Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

13:59 Ish-sekretari i Përgjithshëm i LSI: Transporti publik po bëhet me standardet e BE në Tiranë

By: Kesjana
28 December 2025 at 13:59

Ish-sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, këshilltar në Këshillin Bashkiak, deklaron se përmirësimi i transportit publik në Tiranë drejt standardeve evropiane është parashikuar si një nga projektet kryesore në buxhetin e Bashkisë për vitin 2026.

Sipas tij, investimi synon t’u ofrojë qytetarëve një shërbim më cilësor, më të shpejtë dhe më të besueshëm, duke reduktuar ndotjen, trafikun dhe kohën e humbur në lëvizje. Projekti parashikon ndërtimin e linjave të shpejta të autobusëve, përdorimin e autobusëve elektrikë, korsive të dedikuara dhe infrastrukturës moderne të menaxhimit.

Braimllari thekson se ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt një qyteti më të jetueshëm dhe më evropian, me transport publik modern dhe efikas për të gjithë qytetarët./kb

13:45 Voton Presidentja Osmani: Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë

By: Kesjana
28 December 2025 at 13:45

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e votës në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një moment kyç për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Pas votimit, Osmani shprehu shpresën që dita zgjedhore të zhvillohet në mënyrë të qetë, të rregullt dhe demokratike, me pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve. Ajo theksoi se zgjedhjet janë mekanizmi përmes të cilit vendimmarrja rikthehet tek qytetarët.

Presidentja u shpreh se pret që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të mundësojnë formimin sa më të shpejtë të një parlamenti dhe qeverie të re, të domosdoshme për përballimin e proceseve të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare/kb

13:30 Rihapet kinema “Republika”, filmat më të fundit do të jenë premierë në Shkodër

By: Kesjana
28 December 2025 at 13:30

Kinema “Republika” u rikthye zyrtarisht pas një rikonstruksioni të plotë. Në premierën e parë pati radhë nga qytetarë të çdo grupmoshe, dëshmi e lidhjes së fortë që Shkodra ka me kinemanë dhe ekranin e madh.

“Për mua është një lajm shumë i rëndësishëm, jam rritur në këtë vend dje kam kujtime shumë të bukura”

“Është këndshëm, i duhet rinisë një gjë për me kaluar kohën dhe shijuar filmat e fundit”

“Jam shumë i lumtur të vij këtu të shoh filma”, thanë disa qytetarë.

Ndërsa për drejtuesit e kulturës në Shkodër, tashmë për të pasionuarit e kinemasë nis një periudhë e re ku në fokus janë filmat më të fundit

“Pas një rikonstruksioni shumë dinjitoz të godinës dhe rikthimi në identitet të këtij institucioni. Ne sot jemi si çdo qytet tjetër evropian”, u shpreh Sara Smaja, Drejtore e Kulturës Bashkia Shkodër.

“Po shohim njerëz që e frekuentojnë, interesi është i madh. Kjo jo vetëm për investimet bashkëkohore, por edhe nga dëshira e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë”, Egena Zymeri, Drejtuese e Kinema Republika.

Rikthimi i Kinema Republika shënon jo vetëm rifillimin e filmave ne ekranin e madh por edhe ringjalljen e një tradite kulturore në veri të vendit./kb

13:15 Kamioni përplasi për vdekje motoristin, arrestohet shoferi

By: Kesjana
28 December 2025 at 13:15

Një 48-vjeçar në Elbasan, është arrestuar këtë të diel, 28 dhjetor 2025, pasi një ditë më parë shkaktoi një aksident me kamionin që drejtonte, duke rezultuar me një viktimë.

Sipas njoftimit të uniformave blu, aksidenti ndodhi në aksin rrugor “Çepe-Belsh”, ku kamioni përplasi motomjetin, e drejtuesi i këtij të fundit ndërroi jetë në spital.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin F. P., 48 vjeç, banues në Belsh, pasi dje, në aksin rrugor “Çepe–Belsh”, kamioni që ai drejtonte ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin E. K., 37 vjeç, banues në fshatin Seferan. Si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi E. K. ka humbur jetën në spital“, njofton policia./kb

11:59 Zgjedhjet e Kosovës, inteligjenca serbe paralajmëron serbët në veri

By: Kesjana
28 December 2025 at 11:59

Serbia dhe strukturat e saj janë angazhuar maksimalisht për zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës. Kreu i Inteligjencës Ushtarake Serbe ka paralajmëruar serbët e Kosovës pak para zgjedhjeve përmes grupeve në Telegram.

Raportohet se në rrjetet sociale dhe grupet që shumë serbë përdorin, është duke u shpërndarë një deklaratë e Zoran Stojkoviç, shkruan A2 CNN.

Në mesazhin e tij ai thotë se nuk ka vend në shërbim për njerëzit që nuk e kanë në zemër Kosovën dhe “Metohinë”, dhe përmend marrjen e Kosovës nga ushtria serbe. Ekspertët në Kosovë besojnë se përmes këtyre presioneve po tentohet: Të rritet ndjenja nacionaliste te serbët e Kosovës. T’ju bëhet me dije se ata që sulmuan Banjskën janë të përgatitur nga shteti serb.

Të paralajmërohen se në zgjedhje veç Lista Serbe duhet të jetë opsion për ta. Të shënjohen si tradhtarë ata që nuk e bëjnë këtë gjë./kb

11:48 Trump vendos vijat e kuqe: Asgjë për Ukrainën pa miratimin tim

By: Kesjana
28 December 2025 at 11:48

Last Updated on 28/12/2025 by Kesjana

Përpara një vizite të planifikuar të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Florida të dielën, Presidenti i SHBA-së,  Donald Trump paralajmëroi se asgjë nuk do të vendoset derisa ai ta miratojë atë. “Ai nuk ka asgjë sa kohë që unë nuk jap pëlqimin”, tha Trump në një intervistë me revistën “Politico” të premten “Pra, do të shohim se çfarë do të ketë.”

Shtëpia e Bardhë konfirmoi takimin mes Presidentit të SHBA-së Trump dhe Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky të dielën në Palm Beach, Florida.  Mbetet e paqartë nëse do të ketë bisedime edhe me palën ruse. Rusia nuk u përmend në njoftim.

Zelensky optimist
Vetë presidenti Zelensky njoftoi më parë se një marrëveshje sigurie midis Ukrainës dhe SHBA-së ishte “pothuajse e përfunduar”. Drafti i një plani 20-pikësh ishte përfunduar 90 përqinga agjencia e lajmeve Reutersd, shkroi Zelensky në një bisedë në WhatsApp me gazetarët.

Zelensky i kishte thënë më parë portalit të lajmeve Axios se SHBA-të kishin ofruar një marrëveshje garancie sigurie 15-vjeçare, e cila mund të zgjatej. Megjithatë, Kievi dëshironte një afat më të gjatë.

