Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 January 2026Main stream

FOTOLAJM/ Trump “prezanton veten” si president edhe të Venezuelës

By: Rovena
12 January 2026 at 09:55

Presidenti amerikan Donald Trump ka postuar një imazh “duke e prezantuar veten presidenti në detyrë i Venezuelës”.

Dhe ky veprim vjen disa ditë pasi forcat amerikane kapën ish-presidentin e kombit të Amerikës së Jugut, Nicolás Maduro.

Postimi, i bërë në platformën e tij Truth Social të dielën, e listoi titullin si në fuqi nga janari 2026, duke përforcuar qëllimin e deklaruar të Trump për të mbikëqyrur vendin gjatë një periudhe kalimtare.

Imazhi vjen pas operacionit ushtarak amerikan të 3 janarit në Karakas që rezultoi në kapjen e Maduros dhe gruas së tij, Cilia Flores, të cilët tani përballen me akuza për drogë dhe armë në një gjykatë të Nju Jorkut.

Pas operacionit, zëvendëspresidentja e Maduros, Delcy Rodríguez, u betua si presidente e përkohshme.

Administrata Trump ka deklaruar se synon të “drejtojë” Venezuelën dhe asetet e saj jetësore të naftës gjatë këtij tranzicioni.

“One Battle After Another” triumfon në Golden Globes/ “Hamnet” surprizon si filmi më i mirë dramatik

By: Rovena
12 January 2026 at 09:38

Saga revolucionare e Paul Thomas Anderson, “One Battle After Another”, triumfoi në Golden Globe Awards duke u shpallur filmi më i mirë në kategorinë komedi, ndërsa drama shekspiriane e Chloé Zhao, “Hamnet”, fitoi çmimin kryesor për filmin më të mirë dramatik, në ceremoninë e 83-të të Globes të mbajtur të dielën mbrëma.

“One Battle After Another” u vlerësua gjithashtu me çmimet për regjinë dhe skenarin më të mirë për Anderson, si edhe për aktoren më të mirë në rol dytësor për Teyana Taylor. Me këtë sukses, Anderson u bë vetëm regjisori i dytë në historinë e Globes që fiton njëherazi çmimet për film, regji dhe skenar, si producent, pas Oliver Stone me “Born on the Fourth of July”.

Në një mbrëmje që përgjithësisht ndoqi parashikimet e sezonit të çmimeve, surpriza më e madhe erdhi në fund, kur “Hamnet” mposhti filmin “Sinners” për çmimin e filmit më të mirë dramatik. “Hamnet”, i bazuar në romanin bestseller të Maggie O’Farrell, rrëfen një histori imagjinare mbi jetën e William dhe Agnes Shakespeare. Aktorja Jessie Buckley, protagoniste e filmit, fitoi gjithashtu çmimin për aktoren më të mirë në rol kryesor në dramë.

Filmi “Sinners” i Ryan Coogler fitoi çmimet për kolonën zanore më të mirë dhe për arritje kinematografike dhe të box-office. Pavarësisht vlerësimeve fillestare, filmi arriti të arkëtojë 278 milionë dollarë në SHBA dhe 368 milionë dollarë në rang botëror, duke u bërë filmi origjinal me fitimet më të larta në 15 vitet e fundit.

Ceremonia shënoi edhe fitore të tjera të rëndësishme, përfshirë çmimin e parë Golden Globe për Timothée Chalamet, i cili u shpall aktori më i mirë për rolin e tij në “Marty Supreme”.

Golden Globes u zhvilluan në një atmosferë festive dhe solidariteti mes kineastëve, duke konfirmuar rikthimin e plotë të ceremonisë si një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit dhe televizionit.

Moti i keq, përmirësohet situata në qarkun e Shkodrës/ Niveli i lumit Drin dhe Buna në kuota normale

By: Rovena
12 January 2026 at 09:30

Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa banesa me prezencë të ujit në brendësi.

Uji është i pranishëm kryesisht në sipërfaqe të hapura bujqësore, duke prekur rreth 945 hektarë tokë, të shpërndarë kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit, Velipojë, Dajç dhe Bërdicë.

