Piku i rasteve me grip në Maqedoni mund të arrihet deri në mes të shkurtit
Numri i pacientëve me grip dhe viruse të ndryshme është në rritje. Sipas të dhënave nga IShP-ja, që nga fillimi i sezonit të gripit, numri i përgjithshëm i personave të infektuar është 2.8 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 1.335 raste.
Pritjet janë që kulmi i gripit mund të ndodhë nga fundi i janarit deri në mesin e shkurtit.
Mjeku Fadil Cana për TVM2 thekson se numri i kontrolleve të pacientëve në Klinikën Infektive arrin deri në 100 dhe shumica prej tyre vuajnë nga gripi sezonal influenca A.
“Në Klinikën Infektive numri i kontrolleve shëndetësore arrin deri në 100 persona në ditë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Kryesisht janë pacientë që trajtohen në mënyrë ambulatore, por rastet që kanë përkeqësime, ato normal që edhe hospitalizohen. Këtë vit në pjesën dërmuese të pacientëve tek të cilët në mënyrë laboratorike është vërtetuar prezenca e influencës A, gjegjësisht gripit, si dhe tek pacientët që kanë ndërruar jetë ka qenë e përdëftuar gripi sezonal influenca A.”, - deklaroi drejtori në Klinikën Infektive, Fadil Cana.
Mjeku Fadil Cana njëherësh thekson që vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër gripit sezonal, sidomos për pacientët me sëmundje kronike.
“Klinika Infektive ka kapacitet dhe mundësi që tash për tash me këto përmasa, me këto numra, ta përballojë këtë fluks, që normal është i shtuar dhe i pritshëm për këtë sezon. Vaksinimi është mbrojtja e parë kundër gripit dhe normal në fillim të sezonit ai rekomandohet dhe aplikohet, por asnjëherë nuk është vonë, posaçërisht për grupmoshat e vjetra dhe personat me sëmundje kronike, qofshin ato pulmonare apo kardiake.”, - theksoi drejtori në Klinikën Infektive, Fadil Cana.
Ekspertët shëndetësorë u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin rekomandimet e higjienës dhe të shmangin mjediset e rrezikshme për të zvogëluar transmetimin e virusit. Parandalimi është thelbësor, pasi aktiviteti i gripit arrin kulmin këtë sezon. /tvm2
