TIRANË– Bankat po tregohen më konservatore në dhënien e kredive për banesa. Sipas vrojtimit të bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë të vitit të kaluar shtrënguan kriteret e dhënies së huave për blerjen e shtëpive.
Ndërkohë, u treguan me dorëlëshuar për bizneset pasi standardet e kreditimit për këtë segmente ishin më të lehtësuara.
Ekspertja për ekonominë, Romina Radonshiqi e ftuar në “Money Report”, thotë se kufizimet kanë ardhur pas “kritikave” të bërë nga ana e Bankës së Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë, në lidhje me kreditë, që këto të fundit kanë lëvruar në sektorin e patundshmërisë.
Kjo masë e tyre shtoi ajo ka ardhur si domosdoshmëri për të ulur riskun e mundshëm në këtë sektor. Ajo theksoi se ndryshe nga patundshmëria, niveli i kreditimit është rritur për bizneset e vogla dhe të mesme pasi vetë bankat e kanë konsideruar sektorin më produktiv.
“Dhënia e huave për banesa ka qenë një kritikë edhe nga Banka e Shqipërisë, duke u kërkuar të menaxhojnë riskun, që kreditë të mos i çojnë vetëm në pasuri të patundshme, por t’i diversifikojnë ato. Bankat janë treguar më liberale me biznesin, pasi u kanë dhënë mundësi bizneseve të vogla dhe të mesme.
Kemi një rritje të kreditimit për individin për konsum. Banka e Shqipërisë ka bërë mirë që ka vënë disa kufizime dhe kjo është pozitive”, tha ajo.
E pyetur se cila është prirja e kreditimit për këtë vit, ekspertja thotë se më i privilegjuar është biznesi se sa sa kredi për banesa.
Mendoj se do këtë një tkurrje të kreditim në pasuri të patundshme, por nga ana tjetër pritet të ketë liberalizim për bizneset e vogla dhe të mesme. Bizneset kanë nevojë për likuiditet për t’u rritur. Në sektorin e turizmit nevoja dhe kërkesa është e madhe. Për sa kohë banka është në krahun e biznesit për të financuar këtë sektor, situata mbetet pozitive”, tha ajo./abcnews.al
MADRID- Çelet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Madrid. Në këtë panair, Shqipëria sipas kryeministrit Edi Rama prezantohet me stendën e saj me ofertën turistike, duke e kthyer vendin në një zgjedhje të turizmit gjithëvjetor dhe gjithëpërfshirës.
“Çelet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Madrid, ku Shqipëria prezantohet me stendën e saj përmes përvojave autentike, duke u pozicionuar si një destinacion gjithëvjetor dhe gjithëpërfshirës”, shkruan Rama.
Franca po kërkon manovra të të NATO-s në Groenlandë dhe është e gatshme të marrë pjesë në një veprim të tillë, thanë sot burime nga presidenca.
Sipas tyre, një manovër e NATO-s është e nevojshme, pasi siguria e rajonit të Arktikut duhet të merret seriozisht.
Danimarka ka kërkuar një prani të përhershme të NATO-s në ishull, raportoi agjencia daneze e lajmeve, Ritzau.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se NATO ka rritur praninë e saj në detin Baltik dhe në shtetet baltike dhe kjo mund të shërbejë si model për Groenlandën.
Danimarka dhe Groenlanda kishin propozuar më parë një mision të NATO-s në Arktik.
Javën e kaluar, ushtarë ndërkombëtarë, përfshirë nga Gjermania dhe Franca, udhëtuan në Groenlandë për një vizitë disaditore të njohjes së terrenit.
Ky ishte një mision njohjeje i udhëhequr nga Danimarka dhe jo një ushtrim i NATO-s.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve javën e kaluar se nuk besonte se vendosja e trupave do të ndikonte në vendimmarrjen e presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën.
TIRANË- Xhaxhai i Aleks Nikës, i cili u vra me 21 janar të 2011, Mark Nika ishte sot në SPAK ku u takua me prokurorin e çështjes Alfred Shehun për t’u njohur me ecurinë e hetimeve.
Ai foli me gazetarët, ndërsa tha se prokurori i ka konfirmuar se hetimet po ecin dhe kanë përparuar.