“Mbështetje e plotë” nga Evropa dhe Kanadaja
Përpara udhëtimit në SHBA, Zelensky u konsultua edhe me aleatët europianë. Me iniciativën e Kancelarit Friedrich Merz, presidenti ukrainas informoi një numër krerësh shtetesh dhe qeverish dhe përfaqësues të BE-së dhe NATO-s rreth bisedimeve të tij të ardhshme me Trump, njoftoi qeveria gjermane në mbrëmje.

Deri më tani nuk janë publikuar detaje specifike. Në një deklaratë thuhet, se njëmbëdhjetë krerë shtetesh dhe qeverish nga Evropa dhe Kanadaja, si dhe udhëheqësit e NATO-s dhe BE-së, e kanë siguruar Ukrainën për “mbështetjen e tyre të plotë” dhe theksuan angazhimin e tyre për të punuar “në koordinim të ngushtë me SHBA-në për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë”.

Zelensky theksoi të shtunën, se Evropa duhet të vazhdojë të punojë së bashku.  “Ne po koordinojmë qëndrimet tona dhe të gjithë në Evropë duhet të bashkohen për të mbrojtur mënyrën tonë të jetesës evropiane, pavarësinë e shteteve tona dhe paqen në Evropë. Duhet të ketë paqe”, shkroi Zelensky në Platformën X./kb

10:59 Rama: Produktet shqiptare shkojnë në 80 vende të botës

By: Kesjana
28 December 2025 at 10:59

Kreu i qeverisë, Edi Rama, në nisje të podkastit të tij që mbahet çdo të diel, u ndal tek risitë e fundit, konkretisht tek programi EuroAgro Albania 2025-2030.

Këtë program, Rama e cilëson si një sfidë të fortë për sektorin e bujqësisë, lidhur me arritjen e standardeve europiane, si paketë për mbylljen e negociatave të Shqipërisë me BE deri në vitin 2027.

“Këtë javë prezantuam një mekanizëm praktik e të domosdoshëm për përgatitjen e bujqësisë dhe sektorit ushqimor për tregun e përbashkët europian me kapitujt 11, 12 dhe 13, në zemër të procesit të negociatave të anëtarësimit. Do të jetë një sfidë e fortë për çka kemi bërë në një dekadë, me besim dhe forcë se do të bëjmë gjithçka që duhet për t’ia dalë edhe në dy vitet e ardhshme që të mbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027”, tha ai.

Sakaq, Rama bëri dhe një krahasim të sektorit në kohë, tani dhe të një dekade më parë. Kryeministri u shpreh se dikur mbështetje financiare nga shteti arrinin të merrnin vetëm 5 mijë e 600 fermerë, një numër ky i shumëfishuar sipas tij sot. Duke u ndalur tek eksporti, Rama tha se kjo veprimtari ekonomike dikur ishte një privilegj, ndërsa sot produktet shqiptare mbërrijnë në 80 vende të botës.

“Një dekadë më parë, vetëm 5 mijë e 600 fermerë merrnin një mbështetje simbolike asokohe nga shteti. Sot janë 67 mijë e 500 fermerë që përfitojnë nga çdo vit mbështetje reale e cila peshon në portofolin e fermës së tyre. Eksportet, dikur ishin një privilegj i një grushti fermerësh, ndërsa sot produktet shqiptare shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysëm miliardë euro, ndërkohë që raporti i defiçitit tregtar, pra, eksporte dhe importe të produkteve ushqimore ka zbritur nga 1 eksport 9 import, në vetëm 1 eksport dhe 3 import. Sot jemi në një tjetër nivel, por edhe sfidat janë të një niveli tjetër”, tha Rama.

Për platformën EuroAgro, kryeministri tha se do të shërbejë si një udhërrëfyes të standardeve europiane për fermerët vendas.

“EuroAgro Albania nuk është një uebsajt më shumë, nuk është një faqe më shumë në internet por është një instrument pune, një udhërrëfyes, hap pas hapi, si burim informacioni për standard, afate, detyrime konkrete, si një kanal dialogu i hapur për fermerët dhe bizneset në këtë rrugë drejt anëtarësimit”, tha ai./kb

10:46 Haxhimali: Në Tiranë dhe zonat turistike çmimet e banesave nuk do të ulen

By: Kesjana
28 December 2025 at 10:46

Agron Haxhimali, nga Instituti i Bashkive, i ftuar në studion e emisionit “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, u shpreh se “në Tiranë dhe zonat turistike çmimet e banesave nuk do të ulen”.

“Nga 61 bashki, Tirana është e vetmja bashki që e ka popullsinë stabël dhe me një tendencë pozitive të rritjes krahasuar me bashki të tjera. Që do të thotë se gjithë Shqipëria do vijë në Tiranë dhe për këtë arsye do ta ketë këtë lloj situate. Sigurisht, bashkitë bregdetare për arsye të turizmit do kenë një qëndrueshmëri, por mos harrojmë që Shqipëria nuk është vetëm Tirana dhe vija bregdetare”, tha Haxhimali.

“Pjesa tjetër e stokut të banesave apo kapitalit që është në periferi, nëpër qytetet e vogla, kemi një rënie të vlerës”, shtoi më tej Haxhimali./kb

10:38 Emigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban…

By: Kesjana
28 December 2025 at 10:38

Numri i emigrantëve të rikthyer pas pandemisë është rritur, por gjithashtu edhe kushtet për riintegrimin janë përkeqësuar.

Anketa e Emigracionit që u zhvillua nga INSTAT vitin e kaluar zbuloi se gati 108 mijë persona janë rikthyer gjatë 2012–2024, teksa 45% e tyre erdhën pas pandemisë.

Aksesi i të kthyerve në punësim dhe në shërbime është përkeqësuar në krahasim me periudhat paraardhëse, duke bërë që synimet për riemigrim të jenë më të larta krahasuar me ata që nuk kanë emigruar. 13% e emigrantëve të kthyer po bëhen gati të ikin brenda vitit krahasuar me një nivel pothuajse të papërfillshëm prej 1% tek jo-emigrantët.

Profili i ri i emigracionit

Ka një tendencë në rritje të rikthimit të emigrantëve pas pandemisë, por nga ana tjetër, kushtet e integrimit të tyre janë vështirësuar edhe më shumë, sidomos pas pandemisë, sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit që u zhvillua nga INSTAT vitin e kaluar, të cilat u publikuan së fundmi.

Shqipëria në këtë mënyrë po vret, për së dyti, shpresën e të rikthyerve, teksa në vendet e tjera të Ballkanit si Rumania, Bullgaria dhe Serbia, kthimet po tejkalojnë largimet.

Anketa zbuloi se gati 108 mijë persona janë rikthyer gjatë 2012–2024. Pjesa më e madhe, rreth 45%, u rikthyen gjatë 2020–2024. Në periudhat më të hershme, pesha e të kthyerve ka qenë më e ulët, me vetëm 10–19% të rikthyer në çdo interval pesëvjeçar ndërmjet viteve 2000 dhe 2019.

