaj problematike”, thotë ai.

Gjatë vitit të kaluar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur janë pranuar edhe 50 raporte të ADN-së.

“Po ashtu ka një dinamikë në kuptim edhe të identifikimeve të reja ose raporteve të ADN-së që kemi pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Janë më shumë se 50 raporte që kryetari i komisionit zoti Hoti i ka pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Jo të gjitha raportet në këtë rast flasin për identifikime të reja. Identifikimet e reja pra po flasim për viktima që kanë qenë në listën e personave të zhdukur, apo dhe raste të cilat i trajtojmë bashkë me mjekësinë ligjore si raste të viktimave të cilat adresohen në kuadër të procesit të konfirmimit të identitetit. Po flasim diku për 26 identifikime të tilla, pra identifikime të reja edhe diku më shumë se 20 apo 21 ribashkime, pra pjesë kockore që në bazë të ADN-së është konfirmuar pastaj që i përkasin viktimave që janë identifikuar gjatë viteve të paraprake”, thekson Gara.

Se çështja e personave të pagjetur nuk pas ndonjë zhvillim pozitiv e thotë edhe drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj.

Sipas tij problemi kryesor në prolongimin e çështjes së të zhdukurve është mos zbatimi i Deklaratës së Përbashkët si ngecja në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk ka pas ndonjë zhvillim pozitiv gjatë vitit 2025 edhe pse autoritetet kanë bërë maksimumin përfshirë edhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur edhe institucionet tjera. Mirëpo, fakti është se nuk ka pas gjetje në masë numrat të mëdhenj të mbetjeve mortore apo lokalizim të varrezave masive apo individuale dhe kjo është si pasojë e informacionit dhe si pasojë e mos zbatimit të marrëveshjes të Deklaratës së Përbashkët të kryeministrit, Kurti dhe presidentit, Vuçiq për çështjen e personave të zhdukur... Problem tjetër është mos mbajtja e takimeve dhe këtu mendoj që Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në dialog kishte mundur me bë më shumë, tek e fundit edhe marrëveshja ka paraparë që ndërmjetësuese BE në rast se e vëren se njëra palë apo të dyja palët nuk po e zbatojnë marrëveshjen atëherë mundem me ndërmarrë veprime ndëshkuese, sanksione të ndryshme, por ne nuk kemi parë diçka të tillë nga BE”, tha ai.

Edhe kryetari i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit, Ahmet Grajqevci, e sheh vitin 2025, ashtu si çdo vit tjetër, pa përparim të dukshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Edhe ky vit nuk dallon prej viteve të tjera paraprake, sepse në këtë vit ka pas pak më shumë hulumtime 28 vende janë hulumtuar në brendësi të Kosovës, ndërsa 1 në Kozhle të Serbisë edhe është hulumtuar në shtator si lojërat serbe që di t’i bëjë ajo e kanë ndërprerë në nëntor dhe kështu politikisht shtyhet këto procese jashtë Kosovës. Sa i përket brenda Kosovës janë hulumtuar ka gjetje mortore por presim analizën a ADN-së që do të dal...Familjarët asnjëherë nuk mund të jenë të kënaqur derisa nuk e gjejnë familjarin e vetë. është bërë pak punë, por jo sa duhet”, thekson Grajqevci.

Përveç në Kosova gjatë vitit që e lamë pas gërmime nisën edhe në Kozhle të Serbisë por më pas ato u ndërpren.

Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), 1,591 persona nga lufta në Kosovë ende figurojnë si të zhdukur, nga gjithsej 6,063 të raportuar fillimisht.

Autoblindat ushtarake “Shota” pritet të prodhohen edhe në Kosovë

10 January 2026 at 21:42


Autoblindat ushtarake të prodhimit shqiptar “Shota”, tani do të prodhohen edhe në Kosovë. Njohësit e sigurisë thonë se kjo marrëveshje është në kuadër të plotësimit të normave për t’u anëtarësuar Kosova në Aleancën Veriatlantike, NATO.