Mark Nika theksoi se pret që drejtësinë për nipin e tij ta japë SPAK sa më shpejt të jetë e mundur.
“Erdha për të mësuar ecurinë e hetimeve, sepse jemi palë në proces. Takova prokurorin e çështjes Alfred Shehun. Ai më shpjegoi se hetimet po ecin, kanë përparim. Së kur do të përfundojnë, kjo është një çështje e tyre.
Nuk u futa në hollësi. Ne kërkojmë me insistim që çështja të avancojë. Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia, jo nga e vjetra, por tani nga SPAK. Drejtësinë e duam vetëm nga SPAK.”, tha ai/abcnews.al
TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar se ngjarja e “21 janarit” mbetet një krim i qartë dhe i dokumentuar, pavarësisht humbjes së shumë gjurmëve ndër vite.
Sipas tij, përgjegjësit janë të dukshëm dhe janë identifikuar edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Rama u shpreh se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka nënvizuar qartë shkeljen, si në përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj protestuesve, ashtu edhe në mungesën e një baze legjitime për mbrojtjen e godinës së Kryeministrisë me mjete vdekjeprurëse
Duke iu përgjigjur kritikave për mungesën e drejtësisë, Rama deklaroi se qeveria nuk e ka tradhtuar zotimin e saj solemn, pasi ka krijuar kushtet institucionale për fundin e pandëshkueshmërisë përmes reformës në drejtësi.
Ai përmendi ngritjen e SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme, duke theksuar se drejtësia duhet të vijë nga organet e pavarura dhe jo nga qeveria.
“21 janari ka një specifikë, ndërkohë që gjurmë të shumta janë humbur, ujku është krejtësisht i dukshëm në sytë e të gjithëve. Gjykata e Strasburgu i nënvizoi qartë si shkelje, qoftë në përdorimin e forcës vdekjeprurës, qoftë mungesën e bazës legjitime për të mbrojtur zyrën e kryeministrit me forcë vdekjeprurëse duke kërkuar autoritetet të zbardhin krimin.
Ndërsa nevoja për drejtësi nuk vdes kurrë edhe kur vdes shpresa. Ulërima e kësaj padrejtësie nuk do të shuhet asnjëherë dhe nevojë për drejtësi do të triumfojë me se zben. Ne nuk e kemi tradhtuar zotimin solemn, përderisa duke pavarësuar pavarësinë nga pushteti politik duke ngritur SPAK dhe Gjykatën Speciale, kemi krijuar kushtet për fundin e pandëshkueshmerisë me ligj, jo me zakon, përmes organeve të drejtësisë dhe jo qeverisë. Ky është fakti. Këtë s’e luan topi. Kush e kërkon nga ne pse nuk është bërë drejtësi, të shikojë te stacioni i trenit, jo tek kjo godinë.”, tha Rama.
Ngjarja e 21 janarit vijon të mbetet një nga plagët më të rënda të shoqërisë, ndërsa kërkesa për drejtësi mbetet ende e hapur edhe pas më shumë se një dekade./abcnews.al
Kryeministri Edi Rama, në përvjetorin e 15 -të të 21 janarit, u shpreh se kjo ngjarje mbetet një “krim shtetëror i pashembullt për Evropën demokratike”. Ai theksoi se drejtësia ka dështuar të veprojë edhe pas 15 vitesh.
Sipas Ramës, në protestën e 21 janarit armët u drejtuan ndaj qytetarëve të pambrojtur, duke marrë katër jetë të pafajshme dhe duke plagosur protestues të tjerë.
Ai u shpreh se kjo ngjarje ka lënë një plagë të thellë jo vetëm te familjarët e viktimave, por mbi gjithë shoqërinë shqiptare.
Rama nuk kurseu kritikat as ndaj sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar mungesën e ndëshkimit si një dështim edhe të drejtësisë së re.
“Tytat e pushkëve u ulën drejt protestuesve, ku morën katër jetë të pafajshëm dhe duke plagosur edhe protestues të tjerë.
Krim shtetëror i pashembullt për Evropën demokratike duke përvëluar shpirtin e familjarëve të katër burrave, që nuk u kthyen më në shtëpi.
