Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Main stream

Temperaturat e ulëta, ortek bore në Qafë Thore/ Ndërpritet qarkullimi, deri në një moment të dytë

By: Rovena
14 January 2026 at 13:48

Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci në rrjetet sociale ka njoftuar se do të mbllokohet qarkullimi deri në një moment të dytë në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore. Ai njofton se ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor.

“Si pasojë e rritjes së temperaturave dhe ndikimit të rrezeve të diellit në shpatin malor, është riaktivizuar rënia e ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore, duke bllokuar segmentin rrugor rreth km 5.5.

Aktualisht, ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor. Për këtë arsye, është urdhëruar ndërprerja e çdo përpjekjeje për largimin e borës nga ortekët.

Duke vlerësuar situatën e krijuar dhe nivelin e lartë të rrezikshmërisë, qarkullimi në Qafë Thore ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë.

Strukturat përgjegjëse mbeten në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Ju lutemi të shmangni lëvizjet në këtë aks dhe të respektoni udhëzimet e autoriteteve për sigurinë tuaj”, ka njoftuar Benet Beci.

Gjyqi në GJKKO për Gërdecin/ Mediu: Hiqni “letrën” e Shkëlzenit!

By: Rovena
14 January 2026 at 13:35

Është zhvilluar disa  ore seance, për tragjedinë e Gërdecit ne Gjykatën e Posaçme. Seanca e ardhme u la më datë 22 janar.

Ne ketë seance Mediu dhe avokatët mbrojtës kanë kërkuar që “faxi për Shkëlzenin” të mos merret si provë ose te kryhet ekspertimi i kaligrafisë.

“Është në proces si ministër mbrojte por prokuroria ka marre një vendim kunder Nato. Është hedhur ne opinionin publik për emra te ndryshme dhe pro të mos sjell letra te paverifkuara. Ose të hidhet poshtë ose të ekspertohet. Bumçi e ka quajtura mashtrim të bërë nga ish sekretarja. Të thërras çdo ministër që ka qenë para dhe pas meje, a ka qenë njeri nga sto që është marrë me distanca sigurie, sepse s’ka asnjë akt ligjor që të përfshin ministrin e Brendshëm. Ne kemi bërë edhe një kërkesë për ekspertët që kanë bërë ekspertizën e shpërthimit.
Nuk është gjetur sekretarja e Bumcit, ne e kërkuam sërish ish-sekretaren e Aldo Bumcit. Nëse është jashtë të gjendet, e kanë në TIMS; nëse është në Shqipëri ta gjejnë”, tha Mediu.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve./abcnews.al

“Plan i organizuar, asgjë rastësi”/ Arratisja e Ndocit, Hajdarmataj: Në strukturat e policisë së Durrësit ka të korruptuar

By: Rovena
14 January 2026 at 13:21

Ish drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj në “News Line” në ABC News foli për arratisjen nga spitali i Durrësit të Altin Ndocit.

Teksa u ndal kryesisht tek ngjarja dhe te sistemi i sigurisë në burgje, Hajdarmataj tha se arratisja ishte e mirë organizuara dhe kishte një koordinim nga jashtë deri në brenda burgjeve. Gjatë fjalës së tij ai shtoi se në strukturat e Policisë së Durrësit ka të korruptuar.

“Plani i arratisjes ka qenë e mirëorganizuar, nuk është rastësi që para spitalit po priste një makinë. Reagimi i institucioneve shqiptare që bëri pas kësaj arratisjeje, ku u arrestuan 8 persona. Shikoj një reagim shumë arrogant të institucioneve shtetërore. Ka një shkelje të sisteme të burgut të Durrësit. Në strukturat e policisë së Durrësit ka të korruptuar. Fakti i arrestimit të 8 persona, e shikoj më shumë sikur shteti po tenton të kompensojë gabimet e tij.

