Policia e Kosovës ka njoftuar se, bazuar në informacione zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në këtë shtet ka filluar monitorimi i komunikacionit rrugor me kamera inteligjente.
Sistemi përdor pajisje teknike dhe kamera të avancuara që evidentojnë automatikisht shkeljet e rregullave të trafikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato të Kosovës, në rast të shkeljeve të konstatuara, pronari i automjetit njoftohet gjatë hyrjes dhe daljes nga vendi.
Në fazën e parë, monitorimi do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorëve 8 dhe 10. Shkeljet që do të regjistrohen përfshijnë: tejkalim të shpejtësisë, kalim në semafor të kuq, ndalim dhe parkim të parregullt, si dhe qarkullim me automjete të paregjistruara.
Policia njofton se qytetarët e huaj kanë të drejtën të përfitojnë zbritjen 50% të gjobës brenda tetë ditësh nga data e konstatuar. Në rast mospagesë ose mosmarrëveshjeje mbi shkeljen, do të iniciohet procedurë kundërvajtëse përpara gjykatës kompetente.
Ky njoftim u drejtohet qytetarëve si një paralajmërim për kujdes dhe respektim të rregullave të komunikacionit gjatë udhëtimeve dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut.
Njohësi i çështjeve politike, Korab Blakaj, vlerëson se e ashtuquajtura luftë hibride e Rusisë përbën një nga kërcënimet më serioze të sigurisë për Evropën, duke u intensifikuar ndjeshëm pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Sipas tij, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shërbimet sekrete perëndimore kanë akuzuar gjithnjë e më shpesh Moskën për përdorimin e metodave hibride, të cilat nuk janë të reja, por po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara.
Ai përmend një sërë incidentesh të fundit në Evropë – nga rrëzimi i një avioni mallrash të DHL-së në Lituani, dëmtimi i kabllove nëndetare në Detin Baltik, deri te rritja e ndikimit të aktorëve ekstremistë pro-rusë në disa shtete – si raste që kanë ngritur dyshime serioze për përfshirjen e Rusisë.
Blakaj shpjegon se lufta hibride nënkupton zgjerimin e veprimeve ushtarake përmes spiunazhit, sabotazhit, sulmeve kibernetike, ndërhyrjes në zgjedhje, propagandës dhe fushatave të dezinformimit, me synim dobësimin e shteteve kundërshtare nga brenda. Sipas tij, Rusia ka zgjeruar vazhdimisht arsenalin e këtyre mjeteve gjatë viteve të fundit.
Ai thekson se spiunazhi nën mbulesën diplomatike mbetet një nga format kryesore të veprimit rus.
"Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shtetet evropiane kanë dëbuar qindra diplomatë rusë, të cilët shërbimet perëndimore i kanë identifikuar si agjentë të inteligjencës. Paralelisht, janë shtuar raportet për dronë të dyshimtë mbi baza ushtarake, përgjime komunikimesh dhe aktivitet të anijeve ruse pranë infrastrukturës kritike nënujore".
Në këtë kontekst, Blakaj përmend edhe rritjen e akteve të sabotazhit dhe zjarrvënieve në Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, si dhe përkeqësimin e situatës së sigurisë kibernetike.
"Sulmet DDoS dhe përpjekjet për depërtim në rrjetet e institucioneve dhe kompanive janë bërë më të shpeshta, ndërsa spiunazhi dhe sabotazhi po zhvendosen gjithnjë e më shumë në hapësirën online. Një tjetër shtyllë e luftës hibride, sipas Blakajt, është lufta për “zemrat dhe mendjet”, përmes dezinformimit dhe propagandës", shton tutje.
Tutje rikujton se në fillim të vitit 2024 autoritetet gjermane zbuluan një fushatë masive me dhjetëra mijëra llogari të rreme, të cilat shpërndanin narrativa pro-ruse dhe synonin të minonin mbështetjen për Ukrainën dhe të forconin partitë ekstreme në Evropë.
Blakaj thekson se ndërhyrja në zgjedhje dhe publikimi i dokumenteve të vjedhura pak para proceseve elektorale, si dhe atentatet ndaj kundërshtarëve politikë jashtë Rusisë, janë gjithashtu pjesë e këtij spektri të gjerë veprimesh hibride, akuza që Kremlini i mohon.