15 vjet pa drejtësi për 21 janarin janë 15 vjetët të një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar, ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vjetët janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dëshpërim dhe poshtërim. Dështim edhe i drejtësisë së re. I bëmë të pavarur, por nuk preken dot kriminelët e 21 janarit”, tha ai.
Evropa duhet të mbajë një qëndrim më të fortë ndaj “shpërthimeve armiqësore” të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën, duke ofruar një rrugëdalje që përfshin marrëveshje ekonomike dhe të sigurisë, shkroi të martën ish-kryeministri danez dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Në një artikull të shkruar për revistën “The Economist”, Rasmussen theksoi mbështetjen e gjatë ushtarake të Danimarkës për SHBA-në dhe vuri në dukje: “Në 52 raste midis viteve 2002 dhe 2021, arkivolët e mbuluar me flamur të bijve dhe bijave të Danimarkës u kthyen në atdhe nga Afganistani dhe Iraku, ku këta ushtarë të rënë kishin dhënë jetën duke luftuar krah për krah me SHBA-në”.
“Danimarka pësoi më shumë viktima në raport me popullsinë e saj se çdo anëtar tjetër i koalicionit të udhëhequr nga Amerika, përveç Gjeorgjisë – madje më shumë edhe se vetë Amerika” shtoi ai.
– “Mjaft është mjaft”
Rasmussen tha se prej kohësh e kishte “admiruar Amerikën”.
“Si kryeministër i Danimarkës dhe sekretar i përgjithshëm i NATO-s, e konsideroja Amerikën si udhëheqësen natyrore të botës së lirë. Por duke parë shpërthimet armiqësore të presidentit Donald Trump kundër njërit prej aleatëve më besnikë të Amerikës, tani duhet të përfundoj se mjaft është mjaft”, tha ai.
Groenlanda, argumentoi ai, nuk paraqet asnjë kërcënim për SHBA-në dhe është e mbrojtur nga NATO-ja.
“Nëse Rusia ose Kina do të përpiqeshin të zbarkonin forca në Groenlandë, ato do të përballeshin me fuqinë e kombinuar të aleatëve të NATO-s, jo vetëm me forcat daneze”, u shpreh ai.
Sipas marrëveshjes së sigurisë SHBA-Danimarkë të vitit 1951, forcat amerikane mund të rrisin praninë e tyre atje dhe Rasmussen sugjeroi se mund të ofrohen stimuj ekonomikë.
“Nëse kompanitë amerikane do të dëshironin të investonin më shumë në burimet e Groenlandës … ato do të ishin të mirëpritura” nënvizoi ai.
Megjithatë, ai paralajmëroi se diplomacia tradicionale mund të mos mjaftojë me Trumpin. “Zoti Trump do të donte ta aneksonte Groenlandën sepse beson se mundet … Ai beson se Evropa është e përçarë dhe e pafuqishme dhe se, kur vjen puna seriozisht, ne do të kapemi pas deklaratave tona të mosmarrëveshjes së thellë ndërsa i japim atij atë që dëshiron”, theksoi Rasmussen.
Rasmussen bëri thirrje për një reagim të fortë evropian nëse SHBA-ja do të sfidonte sovranitetin e Groenlandës.
“Nëse administrata Trump do të përpiqej të ndryshonte një kufi sovran evropian, Amerika duhet të përballet me të gjithë fuqinë e “bazukës” ekonomike të BE-së – me kufizime masive të importeve dhe eksporteve dhe me përjashtimin e kompanive amerikane nga prokurimet publike evropiane”, vuri në dukje ai.
Ai tha se Evropa duhet të veprojë me vendosmëri, duke shtuar: “Duhet të vizatojmë një vijë të pakalueshme në borën e Groenlandës … Duhet të lëvizim shpejt për të zgjeruar marrëdhëniet tona tregtare … për të ulur rrezikun nga tekat e Washingtonit”.
“Evropa, pra, mbetet me një zgjedhje. Ose luajmë lojën e forcës së Trumpit – ose detyrohemi të vuajmë atë që na pret,” shkroi Rasmussen.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se qeveria duhet të marrë masa shtesë për të mbrojtur të rinjtë në platformat online, pas polemikave të fundit me Grok AI të Elon Musk, që krijonte imazhe me përmbajtje seksuale pa lejen e individëve.