Emigrantët që u kthyen para kohe dhe jo me dëshirë përbëjnë 67% të të gjithë të rikthyerve dhe karakterizohen nga dominimi i fortë i meshkujve.

Anketa zbuloi se kthimet e parakohshme lidhen më shpesh me humbjen e vendit të punës, mungesën e mundësive dhe probleme administrative në vendin pritës, ndërsa kthimet e planifikuara shoqërohen më tepër me përfundimin e kontratave të punës dhe arritjen e objektivave financiare.

Arsyet familjare mbeten një faktor i rëndësishëm për të dy grupet, megjithëse janë pak më të shpeshta tek ata që janë kthyer para kohe.

Në total, 28% e të gjithë emigrantëve të kthyer raportojnë arsyet familjare si motivin kryesor për rikthimin në Shqipëri. Kjo përqindje rritet në 31% tek ata që u kthyen para kohe dhe mbetet e lartë, në 23%, edhe tek ata që nuk u kthyen para kohe.

Arsyet e kthimit ndryshojnë ndjeshëm mes dy grupeve. Emigrantët që u kthyen para kohe kanë më shumë gjasa të përmendin faktorë të pavullnetshëm, si largimi nga puna nga punëdhënësi ose pamundësia për të gjetur punë (10%).

Ndërsa ata që qëndruan më gjatë jashtë vendit u kthyen më shumë për shkak të përfundimit të punës sezonale ose kontratës, apo sepse kishin arritur të fitonin dhe kursenin mjaftueshëm para (6%).

Përkeqësohet riintegrimi i të kthyerve pas pandemisë

Në afatmesëm, emigrantët e kthyer priren të integrohen relativisht mirë në tregun shqiptar të punës, duke shfaqur norma punësimi më të larta sesa personat që nuk kanë emigruar, megjithëse ata që janë kthyer më së fundmi përballen me vështirësi më të mëdha.

Anketa zbuloi se normat e punësimit janë dukshëm më të ulëta për emigrantët e kthyer rishtazi. Ata që u kthyen gjatë periudhës 2000–2004 kanë normën më të lartë të punësimit, në 93%. Kjo normë bie gradualisht për grupet e mëvonshme, në 60% për periudhën 2005–2009, 65% për 2010–2014 dhe 53% për 2015–2019.

Norma më e ulët e punësimit, 46%, vërehet tek emigrantët e kthyer në periudhën 2020–2024, duke treguar sfida më të mëdha për riintegrimin afatshkurtër në tregun e punës.

Edhe pse emigrantët e kthyer kanë të drejtë të përfitojnë shërbime mbështetëse për riintegrim, kryesisht përmes Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, përdorimi i këtyre shërbimeve mbetet i kufizuar dhe shpesh nuk është i përshtatur me nevojat specifike të grupeve të ndryshme të emigrantëve të kthyer, veçanërisht të atyre që janë rikthyer me detyrim pas refuzimit të kërkesave për azil.

Meshkujt e kthyer shfaqin norma relativisht të larta punësimi (67%), më të larta se meshkujt jo-emigrantë (59%), duke sugjeruar se përvoja migratore mund t’u japë atyre një avantazh të lehtë në tregun e punës pas kthimit.

Në të kundërt, gratë e kthyera kanë norma më të ulëta punësimi (34%), të ngjashme me ato të grave jo-emigrante (36%), çka tregon se migrimi nuk përkthehet domosdoshmërisht në përmirësim të rezultateve të punësimit për gratë.

Analizat tregojnë se në afatshkurtër emigrantët e kthyer kanë më pak gjasa të jenë të punësuar krahasuar me jo-emigrantët, por kjo situatë përmirësohet me kalimin e kohës.

Ata që janë kthyer prej më pak se një viti kanë 22 pikë përqindjeje më pak gjasa të jenë të punësuar, ndërsa pas 6–10 vitesh nga kthimi, probabiliteti i punësimit bëhet 7 pikë përqindjeje më i lartë se te jo-emigrantët, duke sugjeruar se përfitimet nga përvoja migratore materializohen gradualisht.

Ka një tendencë në rritje të rikthimit të emigrantëve pas pandemisë, por nga ana tjetër, kushtet e integrimit të tyre janë vështirësuar edhe më shumë, sidomos pas pandemisë, sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit që u zhvillua nga INSTAT vitin e kaluar, të cilat u publikuan së fundmi.

Shqipëria në këtë mënyrë po vret për së dyti shpresën e të rikthyerve, teksa në vendet e tjera të Ballkanit si Rumania, Bullgaria dhe Serbia kthimet po tejkalojnë largimet.

Anketa zbuloi se gati 108 mijë persona janë rikthyer gjatë 2012–2024. Pjesa më e madhe, rreth 45%, u rikthyen gjatë 2020–2024. Në periudhat më të hershme, pesha e të kthyerve ka qenë më e ulët, me vetëm 10–19% të rikthyer në çdo interval pesëvjeçar ndërmjet viteve 2000 dhe 2019.

Emigrantët që u kthyen para kohe dhe jo me dëshirë përbëjnë 67% të të gjithë rikthyerve dhe karakterizohen nga një dominim i fortë i meshkujve.

Anketa zbuloi se kthimet e parakohshme lidhen më shpesh me humbjen e vendit të punës, mungesën e mundësive dhe probleme administrative në vendin pritës, ndërsa kthimet e planifikuara shoqërohen më tepër me përfundimin e kontratave të punës dhe arritjen e objektivave financiare.

Arsyet familjare mbeten një faktor i rëndësishëm për të dy grupet, megjithëse janë pak më të shpeshta tek ata që janë kthyer para kohe. Në total, 28% e të gjithë emigrantëve të kthyer raportojnë arsyet familjare si motivin kryesor për rikthimin në Shqipëri.

Kjo përqindje rritet në 31% tek ata që u kthyen para kohe dhe mbetet e lartë, në 23%, edhe tek ata që nuk u kthyen para kohe.

Arsyet e kthimit ndryshojnë ndjeshëm mes dy grupeve. Emigrantët që u kthyen para kohe kanë më shumë gjasa të përmendin faktorë të pavullnetshëm, si largimi nga puna nga punëdhënësi ose pamundësia për të gjetur punë (10%).

Ndërsa ata që qëndruan më gjatë jashtë vendit u kthyen më shumë për shkak të përfundimit të punës sezonale ose kontratës apo sepse kishin arritur të fitonin dhe kursenin mjaftueshëm para (6%).

Të rikthyer, tranzicion i fortë profesional

Emigrantët e kthyer shpesh përjetojnë ndryshime në profesion dhe sektor pas rikthimit në Shqipëri.

Ata që janë kthyer para kohe shfaqin luhatje më të theksuara. Këta të fundit kanë më shumë gjasa të përjetojnë ndërprerje në trajektoren e tyre profesionale, me përputhje më të dobët midis punës që kanë pasur jashtë vendit dhe asaj që gjejnë pas kthimit.

