Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 January 2026Main stream

Shtatore bronzi në përkujtim të Ismail Kadaresë

28 January 2026 at 15:45

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Në ditën e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në kafenenë e preferuar të tij, pranë parkut të Liqenit të Tiranës, është vendosur një statujë bronzi.

Vendosja e kësaj skulpture përkujtimore ka qenë një nismë e miqve më të afërt të shkrimtarit.

E pranishme ka qenë edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare e cila u shpreh për mediet se, kjo ditë ka një domethënie të veçantë për të.

“Kjo shtatore e mrekullueshme, në ditëlindjen e Ismailit, ishte një ndjenjë që të mbushte zemrën”, tha Helena Kadare, e cila kujton me mall se si Ismaili vinte çdo ditë në këtë vend, së bashku me botuesin e tij, për shëtitje dhe kafe.

Shtatorja është vepër e skulptorit Henri Mimani, i cili është kujdesur që figura e shkrimtarit të njohur të ishte sa më njerëzore. /j.p/

The post Shtatore bronzi në përkujtim të Ismail Kadaresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“L’elisir d’amore” rikthehet në Teatrin e Operas pas 14 vjetësh

28 January 2026 at 15:25

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të vërë në skenë një nga operat më të famshme të Gaetano Donizetti-t, “L’elisir d’amore”.

Kjo opera lirike, e karakterizuar nga komiciteti dhe romantizmi, vjen në datat 11, 12, 13 dhe 14 shkurt. Ngjarjet zhvillohen në një fshat piktoresk bregdetar, ku shpaloset historia e Nemorinos, djaloshi naiv dhe i ndrojtur, i cili beson se një elikzir magjik do ta ndihmojë të fitojë zemrën e Adinës. Muzika e Donizetti-t e  shndërron elikzirin në simbol të shpresës dhe dëshirës njerëzore për t’u ndjerë i zgjedhur dhe i dashur.

“L’elisir d’amore” bashkon në skenë emra të spikatur të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, duke sjellë një larmi zërash dhe temperamentesh artistike, të ndarë në dy kaste.

TKOBAP bëri të ditur se, në këtë opera do të jenë edhe emra që janë bërë të njohur ndërkombëtarisht si Enkeleda Kamani dhe Gëzim Myshketa, të cilët i japin këtij produksioni një dimension të gjerë artistik dhe profesional.

Enkeleda Kamani dhe Nina Muho do t’i japin jetë Adinës me finesë vokale dhe ndjeshmëri skenike, duke nxjerrë në pah karakterin e saj të lirë dhe lozonjar. Në rolin e Nemorinos do të jenë Galeano Salas dhe Matteo Mezzaro me emocionin, butësinë dhe sinqeritetin e djaloshit naiv e të dashuruar.

Davide Luciano dhe Artur Vera interpretojnë rolin e Belcores me autoritet dhe prani të fuqishme skenike. Rolin plot ngjyra të Doktor Dulcamarës e mishërojnë Gëzim Myshketa dhe Matteo D’Apolito, me energji, karizëm dhe një sens të mprehtë komik që gjallëron çdo skenë. Ndërsa Ana Tafani dhe Greis Shametaj sjellin Gianettën me freskinë, hijeshinë dhe elegancën që e përfaqëson personazhin e saj, duke plotësuar kështu mozaikun e kësaj komedie lirike e plot jetë.

“L’elisir d’amore” rikthehet në skenën e TKOBAP pas 14 vitesh, me regjinë e Riccardo Canessa-s, dhe skenografi e kostume nga Alfredo Troisi. /j.p/

The post “L’elisir d’amore” rikthehet në Teatrin e Operas pas 14 vjetësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos

28 January 2026 at 15:13

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Blerta Xhomo me ekspozitën e saj “Light in the deep” sjell këtë fund janari në Galerinë FAB, një udhëtim “në brendësinë e njeriut” që kujton Danten, por të shprehur në mënyrë piktorike përmes një gjuhe që bashkon traditën e madhe të ekspresionizmit evropian me dramën e kompozimit barok.

Në ekspozitën “Light in the deep” (“Dritë në Thellësi”), Blerta Xhomo eksploron dualizmin në zemër të ekzistencës, të pazgjidhshëm të qenieve njerëzore midis dritës dhe hijes, të mirës dhe së keqes, materies dhe shpirtit, si dimensione kundërshtuese, por njëkohësisht thelbësore për arritjen e një ekuilibri më të lartë.