Të arratis një person nuk është shaka. Patjetër që ka pasur një organizim. Arratisjet nga paraburgimi nuk është hera e parë që ka ndodhur, por fakti që makina e pret jashtë spitalit do të thotë që ka një organizim nga brenda burgut dhe jashtë. Në ambientet e paraburgimeve janë kryer edhe vrasje. Vazhdojmë të dështojnë në sistemin e ligjeve në Shqipëri. Normalisht që duhet të merren masa, por këto janë një tryni e gjithë shtetit shqiptar që ne kemi. Për më tepër që policia e shtetit nuk ka marrë asnjë masë, për parandalim. Kjo është ngjarja e radhës, por mendoj se do të ketë të tjera”, tha Hadermataj./abcnews.al

Sherr në familje në Tiranë/ 30-vjeçarja merret me forcë në makinë, dhunohet nga vëllai dhe xhaxhai i saj

By: Rovena
14 January 2026 at 11:31

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. A., 34 vjeç, S. A., 53 vjeç dhe E. M., 51 vjeç, të tre banues në Tiranë, si dhe për shtetasin L. L., 43 vjeç, banues në Këlcyrë, pasi dyshohet se si pasojë e një konflikti në familje, shtetasit A. A., S. A. dhe E. M. kanë marrë me forcë, në automjet, motrën e 34-vjeçarit, njëkohësisht mbesë e 53-vjeçarit.

Më tej, dyshohet se 30-vjeçarja është dhunuar nga vëllai dhe xhaxhai i saj, në banesën e këtij të fundit. Gjithashtu, dyshohet se 43-vjeçari ka patur dijeni për rastin, dhe nuk ka kallëzuar në polici.

“Shes ‘bisha’, jo justifikime”: Anxhelita Koxha, vajza që po thyen stereotipet me makina luksi

By: Rovena
14 January 2026 at 11:24

Në studion e “ABC e Mëngjesit”, historia e Anxhelita Koxhës erdhi si një përplasje elegante mes paragjykimeve dhe suksesit. Vetëm 25 vjeçe, ajo ka përfunduar master për lidership dhe është ndër vajzat e pakta në Shqipëri që shesin makina luksi, në një industri të dominuar prej vitesh nga meshkujt.

E quajnë “vajza që shet bisha”, por për Anxhelitën, makinat nuk janë thjesht objekte luksi, janë sfida të fituara një e nga një. Videot e saj me supermakina janë bërë virale, duke ngritur pyetjen që ndez rrjetin: marketing i zgjuar apo thjesht guxim për të qenë ndryshe? Kur timonin e merr një vajzë e bukur, vëmendja është e garantuar, por Anxhelita e kthen vëmendjen në besim dhe shitje reale.

“Gjithçka nisi spontanisht dhe u shkrinë në qenien time,” tregon ajo. Nga organizimi i një kompanie, përfundoi duke u bërë imazhi i saj, pa kërkuar leje për të hyrë në një “territor mashkullor”. “Nuk e pashë si sfidë, thjesht e dija që mund ta bëja. Unë shes makina, jo justifikime,” shprehet ajo me siguri.

Paragjykimet? I ka dëgjuar të gjitha. “Komenti më i shpeshtë ishte: ‘Ku merr vesh kjo nga makinat?’ Nuk më ka bërë përshtypje. Kam qenë bionde në atë kohë dhe e justifikoja,” thotë me ironi. Sot përgjigjen e jep me fakte, jo me replika. “Fillimisht klientët më shohin me skepticizëm, por kur flet me baza, nuk ka më vend për paragjykime.”
Rezultati është i qartë: klientë të kënaqur, bashkëpunime që kthehen në miqësi dhe një profil profesional i ndërtuar mbi njohuri, pasion dhe prezencë. “Çdo shitje më bën të lumtur, më jep kënaqësi personale arritjeje. Makinat shkojnë dhe vijnë, por një stereotip i thyer lë gjurmë.”
Për Anxhelitën, suksesi nuk matet vetëm me çelësa makinash luksoze, por me barrierat që bien. “Një stereotip i thyer nuk blihet me asgjë,” thotë ajo.