Strukturat përgjegjëse po vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në terren, ndërsa furnizimi me energji elektrike, qarkullimi dhe operimi i hidrovoreve mbeten normalë. Nivelet e lumenjve, përfshirë Bunën dhe Drinin, janë larg kuotave kritike, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe infrastrukturës.

Ndryshime në strukturën e policisë, drejtues të rinj në Korçë, Lezhë, Durrës/ Drejtorit të Elbasanit s’i pranohet dorëheqja

By: Rovena
12 January 2026 at 09:02

Ndryshime në strukturën e policisë, sipas burimeve me firmën e kryepolicit, Ilir Proda drejzuesi policisë në durrës Vilson Bala emërohet Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.

Drejtues Islor Islami caktohet përkohësisht Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Drejtues Afrim Tafa caktohet përkohësisht Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Drejtorit të DVP Elbasan, Drejtues Fatmir Hoxha, për rezultatet e larta të arritura gjatë fundvitit 2025 në DVP Elbasan, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda i ka revokuar dorëheqjen e tij, dhe për këtë fakt do të vijojë në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Moti i keq/ Përmirësohet situata në qarkun e Korçës. Problematikë në Pogradec, rrëshqitja e dherave

By: Rovena
12 January 2026 at 08:51

Bashkia Pogradec

Problematikat kryesore vijojnë të jenë rrëshqitjet e dherave.

Gjatë ditës së djeshme, rastet e rrëshqitjeve janë inspektuar nga inxhinierët e Shërbimit Gjeologjik, përfshirë zonat ku janë evakuuar familje në fshatrat Cërravë dhe Dardhas, si dhe në zonën e rezervuarit të Stropckës. Priten raportet teknike për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të ndërhyrjes.

Njësia Administrative Trebinjë

Vijon të jetë e bllokuar rruga Dunicë. Gjatë ditës së sotme pritet inspektim nga specialistët e Shërbimit Gjeologjik, pasi rrëshqitja është e përmasave të mëdha.

Rruga e fshatit Malinë është jofunksionale. Një mjet është siguruar nga bashkia, por ndërhyrja aktualisht është e pamundur për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.

Njësia Administrative Proptisht

Vijon të jetë e bllokuar rruga Zall–Torra.

Është riaktivizuar një rrëshqitje e ndodhur rreth 8 vite më parë në fshatin Verrri.

Lumenjtë paraqiten me prurje normale dhe nuk raportohen problematika.

Nga bashkitë e tjera të qarkut nuk raportohen problematika të reja, vijon puna për neutralizimin e plotë të situatave të krijuara më parë, situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e emergjencave civile.

ARRSH – Rajoni Qendër–Lindje

Situata e akseve rrugore:

Boboshticë–Dardhë, Lapidar Podgorie–Podgorie–Liqenas

Gjatë natës ka pasur reshje bore. Po punohet për pastrimin dhe kriposjen e akseve.

Ersekë–Leskovik

Nuk ka pasur reshje bore gjatë natës. Rruga është e hapur dhe e kriposur.

Maliq–Kufi Gramsh

Reshje bore në orët e para të ditës. Po kryhet pastrimi dhe kriposja.

Problem mbeten aluvionet në formë balte që vijnë nga skarpatat, kryesisht në zonën e Lozhanit.

Korçë–Ersekë (k.3), Zemblak–Goricë, Bilisht–Miras,

gjatë natës nuk ka pasur reshje bore është kryer kriposja.

Nuk raportohen probleme në qarkullim. Qarkullimi kryhet me goma dimërore.

Akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë

Reshje bore me intensitet mesatar, ndërsa nga km 1–19 reshje të lehta.

Është kryer pastrim dhe kriposje. Qarkullimi vijon normal.

OSSHEE – Rajoni Korçë

Raportohet se janë në funksion 6 grupe operative, të angazhuara për menaxhimin e problematikave në rrjetin e tensionit të mesëm.

Aktualisht pa energji elektrike:

Fideri “Frigorifer”, NST Gjanç – pjesërisht pa energji, 2 abonentë, kabina Krushovë.

Fideri Komunal 3 pjesërisht pa energji, 50 abonentë ruralë në zonat Sterkë, Nicë dhe Osnat.

Fideri 14, NST Petrushë  pjesërisht pa energji, zona Prenisht, 14 abonentë ruralë.