Teksti kuratorial i ekspozitës thotë se, qëllimi i këtij projekti, i përbërë nga një seri veprash të krijuara posaçërisht nga artistja, është të ofrojë një reflektim mbi kompleksitetin dhe kontradiktat e natyrës njerëzore, e cila mbetet vazhdimisht e ndarë mes dritës dhe hijes që e shoqërojnë në udhëtimin e saj, duke e bërë atë të pasigurt, të vështirë dhe të mbushur me rënie e fillime të reja.

Në disa vepra, dallohet edhe ndikimi futurist përmes vijave të fuqishme, që përcjellin ndjesinë e shpejtësisë dhe lëvizjes, të një energjie të brendshme që rrezaton nga figura drejt hapësirës përreth.

 

 

The post “Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

28 January 2026 at 13:18

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Në vitin 2006, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës vendosi ta caktojë 28 janarin si Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave. Kjo ditë tani festohet në të gjithë botën, nën emrin “Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale” ose “Dita e Privatësisë”.

Kjo ditë shërben për të rritur ndërgjegjësimin mbi nevojën për të respektuar dhe mbrojtur privatësinë e individit dhe duke theksuar rolin e Konventës 108 për fluksin ndërkufitar të të dhënave në botë.

Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale këtë vit ndodh në një moment kyç, pasi përparimet dhe inovacionet teknologjike kryqëzohen me mundësi të dobishme dhe sfida të reja nga perspektiva e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Autoritetet mbikëqyrëse të mbrojtjes së të dhënave dhe autoritetet e tjera kompetente rrisin përpjekjet e tyre si pasojë e zhvillimeve të reja teknologjike në fusha të tilla si Inteligjenca Artificiale dhe neuroshkenca për të përforcuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e privatësisë.

Gjatë 45 viteve të fundit, Konventa 108 ka kontribuar në zhvillimin e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë. Versioni i saj i modernizuar (i njohur si Konventa 108+) adreson sfidat gjithnjë e në rritje të botës digjitale për të ndërtuar një hapësirë ​​për transferimin e lirë të të dhënave, duke siguruar njëkohësisht dinjitetin njerëzor.

Në këtë 20-vjetor të Mbrojtjes së të Dhënave, Këshilli i Evropës (KiE) planifikon aktivitete online, ku autoritetet pjesëmarrëse do të kenë mundësinë të ndajnë iniciativat e dedikuara për këtë rast.

Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (NCPDP) do të organizojë, në kontekstin e marrjes së presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga Republika e Moldavisë, një konferencë kombëtare me titull “Zbatimi i kuadrit ligjor mbi mbrojtjen e të dhënave: sfidat, përfitimet, qëndrueshmëria”, në të cilën Sekretariati është gjithashtu i ftuar të kontribuojë. /j.p/

The post Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes

28 January 2026 at 09:36

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës.

Në këtë 90-vjetor, ministri Blendi Gonxhja, duke e cilësuar si një kolos të letrave shqipe, shprehet se, gjeniu Kadare, la pas një testament të përjetshëm, një vlerë të paçmuar, shenjues të identitetit tonë kombëtar.

“Përulemi plot nderim përpara madhështisë së një prej shkrimtarëve më të shquar të letërsisë shqiptare. I paharruar”, shprehet ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Ismai Kadare ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda e jashtë kufijve të vendit. Me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” (1963), pena Kadaresë i kapërceu kufijtë e atdheut, megjithë izolimin komunist.

Karriera e Kadaresë shënoi kulme të tjera me “Kështjella”, botuar në vitin 1970, “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës, “Kronikë në gur” (1970),  “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), i cili veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar u bë anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Në tetor 2023 presidenti francez Emmanuel Macron, në Tiranë, e ngriti në gradën e Oficerit të Lartë, në Urdhrin e Legjionit të Nderit.

Ai u vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj.), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera.

Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës. /j.p/

 

The post Përkujtohet gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 27 January 2026Main stream

Konkurs Kombëtar i Pikturës për fëmijët 6-15 vjeç

27 January 2026 at 15:46

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë fton fëmijët e talentuar në pikturë të marrin pjesë në edicionin e dytë të Konkursit Mbarëkombëtar të Pikturës për Fëmijë “Unë jam NGJYRA”.