Arrestohet një 46-vjeçar/ Elbasan, vodhi një banesë për të dytën herë armë gjahu dhe…

By: Rovena
14 January 2026 at 11:20

Kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një banesë në lagjen e tij, ku kishte hyrë për të vjedhur për herë të dytë, vihet në pranga 46-vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje.

Në të njëjtën ditë, 46-vjeçari dyshohet se ka vjedhur në banesën ku u kap, një armë gjahu dhe disa sende.

Gjatë kontrollit fizik, të arrestuarit iu gjetën një mjet (darë) që e përdorte për të kryer vjedhjet, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën arma e gjahut dhe sendet e vjedhura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Nga Italia në majën e Shqipërisë: Motër e vëlla Kabetaj “pushtojnë” cyclo-cross-in kombëtar

By: Rovena
14 January 2026 at 11:15

Në një lidhje direkte nga Italia për “ABC e Mëngjesit”, historia e familjes Kabetaj erdhi si një dëshmi force, pasioni dhe suksesi që kalon brez pas brezi. Nelia Kabetaj, vetëm 19 vjeçe, u shpall pak ditë më parë Kampione Kombëtare në cyclo-cross 2026 në kategorinë Elite, ndërsa vëllai i saj Clayson Kabetaj rrëmbeu titullin Kampion Kombëtar Junior, duke e kthyer këtë garë në një triumf familjar të rrallë.

Motër e vëlla, në kategori të ndara, por me të njëjtin pasion dhe përkushtim, Nelia dhe Clayson shkëlqyen në një garë të vështirë, të zhvilluar në kushte atmosferike sfiduese. “Këtë garë e ndava me vëllain tim. Jemi në kategori të ndryshme, por emocioni është i njëjtë”, u shpreh Nelia, e cila për herë të tretë shpallet kampione në garat kombëtare të cyclo-cross-it.

Për Neliën, ky titull nuk është thjesht një medalje më shumë, por një gur themeli në karrierën e saj sportive. Ajo e ka zbuluar pasionin për çiklizmin që në moshën 10-vjeçare dhe sot renditet mes emrave më premtues të sportit shqiptar. Kampione e Toskanës, kampione Ballkanike dhe pjesëmarrëse në kampionate botërore, Nelia frymëzimin e gjen nga babai, Valentin Kabetaj, ish-gjimnast, i cili për shkak të një dëmtimi nuk arriti ta vijonte karrierën sportive, por ia ka kushtuar gjithë energjinë fëmijëve të tij. “Kam dashur të jem si babai im, që dikur është marrë me sport. Ai na e ka ushqyer këtë dashuri çdo ditë”, tregon Nelia.
Sukseset e saj janë vlerësuar edhe në nivel kombëtar: Nelia Kabetaj është nderuar me çmimin “Yjet e Sportit 2024” nga Kryeministri Edi Rama.

Arratisja e Altin Ndocit, dyshohet se ndodhet në Tiranë/ Policia “mësyn” në banesën e tij në Yzberisht

By: Rovena
14 January 2026 at 11:01

Policia ka filluar kontrollet në disa zona të kryeqytetit, si në Astir, Don Bosko, Yzberisht dhe Selitë, pasi dyshohet se i arratisuri dje, Altin Ndoci ndodhet në Tiranës.

Kontrolle janë bërë dhe në banesën e tij në Yzberisht, ndërkohë që familjarët janë shprehur se nuk kanë dijeni për vendodhjen e tij. Si rrugë lidhëse me Durrësin, kontrolle janë kryer edhe në rrugën e Ndroqit.