“Është e nevojshme të veprojmë më shumë për sigurinë e fëmijëve, ndaj po shqyrtojmë të gjitha mundësitë,” deklaroi Starmer, duke theksuar se asnjë opsion nuk është i përjashtuar.
Kompania xAI e Musk njoftoi se kishte bërë ndryshime në Grok për të penguar krijimin e imazheve të njerëzve me veshje të tilla si bikini, si dhe për të bllokuar përdorues në vende ku ligjet e vendosin këtë të ndaluar, pa specifikuar se cilat janë ato juridiksione.
Sipas ligjit të ri britanik, krijimi i imazheve me përmbajtje seksuale pa pëlqimin e personave të tjerë do të jetë i paligjshëm, përveç rasteve kur ato ndahen me leje.
TIRANË– Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifë 200 për qind për verërat dhe shampanjat franceze.
Paralajmërimi erdhi pas lajmit se presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar t’i bashkohet iniciativës së tij për krijimin e “Bordi të Paqes”.
Më herët Trump vendosi tarifa të reja shtesë 10% ndaj 7 vendeve të Evropës, duke i paralajmëruar se mund te arrijnë në 25%.
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e ftuar në “Money Report” në ABC News, u shpreh se Donald Trump po tenton tëpërdorë tarifat, si instrument për të arritur disa qëllime politike dhe gjeopolitike, mes të cilave dhe marrja e Groernlandës.
Ajo theksoi se përballë një kërcënimi të tillë edhe Bashkimi Evropian nuk ka qëndruar pasiv, por krerët e unionit kanë paralajmëruar se do t’i kundërvihen përpjekjeve të presidenti amerikan.
Sipas saj, lufta tregtare mes dy tregjeve të mëdha do të sillte pasoja negative si për SHBA ashtu dhe për Bashkimin Evropian.
“Duke qenë se vendosja e tarifës ishte politikë, që i solli Donald Trump disa rezultate të prekshme, ai i referohet sërish tarifave duke synuar marrjen e Groenlandës. Ai po tenton të përdorë politikën e tarifave për të realizuar një benefit politik dhe gjeopolitik, për të zgjeruar territorin e SHBA.
BE ka menduar variantin e vet, që mos të jetë vetëm pjesa e negociatave, por edhe për t’iu kundërpërgjigjur. Lufta tregtare do t’i dëmtonte të dyja tregjet , si atë të Bashkimit Evropian dhe atë të SHBA”, tha ajo.
Këto përpjekje të Trump shtoi Nunaj kanë hedhur bazat për krijimin e një rendi të ri ekonomik, por gjithsesi mbetet ende herët për të folur mbi rezultate konkrete dhe të prekshme.
“Kemi një rrugëtimi, drejt një ekonomie nacionale. Nëse do flasim për rendin e ri botëror, ka nisur një zhvillim, por kjo duhet parë në vijimësi”, tha ajo./abcnews.al
Leku shqiptar mbush një shekull që është hedhur në qarkullim. Në vitin 1926 filloi përdorimi i serisë së parë të kartëmonedhës shqiptare me dy prerje, 5 franga dhe 20 Franga Ari.
E gjithë historia e monedhës shqiptare dhe rrugëtimi i saj në një dekadë janë pasqyruar në një ekspozitë të veçantë në ambientet e Bankës së Shqipërisë me anë të dokumenteve historike artefakte të prodhimit të parasë, imazheve dhe rrëfimeve të paraqitura.
Guvernatori Gent Sejko tha se historia monetare na kujton se stabiliteti nuk është i përhershëm dhe se krizat mund të rikthehen
Edhe pse ka diskutime të shumta emërtimi i monedhës shqiptare mendohet se vjen për nder të Aleksandrit të Madh, mbretit Maqedonas, që ndryshe quhej edhe Leka i Madh nga shqiptarët, por kryesisht emërtimi vjen në nderim të feudalit shqiptar Lekë Dukagjini/abcnews.al
Kreu i OKB-së, Antonio Guterres nuk do të mund të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos për shkak të një ftohjeje të rëndë, njoftoi sot një zëdhënës në Gjenevë.
