Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

Takim urgjent i KS pas njohjes së Somalilandit nga Izraeli

By: Fax Web
28 December 2025 at 16:02

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të thërrasë nesër një takim urgjent, pas njohjes së diskutueshme të Somalilandit si shtet i pavarur nga ana e Izraelit.

Përpara seancës, 21 vende me shumicë myslimane lëshuan një deklaratë të përbashkët duke paralajmëruar për pasoja serioze nga vendimi izraelit mbi paqen dhe sigurinë në Bririn e Afrikës dhe në rajonin më të gjerë të Detit të Kuq.

Somalilandi, një rajon me shumicë myslimane në Somalinë veriore me një popullsi prej disa milionësh, ka vepruar ”de facto” në mënyrë të pavarur për më shumë se tre dekada.

Të premten, Izraeli u bë vendi i parë në botë që njohu pavarësinë e territorit të shkëputur, por që u dënua nga qeveria somaleze dhe partnerët rajonalë.

Vendimi erdhi vetëm disa ditë para se Somalia të marrë presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Deklarata e përbashkët, e publikuar nga Katari, përshkroi refuzimin e prerë të 21 vendeve për vendimin izraelit duke paralajmëruar se ai përbën një shkelje të rëndë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Ministri i jashtëm i Somalilandit, Abdirahman Dahir Adam, i tha transmetuesit izraelit ”Channel 12” se ky veprim nuk kishte të bënte fare me konfliktin në Gaza.

Sipas zyrës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, njohja u bë “në frymën e Marrëveshjeve të Abrahamit”, të cilat panë disa vende arabe të njihnin zyrtarisht pavarësinë e Izraelit.

Gazeta ”Times of Israel” theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku – të cilët iu bashkuan të gjithë Marrëveshjeve të Abrahamit – nuk ishin midis nënshkruesve të deklaratës së përbashkët mbi njohjen e Somalilandit.

Përurohet tuneli-autostradë më i gjatë në botë

By: Fax Web
28 December 2025 at 15:17

Tuneli-autostradë ”Tianshan Shengli”, në provincën Xinjiang, është hapur për trafik dhe me 22,13 kilometrat e tij, është quajtur më i gjati në botë.

Tuneli kalon nëpër malet Tianshan, në rajonin autonom ujgur të Xinjiangut, duke e zvogëluar një udhëtim të rrezikshëm disaorësh malor në rreth 20 minuta.

Tuneli është një pjesë kyçe e Autostradës G0711 Urumqi-Yuli, e cila gjithashtu filloi të operojë të premten dhe që lidh qendrat urbane në Xinjiangun verior dhe jugor.

Me një shtrirje prej 2 500 kilometrash, malet Tianshan presin Xinjiang qendror, duke ndarë kryeqytetin provincial Urumqi, qytetin më të madh në veri, nga Korla, qyteti më i madh në jug.

Me hapjen e autostradës, koha e udhëtimit midis Urumqit dhe Korlës është reduktuar nga rreth shtatë orë në tri.

Autostrada, e ndërtuar gjatë pesë viteve, është 324,7 kilometra e gjatë dhe kërkoi një investim total prej 6,63 miliardë dollarësh.

Ndërtimi i tunelit u përball me sfida ekstreme, pasi, përveç gjatësisë së tij prej 22,13 kilometrash, ai arrin një thellësi maksimale prej 1 112 metrash, kalon 16 zona të çara gjeologjike dhe përballet me pesë sfida kryesore: stres të lartë në tokë, intensitet të lartë sizmik, kërkesa të rrepta mjedisore, të ftohtë ekstrem dhe lartësi të madhe.

Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, ndërtuesit kinezë kanë zbatuar zgjidhje inovative: ndërtimin e rrugëve hyrëse miqësore me mjedisin për të minimizuar ndikimin mjedisor dhe për të përmirësuar efikasitetin e transportit të materialeve; miratimin e një metode ndërtimi që reduktoi kohën e ndërtimit të tunelit kryesor me më shumë se një të katërtën dhe përdorimin e makinës së parë të Kinës për shpimin e tunelit me shkëmbinj të fortë nën presion.