Duke iu referuar edhe vlerësimeve të ekspertëve ushtarakë perëndimorë, ai nënvizon se Rusia i përshtat taktikat e saj sipas secilit shtet, çka e bën të domosdoshëm një reagim fleksibël, të koordinuar dhe gjithëpërfshirës nga vendet evropiane për t’u përballur me këtë kërcënim kompleks dhe afatgjatë./Telegrafi.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A5 është ndalur nga operimi sonte më 02.02.2026 rreth orës 20:25.
KEK ka njoftuar se kjo është si pasojë e një rrjedhjeje të evidentuar në ekranet (sistemi gypor), në kuotën 10–15 metra.
“Ndalja e njësisë është realizuar në përputhje të plotë me standardet teknike dhe operative të sigurisë, me qëllim të parandalimit të çfarëdo defekti potencial me përmasa më të mëdha dhe për të mundësuar kryerjen e sanimeve të nevojshme teknike”- ka njoftuar KEK.
Ndërsa thuhet se aktualisht KEK vazhdon operimin sipas planit dhe Bilancit të Energjisë Elektrike, me katër njësi prodhuese në operim: A3, A4, B1 dhe B2.
“Për qartësi dhe transparencë ndaj opinionit publik, theksohet se në kushte të zakonshme operimi KEK funksionon me katër njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave me temperatura të ulëta është angazhuar maksimalisht për të vënë në operim edhe njësinë e pestë. Si rezultat i këtij angazhimi, KEK ka arritur të operojë, për një periudhë, edhe me pesë njësi prodhuese njëkohësisht”- thuhet në njoftim.
KEK thekson se mbetet i përkushtuar ndaj operimit të sigurt, stabil dhe efikas të kapaciteteve prodhuese, duke zbatuar masa të rregullta parandaluese dhe mirëmbajtëse, me qëllim të garantimit të stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të vendit.
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka rikujtuar edhe një herë të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik se regjistrimi i aktivitetit është obligim ligjor dhe shmang pasoja serioze financiare dhe ligjore.
Në kuadër të projektit për formalizimin e ekonomisë dhe vendosjen e etiketave identifikuese për bizneset e regjistruara, ATK ka njoftuar se do të intensifikojë inspektimet në terren në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
ATK u ka bërë thirrje të gjithë personave që ende zhvillojnë aktivitet të paregjistruar që të veprojnë menjëherë dhe të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), para se të identifikohen nga inspektorët tatimorë.
Sipas ATK-së, në rast se gjatë inspektimeve identifikohen aktivitete të paregjistruara, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të ndërmerren pa përjashtim masa ndëshkuese, përfshirë regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit dhe pajisjen me numër fiskal, si dhe aplikimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore.
Administrata Tatimore thekson se regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe kontribuon në krijimin e një konkurrence të drejtë në treg. Po ashtu, ATK ka kërkuar nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, duke theksuar se mospërditësimi i informatave përbën shkelje ligjore.
ATK ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe në ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë qytetarët./Telegrafi.
Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit për pesë të pandehurit, tre shtetas të Kosovës dhe dy shtetas të Serbisë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje dhe në tentativë vjedhja e rëndë.
Në njoftim thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal, Zajrete Muhaxheri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 01.02.2026, rreth orës 01:45, në Kaçanik, në një artari, të pandehurit në bashkëkryerje dhe tentativë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër, me përdorimin e forcës dhe duke thyer kanë tentuar të depërtojnë në artari.
“Në atë mënyrë që i pandehuri B.H., kishte komunikuar vazhdimisht me telefon me të pandehurin M.M., për të kryer këtë vjedhje dhe të përgatitur me mjete shufre metalike (hebell), një palë dana, 5 çelsa të ndryshme, 3 kaçavida, një mjet i mprehtë skalper dhe doreza, ku të pandehurit M.M. dhe D.T., kanë thyer rrethojat e dritareve të hekurave duke tentuar që të futen brenda në artari, ndërsa tre të pandehurit B., R. dhe L., ishin duke qëndruar në automjetin pikap VW Caddy , pronë e L., të cilët ishin duke vëzhguar situatën, dhe shofer i kësaj veture ishte B.H., pastaj të njëjtit janë zënë në flagrancë duke tentuar të kryejnë vjedhjen dhe janë arratisur nga policia”- thuhet në njoftim.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.
Kreu i partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e mbajtur në “Foltoren” para kryeministrisë të hënën i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht në protesta deri në rrëzimin e qeverisë.
Ai u shpreh i vendosur për vijimin e protestave deri në fitore për të përmbysur atë që e quajti e “keqja më e madhe” dhe për “të rikthyer besimin te rinia shqiptare”.
