Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar qysh nga ora 12:00 numërimin e votave për kandidatë për deputetë.
Kur janë numëruar mbi 8 për qind e votave, në listën e PDK-së befason Arian Tahiri i cili po radhitet i dyti pas Bedri Hamzës, me plot 6235 vota, derisa i pari i PDK-së ka 12,584 vota.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se është ekzekutuar pagesa e shtesës së njëhershme prej 100 eurosh për kategori të ndryshme përfituesish.
Sipas Muratit, transferimi është realizuar sot, ashtu siç kishte paralajmëruar kryeministri Albin Kurti javën e kaluar. Shtesa prej 100 eurosh përfshin fëmijët e moshës 0–16 vjeç, si dhe përfituesit e pensioneve bazike dhe kontributive, kategoritë e dala nga lufta, personat me aftësi të kufizuara dhe përfitues të skemave të tjera sociale, sipas kritereve të përcaktuara me vendim qeveritar.
Ai theksoi se, varësisht nga banka ku përfituesit kanë llogaritë e tyre, mjetet financiare do të reflektohen në orët në vijim.
Në fund të njoftimit, Murati ka uruar qytetarët me rastin e ndërrimit të viteve, duke përcjellë mesazhin: “Gëzuar Vitin e Ri!”.
Hysni Ymeri është personi, i cili humbi jetën si pasojë e një shpërthimi të ndodhur në zonën e Perashit në Shkodër.
Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Burime zyrtare nga OSHEE bëjnë me dije se, sipas verifikimeve paraprake, shpërthimi nuk dyshohet të ketë ardhur nga energjia elektrike, duke argumentuar se fuqia e shpërthimit ka qenë shumë e madhe, ndërkohë që në vendin ku ndodhi eksplozioni ndodhej një panel me mates elektrik me tension deri në 400 volt që teorikisht dhe teknikisht sipas OSHEE është e pamundur që të sjellin atë shpërthim aq të fuqishëm.
Ndërkohë, grupi i antiterrorit, i cili erdhi nga Tirana ka kryer kqyrjen e vendngjarjes dhe nuk ka konstatuar me sy të lirë mbetje të lëndëve eksplozive, por ka mbledhur materialet të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike. Analiza kimike është ajo që do ta përcaktojë nëse ka patur apo jo tritol.
Nga ana tjetër ekspertiza mjeko ligjore në spitalin e Shkodrës pas kqyrjes së trupit të viktimës e ka përcaktuar humbjen e jetës të 67-vjeçarit për shkak të energjisë elektrike.
Sipas këtij raporti, viktima ka të dëmtuar dorën e djathtë nga kontakti me korrentin si dhe ka dëmtime në koka nga djegia ndërsa në trup është i padëmtuar. Fakti që ka dorën e djathtë të nxirë nga energjia elektrike dhe jo të majtën e cila ishte në anën e panelit elektrik kur tentoi të ngjitej në pallat, ka bindur grupin mjeko ligjor që ta përcaktojnë vdekjen nga kontakti me korrentin duke shtuar edhe djegien nga flakët në kokë.
Djali i viktimës, Alban Ymeri deklaroi për policinë se nuk kanë probleme me askënd dhe se nuk kanë patur kërcënime.
Gjithsesi hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë deri në përfundimin e ekspertizës së plotë. Analiza kimike do të jetë ajo që do vulosë nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo kriminale.
Por kush është viktima Hysni Ymeri?
67-vjeçari është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër.
Në fillim vitet ’90 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i viktimës që humbi jetën sot.Pas asaj ngjarje autori është arrestuar nga policia e cila e zbardhi atë vrasje dhe është dënuar nga gjykata.
Ndërkohë disa vite më pas sipas burimeve dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit.
Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës pas disa deklaratsve që bëri disa ditë përpara asaj ngjarje.