”Sekretari i përgjithshëm, fatkeqësisht, duhet të anulojë pjesëmarrjen e tij në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, i cili ishte parashikuar për nesër, sepse është prekur nga një ftohje e rëndë”, deklaroi Rolando Gomez gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.
”Pas një vizite të së shtunës në Londër, Guterres ka ardhur në Zvicër për të takuar përfaqësuesit dhe të dërguarit e tij të veçantë, të cilët do të marrin pjesë në samitin vjetor”, shtoi ai.
”Kjo mbledhje tani ka përfunduar dhe ai është rrugës për në Nju Jork”, sqaroi Gomez.
TIRANË- Ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni u shpreh se në kuadër të negociatave me BE, janë propozuar disa nisma ligjore, të cilat synojnë të forcojnë “transparencën dhe llogaridhënien” me qëllim parandalimin e korrupsionit.
Mes nismave dhe ligjeve të miratuara dhe atyre që janë aktualisht në diskutim publik, vihet re ligji për financimin e partive politike, procesi i lobimit, sponsorizimet dhe donacionet.
Këto veprimtari tha ajo do t’i nënshtrohet rregullave strikte, që synojnë të frenojnë çdo abuzim të mundshëm.
Nismat dhe ligjet që u publikuan nga ministrja Pirdeni:
-Fokusi është tek forcimi i parandalimit të korrupsionit. Në këto pesë nisma, është vendosja e disa themeleve dhe standardeve në legjislacionin shqiptar, duke mundësuar që korrupsioni të mos ndodhë në praktikë. Pra, për ta parandaluar para se të ndodhë. Këto nisma, tre prej tyre janë iniciuar nga qeveria dhe dy prej tyre janë nisma të propozuara nga deputetët.
-Ligji për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, është miratuar në Kuvend dhe ka hyrë në fuqi, Parashikohet mbrojta e çdo personi të punësuar, në raste se denoncojnë shkeljet ligjore. Ky ligj u jep mundësi që të raportojnë çdo shkelje ligjore. Ligji parashikon mbrojtje të mirëfilltë nuk do kenë vetëm sinjalizuesit, por dhe familjarët e tij si dhe ortakët e tij të biznesit.
-Për herë të parë kemi një ligj për lobimin. Do garantohet së pari transparencë e plotë mes lobistëve profesionistë dhe zyrtarëve publikë nga ana tjetër. Do krijohet dhe regjistri i lobimit.
Brenda kësaj jave do nisim diskutimet në Komisionet Parlamentare dhe besoj se ky ligj do të miratohet brenda këtij muaji.
-Projektligji për sponsorizmin dhe donacioneve, rregullon mënyrën dhe funksionimi të dhënies së donacioneve. Adreson në mënyrë tërësore çështjet që kanë të bëjnë me çështjet e sponsorizimeve. Do ketë një regjistër publik dhe transparent të çdo donacioni të bërë. Ky projektligj i iniciuar nga qeveria është aktualisht në konsultim publik.
-Dy janë nisma që lidhen me parandalimin e korrupsionit dhe janë në proces shqyrtimi. Siç është ligji për konfliktin e interesit. Ky ligj synon parandalimin e dhuratave dhe përfitimin financiar për çdo zyrtar publik gjatë ushtrimit të funksionit të tyre publik.
-Nisma tjetër lidhet me financimi i partive politike. Duhet draftuar një ligj për financimin, i cili vjen në kuadër të rekomandimeve të OSBE ODIHR,në lidhje me transparencës para dhe pas procesit zgjedhor. Kjo është në proces diskutim në komisionin bipartizan në Komisionin për Reformën Zgjedhore.
Kina bëri thirrje për “zgjidhje politike” si dhe stabilitet për të rindërtuar Sirinë, e cila pa shkatërrim nën regjimin e rrëzuar të Bashar al-Assadit.
“Kina shpreson që Siria të arrijë paqe dhe stabilitet sa më shpejt të jetë e mundur”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun.
“Shpresojmë që të gjitha palët në Siri do të lehtësojnë procesin e zgjidhjes politike përmes dialogut dhe negociatave dhe do të gjejnë një mënyrë për të rindërtuar vendin që është në interes të popullit sirian”, shtoi ai.