Fideri Podgoxhan, NST Guri i Kuq pa energji 4 antena, zona Podgoxhan.

Fideri Potgoxhan, NST Guri i Kuq pa energji zona Jollë dhe Tallë, 4 abonentë ruralë.

Fideri 3, NST Ersekë pjesërisht pa energji, 6 abonentë ruralë në zonat Kaduc, Shijan dhe Mreshtan.

Fideri J06, NST Ersekë pjesërisht pa energji, 20 abonentë ruralë në zonat Vreckë, Podë, Radash dhe Shalës.

Nga Grupi Operativ Bilisht nuk raportohen problematika.

Ekipet janë në gatishmëri për riparimin e defekteve në terren. Të gjithë fiderët që furnizojnë me energji elektrike konsumatorët e rëndësisë së veçantë janë në gjendje pune.

Hidrovori i Pogradecit, fideri (8–18) “Përpunim Druri”, NST Pogradec, është në punë normale.

I ftohti polar përfshin Shqipërinë/ Reshje dëbore në aksin Elbasan-Qafë Thanë, temperaturat shkojnë deri në -15°C

By: Rovena
12 January 2026 at 08:46

Në qarkun Elbasan, moti sot vijon të karakterizohet nga temperatura shumë të ulëta, duke arritur në zonat malore nën -10°C. Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë ka pasur reshje dëbore dhe temperaturat kanë rënë deri në -15°C; rruga është pastruar dhe trajtuar me kripë për të garantuar kalueshmërinë.

Ndërkohë, akset Elbasan-Gjinar dhe Elbasan-Tiranë (aks i vjetër nga Krraba) nuk kanë regjistruar prezencë dëbore, por po vazhdohet kriposja në pikat problematike për sigurinë e trafikut.

Sa i përket situatës hidrologjike, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës kanë rënë dhe nuk paraqesin rrezik për banorët. Përveç kësaj, vijojnë shkarkimet nga HEC Banjë, që aktualisht arrijnë 290 m³/sek, ndërsa së bashku me prodhimin e energjisë arrijnë në 390 m³/sek. Autoritetet presin vendimin e ditës së sotme për vijueshmërinë e shkarkimeve.

Në furnizimin me energji elektrike, raportohet problematika në Fidrin, që furnizon Njësitë Administrative Tunje, Kushovë dhe Skënderbegas të Bashkisë Gramsh. Sipas komunikimeve zyrtare, defektet pritet të zgjidhen gjatë orëve në vijim.

Banorët këshillohen të qëndrojnë të informuar për njoftimet e ardhshme lidhur me motin dhe situatën në rrugë.

 

Rreziku i përmbytjeve në Fier/ Vjosa në kuota normale. Lumi Seman mbetet kërcënues

By: Rovena
12 January 2026 at 08:26

Situata në qarkun Fier vazhdon të monitorohet nga autoritetet lokale, ndërsa lumi Seman ruan nivel të lartë ujit dhe paraqet rrezik për zonat e banimit dhe tokat bujqësore.

Ndërsa infrastruktura kritike dhe rrugët kombëtare dhe rurale janë të kalueshme normalisht, dhe furnizimi me energji elektrike e ujë të pijshëm nuk ka pësuar ndërprerje, lumenjtë po tregojnë dinamikë të ndryshme.

Lumi Vjosa është në kuota normale me tendencë të lehtë në ulje, ndërsa Seman vazhdon të ketë prurje të larta përgjatë gjithë argjinaturave nga Bashkia Lushnje, Roskovec, Patos e Fier. Brenda argjinaturave janë të përmbytura rreth 100 hektarë tokë bujqësore, ndërsa në fshatrat Mbrostar dhe Petov janë prekur kasolle bagëtish dhe oborre banesash. Rreziku për zonat e banimit nuk është larguar ende në fshatrat Beline, Kallm, Mbrostar, Mujalli, Gercalli dhe Petov.

Nga ana tjetër, lumi Shkumbin është tërhequr brenda shtratit të tij dhe nuk paraqet rrezik për banorët.