Kosova voton për të dalë nga bllokada institucionale, deri tani pa probleme serioze

By: Fax Web
28 December 2025 at 14:58

Në Kosovë, këtë të dielë më 28 dhjetor, po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dytat brenda këtij viti.

Ato u thirrën pasi për më shumë se 10 muajsh, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, partitë politike nuk arritën të formojnë institucionet e reja të vendit.

Mbi 900 qendra votimi janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, megjithëse në disa raste ka pasur vonesa të vogla. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri të banuara me shumicë serbe.

Deri në orën 11:00, pjesëmarrja në votime ka qenë pak mbi 8%. Rrjeti i organizatave “Demokracia në Veprim” (DnV) raporton se vonesa në hapjen e vendvotimeve ka pasur vetëm në rreth 3% të tyre. Vonesat më të theksuara janë shënuar në rajonin e Pejës, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve.

Sipas DnV-së, vetëm në 2% të vendvotimeve ka pasur probleme me vendosjen e kabinave të votimit ose kamerave, ndërsa këto probleme kanë qenë më të theksuara në komunat me shumicë serbe. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi, bëri të ditur se në 6 qendra votimi janë paraqitur probleme me energjinë elektrike, të cilat po trajtohen.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 qytetarë, ndërsa janë gjithsej 2.614 vendvotime. Votimi për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit është zhvilluar një ditë më parë në ambasada dhe konsullata në 18 shtete.

Në garë janë 22 subjekte politike: 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. KQZ ka certifikuar gjithsej 1 180 kandidatë për deputetë, prej të cilëve rreth 67% janë burra dhe 33 për qind gra.

Procesi zgjedhor po monitorohet nga rreth 8 600 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe një delegacion nga Parlamenti Evropian. Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit po vëzhgon zgjedhjet me fokus në respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike.

Për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar qindra zyrtarë policorë dhe rreth 100 prokurorë, të cilët do të qëndrojnë në terren deri në përfundim të votimit, me qëllim parandalimin dhe trajtimin e çdo parregullsie eventuale.

Analistët politikë vlerësojnë se këto zgjedhje janë vendimtare për zgjidhjen e bllokadës institucionale dhe rikthimin e stabilitetit politik.

Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, veçanërisht vendet e QUINT-it, kanë bërë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të lirë, të rregullt dhe demokratike, duke theksuar rëndësinë e tyre për të ardhmen evropiane të Kosovës./Marrë nga DW

Ambasadori britanik viziton vendvotimin në Mitrovicën e Veriut: Moti i ftohtë nuk duhet të pengojë qytetarët që të votojnë

By: Fax Web
28 December 2025 at 14:25

Në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ambasadori britanik në vend, Jonathan Hargraves, vizitoi vendvotimin në Shkollën Fillore „Sveti Sava“ në Mitrovicën e Veriut.

Në një bisedë të shkurtër për KoSSev, Hargraves tha se moti i ftohtë nuk duhet të pengojë qytetarët dhe shpreson që kjo të nxisë pjesëmarrje të lartë në votime. Ai shprehu besimin se qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë për kandidatët që mendojnë se do t’i përfaqësojnë më mirë në të gjithë Kosovën.

Ambasadori njoftoi se gjatë ditës do të vizitojë edhe disa vende të tjera të votimit për të parë nga afër procesin zgjedhor. “Kam parë sa shumë përpjekje janë bërë që këto zgjedhje të kalojnë në mënyrë të qetë dhe të suksesshme. E di që votuesit nga e gjithë Kosova po përdorin të drejtën e tyre demokratike“, tha ai.