Komentet e Pekinit pasuan një operacion ushtarak të nisur nga Ushtria Siriane, përmes të cilit ajo rimori zona të gjera në Sirinë lindore dhe verilindore pas shkeljeve të përsëritura nga SDF të marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara me Damaskun gati një vit më parë.
Të dielën, presidenti sirian Ahmad al-Sharaa njoftoi një armëpushim të ri dhe marrëveshje për integrimin e plotë të SDF në institucionet shtetërore. Sipas marrëveshjes, SDF do të tërheqë formacionet e saj ushtarake në lindje të lumit Eufrat dhe do t’ia dorëzojë shtetit sirian kontrollin administrativ dhe të sigurisë të provincave Raqqa dhe Deir ez-Zor.
Marrëveshja parashikon integrimin e personelit ushtarak dhe të sigurisë të SDF-së në ministritë siriane të mbrojtjes dhe të brendshme pas verifikimit individual të sigurisë si dhe transferimin e pikave kufitare, fushave të naftës dhe gazit si dhe institucioneve civile nën kontrollin e qeverisë.
Regjimi i Asadit ra në dhjetor 2024, pas 24 vitesh në pushtet ndërsa Al-Sharaa u emërua president janarin e kaluar.
Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të këmbëngulë se SHBA-të duhet të zotërojnë Groenlandën, fokusi i tij më i gjerë në rajonin e Arktikut ka bërë që Uashingtoni të porosisë akullthyes të rinj.
Për këto anije, të cilat mund të lundrojnë nëpër dete të mbuluara me akull të ngurtë, SHBA-të i janë drejtuar ekspertit botëror – Finlandës. Temperaturat janë nën zero brenda laboratorit të akullit të Aker Arctic Technology, ndërsa modeli në shkallë i një akullthyesi lundron poshtë një rezervuari simulimi 70 metra të gjatë.
Ai hap një kanal të pastër përmes sipërfaqes së ngrirë të ujit. Duke iu nënshtruar testimeve në një strukturë në Helsinki, kryeqytetin e Finlandës, ky është një dizajn për gjeneratën e ardhshme të akullthyesve të vendit.
“Është thelbësore që të ketë forcë të mjaftueshme strukturore dhe fuqi motori”, thotë inxhinieri i performancës së akullit, Riikka Matala.
Mika Hovilainen, drejtori ekzekutiv i firmës, shton se forma e anijes është gjithashtu thelbësore.
“Duhet të kesh një formë të trupit që thyen akullin duke e përkulur poshtë. Nuk është duke prerë, nuk është duke prerë në feta”, thotë ai.
Finlanda është lideri i padiskutueshëm botëror kur bëhet fjalë për akullthyesit. Kompanitë finlandeze kanë projektuar 80% të të gjitha atyre që janë aktualisht në funksion dhe 60% janë ndërtuar në kantieret detare në Finlandë.
Vendi udhëheq rrugën për të dalë nga nevoja, shpjegon Maunu Visuri, president dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë shtetërore finlandeze Arctia, e cila operon një flotë prej tetë akullthyesish.
Gjatë muajve më të ftohtë, akullthyesit i mbajnë portet e Finlandës të hapura dhe punojnë si udhërrëfyes për anijet e mëdha mallrash.
“Është me të vërtetë një domosdoshmëri për Finlandën. Ne themi se Finlanda është një ishull”, shtoi ai.
“Po blejmë akullthyeset më të mira në botë dhe Finlanda është e njohur për prodhimin e tyre”, tha Trump.
Ky shqetësim i SHBA-së vjen ndërsa ndryshimi i klimës vazhdon ta bëjë Oqeanin Arktik më të lundrueshëm për anijet e mallrave, të paktën nëse akullthyeset udhëheqin duke hapur një shteg. Kjo hap rrugë tregtare nga Azia në Evropë, ose mbi Rusinë, ose në veri të Alaskës dhe kontinentit të Kanadasë, dhe poshtë përtej Grenlandës.
Nivelet e reduktuara të akullit gjithashtu do të thotë që fushat e naftës dhe gazit nën Arktik janë më të arritshme.