Autoritetet lokale dhe hidrovoret mbeten në gatishmëri të plotë dhe vazhdojnë monitorimin e lumit Seman për të parandaluar përmbytje të mundshme. Banorët këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Danimarka në “moment vendimtar” pas kërcënimeve të Trump për Groenlandën: SHBA po rrezikon bashkëpunimin në NATO

By: Rovena
12 January 2026 at 08:21

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se vendi ndodhet në një “moment vendimtar” pas kërcënimeve të ish-presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Groenlandën. Ajo akuzoi SHBA-në se po rrezikon bashkëpunimin brenda NATO-s.

Duke folur në një debat politik të dielën, Frederiksen tha se Danimarka është “në një udhëkryq”. Deklarata e saj vjen përpara një jave të rëndësishme në marrëdhëniet mes Danimarkës, Groenlandës dhe SHBA-së. Ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës, Lars Løkke Rasmussen dhe Vivian Motzfeldt, pritet të takohen së shpejti me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Jemi në një udhëkryq dhe ky është një moment vendimtar,” tha Frederiksen. “Në lojë është më shumë se sa duket, sepse nëse amerikanët i kthejnë shpinën aleancës perëndimore dhe bashkëpunimit tonë në NATO, duke kërcënuar një aleat diçka që nuk e kemi parë më parë, atëherë gjithçka ndalet.”

Të premten, Trump deklaroi se SHBA-ja do të vepronte për Groenlandën “qoftë me dëshirën e tyre apo jo”, duke shtuar: “Do të bëjmë diçka me Groenlandën, ose në mënyrë të butë, ose më të vështirë.” Administrata amerikane ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake, pavarësisht se Danimarka dhe Groenlanda janë aleate të NATO-s.

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, dhe liderët e katër partive të tjera politike thanë në një deklaratë të përbashkët: “Nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë; duam të jemi groenlandezë. E ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga groenlandezët.”

Frederiksen shtoi se Danimarka po bën “gjithçka që mundet për të mbrojtur qëndrimin e saj” dhe duhet të “qëndrojë e palëkundur” për çështjen e Groenlandës.

Ndërkohë, kryeministri suedez Ulf Kristersson shprehu mbështetje për Danimarkën, duke thënë se SHBA-ja duhet ta vlerësojë besnikërinë e saj në vend që të përdorë “retorikë kërcënuese”. Suedia gjithashtu njoftoi një investim prej rreth 15 miliardë kronash suedeze për kapacitetet e mbrojtjes ajrore.

“Bota që njohim vazhdon të tronditet. Duhet ta marrim seriozisht, por pa panik. Nuk duhet të kemi frikë, por duhet të jemi të përgatitur,” tha Kristersson.

Kryeministri Edi Rama ndan pamje panoramike nga Kolonja e mbuluar me dëborë

By: Rovena
12 January 2026 at 08:02

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video nga Kolonja e zbardhur nga dëbora, duke ofruar një pamje mahnitëse panoramike të zonës. Krahas videos, Rama shkruan: “Dhe me Kolonjën magjike dhe ftesën për ta vizituar, ju uroj një javë të mbarë”, duke ftuar qytetarët dhe turistët të vizitojnë këtë zonë të veçantë gjatë stinës së dimrit.

Malajzia dhe Indonezia bllokojnë Grok për shkak të deepfake-ve seksuale

By: Rovena
12 January 2026 at 07:55

Malajzia dhe Indonezia kanë ndaluar aksesin në chatbot-in e inteligjencës artificiale Grok, të zhvilluar nga kompania e Elon Musk dhe i integruar në platformën X, për shkak të përdorimit të tij në krijimin e imazheve të manipuluara seksualisht pa pëlqim.

Autoritetet e dy vendeve deklaruan se Grok është përdorur për të redaktuar fotografi të personave realë, duke i paraqitur ata në përmbajtje me natyrë seksuale, përfshirë gra dhe fëmijë. Sipas tyre, ky përdorim shkel të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe sigurinë online.

Ministritë e komunikimit njoftuan se janë vendet e para në botë që ndërmarrin një ndalim të tillë ndaj këtij mjeti të inteligjencës artificiale. Në Malajzi, rregullatori i medias tha se kishte konstatuar “keqpërdorime të përsëritura” të Grok për prodhimin e përmbajtjeve të dëmshme dhe se platforma X nuk ka ofruar masa të mjaftueshme mbrojtëse.