“Miqtë e mi, kjo është betejë për dinjitetin tonë, kjo është betejë për dinjitetin kombëtar, kjo është betejë për t’u ngritur mbi propagandën e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve dhe të Edi Ramës dhe për t’i thënë shqiptarëve dhe botës se në këtë vend, në këtë tokë, ata që e duan Shqipërinë jemi ne, ata që i besojnë Shqipërisë jemi ne. Miq, rrugën përpara nuk e kemi të lehtë, por e kemi të qartë si rrezja e diellit".
"Misionin nuk e kemi të lehtë, por jemi më të vendosur se kurrë ta përmbushim atë. Dhe fatin tonë të kemi fatin e Shqipërisë. Shqipëria dhe fati ynë është një. A mundet ne, që ëndrrat, fatin ta provojmë në dhera të tjera? Jo, ne do të luftojmë këtu. Ne do bëjmë gjithçka të përmbysim këtë të keqe të madhe për të shndërruar pasuritë e Shqipërisë në begati për shqiptarët. Për të rikthyer ëndrrën shqiptare, shpresën, besimin tek Shqipëria të rinisë shqiptare.
Ne dalim dhe do të dalim në protesta gjer në fitore se ne i besojmë Zotit, por i besojmë edhe Shqipërisë.
I besojmë se kjo tokë është e bekuar, se ky vend ka pasuri përrallore, se Shqipëria është e bukura e dheut dhe mund të bëhet vendi i ëndrrës shqiptare”, tha mes të tjerash Berisha.
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deklaroi se “të gjithë do të flinin rehat” në rast se në krye të presidencës do të ishte Ramush Haradinaj.
Sipas Tahirit, Ramush Haradinaj është “kandidat shumë serioz, e kishëm flejtë të gjithë rehat e kishëm ditë që është në krye të asaj zyre, Ramush Haradinaj”, tha Tahiri në Frontal.
Ai shtoi se “Kosova së paku kurrë nuk do të shkonte mrapa e nuk do t’i lëndonte marrëdhëniet me aleatë dhe do ta ruante fuqishëm interesin kombëtar dhe shtetëror”, në rast se Ramush Haradinaj do të ishte president i vendit.
Gjithsesi, Tahiri tha se Kosovës i duhet një “president konsensual që do të ushtronte detyrat në mënyrën me të denjë të mundshme”.
“Ajo çka ne po bëjmë është po e shohim se si mund të bashkërëndohemi në veprimin tonë politik në Kuvendin e ardhëm të Kosovës bashkë me PDK dhe LDK duht të shihet se cili është qëndrimi i tyre sepse ka nevoje për një kandidaturë konsesnuale”, tha Tahiri.
“Këtë çështje duhet ta trajtojmë me kujdes…Duhet të shohim cila është qasja e asaj që i ka fitu zgjedhjet”, tha Tahiri sa i përket temën e presidentit të vendit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, si dhe prokurorin special, Naim Abazi, kanë nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të institucioneve amerikane.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, gjatë qëndrimit në Washington, përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Kosovës do të marrin pjesë në aktivitete zyrtare dhe do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë amerikanë.
Po ashtu thuhet se si pjesë e agjendës, ata do të marrin pjesë edhe në ceremonitë e organizuara me rastin e Lutjeve të Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një ngjarje tradicionale me karakter institucional dhe ndërkombëtar, në të cilën marrin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme të botës.
Sipas njoftimit të publikuar më 02.02.2026, në kuadër të kësaj vizite pritet të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit profesional dhe krijimin e partneriteteve ndërshtetërore, me qëllim të rritjes së efikasitetit në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave institucionale, si dhe forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Katër parti politike nga komunitetet joshumicë, si dhe kandidati për deputet nga Partia Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, kanë paraqitur ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).
Në PZAP thanë për KosovaPress, se kanë pranuar shtatë ankesa dhe se për të gjitha do të vendosin brenda afatit ligjor prej katër ditësh nga data e parashtrimit të secilës ankesë.
