Keijsi është përjashtuar nga gara dhe ka lënë menjëherë shtëpinë e Big Brother VIP 5.
Pas gjuhës denigruese që ai ka përdorur për të disatën herë në shtëpi ndaj kristit, Vëllai i Madh ka marrë vendimin për ta larguar atë nga shtëpia.
Në debatin e fundit që ai pati me Kristin, u përdorën fjalë: “O princeshë, o femër, o pjeshkë-mashkull, do të vijë ndonjë gjë tjetër në gojë”./mxh
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës ka thënë se Rusia po pajis dronët e saj me sistemet satelitore Starlink të Elon Musk.
Duke folur dje në një ngjarje ushtarake për dronët, Mykhailo Fedorov tha se “sot, rusët lëshuan dronë duke përdorur Starlink. Ne duhet të përgjigjemi shumë shpejt. Shpejtësia e reagimit tonë, parashikimi i incidenteve të ardhshme dhe reagimi ndaj kërcënimeve të mundshme duhet të sigurojnë që të parandalojmë probleme për njerëzit tanë dhe ushtrinë tonë”.
Një këshilltar i qeverisë së Kievit raportoi se dronët sulmues rusë BM-35, të pajisur me Starlink, mund të fluturojnë deri në 500 km dhe tashmë arrijnë qytetin ukrainas Dnipro, shkruan skynews.
Fedorov më parë ndihmoi për të përmirësuar lidhjen për Forcat e Armatosura të Ukrainës në vijën e frontit duke vendosur terminale Starlink kur shërbente si ministër i transformimit digjital.
Miliarderi amerikan deri më tani nuk ka komentuar raportin e Kievit.
Instituti për Studimin e Luftës, në përditësimin e fundit, vëren se ka pasur një numër gjithnjë e më të madh raportesh për përdorimin e Starlink nga Rusia./mxh
Jose Mourinho vazhdon të jetë i lidhur me Real Madrid.
Pas largimit të Xabi Alonso, trajneri portugez është një nga kandidatët kryesorë për pankinën e madrilenëve. Alvaro Arbeloa konsiderohet vetëm një zgjidhje e përkohshme.
Pengesë për momentin mbetet kontrata e Mourinhos me Benfican. Real Madrid përballet me Benfican në sfidën e fundit të fazës së ligës në Champions League.
Një fitore e madrilenëve në Lisbonë mund të çojë në shkarkimin e Mourinhos nga klubi portugez. Ecuria e dobët e Benficas këtë sezon e ka dobësuar pozicionin e tij.
Në këtë mënyrë, Real Madrid mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e “Special One”./mxh
Në një intervistë të fundit për emisionin “Më prit të dielën”, regjisori Bjordi Mezini ka zbuluar detaje nga dy projektet e tij më të reja kinematografike, njëri prej të cilëve realizohet në bashkëpunim me çiftin e njohur Luiz Ejlli dhe Kiara Tito.
Mezini tregoi se, përveç aktrimit, Luizi do të shfaqë edhe talentin e tij muzikor gjatë filmit, duke qenë se këndimi është një nga pikat e tij më të forta.
“Luizi këndon në disa momente të filmit. Do të ishte e pakuptimtë të mos e shfrytëzonim këtë aftësi, pasi është gjëja që ai bën më së miri”, u shpreh regjisori.
Edhe pse u tregua i rezervuar për të mos zbuluar detaje nga fabula, Bjordi Mezini ndau disa prapaskena nga xhirimet, duke treguar se energjia e pashtershme e Luizit i ka sjellë atij edhe disa dëmtime fizike.
“Luizi është si fëmijët që vrapojnë pa pushim nga njëra anë në tjetrën. Ka pasur disa skena me pengesa, ku është rrëzuar dhe ka pësuar një çarje të thellë në krah. Për rreth një javë pati vështirësi, madje edhe për t’u veshur. Nuk ankohej, por duhej të ishim gjithmonë pranë tij”, tregoi Mezini.
I pyetur nëse përfshirja e Luizit dhe Kiarës në këtë projekt do të ndikojë në imazhin pozitiv që publiku ka për ta, regjisori u shpreh i bindur se kjo nuk do të ndodhë. Sipas tij, çifti ka punuar me përkushtim maksimal, ditë e natë, për të sjellë një film cilësor dhe me vlera, duke marrë parasysh edhe kushtet në të cilat realizohet kinematografia shqiptare.
Në fund, Bjordi Mezini foli edhe për marrëdhënien profesionale me aktoren e njohur Anna Lika. Edhe pse tashmë janë prindër të një vajze, regjisori nuk nguroi të tregojë me sinqeritet se puna me Annën në shesh xhirimi mund të jetë e lodhshme.