Përveç në Shqipëri, tashmë autoblinda ushtarake “SHOTA” do të prodhohet edhe në Kosovë.

Kjo pajisje ushtarake do t’i shtohet stokut të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas marrëveshjes së darkorduar mes ministrave të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Pirro Vengu.

Këtë e konfirmoi për Tëvë1, zëdhënësja e Ministrisë në detyrë të Mbrojtjes, Liridona Gashi.

“Konfirmojmë se autoblinda ushtarake ‘Shota’ e dizajnuar në Shqipëri do të prodhohet edhe në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit në industri të mbrojtjes të arritur përmes marrëveshjes trelatare ndërmjet Kosovës-Shqipërisë dhe Kroacisë që u nënshkrua në mars të vitit 2025. Sa i përket fillimit të prodhimit, ende jemi në fazën e aspektit logjistik të implementimit të kësaj marrëveshje, megjithatë lajm i rëndësishëm është fakti që kemi dakordim me Shqipërinë që të fillojë prodhimi dhe në Kosovë”, deklaroi ajo.

Këtë marrëveshje e sheh të dobishme ish-deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli.

“Marrëveshjet e bashkëpunimit me Shqipërinë janë shumë të dobishme, shumë të nevojshme sepse përveç që është shtet amë, që jemi një popull një komb, është edhe shtet anëtar i NATO-s dhe përvojat e tyre janë shumë të nevojshme dhe shumë të dobishme për Republikën e Kosovës… Ne pretendojmë që të jemi edhe anëtarë të NATO-s në një afat sa më të shpejt, dhe këto elemente janë një plus i madh”, deklaroi ai.

E njëjtë mendojnë edhe ekspertë të sigurisë.

Njohësi i kësaj fushe, Fatjon Softa nënvizoi se kjo bëhet edhe për të parandaluar çdo tentativë të Serbisë për destabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Në krijimin e një bashkëpunimi për një mbrojtje edhe kolektive në rast të ndonjë situate të mundshme që mund të agravoj në vendin Ballkanik. Dhe kjo shërben më parë, Mbrojtja është alternimi i doktrinave dhe i aleancës në kuadër të NATO-s për të përgatitur edhe Kosovën që në një moment të dytë të anëtarësohet jo vetëm për dëshirën e saj por edhe qenien e saj, që të jetë pjesë e Aleancës Euroatlantike”.

Autoblinda ushtarake ‘’Shota’’, e projektuar si mjet MRAP (Mine Resistant Ambush Protected), ofron kapacitet transport 2 anëtarë ekuipazhi + deri në 8 ushtarë, blindim balistik BR7, rezistent ndaj municioneve 7.62mm.

Është i projektuar për mbrojtje të lartë ndaj minave dhe ndaj shpërthimeve deri në 6kg TNT nën mjet.

Gjithashtu është i përshtatshëm për terrene të vështira, ka ulëse anti-shpërthim, xhama balisitkë dhe sistem modern sigurie.

Rriten nivelet e lumenjve në Shqipëri, përmbytje tokash e rrëshqitje dherash

10 January 2026 at 21:35


Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar problematika serioze në disa qarqe të Shqipërisë, duke përfshirë rritje të prurjeve në lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Situata konsiderohet më e rëndë në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera problematikat janë më të kufizuara ose situata është e qëndrueshme.

Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, duke evidentuar pikat me risk dhe duke marrë masa paraprake për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.

Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Vijon puna për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie përgjithësisht në tokat bujqësore. Forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve, ku është evidentuar mungesë energjie elektrike. Niveli i lumit Drin vijon të jetë në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.

qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore, ku janë shënuar rrëshqitje dherash, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte.

qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.

Në terren janë të angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente, sipas nevojave të autoriteteve vendore./RTSH

❌
❌