Lista Serbe, Nova Demokratska Stranka–NDS me dy ankesa, Koalicioni PAI–PDAK–LPB dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK, janë partitë që u ankuan lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Dy ankesa i ka parashtruar kandidati për deputet i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili thotë për KosovaPress, se PZAP duhet të refuzojë përfshirjen e mbi 23 mijë pakove me fletëvotime me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, të cilat, sipas tij, janë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Krahas kësaj, Haxhiu bëri të ditur se konteston edhe llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar të KQZ-së, i cili ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Është një mundësi e mirë që PZAP, bazuar në Ligjin për Zgjedhje, që në përfundim të procesit mund të kontestohen të gjitha ato të cilat përbëjnë shkelje esenciale të barazisë së votuesve dhe barazisë para votës… Ne kemi një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 2019 në aneksin e Nismës Socialdemokrate, ku Supremja ka vendosur në favor të saj, ku votat që kanë ardhur nga jashtë Kosovës dhe janë proceduar jashtë afatit ligjor nuk munden të futen në proces. Procesi zgjedhor, për të qenë i drejtë dhe i barabartë, votuesit duhet të votojnë në të njëjtën kohë të përcaktuar në ligj”, deklaron Haxhiu.
Ankesë në PZAP ka parashtruar edhe Lista Serbe, për shkak se KQZ-ja, më 31 janar nuk e miratoi listën e kandidatëve të Listës Serbe, të cilët kanë fituar mandatin në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në lidhje me këtë ankesë, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, thotë për KosovaPress, se ka elemente që ankesa e Listës Serbe të aprovohet nga PZAP.
Sa i përket ankesës së kandidatit për deputet të PDK-së, Bekim Haxhiu, ai deklaron se tani PZAP ka mundësi ta trajtojë në përmbajtje këtë ankesë, pasi e njëjta dy herë ishte shpallur e pasafatshme më herët.
“Besoj që ka elemente, sidomos ankesa e subjektit Lista Serbe, për t'u trajtuar nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në kuptimin e vlerësimit meritor të gjetjes së shkeljeve me rastin e vendimmarrjes nga ana e KQZ-së… PZAP-i ka mundësi që ta shqyrtojë në tërësi, në përmbajtje, ankesën e tij (kandidatit për deputet të PDK-së, Bekim Haxhiu), edhe sa i përket pranimit të atyre votave… Partitë politike dhe kandidatët kanë pasur mundësinë që, në momentin kur KQZ-ja ka vendosur mbi zgjatjen e afateve sa i përket pranueshmërisë së votimeve ose fletëvotimeve të votimit me postë, brenda asaj periudhe ta shfrytëzojnë mjetin ankimor. Sa i përket këtij elementi, mbase mund të ndodhë që paneli zgjedhor t’ia refuzojë ankesën, për faktin se në kohën kur kanë qenë afatet e ankesave mbi këto procedura nuk janë shfrytëzuar nga kandidatët apo partitë politike për t’i ankimuar me kohë këto procedura”, thekson ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 31 janar ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo erdhi pas një procesi të gjatë të numërimit dhe rinumërimit të votave, për shkak të parregullsive me votat e kandidatëve për deputetë.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ-ja do të presë afatet ankimore dhe pastaj do të bëjë certifikimin e rezultateve përfundimtare.
Rrëfime tronditëse për dhunë sistematike ndaj grave shqiptare të burgosura kanë dalë në dritë nga Burgu i Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, ku ish-gardiania Nadica Cepkenoviq akuzohet për keqtrajtime fizike dhe psikologjike.
Një nga viktimat, Zahrije Podruqa, e cila ishte dënuar me katër vjet burg në vitin 1998, ka rrëfyer përjetimet e saj gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, duke thënë se torturat e ushtruara ndaj saj i kanë mbetur të gjalla në kujtesë edhe sot.
Sipas Podruqës, ajo ishte subjekt i keqtrajtimeve të vazhdueshme për muaj të tërë, duke u përballur me dhunë fizike dhe presion të rëndë psikologjik.
Ajo ka deklaruar se ndaj saj është ushtruar dhunë në mënyrë të përsëritur dhe të organizuar.
Podruqa ka rrëfyer gjithashtu se i ishte kërkuar të shkelte fotografinë e Hashim Thaçit, gjë që ajo e kishte refuzuar kategorikisht, pavarësisht presionit dhe dhunës së ushtruar ndaj saj.
“Për çdo muaj rregullisht kam qenë e torturuar, pa ndërprerje. Vendosej magnetofoni me zë të lartë që të mos dëgjoheshin britmat. Më kanë çuar në një dhomë bodrumi dhe më kanë thënë se aty ‘i kemi gri shqiptarët’ dhe se edhe unë do të deportohesha. Më kanë detyruar të zhvishem dhe më kanë kërkuar të shkel fotografinë e Hashim Thaçit, por nuk e kam bërë”, ka rrëfyer Podruqa.