Megjithatë, Hargraves shtoi se deri tani ka vizituar vetëm një vendvotim dhe se do të jetë e nevojshme të shihet situata në të gjithë vendin për një pamje më të plotë të zhvillimeve.

Pjesëmarrja në zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Deri në orën 13:00 kanë votuar 17.84 %

By: Fax Web
28 December 2025 at 14:03

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 13:00 ishte 17.84%.

Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, Ranillugu kryeson me pjesëmarrjen më të lartë, 33.28%, ndërsa Leposaviçi ka pjesëmarrjen më të ulët, 1.57%.

Në kryeqytetin Prishtinë, deri në këtë orë votuan 21.51% e qytetarëve me të drejtë vote.

Kujtojmë që numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatet e para pritet të publikohen para orës 20:00, ndërkaq numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të bëhet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën.

Dëmtohet tubacioni kryesor, Vlora prej 3 ditësh pa ujë

By: Fax Web
28 December 2025 at 14:02

Dëmtimi i rëndë në tubacionin kryesor 1000 mm ka lënë Vlorën pa furnizim me ujë prej tre ditësh, duke e bërë situatën tepër të vështirë për qytetarët.

Prova e kryer një ditë më parë nuk ka dhënë rezultat dhe aktualisht po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje alternative, me synimin që furnizimi të rikthehet gjatë pasdites.

Kreu i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, thekson se për institucionet e rëndësisë së veçantë janë siguruar zgjidhje alternative, ndërsa ndërhyrja për riparimin përfundimtar vijon.

“Kemi realizuar pjesërisht një zgjedhje, që dha sërish probleme. Qyteti sërish vuan furnizimin me ujë. I kërkojmë ndjesë qytetarëve, avaria është shumë serioze. Sot kemi ndryshuar edhe mënyrën e zgjidhjes së problematikës”, tha Murati.

Osmanit: Partitë politike të gjejnë rrugën për të ecur përpara dhe për të patur institucione funksionale

By: Fax Web
28 December 2025 at 13:01

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pasi shprehu vullnetin e saj në zgjedhjet e pjesshme parlamentare tha një mesazh për qytetarët, por edhe për partitë politike.

Në një prononcim për mediat, Osmani shprehu besimin se rezultati i zgjedhjeve të çojë në krijimin e parlamentit dhe të qeverisë.

“Uroj që sot republika jonë të ketë zgjedhje të qeta dhe demokratike, zgjedhje me pjesëmarrje masive të qytetarëve. Zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm demokratik ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë. Shpresoj që rezultatet të rezultojnë me krijimin të parlamentit dhe qeverisë së Kosovës. Dua të falenderoj institucionet që ky proces të jetë sa më i rregullt”, tha Osmani.

Një mesazh e kishte edhe për klasën politike: “Ky ka qenë mesazh im gjatë gjithë kohës. Jam e bindur që partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara për të patur institucione funksionale dhe me legjitimitet të plotë”

 

Sekuestrohen fishekzjarre dhe kapsolla në Sarandë, nis hetimi për dy pronarë

By: Fax Web
28 December 2025 at 12:38

Uniformat blu në Sarandë, kanë sekuestruar ditën e sotme, 28 dhjetor 2025, 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla nga dy biznese.

Pronarët e dy subjekteve tregtare, janë marrë nën hetim për tregtimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike.

Sarandë/Vijojnë kontrollet në kuadër të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike.

Sekuestrohen 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla. Procedohen penalisht dy pronarët e subjekteve tregtare.

Në vijim të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar kontrollet në subjekte tregtare. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë kontrollit të ushtruar në dy subjekte tregtare në qytetin e Sarandës, u konstatuan 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla, të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin. Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal në ngarkim të shtetasve L. M., 26 vjeç dhe M. H., 55 vjeç, banues në Sarandë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme“, njofton policia.

Deri në orën 11:00 pjesëmarrja në zgjedhjet në Kosovë 7 %, ja komuna me numrin më të lartë

By: Fax Web
28 December 2025 at 12:09

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 11:00 ishte pak mbi 7%.