Edhe Indonezia i ka kërkuar platformës X sqarime zyrtare, ndërsa ministrja e Komunikimit dhe Çështjeve Digjitale, Meutya Hafid, deklaroi se gjenerimi i përmbajtjes seksuale përmes Grok përbën shkelje serioze të të drejtave themelore.

Ndërkohë, platforma X po përballet me presion edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku autoritetet po shqyrtojnë masa ndaj Grok për mosrespektim të ligjeve mbi sigurinë online. Kryeministri britanik Keir Starmer e ka dënuar përdorimin e këtij mjeti, duke e quajtur atë “të turpshëm” dhe “neveritës”.

Platforma Grok nuk ka reaguar ende publikisht ndaj vendimit të dy vendeve.

Hetim penal ndaj kreut të Rezervës Federale, Powell: Përplasje e re me Trump

By: Rovena
12 January 2026 at 07:37

Prokurorët federalë në SHBA kanë hapur një hetim penal ndaj kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, njoftoi vetë ai të dielën, duke e cilësuar veprimin si “të paprecedentë” dhe politikisht të motivuar.

Powell tha se Departamenti i Drejtësisë i ka dorëzuar Rezervës Federale thirrje zyrtare dhe ka paralajmëruar ngritjen e një aktakuze penale në lidhje me dëshminë e tij përpara një komisioni të Senatit mbi rinovimin e ndërtesave të institucionit.

Sipas tij, hetimi lidhet me refuzimin për të ulur normat e interesit, pavarësisht presionit të vazhdueshëm publik nga presidenti Donald Trump.

“Kjo ka të bëjë me faktin nëse politika monetare do të udhëhiqet nga të dhënat ekonomike apo nga presioni dhe frikësimi politik”, deklaroi Powell, duke shtuar se askush nuk është mbi ligjin, por se veprimi duhet parë në kontekstin e presioneve të administratës.

Presidenti Trump, në një intervistë për NBC News, tha se nuk kishte dijeni për hetimin. “Nuk di asgjë për këtë, por ai nuk po bën një punë të mirë në Fed”, u shpreh ai.

Hetimi, i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga prokurorët, do të përbënte një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit mes Trump dhe Powell, të cilin presidenti e emëroi në krye të Rezervës Federale në vitin 2017. Trump e ka kritikuar vazhdimisht Powell-in për mosuljen e normave të interesit me ritmin e dëshiruar.

Në gjysmën e dytë të vitit 2025, Rezerva Federale uli normat e interesit tri herë.

Kritikët paralajmërojnë se presioni për largimin e kreut të Fed-it rrezikon të minojë pavarësinë e bankës qendrore amerikane.

Senatori republikan Thom Tillis deklaroi se do të bllokojë çdo emërim të ri në Bordin e Rezervës Federale derisa çështja ligjore të zgjidhet, ndërsa senatorja demokrate Elizabeth Warren akuzoi Trump se synon të marrë kontroll politik mbi bankën qendrore.

Sipas New York Times, hetimi po mbikëqyret nga Zyra e Prokurorit të SHBA-së për Distriktin e Kolumbias.

 

Trump paralajmëron masa ushtarake ndaj Iranit, protestat lënë qindra të vrarë

By: Rovena
12 January 2026 at 07:26

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ushtria e Shteteve të Bashkuara po shqyrton “opsione shumë të forta” ndaj Iranit, ndërsa protestat antiqeveritare në vend kanë hyrë në javën e tretë dhe, sipas raportimeve, kanë shkaktuar qindra viktima.

Agjencia Human Rights Activist News Agency (HRANA) njofton se ka konfirmuar vdekjen e rreth 500 protestuesve dhe 48 pjesëtarëve të forcave të sigurisë. Burime për BBC-në thonë se numri real i viktimave mund të jetë edhe më i lartë.

Trump tha se zyrtarë iranianë e kanë kontaktuar për negociata, por paralajmëroi se “mund të na duhet të veprojmë përpara një takimi”. Ai nuk dha detaje mbi natyrën e opsioneve ushtarake që po shqyrtohen.

Autoritetet iraniane i kanë cilësuar protestuesit si “vandalë” dhe kanë bërë thirrje për marshime proqeveritare. Qeveria ka shpallur gjithashtu tre ditë zie për “martirët” e vrarë në atë që e quan “betejë kombëtare kundër SHBA-së dhe Izraelit”.

