Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Main stream

20:39 Rritet më tej niveli i Vjosës, kryebashkiakja e Vlorës: Do evakuohen edhe 6 banesa

By: Monika
7 January 2026 at 20:39

Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini ishte mbrëmjen e së mërkurës në njësinë administrative Novoselë, pranë Lumit Vjosë.

Mersini, e shoqëruar nga drejtuesi i policisë së qarkut Vlorë, Elidon Çela e përshkroi situatën si kritike.

Sipas Mersinit, niveli i Vjosës është 8.6 metra por shpresa e mirë është që prurjet nga Përmeti dhe Memaliaj janë në ulje, çka mund të reflektohet edhe në Vjosë.

Mersin tha se nëse niveli rritet do të evakuohen edhe 6 banesa. Sipas saj deri më tani janë 13 banesa të evakuara.

Drejtuesi i policisë së Vlorës Elidon Çela siguroi qytetarët e Vlorës që strukturat e policisë janë në gatishmëri totale./mxh

20:13 VIDEO/Inertet dhe dherat në Qafë Plloçë-Qukës/ Mbyllet përkohësisht qarkullimi në këtë aks

By: Monika
7 January 2026 at 20:13

Last Updated on 07/01/2026 by Monika

Për shkak të inerteve dhe dherave në aksin Qafë Plloçë-Qukës, do të mbyllet përkohësisht qarkullimi në këtë segment rrugor.

Nga informacionet më të fundit, mësohet se për të marrë masa lidhur me qarkullimin e mjeteve dhe për të shmangur rrezikun si në rastin e mjetit të aksidentuar paraditen e sotme, është mbyllur përkohësisht qarkullimi në këtë aks.

Policia e qarkullimit rrugor Korçë dhe ajo e Elbasanit po orientojnë mjetet drejt rrugës së vjetër duke vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe në hyrje të Qukësit për të mos lejuar hyrjen në aksin e ri.

Aksi do të qëndrojë i mbyllur deri në momentin që firma kontraktore të pastrojë plotësisht të gjitha dherat e inertet që kanë rënë në rrugë dhe derisa të mos ketë më rrezik për qarkullimin e mjeteve.

Firma kontraktore edhe në këto momente ndodhet në aks ku po bën ndërhyrjet ndërsa nuk dihet se sa do të zgjatë bllokimi i qarkullimit në këtë zonë./mxh

19:59 Zelensky: Garancitë evropiane të sigurisë për Ukrainën nuk përfshijnë “ombrellën bërthamore”

By: Monika
7 January 2026 at 19:59

Garancitë e sigurisë për Ukrainën nga partnerët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara nuk përfshijnë një “ombrellë bërthamore”.

Kjo është thënë nga presidenti Volodymyr Zelensky në një koment për gazetarët, raporton Ukrinform, përcjell Telegrafi.

“Nuk ka diskutim për armë bërthamore. Sa i përket garancive të sigurisë nga partnerët tanë evropianë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po diskutojmë një kontingjent, mbrojtje në tokë, në ajër, në det, si dhe një linjë të veçantë të ‘mbrojtjes ajrore’”, tha Zelensky.

Sipas tij, diskutimet përfshijnë gjithashtu forcimin e ushtrisë ukrainase dhe sigurimin e fondeve shtesë për personelin.

Ai theksoi se çështja kryesore mbetet personeli i brigadave luftarake dhe sigurimi i gatishmërisë së tyre të lartë luftarake.

Zelensky vuri në dukje gjithashtu se Ukraina po zhvillon bisedime për marrjen e licencave të veçanta për të zhvilluar bashkëprodhim në industrinë e mbrojtjes.

Pas një takimi në Paris, udhëheqësit e Koalicionit të Vullnetmirëve, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara nënshkruan një deklaratë të titulluar “Garanci të Forta Sigurie për një Paqe të Fortë dhe të Qëndrueshme në Ukrainë”./mxh

19:57 ZYRTARE/ Firmos Neymar, vendoset e ardhmja e sulmuesit

By: Monika
7 January 2026 at 19:57

Last Updated on 07/01/2026 by Monika

Neymar ka rinovuar kontratën me Santos për edhe një vit tjetër. Vendimi vjen pas kontributit të tij në shpëtimin e ekipit nga rënia një kategori më poshtë.