Djali i Hysni Ymerit i cili jeton jashtë Shqipërisë ka ardhur me 25 dhjetor për shkak se nëna e tij vuan nga kanceri dhe mjekët nuk i kanë dhënë shumë kohë për jetën nënës. Edhe sot përpara ngjarjes, ai ndodhej në spital me nënën.
67 vjeçari pasi ka pirë një kafe si çdo ditë me shokët e lagjes është çuar nga lokali për të shkuar në shtëpi dhe më pas në spital tek bashkëshortja por sapo është futur brenda hyrjes së pallatit në katin e parë ndodhi shpërthimi i fuqishëm. Hysni Ymeri deri në spital ka shkuar gjallë ndërsa për pak minuta ndërroi jetë si shkak i plagëve të rënda në kokë.
Disa vite më parë djali i xhaxhait i Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten.
Ndërkohë një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër pas një konflikti pronësie. Autori arriti t’i shpëtojë policisë dhe dyshohet se ndodhet jashtë Shqipërisë prej asaj kohe.
Policia po pret vendimin final të antiterrorit nëse ka patur apo jo shpërthim me tritol për t’i dhënë më pas orientimin e duhur hetimeve dhe për ta ndarë nëse është kriminale apo aksidentale.
Mediat gjermane i kushtojnë vëmendje zgjedhjeve në Kosovë dhe fitores së Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, duke theksuar, se rriten shpresat për fundin e bllokadës disamujore politike në Kosovë.
Në një analizë të portalit gjerman, "tagesschau" me titullin "Kurti triumfon qartë" theksohet se partia e Albin Kurtit fiton para së gjithash falë të ardhurve nga diaspora. "Vërtet pati një rritje çuditërisht të madhe të votave për partinë e Kurtit: ajo arriti 42 përqind në zgjedhjet parlamentare në shkurt dhe tani qëndron në rreth 50 përqind. Kjo do të thotë që kriza qeveritare, e cila ka zgjatur për më shumë se dhjetë muaj, mund të jetë duke marrë fund. Me këtë rezultat, Kurti nuk varet më nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, tre partitë kryesore opozitare nga spektri liberal deri te ai i qendrës së djathtë." Por Kurti nuk qeveris dot i vetëm, por ka nevojë për votat e pakicave", thekson tagesschau.
Revista e njohur gjermane "Der Spiegel" shkruan se në Kosovë duket se tani mund të marrë fund bllokada politike. Në Prishtinë po festohet, shkruan "Der Spiegel", dhe kryeministri Kurti e ka zgjeruar mazhorancën duket marrë 56 nga 120 deputetë. "Kurti po përpiqet të zvogëlojë ndikimin serb në Kosovë, gjë që pritet me miratim nga shumë shqiptarë të Kosovës, por në të njëjtën kohë përkeqëson tensionet me Beogradin."
"Süddeutsche Zeitung" në artikullin "Nacionalisti Kurti fiton zgjedhjet në Kosovë" shkruhet se kryeministri reformist i majtë siguroi shumicën dhe me ndihmën e minoriteteve mund të krijojë qeverinë. Gazeta gjermane thekson, se "nëse formimi i një qeverie do të jetë i pamundur përsëri, kriza politike do të përshkallëzohet në një pikë kritike. Parlamenti duhet të zgjedhë një president të ri në prill dhe të ratifikojë marrëveshjet e kredisë me BE-në dhe Bankën Botërore me një vlerë totale prej një miliard eurosh, të cilat skadojnë në muajt në vijim. Partitë opozitare refuzojnë një koalicion me Kurtin, duke kritikuar marrëdhëniet e tij me aleatët perëndimorë dhe qasjen e tij ndaj pakicës serbe në veri të vendit.