“Anna ka një metodë pune që më çmend. Para çdo skene është shumë e vështirë dhe kërkon pak ‘llasto’. Nga fundi i projektit, ndonjëherë mezi e përballoj. Madje, edhe sot më thotë pse nuk e kam marrë në filmin e parë, por atëherë ishte shtatzënë, si mund ta merrja?”, u shpreh ai, duke shtuar se kohët e fundit kanë pasur disa diskutime për këtë çështje./mxh
Një zhvillim i papritur ka tronditur mediat turke dhe fansat e serialit të njohur “Kızılcık Şerbeti” i cili transmetohet dhe në Shqipëri me titullin “Një dashuri”. Aktori i njohur i ri Doğukan Güngör, i cili luante rolin e Fatih, është larguar nga seriali pas konfirmimit të rezultateve të testit të drogës nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Sipas raportimeve, në hetimin e kryer nga Prokuroria e Kryeqytetit të Stambollit, 19 persona u testuan për substanca të ndaluara, dhe 14 prej tyre, përfshirë Doğukan Güngör, rezultuan pozitiv. Të tjerë të përfshirë që dolën pozitivë janë këngëtarja Ceyda Ersoy, Gözde Anuk dhe Lerna Elmas. Pas konfirmimit të rezultateve, drejtuesit e televizionit Show Tv dhe ekipi i produksionit të serialit vendosën të përjashtojnë aktorin nga seriali, duke i ndërprerë kontratën njëanshmërisht.
Në një deklaratë të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, aktori shprehu keqardhjen dhe pakënaqësinë e tij për mënyrën se si u trajtua e gjithë situata duke u shprehur kështu:
“Kjo është një periudhë shumë e vështirë për mua. Kam pranuar gabimin tim dhe kam bërë të gjitha shpjegimet e nevojshme për Prokurorinë dhe publikun. Tani po ndërmarr hapat e parë për një jetë të pastër. Por kam parë se disa institucione mund të jenë shumë të pamëshirshme. Besoj se çdo njeri meriton një shans të dytë, dhe i lë ata që më gjykuan tek ndërgjegjja e tyre dhe tek Zoti.”
Güngör gjithashtu siguroi fansat e tij se nuk dorëzohet dhe se do të kthehet me projekte më të mira:
“Do të rikthehem. Qëndroj krenar dhe i vendosur për të nisur një fillim të ri.”
Doğukan Güngör, një nga aktorët e rinj më të shquar në Turqi, fitoi famë me performancën e tij në “Kızılcık Şerbeti”. Largimi i tij ka nxitur shumë spekulime mbi të ardhmen e karrierës së tij./mxh
Aktorja Sydney Sweeney mund të përballet me probleme ligjore pasi e mbuloi Shenjën e Hollivudit me reçipeta.
Një veprim publicitar nga Sydney Sweeney mund të sjellë probleme ligjore për aktoren.
28-vjeçarja u filmua gjatë natës duke hedhur dhjetëra reçipeta mbi shkronjat ikonike të tabelës, ndërsa një ekip i saj e regjistronte të gjithë veprimin. Videoja u siguroi fillimisht TMZ, ndërsa më pas Sweeney e postoi edhe vetë në Instagram, duke promovuar markën e saj “SYRN by Sydney Sweeney”.
Sipas Dhomës së Tregtisë së Hollivudit, prodhimi nuk ishte i autorizuar. Organizata, e cila zotëron të drejtat e pronësisë intelektuale të Shenjës së Hollivudit, thekson se çdo përdorim komercial ose akses në shenjë kërkon licencë ose leje, e cila në këtë rast nuk është kërkuar as dhënë.
Presidenti dhe CEO i Dhomës, Steve Nissen, deklaroi:
“Prodhimi që përfshin Sydney Sweeney dhe Shenjën e Hollivudit nuk ishte i autorizuar nga Dhoma e Tregtisë së Hollivudit dhe as nuk kishim dijeni paraprake për të. Çdo përdorim komercial i Shenjës kërkon licencë ose leje, dhe asnjë nuk është dhënë për këtë produksion.”
Megjithëse ka spekulime për shkelje si hyrje e paautorizuar apo vandalizëm, Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit (LAPD) konfirmoi se deri të hënën pasdite nuk është depozituar asnjë raport policor lidhur me incidentin.
Dhomë e Tregtisë së Hollivudit tha se po heton aktualisht se si dhe nën çfarë autoriteti ekipi i produksionit ka pasur akses në zonë, dhe ende nuk është vendosur nëse do të ndiqen hapa ligjorë. Raportohet se reçipetat u hoqën menjëherë pas përfundimit të xhirimeve dhe zona u la pa dëmtime të dukshme./mxh
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi sot se sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, dorëheqja e së cilës është kërkuar nga opozita, do të mbetet në detyrë, duke vlerësuar se ajo ka bërë “një punë shumë të mirë”.