Sulmuesi 33-vjeçar realizoi 11 gola dhe dha 4 asistime në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar. Megjithatë, problemet e vazhdueshme fizike gjatë vitit 2025 e kanë mbajtur larg fushave për shumë ndeshje.

Pavarësisht kësaj, Neymar ka shprehur dëshirën për të vazhduar karrierën aktive. Objektivi kryesor mbetet pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026.

Për këtë, ai duhet të rikthejë formën dhe të bindë trajnerin Carlo Ancelotti për një grumbullim në kombëtaren braziliane./Mxh

18:59 Blendi Fevziu propozohet për postin në FSHF

By: Monika
7 January 2026 at 18:59

Last Updated on 07/01/2026 by Monika

Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër zhvilloi Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore për vitin 2026 me pjesëmarrjen e 27 delegatëve.

Lazer Matija u rizgjodh unanimisht në postin e kryetarit të shoqatës për një mandat të ri katërvjeçar. Përveç zgjedhjeve të brendshme, anëtarët e shoqatës shqyrtuan edhe propozimet për drejtimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Me votim unanim, asambleja vendosi të propozojë Armand Dukën si kandidat për postin e Presidentit të FSHF-së. Ky vendim u argumentua me nevojën për vijueshmëri të projekteve aktuale dhe stabilitet institucional.

Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte propozimi i Blendi Fevziut për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, diçka që ishte raportuar më parë edhe nga CNA. Delegatët e miratuan kandidaturën e tij me votë unanime./mxh

18:55 Aksidentoi për vdekje studenten greke në Selanik me shpejtësi 140 km/orë, shtyhet me nëntë muaj gjyqi ndaj shoferit shqiptar!

By: Monika
7 January 2026 at 18:55

Last Updated on 07/01/2026 by Monika

Gjyqi i 23-vjeçarit shqiptar që ishte në timonin e makinës që përplasi dhe plagosi për vdekje studenten 21-vjeçare Emma Karyotaki në nëntor 2022, në zonën e Kamaras, në qendër të Selanikut, është shtyrë deri në shtatorin e ardhshëm.

Dy vjet pasi shoferi 30-vjeçar i makinës fatale u dënua me 16.5 vjet burg në shkallën e parë, prindërit e Emmës e gjetën veten përsëri në gjykatat penale të Selanikut – këtë herë pas një padie që ngritën kundër pasagjerit, për strehim të një krimineli.

Tani, edhe 23-vjeçari pasagjer, i cili u shpall i pafajshëm nga Këshilli Gjyqësor kompetent për bashkëpunim në veprimet e kryera ndaj shoferit, akuzohet, sipas padisë, për mosinformim të autoriteteve, as për pengim të shoferit të dënuar të largohej nga vendi i aksidentit.

Gjyqi ishte planifikuar të zhvillohej sot në Gjykatën e Kundërvajtjeve me Anëtar të Vetëm të Selanikut, por u shty, pasi vendimi në lidhje me kërkesën për dëmshpërblim – për shkak të vuajtjes psikologjike- të ngritur kundër pasagjerit, është në pritje të shqyrtimit në gjykatat civile.

Ky zhvillim shkaktoi një reagim të fortë nga nëna e Emmës, e cila akuzoi gjykatën për mohim të drejtësisë.

“Studentja fatkeqe e Shkollës Veterinare, me origjinë nga Kreta, ishte shtruar pas aksidentit për pesë ditë, në repartin e kujdesit intensiv të Spitalit Papageorgiou, ku më në fund dha frymën e fundit. Duke demonstruar madhështi shpirti dhe pavarësisht zisë së tyre të thellë, prindërit vendosën të dhuronin organet e vajzës së tyre”, shkruan media greke.

Kujtohet se shoferi 30-vjeçar, me origjinë nga Shqipëria, u dënua në dhjetor 2023 nga Gjykata me Tre Anëtarë për Çështjet Penale të Selanikut dhe që atëherë ka mbetur i burgosur.

Gjykata e shkallës së dytë është përcaktuar të mbahet në muajt në vijim. Sipas aktakuzës, ai kishte zhvilluar shpejtësi të tepërt, e cila arriti në 104 km/orë (me një limit të lejuar prej 50 km/orë), ndërsa makina, e cila nuk ishte e tija, ishte teknikisht e pasigurt dhe e rrezikshme, pasi i ishte nënshtruar modifikimeve me qëllim shumëfishimin e fuqisë së saj./mxh

18:31 Rritet niveli i lumit Osum, 10 fshatra në qarkun e Beratit pa energji

By: Monika
7 January 2026 at 18:31

Last Updated on 07/01/2026 by Monika

Reshjet e shiut që kanë filluar që prej mbrëmjes së djeshme kanë filluar të shfaqin edhe problemet e para në qarkun e Beratit.

Era e fortë ka lënë që prej mëngjesit të sotëm pa drita 10 fshatrat: Backë, Gjergjovë, Koprenckë, Gërmenj, Visockë, Qafë Helms, Melskë, Nikollarë, Dyrmish dhe Staraveckë në Njësinë Administrative Potom në bashkinë Skrapar.

Burime nga OSHE Berat konfirmojnë se grupet e punës janë në terren dhe po punohet për riparimin e shtyllave të dëmtuara nga era dhe rikthimin e energjisë në këto fshatra malore. Po kështu edhe niveli u lumit Osum është duke u rritur aktualisht ai ndodhet në kuotat mesatare.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujërave të lumit Osum janë në ujë disa hektar tokë bujqësore në fshatin Veterrik dhe zonën e Dafinave në bashkinë Dimal.

Gjatë mesditës së sotme ka pasur prezencë gurësh në vendin e quajtur “Rripi i Strorës” në Skrapar por pa penguar qarkullimin, ku po punohet për pastrimin e tyre. Deri më tani nuk raportohen situata emergjente, rrugë apo banesa të rrezikuara nga uji./MXH

18:30 Moti i keq/ ARRSH në terren: Të angazhuar për të përmirësuar situatën

By: Monika
7 January 2026 at 18:30

Last Updated on 07/01/2026 by Monika

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) vijon të jetë në terren në të gjithë vendin për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq, reshjet e dendura dhe temperaturat e ulëta, ndërsa drejtori i përgjithshëm i institucionit, Ami Kozeli, ka zhvilluar sot në 7 janar 2025 një inspektim në zonën e Qafë Thorës, një nga akset më të ndjeshme gjatë kushteve të vështira atmosferike. Sipas ARRSH-së, ekipet e mirëmbajtjes dhe makineritë janë të shpërndara në të gjithë rrjetin rrugor kombëtar për të garantuar qarkullimin dhe për të parandaluar bllokimet.

Gjatë inspektimit, drejtori Kozeli u njoh nga afër me situatën në terren, ku si pasojë e reshjeve të vazhdueshme janë krijuar prezencë balte dhe grumbullime inertesh në disa segmente të rrugës. Ai theksoi se këto janë fenomene të pashmangshme në kushte moti ekstrem, por se strukturat janë të angazhuara për t’i menaxhuar ato në kohë sa më të shpejtë. “Ka pasur baltë dhe ky është një fenomen që nuk shmanget dot, sepse moti ka qenë i keq kohët e fundit”, u shpreh Kozeli, duke shtuar se ndërhyrjet po kryhen pa ndërprerje për pastrimin e rrugës dhe ruajtjen e sigurisë së qarkullimit.

Ai shprehu gjithashtu falënderime për kompanitë nënkontraktore që kanë në ngarkim mirëmbajtjen e akseve rrugore, duke theksuar rolin e tyre në përballimin e situatave emergjente gjatë dimrit.

“Falënderoj nënkontraktorët që po bëjnë mirëmbajtjen e akseve”, u shpreh Kozeli, ndërsa theksoi se bashkëpunimi mes ARRSH-së dhe kompanive të mirëmbajtjes është thelbësor për reagim të shpejtë në rast rrëshqitjesh, grumbullimi inertesh apo probleme të tjera që mund të vijnë si pasojë e reshjeve.

Sipas drejtuesit të ARRSH-së, pavarësisht kushteve të vështira të motit, aktualisht i gjithë rrjeti rrugor kombëtar mbetet i qarkullueshëm dhe nuk ka bllokime të akseve kryesore. “Gjithë rrjeti që është në ngarkim të ARRSh është i qarkullueshëm dhe nuk është gjë e lehtë në kushte ekstreme moti, që po kalon vendi”, theksoi ai, duke shtuar se monitorimi i akseve vijon pa ndërprerje, veçanërisht në zonat malore dhe në segmentet e njohura për problematika gjatë reshjeve.

Autoritetet rrugore kanë bërë njëkohësisht thirrje për drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, sidomos në zonat me kthesa, pjerrësi dhe në akset ku mund të ketë lagështi, baltë apo ngrica. ARRSh u rekomandon shoferëve të udhëtojnë me shpejtësi të reduktuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të pajisin automjetet me goma dimërore, për të shmangur aksidentet dhe për të mos penguar ndërhyrjet e mjeteve të mirëmbajtjes në rast emergjencash.

Ndërkohë, strukturat e ARRSH-së kanë bërë me dije se janë në gatishmëri për të ndërhyrë menjëherë në çdo segment ku mund të shfaqen problematika të reja për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, ndërsa situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme në bashkëpunim edhe me autoritetet vendore dhe shërbimet e emergjencës.MXH

18:24 1 në 5 të rinj në Britani pëlqen diktaturën

By: Monika
7 January 2026 at 18:24

Një në pesë të rinj, të gjeneratës Z, në Britani të Madhe preferon diktaturën, sipas një ankete të re, transmeton “The Telegraph”.

Studimi ka gjetur se 18 për qind e të rinjve të lindur në periudhën 1997-2012, apo mes moshave 13 deri 28, mendojnë se sistemi më i mirë për të udhëhequr me efikasitet shtetin është një lider i fortë që nuk duhet të merret me zgjedhje. Te të rriturit pro këtij sistemi përqindja është 12.

Ndërkaq 14 për qind e të lindurve në periudhën 1981-1996, pëlqenin diktaturën. Ata nuk pajtoheshin se demokracia është sistemi më i mirë për të udhëhequr shtetin.

Të lindurit pas Luftës së Dytë Botërore, ata që tani janë në grupmoshën 60-80 vjeç, ishin gjenerata që më së shumti preferonte demokracinë. Vetëm 7 për qind e tyre e përkrahte sistemin autoritar.

Matja e FGS Global Radar ka treguar se të rinjtë shqetësohen më pak për populizmin sesa prindërit apo gjyshërit e tyre.

Në nivel global, rreth 60 për qind e të rriturve mendojnë se demokracia po dobësohet nga lëvizjet politike populiste, por kjo shifër ra në 49 për qind te ata të Gen Z.

Kjo anketë realizohet me intervista me liderë, ekspertë politikë, njerëz të botës së biznesit, politikës, akademive e gazetarë në SHBA, Kanada, e shtete anëtare të Bashkimit Evropian, Britania e Madhe dhe Japonia.

Në këtë pyetësor kanë marrë pjesë rreth 20 mijë njerëz në përgjithësi.

Diktatura është pushtet i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish./mxh

16:55 Brukseli zbardhet nga dëbora, probleme në transportin publik

By: Monika
7 January 2026 at 16:55

Brukseli u mbulua të martën me dëborë, me rreth pesë centimetra trashësi dhe me paralajmërim kombëtar për rrugë të rrëshqitshme nga shërbimi meteorologjik belg.

Pasi reshjet bënë qytetin pothuajse të boshatisur, pak banorë dhe turistë u panë në sheshin historik Grand Place, duke treguar ndikimin e drejtpërdrejtë të dëborës në jetën e përditshme.

Autoritetet parashikojnë se reshjet do të vazhdojnë, duke shkaktuar anulime të fluturimeve, vonesa në linjat hekurudhore dhe bllokime në rrugë në të gjithë Europën. Meteorologët paralajmërojnë një përkeqësim të i ftohtit, me dëborë të rëndë që mund të ndikojë për disa ditë rradhazi në transport dhe lëvizje.

Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes maksimal në qarkullim dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme gjatë ditëve në vijim./mxh

16:48 Zelensky: Siguria e Ukrainës mbi prioritetin amerikan

By: Monika
7 January 2026 at 16:48

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pa garanci të forta sigurie, të detyrueshme ligjërisht dhe të mbështetura nga aleatët perëndimorë, e ardhmja e sigurisë së vendit të tij mbetet e pasigurt.

Në një deklaratë të dhënë pas takimeve diplomatike në Paris, Zelensky theksoi se garancitë e sigurisë duhet të mbështeten nga parlamentet përkatëse dhe veçanërisht nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se, edhe nëse këto garanci sigurohen, Ukraina duhet të mbështetet kryesisht në forcën e saj.

Presidenti ukrainas u ndal edhe te përpjekjet diplomatike, duke vlerësuar rolin e Shteteve të Bashkuara, por duke theksuar se procesi ende nuk ka përfunduar. Sipas tij, Uashingtoni ka mjetet dhe ndikimin e nevojshëm për të ushtruar presion ndaj Rusisë.

Zelensky theksoi se çelësi i suksesit qëndron te prioriteti që Ukraina zë në agjendën amerikane. Ai nënvizoi se vetëm përmes një presioni të vazhdueshëm dhe të koordinuar ndaj Moskës mund të arrihen rezultate konkrete.

Gjatë qëndrimit në Paris, Zelensky u takua edhe me Presidentin francez Emmanuel Macron, takim që u pa si pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbështetjen evropiane për Kievin.

Ndërkohë, presidenti ukrainas konfirmoi se pritet të zhvillojë së shpejti një takim me ish-presidentin amerikan Donald Trump. Ai tha se takimi mund të mbahet në Uashington ose në një tjetër vend, në varësi të axhendës, dhe se aty shpreson të marrë përgjigje të drejtpërdrejta lidhur me mbështetjen amerikane për Ukrainën./mxh

Yesterday — 6 January 2026Main stream

22:59 Kosova pranon dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS nga Turqia

By: Monika
6 January 2026 at 22:59

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës në detyrë, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot është pranuar dërgesa e radhës e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

Sipas Maqedoncit, OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i projektuar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë edhe tanke të pajisura me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.

Ai ka theksuar se rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve të ndryshme dhe skenarëve të ndryshëm të kërcënimit.

“Ky zhvillim rrit ndjeshëm fleksibilitetin operacional dhe kapacitetet mbrojtëse të ushtrisë sonë”, ka deklaruar Maqedonci.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se furnizimi me pajisje moderne ushtarake është pjesë e planit afatgjatë për ngritjen e kapaciteteve dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s./mxh

22:45 Situatë kritike në Romë, përmbyten lagjet pranë lumit Aniene

By: Monika
6 January 2026 at 22:45

Që nga mëngjesi i sotëm, emergjencat e bashkisë së kryeqytetit italian janë në terren për të menaxhuar motin e keq, duke ofruar ndihmë për banorët për shkak të tejmbushjes së lumit Aniene.

DIsa rrugë të qytetit janë mbyllur përkohësisht për trafikun.

Sasia e shiut që ra në këto dy ditë ka tejkaluar sasinë e reshjeve të të gjithë muajve janar të viteve të mëparshme.

Komunat më të prekura janë e 4-ta, e 5-ta dhe e 6-ta”, thekson Giuseppe Napolitano, kreu i Departamentit të Mbrojtjes Civile të Romës.

“Nga pasditja e së dielës deri më sot, mund të them se e gjithë strukturat bashkiake dhe departamenti i zjarrfikësve po i rezistojnë kësaj periudhe të përkohshme me mot të keq’’, theksoi ai.

Kanalet e lumit Aniene në Romë, pranë Ponte Mammolo, janë të tejmbushura.

Lagjja e komunës së 4-të është përmbytur plotësisht ndërsa një pjesë e rrugës Alberini përfundoi nën ujë./mxh

22:36 Von der Leyen nga Parisi: Takimi i “Koalicionit të të Gatshmëve” dërgon sinjal uniteti për Ukrainën

By: Monika
6 January 2026 at 22:36

Takimi i nivelit të lartë i vendeve mbështetëse të Ukrainës dërgon një sinjal të fortë uniteti, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Deklarata e përbashkët e dakordësuar dërgon një mesazh të qartë”, shkroi ajo pas diskutimeve në Paris.

Von der Leyen tha se kolektivisht, ata mbështesin Ukrainën, e cila vazhdon të kundërshtojë pushtimin e plotë rus që ka zgjatur pothuajse katër vjet.

“Vendi ka një të ardhme të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë përpara”, shtoi ajo.

Sipas qeverisë franceze, përfaqësues nga më shumë se 30 vende, si dhe BE dhe NATO, morën pjesë në takimin e nivelit të lartë të të ashtuquajturit “Koalicion i të Gatshmëve” në Paris./mxh

22:27 Moti i keq përfshin Rumaninë, alarm i verdhë në gjysmën e vendit

By: Monika
6 January 2026 at 22:27

Administrata Kombëtare Meteorologjike rumune (ANM) lëshoi ​​sot paralajmërime për kod të verdhë për reshje të konsiderueshme shiu, reshje dëbore, breshër si edhe intensifikim të erës në gjysmën veriore të vendit deri të premten në mëngjes

Sipas parashikimit të specializuar, gjatë periudhës nga datat 6-8 janar do të ketë
kod të verdhë për reshje të konsiderueshme, kryesisht në formën e reshjeve të dëborës, fillimisht në Banat, Crisna dhe Maramures dhe më pas edhe në Transilvaninë veriore dhe perëndimore.

Në këto zona, do të ketë reshje të konsiderueshme për gjysmën veriore të vendit, deri të enjten në mëngjes.

Sipas Agjencisë Kombëtare Meteorologjike, do të ketë reshje të përkohshme në pjesën më të madhe të vendit dhe do të grumbullohen sasi uji prej 10-40 litra/m2.

Këto do të jenë të përziera dhe do të ketë reshje bore gjatë 6 janarit në Banat, Crisana, Maramures, Transilvaninë veriore dhe perëndimore, pastaj gradualisht do të mbizotërojnë reshjet e borës dhe do të depozitohet një shtresë e qëndrueshme bore prej 15-30 centimetrash./mxh

22:14 Zelensky: Çdo ditë më afër paqes, por lufta ende nuk ka mbaruar

By: Monika
6 January 2026 at 22:14

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përshkruar njoftimin e sotëm si një “hap të madh përpara” në rrugën drejt paqes.

“Një vit më parë nuk mund ta imagjinonim këtë dhe tani kemi arritur këtë hap,” tha Zelensky në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se çdo ditë e afron pak më shumë zgjidhjen, por “ende nuk është e mjaftueshme.”

“Do të jetë e mjaftueshme kur lufta në Ukrainë të marrë fund,” theksoi ai.

Përmes rrjeteve sociale, Zelensky falenderoi të gjitha udhëheqësit dhe shtetet që vërtet dëshirojnë të jenë pjesë e një zgjidhjeje paqësore, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në arritjen e stabilitetit në rajon./mxh

22:06 I dërguari amerikan: Jemi shumë pranë një marrëveshjeje të fuqishme për Ukrainën

By: Monika
6 January 2026 at 22:06

I dërguari i veçantë i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp se presidenti Donald Trump dëshiron paqe në Ukrainë.

“Ne jemi të vendosur, në emër të tij, të bëjmë gjithçka të mundshme për të arritur këtë paqe,” tha Witkoff.

Ai përmendi progresin e arritur në takime të mëparshme, përfshirë ato në Berlin dhe në resortin Mar-a-Lago të Trump në Florida.

“Ne mendojmë se kemi përfunduar kryesisht me protokollet e sigurisë,” shtoi Witkoff, duke theksuar gjithashtu se negociatat për një marrëveshje prosperiteti janë shumë afër përfundimit.

“Por gjithashtu mendojmë, dhe kjo është thelbësore, se jemi shumë, shumë pranë për të finalizuar një marrëveshje prosperiteti po aq të fuqishme sa asnjë vend nuk e ka parë ndonjëherë pas konflikteve të tilla,” tha ai, duke nënvizuar përpjekjet për të siguruar stabilitet dhe rikthim ekonomik në rajon.

Ngjarja tregon përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndërmjetësuar një zgjidhje paqësore dhe ekonomike në Ukrainë pas viteve të konfliktit./mxh

22:03 Zjarr në një banesë në Xibër të Klosit, flakët lokalizohen në katin e dytë

By: Monika
6 January 2026 at 22:03

Last Updated on 06/01/2026 by Monika

Një banesë është përfshirë nga flakët pasditen e sotme në fshatin Shkallë, Njësia Administrative Xibër, Bashkia Klos. Banesa është në pronësi të shtetasit Behar Musta.

Menjëherë pas njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur shërbimet zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja e banorëve dhe reshjet e shiut kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit vetëm në katin e dytë të banesës, duke shpëtuar katin e parë. Në momentin e rënies së zjarrit në banesë ndodheshin familjarët, të cilët kanë tentuar ta shuajnë flakët me mjete rrethanore./mxh

21:58 Iu nënshtrua ndërhyrjes estetike, humb jetën influencuesja e njohur!

By: Monika
6 January 2026 at 21:58

Influencuesja italiane Yulia Burtseva ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare, pas ndërhyrjeve kirurgjikale estetike të kryera në Moskë. Lajmi i trishtë është konfirmuar nga mediat e huaja dhe ka rikthyer edhe një herë në vëmendje rreziqet që shoqërojnë operacionet plastike.

Detajet e ngjarjes
Sipas informacioneve paraprake, Burtseva kishte udhëtuar drejt Rusisë për të kryer disa procedura estetike. Pas ndërhyrjes, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta mbajtur në jetë, influencuesja nuk arriti t’u mbijetonte komplikacioneve që pasuan operacionin.

Reagimet në rrjetet sociale
Vdekja e saj ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale, veçanërisht në Instagram dhe TikTok, ku ndjekësit kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen. Një pjesë e madhe e komenteve kanë ngritur shqetësimin për presionin që u ushtrohet figurave publike për të arritur standarde të paarritshme bukurie përmes bisturisë. Shprehje si “Jo edhe një tjetër” janë bërë simbol i frikës dhe trishtimit për rastet e përsëritura të humbjeve të jetës pas operacioneve estetike.

Kush ishte Yulia Burtseva
Yulia Burtseva ishte e njohur për stilin e saj të jetesës, përmbajtjet mbi modën dhe udhëtimet, si dhe ndikimin që kishte te ndjekësit e saj në Itali dhe më gjerë. Ajo ndante rregullisht momente nga jeta personale dhe profesionale, duke krijuar një komunitet të madh ndjekësish në rrjetet sociale. Ndarja e saj e parakohshme nga jeta ka lënë një boshllëk të madh te familjarët, miqtë dhe fansat, duke hapur një debat të gjerë mbi sigurinë e procedurave estetike dhe nevojën për më shumë ndërgjegjësim mbi rreziqet që ato mund të mbartin./mxh

21:46 AKSHI sjell vështirësi te institucionet/ E-Albania jashtë funksionit

By: Monika
6 January 2026 at 21:46

Portali e-Albania është jashtë funksionit për shkak të mospagesave nga ana e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ndaj kompanive të internetit.

Bllokimi i pagesave nga AKSHI ka sjellë një kolaps për shkak të ndërprerjes së lidhjes së internetit në këtë institucion, duke bërë kështu të paaksesueshëm portalin e-Albania. Si rezultat janë krijuar vështirësi në shumë institucione të tjera.

Kujtojmë se kjo situatë vjen pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Kjo e fundit, e cila jep miratimin për çdo pagesë që kryhet, akuzohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderë, grup kriminal dhe kryerje e veprave penale nga grupi i organizuar kriminal.

Ndërkohë të njëjtën masë sigurie për të njëjtat akuza GJKKO ka vendosur edhe për zëvendësuesen e Karçanajt, Hava Delibashi./mxh

❌
❌