“Thjesht ka shumë më tepër trafik në atë pjesë të botës tani”, vëren Peter Rybski, një oficer në pension i Marinës Amerikane dhe ekspert i akullthyesve me bazë në Helsinki.
“Në Rusi keni një industri aktive të eksplorimit dhe nxjerrjes së naftës dhe gazit, si dhe një rrugë të re trans-dërgesash nga Evropa në Azi”, shtoi ai.
Pas njoftimit të Trump për planin e ndërtimit vjeshtën e kaluar, kontratat e para u dhanë më 29 dhjetor.
Rauma Marine Constructions e Finlandës do të ndërtojë dy akullthyes për Rojën Bregdetare të SHBA-së në kantierin e saj detar në portin finlandez të Raumës. Anija e parë pritet të dorëzohet në vitin 2028. Katër të tjera do të ndërtohen në Luiziana, me të gjashtë anijet me energji elektrike dizel duke përdorur një dizajn nga Aker Arctic Technology, së bashku me partnerin kanadez Seaspan.
Porositë e SHBA-së janë pjesë e një përpjekjeje për të kapur numrin e akullthyesve rusë. Aktualisht Rusia ka rreth 40, përfshirë tetë që janë me energji bërthamore. Në të kundërt, SHBA-ja aktualisht ka vetëm tre në veprim. Ndërkohë, Kina operon rreth pesë anije të afta për polare.
“Asnjëra prej tyre nuk është teknikisht akullthyes. Por ata po e rrisin flotën e tyre”, thotë Rybski, duke treguar se dizajni i tyre nuk i plotëson kriteret strikte.
Dy oficerë të Marinës Mbretërore Holandeze do të largohen sot nga Groenlanda, pasi të kenë përfunduar punën e tyre “siç ishte planifikuar”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
“Dy oficerët e Marinës Mbretërore Holandeze që morën pjesë në zbulimin në Groenlandë për një stërvitje të përbashkët ushtarake në rajonin e Arktikut e kanë përfunduar punën e tyre siç ishte planifikuar. Ata do të largohen nga Gorenlanda”, tha ministria në një deklaratë.
Ajo vuri në dukje se oficerët holandezë kontribuan si me ekspertizë operacionale ashtu edhe me atë logjistike në Groenlandë, si pjesë e një zbulimi të udhëhequr nga Danimarka me pjesëmarrjen e disa aleatëve të NATO-s.
“Një vendosje më e madhe brenda NATO-s (Arctic Sentry) është një hap i mundshëm i ardhshëm”, tha deklarata, duke shtuar se kjo do të diskutohet më tej brenda NATO-s në periudhën e ardhshme.
Të dielën, një ekip zbulimi ushtarak gjerman prej 15 ushtarësh u largua gjithashtu nga Groenlanda, një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi planin e tij për të vendosur tarifa ndaj kombeve që kundërshtojnë kontrollin e SHBA-së mbi Groenlandën.
Të shtunën, presidenti Trump tha se do të vendoste tarifa prej 10 për qind për Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Finlandën deri më 1 shkurt, me tarifat që do të rriten në 25 për qind deri më 1 qershor, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj kontrollit amerikan të Groenlandës.
Në përgjigje, udhëheqësit evropianë hodhën poshtë kërcënimet e Trump për tarifa kundër tetë vendeve evropiane dhe përsëritën solidaritetin me Danimarkën. Ata lëshuan deklaratë të përbashkët të dielën, duke denoncuar kërcënimet e fundit të tarifave të SHBA-së dhe duke u zotuar për angazhim ndaj sigurisë së Arktikut, duke ruajtur njëkohësisht sovranitetin e tyre.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump konfirmoi të hënën se homologu i tij rus, Vladimir Putin, është ftuar të bashkohet me “Bordin e Paqes” për Gazën, transmeton Anadolu.
“Ai është ftuar”, u tha Trump gazetarëve.
Më herët të hënën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Putini ishte ftuar të bashkohej me iniciativën e udhëhequr nga SHBA-ja.