Përveç çdo fëmije nga Shqipëria, në konkurs mund të bëhen pjesëmarrës edhe fëmijët e talentuar nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Tema e edicionit të 2026-ës është “Zogjtë” dhe koha e pranimit të aplikimeve është deri më 13 prill 2026. Fëmijët pjesëmarrës në konkurs do të ndahen në tre kategori: 6-9 vjeç, 10-12 vjeç, 13-15 vjeç

Punimi i artistëve të vegjël do të duhet të dërgohet fizikisht ose me postë, te Teatri i Kukullave dhe mund të jetë punuar me teknikat: akrelik, akuarel, ngjyra druri, lapustila, pastel, grafikë, teknika mikse, etj, në formatin A3, letër kartoni.

Pas mbledhjes së punëve, një juri e jashtme profesionistësh do të përzgjedhë punimet më të mira nga secila kategori. Vetëm konkurrentët finalistë nga secila kategori do të njoftohen për të marrë pjesë në ekspozitën që do të organizohet me këtë rast në Tiranë.

Për secilën kategori moshe do të ketë nga 3 çmime të para. /j.p/

The post Konkurs Kombëtar i Pikturës për fëmijët 6-15 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurimi shpëton Urën e Palecit të dëmtuar nga përmbytjet

27 January 2026 at 14:47

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Sasia e madhe e reshjeve të rëna kohët e fundit, kishte dëmtuar Urën e Palecit, në fshatin Tozhar, komuna Tërpan, Poliçan.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat tha se konstatoi dëmtime në muraturën e gurit pranë harkut të djathtë të urës dhe vendosi të vinte në zbatim projektin e parashikuar për “Konservimin dhe Restaurimin e Urës së Palecit” për këtë segment.

Ndërhyrja konsistoi në restaurimin e murit të gurit, që solli stabilizimin e strukturës dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme.

Ura e Palecit është pjesë e rrugës së karvaneve Berat – Skrapar – Korçë, në anën e majtë të Osumit, e cila fillimisht ka qenë me tri harqe, me trase të kurbëzuar.

Sot ruhen vetëm dy harqet e djathtë mbi tokë, ku njeri prej tyre është gjysmërrethor dhe tjetri anësor është me majë, punuar me tek qemer dhe sipër me kornizë rasë guri. Kjo vepër inxhinierike duhet të jetë ndërtuar gjatë shekullit XVIII. Pas dëmtimit të një pjese të urës (mungesa e një harku dhe mbështetësja anësore) është krijuar një pasarelë, e cila mundëson kalimin e njerëzve, nga të dyja anët e lumit. /j.p/

The post Restaurimi shpëton Urën e Palecit të dëmtuar nga përmbytjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy javë me aktivitete kulturore nga Fondi Kulturor Zviceran

27 January 2026 at 13:54

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në Tiranë nisën aktivitetet e Javës Kulturore Zvicerane 2026 (26 janar-7 shkurt) e cila rikthehet me një program të kuruar ekspozitash, performancash, shfaqjesh dhe diskutimesh publike, duke vendosur kulturën në qendër të reflektimit mbi shoqërinë, kujtesën dhe të ardhmen e mundshme.

Në një program dyjavor janë parashikuar 10 projekte artistike: ekspozita, performanca dhe diskutime publike nga artistë shqiptarë. Aktivitetet nisën dje në Librarinë Valentini, e organizuar nga Ambasada Zvicerane dhe Fondi Kulturor Zviceran (SCF).

“Bashkëpunimi ndërkombëtar i Zvicrës e njeh kulturën si një mjet thelbësor për arritjen e qëllimeve të zhvillimit. Krahas mbështetjes sonë të vazhdueshme për demokracinë dhe ekonominë në Shqipëri, ne mbështesim gjithashtu sektorin e pavarur kulturor”, tha ambasadorja zvicerane, Ruth Huber, në hapje.

E pranishme në hapje ishte zëvendësministrja e Kulturës, Lira Pipa, e cila gjithashtu theksoi nevojat kryesore të sektorit kulturor në Shqipëri dhe shprehu falënderime për mbështetjen e partnerëve të tillë si ambasadat.

Ndryshe nga javët kulturore të organizuara nga ambasadat, ky program dallohet pasi paraqet vepra dhe shfaqje nga artistë shqiptarë.

“Ajo që është zvicerane në këtë javë, është vetëm mbështetja përmes programit të bashkëpunimit, ndërsa prodhimet dhe performancat janë të gjitha punë dhe ide të artistëve të pavarur shqiptarë”, tha ambasadorja.

Aktivitetet e mbështetura nga Ambasada Zvicerane, përveç Tiranës do të përfshijnë edhe qytetet e Elbasanit e Shkodrës.

