Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 January 2026Main stream

Drejtues i një grupi kriminal/ Arrestohet në Dubai Bujar Sefa, pritet ekstradimi drejt Shqipërisë

26 January 2026 at 09:52

Një 39 vjeçar, i shpallur  në kërkim ndërkombëtar për llogari të SPAK është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Bëhet fjalë për Bujar Sefa alias Bujar Xaka, i cili akuzohet si drejtuesi i një grupi kriminal që ka kultivuar bimë narkotike, në Krujë,

Ai është shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ai akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë.

Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për të kryer procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri.

Shqetësimi në SHBA/ Rrjetet sociale mes orëve të mësimit, alarm për përdorimin e telefonit në shkollë

26 January 2026 at 09:48

Fëmijët dhe adoleshentët po kalojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës së shkollë me telefonat e tyre, shumë më tepër sesa mendojnë prindërit. Një studim i publikuar nga revista “JAMA” tregon se të rinjtë amerikanë të moshës 13–18 vjeç shpenzojnë mesatarisht rreth 70 minuta të ditës shkollore në telefon, kohë që përkon drejtpërdrejt me orët e mësimi, sipas CNN.

Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Jason Nagata nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, kjo kohë merret nga momentet kur nxënësit duhet të jenë të përqendruar në klasë. Ai thekson se përdorimi i telefonit gjatë mësimit ndikon negativisht në përqendrim dhe në cilësinë e të nxënit.

Ky studim dallon nga kërkimet e mëparshme sepse nuk u mbështet në vetë-raportimin e adoleshentëve, por në një aplikacion që regjistroi realisht përdorimin e telefonit. Të dhënat treguan se pjesa më e madhe e kohës gjatë shkollës shpenzohej në rrjete sociale si TikTok, Instagram dhe Snapchat, si dhe në aplikacione lojërash dhe video si YouTube.

Edhe pse disa nxënës thonë se telefonat u nevojiten për detyra shkollore, aplikacionet më të përdorura kishin shumë pak lidhje me mësimin. Kjo sugjeron se telefoni po shërben më tepër si burim shpërqendrimi sesa si mjet edukativ gjatë orarit shkollor.

Studiuesit vërejnë gjithashtu se, pavarësisht rregullave kufizuese në shumicën e shkollave, shumë adoleshentë po gjejnë mënyra për t’i anashkaluar ato. Studimi përfshiu vetëm përdorues të Android-it dhe u zhvillua në periudhën 2022–2024, çka do të thotë se nevojiten analiza të tjera për të vlerësuar ndikimin e politikave më të reja shkollore.

Ekspertët këshillojnë që prindërit të mos i fajësojnë fëmijët, pasi telefonat janë të dizajnuar për të krijuar varësi. Në vend të ndëshkimit, rekomandohet dialogu, përfshirja e fëmijëve në vendosjen e rregullave dhe kufizimi i njoftimeve ose lënia e telefonit në shtëpi gjatë shkollës.

Po aq e rëndësishme është edhe sjellja e vetë prindërve. Studimet tregojnë se mënyra se si prindërit përdorin telefonin ndikon drejtpërdrejt në zakonet digjitale të fëmijëve, duke e bërë shembullin personal një nga mjetet më efektive për të nxitur përdorim më të shëndetshëm të teknologjisë.

Kreu 11 vjedhje, 7 nën kërcënimin e armës lodër/ Arrestohet 30-vjeçari nga Mamurrasi

26 January 2026 at 09:13

Policia ka arrestuar një 30-vjeçar, autori i dyshuar i një serie vjedhjesh nën kërcënimin e armës. Gjatë vitit 2025 dhe janarit të këtij viti, 30-vjeçari dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, ndër to 7 nën kërcënimin e armës.

Gjithashtu, 30-vjeçari dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.

Si rezultat i fazës së dytë të operacionit, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja në Tiranë e 30 vjeçarit, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”, si autor i 11 vjedhjeve (dy karburanteve, një dyqani dhe 4 taksistëve nën kërcënimin e armës, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër, si dhe ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa).

Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari ka qenë në shoqërinë e jë 42 vjeçari, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, ku gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular.

42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit, i dyshuar si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit.

Identifikimi i autorëve u bë gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Pamjet e aksionit/ Goditen “shtëpitë e barit” në Malësi të Madhe, 5 në pranga

26 January 2026 at 08:47

MALËSI E MADHE- Policia ka zbuluar një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura me llamba, në fshatin Boriç i Madh. Me këtë goditje, shkon në 13 numri i rasteve të evidentuara gjatë operacionit “Neonët”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë një 35-vjeçar, ndërsa u shpall në kërkim një 36-vjeçar, të dyshuar se kishin përshtatur 3 ambiente (1 banesë dhe 2 stalla) për kultivimin dhe tharjen e kanabisit, duke i furnizuar pajisjet me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Po ashtu, u ndaluan 4 punonjës të OSHEE-së dhe u procedua penalisht edhe një punonjës tjetër për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Të arrestuarit janë Kol Narkaj, Valentin Kuvendaj, Xhuljano Ceraj, Faik Muselaj, Fatmir Kajoshaj.

Nga kontrollet, Policia sekuestroi 771 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 6,2 gramë material bimor, si dhe pajisje të shumta elektrike, përfshirë 195 llamba, 21 aspiratorë dhe 20 filtra ajri, të përdorura për kultivimin e bimëve narkotike.

Operacioni u zhvillua nga  Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe me mbështetjen e Forcave të Posaçme “Shqiponjat”.  Aktualisht vijon kapjen e personit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Tronditet Meksika/ Ekzekutohen 11 persona në një fushë futbolli, 12 të plagosur

26 January 2026 at 08:33

Të paktën 11 persona u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën pasi persona të armatosur hapën zjarr në një fushë futbolli në Salamanca të Meksikës, në fund të një ndeshjeje.

Sulmi, sipas kryetarit të bashkisë Cesar Prieto, është pjesë e një vale dhune që po godet qytetin.

Autoritetet lokale dhe federale kanë nisur hetimet dhe po forcojnë sigurinë. Guanajuato mbetet shteti me numrin më të lartë të vrasjeve në vend, për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale, pavarësisht se qeveria raporton një rënie të përgjithshme të normës së vrasjeve në Meksikë.

“Fatkeqësisht, ka grupe kriminale që përpiqen t’i nënshtrojnë autoritetet, diçka që nuk do ta arrijnë,” tha kryetari i bashkisë.

Qeveria e Meksikës thotë se norma e vrasjeve në vend për vitin 2025 ishte më e ulëta që nga viti 2016, me 17.5 vrasje për 100,000 banorë, megjithëse analistët paralajmëruan se këto shifra mund të mos pasqyrojnë plotësisht dhunën në vend.

Stuhia dimërore “kaplon” SHBA/ Të paktën shtatë të vdekur dhe 800 mijë banorë pa energji elektrike

26 January 2026 at 08:18

Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë SHBA-në, duke lënë të paktën shtatë të vdekur dhe duke ndërprerë energjinë elektrike për qindra mijëra shtëpi.

Shkollat dhe rrugët në të gjithë vendin janë mbyllur dhe fluturimet janë anuluar, pasi kushtet “kërcënuese për jetën” shtrihen nga Teksasi në New England, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS).

Të paktën dy persona vdiqën nga hipotermia në Luiziana, dhe vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas.

Që nga pasditja e së dielës, më shumë se 800,000 familje kishin mbetur pa energji elektrike, sipas poweroutage.us, shkruan BBC.

Ndërkohë, më shumë se 11,000 fluturime u anuluan, raportoi FlightAware.

Bora e madhe, breshëri dhe “shiu i ngrirë”, i cili është një fenomen i rrezikshëm ku pikat e ftohta të shiut ngrijnë menjëherë në sipërfaqe, mund të zgjasin me ditë të tëra, dhe stuhia mund të prekë rreth 180 milionë amerikanë – më shumë se gjysmën e popullsisë.

“Bora dhe akulli do të shkrihen shumë, shumë ngadalë dhe nuk do të zhduken së shpejti, dhe kjo do të pengojë çdo përpjekje për rimëkëmbje”, ka thënë Allison Santorelli, një meteorologe në Shërbimin Kombëtar të Motit, për CBS News.

Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës konfirmoi të dielën se dy burra kishin vdekur nga hipotermia.

Edhe kryebashkiaku i Austin, Teksas, tha se kishte pasur një vdekje “të lidhur me ekspozimin”.

Ndërsa zyrtarët në Kansas thanë se një grua, trupi i së cilës u gjet të dielën pasdite i mbuluar me borë, “mund të ketë vdekur nga hipotermia”.

Vdekje të tre personave të lidhura me motin janë raportuar edhe në Tenesi. Ndërkohë, kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, shkroi në një postim në X se të paktën pesë persona në qytet kishin vdekur të shtunën, por shtoi se shkaku i vdekjes së tyre ende nuk është përcaktuar.

Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, i paralajmëroi banorët të qëndrojnë brenda dhe jashtë rrugëve.

“Ky është sigurisht moti më i ftohtë që kemi parë, stuhia më e ftohtë dimërore që kemi parë në vite”, tha ajo të dielën.

“Një lloj rrethimi arktik ka pushtuar shtetin tonë dhe shumë shtete të tjera në të gjithë vendin”.

Hochul tha se kushtet “brutale” pritej të sillnin periudhën më të gjatë të të ftohtit dhe reshjet më të larta të borës në vite.

E guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, theksoi të dielën se shteti po shihte më shumë akull dhe më pak borë sesa ishte parashikuar fillimisht.

Ekspertët e motit kanë paralajmëruar se një nga rreziqet më të mëdha të stuhisë është akulli, i cili ka potencialin të dëmtojë pemët, të rrëzojë linjat e energjisë dhe t’i bëjë rrugët të pasigurta.

Kanadezët janë goditur gjithashtu nga bora e madhe dhe qindra fluturime të anuluara.

Energjia elektrike e gjelbër/ Ja cilat vende të BE po e përdorin më shumë

26 January 2026 at 07:48

Përdorimi total nga burimet e rinovueshme në të gjithë BE-në ka arritur pothuajse 50%, i nxitur nga energjia hidrike dhe, gjithnjë e më shumë, nga energjia diellore. Austria kryeson BE-në për përdorimin e energjisë elektrike të rinovueshme, me pjesën më të lartë të energjisë që vjen nga burimet e gjelbra.

Sipas Eurostat, vendi u rendit i pari me një normë përdorimi të energjisë elektrike të gjelbër prej gati 90%, e rritur nga 16 hidrocentralet e saj. Suedia vjen e dyta me 88%, e mundësuar kryesisht nga era dhe uji, ndërsa një vend tjetër nordik, Danimarka, vjen e treta me 80%, falë rrjetit të saj të gjerë të parqeve me erë në tokë dhe në det të hapur.

Norma dukshëm mbi 50% u regjistruan gjithashtu në Portugali (66%), Spanjë (60%) dhe Kroaci (58%), ndërsa Italia dhe Franca u renditën në gjysmën e poshtme, përkatësisht të 18-të dhe të 21-të në BE.

Përqindjet më të ulëta të përdorimit të energjisë elektrike të gjelbër u gjetën në Maltë (11%), Republikën Çeke (18%), Luksemburg (20.5%), Hungari dhe Qipro (24%).

Këto shifra mbulojnë të gjithë energjinë elektrike që vjen nga burime të rinovueshme, përfshirë atë të importuar nga jashtë. Ndërkohë, bëhet e ditur se përdorimi i energjisë elektrike të gjelbër në të gjithë Bashkimin Evropian është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.

Në vitin 2004, ajo përbënte vetëm 16% të konsumit total të energjisë elektrike. Rreth 10 vjet më vonë, kjo shifër u rrit në gati 29%, dhe sot qëndron në 47.5%.

A do ta kalojë energjia diellore, energjinë hidro – si burimi kryesor i energjisë elektrike të gjelbër?

Energjia e erës aktualisht përbën pjesën më të madhe të burimeve të rinovueshme të përdorura për të prodhuar energji elektrike, me 38% të totalit, e ndjekur nga energjia hidro me 26%.

Megjithatë, rritja më e shpejtë është energjia diellore, e cila shkoi nga vetëm 1% në vitin 2008 në mbi 23% në vitin 2024, me 304 TWh.

Eksperti i energjisë në Bruegel, Ben McWilliams, i tha ‘Europe in Motion’ se “është pothuajse e sigurt që energjia diellore do të kalojë energjinë hidro në vitet e ardhshme”.

“Zhvilluesit vazhdojnë të ndërtojnë centrale diellore me një ritëm rekord, ndërsa vendosja e energjisë hidrike nuk rritet”, tha ai, duke shtuar se sa më shumë panele diellore të instalojë Evropa, aq më mirë për sigurinë energjetike.

“Çdo panel i ri diellor zvogëlon varësinë nga nafta, gazi dhe qymyri, dhe këto varësi janë kërcënimet e vërteta për sigurinë energjetike evropiane”, theksoi McWilliams.

Mbështetja e BE-së nga energjia diellore në Kinë nuk është një problem afatgjatë

Edhe pse shumica dërrmuese e paneleve diellore të instaluara në BE prodhohen në Kinë, McWilliams përjashtoi idenë se kjo e bën Evropën më të brishtë mes tensioneve gjeopolitike.

“Panelet diellore janë një stok jo një rrjedhë; pasi BE të ketë instaluar një panel nga Kina, ai është aty përgjithmonë”, tha ai. “Nëse – për çfarëdo arsye – importet e paneleve diellore nga Kina ndalen, kjo thjesht do të ngadalësonte ndërtimin e paneleve të reja diellore dhe furnizimi do të rritej diku tjetër (përfshirë brenda vendit) gjatë një periudhe dy-tre vjeçare”.

Sipas Solar Power Europe, aktualisht ka 166 kompani në BE aktive në zinxhirin fotovoltaik, ose të energjisë së dritës. Shumica dërrmuese e tyre janë në Gjermani, megjithëse kapaciteti më i madh i energjisë diellore për frymë prodhohet në Holandë, me rreth 1,044 W në vit.

Krijohet bateria që mund të zëvendësojë litiumin

26 January 2026 at 07:39

Inxhinierët kinezë kanë krijuar një lloj të ri baterie me natrium dhe squfur, të cilën thonë se mund të jetë një alternativë më e sigurt dhe më e lirë ndaj qelizave të litiumit,sipas “The Independent”.

Një numër gjithnjë e në rritje i pajisjeve elektronike përdorin litium si material kryesor të baterisë. Por bateritë e litiumit janë të prirura ndaj ngrohjes së tepërt dhe problemeve me burimet e materialeve, duke sjellë rreziqe sigurie dhe kosto më të larta.

Shkencëtarët në mbarë botën janë në kërkim të materialeve të baterive me cilësi më të dëshirueshme.

Përpjekjet e mëparshme për të dizajnuar bateri natrium-squfur hasën në probleme të mundshmërisë, përfshirë nevojën për një sasi të madhe metali natrium, gjë që kufizonte përdorimin e gjerë.

Këto dizajne të mëparshme gjithashtu hasën vështirësi në krijimin e reaksionit kimik kryesor të nevojshëm për prodhimin e energjisë në temperaturën e dhomës. “Përdorimi i një sasie të konsiderueshme metali natrium në anodë, zakonisht dhjetëra herë më i madh se ai i baterive konvencionale me litium ose natrium, dëmton sigurinë dhe kostoefektivitetin, duke sakrifikuar gjithashtu densitetin e energjisë dhe fuqisë së disponueshme,” shpjeguan studiuesit në një studim të publikuar në revistën Nature.

Shkencëtarët ndryshuan reaksionin kimik për të krijuar një bateri me anodë të lirë me tension të lartë që funksionon mirë në temperaturën e dhomës.

Ata thonë se dizajni i ri ofron një tension shkarkimi prej 3.6 volt, krahasuar me vetëm rreth 1.6 V në versionet e mëparshme.

Bateria tregon “performancë elektro-kimike dhe praktikshmëri të shkëlqyer” dhe ka një kosto “shumë më të ulët se alternativat aktuale”. Studiuesit thonë se kostoja e saj mund të jetë deri në dy rendë më e ulët se bateritë aktuale të natriumit.

Megjithatë, ata argumentojnë se dizajni ka potencialin të adresojë problemet e zinxhirit të furnizimit dhe sigurisë që prekin teknologjinë e baterive aktualisht.

“Bateria jonë natrium-squfur pa anodë tregon potencial për ruajtjen e energjisë në rrjet dhe elektronikë të veshshme”, thanë studiuesit.

Franca synon ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç deri në shtator

26 January 2026 at 07:20

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se dëshiron të përshpejtojë procesin ligjor për të siguruar që ndalimi i përdorimit të mediave sociale nga fëmijët nën 15 vjeç të hyjë në fuqi deri në fillim të vitit të ri shkollor këtë shtator.

Në një video të publikuar nga BFM-TV, Macron tha se kishte kërkuar nga qeveria të përdorte procedura të përshpejtuara, në mënyrë që projektligji të kalonte sa më shpejt dhe të miratohej nga Senati në kohë.

Truri dhe emocionet e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk janë për t’u shitur ose manipuluar, as nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze,” tha presidenti francez.

Deklarata e Macron vjen vetëm disa ditë pasi Britania njoftoi se po shqyrtonte kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale për adoleshentët, si pjesë e një strategjie për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtja e dëmshme dhe përdorimi i tepruar i ekranit.

Yesterday — 25 January 2026Main stream

“Arrestimin e ka pas qafe”, Beqiri: Sali Berisha po sillet si “kali në lëmë”, vendin e ka tek “313”

24 January 2026 at 23:36

TIRANË- Fjalim 15 minuta dhe 15 minuta fishekzjarrë: Sali Berisha nisi kështu atë që e quajti “kilometrin e fundit të opozitës”, në protestën e radhës poshtë kryeministrisë.

Në një miting ku ishte hequr karikatura e Ramës veshur si Maduro dhe ku munguan flamujt e përhershëm amerikanë, Sali Berisha përsëriti kërkesën për rrëzimin e Edi Ramës, dy ditë pasi e votoi atë për të shkuar në Amerikë e ulur në Shtëpinë e Bardhë përkrah Donald Trump. Duke tundur flamurin kombëtar, Sali Berisha orientoi hedhjen e fishekzjarrëve ndaj zyrës ku ditë më parë u fut Vajza e Parë e Amerikës, Ivanka Trump.

Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në “Ora e Fundit” tha se Sali Berisha nuk di të bëjë asgjë tjetër, përveç flakës dhe tymit. Sipas tij, shqiptarët tashmë ia kanë dhënë duart Sali Berishës dhe nuk e duan kurrë më në pushtet.

“I njëjti skenar, e njëjta pamje, të njëjtën gjë bënte edhe në vitin 1991. Kështu ia vuri flakën gjithë Shqipërisë. Tani e ka zvogëluar forcën e vet dhe vjen vërdallë si “kali në lëmë”, sepse Shqipëria dhe shqiptarët ia kanë dhënë duart për të mos e parë më në pushtet dhe prej tij s’ka gjë tjetër, përveç tymit, zjarrit, sepse nuk di gjë tjetër. Ai këto metoda ka.”, tha ai.

Ai pohoi se kryetari i Partisë Demokratike e di shumë mirë se e pret arrestimi për vrasjet e kryera në bulevard. Pjesa, e cila ra në sy në protestën e Berishës ishte mungesa e flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Avokati u shpreh se kjo protestë e Berishës ishte padiskutim një demonstrim edhe kundër SHBA, pasi sipas Beqirit vetë Berisha nuk e pranon dot suksesin e  rivalit të tij politik Edi Ramës, i cili u ftua në Bordin e Paqes, nga vetë presidenti Donald Trump.

“Ai e ka vendin te 313. Ai këtë kilometrin e fundit e ka kuptimplotë, sepse e di , që e ka pas qafe arrestimin për vrasjet në bulevard, por edhe për akuzat e tjera. Militantët e Berishës dinë vetëm alternativën e flakës. SHBA shikon te Rama Shqipërinë.

Këtë protestë Berisha e ka edhe kundër SHBA, sepse ai nuk mund të pajtohet me ftesën e bërë ndaj Edi Ramës dhe nuk e pranon që Rama të jetë në Bordin e Paqes. Bordi i Paqes është një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. ”, tha ai./abcnews.al

Before yesterdayMain stream

Protesta e PD/ Policia e Shtetit: 11 efektivë kanë mbetur të lënduar, 23 protestues të shoqëruar

24 January 2026 at 22:24

Gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, 11 punonjës policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmeve me molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta, të hedhura drejt tyre pranë Kryeministrisë dhe godinës së Kuvendit.

Policët e dëmtuar, të cilët ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e protestës, kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies.

Ata janë vizituar nga drejtori vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, si dhe Zëvendësdrejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.

Sipas Policisë së Shtetit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes qendrës së zërit për ndalimin e akteve të dhunës, protestuesit kanë vijuar veprimet e paligjshme, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë procedurat për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë.

Ndërkohë, shërbimet policore po analizojnë pamjet filmike për identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune dhe shoqërimin e tyre. Deri më tani janë shoqëruar 23 persona, nga të cilët një ka rezultuar i mitur. Për këtë rast janë njoftuar menjëherë prindërit dhe i mituri ka qëndruar në ambientet e pritjes së qytetarëve, deri në marrjen e tij nga prindërit, pa u shoqëruar në dhomat e ndalimit.

Policia njofton se hetimet vijojnë për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës.

Gurët e shtëpisë time/ Nga Bostoni në Rehovë, emigracioni amerikan i rehovarëve…

24 January 2026 at 22:08

Jemi në rrugë drejt Rehovës. Dimër i ashpër, dëbora ka mbuluar gjithçka dhe të kujton këngën korçare, “dëbora zbardhi malet dhe fushat tatëpjetë…”. Por në fshatin Rehovë, 2 kilometra larg nga Erseka, ndjesia është krejt tjetër. Një fshat i bardhë, i mbuluar nga dëbora, por me ngrohtësi dhe paqe pranë zjarrit. Në bujtinën Cakuli na presin Gjergji dhe Vali. Janë rikthyer në Rehovë pas 21 vjetësh në Tiranë.

Shtëpinë e gurtë e kthyen në bujtinë, “hoqëm suvatë, kthyem gurin”, siç thotë Gjergji. Gjyshi i tij emigroi në Shtetet e Bashkuara ku punoi në Boston dhe me ato para që fitoi ndërtoi shtëpinë e gurtë në fshat, në të cilën u martua me gjyshen e tij kolonjare. Bashkëshortja Vali Cakuli na flet për Rehovën si fshati i luleve, duke thënë se nuk ka kopsht pa gjelbërim në Rehovë. Ushqimi këtu është shumë i veçantë, mish me kumbulla të thara dhe petulla me raki.

Natyrisht edhe byreku me preshë. Preshet i këpusin dhe i ruajnë në kopsht të futur në dhe. Vali na flet për gjyshërit dhe stërgjyshërit e Gjergjit që ndërtuan manastiret në Malin e Shenjtë të Athosit. Në një shtëpi tjetër të Rehovës takojmë Koço Thomollarin, që gjithashtu e ka kthyer shtëpinë në bujtinë. Fëmijët flasin shqip, edhe pse në emigracion, na thotë. “Nuk ua kanë humbur gjuhën prindërit”.

Koço na tregon edhe historinë e një Rehove të vjetër. Në kohën e Perandorisë Osmane, “Beu duhej të flinte me nusen natën e parë të martesës”. “Djali nuk duroi dot dhe e vrau beun, iku ai dhe gjithë fshati”, na thotë.

Në mullirin e Thomollarëve është ngritur edhe flamuri në 1912, kur u ngrit në Vlorë. Bashkëshortja Lavdije Thomollari na tregon se burrat këtu janë marrë me “punë shteti”, ndërsa gratë bënin çdo punë tjetër, mbanin shtëpitë dhe punonin arat. Edhe këtu byrek me preshë si në dimër dhe çaji i veçantë i trëndafilave të Rehovës. Fan Noli ishte nip kolonjar dhe kërkonte fjalë të vjetra shqipe për përkthimet e tij. “Si i thonë kalit të dalë nga dimri?”, pati pyetur dhe mori përgjigjen, “kalë gërdallë”. Në Rehovë është edhe tuma ilire, një nga më të mëdhatë e Ballkanit. Rehovarët janë shumë të lidhur me fshatin e bardhë dhe duan që vitet e fundit të jetës t’i kalojnë përsëri në Rehovë.

Artizania që nuk ndalet nga mosha/ 85-vjeçarja, që kur ishte 10 vjeç kishte mësuar të punojë me bizat

24 January 2026 at 21:21

Në moshën 85-vjeçare, Mumushe Ibrahimi mban ende në duar historinë e një jete të tërë pune. E lindur dhe e rritur në Janjar, ajo e mësoi që fëmijë se jeta nuk të fal asgjë, por të mëson gjithçka nëse nuk dorëzohesh. Pas martesës u vendos në Sarandë, aty ku puna e dorës u bë shpirti i saj dhe rruga e vetme për të ecur përpara.

Që vajzë e vogël, vetëm 10 vjeçe, mori për herë të parë bizat në duar. Në një familje me shtatë fëmijë, ajo ishte më e madhja. Ditën mblidhte pambukun e fushës, ndërsa në mbrëmje e tirrte në furkë dhe bënte çorape e bluza për motrat dhe vëllezërit.

U martua vetëm 17 vjeçe, ndërsa kur erdhi në Sarandë ishte 25.

Pikërisht aty nisi rrugëtimi i saj më i gjatë: puna në fabrikën e qilimave dhe më pas në fabrikën e jorganëve. Për 52 vite me radhë, deri në prishjen e sistemit, duart e Mumushes nuk u ndalën kurrë.

Në Sarandë dhe Delvinë punonin rreth dy mijë gra dhe ajo ishte ndër të dalluarat. Modelet nuk i merrte nga askush; i krijonte vetë. Ajo nuk pati ëndrra për vete. Iu kushtua fëmijëve dhe punës së dorës. Por në atë kohë, puna ishte ëndërr.

Punimet e tyre shkonin jashtë shtetit, nga Durrësi drejt botës. Burri i saj, pjesë e degës së furnizimit, sillte lajmet nga magazinat dhe përgjegjësitë e ditës. Dhe shpesh, emri i Mumushes përmendej për punën e bërë mirë.

Në vitin 1990, kur ndërmarrja u mbyll, ajo nuk u ndal. Së bashku me një shoqe morën një tezgjah, e vendosën në një dhomë dhe filluan sërish nga e para. Qilima dhe rrugica që u shitën kudo nëpër botë.

Edhe sot, kur sheh dikë që punon, Mumushja thotë: “Të lumshin duart”. Sepse puna ka qenë vlera e jetës së saj. Me të ka rritur fëmijët, me të ka jetuar me dinjitet, pa kërkuar asgjë nga askush./abcnews.al

Kodra e Pecës, vendbanim prehistorik/ Një qytezë dardane që rrëfen historinë e saj nga lashtësia deri sot

24 January 2026 at 21:08

Një botim studimor rreth vendbanimit prehistorik në Kodrën e Pecës në Kukës hedh dritë mbi gërmimet dhe zbulimet e herëpashershme. Qyteza dardane në Kodrën e Pecës flet për vendbanimin prehistorik që prej krijimit të tij e deri në ditët e sotme.

Kjo kala e vendbanim është në njërën prej pikave strategjike të Kukësit në rrugëkalimin që lidh pjesët e tjera të Ilirsë me Dardaninë. Vetë mënyra e ndërtimeve tregon se këto fortifikime ishin të mbretërisë ilire.

Në këtë kala janë zbuluar materiale të shumta që dëshmojnë një vendbanim të rëndësishëm në periudha të ndryshme kohore ndërsa e veçanta sipas professor Luanit është zbulimi I emrave ilirë.

Struktura e kësaj kalaje dhe rëndësia strategjike u përsos në periudha të ndryshme kohore, ndër të cilat edhe ajo e perandorit Konstandin. Kurora arkitekturore dhe shumë e rëndësishme për kohën ishte ndërtimi I një kishe brenda kalasë në shekullin e VI që përkon me periudhën e perandorit Justinian.

Zbulimet e objekteve janë me shumë vlera e që dëshmojnë një cilësi e mënyrë jetese përtej një komuniteti të një shtrese të ulët e të mesme.Për profesor Luanin, nuk është e lehtë të punosh një studim të tillë, për të cilin punën e ka nisur herët bazuar në atë çfarë është studiuar e gërmuar në kodrën e Pecës.

Kalaja e Pecës është një monument me vlerë të jashtëzakonshme arkeologjike e historike për të cilin Ministria e Kulturës e ka kategorizuar si monument me rëndësi të kategorisë A.

Protesta/ Çupi: Berishës t’i vihen prangat si organizator i vrasjes së mbetur në tentativë ndaj efektivëve

24 January 2026 at 20:28

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në ABC News, u shpreh se Sali Berishës duhet t’i vihen prangat si organizator i vrasjeve të mbetur në tentativë ndaj efektivëve të Policisë.

“Sali Berishës t’i vihen prangat si organizator të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj efektivëve të Policisë. Sot duhet t’i vënë prangat dhe nesër t’i caktojnë masën e  sigurisë”, tha ai.

Kilometri i fundit i Berishës/ Çupi: Jo vetëm ai, por edhe opozita ndodhet në këtë “stacion”

24 January 2026 at 20:01

TIRANË- Analisti i njohur Frrok Çupi, i ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Abc News, u shpreh se Sali Berisha ashtu edhe opozita shqiptare kanë hyrë në kilometrin e fundit pasi nuk përcjellin shpresë për askënd.

“Që të dyja janë në kilometrin e fundit, Berisha ndodhet në kilometri e fundit, sepse e pret gjykimi, e pret drejtësia. Opozita ndodhet në kilometrin e  fundit, sepse ka qejf ta dëgjojë këtë fjalë, sepse është një opozitë e lënë rrugëve, qoftë dhe mendërisht”, tha ai.

Ai tha se në PD sot ekzistojnë dy fronte, të cilat po e përçajnë më tej partinë.

“Pamë dy opozita aty, Salianji dhe Berisha, ishte tregues i qartë, që tregon për një opozitë e shpartalluar dhe e përçarë. Ai ka përçarë vendin dhe Shqipërinë.”, tha ai./abcnews.al

“Berisha ka vrarë kombin e vet”, Çupi: Përveç njollës “non grata”, bota perëndimore e njeh kreun e PD si trafikant

24 January 2026 at 19:54

TIRANË- Analisti i njohur Frrok Çupi, u shpreh se bota perëndimore e di shumë mirë se kush është e shkuara e Sali Berishës.

Ai theksoi se përveç damkës “non grata” të vendosur nga SHBA dhe Britania e Madhe, për veprimtarinë e tij ka dhe informacione të tjera që e lidhin kreun e Partisë Demokratike me botën e errët të trafikut të drogës dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

“I gjithë ky glob, që duket i hallakatur, i shpërndarë, në diversitet, prej shekujsh ka një lidhje qeverisëse morale dhe ligjore ashtu si dhe ushtarake. Çfarëdo që të ndodh në glob, janë forcat përparimtare perëndimore, të cilat i balancojnë të gjitha gjërat, nëse SHBA e shpallin dikë non grata….

Ka një gjë tjetër përveç “non grata”, Berisha është bashkëpunëtor i terrorizmit, është vrarës i kombit të vet, është trafikant njerëzish dhe trafikant droge dhe bota e shpërndan këtë informacion këtë në kanale të sigurta.

Bota pasi e merr këtë informacion, nuk të fton. Nuk mund të ftohet Bin Laden në Europë, as Ajatollahu në Evropës, nuk mund të ftohës as Sali Berisha”, tha ai./abcnews.al

❌
❌