Protestat nisën në fund të dhjetorit pas rënies së fortë të monedhës iraniane dhe janë shndërruar në një sfidë serioze për udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Sipas HRANA-s, mbi 10.600 persona janë arrestuar gjatë dy javëve të fundit.

BBC raporton për pamje nga një morg pranë Teheranit ku shihen rreth 180 trupa, ndërsa burime flasin për varrosje të shpejta dhe përdorim dronësh për identifikimin e protestuesve. Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë ndërprerë internetin në pjesën më të madhe të vendit, duke e bërë të vështirë raportimin e pavarur.

Këto janë protestat më të mëdha në Iran që nga viti 2022, kur vdekja e Mahsa Amini në paraburgim shkaktoi trazira masive në mbarë vendin.

Parashikimi i motit 12 janar 2026/ Temperatura të ulëta në gjithë vendin

By: Rovena
12 January 2026 at 07:18

Moti në vendin tonë për ditën e sotme do të jetë kryesisht dimëror dhe i ftohtë me kthjellime dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat ditore do të jenë të ulëta, duke luhatur rreth disa gradë mbi zero në zonat e ulëta dhe jo më shumë se rreth 5–9°C në disa qytete, ndërsa netët dhe mëngjeset do të mbeten nën zero, sidomos në zonat malore dhe të brendshme ku priten edhe ngrica.

Reshjet pritet të jenë të pakta ose të mungojnë në shumë vende, por vranësirat herë-herë mund të shfaqen. Era do të fryjë lehtë deri mesatare, veçanërisht nga veriperëndimi. Për mëngjeset e ftohta këshillohet kujdesi në trafik për shkak të ngricave në akse rrugore.

Në përgjithësi, dita do të jetë e acartë, me diell të alternuar me vranësira, dhe temperaturat deri rreth 5-9°C gjatë ditës, me ngrica gjatë mëngjesit dhe në zonat malore.

Horoskopi 12 janar 2026, çfarë kanë rezervuar yjet për shenjën tuaj

By: Rovena
12 January 2026 at 07:08

Dashi-Gjithçka që ju duhet dhe dëshironi do vijë për ju në momentin e duhur. Nuk ka nevojë t’i sforconi gjërat apo të krijoni bindjen se në momente të caktuara po fundoseni. Besoni tek mrekullitë!

Demi-Është koha për t’u treguar më konservatorë dhe për t’i bërë gjërat më ngadalë. Nëse do të keni një lidhje të re dashurie apo një propozim të ri për punë, diçka emocionuese po vjen drejt jush. Matni temperaturën në fillim, përpara se të zhyteni në ujë.

Binjakët-Sot do të arrini që të fitoni shumë para. Duhet të keni kujdes për vendimet që merrni, shmangni diskutimet e tepërta dhe stresin në jetën tuaj. Ju do të planifikoni për një udhëtim jashtë vendit.

Gaforrja-Mos dëgjoni ato që thonë dhe mos u prekni, pasi mund t’ju mungojnë mundësitë e rëndësishme. Sidomos sot tregoni besim në mënyrën si mendoni dhe zbatoni planet tuaja sipas mënyrës suaj.

Luani-Bëni kujdes me shëndetin, pasi do të jeni në një gjendje të rënduar psikologjike. Silluni mirë me kolegët dhe njerëzit e dashur, pasi arroganca juaj nuk do ju çojë në asnjë vend. Ju dini shumë mirë të përshtateni, por kohët e fundit gjithçka ka ndryshuar.

Virgjëresha-Jeni kaq në sintoni me atë që dëshironi këto ditë sa të tjerët nuk do të mund të mos e venë re dhe madje edhe të frikësohen nga vendosmëria që ju karakterizon. Sigurohuni që personat me të cilët do të keni kontakt sot, të jenë në gjendje për të përballuar çfarë keni për t’i thënë.

Peshorja-Energjia fizike dhe ambicia do të jetë në sasi të mëdha ditën e sotme. Do të kërkoni të ndiqni projekte të reja, që mund të avancojnë statusin tuaj social dhe ekonomik. Do të shpenzoni shumë kohë duke mbledhur informacion, me qëllim që të përmbushni synime tuaja.