Komuna me pjesëmarrjen më të lartë është Ranillugu, ku kanë votuar mbi 16% e qytetarëve, ndërsa më e ulëta regjistrohet në Leposaviç – vetëm 0.08%.

Në kryeqytetin Prishtinë, deri më tani, votuan pak më shumë se 10% e qytetarëve.

Kujtojmë që numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatet e para pritet të publikohen para orës 20:00, ndërkaq numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të bëhet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën.

Zgjedhjet e parakohshme, Haradinaj apel qytetarëve: Shfrytëzoni të drejtën e votës për të vendosur për Kosovën

By: Fax Web
28 December 2025 at 12:06

Nën shoqërimin e nënës së tij, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj votoi në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.

Pasi votoi Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të vendosin për Kosovën në vitet në vijim, që t’i dalin krah Kosovës.

“I bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, të gjithëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të votojnë, të vendosin për Kosovën dhe vitet që vijnë, ky është vendimi i tyre që mund ta marrin, t’i dalin krah Kosovës të gjithë”, tha Haradinaj.

Zgjedhjet në Kosovë, 100 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës

By: Fax Web
28 December 2025 at 11:26

Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa autoritetet kanë angazhuar rreth 100 prokurorë për të monitoruar procesin dhe për të parandaluar çdo tentativë që cenon votën e lirë.

Sipas mediave në Kosovë, prokurorët janë të shpërndarë në të gjithë territorin dhe po bashkëpunojnë me policinë, ndërsa qytetarët janë ftuar të denoncojnë çdo shkelje të dyshuar.

Gruaja më e bukur e shekullit XX! Shuhet ikona franceze e kinemasë Brigitte Bardot

By: Fax Web
28 December 2025 at 11:25

Aktorja dhe këngëtarja franceze Brigitte Bardot, një nga figurat më emblematike të kinemasë europiane, e cilësuar si gruaja më e bukur e shekullit XX, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e saj u konfirmua nga fondacioni që ajo vetë kishte krijuar, duke mbyllur kështu kapitullin e fundit të një jete të jetuar me intensitet ekstrem, mes adhurimit, polemikave dhe vetmisë së zgjedhur. Ajo u shndërrua në simbolin ndërkombëtar të sensualitetit gjatë viteve 1950 dhe 1960, përpara se të largohej nga industria e filmit dhe t’i përkushtohej aktivizmit për mbrojtjen e kafshëve, si dhe angazhimeve politike duke shkaktuar shumë polemika.

Brigitte Anne-Marie Bardot, ose thjesht B.B., ishte një nga ato figura që nuk kishin nevojë për mbiemër. Mjaftonin dy iniciale për të përmbledhur një mit si ajo: bukuri, liri, provokim dhe rebelizëm. “Kam qenë shumë e lumtur, shumë e bukur, shumë e pasur, por edhe shumë e famshme dhe shumë e palumtur”, pat thënë dikur ajo, një fjali që përmbledh më së miri jetën e saj publike, të përjetuar me shpejtësi marramendëse që nga adoleshenca deri në prag të të dyzetave.

E lindur në Paris në vitin 1934, Bardot u rrit në një familje të pasur dhe tradicionale. Nëna e saj, e rreptë dhe ambicioze, e shtyu drejt baletit, disiplinë në të cilën Brigitte shkëlqeu që herët, duke fituar të drejtën për të studiuar në Conservatoire de Paris. Në të njëjtën kohë, nisi karrierën si modele dhe, në moshën 15-vjeçare, u shfaq në kopertinën e revistës Elle – një fotografi që do t’i hapte dyert e kinemasë.