Ndër emigrantët që nuk janë kthyer para kohe, rreth 42% janë rikthyer për të punuar në një sektor të ndryshëm nga ai ku ishin të punësuar jashtë, ndërsa 43% kanë kaluar në një profesion tjetër, duke treguar tranzicione ose ndërprerje relativisht të shpeshta.

Vetëm 9% e emigrantëve që nuk u kthyen para kohe raportojnë se kanë pasur punë me nivel më të lartë aftësish jashtë sesa pas kthimit, ndërsa kjo përqindje bie në vetëm 2% tek ata që u kthyen para kohe.

Rreth 83% e meshkujve të kthyer dhe 76% e grave të kthyera raportojnë se kanë kontratë të shkruar, krahasuar me 83% të meshkujve dhe 86% të grave jo-emigrante.

Vetëpunësimi, zgjidhja fillestare

Pesha e emigrantëve të kthyer që janë të vetëpunësuar është rritur ndjeshëm deri në vitin 2014, qoftë si rezultat i rritjes së kapaciteteve sipërmarrëse, qoftë për shkak të vështirësive në aksesin ndaj punësimit formal, por kjo prirje ka mbetur relativisht e qëndrueshme më pas.

Në përgjithësi, vetëpunësimi ka kaluar nga një strategji periferike riintegrimi në një element të rëndësishëm të përvojës së emigrantëve të kthyer, veçanërisht pas vitit 2010.

Pesha e të vetëpunësuarve rritet nga vetëm 7% e atyre që u kthyen në periudhën 2000–2004, në 22% për 2005–2009, duke arritur kulmin në 34% për grupin 2010–2014 dhe duke u stabilizuar rreth 29% për kohortat më të fundit (2015–2024).

Kjo prirje sugjeron se emigrantët e kthyer më rishtazi po i drejtohen gjithnjë e më shumë vetëpunësimit si një rrugë për riintegrim ekonomik, si një mundësi, por edhe si domosdoshmëri.

Nga njëra anë, emigrantët e rinj të kthyer mund të sjellin ide të reja, aftësi të përmirësuara, kursime të akumuluara dhe rrjete më të gjera, duke forcuar potencialin sipërmarrës. Shumë prej tyre përballen me barriera për t’u riintegruar në punësim të paguar formal dhe, për rrjedhojë, e shohin vetëpunësimin si alternativën e vetme.

Të dhënat tregojnë se emigrantët e kthyer më së fundmi kanë më pak gjasa të jenë të punësuar në përgjithësi, por më shumë gjasa të jenë të vetëpunësuar krahasuar me ata që janë kthyer më herët.

Me kalimin e kohës, ky model përmbyset, pesha e vetëpunësimit bie dhe punësimi me pagë rritet, duke treguar një integrim gradual në tregun formal të punës.

Vetëpunësimi përbën një strategji të rëndësishme ekonomike, veçanërisht për emigrantët e kthyer para kohe dhe për gratë. Ndërsa normat e përgjithshme të punësimit shfaqin dallime të theksuara gjinore, diferencat midis burrave dhe grave në vetëpunësim janë shumë më të vogla.

Aktivitetet sipërmarrëse mund të ofrojnë një alternativë më të barabartë, duke reduktuar pabarazitë gjinore në tregun e punës për emigrantët e kthyer.

Ndër të gjithë emigrantët e kthyer të punësuar, 25% e meshkujve dhe 21% e grave janë të vetëpunësuar. Te emigrantët që u kthyen para kohe, hendeku gjinor përmbyset: 41% e grave janë të vetëpunësuara, krahasuar me 25% të meshkujve.

Evidenca e mëparshme ka treguar se gratë shqiptare të kthyera, veçanërisht ato me qëndrime më të shkurtra jashtë vendit, përballen me barriera të konsiderueshme në punësimin me pagë, çka i shtyn drejt vetëpunësimit si një zgjedhje e detyruar. Në të kundërt, te emigrantët që nuk u kthyen para kohe, vetëpunësimi është më i ulët (19% për meshkujt dhe 10% për gratë).

Jo-emigrantët shfaqin një normë pak më të lartë vetëpunësimi (28%) krahasuar me emigrantët e kthyer (24%).

Po ashtu, meshkujt jo-emigrantë kanë norma më të larta vetëpunësimi sesa meshkujt e kthyer, ndërsa për gratë, normat janë të ngjashme, duke treguar se vetëpunësimi është tashmë një strategji e përhapur edhe në popullsinë vendase.

Ndër emigrantët e kthyer të vetëpunësuar, shumica dërrmuese operojnë pa punonjës të paguar, duke kufizuar potencialin e krijimit të vendeve të reja të punës.

Vetëm një pjesë shumë e vogël e emigrantëve të kthyer raportojnë se janë punëdhënës me punonjës të paguar (7% dhe 9% përkatësisht), ndërsa puna familjare kontribuuese është pothuajse e papërfillshme.

Kjo tregon se vetëpunësimi i emigrantëve të kthyer ka shfaqur potencial të kufizuar për zgjerim të biznesit, ndoshta për shkak të mungesës së kapitalit, aksesit të kufizuar në kredi ose vështirësive në orientimin në mjedisin e biznesit pas kthimit.

Emigrantët e kthyer, të diskriminuar dhe shëndet të dobët mendor

Emigrantët e kthyer mund të përballen me barriera shtesë në procesin e riintegrimit në shoqërinë shqiptare, sipas rezultateve të anketës.

Disa prej tyre raportojnë ndjenja të përjashtimit dhe mospërputhje kulturore, të cilat prekin veçanërisht fëmijët.

Për disa grupe të emigrantëve të kthyer, sidomos ata që vijnë nga komunitete të margjinalizuara si pakicat rome dhe egjiptiane, stigma sociale dhe diskriminimi e vështirësojnë edhe më shumë përshtatjen me jetën në Shqipëri.

Diskutimet në grupe fokusi nxjerrin gjithashtu në pah shfaqjen e traumave psikologjike dhe problemeve të shëndetit mendor, veçanërisht tek emigrantët që janë detyruar të kthehen pas dëbimeve të papritura. Këto sfida mbeten kryesisht të paadresuara, duke krijuar boshllëk kritik në mirëqenien e tyre.

Aktualisht, mbledhja sistematike e të dhënave administrative mbi nevojat dhe rezultatet e riintegrimit të emigrantëve të kthyer mbetet e kufizuar.

Korniza ligjore ekzistuese nuk parashikon të drejta të qarta dhe mbështetje të standardizuar për riintegrimin e të gjithë emigrantëve të kthyer. Shërbimet që ofrohen janë shpesh të fragmentuara dhe janë evidentuar probleme të koordinimit ndërinstitucional.

Diskutimet në grupe fokusi theksojnë gjithashtu përdorimin e kufizuar të shërbimeve nga emigrantët e kthyer. Emigrantët më të cenueshëm kanë më shumë gjasa të përdorin shërbimet në dispozicion, si strehimi i përkohshëm, formimi profesional, mbështetja financiare ose ndihma emergjente nga qendrat komunitare.