Akrepi-Mos u dekurajoni nga mosmarrëveshjet. Disa njerëz përpiqen të shpërqendrojnë veten nga problemet në shtëpi duke u zhytur në punë ose në shkollë. Por kjo taktikë është e varfër, duke qenë se vetëm vonon pashmangshmërinë. Mos bëni gabim duke pretenduar se problemet nuk ekzistojnë.

Shigjetari-Një biznes i ri mund t’ju sjell fitime të shumta. Sot do të jeni shumë energjik dhe do punoni shumë. Puna juaj e palodhur do të shpërblehet dhe do të merrni një shumë të madhe parash. Kujdes kur bisedoni me miqtë.

Bricjapi-Sot ju shqetësoheni veçanërisht për mënyrën e trajtimit të situatave të caktuara. Por dijeni që shumica e njerëzve përreth jush mund t’ju ndihmojnë të arrini qëllimet tuaja.

Ujori-Një debat me partnerin do të prishë planet tuaj, por mos u dëshpëroni. E gjitha është momentale dhe shumë shpjet gjërat do të shkojnë në normalitet. Ka ardhur koha të mendoni për të ardhmen.

Peshqit-Ndodhitë e fundit mund të duket shqetësuese, por kjo duket se nuk po ju bezdis. Kjo sepse eksperienca që keni ju bën të jeni të ndërgjegjshëm se asgjë nuk ka rëndësi aq shumë.

Yesterday — 11 January 2026Main stream

Trump kërcënon regjimin në Iran? Presidenti amerikan: Jemi gati të ndërhyjmë

By: Rovena
11 January 2026 at 14:41

Presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar një paralajmërim të fortë ndaj udhëheqësve iranianë, duke deklaruar se nëse Irani nis të sulmojë, ai është gati të përgjigjet menjëherë dhe se Teherani do të paguajë një çmim të lartë. Ai thekson gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin ata që kërkojnë lirinë dhe janë të gatshme të ndërhyjnë, ndërsa mediat raportojnë se ka një listë objektivash të mundshme që mund të goditen në rast ndërhyrjeje.

Megjithatë, në praktikë, Shtëpia e Bardhë po përdor një qasje të kujdesshme dhe taktike, të njohur si “prit dhe shiko” (“wait and see”), për të monitoruar zhvillimet e revoltës në Iran dhe për të kuptuar nëse ka dobësi në strukturat shtetërore. Analiza e CIA-s tregon se udhëheqësit e Republikës Islamike mbeten të fortë dhe nuk ka shenja të një ndryshimi dramatik, duke i dhënë Trump hapësirë për të planifikuar veprime, pa u nxituar.

Presidenti ka shmangur takimin me Reza Pahlavin, djalin e fundit të Shahut të Iranit dhe një figurë të njohur për protestuesit, duke ndjekur modelin e përdorur më parë në Venezuelë, ku zgjidhjet ndërkohore iu besuan udhëheqësve të përkohshëm, në vend që të përfshinin opozitarët e drejtpërdrejtë.

Ndërkohë, ekspertët vënë në dukje se ndërhyrja ushtarake mund të rrisë më tej tensionet brenda vendit, por Irani ka punuar gjatë muajve të fundit për të forcuar arsenalin e tij raketor dhe për të përmirësuar aftësitë ushtarake, duke i dhënë SHBA-ve mundësi të godasin nga distanca me armë të avancuara, përfshirë raketat cruise dhe armët e tjera, që janë provuar më parë ndaj objekteve të mbrojtura bërthamore.

Strategët amerikanë dhe udhëheqësit politikë kanë shqyrtuar mundësinë e një sulmi ajror të gjerë, por nuk ka konsensus dhe nuk janë lëvizur mjetet ushtarake të nevojshme, duke e lënë Teheranin në pritje dhe duke përdorur kërcënimin si mjet presioni. Trump ka treguar në të kaluarën se është i aftë të përdorë pretaktikë, duke dhënë shenja të hapjes për dialog, por duke ruajtur avantazhin strategjik për SHBA-të.