“Jo”, u përgjigj prerë presidenti republikan, kur u pyet nga një gazetar nëse Noem do të largohej nga posti i saj.
Trump e cilësoi gjithashtu si “shumë të trishtueshme” vdekjen e një protestuesi të dytë amerikan, i cili u qëllua për vdekje nga agjentë federalë të shtunën në Minneapolis.
Edhe pse nuk përdori termin “vrasës”, të cilin këshilltari i tij Stephen Miller e kishte përdorur për të përshkruar 37-vjeçarin Alex Preti, i cili u qëllua dhe u vra nga agjentë të policisë së emigracionit (ICE), Trump theksoi se viktima nuk duhej të mbante armë gjatë një proteste.
I pyetur nëse e konsideronte Alex Pretin si “vrasës”, presidenti amerikan u përgjigj negativisht, por shtoi se “nuk duhej të shfaqej me armë” në një tubim proteste, duke e cilësuar ngjarjen si “një incident shumë fatkeq”.
Në përpjekje për të mbrojtur veprimet e agjentëve federalë, disa zyrtarë kanë theksuar se Preti ishte i armatosur, një argument që është hedhur poshtë me forcë nga opozita dhe organizatat që mbrojnë të drejtën e armëmbajtjes./mxh
Hëna ka qenë gjithmonë një udhërrëfyes natyror për njeriun. Sipas traditave të vjetra dhe besimeve popullore, fazat hënore ndikojnë jo vetëm në natyrë dhe mirëqenie, por edhe në shëndetin, bukurinë dhe rritjen e flokëve. Kalendari hënor i flokëve për vitin 2026 tregon ditët më të përshtatshme për prerje, larje dhe lyerje, me qëllim rezultate sa më të mira dhe afatgjata.
Kur duhet t’i presim flokët sipas Hënës?
Hëna në rritje: ideale për prerje nëse dëshironi që flokët të rriten më shpejt.
Hëna e plotë: flokë më të trashë, më të fortë dhe më të shëndetshëm.
Hëna në rënie: e përshtatshme për ata që duan të ngadalësojnë rritjen.
Hëna e re: prerjet duhen shmangur, rekomandohen vetëm trajtime për skalpin.
Datat më të mira sipas Kalendari Hënor të Flokëve 2026
Një tjetër detaj i papritur po bën xhiron e rrjetit lidhur me banoren e Big Brother VIP Kosova, Dolce dhe kësaj here ka të bëjë me moshën e saj reale.
Që në hyrje në shtëpinë më të famshme në Kosovë, Dolce u prezantua si 31 vjeçe, një deklaratë që u pranua normalisht nga publiku dhe banorët e tjerë. Por duket se e vërteta është krejt ndryshe.
Sipas burimeve të Prive Klan Kosova, Dolce në fakt është 41 vjeçe, plot 10 vite më shumë nga sa kishte deklaruar në Prime. Ky informacion ka ngritur dyshime dhe reagime të shumta në rrjete sociale, ku ndjekësit po e akuzojnë për mashtrim dhe mungesë transparence që në nisje të lojës./mxh
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar një ndryshim në kalendarin e javës së 20-të të Kategorisë së Parë për sfidën mes Skënderbeut dhe Kastriotit.
Takimi i parashikuar për t’u luajtur të shtunën, do të zhvendoset një ditë më para dhe do të luhet të premten, më 30 janar, në orën 13:30.
Sipas komunikatës zyrtare të FSHF-së, ky vendim është marrë për shkak të parashikimit të motit të pafavorshëm në qytetin e Korçës ditën e shtunë.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Skënderbeu”, ku pritet një përballje e fortë mes kryesuesve të kampionatit dhe vendit të katërt.
Skënderbeu udhëheq aktualisht tabelën me 44 pikë, ndërsa krutanët kërkojnë pikë në këtë transfertë pasi renditen në kuotën e 27 pikëve./mxh
Emisioni “Në Shënjestër” me gazetaren Klodiana Lala ka trajtuar sot arratisjen e Altin Ndocit. Sipas dokumentarit, Altin Ndoci kishte planifikuar prej muajsh të arratisej nga burgu duke përfituar se kishte kaluar në një burg të sigurisë së ulët, si ai i Durrësit.