“Po, me të vërtetë presidenti Putin ka marrë përmes kanaleve diplomatike ftesë për t’u bashkuar me këtë Këshill të Paqes. Për momentin, po shqyrtojmë të gjitha detajet e këtij propozimi, përfshirë shpresën për kontakte me palën amerikane për të sqaruar të gjitha nuancat”, tha Peskov.
Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të premten njoftoi formimin e Bordit të Paqes, duke thënë se ai do të “luajë rol thelbësor në përmbushjen” e 20 pikave të planit të Trumpit për t’i dhënë fund përgjithmonë luftës së Izraelit në Gaza dhe për të rindërtuar enklavën si dhe “për të siguruar mbikëqyrje strategjike, duke mobilizuar burimet ndërkombëtare dhe duke siguruar llogaridhënie ndërsa Gaza kalon nga konflikti në paqe dhe zhvillim”.
SHBA-ja gjithashtu themeloi Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) për të zbatuar fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të Trumpit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, së bashku me një bord ekzekutiv themelues dhe një bord ekzekutiv të Gazës në mbështetje të NCAG-ut.
Spanja shpalli tri ditë zi kombëtare, njoftoi kryeministri Pedro Sanchez, i cili shtoi edhe se do të kishte një ”transparencë absolute” për shkakun e aksidentit që shkaktoi 39 viktima dhe 170 të plagosur.
Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva, i cili gjithashtu doli nga shinat.
Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar sipas raportimeve 39 viktima dhe 170 të plagosur, ku 24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.
Një numër i madh forcash shpëtimi mbërritën në vendngjarje duke u përpjekur të nxjerrin njerëzit e bllokuar nga rrënojat.
Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente, linja ku ndodhi tragjedia ishte modernizuar së fundmi.
Ndërkaq më shumë se 200 trena janë prekur nga pezullimi i trafikut hekurudhor në linjat me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve andaluziane të Seviljes, Kordobës, Malagës dhe Huelvës./abcnews.al
Danimarka po vendos më shumë ushtarë në Groenlandë, njoftuan sot mediat lokale. Forcat e Armatosura Daneze konfirmuan vendosjen për transmetuesin danez TV 2.
Një numër më i madh ushtarësh luftarakë danezë pritet të mbërrijnë në Kangerlussuaq të hënën në mbrëmje, në atë që është përshkruar si “një kontribut i konsiderueshëm”.
Mbërritja do t’i shtohet një grumbullimi të vazhdueshëm të personelit ushtarak danez në Groenlandë.
Sipas raportit, rreth 100 ushtarë danezë kanë mbërritur tashmë në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, me një numër të ngjashëm të vendosur në Kangerlussuaq.
Trupat do të marrin pjesë në stërvitjen “Arctic Endurance”, të cilën autoritetet daneze thonë se është përshpejtuar dhe intensifikuar pas deklaratave të fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Trump tha se dëshiron “blerjen e plotë dhe totale” të territorit danez, duke argumentuar se është thelbësore për sigurinë e SHBA-së dhe atë globale.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Groenlanda mund të merret edhe ushtarakisht.
Të shtunën, presidenti Trump tha se do të vendoste tarifa prej 10 për qind për Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Finlandën deri më 1 shkurt, me tarifat që do të rriten në 25 për qind deri më 1 qershor, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj kontrollit amerikan të Groenlandës.
Pas njoftimit, tetë vendet evropiane lëshuan deklaratë të përbashkët të dielën, duke denoncuar kërcënimin amerikan dhe duke riafirmuar angazhimin e tyre për sigurinë e Arktikut.
TIRANË- Pas një ndërprerje një orëshe ku avokatët kërkuan të njihen me aktet, Gjykata e Posaçme dha masat e sigurisë për 8 të arrestuarit që mashtronin qytetarët italianë dhe të vendeve të BE-së përmes call centerave. Gjykata vendosi arrest me burg për 8 të arrestuarit, ku dy prej tyre u lanë me masën e sigurisë burg me afat 20 ditë.
Të arrestuarit janë Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi. GJKKO vendosi burg me afat 20 ditë për Odeas Kuqi dhe Rentjan Peposhi. Sakaq, la në burg Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Hysen Xhepexhiu, Klaudio Kaçupi.
Në kërkim mbeten organizatorët e aktivitetit kriminal vëllezërit Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj