Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 December 2025Main stream

Skiatorja shqiptare Lara Colturi zë vendin e 3-të në Kupën e Botës

By: nik
29 December 2025 at 13:06

Skiatorja shqiptare Lara Colturi ka shkëlqyer sërish në arenën ndërkombëtare, duke zënë vendin e tretë në garën e slalomit të Kupa e Botës në Ski Alpine. Ky rezultat i jashtëzakonshëm shënon rikthimin e saj në podiumin botëror dhe konfirmon formën e lartë konkurruese të sportistes që përfaqëson Shqipërinë. Në këtë garë me nivel të lartë rivaliteti, vendin e parë e zuri Mikaela Shiffrin nga…

Source

Vlora pa ujë prej 4 ditësh, Mersini: Pjesët rezervë vijnë nga Turqia

By: nik
29 December 2025 at 13:06

Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, ka reaguar lidhur me mungesën katërditore të ujit në qytet, duke theksuar se problemi buron nga ujësjellësi dhe nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e bashkisë. Ajo e cilësoi defektin në tubacion si një “fatkeqësi natyrore”, duke kërkuar që situata të mos politizohet. Mersini theksoi se fokusi duhet të jetë te gjetja e zgjidhjes, jo te fajësimi.

Source

Trump thotë se është bërë përparim në bisedimet për Ukrainën, por mbeten ‘çështje të ndërlikuara’

By: nik
29 December 2025 at 13:02

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky kanë raportuar përparim në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë gjatë takimeve në Florida, megjithatë nuk arritën një përparim mbi disa nga çështjet më të ndërlikuara. Liderët amerikanë dhe ukrainas u takuan në shtëpinë e Trumpit, Mar-a-Lago, për të diskutuar një plan paqeje të rishikuar, pjesë kyçe të të cilit Rusia tashmë i ka refuzuar.

Source

Kina kryen stërvitje ushtarake masive pranë Tajvanit

By: nik
29 December 2025 at 07:33

Kina ka nisur stërvitje ushtarake me zjarr të vërtetë rreth Tajvanit, duke simuluar bllokimin e porteve kryesore, sulmin ndaj objektivave detare dhe zmbrapsjen e “ndërhyrjeve” ndërkombëtare. Këto stërvitje, të quajtura “Misioni i Drejtësisë 2025”, shërbejnë si një paralajmërim i ashpër ndaj forcave “separatiste” të Tajvanit dhe ndërhyrjeve të jashtme, sipas një zëdhënësi të Komandës Lindore të…

Source

“Ka shumë sfida”: Sirianët në Turqi shqyrtojnë kthimin pas rënies së Assadit

By: nik
29 December 2025 at 07:32

Sirianët në Turqi po vlerësojnë nëse është koha e duhur për t’u kthyer në atdheun e tyre, pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024. Kjo dilemë vjen pas vitesh qëndrimi në Turqi, e cila u bë një strehë e sigurt për miliona sirianë që ikën nga lufta civile që filloi në vitin 2011. Për Ahmedin 18-vjeçar, i cili u largua nga Siria në moshën pesëvjeçare, dëshira për t’u kthyer është…

Source

Yesterday — 28 December 2025Main stream

22:57 LVV kryeson numërimin/ Abdixhiku: Nuk përjashtoj dorëheqjen si kreu i LDK-së

By: Monika
28 December 2025 at 22:57

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka ndarë një qëndrim lidhur me rezultatet e deritanishme nga numërimi i votave nga zgjedhjet e së dielën në Kosovë.

Teksa nga të dhënat më të fundit, nga numërimi kryeson Lëvizja Vetëvendosje, Abdixhiku ka deklaruar se nuk përjashton dorëheqjen ng drejtimi i LDK-së, si shenjë reflektimi.

Ndërkohë, Abdixhiku ka ndarë një mësazh urimi për kreun e LVV, Albin Kurti.

“Të gjitha janë në diskutim në Kuvendin e Përgjithshëm, natyrisht edhe dorëheqja, pa diskutim. E uroj fituesin, sepse Kosova ka nevojë për demokraci funksionale”,-tha Abdixhiku./mxh

22:51 LVV kryesoi në zgjedhje/ Kurti: Fitoi populli i Kosovës, na presin shumë punë

By: Monika
28 December 2025 at 22:51

Last Updated on 28/12/2025 by Monika

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pak minuta më parë, pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në fjalën e tij në një deklaratë për shtyp, Kurti theksoi se kjo shënon fitore për popullin e Kosovës.

Kurti ftoi partitë opozitare që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve.

“Fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tani na presin shumë punë përpara. Rezultati i sotëm tregon se duhet të ecim para pa vonesa. Sa më parë të certifikohet rezultati aq më shpejt do të vijojmë me projektet. Ftoj nga tani partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë urime, secilit pa dallim, fitoren historike, që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin 2021. Ishte një ditë e gjatë përveçse e bukur dhe e rëndësishme”,-tha Kurti./mxh

22:45 Protestat në Vlorë/ Berisha: Ua zunë galanë në fyt, hajdutët zhgërryhen në salltanete

By: Monika
28 December 2025 at 22:45

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar në Vlorë, nga qytetarët që shprehin shqetësimin e mungesës disa-ditore të ujit të pijshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha akuzon socialistët për vjedhje, ndërsa vetë marrin pjesë në festa të mëdha të fundvitit.

“Ju lumtë qytetarëve të Vlorës, që ua zunë galanë në fyt, hajdutëve që i kanë lënë banorët 3 ditë pa ujë dhe vetë zhgërryhen në festa e salltanete”,-shkruan Berisha./mxh

22:36 “Vlora, qytet që nuk dorëzohet”/ Vokshi për protestat: Uji mungon, përgjegjësit heshtin

By: Monika
28 December 2025 at 22:36

Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka reaguar mbi situatën në qytetin e Vlorës, ku shumë qytetarë protestuan për mungesën e ujit të pijshëm prej ditësh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vokshi shprehet se banorët mbetën pa ujë në mes të dimrit, teksa përgjegjësit heshtin ndaj mungesës së kësaj nevoje jetike.

“Vlorë, qytet që nuk dorëzohet.
Qytetarët e Vlorës kanë dalë në protestë sepse prej disa ditësh janë lënë pa ujë.
Në mes të dimrit, në një qytet bregdetar, uji mungon, ndërsa përgjegjësit heshtin.
Kjo nuk është politikë, kjo është nevojë jetike.
Kjo nuk është luks, është e drejtë.
Mesazhi është i qartë: “Ju gala, ne pa la!”
Vlorë, zëri yt është i drejtë dhe i fortë”,-shkruan Vokshi./mxh

22:25 Duka uron Dinamon për fitimin e Superkupës: Triumf i merituar

By: Monika
28 December 2025 at 22:25

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar Dinamon për fitimin e Superkupës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i FSHF-së ka përgëzuar ekipin kryeqytetas për suksesin e arritur. Duka ka vlerësuar faktin që Dinamo, brenda një viti kalendarik, ka arritur të fitojë dy trofe të rëndësishëm, pas suksesit edhe në Kupën e Shqipërisë.

“Urime Dinamo City-t për fitimin e Superkupës së Shqipërisë, një tjetër trofe që pason suksesin në Kupën e Shqipërisë 2024–2025 dhe dëshmon punën e bërë gjatë gjithë sezonit futbollistik. Urime stafit, futbollistëve dhe drejtuesve për këtë triumf të merituar. Urime edhe për Egnatian, fituesja e fundit e këtij trofeu, për një duel shumë korrekt dhe sportiv. Suksese të dyja ekipeve në vazhdimin e kampionatit”, shkruan Armand Duka./mxh

22:21 Numërimi i votave në Kosovë/ Rezultatet deri në orën 22:00, kryeson LVV

By: Monika
28 December 2025 at 22:21

Last Updated on 28/12/2025 by Monika

KQZ Kosovë ka ndarë të dhënat më të fundit lidhur me numërimin e kutive të votimit nga zgjedhjet e kësaj së diele.
Sipas të dhënave, janë përpunuar 874,327 vota nga 1,999,204 në total ose 43,73%.

Deri më tani janë procesuar 2,458 vendvotime nga 2,557 gjithsej ose 96,13%.

Të dhënat në përqindje sipas partive:

Lëvizja VETËVENDOSJE! me 49,80% ose 422,002 vota

Partia Demokratike e Kosovës – PDK me 21,18% ose 179,489 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK me 13,77% ose 116,712 vota

Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës- AAK me 5,74% ose 48,612 vota

Srpska Lista me 3,86% ose 32,719 vota./mxh

22:12 Zelensky mbërrin në Florida/ Nis takimin me presidentin Donald Trump

By: Monika
28 December 2025 at 22:12

Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Florida për takimin me Presidentin e SHBA-ve Donald Trump. Përmes këtij takimi priten përparime pas javësh bisedimesh të intensifikuara që synojnë t’i japin fund luftës gati katërvjeçare me Rusinë.

Duke qëndruar pranë Zelensky-t në rezidencën e tij Mar-a-Lago Trump tha se beson që si udhëheqësi ukrainas ashtu edhe Presidenti rus Vladimir Putin duan të arrijnë paqen.

“Unë besoj se kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje që është e mirë për Ukrainën, e mirë për të gjithë. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk ka asgjë më të rëndësishme në agjendën time”,-tha Trump.
Zelensky ka punuar me delegacione nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë mbi një propozim të rishikuar prej 20 pikash që udhëheqësi ukrainas tha të premten se është rreth 90 përqind gati.

Zelensky u tha gazetarëve se ai erdhi deri në Mar-a-Lago sepse është shumë e rëndësishme që ekipet të flasin për strategjinë./mxh

22:04 Protestat për ujin e pijshëm/ Zhupa: Socialistët e kanë shkatërruar Vlorën dhe Shqipërinë

By: Monika
28 December 2025 at 22:04

Deputetja demokrate, Ina Zhupa ka reaguar sot lidhur me protestën e zhvilluar nga qytetarët e Vlorës, prej mungesës disa ditore të ujit të pijshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa shprehet se socialistët e kanë shkatërruar Vlorën dhe Shqipërinë, teksa shpreh edhe mbështetjen e plotë ndaj protestuesve.

“Brunilda Mersini, kryebashkiakja e Vlorës, mësohet të ketë thënë : Pse ankohet populli për ujë dhe nuk lahen me shampanjë?!

E kanë shkatërruar Vlorën dhe Shqipërinë dhe jetojnë në botën paralele me koncerte, ballo, verë e tendera!!

Ju lumtë protestuesve vlonjat, plot dinjitet dhe qytetari”,-shkruan Zhupa./mxh

21:59 Një pilot humbi jetën dhe një tjetër u lëndua rëndë pas përplasjes mes dy helikopterëve pranë një aeroporti në New Jersey

By: Monika
28 December 2025 at 21:59

Të paktën një person raportohet se ka vdekur pasi dy helikopterë u përplasën në ajër dhe u rrëzuan pranë një aeroporti në New Jersey.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, përplasja e tmerrshme ndodhi në orën 11:25 të mëngjesit të dielën pranë Hammonton Municipal Airport.

Shefi i Policisë së Hammonton, Kevin Friel, tha se një person ka vdekur dhe një tjetër u dërgua me urgjencë në një spital aty pranë me lëndime kërcënuese për jetën.

FAA konfirmoi se përplasja ndodhi midis një helikopteri Enstrom F-28A dhe një Enstrom 280C dhe se vetëm pilotët ishin në bord.

Dhe pamjet e dëshmitarëve okularë të postuara në mediat sociale nga një parking aty pranë tregojnë tym të zi të trashë që ngrihet mbi vendin e përplasjes.

Një tjetër klip kapi një helikopter që dilte nga kontrolli përpara se të përplasej në tokë.

Departamenti i Zjarrfikësve të Hammonton konfirmoi se iu përgjigj një ‘incidenti të lidhur me aviacionin’ pranë Basin Road.

Zyrtarët u kanë kërkuar banorëve të shmangin zonën ndërkohë që shkaku i përplasjes mbetet i panjohur./mxh

 

21:48 Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë, “leksion” ndaj kampionëve të Egnatias

By: Monika
28 December 2025 at 21:48

Dinamo fitoi Superkupën e Shqipërisë pas triumfit 3-1 ndaj Egnatias në finalen e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.

Egnatia kaloi e para në avantazh në minutën e 9-të me golin e Ruçit dhe e mbylli pjesën e parë në epërsi. Në pjesën e dytë, Dinamo reagoi dhe barazoi në minutën e 54-t me Bregun.

Katër minuta më vonë, Nani realizoi golin e përmbysjes për kryeqytetasit. Dinamo vijoi të kontrollojë lojën edhe në minutat pasuese.

Në kohën shtesë, arbitri akordoi penallti për Dinamon pas rishikimit me VAR. Klevi Qefalija e shndërroi në gol, duke vulosur rezultatin 3-1.

Me këtë sukses, Dinamo siguroi trofeun e Superkupës së Shqipërisë./mxh

20:59 Babai i Mal Retkocerit reagon pas refuzimit në BBVIP: Akuza të forta ndaj Violetë Kukaj

By: Monika
28 December 2025 at 20:59

Pas refuzimit të Mal Retkocerit për ta takuar gjatë spektaklit të djeshëm të “Big Brother VIP Albania”, babai i tij ka folur për mikrofonin e “Fan Club” menjëherë pas daljes nga studio, duke bërë deklarata të forta publike.

Ai ka hedhur akuza direkte ndaj ish-bashkëshortes së tij, këngëtares së njohur nga Kosova, Violetë Kukaj, duke pretenduar se është ajo që nuk lejon ribashkimin e tij me djalin. Sipas tij, dëshira për t’u afruar dhe për të qenë pjesë e familjes ekziston, por pengesa kryesore mbetet ish-gruaja.

“Unë jam i gatshëm të bashkohem me familjen, por ajo nuk dëshiron”, u shpreh ai, duke shtuar se Malin nuk e lejojnë të takohet me të. I pyetur për mesazhin që kishte për të birin, ai tha shkurt: “Ktheu jetës së mbarë, realitet, mbarësisë, rehatllëkut”.

Deklaratat u bënë edhe më të forta kur ai foli për marrëdhënien me ish-bashkëshorten në aspektin profesional. Sipas tij, ai ka qenë personi që e ka ndihmuar Violetë Kukajn të ndërtojë karrierën e saj muzikore.

“Unë e kam bërë yll. Kur e kam marrë për nuse, ajo kishte vetëm një këngë të incizuar. Unë ia kam incizuar mbi 300 këngë, me ajkën e Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi ai, duke shtuar gjithashtu se ajo vinte nga një familje me kushte të vështira ekonomike para martesës së tyre.

Këto deklarata vijnë në vazhdën e situatës së tensionuar familjare që u bë publike gjatë spektaklit, pas vendimit të Mal Retkocerit për të mos e realizuar takimin me babanë e tij para kamerave. Deri tani, nga ana e Violetë Kukaj nuk ka pasur një reagim publik lidhur me akuzat e bëra./mxh

20:49 Tottenham rikthehet te fitorja, zhgënjen Sunderland i Xhakës

By: Monika
28 December 2025 at 20:49

Tottenham u rikthye te fitorja në Premier League duke mposhtur minimalisht Crystal Palace në javën e 18-të të kampionatit.

Goli i vetëm i takimit u shënua nga Gray në minutën e 42-të të pjesës së parë. Me këtë rezultat, Tottenham është ngjitur në vendin e 11-të të renditjes me gjithsej 25 pikë të grumbulluara. Crystal Palace mbetet në vendin e nëntë me 26 pikë, pavarësisht kësaj humbjeje në fushën e tyre.

Sunderland barazoi 1-1 me skuadrën e Leeds në ndeshjen e zhvilluar në shtëpi. Ky ishte barazimi i dytë radhazi për ekipin e Sunderland, pjesë e të cilit është edhe mesfushori Granit Xhaka.

Sunderland aktualisht pozicionohet në vendin e shtatë me 28 pikë, ndërsa Leeds ndodhet në vendin e 16-të me 20 pikë./mxh

20:39 Lara Colturi ‘fluturon’ në Semmering dhe shënon tjetër podium, e treta në Slalomin Special

By: Monika
28 December 2025 at 20:39

Atë që nuk mundi dot të bëjë ditën e shtunë në Slalomin gjigant në Semmering të Austrisë, Lara Colturi arrin ta bëjë këtë të dielë teksa i shtoi një tjetër podium karrierës së saj në këtë sezon, këtë radhë në Slalomin Special.Skiatorja kuqezi bëri një garë të shkëlqyer në këtë disiplinë duke u renditur në vendin e tretë me kohën 1 minutë 49 sekonda e 32 të qintat. Më mirë se ajo bënë vetëm Mikaela Shiffrin dhe Camille Rast që u pozicionuan në dy vendet e para.

Në zbritjen e parë, Lara Colturi ishte në kufijtë e perfektes teksa e mbylli këtë fraksion në vendin e dytë me kohën 54.79 sekonda, vetëm 9 të qindtat më shumë se Camille Rast duke lënë pas edhe mbretëreshën e këtij sporti, Mikaela Shiffrin. Edhe në zbritjen e dytë Lara Colturi bëri një paraqitje shumë të mirë teksa shënoi kohën e 5 më të mirë me 54.79 sekonda për të siguruar vendin e tretë në këtë garë pas përfundimit të të dyja zbritjeve.

Vendi i tretë në garën e Slalomit special në garën e Semmering i jep Lara Colturit 60 pikë të tjera për klasifikimin e Kupës së Botës. 19 vjecarja shkon në kuotën e 362 pikëve dhe ngjitet në vendin e 7 të klasifikimit, ndërkohë që në krye vazhdon të jetë Mikaela Shiffrin me 698 pikë, e ndjekur nga Camille Rast me 503 pikë në vendin e dytë, ndërkohe që në vendin e tretë është Alice Robinson me 484 pikë./mxh

20:27 Nuk u zgjodh Avokate e Popullit, Adriana Kalaja njofton ankimimin e vendimit në Gjykatën Kushtetuese

By: Monika
28 December 2025 at 20:27

Adriana Kalaja, një nga kandidatet për Avokatin e Popullit, ka njoftuar se ditën e nesërme do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpallje të pavlefshme dhe antikushtetuese të zgjedhjes së Avokatit të popullit.

Me anë të një postimi në Facebook, Kalaja ka njoftuar se po ashtu ka kërkuar pezullimin e efekteve juridike të këtij procesi, që sipas saj është antikushtetues dhe antiligjor, deri kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të botohet në Fletoren Zyrtare.

“Të Nderuar Miq dhe Mbështetës.

Duke uruar të jeni shumë mirë, si dhe duke ju falënderuar për gjithë mbështetjen pa kushte dhe të pakufishme që më keni dhënë lidhur me kandidaturën time për postin kushtetues të Avokatit të Popullit, Ju bëj me dije se nesër, më datë 29.12.2025, depozitoj në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën time me objekt:

– Konstatimin e antikushtetutshmërisë dhe pavlefshmërisë, së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 11 dhjetor 2025.

Po kështu, kam kërkuar edhe pezullimin e efekteve juridike të këtij procesi antikushtetues dhe antiligjor, deri kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të botohet në Fletoren Zyrtare.

Për më shumë detaje, më ndiqni nesër në ora 10.00, në deklaratë për media nga Gjykata Kushtetuese.

Kush është hapi i rradhës? Së shpejti……”, shkruan Kalaja./mxh

20:17 Mbaron ndërprerja prej Krishtlindjes/ Fermerët grekë nisin bllokada të reja

By: Monika
28 December 2025 at 20:17

Fermerët grekë duket se janë të vendosur të përshkallëzojnë luftën e tyre, pasi do të vendosin për lëvizjet e tyre të ardhshme me tubime të njëpasnjëshme në bllokada.

Mediat greke shkruajnë se të hënë në orën 12:00, qarkullimi për në Athinë do të mbyllet për një kohë të pacaktuar në bllokadën kryesore të Malgarit. Bllokimi është planifikuar gjithashtu në kryqëzimin e Kalcedonës për tre orë në pasdite. Si pjesë e protestave, fermerët po mbyllin edhe zyrën doganore Evzone.

Megjithatë, ura ajrore në Nikea, Larisa do të mbyllet sot, me fermerët që përgatisin propozimet e tyre për takimin në bllokadën kryesore. Mbikalimi u hap për trafik të mërkurën, duke lehtësuar ndjeshëm kalimin e automjeteve. Megjithatë, që nga sot, fermerët kanë vendosur që ajo të rihapet, ndërsa do të mbyllet përsëri në natën e Vitit të Ri.

Të hënën, fermerët theksojnë se do të mbyllin rrugët anashkaluese, ndërsa do të hapen përsëri për t’i lehtësuar ato.

Ditën e Vitit të Ri, qytetarët do të lëvizin lirshëm si në Krishtlindje, pasi siç raporton transmetuesi publik ERT, mbikalimi është i hapur dhe automjetet që devijohen nga kryqëzimi i Platikambos që lëvizin nga Selaniku në Athinë, nëpërmjet Rrugës së Vjetër Kombëtare do të rihyjnë në autostradë në kryqëzimin e Kileer./mxh

❌
❌