Mbështetja psikologjike, kur është e disponueshme, ofrohet kryesisht nga organizata joqeveritare. Aksesi në shërbime shëndetësore cilësore mbetet një sfidë për emigrantët e kthyer dhe përmendet nga disa anëtarë të diasporës, si një faktor që ndikon në hezitimin për t’u rikthyer në Shqipëri.

Barriera strukturore, si mungesa e njohjes së dokumentacionit mjekësor të lëshuar jashtë vendit dhe kostot e përkthimit të dokumenteve, raportohen gjithashtu si pengesa të rëndësishme.

Disa emigrantë të intervistuar shprehin perceptime negative mbi kapacitetet e institucioneve për t’i mbështetur në procesin e riintegrimit.

Të rikthyerit planifikojnë të emigrojnë më shumë se të tjerët

Synimet për riemigrim janë më të larta krahasuar me bashkëmoshatarët e të rikthyerve që nuk kanë emigruar. Sipas anketës, rreth 13% e emigrantëve të kthyer shprehin plane për të jetuar sërish jashtë vendit gjatë 12 muajve të ardhshëm, krahasuar me një nivel pothuajse të papërfillshëm prej 1% tek jo-emigrantët.

Ndër ata që planifikojnë të emigrojnë, emigrantët e kthyer raportojnë një nivel më të lartë të përgatitjeve konkrete (42%) sesa jo-emigrantët (35%).

Për emigrantët e kthyer, format më të shpeshta të përgatitjes përfshijnë kërkimin e punës (16%), kontaktimin e miqve ose të njohurve në vendin e destinacionit (11%), si dhe përgatitjen e dokumentacionit ligjor (16%).

Ndërkohë, jo-emigrantët raportojnë nivele të ngjashme përgatitjeje në kërkimin e punës (17%), por priren dukshëm të mbajnë kontakte me persona jashtë vendit (46%), e cila përbën edhe formën më të përhapur të përgatitjes në këtë grup.

Për më tepër, jo-emigrantët shfaqin norma pak më të larta në plotësimin e dokumenteve ligjore (12%) dhe në blerjen e biletave (10%), krahasuar me emigrantët e kthyer.

Emigracioni thellohet, ikin të rinjtë

Me rreth 1.6 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në 2024 dhe 108,503 persona që janë kthyer gjatë 12 viteve të fundit, migracioni formëson në mënyrë të thellë strukturën demografike, ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë.

Më shumë se një e treta e familjeve shqiptare kanë të paktën një anëtar që ka jetuar ose jeton aktualisht jashtë vendit, sipas rezultateve të anketës së emigracionit.

Migracioni shqiptar karakterizohet kryesisht nga punëtorë të rinj, meshkuj dhe me aftësi të mesme, që kërkojnë mundësi ekonomike jashtë vendit, me dallime të rëndësishme gjeografike brenda vendit.

Emigrantët aktualë janë të përqendruar kryesisht në grupmoshën 25–44 vjeç, duke reflektuar motivimet ekonomike që nxisin vendimet për migrim. Gati tre të katërtat e emigrantëve janë meshkuj, me pabarazi gjinore veçanërisht të theksuara në destinacionet europiane si Mbretëria e Bashkuar, Greqia dhe Gjermania.

Me më shumë se dy të tretat e emigrantëve që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë. Përbërja arsimore ndryshon ndjeshëm sipas vendit të destinacionit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranojnë emigrantët më të arsimuar (gati një e treta me arsim të lartë), të ndjekura nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa vetëm 5% e shqiptarëve në Greqi kanë përfunduar arsimin e lartë.

Përvojat dhe përgatitja para nisjes

Anketa e emigracionit ka evidentuar se para largimit, emigrantët zakonisht punojnë në profesione me aftësi më të ulëta krahasuar me jo-migrantët, duke fituar rreth 10% më pak.

Normat e punësimit të emigrantëve bien ndjeshëm ndërsa afrohet momenti i nisjes. Tre muaj para migrimit, tre nga katër emigrantë të ardhshëm në moshë pune janë të punësuar, por kjo shifër bie ndjeshëm në 9% në muajin e fundit në Shqipëri.

Krahasuar me jo-migrantët, emigrantët e ardhshëm kanë më shumë gjasa të jenë të punësuar në punë me aftësi të ulëta ose të mesme përpara migrimit.

Ata zakonisht janë të angazhuar në “Punonjës Shërbimesh dhe Shitjesh” dhe “Punonjës të Zejeve dhe Profesioneve të Ngjashme”, ndërsa kanë më pak gjasa të mbajnë pozicione që kërkojnë aftësi si “Menaxherë”, “Profesionistë” dhe “Teknikë”.

Të ikurit kursejnë më pak se sa prisnin, të kthyerve nuk u tepron asgjë

Emigrantët që jetojnë jashtë prisnin të fitonin mesatarisht rreth 3,900 USD në muaj, por në realitet, të ardhurat e tyre reale janë vetëm pak më shumë se gjysma e kësaj shume (2,200 USD). Si rezultat, ata kursejnë ndjeshëm më pak gjatë qëndrimit jashtë vendit sesa kishin parashikuar përpara migrimit (450 USD kundrejt 1,270 USD të pritshme).

Gjetje të ngjashme vërehen edhe tek emigrantët që janë kthyer në Shqipëri. Hendeku midis pritshmërive dhe realitetit vazhdon në të gjitha gjinitë, nivelet arsimore dhe vendet e destinacionit, me Greqinë që shfaq hendekun më të thellë (52% mungesë në të ardhura, 69% mungesë në kursime).

Ky hendek përfaqëson një sfidë kritike për politikat publike, pasi tregon se emigrantët marrin vendime të rëndësishme migrimi mbi bazën e informacionit të papërsosur, gjë që mund të çojë në zgjedhje jo optimale.

Largimi bëhet në informalitet

Përdorimi i shërbimeve ligjore nga emigrantët para ikjes mbetet i kufizuar, ku shumica mbështeten në rrjete informale në vend të sistemeve të strukturuara të mbështetjes.

Vetëm një pakicë e emigrantëve të ardhshëm përdor shërbime formale për të mbështetur udhëtimin e tyre migrator, me të kthyerit që tregojnë angazhim veçanërisht të ulët: vetëm 5% kanë përdorur agjenci private punësimi dhe 2% kanë përdorur shërbime publike punësimi.

Një pakicë e emigrantëve largohen nga Shqipëria me një punë formale të siguruar. Sipas të dhënave të anketës, afërsisht dy të tretat largohen nga vendi pa një punë të sigurt, ndërsa 37% largohen me një marrëveshje formale punësimi.

Emigrantet femra kanë më shumë gjasa sesa homologët e tyre meshkuj të kenë siguruar marrëveshje punësimi, duke sugjeruar angazhim më të madh me kanale formale migrimi. Emigrantët e rinj të moshës 15–24 vjeç shfaqin normën më të lartë të marrëveshjeve para nisjes (51%), megjithëse këto norma bien me rritjen e moshës.

Emigrantët drejt Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë më shumë gjasa të sigurojnë punësim para nisjes (41–44%), ndërsa ata që drejtohen drejt Italisë, Shteteve të Bashkuara dhe Greqisë shfaqin norma më të ulëta (21–27%).

Përvoja e migracionit

Emigrantët shqiptarë arrijnë përfitime të konsiderueshme të të ardhurave gjatë qëndrimit të tyre jashtë vendit. Sipas anketës, ata fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë sesa fitonin përpara se të largoheshin dhe po kaq herë më shumë sesa bashkëmoshatarët e tyre që mbeten në Shqipëri.

Emigrantët meshkuj në moshë pune kanë gjithashtu gjasa dukshëm më të larta të jenë të punësuar sesa ata që jetojnë në Shqipëri. Në përgjithësi, emigracioni lidhet me të ardhura më të larta nga puna për shqiptarët jashtë vendit.

Megjithatë, emigrantët kanë një probabilitet më të lartë të punojnë në informalitet dhe kanë mbulim më të kufizuar nga mbrojtja sociale.

Për më tepër, 28% e emigrantëve të punësuar raportojnë se punëdhënësit e tyre nuk ofrojnë kontribute për sigurim pensioni ose leje vjetore të paguara. Informaliteti është më i pranishëm tek emigrantët më të rinj, me nivel më të ulët arsimor dhe ata që kanë mbërritur së fundmi.

Emigrantët shpesh punojnë në pozicione nën kualifikimet e tyre arsimore, pavarësisht se arrijnë të ardhura absolute më të larta. Një në tre emigrantë aktualë dhe pothuajse katër në pesë të kthyer me arsim të lartë punojnë në punë që kërkojnë kualifikime nën nivelin e arritjeve të tyre arsimore.

Emigrantët meshkuj punojnë kryesisht në sektorët e ndërtimit dhe punë manuale, me mbi 40% si marangozë ndërtimi dhe profesione të ngjashme, ndërsa emigrantet femra përqendrohen në pastrim shtëpiak (rreth 25%) dhe infermieri ose mami (17%).

Të ikurit kursejnë më pak se sa prisnin, të kthyerve nuk u tepron asgjë

Emigrantët që jetojnë jashtë prisnin të fitonin mesatarisht rreth 3,900 USD në muaj, por në realitet, të ardhurat e tyre reale janë vetëm pak më shumë se gjysma e kësaj shume (2,200 USD). Si rezultat, ata kursejnë ndjeshëm më pak gjatë qëndrimit jashtë vendit sesa kishin parashikuar përpara migrimit (450 USD kundrejt 1,270 USD të pritshme).

Gjetje të ngjashme vërehen edhe tek emigrantët që janë kthyer në Shqipëri. Hendeku midis pritshmërive dhe realitetit vazhdon në të gjitha gjinitë, nivelet arsimore dhe vendet e destinacionit, me Greqinë që shfaq hendekun më të thellë (52% mungesë në të ardhura, 69% mungesë në kursime).

Ky hendek përfaqëson një sfidë kritike për politikat publike, pasi tregon se emigrantët marrin vendime të rëndësishme migrimi mbi bazën e informacionit të papërsosur, gjë që mund të çojë në zgjedhje jo optimale.

Largimi bëhet në informalitet

Përdorimi i shërbimeve ligjore nga emigrantët para ikjes mbetet i kufizuar, ku shumica mbështeten në rrjete informale në vend të sistemeve të strukturuara të mbështetjes.

Vetëm një pakicë e emigrantëve të ardhshëm përdor shërbime formale për të mbështetur udhëtimin e tyre migrator, me të kthyerit që tregojnë angazhim veçanërisht të ulët: vetëm 5% kanë përdorur agjenci private punësimi dhe 2% kanë përdorur shërbime publike punësimi.

Një pakicë e emigrantëve largohen nga Shqipëria me një punë formale të siguruar. Sipas të dhënave të anketës, afërsisht dy të tretat largohen nga vendi pa një punë të sigurt, ndërsa 37% largohen me një marrëveshje formale punësimi.

Emigrantet femra kanë më shumë gjasa sesa homologët e tyre meshkuj të kenë siguruar marrëveshje punësimi, duke sugjeruar angazhim më të madh me kanale formale migrimi. Emigrantët e rinj të moshës 15–24 vjeç shfaqin normën më të lartë të marrëveshjeve para nisjes (51%), megjithëse këto norma bien me rritjen e moshës.

Emigrantët drejt Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë më shumë gjasa të sigurojnë punësim para nisjes (41–44%), ndërsa ata që drejtohen drejt Italisë, Shteteve të Bashkuara dhe Greqisë shfaqin norma më të ulëta (21–27%).

Përvoja e migracionit

Emigrantët shqiptarë arrijnë përfitime të konsiderueshme të të ardhurave gjatë qëndrimit të tyre jashtë vendit. Sipas anketës, ata fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë sesa fitonin përpara se të largoheshin dhe po kaq herë më shumë sesa bashkëmoshatarët e tyre që mbeten në Shqipëri.

Emigrantët meshkuj në moshë pune kanë gjithashtu gjasa dukshëm më të larta të jenë të punësuar sesa ata që jetojnë në Shqipëri. Në përgjithësi, emigracioni lidhet me të ardhura më të larta nga puna për shqiptarët jashtë vendit.

Megjithatë, emigrantët kanë një probabilitet më të lartë të punojnë në informalitet dhe kanë mbulim më të kufizuar nga mbrojtja sociale.

Për më tepër, 28% e emigrantëve të punësuar raportojnë se punëdhënësit e tyre nuk ofrojnë kontribute për sigurim pensioni ose leje vjetore të paguara. Informaliteti është më i pranishëm tek emigrantët më të rinj, me nivel më të ulët arsimor dhe ata që kanë mbërritur së fundmi.

Emigrantët shpesh punojnë në pozicione nën kualifikimet e tyre arsimore, pavarësisht se arrijnë të ardhura absolute më të larta. Një në tre emigrantë aktualë dhe pothuajse katër në pesë të kthyer me arsim të lartë punojnë në punë që kërkojnë kualifikime nën nivelin e arritjeve të tyre arsimore.

Emigrantët meshkuj punojnë kryesisht në sektorët e ndërtimit dhe punë manuale, me mbi 40% si marangozë ndërtimi dhe profesione të ngjashme, ndërsa emigrantet femra përqendrohen në pastrim shtëpiak (rreth 25%) dhe infermieri ose mami (17%)./kb

10:27 “PD kërkon të zhbëjë reformën”, Bido: PS në mbrojtje edhe pse është goditur nga brenda

By: Kesjana
28 December 2025 at 10:27

“Partia Socialiste është lokomotiva e Reformës në Drejtësi, ndërsa opozita kërkon të zhbëjë reformën”.