Takimi me regjisorin Roger Vadim do të ishte vendimtar, si në art ashtu edhe në jetë. Ata u martuan në vitin 1952 dhe bashkëpunimi i tyre kulmoi me filmin And God Created Ëoman (1956), vepra që e shndërroi Bardot në ikonë botërore. Roli i saj si një vajzë e lirë, e çliruar seksualisht, në Saint-Tropez, tronditi normat morale të kohës dhe e vendosi atë në qendër të debatit kulturor ndërkombëtar.

Në vitet ’50 dhe ’60, Bardot ishte fytyra e një feminiteti të ri. Ajo nuk luante thjesht role – ajo përmbyste modele. Punoi me regjisorë të mëdhenj si Louis Malle, Jean-Luc Godard dhe Henri-Georges Clouzot, duke lënë gjurmë në filma si The TruthVery Private Affair dhe Contempt. Frymëzoi shkrimtarë, filozofë dhe artistë; Simone de Beauvoir e përshkroi si “gruan më të çliruar të Francës”, ndërsa në vitin 1969 Bardot u zgjodh modeli i parë real për Marianne, simbolin e Republikës Franceze.

Por fama pati edhe anën e errët. Jeta private e Bardot u shndërrua në objekt ndjekjeje obsesive nga paparacët. Marrëdhëniet sentimentale, martesat dhe mëmësia u shoqëruan me dhimbje të thella dhe kriza personale. Ajo e përjetoi famën si një burg dhe, në vitin 1974, pak para se të mbushte 40 vjeç, vendosi të largohej përgjithmonë nga kinemaja.

Që nga ai moment, Brigitte Bardot zgjodhi një tjetër rrugë. U tërhoq në shtëpinë e saj në La Madrague, pranë Saint-Tropez, dhe ia kushtoi jetën mbrojtjes së kafshëve. ThemeloI Fondacionin Brigitte Bardot, duke shitur edhe bizhuteritë e saj për të financuar kauzën. Protestoi kundër gjuetisë së fokave, vrasjes së kafshëve dhe praktikave që ajo i konsideronte çnjerëzore.

Megjithatë, vitet e fundit të jetës e kthyen Bardot në figurë gjithnjë e më polemike. Qëndrimet e saj politike, kritikat ndaj emigracionit dhe mbështetja për të djathtën ekstreme franceze i sollën dënime për nxitje të urrejtjes dhe e ndanë opinionin publik. Ajo mbeti besnike vetes, pa kërkuar kompromis, edhe kur kjo e largoi nga admirimi i dikurshëm.

Brigitte Bardot u martua katër herë, pati dashuri të bujshme dhe një karrierë muzikore paralele, përfshirë bashkëpunimin legjendar me Serge Gainsbourg. Por mbi të gjitha, ajo mbetet simbol i një epoke kur kinemaja guxoi të sfidojë moralin dhe një grua guxoi të jetojë pa kërkuar leje.

“Sot B.B. ka vdekur. Ajo ishte vetëm një imazh. Tani jam një tjetër person”, pat thënë ajo në prag të 80-vjetorit. Ndoshta pjesën e fundit të jetës e jetoi ashtu siç donte: larg dritave të famës, mes kafshëve, në vetmi në Saint-Tropez e saj të dashur.

Kandidati i LDK për kryeministër, Lumir Abdixhiku: Le të fitojë populli i Kosovës

By: Fax Web
28 December 2025 at 11:23

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që është edhe kandidat për kryeministër ka thënë se është ditë e mirë pasi sipas tij vendimmarrja i kthehet qytetarit.

“Qytetarët e Kosovës të zgjedhin për zhvillim, për stabilitet, për të ardhme euroatlantike të Kosovës dhe të largohen nga zymtësia, bllokada e përçarja që na ka shoqëruar këto vite”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se shpreson që procesi të shkojë mirë dhe në fund të fitojë populli i Kosovës.

“Le të fitojë populli i Kosovës, siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, tha ai.

Kandidati i PDK-së për kryeministër voton në Mitrovicë të Jugut: Qytetarët të shprehim vullnetin e tyre

By: Fax Web
28 December 2025 at 10:34

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kandidat për kryeministër, Bedri Hamza, i ka ftuar të gjithë qytetarët që të votojnë, siç ka thënë ai, sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe besoj që do të jetë një ditë e mirë”, tha Hamza.

“Pres që të jetë një rezultat i mirë dhe deri më tani është duke shkuar gjithçka mirë”.

Hamza u pyet nëse ka dëgjuar për ndonjë parregullsi, duke u përgjigjur: “Jo, deri më tani nuk kam dëgjuar për ndonjë incident dhe shpresoj që të shkojë mirë”.

Voton Kurti: Uroj që legjislatura e 10’të ta konsituojë sa më shpejt kuvendin e ardhshëm dhe ta formojë qeverinë e re

By: Fax Web
28 December 2025 at 10:04

Kandidati i VV’së për kryeministër, Albin Kurti, ka votuar pak më parë. Ai ka qenë i shoqëruar nga gruaja e tij, Rita.

Pastaj Kurti u deklarua për media tha se “sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme|.

Ai i ftoi qytetarët që të dalin të votojnë.

“Uroj e besoj e punojmë që legjislatura e 10 ta konsituojë sa më shpejt kuvendin e ardhshëm dhe ta formojë qeverinë e re”, tha Kurti.

“Shpresoj që pjesëmarrja do të jetë masive”, shtoi ai.

Rama: I kemi hapur rrugën drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit oborrin e pushtetit

By: Fax Web
28 December 2025 at 10:03

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave politike dhe mediatike, duke deklaruar se, sipas tij, “Shqipëria e llumit dhe histerisë mediatike” nuk mund të pengojë progresin e vendit drejt Bashkimit Europian dhe reformat e ndërmarra nga qeveria.

Në podkastin e tij “Flasim”, Rama u ndal veçanërisht te Reforma në Drejtësi, duke theksuar se qeveria e tij ka garantuar pavarësinë e drejtësisë nga politika dhe ka hapur rrugën për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, përfshirë edhe brenda radhëve të pushtetit.

“Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr”,  tha Rama.

Kryeministri u shpreh se qeveria do të vijojë të mbështesë organet e drejtësisë dhe të mbetet, sipas tij, garantja kryesore e Reformës në Drejtësi dhe e shtetit ligjor.

Rama nënvizoi se Shqipëria nuk do të nënshtrohet ndaj përpjekjeve për destabilizim, ndërsa riafirmoi angazhimin e tij dhe të qeverisë për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian

Edi Rama: Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, ku zien me histeri i gjithë llumi i gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, ku linçohen njerëz e familje pa asnjë gajle, për lloj-lloj arsyesh të mosarsyes, nga gjobat e portalexhinjve tek ligësitë e poterexhinjve dhe mllefet e pallavraxhinjve, nuk e mund dhe as nuk e zmbraps dot kurrësesi Shqipërinë e të gjithë kapitujve të hapur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian; Shqipërinë Turistike me aeroportin kryesor të rajonit, që për të disatin vit edhe këtë vit, ka lënë mbrapa aeroportin historikisht kryesor në Ballkan, atë të Beogradit; Shqipërinë e transformimit digjital dhe të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku paga mesatare ka arritur tanimë në 830 euro; Shqipërinë e transformimit epokal të infrastrukturës, ku kantiere të reja hapen çdo vit, qoftë për arteriet e mëdha të vendit e qoftë për ato të voglat; Shqipërinë e sovranitetit energjetik, e cila brenda këtij mandati të katërt do të jetë ekportuese neto e energjise dhe s’do të paguajë më asnjë qindarkë për të blerë energji jashtë vendit; Shqipërinë e rilindjes së industrisë ushtarake, e cila do të mikpresë Samitin e Natos në 2027 dhe do ta mbrojë atë ditë qiellin me dronet e prodhuar në vendin tonë.

Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr.

Aferat e AKSHI-t, Rama: Karçanaj në masë sigurie me një akuzë të hatashme, presim drejtësinë dhe jo çorbën e politikes

By: Fax Web
28 December 2025 at 09:49

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me hetimet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për Agjencinë Kombëtarë të Shërbimeve të Informacionit.

Kreu i qeverisë ka marrë në mbrojtje drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj e cila ndodhet me masë sigurie “arrest në shtëpi”. Në podkastin e tij “Flasim” Rama tha se akuzat për Karçanajn janë të hatashme, ndërsa theksoi se duhet pritur drejtësia për të vërtetën e saj dhe jo siç tha ai “tenxheret politike dhe mediatike”.

“AKSHI përballet në një hetimin nga SPAK. Mirlinda Karçnaja gjendet në një masë sigurie në një akuzë të hatashme, për të cilën duhet pritur me durim nga drejtësia dhe nuk mund të pritet nga 700 tenxheret e çorbës politike e mediatike që të dalë deri në fund e vërteta  e saj”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, Karçanaj ka qenë ‘gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë’.

Rama: E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jetësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqiperise, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën nje mase sigurie me një akuze te hatashme, per te cilen duhet pritur me durim vetem nga drejtesia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj ciladoqoftë ajo.

Por unë di po ashtu, që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale. 

Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë, ku kemi 0.939 pikë nga 1 që është maksimumi, por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë. 

Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqesor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t, që mund ta verifikoni lehtësisht përmes linkut të raportit. 

Shpërthen vullkani Etna në Siçili, pamjet mbresëlënëse

By: Fax Web
28 December 2025 at 09:45

Skiatorë regjistruan momentin mbresëlënës kur vullkani Etna shpërtheu në Siçili më 27 dhjetor, duke hedhur hi dhe tym në atmosferë.

Shkencëtarët e Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (Istituto Nazionale di Geofisica e Vulcanologia) lëshuan një paralajmërim të kuq për avionët, niveli më i lartë i rrezikut, megjithatë autoritetet deklaruan se fluturimet do të vazhdojnë normalisht në një aeroport aty pranë, përveç rasteve kur rritet rënia e hirit.

Etna, vullkani më i madh dhe më i lartë në Evropë, është një nga më aktivët në botë, ndaj shpërthimet ndodhin disa herë gjatë vitit.

 

 

Lista Serbe nis votimin kolektiv në Mitrovicën e Veriut

By: Fax Web
28 December 2025 at 09:19

Pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, kanë dalë për të votuar në mënyrë kolektive nga qendra e Mitrovicës së Veriut, në krye me kryetarin e partisë, Zllatan Ellek.

Votimi kolektiv është bërë një praktikë e zakonshme sa herë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje.

Në garë për dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, përveç Listës Serbe, janë regjistruar edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiçit dhe Lidhja Kosovare e Goran Marinkoviçit.

Një stuhi dëbore anulon 9 000 fluturime dhe detyron shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

By: Fax Web
28 December 2025 at 09:00

Një stuhi dëbore ka shkaktuar ndërprerje të trafikut në një nga fundjavat më të ngarkuara të vitit në Nju Jork dhe në verilindje të Shteteve të Bashkuara.

”Sky News” raportoi në faqen e saj të internetit se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Nju Jork dhe Nju Xhersej.

”Moti i keq ka shkaktuar tashmë ndërprerje të konsiderueshme për ata që udhëtojnë për festat e Krishtlindjeve, me të paktën 9 000 fluturime të anuluara ose të vonuara që nga mbrëmja e së premtes”, sipas shërbimit të ndjekjes së fluturimeve ”FlightAware”.

Aeroportet ”John F. Kennedy International”, ”Newark Liberty International” dhe ”LaGuardia” kanë postuar në mediet sociale alarme për dëborë duke paralajmëruar se moti mund të shkaktojë ndërprerje të mëtejshme të fluturimeve.

❌
❌