Po ashtu në detajet nga dosjet hetimore theksohet se nga verifikimet e deritanishme rezulton se daljet nga IEVP Durrës, të të paraburgosurit Altin Ndoci, që përkojnë me periudhën Tetor 2025-Janar 2026 në asnjë rast nuk janë pasqyruar në komunikatën e aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Dhe po kështu në asnjë rast nuk është informuar për këto dalje Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.
Altin Ndoci u arratis në 13 janar nga spitali inefektiv i Durrësit. Ai arriti t’ia mbathte efektivëve të cilët e kishin shoqëruar.
Komisioni Evropian ka njoftuar për mbështetje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nga këto fonde nuk do të përfitojë Kosova, por as fqinji i saj verior, Serbia.
“Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi që ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Ne shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet shpejt”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier.
Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjet për hua dhe fonde në kuadër të Planit të Rritjes pas formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Gjatë vitit 2025 kjo nuk mundi të ndodhë për shkak të bllokadës politike, e cila rezultoi në dy raunde zgjedhjesh parlamentare gjatë vitit të kaluar.
Përveç Kosovës, as Serbia nuk është përfituese e këtyre fondeve. Por, arsyet për Serbinë janë të ndryshme.
Siç shpjegoi për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i KE-së, për Serbinë nuk u miratuan projekte nga Fondi për Reforma dhe Rritje, sepse në momentin e nisjes së procesit të miratimit, fondet nga Plani i Rritjes ende nuk ishin të disponueshme. Megjithatë, vendi pritet të marrë së shpejti miratimin për projektet.
“Tani, kur Serbia ka marrë fonde shtesë nga Plani i Rritjes përmes pagesës së këstit të parë, projektet që Serbia i ka dorëzuar dhe që Komisioni i ka vlerësuar pozitivisht mund të dërgohen për miratim te Bordi Drejtues i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, tha zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier.
Nga shuma prej 171 milionë eurosh, e ndarë për nxitje të zhvillimit në Ballkanin Perëndimor, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro janë ndarë për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.
Këto projekte janë të orientuara drejt përgatitjes së investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.
Sipas njoftimit të KE-së, fondet e ndara për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë gjithsej 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë me prioritet, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Projektet përfshijnë vendosjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.
Sipas KE-së, projektet do të zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.
“Investimi te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për afrimin e tyre me Bashkimin Evropian. Më shumë se dy vjet pas miratimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, kemi punuar – përfshirë edhe përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor – për t’i shndërruar zotimet në veprime konkrete. Nga përmirësimi i infrastrukturës deri te forcimi i zhvillimit të biznesit, këto investime krijojnë mundësi reale për qytetarët dhe e bëjnë BE-në një realitet të prekshëm në mbarë rajonin”, tha përmes një deklarate komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Paketa e re e mbështetjes përfshin kontribute investuese nga disa burime financimi të BE-së, përfshirë Instrumentin për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), donatorët bilateralë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje.
“Paketa e sotme e financimit përfshin projekte investimi dhe projekte të asistencës teknike që u miratuan sot, duke forcuar më shumë përkushtimin e BE-së ndaj rritjes së qëndrueshme dhe ndërlidhjes rajonale në Ballkanin Perëndimor”, tha KE-ja.
Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet mund të kalojnë në fazën e zbatimit. Kjo nënkupton finalizimin e marrëveshjeve të nevojshme me institucionet partnere dhe përfituesit, nisjen e studimeve përgatitore për aktivitetet e asistencës teknike dhe përfundimin e procedurave të domosdoshme për realizimin e projekteve të sektorit privat. Pas përmbylljes së këtyre proceseve, mund të fillojë zbatimi i investimeve që mbështeten nga blloku./mxh
Ardian Ismajli është detyruar të ndalet sërish për shkak dëmtimi.
Klubi i Torinos ka konfirmuar rezultatet e ekzaminimeve mjekësore pas ndeshjes ndaj Comos në Serie A.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare do të qëndrojë rreth një muaj jashtë fushave të lojës. Ai do të humbasë disa ndeshje me skuadrën “granata”, si dhe do t’i duhet kohë për rikthimin në formë.
Dëmtimi ndodhi në minutën e 20-të të ndeshjes së humbur 6-0 ndaj Comos. Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një dëmtim muskulor.
Ky është dëmtimi i katërt i Ismajlit në këtë sezon. Në total, ai ka munguar 10 ndeshje deri tani./mxh
Ndezja e një zjarri në një natë të ftohtë dimri mund të ndihet komode. Por një studim i ri sugjeron se mund të dëmtojë edhe shëndetin tuaj.
Studiuesit në Universitetin Northëestern zbuluan se djegia e drurit në shtëpi është përgjegjëse për rreth 22% të ndotjes së jashtme nga grimcat e imëta (PM2.5) gjatë dimrit në të gjithë SHBA-në.
Kjo pavarësisht faktit se vetëm 2% e familjeve përdorin dru zjarri si burimin kryesor të ngrohjes.
Grimcat PM2.5 janë të vogla dhe të rrezikshme. Ato mund të lëvizin thellë në mushkëri dhe madje të hyjnë në qarkullimin e gjakut.
Ekspozimi afatgjatë është lidhur me sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive dhe vdekjen e parakohshme.
Ekipi i hulumtimit vlerëson se ndotja nga djegia e drurit në banesa është e lidhur me rreth 8,600 vdekje të parakohshme çdo vit.
Studimi u botua më 23 janar në revistën Science Advances .
“Ekspozimi afatgjatë ndaj grimcave të imëta shoqërohet me një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare”, tha Kyan Shlipak, një student i inxhinierisë mekanike në Universitetin Northëestern.
“Studimet kanë treguar vazhdimisht se ky ekspozim çon në një rrezik më të lartë vdekjeje”, shtoi ai në një njoftim për shtyp.
“Studimi ynë sugjeron që një mënyrë për të ulur ndjeshëm këtë ndotje është zvogëlimi i djegies së drurit në banesa.”
Shlipak vuri në dukje se përdorimi i pajisjeve alternative për të ngrohur shtëpitë në vend të djegies së drurit do të kishte një ndikim të madh në grimcat e imëta në ajër.
Zonat urbane janë më të goditurat
Tymi nga shtëpitë periferike që përdorin ngrohje me dru, tymi shpesh përhapet në qytetet përreth, ku jetojnë më shumë njerëz.
Duke përdorur të dhëna të detajuara të Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dhe modele kompjuterike, studiuesit gjurmuan se si tymi përhapet lagje pas lagjeje.
Ata zbuluan se djegia e drurit në banesa është një nga burimet më të mëdha të ndotjes nga grimcat e imëta gjatë dimrit.
Studimi shqyrtoi vetëm ajrin e jashtëm. Nuk përfshiu ekspozimin ndaj tymit në ambiente të mbyllura, i cili gjithashtu mund të jetë i dëmshëm./mxh
Një shpërthim i virusit vdekjeprurës Nipah në shtetin e Bengalit Perëndimor të Indisë ka sjellë shqetësim në disa pjesë të Azisë, me disa masa shtrënguese të kontrollit në aeroporte.
Tajlanda ka filluar kontrollin e pasagjerëve në tre aeroporte ku vijnë fluturime nga Bengali Perëndimor. Nepali gjithashtu ka filluar kontrollin e mbërritjeve në aeroportin e Katmandusë dhe në pika të tjera kufitare tokësore me Indinë.
Dy raste që janë konfirmuar në Bengalin Perëndimor që nga dhjetori, thuhet se janë punonjës të kujdesit shëndetësor. Rreth 196 persona që kanë qenë në kontakt me ta janë gjurmuar dhe kanë rezultuar negativë në testet për virusin, ka thënë ministria e Shëndetësisë e Indisë.
Virusi mund të përhapet nga kafshët te njerëzit. Ai ka një shkallë të lartë vdekshmërie, që varion nga 40% në 75%, pasi nuk ka vaksinë ose ilaç për ta trajtuar atë.
Çfarë është virusi “Nipah” dhe cilat janë simptomat e tij?
Virusi Nipah mund të transmetohet nga kafshët, si derrat dhe lakuriqët e natws, te njerëzit. Ai gjithashtu mund të përhapet nga personi në person përmes ushqimit të kontaminuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar Nipah në dhjetë sëmundjet e saj kryesore me përparësi, së bashku me patogjenë si Covid-19 dhe Zika, për shkak të potencialit të tij për të shkaktuar një epidemi.
Periudha e inkubacionit varion nga katër deri në 14 ditë. Njerëzit që infektohen me virusin shfaqin një sërë simptomash, ose ndonjëherë edhe asnjë. Simptomat fillestare mund të përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të vjella dhe dhimbje fyti.
Tek disa njerëz, këto mund të pasohen nga përgjumje, ndryshim i vetëdijes dhe pneumoni. Encefaliti, një gjendje ndonjëherë fatale që shkakton inflamacion të trurit, mund të ndodhë në raste të rënda. Deri më sot, asnjë ilaç ose vaksinë nuk është miratuar për të trajtuar sëmundjen.
Në cilat vende ishin regjistruar shpërthimet e kaluara?
Shpërthimi i parë i njohur i Nipah ndodhi në vitin 1998 midis fermerëve të derrave në Malajzi dhe më vonë u përhap në Singaporin fqinj. Virusi mori emrin nga fshati ku u zbulua për herë të parë.