Kështu u shpreh deputeti socialist Ardit Bido, në një lidhje direkte me studion e emisionit “Terminal” nga Aurora Sulçe.

“Është vetëm një forcë politike që e mban këtë sistem dhe pret vendimin e gjykatave”, theksoi Bido.

Sipas tij, “organizmat brenda Reformës në Drejtësi janë të pavarura” dhe “për herë të parë kemi rënë dakord që institucione si SPAK janë të pavarura”.

“Ekzistenca e këtyre organizmave të pavarura të drejtësisë është thesar dhe duhen ruajtur si sytë e ballit. Thënë kjo, nuk do të thotë që çdo vendimmarrje e drejtësisë është e drejtë apriori”, tha Bido./kb

10:18 Rama: Do të vazhdojmë të mbështesim organet e drejtësisë

By: Kesjana
28 December 2025 at 10:18

Kreu i qeverisë, Edi Rama në podkastin e tij “Flasim”, tha se pavarësisht zhurmës mediatike dhe politike, nuk zmbrapset ecuria e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Rama theksoi më tej se qeveria do të vijojë të mbështesë organet e drejtësisë dhe do të jetë guarante e palëkundur e Reformës në Drejtësi.

“E meqë ky është episodi i fundit i vitit, lejomëni të bëj edhe një shënim disi të përveçëm.  Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, ku zien me histeri i gjithë llumi i gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, ku linçohen njerëz e familje pa asnjë gajle, për lloj-lloj arsyesh të mosarsyes, nga gjobat e portalexhinjve tek ligësitë e poterexhinjve dhe mllefet e pallavraxhinjve, nuk e mund dhe as nuk e zmbraps dot kurrësesi Shqipërinë e të gjithë kapitujve të hapur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian; Shqipërinë Turistike me aeroportin kryesor të rajonit, që për të disatin vit edhe këtë vit, ka lënë mbrapa aeroportin historikisht kryesor në Ballkan, atë të Beogradit; Shqipërinë e transformimit digjital dhe të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku paga mesatare ka arritur tanimë në 830 euro; Shqipërinë e transformimit epokal të infrastrukturës, ku kantiere të reja hapen çdo vit, qoftë për arteriet e mëdha të vendit e qoftë për ato të voglat; Shqipërinë e sovranitetit energjetik, e cila brenda këtij mandati të katërt do të jetë ekportuese neto e energjise dhe s’do të paguajë më asnjë qindarkë për të blerë energji jashtë vendit; Shqipërinë e rilindjes së industrisë ushtarake, e cila do të mikpresë Samitin e Natos në 2027 dhe do ta mbrojë atë ditë qiellin me dronet e prodhuar në vendin tonë. 

Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr.

Kjo Shqipëri, Shqipëria ime, Shqipëria juaj, Shqipëria e atyre që sot janë fëmijë dhe që meritojnë një vend të sundimit të ligjit dhe jo të sundimit të llumit, nuk do të mundet e as do të përulet dot nga Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, që nuk duan drejtësi për Shqipërinë, po duan destabilizim, duan rrëmujë, duan shkatërrim në dëm të Shqipërisë, nuk duan drejtësi me ligj po hakmarrje me llum, nuk duan drejtësi po vetëgjyqësi, linçime, poshtërime. 

Ne do të vazhdojmë të luftojmë për drejtesinë që i ka munguar këtij shteti qysh në lindjen e tij, 100 e kusur vjet më parë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim organet e drejtësisë me gjithçka kemi në dorë për të bërë detyrën e tyre dhe do të mbetemi garantët e palëkundur të Reformës në Drejtësi, e të pavarësisë së drejtësisë nga politika, duke vazhduar të mbetemi zëri dhe forca më e madhe e shqiptarëve për Shqipërinë që askush tjetër nuk e mbron dot si ne, nuk e ndryshon dot si ne, nuk e bën dot siç do ta bejmë ne, Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Rama. /Kb

Before yesterdayMain stream

15:56 Rusia zvarrit çështjen e avionit të pasagjerëve të Azerbajxhanit

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:56

Ndër të gjitha ngjarjet e rëndësishme që lidhen me rajonin e Kaukazit të Jugut gjatë vitit të kaluar, dy prej tyre spikasin në mënyrë të veçantë: procesi i paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe kriza midis Moskës dhe Bakusë pas rrëzimit të një avioni pasagjerësh të Azerbajxhanit mbi Grozny. Të dy proceset u zhvilluan në mënyrë të qëndrueshme, secili me dinamikin e saj — procesi i paqes me Armeninë në një trajektore pozitive dhe kriza me Moskën duke u anuar më shumë drejt negatives. Është pikërisht ky i dyti që meriton një vështrim më të afërt.

Një rreze shprese për rivendosjen e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Azerbajxhanit u shfaq më 9 tetor në Samitin e CIS në Dushanbe. Gjatë takimit me Presidentin Ilham Aliyev, Presidenti Vladimir Putin deklaroi se “do të bëhet gjithçka që kërkohet në situata të tilla tragjike në aspektin e kompensimit. Gjithashtu do të jepet një vlerësim ligjor për veprimet e të gjithë zyrtarëve.”

Kanë kaluar dy muaj e gjysmë nga ai takim, por Moska nuk ka ndërmarrë asnjë nga hapat e shpallur nga Putini. Siç theksoi Farhad Mammadov, drejtues i Qendrës për Studime të Kaukazit të Jugut, në kanalin e tij në Telegram Mneniye-FM, “po afrohet përvjetori i tragjedisë, kur komisioni që heton shkaqet e rrëzimit pritet të përfundojë punën e tij. Megjithatë, sipas deklaratave nga pala kazake, procesi ende vazhdon dhe pala ruse nuk ka përfunduar ende pjesën e saj të punës .”

Në të vërtetë, shoqëria azerbajxhanase kishte pritur që deri në përvjetorin e tragjedisë — më 25 dhjetor — pala ruse të kishte përmbushur të paktën një pjesë të angazhimeve të saj. Edhe nëse hetimi nuk është përmbyllur plotësisht, detajet kryesore të rrëzimit janë tashmë të njohura — pikërisht ky fakt i lejoi Putinit të pranonte shkaqet e tij që në tetor. Disa lexues veçanërisht të vëmendshëm  mund të pyesin: sot është vetëm 23 dhjetor, pse po shkruhet për këtë çështje kur kanë mbetur ende dy ditë deri në përvjetor? Ndoshta Moska do të shpallë zbatimin e masave të premtuara pikërisht më 25?

Së pari, një pedantizëm i tillë do të ishte i papërshtatshëm në vetvete. Por edhe kjo nuk është pika kryesore. Ajo që ka vërtet rëndësi është fakti se përvjetori i rrëzimit të avionit u parapri nga samiti informal i CIS-it, i mbajtur më 22 dhjetor në Shën Petersburg. Vlen të kujtohet se Presidenti Aliyev ishte nisur për të marrë pjesë në këtë takim tradicional më 25 dhjetor të vitit të kaluar. Megjithatë, sapo mori vesh për tragjedinë e avionit të AZAL-it, ai urdhëroi menjëherë që Fluturimi nr. 1 të  bënte kthim dhe të rikthehej në atdhe, duke zhvilluar një mbledhje emergjente që në aeroport.