Altin Ndoci, i paraburgosur për një sërë veprash të rënda penale përshpejtoi lirimin e tij këtë të martë. Ai arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut. Ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit./abcnews.al

Rrëshqitjet e tokës, kërcënim për banorët/ Masive dherash pranë shtëpive në fshatin Cernaleve të Kukësit

By: Rovena
14 January 2026 at 10:47

Disa familje të fshatit Cernaleve të cilat jetojnë poshtë rrugës për në fshatin Borje rrezikohen nga shkarjet masive të dherave dhe trupit të rrugës si pasojë e prurjeve të shumta të ujit nga reshjet e shiut dhe dëborës.

Situata është problematike pasi një sasi e madhe dherash po i afrohen tre shtëpive. Banorët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në këtë situate tejet problematike dhe kërcënim serioz për shtëpitë dhe jetën e tyre.

Për sa i përket situatës në tërësi në qarkun e Kukësit ka një përmirësim te dukshëm. Nga ana e bashkive Kukës, Has e Tropojë po punohet për riparimin e dëme  të shkaktuara ne tre ura dhe katër akse rrugore në njësitë administrative Zapod, Shishtavec, Topojan e Bushtricë.

Arratisja spektakolare e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, 8 të arrestuar

By: Rovena
14 January 2026 at 09:54

Task Forca e Prokurorisë së Durrësit ka arrestuar 8 persona, të cilët dyshohet të kenë lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, paraditen e djeshme, 13 janar.

Altin Ndoci, i paraburgosur për një sërë veprash të rënda penale përshpejtoi lirimin e tij këtë të martë. Ai arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut. Ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit./abcnews.al

3 vjedhje në dy javë/ Arrestohen tre “skifterët” në Tiranë, në një banesë, vodhën 14 mijë euro

By: Rovena
14 January 2026 at 09:52

Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që kryente vjedhje në banesa. Janë arrestuar 3 pjesëtarët e grupit.  Të tre, të dënuar më parë, për të njëjtin krim.

Zbardhen 3 vjedhje të kryera nga ky grup, gjatë muajit janar. Njëra prej vjedhjeve u krye dje, ndërsa në njërën prej banesave, u vodhën 14 000 euro dhe sende me vlerë.

Pjesëtarët e grupit fillimisht fotografonin bravat e dyerve të banesave. Më pas, pamjet studioheshin nga pjesëtarët e grupit, për të zbërthyer mekanizmin dhe për të mundësuar hapjen, me çelës universal

Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3 finalizuan operacionin e koduar “Strategjia”, në kuadër të të cilit u lokalizuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit A. M., 36 vjeç, S. T., 35 vjeç dhe G. K., 38 vjeç.

Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Princi iranian u bën thirrje SHBA-ve për veprim në Iran

By: Rovena
14 January 2026 at 09:41

Reza Pahlavi, djali i fundit i shahut (Mbretit) të Iranit dhe një prej kritikëve të regjimit aktual, tha se forcat opozitare janë gati të veprojnë nëse bie regjimi klerikal në Iran, duke ftuar ligjvënësit amerikanë të mbështesin masa që fuqizojnë popullin iranian.

Ai shpjegoi se brenda Iranit ekziston një strukturë që mund të punojë bashkë me partnerët e jashtëm në një proces tranzicioni dhe se është thelbësore të mbrohet identiteti i këtyre grupeve për të mos rënë në rrezik para kohe.

Pahlavi theksoi se sapo ky regjimi të bjerë, këto forca brenda vendit mund të aktivizohen menjëherë për tranzicionin e pushtetit.

Ai gjithashtu tha se ka ardhur momenti për veprime konkrete dhe u bëri thirrje organeve legjislative që të mbështesin çdo gjë që fuqizon popullin.

Princi theksoi se qytetarët iranianë janë të lodhur nga represioni dhe kërkojnë lirinë, ndërsa reagimi i regjimit ka qenë shumë brutal. Pahlavi tha se nuk duhet të negociohet apo të qetësohet regjimi që për dekada ka shtypur popullin.