Ajo ka shtuar se, pavarësisht torturave, ka refuzuar të nënshtrohet dhe se në fund kishte kërkuar që ta vrisnin, por jo të shkelte fotografinë, të cilën e kishte marrë dhe e kishte vendosur në gjoks.
Rrëfimet e saj janë pjesë e dëshmive që po dalin në kuadër të hetimeve dhe proceseve gjyqësore lidhur me krimet serbe të kryera ndaj të burgosurave shqiptare gjatë luftës./Telegrafi.
Trafikantët nuk dërgojnë vetëm kokainë nga vendet e Amerikës Latine.
Aktualisht, në Kolumbi, policia nuk po u lexon të dyshuarve akuza për trafikim ndërkombëtar droge, por për trafikimin e dhjetëra vajzave dhe grave nga Medellín dhe Bogota, të cilat janë dërguar për t’u shfrytëzuar si punonjëse seksi në Shqipëri. Ky fakt zbulohet nga gazetarja Anila Hoxha.
Me vullnet të plotë në nisje, por pa e ditur se në çfarë “rrethi ferri” do të përfundonin, qindra vajza të reja, edhe nga vende të tjera të Amerikës Latine, ranë në rrjetën e trafikantit Lukas Betancur dhe babait të tij. Ata cilësohen si drejtues të njërit prej grupeve kriminale që përdori të gjitha format e shfrytëzimit në industrinë e seksit të detyruar.
Sipas hetimeve, gati 1 milion euro llogaritet të jenë transferuar nga viktimat e këtij rrjeti, të cilat punuan si eskorta në Shqipëri dhe ushtruan prostitucion në të gjithë territorin e vendit. Vajzat u joshën, u mashtruan dhe më pas u mbajtën në skllavërinë e shfrytëzimit të trupit, për t’u qarkulluar më pas në vende të tjera si Serbia, Kroacia dhe Spanja. Për Shqipërinë, ky fenomen po kthehet në një shqetësim serioz, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit.
Rrjeti i Betancur nuk është i vetmi. Vajza nga Venezuela, Ekuadori, Brazili, Ukraina, Kina, Afganistani, Turqia dhe Rumania regjistrohen çdo ditë në dosjet e policisë shqiptare, ku përshkruhen të dhëna tronditëse për mënyrat e shfrytëzimit.
Forma e parë e rekrutimit është joshja përmes mashtrimit, me premtime për një jetë më të mirë, ose mbajtja peng përmes një borxhi të sajuar e të pakthyeshëm. Kaq mjafton që këto vajza, të moshave nga 19 deri në 40 vjeç, herë të prezantuara si masazhatore e herë të reklamuara “me dëshirë”, të ushtrojnë prostitucion në një botë të padukshme, por njëkohësisht të ekspozuar hapur në faqe eskortash.
Një prej tyre rrëfen historinë e saj:
“Quhem Valentina. Erdhi në Shqipëri me një mikeshë, e cila ishte personi që më sugjeroi të udhëtoja. Në Kolumbi, ajo ishte praktikisht një mikeshë e shtëpisë sime, ndaj vendosa të vij me të. Nuk e dija që do vija për këtë punë dhe as që ishte e ndaluar ligjërisht. Na priste një kontakt i saj. Kisha nevojë për para dhe, mbi të gjitha, kisha besim tek mikeshja ime.”
“Kur mbërritëm këtu, trafikanti na paralajmëroi se me punën që do bënim mund të kishim probleme me ligjin dhe se duhej të bënim kujdes. Madje, ai e kërcënoi mikeshën time kur na gjeti apartamentin. Na gënjyen të dyjave. Kemi ardhur në një vend për të cilin nuk dinim asgjë.”
“Dita kur policia erdhi në apartament ishte një shok për mua. Në Kolumbi, prostitucioni është i lejuar, ndaj nuk e dija që në Shqipëri është i ndaluar. Puna ime e vërtetë në Kolumbi ishte estetika, por kam një fëmijë për të rritur dhe katër anëtarë të tjerë të familjes që jetonin vetëm me rrogën time. Minimumi jetik në Kolumbi nuk mjafton për asgjë.”
“Trafikantët më bindën se këtu bëhen para dhe erdha me synimin që, kur të kthehesha në Medellín, të hapja qendrën time estetike. Qëndrova katër muaj në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe nuk munda të paguaja as qiranë e familjes sime atje, sepse paratë nuk i shihja as kur paguheshin, as kur i merrnin. Në gjithë këtë histori jam viktimë, sepse në Shqipëri prostitucioni qenka krim; tani kemi probleme me drejtësinë dhe shefi është në burg.”