Që prej 2017, Fondi Kulturor Zviceran ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e artistëve të pavarur dhe praktikuesve të kulturës në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht, SCF përqendrohet në shfrytëzimin e arteve dhe kulturës për të nxitur dialogë kuptimplotë mbi çështjet e zhvillimit, duke shfaqur aftësinë unike të artit për të frymëzuar reflektim dhe lidhje. Ai është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). /j.p/

The post Dy javë me aktivitete kulturore nga Fondi Kulturor Zviceran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AQSHF përkujton Holokaustin me shfaqjen e “Rrethit të kujtesës”

27 January 2026 at 12:07

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në sallën e Kinemasë “Drita”, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, u shfaq filmi “Rrethi i kujtesës”, në kuadër të një aktiviteti përkujtimor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Ishin të pranishëm edhe krijuesit e filmit: regjisori Esat Musliu dhe shkrimtarja Diana Çuli, autore e romanit me të njëjtin titull, mbi të cilin u bazua skenari i Roland Gjozës.

Filmi, prodhimi i vitit 1987, u ndoq edhe nga gjimnazistë të shkollës “Eqerem Çabej” si edhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës, të cilët u bënë pjesëmarrës në bisedën mbi filmin, duke dëshmuar rëndësinë që temat e kujtesës historike kanë për brezat e rinj.
Shkrimtarja Diana Çuli dhe regjisori Esat Musliu ndanë me publikun detaje interesante mbi procesin krijues të veprës, sfidat e ekranizimit dhe mënyrën se si u trajtua një temë kaq delikate dhe e dhimbshme si ajo e kampeve të përqendrimit dhe eksperimenteve çnjerëzore naziste. Diskutimi solli jo vetëm kontekst historik, por edhe reflektime mbi përgjegjësinë morale të artit për të dëshmuar dhe për të mos lejuar harresën.

AQSHF tha se kjo shfaqje, më shumë se një ngjarje filmike, ishte një përvojë informuese dhe ndërgjegjësuese, ku filmi, letërsia dhe historia u ndërthurën për të rikujtuar se kujtesa është një akt i domosdoshëm njerëzor dhe shoqëror. /j.p/

The post AQSHF përkujton Holokaustin me shfaqjen e “Rrethit të kujtesës” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dorëshkrimet e dijetarëve mesjetarë në Bibliotekën Digjitale

27 January 2026 at 11:32

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në fondin e Bibliotekës Kombëtare gjenden dorëshkrime të rralla, që sjellin deri në ditët tona, dijen e përcjellë nga periudha e Mesjetës.

Një shembull i ekzemplarëve të rrallë, tashmë të digjituar, është një dorëshkrim i rrallë, “Elmülahhas fil heye” (Dije mbi yjet) i cili përmban të dhëna mbi astronominë, të shoqëruara me vizatime dhe skema shpjeguese, që tregojnë mënyrën se si konceptohej universi në traditën shkencore islame.

Vepra e Mahmûd b. Muhammed b. Ömer el-Çağmînî el-Hârizmî trajton strukturën e qiellit, lëvizjen e trupave qiellorë dhe parimet bazë të astronomisë klasike, duke shërbyer si tekst mësimor dhe referues për breza studiuesish.

Ekzemplari i dorëshkruar dallohet për kopertinën e gdhendur prej lëkure dhe për ruajtjen e elementeve autografe, të cilat ofrojnë informacion mbi përdorimin, transmetimin dhe qarkullimin e dijes shkencore në dorëshkrime.

Si dokument i trashëgimisë shkencore, ky dorëshkrim ndihmon të kuptojmë jo vetëm njohuritë astronomike të kohës, por edhe mënyrën se si dija vizualizohej dhe transmetohej përmes tekstit dhe ilustrimit.

Materiali është pjesë e fondit të dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe është i digjituar në Bibliotekën Digjitale. /j.p/

1 nga 5

The post Dorëshkrimet e dijetarëve mesjetarë në Bibliotekën Digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Shqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore

26 January 2026 at 16:03

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, organizata rinore digjitale “RinOn” dhe ambasada e Izraelit në Tiranë organizuan një event  për të sjellë në kujtesë strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rejvi Dervishi, themeluesi i RinOn, u shpreh se është përgjegjësia jonë e përbashkët që të kujtojmë dhe të reflektojmë mbi tragjedinë që preu përdhunshëm fillin e jetës së gjashtë milionë të pafajshmëve, të cilëve iu rrëmbye e drejta e jetës.