Më shumë se 100 njerëz u vranë dhe një milion derra u therën në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit. Kjo gjithashtu rezultoi në humbje të konsiderueshme ekonomike për fermerët dhe ata që merren me tregtinë e bagëtive.
Bangladeshi ka mbajtur peshën kryesore në vitet e fundit, me më shumë se 100 njerëz që kanë vdekur nga Nipah që nga viti 2001.
Virusi është zbuluar edhe në Indi. Shpërthime u raportuan në Bengalin Perëndimor në vitet 2001 dhe 2007. Kohët e fundit, shteti jugor i Keralës ka qenë një vatër e Nipah-ut. Në vitin 2018, u raportuan 19 raste, nga të cilat 17 ishin fatale; dhe në vitin 2023, dy nga gjashtë rastet e konfirmuara më vonë vdiqën.
Çfarë po ndodh aktualisht?
Ministria e Shëndetësisë e Indisë tha se pas konfirmimit të rasteve në Bengalin Perëndimor, kontaktet e individëve të infektuar u identifikuan, gjurmuan, monitoruan dhe testuan dhe ishin gjetur të ishin asimptomatikë.
“Situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme të shëndetit publik”, deklaroi ministria e Shëndetësisë.
Ende nuk janë raportuar raste jashtë Indisë, por disa vende po shtojnë masat paraprake. Të dielën, Tajlanda filloi kontrollin e pasagjerëve në tre aeroporte ndërkombëtare në Bangkok dhe Phuket që pranojnë fluturime nga Bengali Perëndimor. Pasagjerëve nga këto fluturime u është kërkuar të japin deklarata shëndetësore.
Departamenti i parqeve dhe i jetës së egër ka zbatuar gjithashtu kontrolle më të rrepta në atraksionet turistike natyrore. Edhe Nepali ka filluar të kontrollojë njerëzit që mbërrijnë përmes aeroportit në Katmandu dhe pikave të tjera kufitare tokësore me Indinë.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Tajvan kanë propozuar që virusi Nipah të listohet si një sëmundje e Kategorisë 5. Sipas sistemit të ishullit, sëmundjet e klasifikuara si Kategoria 5 janë infeksione të reja ose të rralla me rreziqe të mëdha për shëndetin publik, që kërkojnë raportim të menjëhershëm dhe masa të posaçme kontrolli./mxh
Një grup aeroplanmbajtësish amerikanë kanë arritur në Lindjen e Mesme më 27 janar, ndërsa tensionet po rriten lidhur me një sulm të mundshëm ndaj Iranit, pas një shtypjeje brutale të protestave, që sipas grupeve për të drejtat e njeriut kanë lënë të vrarë mijëra persona.
Në mes të trazirave, valuta iraniane, riali, ra në nivelin më të ulët kundrejt dollarit, duke u këmbyer me 1.5 milion rialë më 27 janar.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “shpreson” që të mos ketë nevojë për veprim ushtarak ndaj Iranit, por ai po ashtu ka dërguar një “flotë” në rajon, duke refuzuar që të heqë nga opsionet sulmet ajrore si përgjigje ndaj shtypjes së protestuesve, kryesisht paqësorë, të cilët dolën në rrugë javët e fundit për të kërkuar veprime për të ndalur inflacionin dhe zhvlerësimin e valutës.
Organizata për të drejtat e njeriut me seli në SHBA, HRANA, shifrat e së cilës Radio Evropa e Lirë i ka cituar rregullisht që nga fillimi i shtypjes së dhunshme të protestave në Iran, thotë se numri i konfirmuar i të vdekurve, përfshirë të forcave të sigurisë, tani ka arritur në 6.126, ndërsa numri i viktimave që ende po hetohen është 17.091.
Disa vlerësime nga zyrtarë të cituar jozyrtarisht nga media të ndryshme janë disa herë më të larta.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha për Axios në një intervistë më 26 janar se situata me Iranin “po ndryshon” sepse ai ka dërguar një “flotë të madhe” në rajon, me një grup sulmues të udhëhequr nga aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln, tashmë në ujërat e Lindjes së Mesme, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.
Por, Trump shtoi se mendon që Teherani vërtet dëshiron të arrijë një marrëveshje.
“Ata duan të arrijnë një marrëveshje. Na kanë thirrur në disa raste. Ata duan të flasin”, citohet të ketë thënë Trump.
Protestat nisën më 28 dhjetor në tregjet e kryeqytetit iranian, Teheran, mes zemërimit të tregtarëve për kushtet e rënda ekonomike. Demonstratat u përhapën me shpejtësi në mbarë shtetin dhe u shndërruan në protesta kundër autoriteteve për shkak të përkeqësimit të standardit të jetesës dhe shtypjes së lirive.