Ndryshe, portali amerikan Axios raportoi se i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, është takuar gjatë fundjavës me Pahlavin për të diskutuar protestat që po tronditin Iranin. Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi të martën se ka anuluar bisedimet me zyrtarët iranianë mes shtypjes së protestave, duke u dërguar një mesazh qytetarëve të Iranit se “ndihma është në rrugë”.

Grupi për të drejtat e njeriut: Të paktën 2.403 të vdekur në protestat në Iran

By: Rovena
14 January 2026 at 09:27

Numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2.403, njoftoi HRANA, grupi për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Ky numër po vazhdon të rritet sepse udhëheqësit klerikë të Republikës Islamike po bëjnë përpjekje për ta shtypur valën më të madhe të protestave antiqeveritare ndër vite, duke nxitur kërcënime për ndërhyrje nga SHBA-ja.

Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje iranianëve t’i vazhdojnë protestat, duke iu premtuar se do t’iu dalë në ndihmë.

HRANA tha të mërkurën vonë se deri më tani e ka verifikuar vdekjet e 2.403 protestuesve, 147 individëve të lidhur me Qeverinë, 12 personave nën moshën 18-vjeçare dhe nëntë civilëve që nuk kanë marrë pjesë në protesta.

Një zyrtar iranian tha të martën se rreth 2.000 njerëz janë vrarë. Kjo ishte hera e parë që autoritetet japin një shifër të përgjithshme të viktimave nga trazira mbarëkombëtare mbi dyjavore.

“Ndihma po vjen”

I pyetur se çfarë nënkuptonte kur tha se “ndihma po vjen”, Trump u tha gazetarëve se ata do të duhej ta kuptonin vetë.

Trump ka deklaruar se veprimi ushtarak është ndër mundësitë që është duke i shqyrtuar për ta ndëshkuar Iranin për shtypjen e protestave.

Në një intervistë për CBS Neës, Trump tha se SHBA-ja do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” në Iran, nëse regjimi fillon t’i varë protestuesit.

“Nuk duam që ajo që po ndodh në Iran të vazhdojë”, tha ai. “Nuk do të përfundojë mirë”.

Ai shtoi se administrata po pret një konfirmim zyrtar të numrit të protestuesve të vrarë nga forcat iraniane të sigurisë.

Trump shpalli tarifa importi prej 25 për qind për produktet nga çdo vend që bën tregti me Iranin – i cili është eksportues i madh i naftës.

Kina, e cila blen pjesën më të madhe të eksporteve të naftës së Iranit, e kritikoi menjëherë këtë veprim.

Në një bisedë telefonike të shtunën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, sipas një burimi izraelit të pranishëm në bisedë.

Irani u zotua se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi duke goditur Izraelin dhe bazat e anijet amerikane.

Trazirat, të nxitura nga kushtet e rënda ekonomike, kanë paraqitur sfidën më të madhe të brendshme për udhëheqësit iranianë për të paktën tre vjet dhe kanë ndodhur në një kohë presioni ndërkombëtar në rritje ndaj Iranit për programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike.

Presidenti i Polonisë: Vetëm Donald Trump mund ta ndalë Putinin të kërcënojë Europën

By: Rovena
14 January 2026 at 09:01

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, shprehet se Donald Trump është i vetmi lider botëror që mund ta ndalë Vladimir Putinin të kërcënojë Europën dhe të kontribuojë në përfundimin e luftës në Ukrainë. Sipas tij, Rusia nuk është e besueshme dhe përbën një kërcënim serioz për Poloninë, Europën Qendrore dhe Lindore, duke testuar vazhdimisht mbrojtjen e NATO-s përmes sulmeve me dronë, dezinformimit dhe veprimeve në të ashtuquajturën “zonë gri”.

Nawrocki thekson se Polonia ndodhet në një gjendje lufte hibride me Rusinë që prej vitit 2021 dhe përmend si shembull inkursionin masiv të dronëve rusë në territorin polak. Ai falënderon Britaninë për mbështetjen ushtarake dhe për dislokimin e avionëve luftarakë në mbrojtje të kufijve polakë.

Presidenti polak nënvizon se Shtetet e Bashkuara mbeten garantuesi kryesor i sigurisë europiane dhe paralajmëron se një shkëputje e Europës nga SHBA-ja do të dëmtonte sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Bashkimit Europian. Ai kritikon disa liderë europianë për fokusin në çështje ideologjike, si politika klimatike dhe migracioni, në vend që të forcojnë sigurinë e kontinentit, duke theksuar se Polonia po shpenzon gati 5% të PBB-së për mbrojtjen.

Qarku i Shkodrës drejt përmirësimit/ Përmbytjet, në Obot ka rënie të nivelit të ujit

By: Rovena
14 January 2026 at 08:51

Nga monitorimi i vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet më e përmirësuar krahasuar me ditën e djeshme, me ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura.

Në zonën Obot, është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 90 cm, nga 100 cm që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 cm. Aksi vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturave mbështetëse qëndrojnë edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për çdo nevojë dhe për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Varkat janë prezente edhe sot në terren, për të garantuar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje.

Në Obot ka banesa me prezencë uji në oborre, ndërsa deri në këto momente nuk ka raportime për prezencë uji në brendësi të banesave.

Në Njësinë Administrative Dajç, në zonën Urrelat – Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Vijon të ketë prezencë uji në kanalet kulluese të tokave bujqësore, por pa depërtim në banesa.

Sipërfaqja e tokës bujqësore me prezencë uji (ha):

Dajç: 80 ha

Velipojë: 100 ha

Ana e Malit: 530 ha

Bërdicë: 50 ha

Totali: 760 ha

Situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse.

SHBA miraton shitjen e çipave me inteligjencë artificiale të Nvidia-s në Kinë

By: Rovena
14 January 2026 at 08:40

Shtetet e Bashkuara kanë lejuar kompaninë Nvidia të rifillojë shitjen e disa prej çipave të saj të avancuar të inteligjencës artificiale (IA) në Kinë, njoftoi të martën Departamenti amerikan i Tregtisë.

Vendimi përfshin çipin H200, gjysmëpërçuesin e dytë më të avancuar të Nvidia-s, i cili më parë ishte kufizuar për shkak të shqetësimeve se mund t’i jepte Kinës avantazh teknologjik dhe ushtarak ndaj SHBA-së. Sipas autoriteteve amerikane, eksportet do të lejohen vetëm nëse ka furnizim të mjaftueshëm të çipave në tregun amerikan.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se shitjet do të lejohen vetëm për “klientë të miratuar” në Kinë dhe do të shoqërohen me një tarifë prej 25%. Nvidia e ka përshëndetur vendimin, duke thënë se ai do të ndikojë pozitivisht në prodhimin dhe punësimin në SHBA.

Departamenti i Tregtisë sqaroi se klientët kinezë duhet të përmbushin standarde të rrepta sigurie dhe se çipat nuk mund të përdoren për qëllime ushtarake. Ndërkohë, çipi më i avancuar i kompanisë, Blackwell, mbetet i ndaluar për shitje në Kinë.

Pekini reagoi duke kundërshtuar atë që e cilëson si “politizim të teknologjisë dhe tregtisë”. Zëdhënësi i ambasadës kineze në SHBA, Liu Pengyu, tha se kufizimet dëmtojnë stabilitetin e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe nuk i shërbejnë interesave të përbashkëta.

Nvidia ndodhet në qendër të rivalitetit gjeopolitik mes SHBA-së dhe Kinës në garën globale për inteligjencën artificiale. Analistët vlerësojnë se, pavarësisht shqetësimeve për varësinë nga teknologjia amerikane, kompanitë kineze do të kërkojnë çipat H200 deri sa alternativat vendase të bëhen më konkurruese.

❌
❌