Historia e 23-vjeçares është e njëjtë me atë të shumë vajzave të tjera të arrestuara në të paktën 75 operacione policore brenda një viti në Shqipëri.
Shumë prej tyre, në momentin që marrin avionin nga vendlindja, e dinë se në këmbim të parave do të punojnë si punonjëse seksi. Ato prezantohen si “eksperte”, të paguara me orë ose ditë. Pa emrin e tyre real dhe me identitete të rreme, vajzat shfaqen në platformat dixhitale, duke u ofruar në vitrinat virtuale të eskortës, raporton TCH.
Në dosjen voluminoze të Jeffrey Epstein, e cila përfshin mbi 3 milionë faqe dhe është bërë publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, shfaqet edhe emri i një vajze nga Tirana, e cila rezulton të ketë aplikuar për një pozicion pune si asistente personale.
Sipas dokumenteve zyrtare, email-i i vajzës me Egerta Terziu, është dërguar në mars të vitit 2017.
Fillimisht, ajo ka kontaktuar një ndërmjetës, emri i të cilit është i redaktuar në dosje, duke i dërguar CV-në dhe duke shprehur interes për vendin e punës.
“Nuk jam me bazë në Shtetet e Bashkuara. A është kjo problem?”, shkruan ajo në email, duke iu referuar një oferte pune që, sipas saj, i ishte komunikuar përmes Evan Luthra-s.
Përgjigjja që ajo merr është se vendndodhja nuk përbën pengesë, ndërsa i kërkohet të dërgojë tre fotografi personale të cilësisë së mirë, si dhe CV-në e saj.
Pas dërgimit të materialeve, ndërmjetësi i përcjell informacionin Jeffrey Epstein-it, duke e përshkruar vajzën si 21–22 vjeçe.
Në komunikimin e mëtejshëm me Epstein-in, ndërmjetësi shprehet se vajza jeton në Paris, ndonëse në CV-në e dorëzuar nga ajo thuhet se banon në Tiranë. “A duhet ta intervistoj këtë?”, pyet ai në email-in drejtuar Epstein-it.
Nga lista e bashkëngjitjeve rezulton se, përveç CV-së dhe fotografive, vajza ka dërguar edhe një video prezantuese në kuadër të aplikimit për këtë pozicion.
Dokumentet nuk sqarojnë nëse ky proces aplikimi ka vijuar më tej apo nëse ka pasur kontakte të tjera mes palëve.
Berberi 30-vjeçar Sokol Daci, i cili u plagos me armë zjarri në Lezhë mbrëmjen e së dielës sapo ka mbërritur në spitalin e Traumës.
Sipas informacioneve paraprake ndodhet ne gjendje stabel. 30-vjeçari ka tre plagë, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.
Dyshohet se 30-vjeçari Sokol Daci nuk ka qenë objektiv i atentatit dhe plumbat e kanë kapur aksidentalisht teksa ishte brenda ne berberhane.
30-vjeçari është pronar i berberhanes ku ka ndodhur ngjarja. Objektivi i atentatit dyshohet se ka qenë një person tjetër që ka qenë brenda në berberhane, shkruan A2 CNN.
Dyshohet se autoret kanë qëlluar me breshëri plumbash dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Ngjarja ka ndodhur në qendër të Rrilës. Autorët kanë ndaluar makinën para berberhanes dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash.
Një person është therur me thikë mbrëmjen e sotme në Fushë Kosovë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, në rrugën “Nëna Terezë”, ndërsa i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 20:00 kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën ‘Nëna Terezë’ në Fushë Kosovë. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Ahmeti.
Policia nuk ka dhënë ende detaje të tjera lidhur me motivet apo personat e përfshirë në rast.
Gazetari-aktivisti Blerim Shala kanë zbardhur detaje nga përgatitjet për Konferencën e Rambujesë, duke theksuar se lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vepruar nën presion të madh nga komandantët e zonave dhe se kjo ndikoi në dyshimet e tij ndaj konferencës
Surroi rrëfeu se gjatë diskutimeve për qeverinë e përkohshme, Thaçi ishte skeptik dhe vendosi të mos merrte pjesë në një takim kyç me zyrtarët amerikanë, përfshirë Madeleine Albright, James Dobbins dhe Richard Holbrooke.
Surroi ka thënë se në atë moment u angazhua personalisht për të siguruar që dokumenti të pranohej dhe u nënshkrua nga pesë persona, duke përfshirë Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen, Thaçin, Surroin dhe Blerim Shalën.