Rënia e rialit kundrejt dollarit vjen në një kohë kur norma vjetore e inflacionit ka arritur në 44.6 për qind, përfshirë një rritje gati 90 për qind nga viti në vit të çmimeve të ushqimeve. Ekonomia e Iranit është përballur me vështirësi për vite të tëra për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe pasojave të luftës 12-ditore që zhvilloi me Izraelin qershorin e vitit të kaluar.
Dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe raportet e verifikuara nga organizatat për të drejtat e njeriut duket se tregojnë se shtypja e dhunshme arriti kulmin më 8 dhe 9 janar, kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve.
Në mes të një ndalese disajavore të internetit, informacionet për përmasën reale të shtypjes së dhunshme të protestave vazhdon të dalin gradualisht.
Grupi monitorues, NetBlock, në raportin ditor të publikuar më 26 janar, tha se ndërprerja e qasjes në internet vazhdon, edhe pse kishte raportime se ka qasje të kufizuar në internet.
Një zëdhënës i Qeverisë iraniane tha më 27 janar se qasja në internet u ndal për të “ruajtur jetën e njerëzve”, edhe pse nuk e shpjegoi se çfarë nënkuptonte me këtë deklaratë.
Megjithatë, imazhe të reja të shtypjes vazhdojnë të shfaqen online, ndërsa iranianët përpiqen të tregojnë sa i ashpër ishte reagimi i dhunshëm.
Kanali Vahid Online publikoi imazhe të reja që treguan forcat qeveritare duke qëlluar drejtpërdrejt ndaj protestuesve në qytetin Amol mbrëmjen e 9 janarit, duke kundërshtuar pretendimet e autoriteteve se vrasjet janë kryer nga “terroristë” dhe jo nga agjentët e sigurisë së shtetit.
Në këto imazhe, oficerë në uniformë të armatosur me pushkë kallashnikov duken duke marrë në shënjestër rrugët dhe duke qëlluar./mxh
Spanja do të paguajë një total prej 20 milionë eurosh kompensim për viktimat e aksidentit tragjik me tren me shpejtësi të lartë në jug të vendit, që ndodhi javën e kaluar dhe la 45 të vdekur, njoftoi të martën, më 27 janar, ministri i Transportit, Oscar Puente.
Aksidenti i ndodhur më 18 janar në Adamuz, në provincën e Cordobës, është një nga aksidentet hekurudhore më të rënda në historinë e fundit të Europës dhe më i rëndë në Spanjë që nga viti 2013, duke lënë mbi 150 të plagosur.
Familjet e viktimave do të marrin 216,000 euro brenda tre muajve: 72,000 euro ndihmë pa taksa nga qeveria, 72,000 euro si para paraprake nga sigurimi i udhëtarëve dhe 72,000 euro të tjera nga sigurimi i detyrueshëm pas përcaktimit të dëmtimeve të sakta.
Ministri Puente ka qenë nën presion publik pas aksidentit të Adamuz dhe disa incidenteve të tjera të njëjta javë, përfshirë vdekjen e një shoferi treni në Kataloni dhe dy aksidente të tjera pa viktima.
Shërbimi hekurudhor i përditshëm katalanas, Rodalies, gjithashtu përjetoi ndërprerje të mëdha javën e kaluar pasi shumë shoferë refuzuan të punojnë për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, duke lënë mijëra udhëtarë të bllokuar. Për më tepër, një gabim i softuerit shkaktoi kolapsin e qendrës së kontrollit të trafikut hekurudhor të hënën, më 26 janar.
Pyetur për të ardhmen e tij, ministri Puente u shpreh se ka ndërgjegje të qetë, duke kryer detyrën e tij me përkushtim dhe duke bërë çdo përpjekje për të komunikuar informacionin e plotë për qytetarët./mxh
Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi qytetin e tij të lindjes, Shën Petersburgun, me rastin e 82-vjetorit të çlirimit të qytetit nga rrethimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Putin vendosi lule në kompleksin përkujtimor ushtarako-historik Nevsky Pyatachok, në rajonin e Leningradit, një nga zonat më të përgjakshme të përpjekjeve për thyerjen e rrethimit, si edhe në varrezat përkujtimore Piskaryovskoye, pranë monumentit “Atdheu”, për të nderuar viktimat e bllokadës.
Në vitin 2019, Putin kishte deklaruar se edhe vëllai i tij, i cili vdiq në moshën trevjeçare gjatë rrethimit, është varrosur në një nga varret masive në këtë varrezë.
Rrethimi i Leningradit, emri i Shën Petersburgut në kohën sovjetike, zgjati 872 ditë dhe mori jetën e qindra mijëra njerëzve, kryesisht nga uria dhe bombardimet, duke u shndërruar në një nga rrethimet më të gjata dhe më vdekjeprurëse në historinë e luftërave.
Heqja e bllokadës më 27 janar 1944 shënoi një fitore të madhe për Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, krahas betejave vendimtare të Moskës, Kurskut dhe Stalingradit./mxh
Pas spektaklit të mbrëmshëm, Elijona dhe Klodi kanë pasur një debat të fortë, ku duket se tensionet mes tyre kanë arritur kulmin. Klodi, i cili duket se ka humbur durimin, ka reaguar me fjalë të ashpra ndaj Elijonës, duke i bërë të qartë se nuk e ka më të lehtë të vazhdojë këtë marrëdhënie.
Elijona: “Unë thjesht nuk dua të jem më pjesë e kësaj loje. Është në rregull nëse ti do të vazhdosh kështu, unë të respektoj si shok. Në momentin që dikush vjen e më sulmon, ai është gabimi im, e kuptoj.”
Klodi: “Në gabim tendin unë po e ha, Elijona.”
Elijona: “Edhe ti boll fole, mor Klod.”
Klodi: “Jam lodhur, Elijona, jam lodhur.”
Elijona: “Prej kujt?”
Klodi: “Unë e kam dikë jashtë, e po dal këtu sikur po të bëj ty të biesh në dashuri me mua. Është shumë pa lidhje, edhe në dhomën e gjumit të kam thënë: ‘Elijona, pse je duke e pasur këtë bisedë?’”
Elijona: “Unë dashuri, në radhë të parë për askënd këtu s’kam, edhe e kam thënë shumë shpesh.”
Klodi: “Por reagimet që je duke i pasur nuk përputhen me një pëlqim, Elijona.”
Elijona: “Nëse mendon kështu, realisht ke nevojë të mendosh dhe të reflektosh pak.”
Ky debat ka nxjerrë në pah disa tensione të thella mes tyre, duke lënë të kuptohet se ndonëse ndodhen në një situatë të ngarkuar, ndjenjat mes tyre janë të pasqaruara. Diskutimi ka lënë hapësirë për dyshime dhe pyetje rreth marrëdhënies së tyre, që mund të bëhet një nga temat e nxehta në ditët në vazhdim./mxh
Mjeku pediatër Edi Tushe, ka thyer heshtjen, pasi emri i tij u bë subjekt i një përballje mes klinikës private ku ai punon, dhe i blogeres Eliona Pitarka, debat i cili u ndoq me interes, pasi në lojë është shëndeti i fëmijëve. Në një intervistë për gazetaren Alma Demiraj, Tushe shpreh se nuk ka bërë asnjëherë kompromise me profesionin e tij, teksa u bëri thirrje prindërve të mos u referohen rrjeteve sociale. Ai tha se këshillat e dhëna për një fëmijë, në këtë rast vajzat e Pitarkës, nuk mund të përdoren për fëmijë të tjerë, pasi nevojat janë specifike për gjithësecilin.
“Ato janë shpesh herë çorientuese, sepse informacioni që japin është i ndryshëm. Çdo individ është i ndryshëm nga tjetri. Unë mendoj që rrallë një nënë dëmton fëmijën e vet. Nuk mendoj se të gjithë prindërit i referohen rrjeteve sociale; ata gjithmonë kanë një këshillues dhe i drejtohen mjekut. Informacionet e marra nga rrjetet sociale shpesh janë të gabuara dhe nuk duhet të përdoren si element orientues për fëmijën.
Unë, gjatë gjithë jetës sime, nuk kam bërë kompromise me profesionin tim, veçanërisht me ata që janë tregtarë. Kur jap një informacion, e jap për këdo. Natyrisht, kontakti me pacientin dhe rasti janë shumë individualë dhe nuk mund të përdoren apo, aq më tepër, të deformohen. Nuk mund t’i japësh informacion të njëjtë çdo personi. Unë dua ta neglizhoj këtë debat për diçka të kësaj natyre. Çdo njeri flet për ndërgjegjen e vet dhe kjo më shqetëson. Të përdorësh një informacion dhe më pas të vendosësh reklama të caktuara është gabim në këtë rast.
Prindërit nuk duhet të ndjekin gjëra të tilla; mjeku është ai që përcakton se çfarë duhet bërë. Australia i ka mbyllur rrjetet sociale, sepse ato shkaktojnë dëme në jetën e njeriut, ndërsa ligje të ngjashme po përpilohen edhe në Europë”, u shpreh Tushe./mxh