Çdo ndërhyrje amerikane, dhe ndoshta edhe izraelite, rrezikon të fuqizojë narrativën e “komplotit të huaj” që Teherani përdor vazhdimisht për të legjitimuar qëndrimin e tij ndaj protestuesve. Sidoqoftë, paralajmërimet e Trumpit tregojnë gatishmërinë e tij për të përdorur të gjitha opsionet, diplomatike dhe ushtarake, për të mbrojtur interesat e SHBA-ve dhe për të mbajtur presionin mbi udhëheqësit iranianë.

Në këtë situatë, strategjia amerikane mbetet e dyfishtë: prit dhe vëzhgo, por njëkohësisht paralajmëron dhe vendos në gatishmëri ushtrinë, duke shfrytëzuar avantazhin teknologjik dhe taktikat e sofistikuara të vëzhgimit për të ruajtur kontrollin mbi zhvillimet dhe për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrollit.

Nobel nuk kalon te Trump/ Instituti: Çmimi është i përhershëm dhe nuk mund të transferohet

By: Rovena
11 January 2026 at 14:15

Çmimi Nobel për Paqen nuk mund të transferohet, ndahet ose revokohet. Këtë e bëri të qartë Instituti Norvegjez I Nobelit, pa deklaratave të fitueses së vitit të kaluar, Maria Corina Machado, e cila sugjeroi se mund t’ia jepte çmmin e saj presidentit amerikan Donald Trump.

Në një deklaratë, instituti tha se vendimi për të dhënë një Çmim Nobel është përfundimtar dhe i përhershëm. Organizata gjithashtu vuri në dukje se komitetet që japin çmimet nuk komentojnë mbi veprimet ose deklaratat e laureatëve pas marrjes së çmimeve.

Machado ka thënë se dorëzimi i çmimit Trump do të ishte një akt mirënjohjeje nga populli venezuelian për largimin e Nicolás Maduro, presidentit të vendit, i cili u arrestua nga Shtetet e Bashkuara.

Trump, i cili ka shprehur prej kohësh interes për të fituar çmimin dhe herë pas here e ka lidhur atë me arritjet diplomatike, tha se do të ishte i nderuar ta pranonte çmimin nëse Machado do t’i ofrohej gjatë një takimi të planifikuar në Uashington.

Machado, një ish-anëtare e Asamblesë Kombëtare, u ndalua të kandidonte në zgjedhjet e përgjithshme të Venezuelës në vitin 2024 nga autoritetet e lidhura me Maduron.

Ajo mbështeti një kandidat zëvendësues i cili konsiderohej gjerësisht se kishte fituar zgjedhjet, megjithëse Maduro pretendoi fitoren.

 

Të shpallur në kërkim për mashtrin e shpërdorim detyre, policia arreston dy persona

By: Rovena
11 January 2026 at 13:45

Kapen, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, dy persona të shpallur në kërkim, për veprat penale “Mashtrim”, “Shpërdorim detyre” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim T. B., 39 vjeç, banues në Shkodër.

Gjykata e Durrësit, më datë 31.07.2025, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Po në vijim të operacionit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, u bë e mundur kapja e personit tjetër në kërkim, shtetasit A. K., 31 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për veprën penale “Mashtrim”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

Dita e gjashtë e përmbytjeve dhe motit të keq/ Mbrojta Civile: Ja qarqet më problematike

By: Rovena
11 January 2026 at 13:06

Reshjet intensive të shiut dhe dëborës gjatë orëve të fundit kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit të vendit, duke krijuar problematika të natyrës hidrologjike dhe infrastrukturore në disa qarqe.

Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera situata ka qenë me problematika të kufizuara dhe të menaxhueshme. Strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes ndodhen në terren dhe po punojnë për përballimin e pasojave dhe stabilizimin e situatës.

Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë rritje të prezencës së ujit në zonën e Obotit dhe Dajçit si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat dhe kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Strukturat vendore po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri, megjithatë vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë toka bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe për funksionalizimin e shkarkuesve, me qëllim shmangien e përkeqësimit të situatës.

Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. Po ashtu vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me angazhimin e forcave të specializuara.

Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore, me mbështetjen e forcave të emergjencës.

Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme nevojën për masa shtesë.

Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik.

Puna në terren vijon për hapjen e akseve rrugore dhe eliminimin e rrezikut për banorët. Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.

U bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

❌
❌