Të rinjtë u bënë pjesë e një aktiviteti për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në Piramidën e Tiranës, duke kujtuar si Shqipëria u bë strehë për qindra hebrenj, që gjetën mbrojtje dhe sigurisë në shtëpitë e shqiptarëve.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm anëtarë të trupit diplomatik izraelit, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore në DPA, Lorenc Agalliu etj.

Zëvendësambasadori Gal Rudich tha se Shqipëria mbetet shembull që dëshmon se gjithçka mund të kishte qenë ndryshe.

“Ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës, hebrenjtë e Shqipërisë u shpëtuan nga përndjekja dhe u mbajtën të sigurt gjatë luftës. Populli shqiptar zgjodhi të shpëtonte jetë të pafajshme duke rrezikuar jetën e tyre. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, tha Rudich.

Ndërsa pedagogia dhe deputetja e PS-së, Luarasi kujtoi se holokausti nisi me barcaleta raciste, teori komploti dhe ligje diskriminuese që një pjesë e shoqërisë i pranoi si normale. “Indiferenca është gjithmonë një oksigjen për krime të tilla”, tha Luarasi.

Lidhur me tematikën e Holokaustit, DPA-ja ka prezantuar më herët ekspozita dokumentare dhe fotografike mbi përpjekjet e përbashkëta të shtetit shqiptar, të diplomatëve dhe të autoriteteve fetare, për mbrojtjen e komunitetit hebre nga terrori antisemit.

1 nga 5

/r.e/

The post Shqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit

27 January 2026 at 08:00

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005 caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.

Kjo datë u zgjodh pasi përkon me përvjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit dhe vdekjes, Auschwitz Birkenau, më 27 janar 1945.

Mbi një milion njerëz u vranë vetëm në këtë kompleks të madh, shumica prej tyre hebrenj. Duke shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm, UNESCO po organizon një sërë ngjarjesh që kujtojnë rëndësinë e vazhdueshme të mësimdhënies dhe të mësuarit rreth holokaustit, në nivel global.

Kjo ditë ndërkombëtare është një kujtesë globale për rreziqet e urrejtjes, fanatizmit dhe antisemitizmit. Dita është një thirrje për të kujtuar, reflektuar dhe ndërmarrë veprime për të siguruar që mizori të tilla të mos ndodhin më kurrë. Kjo ditë kremtohet me ngjarje dhe aktivitete përkujtimore në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork dhe zyrat e Kombeve të Bashkuara në të gjithë botën.

Kombet e Bashkuara u krijuan në përgjigje të tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe holokaustit.

Holokausti ka pasur një ndikim të thellë në Ligjin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, duke rezultuar në miratimin e dokumenteve themelore nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948: Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit. /j.p/r.e/

The post Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Laver Bariu, mjeshtri i klarinetës shqiptare

26 January 2026 at 12:37

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Më 26 janar 2014 u nda nga jeta Laver Bariu, legjenda e polifonisë dhe klarinetës së jugut.

Laver Bariu lindi në Përmet në vitin 1926. U formua si muzikant në mjedisin familjar, nën ndikimin e të atit dhe të shokëve të tij muzikantë e këngëtarë popullorë. Një ndikim në formimin e tij patën edhe sazexhinjtë e Leskovikut.

Laver Bariu u bë jo vetë klarinetist por edhe këngëtar e krijues i grupit të sazeve të Përmetit, i vlerësuar me titullin Artist i Popullit. Laver Bariu mori pjesë në të gjitha festivalet Folklorike të Gjirokastrës, në festivale të tjera kombëtare dhe në mjaft turne jashtë vendit. Ai realizoi regjistrime muzikore në RTSH, ku edhe shoqëroi këngëtarë të njohur popullorë.

Me studiues shqiptarë e të huaj ka realizuar edhe disa CD. Ishte pjesëmarrës dhe realizues kryesor i muzikës në disa filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si “Gjeneral Gramafoni” (1977), “Këngët e zemrës” (1989). Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës. /j.p/

The post Laver Bariu, mjeshtri i klarinetës shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Beni ecën vetë” feston 50-vjetorin

26 January 2026 at 10:19

TIRANË, 26 janar/ATSH/ 50 vjet më parë, më 26 janar të vitit 1976, u shfaq premiera e filmit “Beni ecën vetë”.

Filmi mban firmën e regjisores Xhanfise Keko (Artiste e Popullit) dhe u xhirua në vitin 1975 në Vithkuq, Drenovë e Korçë, me skenar të Kiço Blushit.

Kompozitori i filmit është Limos Dizdari, operator Saim Kokona, piktor Myrteza Fushekati.

Megjithëse kanë kaluar pesë dekada prej asaj date, ai mbetet në kujtesën e publikut, veçanërisht të atij brezi që u rrit duke parë në ekranin e madh dhe atë të vogël, Benin dhe aventurat e tij në fshat.

Filmi “Beni ecën vetë” është fitues i Kupës së Festivalit të parë të Filmit Shqiptar (1976) si filmi më i mirë dhe i pari film artistik shqiptar që është nderuar me çmime speciale në festivale ndërkombëtare filmi si në Film Fest Beograd (Jugosllavi – 1978) dhe Giffoni Film Festival, Salerno (Itali – 1978). Ndërkohë që, regjisorja Xhanfise Keko dhe skenaristi Kiço Blushi, janë fitues të Çmimit të Republikës (1979) për realizimin me nivel të lartë artistik të filmit.

“Beni ecën vetë” është një kthim te fëmijëria, te fshati, te rrugicat, lojërat e pafajshme, emocionet e vegjëlisë. Regjisorja Keko e solli me një gjuhë të thjeshtë, njerëzore dhe plot ndjenjë.

Në rolin e Benit, interpreton Herion Mustafaraj, me në krah disa prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare si Pandi Raidhi, Dhorkë Orgocka e Yllka Mujo.

Gjatë këtyre 50 viteve të jetës së tij, filmi “Beni ecën vetë” është pritur me mjaft interes edhe nga spektatori i huaj në Gjermani, Zvicër, Francë, Itali, Jugosllavi, Greqi, Turqi, Danimarkë, Algjeri, Austri, Spanjë, Norvegji e USA ku është shfaqur në festivale ndërkombëtare filmi. /j.p/

1 nga 5

The post “Beni ecën vetë” feston 50-vjetorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Energjisë së Pastër

26 January 2026 at 10:16

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Energjisë së Pastër, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve te Bashkuara, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mobilizuar veprime për një tranzicion të drejtë dhe gjithëpërfshirës drejt energjisë së pastër në dobi të njerëzve dhe planetit.

26 janari është gjithashtu data e themelimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme (IRENA), një agjenci globale ndërqeveritare e themeluar për të mbështetur vendet në tranzicionet e tyre energjetike.

Në një botë që përballet me ndryshimet klimatike, energjia e pastër luan një rol jetësor në uljen e emetimeve. Ende sot, 666 milionë njerëz jetojnë në errësirë, ku 85 % e tyre jetojnë në Afrikën Sub-Sahariane.

Për popullatat pa qasje në energji të pastër, mungesa e energjisë së besueshme pengon arsimin, kujdesin shëndetësor dhe mundësitë ekonomike, dhe shumë nga këto rajone në zhvillim ende mbështeten shumë në lëndët djegëse fosile ndotëse. Rreth 1.5 miliardë njerëz në zonat rurale ende përdorin sisteme gatimi të pasigurta, të pashëndetshme dhe joefikase, të tilla si djegia e drurit ose plehut, dhe numri i njerëzve pa gatim të pastër vazhdon të rritet.

Një pjesë e madhe e gazrave serrë që mbulojnë Tokën dhe bllokojnë nxehtësinë e Diellit gjenerohen përmes prodhimit të energjisë, duke djegur lëndë djegëse fosile (naftë, qymyr dhe gaz) për të prodhuar energji elektrike dhe nxehtësi.

Shkenca flet qartë: për të kufizuar ndryshimet klimatike, duhet t’i japim fund varësisë sonë nga lëndët djegëse fosile dhe të investojmë në burime alternative të energjisë që janë të pastra, të arritshme, të përballueshme, të qëndrueshme dhe të besueshme.

Burimet e energjisë së rinovueshme, të cilat janë të disponueshme me bollëk përreth nesh, të ofruara nga dielli, era, uji, mbeturinat dhe nxehtësia nga Toka, i jep natyra dhe lëshojnë pak ose aspak gazra serrë ose ndotës në ajër. /j.p/

The post Dita Ndërkombëtare e Energjisë së Pastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbrëmja përkujtimore për regjisorin Dhimitër Anagnosti, moment mirënjohjeje për trashëgiminë artistike

24 January 2026 at 11:47

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së regjisorit Dhimitër Anagnosti, ne Sallën e Koncerteve, në Universitetin e Arteve, u organizua një mbrëmje kushtuar jetës e veprës së tij.

Dhimitër Anagnosti, një prej figurave themeluese të kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta më 1 shtator 2025.

Mbrëmja u shoqërua nga muzika e filmave që i dhuroi Anagnosti, kinematografisë shqiptare. Shpesh ai u cilësua si “poeti i filmit”.

Dhimitër Anagnosti ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit filmik shqiptar, me një gjuhë kinematografike të ndjeshme, humane dhe thellësisht poetike.

Gjatë kësaj mbrëmjeje homazh mbi ekran u shfaqën edhe foto nga arkivi familjar i artistëve Dhimitër e Roza Anagnosti.

Aktiviteti erdhi si një moment mirënjohjeje për trashëgiminë artistike të një artisti që formësoi breza me kujtesën kolektive që trashëgohet ende.

Miq, kolegë e familjarë rikujtuan rrugëtimin krijues të Anagnostit dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që vepra e tij ka pasur në identitetin e kinemasë shqiptare.

Bashkëshortja e regjisorit, aktorja Roza Anagnosti solli në vëmendje disa nga kontributet e tij në kinematografinë shqiptare duke theksuar se krijmtaria e tij ka shumë dimensione.

Duke shprehur mirënjohjen për nderimin që iu bë regjisorit në emër të saj dhe dy vajzave, Juna dhe Era, Roza Anagnosti u shpreh se arti i filmit mban brenda mundin e shumë krijuesve disa prej të cilëve janë të pranishëm këtu e disa nuk janë mes nesh.

Rrugëtim të dhimbshëm dhe të bukur e quajti aktorja karrierën e bashkëshortit të saj.

“Dhimitri mbeti gjithmonë mirënjohës ndaj dashurisë që mori nga publiku, nga kolegë të respektuar për punën e tij të jashtëzakonshme në dobi të kulturës si artist, intelektual e si qytetar. Ishte një familjar i përkushtuar model, por ishte modest, ishte fisnik. Ndonëse kohët e fundit vuante nga shëndeti ai përballoi me dinjitet dhe me një guxim të paparë. Pranë kishte familjen e dashur, mjekët dhe miq të mrekullueshëm. Ka qenë një privilegj për mua që kam rrugëtuar me të 61 vjet. Krijuam artin tonë dhe një familje të bukur me vajzat tona, nipat, mbesat dhe të kam në mendje dhe në zemër përjetësisht!”, u shpreh Roza Anagnosti.

I cilësuar si një prej regjisorëve më të rëndësishëm të vendit, në karrierën e tij mëse 40-vjeçare, Anagnosti numëron 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Ndër filmat më të realizuar të Anagnostit, mbeten “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Në shtëpinë tonë”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj.

Mbrëmja u organizua nga familja Anagnosti, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Universitetit të Arteve dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

The post Mbrëmja përkujtimore për regjisorin Dhimitër Anagnosti, moment mirënjohjeje për trashëgiminë artistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Arsimit

24 January 2026 at 08:13

TIRANË, 24 janar/ATSh/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e përcakton arsimin si një të drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi publike. Asambleja e Përgjithshme e OKB-se e shpalli 24 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, për të vlerësuar rolin e arsimit për paqen dhe zhvillimin.

Arsimi si një e drejtë njerëzore është e sanksionuar në nenin 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Deklarata kërkon arsim fillor falas dhe të detyrueshëm. Konventa për të Drejtat e Fëmijës, e miratuar në vitin 1989, shkon më tej duke përcaktuar që vendet duhet ta bëjnë arsimin e lartë të arritshëm për të gjithë.

Arsimi u ofron fëmijëve një shkallë për të dalë nga varfëria dhe një rrugë drejt një të ardhmeje premtuese. Por rreth 244 milionë fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën janë jashtë shkollës; 617 milionë fëmijë dhe adoleshentë nuk mund të lexojnë dhe të bëjnë matematikën bazë; më pak se 40% e vajzave në Afrikën Subsahariane përfundojnë shkollën e mesme të ulët dhe rreth katër milionë fëmijë dhe të rinj refugjatë janë jashtë institucioneve të arsimit.

OKB thotë se, pa arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë, vendet nuk do të kenë sukses në arritjen e barazisë gjinore dhe në thyerjen e ciklit të varfërisë që po lë pas miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur.

/a.f/

The post Dita Ndërkombëtare e Arsimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kisha eremite në shpellën e fshatit Kokorisht

24 January 2026 at 08:06

TIRANË, 24 janar/ATSh/ Në Lunik të Librazhdit gjendet një kishë eremite, që njihet nga banorët e zonës si “Shpella kishë”, e cila prej vitit 1973 gëzon statusin Monument Kulture, Kategoria I.

Kisha në shpellën e fshatit Koshorisht, është një zgavër natyrore shkëmbi, me tavan të suvatuar dhe të pikturuar me kompozime murale që paraqesin Shën Marinë me Emanuelin, Krishtin Pandokrator dhe familjen e ktitorit në miniaturë.

Burime historike, por edhe gjurmë të vendbanimeve të ndryshme në Shqipëri, dëshmojnë se edhe në trojet shqiptare ka pasur një traditë të jetës eremite. Shpellat eremite, apo shpellat-kisha, siç i quante pupulli, janë dëshmi që vërtetojnë se edhe në këto treva kanë jetuar dhe kanë zhvilluar ativitetin e tyre fetar eremitët e krishterë.

Piktura ka disa skena në kompozimin e saj, të cilat mbartin vlera të rëndësishme kulturore dhe historike. Por, krahas skenave biblike, aty paraqitet figura e ktitorit, apo dhuruesit të pikturës, bashkë me pjesëtarët e familjes së tij.

Shpella e Koshorishtit, për vlerat e saj historike e kulturore që mbart, ka qenë objekt studimi dhe hulumtimi i disa prej studiuesve shqiptarë më të njohur, si prof. Theofan Popa, prof. dr. akademik Andromaqi Gjergji, prof. dr. Dhorka Dhamo etj.

Sipas studiuesit Theofan Popa këto piktura i përkasin një periudhe shumë të hershme, nga gjysma e dytë e shek. IX deri në shek. XII, duke e bërë këtë monument një dëshmi të rrallë të trashëgimisë sonë kulturore.

1 nga 5

/r.e/a.f/

The post Kisha eremite në shpellën e fshatit Kokorisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Musine Kokalari, intelektualja që sfidoi regjimin komunist

23 January 2026 at 09:53

TIRANË, 23 janar/ATSh/ Më 23 janar të vitit 1946 u arrestua intelektualja shqiptare Musine Kokalari.

Një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, Musineja do të spikaste që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare.

Musine Kokalari lindi në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri. Mësimet e para i mori në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Itali, në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Deri në vitin 1944 botoi dy libra: “Seç me thotë nënua plakë” dhe “Rreth vatrës”.

Vendosja e regjimit komunist do të sillte ndryshime rrënjësore në jetën e Musinesë. Në nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit, Mumtas e Vesel Kokalari, ndërsa ajo u burgos për disa ditë. Më 23 janar 1946 u arrestua për herë të dytë. Procesi gjyqësor e dënoi me 20 vite heqje lirie. Në gjyqin e zhvilluar Musine Kokalari do të shprehej:

“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen.”

Musine Kokalari vuajti 16 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria.

Ndërroi jetë në vitin 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet shtetërore. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”.

/a.f/r.e/

The post Musine Kokalari, intelektualja që sfidoi regjimin komunist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pikturat murale të Kishës së Shën Todrit i nënshtrohen restaurimit të specializuar

23 January 2026 at 08:01

TIRANË, 23 janar/ATSh/ Në laboratorin e restaurimit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po zhvillohen ndërhyrje konservuese dhe restauruese të specializuara mbi fragmente të pikturës murale të kishës së Shën Todrit, Kadipashaj (Lushnjë).

Procesi realizohet me standarde profesionale dhe metodologji bashkëkohore, duke garantuar ruajtjen e autenticitetit, vlerave artistike dhe historike për brezat e ardhshëm

Kisha e Shën Todrit në Kadipashaj është Monument Kulture, vepër e gjysmës së parë të shek. XIX nga Joan Çetiri.

Kisha i është nënshtruar punimeve restauruese për konsolidimin e strukturës, sistemin e drenazhit si dhe ndërhyrje restauruese të elementeve arkitektonike.

Ndërhyrjet nisën vitin që shkoi nën mbikëqyrjen e specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, me qëllim jo vetëm ruajtjen e vlerave historike e shpirtërore të kishës, por edhe rikthimin e saj si një hapësirë e gjallë e identitetit kulturor të komunitetit.

Restaurimi i pikturës murale prej laboratorit të IKTK-së është shumë i rëndësishëm. Gjithashtu ai i ikonostasit si dhe i tavanit të drurit të dekoruar në naos, i veçantë në llojin e tij.

/a.f/r.e/

The post Pikturat murale të Kishës së Shën Todrit i nënshtrohen restaurimit të specializuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