Edhe "Frankfurter Rundschau" i kushton vëmendje zgjedhjeve në Kosovë. "Sipas disa komentuesve, rezultati i fortë i VV-së mund të shpjegohet, pjesërisht, nga potenciali i saj për mobilizimin e elektoratit. Edhe data e zgjedhjeve ka të ngjarë të ketë luajtur një rol: midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, shumë kosovarë që jetojnë jashtë vendit vizitojnë atdheun e tyre, përfshirë njerëz nga Gjermania. VV është veçanërisht popullore në mesin e këtij grupi votuesish.
"Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan, se siç pritej kryeministri Kurti i fitoi zgjedhjet në Kosovë. Por habi shkaktoi forcimi i rezultatit. Po merr fund bllokada politike në vendin e vogël ballkanik, pyet FAZ? "Ndërsa kritikët e akuzojnë VV-në për mungesë gatishmërie për kompromis, Kurti theksoi natën e zgjedhjeve se donte të bashkëpunonte më ngushtë me opozitën në të ardhmen, pasi disa vendime në parlament kërkonin një shumicë prej dy të tretash." Me këtë shtohet shpresa, se vendi do të dalë nga situata e patit politik, shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung"./Deutsche Welle
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në sheshin e Prishtinës për të festuar fitoren e LVV-së në zgjedhjet e 18 dhjetorit, duke e cilësuar atë si një fitore historike.
Para mbështetësve të shumtë, Kurti ka falënderuar qytetarët për përkrahjen, angazhimin dhe kontributin e dhënë në fitoren e partisë së tij, duke theksuar se kjo fitore nuk i takon vetëm LVV-së, por të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Kjo fitore është e të gjithë juve,” ka deklaruar Kurti, duke u zotuar se të gjitha zotimet elektorale do të përmbushen një nga një.
Ai ka theksuar se në këto zgjedhje ka fituar populli dhe Republika, ndërsa suksesin e ka atribuar vizionit dhe programit të LVV-së, si dhe punës së bërë gjatë mandatit të kaluar.
“Kësaj radhe ka fituar populli dhe Republika. Ajo që e bëri të mundur fitoren është vizioni dhe programi ynë, punët e mbara dhe të kryera në këtë pesëvjeçar dhe zotimet e reja që do t’i përmbushim të gjitha,” ka thënë Kurti.
Kurti ka kujtuar edhe fitoren e 9 shkurtit, duke theksuar dallimin mes dy proceseve zgjedhore. Sipas tij, kësaj here fitorja është edhe më përfshirëse dhe përfaqësuese.
“Më 9 shkurt fitoi VV-ja bashkë me partnerët, kësaj radhe fitoi populli dhe Republika,” është shprehur ai.
Në fund të fjalimit, Kurti ka theksuar se LVV nuk do të lëshojë pe në realizimin e vizionit të saj qeverisës.
“Nuk lëshojmë pe, jo për inat të dikujt, por për shkak se gjithë juve ju duam fort,” ka deklaruar Kurti, ndërsa ka shtuar se “sonte të gjithë kremtojmë numrin që është fitimtar”.
Festa në rrugën “Garibaldi” u shoqërua me brohoritje dhe atmosferë festive nga simpatizantët e LVV-së.
Rreth 99 për qind e votave nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë tashmë janë numëruar, ndërsa renditja e partive politike ka mbetur e njëjtë si në zgjedhjet e fundit, por diferencat mes tyre kanë ndryshuar ndjeshëm.
Sipas të dhënave preliminare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shënuar rritje të madhe, duke u rritur për mbi 7 për qind krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025.
Zgjedhjet e shkurtit
Nga 42.3 për qind sa kishte në shkurt, LVV tani ka arritur në 49.47 për qind në zgjedhjet e dhjetorit 2025.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka regjistruar një ngritje të lehtë, duke kaluar nga 20.95 për qind në 21.08 për qind, duke ruajtur pozitën e dytë.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka pësuar rënie të dukshme, prej gati 5 për qind, duke zbritur nga 18.27 për qind në 13.63 për qind.
Zgjedhjet e dhjetorit
Rënie ka shënuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila nga 7.06 për qind në zgjedhjet e fundit parlamentare ka rënë në 5.70 për qind.
Sa i përket subjekteve nga komuniteti serb, Lista Serbe ka pasur një rritje të lehtë, duke kaluar nga 4.26 për qind në 4.45 për qind.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka dalë në konferencë për shtyp pas fitores së LVV-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke e cilësuar rezultatin si historik dhe duke ftuar partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvendin e Kosovës.
Kurti ka deklaruar se kjo është fitorja më e madhe në historinë e vendit, duke theksuar se rezultatet preliminare tregojnë se ajo mund të tejkalojë edhe fitoren e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Më 28 dhjetor 2025 fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Kjo është fitorja më e madhe në historinë e vendit. Rezultati na tregon qartë se duhet të ecim përpara pa vonesa, të krijojmë institucionet sa më shpejt dhe të vazhdojmë punën e mirë dhe projektet e metejshme”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak, veçanërisht për miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe ligjeve ndërkombëtare, duke theksuar rolin e Kuvendit në funksionimin institucional të vendit.
"Ftoj partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve”, tha Kurti.
Kurti ka ftuar partitë opozitare që të kontribuojnë në Kuvendin e Kosovës për kalimin e ligjeve kyçe, duke theksuar se proceset e rëndësishme shtetërore kërkojnë dialog dhe përgjegjësi të përbashkët.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se merr përgjegjësinë për rezultatin e dobët të arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Abdixhiku ka deklaruar se rezultati zgjedhor nuk ka qenë i pritshëm, duke theksuar se situata kërkon reflektim të thellë brenda partisë.
“Ne duhet të respektojmë verdiktin e popullit. Nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë. Kam ndërtuar ekip me njerëzit më të mirë dhe kemi bërë program, por ky është verdikti i qytetarëve dhe para këtij verdikti përulemi të gjithë".
Ai ka shtuar se mban përgjegjësi të plotë për rezultatin e zgjedhjeve dhe se do t’i thërrasë organet e LDK-së për të diskutuar hapat e mëtejmë.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar".
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka thënë Abdixhiku”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se çështja e dorëheqjes së tij do të diskutohet edhe në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së.
“Në Kuvendin e Përgjithshëm edhe dorëheqja do të vihet në diskutim”, ka theksuar Abdixhiku./Telegrafi/
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë parti e parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare edhe në pjesën dërrmuese të komunave me shumicë shqiptare në Kosovë, sipas të dhënave preliminare.
LVV nuk ka arritur të renditet e para vetëm në Skenderaj, Drenas, komuna ku kryeson PDK, dhe Deçan ku AAK ka dalë e para, ndërsa në të gjitha komunat e tjera shqiptare ka siguruar epërsinë ndaj partive rivale.
LDK ka humbur në të gjitha komunat.
Si parti e parë, LVV ka dalë në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri, Fushë Kosovë, Suharekë, Rahovec, Lipjan, Klinë, Malishevë, Shtime, Istog, Dragash, Obiliq, Viti, Kaçanik, Kamenicë, Hani i Elezit dhe Junik.
Ndërkohë, Lista Serbe ka dalë parti e parë në të gjitha komunat me shumicë serbe, duke ruajtur dominimin tradicional në këto zona.
Në komunën e Mamushës, sipas rezultateve preliminare, kryeson KDTP.
Këto rezultate dëshmojnë një mbështetje të gjerë për LVV-në në nivel vendi, ndërsa pritet që rezultatet përfundimtare të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore./Telegrafi/
Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) ka publikuar sonte rezultatet preliminare nga vëzhgimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2024 dhe 9 shkurt 2025, duke paraqitur përqindjet e subjekteve politike sipas numërimit paralel.
Sipas të dhënave të DnV-së, renditja e subjekteve politike është si vijon:
LVV: 47.91%
PDK: 21.08%
LDK: 13.36%
AAK: 5.62%
SL: 5.5%
NISMA: 1.88%
Demokracia në Veprim ka sqaruar se këto janë rezultate preliminare, të cilat nuk përfshijnë votat nga diaspora dhe votat me kusht. Po ashtu, është theksuar se pragu zgjedhor prej 5% aplikohet për subjektet politike që garojnë për vendet jo të rezervuara në Kuvend.
Sipas DnV-së, në këtë proces zgjedhor kanë pasur të drejtë vote 1,999,204 qytetarë, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore.
DnV ka vlerësuar procesin zgjedhor si përgjithësisht të qetë dhe ka bërë thirrje që institucionet përkatëse të përmbyllin me transparencë fazat e mbetura të numërimit dhe certifikimit të rezultateve./Telegrafi/
Policia e Kosovës ka vlerësuar se procesi zgjedhor i ditës së sotme, në kuadër të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze në aspektin e sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, aktivitetet policore për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë realizuar në përputhje të plotë me planifikimet operative të parapara. Zbatimi i planit policor, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional, kanë ndikuar pozitivisht që procesi i votimit të zhvillohet pa pengesa apo cenime serioze.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një nga qëllimet kryesore të planit operativ ka qenë garantimi i një ambienti të qetë për votim, si dhe inicimi dhe procedimi i çdo vepre të mundshme penale në koordinim me organet e drejtësisë, përfshirë dërgimin para drejtësisë të të gjithë atyre që cenojnë procesin zgjedhor.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, gjatë ditës së sotme janë iniciuar pesë raste penale, të cilat lidhen me veprat: cenimi i fshehtësisë së votimit, cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, pengimi i procesit të votimit dhe asgjësimi i dokumenteve të votimit. Personat e përfshirë në këto raste, me vendim të prokurorëve kompetentë, janë liruar në procedurë të rregullt.
Gjithashtu, Policia ka trajtuar 30 informata, ndërsa në pesë raste është vepruar me shënim zyrtar. Paralelisht, në koordinim me organet e drejtësisë, janë trajtuar edhe raste të tjera që nuk ndërlidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor.
Policia e Kosovës ka theksuar se ka trajtuar çdo informacion që ka pasur lidhje me zgjedhjet, duke vepruar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Në fund, institucionet policore kanë falënderuar qytetarët e Republikës së Kosovës për kulturën e lartë qytetare dhe bashkëpunimin e treguar, që ka kontribuar në zhvillimin e suksesshëm dhe të qetë të procesit zgjedhor./Telegrafi/
Valon Feka nga UBO-Consulting ka bërë të ditur se pjesëmarrja e diasporës ka dhënë një ndikim të madh në rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
UBO Consulting ka publikuar detajet e EXIT POLL-it, të prezantuara në RTV Dukagjini, ku paraqiten të dhëna të votimit nga qytetarët rezidentë që jetojnë në Kosovë dhe ata që kanë ardhur nga diaspora.
Sipas exit-poll-it, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar tri mandate shtesë falë votës së diasporës, ku 61,7% e qytetarëve nga jashtë Kosovës të anketuar kanë votuar për këtë parti.
Feka theksoi se për herë të parë është regjistruar një numër kaq i madh i votuesve nga diaspora, të cilët përbëjnë rreth 15,5% të të anketuarve.
Lëvizja Vetëvendosje (VV) kryeson bindshëm si brenda Kosovës ashtu edhe në diasporë. Në Kosovë (pa diasporën), VV ka marrë 43.5% të votave, ndërsa në diasporë përqindja e saj arrin në 61.7%, duke shënuar një mbështetje dukshëm më të lartë nga mërgata.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.9% në Kosovë dhe 18.6% në diasporë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 16.7% të votave në Kosovë dhe 10.3% në diasporë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shënon rezultate të ngjashme në të dyja rastet, me 5.4% në Kosovë dhe 5.1% në diasporë, ndërsa Nisma Socialdemokrate mbetet nën 2%, përkatësisht 1.8% në Kosovë dhe 1.7% në diasporë.
Më pak se një orë nga mbyllja e vendvotimeve, po vërehet një interesim i shtuar i qytetarëve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë.
Sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), deri në orën 17:00 dalja në votime ka arritur në rreth 38.9%.
Për krahasim, në zgjedhjet e 9 shkurtit, dalja në votime në të njëjtin interval kohor kishte qenë përafërsisht e njëjtë, rreth 39%.
Rajonet me pjesëmarrjen më të lartë në votime janë komunat me shumicë serbe, me 47%, të pasuara nga rajoni i Prishtinës me 43% dalje në votime.
Sipas DnV, edhe gjatë pjesës së dytë të ditës janë raportuar raste të shumta kur votuesit kanë pasur vështirësi në gjetjen e vendvotimit të tyre përkatës.
Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto probleme janë evidentuar në 70% të vendvotimeve, ndërsa në 15% të tyre janë regjistruar deri në 30 raste të tilla.
Ndërkohë, komisionerët në 75% të vendvotimeve kanë vazhduar të kërkojnë dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Po ashtu, në 55% të vendvotimeve nuk është lejuar votimi me asistencë pa dokumente mjekësore, pavarësisht insistimit të votuesve.
Deri në orën 17:00, në 30% të vendvotimeve janë hasur raste të votimit me dokumente me afat të skaduar, deri në 5 raste. Gjithashtu, në 10% të vendvotimeve janë raportuar deri në 4 raste kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide.
Edhe pse në përmasa të vogla, fenomeni i fotografimit të votës, i cili cenon fshehtësinë e saj, vazhdon të shfaqet. Ky veprim dyshohet se lidhet me blerjen e votës, frikësimin e votuesve dhe shtrembërimin e vullnetit të tyre. Deri në orën 17:00 janë raportuar gjithsej 21 raste të izoluara të fotografimit të votës, të evidentuara në 3% të vendvotimeve.
Dy orë para përmbylljes së procesit të votimit, është raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra të votimit. Po ashtu, në një vendvotim është raportuar se kodet në fletëvotime nuk po përputhen.
Rreth dy milionë qytetarë të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se “përgatitjet janë përmbyllur që votimi të zhvillohet në 910 qendra gjithandej Kosovës”. Numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatet e para pritet të publikohen “para orës 20:00”.
Të drejtë vote kanë 1,999,024 persona. Një ditë para zgjedhjeve, KQZ njoftoi se “janë zhvilluar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit”.
“Gjatë ditës së shtunë është shpërndarë materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet nga depoja qendrore e KQZ-së për në qendrat komunale të numërimit, nga ku të dielën në mëngjes do të dërgohet në qendrat e votimit në më shumë se 900, të cilat do të hapen në orën 7:00 për qytetarët me të drejtë vote,” ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë do të ketë nga një qendër për votim me kusht.
“Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 910 qendra të votimit në 2,557 vendvotime. Pra, në to do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në çdo komunë do të kemi nga një qendër votimi me gjithsej 57 vendvotime ku do të mundësohet procesi i votimit me kusht,” ka bërë të ditur Elezi.
Numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të bëhet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën. Siguria e procesit do të monitorohet nga Policia e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit, ku janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.
Përveç organizatave joqeveritare dhe disa ndërkombëtare, vëzhgues i zgjedhjeve është edhe Këshilli i Evropës, me 23 vëzhgues të akredituar.
Policia ka njoftuar se ka hartuar planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të së dielës, në aspektin e sigurisë së procesit zgjedhor dhe koordinimit ndërinstitucional. Ajo inkurajon qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar ose veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.
Institucioni i Avokatit të Popullit gjithashtu do të vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ai do të monitorojë gjithashtu procesin e votimit në institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, në shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe në shtëpitë integruese në bashkësi.
Pas një takimi me KQZ-në, KEDS njoftoi se ka përmbyllur planin operativ për furnizim të pandërprerë me energji elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve. KEDS ka bërë të ditur se do të angazhohen gjithsej 1,049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe në mbarë vendin.
Kandidati për Kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku në Debat Plus të Dukagjinit ka thënë se nuk ofendon Kurtin e elektoratin e tij, sado që s’pajtohet me atë çfarë përfaqëson.
Madje sipas tij një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, është rrezik.
“Unë nuk e ofendoj as Kurtin as elektoratin e tij.Mund të mos pajtohem me atë çfarë përfaqëson".
"Një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, ai kërcënon më shumë se sa vetëm fjalë, është e rrezikshme. Turmat janë të rrezikshme. Ata kanë rrënuar çdo urë të komunikimit me ne. Ne kemi qenë korrekt me ta, ata kanë ofenduar dhe propaganduar. Në anën tjetër besoj që mirë që e kanë kuptuar se gjuha duhet të ndërrohet”, tha Abdixhiku.
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQShA) ka publikuar një deklaratë publike përmes së cilës shpreh shqetësim për zhvillimet e fundit politike dhe diplomatike që lidhen me Kosovën, duke theksuar nevojën për qartësi morale dhe mbrojtje të interesit kombëtar.
Në deklaratë thuhet se, ndërsa mbështetja evropiane për qeverinë e Serbisë dhe njohja evropiane e Kosovës si forcë pro-perëndimore dhe pro-amerikane në Ballkan po zbehet, brenda Kosovës po vërehet një kthim prapa i kësaj vale mbështetëse.
LQShA vlerëson se kjo është koha që Kosova të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj rolit historik që shqiptarët kanë luajtur ndër shekuj, duke jetuar në harmoni si shqiptarë dhe si besimtarë të feve të ndryshme – katolikë, myslimanë, ortodoksë, hebrenj dhe laikë – si vlerë themelore e shoqërisë kosovare.
Organizata u bën thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që interesin kombëtar ta vendosin mbi interesat partiake, duke mbrojtur sovranitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Po ashtu, LQShA u bën thirrje diplomatëve amerikanë dhe evropianë që të mos ndërhyjnë në zgjedhjet e Kosovës dhe të mos mbajnë anë në procesin zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.
Në deklaratë kërkohet edhe nga Komisionet për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së që të mbështesin arritjet e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, veçanërisht në zbatimin e ligjit dhe rendit në veri të vendit, si dhe në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
LQShA shprehet kundër krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa njohjen paraprake të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, duke e cilësuar këtë si të papranueshme për shtetësinë e vendit.
Deklarata është nënshkruar në emër të Bordit të LQShA-së nga Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare për Çështjet e Ballkanit, dhe Joe DioGuardi, president i organizatës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar deklaratat e liderëve të Vetëvendosjes për gjuhën ndaj partisë që drejton.
Ai ka thënë se nuk ia fal Albin Kurtit kur doli në foltore e tha që LDK-në po e do Serbia.
“Këta kanë kërku 500 mijë vota, nuk kanë lyp partner. Nuk kërkon partner në studio, ndërton partneritet, respekt ndaj votuesit. Momentin që Kurti del në foltore e i drejtohet LDK-së juve po iu do Serbia, ka rrënu secilën urë bashkëpunimi. Pa qartësim të kësaj, nuk mundet me iu afru LDK-së".
"Kemi qenë shumë korrekt. LDK-ja në EPP ka mbajt prezencë solide, kemi ofruar resolute për liberalizim të vizave. Sa herë që ka pasur nevojë kemi ofru komunikim. Nuk i bëjmë publike, janë tema me interes publik. Në momente shumë të vështira, LDK i ka thënë atij jemi në tërësi të përbashkët, për interesa e qëllime. Kemi folur për aleatë e aleanca. Nuk e kemi prit që ai ndërton gjuhë kundër LDK-së”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.