Blerim Shala
Shala shtoi se presioni ka ardhur kryesisht nga përfaqësues lokalë të UÇK-së dhe spekulime të ndryshme që qarkullonin rreth marrëveshjes, duke e bërë Thaçin të dyshojë për suksesin e konferencës.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Madeleine Albrightit, e cila sipas tij ishte përkushtuar maksimalisht për të mos i lënë palët shqiptare vetëm dhe për të siguruar finalizimin e marrëveshjes.
“Mendoj që ka qenë në presion të madh (Thaçi)... prej UÇK-së, prej përfaqësuesve lokalë të UÇK-së, pastaj ka pasur spekulime të llojllojshme, të cilat e kemi ndi edhe unë edhe ti. Pastaj u dashke me i konsultu Hillin dhe ekipin e zonjës Albright, a janë të vërteta jo, se spekulimet e tilla që kjo është veç konferencë provizore, e cila me gjasë ka përhapë Adem Demaçi, ndoshta edhe dikush nga UÇK-ja, se kjo është konferencë provizore, amerikanët s’janë të interesuar të ketë sukses, duhet të ketë konferencë tjetër në Amerikë, dhe atje do të vendoset”, rrëfeu Shala, në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe gazetari Blerim Shala kanë diskutuar për qëndrimin e ish-të burgosurit politik Adem Demaçi për Konferencën e Rambujesë.
Sipas Surroit, Demaçi kishte një oscilim të madh gjatë periudhës përpara konferencës dhe refuzoi të merrte rolin e shefit politik të UÇK-së, duke vendosur të mos merrte pjesë aktive në negociata.
Shala ndërkohë ka thënë se kishte një rivalitet mes të burgosurve politikë të asaj kohe.
“Ai kishte një vullnet dhe pasion të jashtëzakonshëm, por nuk kuptoi momentumin e luftës dhe vendosi të mos shkojë në Rambuje”, tregoi Shala.
Megjithatë, Surroi dhe Shala treguan se delegacioni shqiptar arriti të ruajë marrëveshjen dhe të siguronte pranimin e saj për pak, pavarësisht dyshimeve dhe shqetësimeve që lindën nga mosangazhimi i Demaçit.
Shala vuri në dukje gjithashtu rolin vendimtar të profesor Rexhep Qosjes dhe të pjesëtarëve të tjerë të delegacionit, të cilët këmbëngulën që marrëveshja të pranohej.
Biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht pas përmendjes së emrit të tij në dosjen e Jeffrey Epstein, duke folur për një rast pabesie shumëvjeçare nga një person të cilit, sipas tij, i kishte besuar për më shumë se 20 vjet.
Në një reagim të gjatë, Pacolli shprehet se përballja me faktet e asaj që ai e cilëson si pabesi ka qenë një nga momentet më të shëmtuara të jetës së tij, ndërsa thekson se faktet po dalin çdo ditë në dritë.
Sipas Pacollit, veprimet në fjalë nuk kanë qenë të kufizuara vetëm në mashtrime apo falsifikim dokumentesh, por kanë përfshirë tentativa për poshtërim, vjedhje, përbuzje, gënjeshtra dhe veprime të tjera që ai i cilëson si të ulëta.
Ai shton se, përballë pamundësisë për të marrë përgjegjësi, personi i përfshirë ka tentuar të dëmtojë gjithçka që ai ka ndërtuar ndër vite, përfshirë reputacionin, moralin dhe pronën.
Pacolli bën të ditur se faktet e këtyre veprimeve, të ndërtuara ndër vite, do t’i publikojë një nga një sapo të nisë trajtimi i tyre në gjykatat penale dhe civile në Kosovë, Shqipëri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Libi, vende ku sipas tij janë konsumuar këto veprime.
Ai thekson se rasti është aq i rëndë, sa ka nisur të përmbledhë të gjitha faktet edhe në një libër, të cilin paralajmëron se do ta promovojë publikisht.
Sipas Pacollit, ky angazhim ka dy qëllime kryesore: rritjen e vetëdijes se pabesia nuk mund të kalojë pa pasoja dhe dërgimin e një mesazhi për ata që mund të gjenden në situata të ngjashme, se besimi te njerëzit është i natyrshëm, por kontrolli është i domosdoshëm, veçanërisht në raportet profesionale dhe të bashkëpunimit.
Reagimi i Pacollit vjen pas përmendjes së emrit të tij në disa dokumente të publikuara në kuadër të dosjes së Jeffrey Epstein, të bëra publike nga autoritetet amerikane./Telegrafi.
Pas rinumërimit, Fikrim Damka nga partia e turqve “KDTP”, është i vetmi që e ka humbur mandatin e deputetit.
Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, tha se Damka gjithsesi duhet të intervistohet në rastin ku dyshohet se ka pasur manipulime të votave.
“Me siguri që po [që duhet të intervistohet]”, ka thënë Pula.
“Gjithsesi. Unë sa e di, e kemi vetëm një rast që një deputet e ka humbur mandatin, edhe është ky deputet [Fikrim Damka]. Nuk e kam vërejtur që ka mandate të humbura për deputetë të tjerë, pavarësisht tendencave që t’iu rrisin numrin e votave me qindra a mijëra, prapë nuk kanë arritur kuotën e saktë nga vendi prej nga vijnë për me u ba deputetë”.
“Prandaj, është i vetmi ky kandidat që e ka humbur mandatin e deputetit dhe pa mëdyshje që duhet të intervistohet”, tha Pula në Klan Kosova.
“Të jemi të qartë, kjo është çështje ekskluzive e Kryeprokurorit të Prokurorisë përkatëse për ta vazhdu hetimin deri në fund”.
Pas rreth tetë orësh bllokimi, është hapur lëvizja me një korsi në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë të Shqipërisë, pjesë e Korridorit VIII, nyja kryesore lidhëse e juglindjes së vendit me Tiranën.
Bllokimi u shkaktua nga shembja e një masivi të madh shkëmbor pranë fshatit Dragostunjë, çka la të bllokuar në rrugë mijëra qytetarë për disa orë. Fatmirësisht, nga ky incident nuk u raportuan persona të lënduar.
Segmenti ku ndodhi rrëshqitja është aktualisht pjesë e punimeve për hapjen e gjurmës së re të Korridorit VIII, në kuadër të projektit të zgjerimit të rrugës.
Sipas ekspertëve të pavarur, ndërhyrjet e pastudiuara në shpatin e malit mund të kenë ndikuar në shembjen masive. Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka mohuar që punimet të jenë shkaku i incidentit, duke ia atribuar situatën motit të keq dhe reshjeve, shkruan Oranews.
Ekipet e ndërhyrjes punuan për orë të tëra në terren, duke kryer shembjen e kontrolluar të faqes së malit, me qëllim eliminimin e çdo rreziku të mëtejshëm për qarkullimin e mjeteve.
Gjatë kohës së bllokimit, gra, fëmijë dhe të moshuar u detyruan të qëndrojnë për orë të tëra në trafik, ndërsa policia rrugore rekomandoi përdorimin e aksit alternativ Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan për drejtuesit e mjeteve që udhëtonin drejt Tiranës.
Bllokimi i këtij aksi përkoi me ditën e diel, kur fluksi i lëvizjes është i shtuar për shkak të kthimit të qindra pushuesve nga juglindja e vendit, duke e rënduar edhe më tej situatën në qarkullim.
Axhire Memelli, 94 vjeçe, banore e fshatit Sinicë në Devoll, vijon të jetë aktive dhe të menaxhojë jetën e saj në mënyrë të pavarur, pavarësisht se jeton e vetme.
Gjatë jetës së saj, ajo ka përjetuar humbje të mëdha, duke mbetur pa bashkëshort dhe pa fëmijë. Megjithatë, Memelli nuk e ka lejuar vetminë të ndikojë në përditshmërinë e saj, duke ruajtur një stil jete aktiv dhe të disiplinuar.
Ajo tregon se dita e saj kalon duke u marrë me punët e shtëpisë dhe kujdesin për mjedisin përreth, ndërsa shëndeti i saj, sipas saj, ka qenë i qëndrueshëm. Përveç ilaçeve për tensionin e gjakut, ajo thotë se nuk vuan nga sëmundje të tjera serioze.
Sekretin e jetëgjatësisë së saj, Axhire Memelli e lidh me durimin, punën e vazhdueshme dhe respektin ndaj të moshuarve, vlera që thotë se i ka mësuar nga vjehrra e saj dhe i ka zbatuar gjatë gjithë jetës.
Në prag të 94-vjetorit, historia e saj përbën një shembull të vullnetit për të jetuar, pavarësisë dhe dinjitetit personal, duke dëshmuar se mosha nuk është pengesë për të qenë aktive dhe e përfshirë në jetën e përditshme.