Kështu, në përputhje me protokollin diplomatik, çdo veprim nga pala ruse duhej të ishte sinkronizuar me samitin informal të CIS-it. Kjo do të kishte qenë një sinjal i fortë i qëllimit të sinqertë të Kremlinit për të rivendosur marrëdhëniet dhe për të pritur ngrohtësisht Ilham Aliyevin në kryeqytetin verior. Megjithatë, Moska nuk ndërmori asnjë veprim. Natyrisht, në këto rrethana — dhe duke pasur parasysh axhendën e ngjeshur — Ilham Aliyev nuk mundi të udhëtonte drejt Shën Petersburgut. Sidoqoftë, sinjali i pakënaqësisë së Bakusë është i drejtuar ekskluzivisht ndaj Moskës; ai nuk shtrihet aspak ndaj partnerëve të tjerë të CIS-it, me të cilët Azerbajxhani ka pasur zhvillime shumë pozitive në bashkëpunim gjatë vitit të kaluar.

Ne e përmendëm qëllimisht procesin e paqes midis Bakusë dhe Jerevanit në fillim të këtij shkrimi. Nuk kërkohet analizë e thellë për të parë se ekziston një lidhje e prekshme midis këtyre dy ngjarjeve — zgjidhjes me Jerevanin dhe krizës me Moskën, ose më saktë, vonesës së Rusisë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të pranuar përgjegjësinë e saj.

Duke zgjidhur kundërshtitë që lidhen me konfliktin armen-azerbajxhanas, Moska rrezikon të humbasë një instrument kyç të menaxhimit të konflikteve në rajon. Armenia, tashmë e çliruar nga barra e çështjes së Karabakut, po e afirmon gjithnjë e më shumë pavarësinë e saj nga ish-suzerani. Nëse procesi i normalizimit arrin përfundimin e tij logjik, Turqia nuk do të perceptohet më nga Armenia si një kërcënim ekzistencial. Të gjitha këto zhvillime të pritshme mund të përmbysin më shumë se dy shekuj prani ruse në Kaukazin e Jugut.

Ndërkohë, Moska nuk ka hequr dorë nga shpresa për të rifituar ndikimin mbi Jerevanin duke mbështetur lëvizje të ndryshme opozitare të lidhura me Kishën Armene përpara zgjedhjeve të verës së ardhshme në Armeni. Megjithatë, dinamika që po shpaloset tregon se partia në pushtet po i përballon me sukses këto presione.

Megjithatë, është ende herët për të folur për humbjen e Kaukazit të Jugut nga Rusia. Nëse Moska arrin të sjellë njerëzit e saj në pushtet në Jerevan, Armenia ka shumë gjasa të mbetet një rrugë pa krye në rajon. Por për momentin, hezitimi i Moskës për të përmbyllur siç duhet çështjen e avionit të rrëzuar azerbajxhanas sugjeron pasiguri për suksesin e asaj që quhet operacioni “Riktheni Armeninë”. Kremlini i kushton një rëndësi të tepruar simbolikës. Ndëshkimi i përgjegjësve për rrëzimin e avionit dhe më pas humbja e Kaukazit të Jugut do të dukej, në sytë e tij, si një dobësi e dyfishtë. Duket se nga dy përfundimet e mundshme, ai është i gatshëm të pranojë vetëm njërin — ose ndoshta asnjërin.

Rusia zvarrit çështjen e avionit të pasagjerëve të

Perandoritë e dikurshme kanë veçoritë e tyre. Azerbajxhani, megjithatë, duhet të jetë i përgatitur që marrëdhëniet me Moskën të shkrijnë ngadalë, derisa Kremlini të ndërmarrë hapat e premtuar — pavarësisht klimës gjeopolitike përreth. Baku pret veprime pozitive nga Moska në këtë drejtim, por në mungesë të tyre është i gatshëm të mbrojë pozicionin e tij të ligjshëm përmes mekanizmave ndërkombëtarë. Ndërkohë, duket pak e mundshme që në të ardhmen e afërt të priten vizita të nivelit të lartë në Rusi. /Kb

15:45 Nga ideja studentore në agroturizëm/ Jetmiri, vetëm 24 vjeç po ringjall fshatin

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:45

Nga një ide studentore tek një sipërmarrje që sot po rritet çdo ditë, ky është rrëfimi i Jetmirit nga fshati Melgushë që zgjodhi të ndërtojë të ardhmen në vendlindje. I frymëzuar nga një profesor universiteti dhe i mbështetur nga familja, ai hodhi hapat e parë drejt agroturizmit në një kohë të vështirë, në vitin 2021, vetëm 20 vjeç. Aty ku dikur kishte pemë frutore dhe një punishte djathi familjare, sot funksionon një agroturizëm që mishëron punën, këmbënguljen dhe dashurinë për tokën

“Sapo kisha mbaruar studimet e shkollës së mesme dhe nisa Universitetin. Një profesor i imi më shtyente drejt Agro-turizmit. Aq më shumë fliste ai aq më shumë unë u fiksova me këte ide. Ia shpjegova edhe babit këtë dëshirë edhe kështu nisi për ne Agroturizmi. Më herët këtu ishte tokë me fruta. Po ashtu ne kishim një punishte djathi që merrej babi, ajo ishte faktor kryesor sepse na ndihmonte. Në 2021 ishte kohë e vështirë dhe ne nisëm këtë Agroturizëm. Në atë kohë isha 20 vjeç, nuk isha mesuar shumë me biznes dhe ishte i vështirë. Edhe tani mbetet i vështirë sepse është diçka që vazhdon. Unë e kam provuar jetën jashtë dhe nuk është diçka që më përshtatej. Doja të isha afër familjes. Edhe pse shpesh herë behem pesimist sërish qëllimet i kam të qarta”, është shprehur Jetmir Harapi, pronar i agroturizëm “Harapi”.

Fillimisht i konceptuar si restorant, biznesi u ndërtua gradualisht, me investime të kujdesshme dhe fokus të fortë te lënda e parë. Produktet bio lokale janë zemra e këtij agroturizmi: qumështi grumbullohet nga zona, mishi sigurohet nga fermerët vendas, ndërsa baxhoja e djathit mbetet një shtyllë e rëndësishme. Kjo jo vetëm që garanton cilësi, por ndihmon edhe ekonominë e komunitetit përreth

“Si fillim e kemi nis si restorant e më pas kemi ardhur gradualisht duke investuar. Jemi fokusuar tek lënda e parë, produktet bio lokale. Baxho e djathit na ka ndihmuar pastaj grumbullojmë qumshtin e zonës, mishin. Kjo ndihmon ne por edhe banorët e zonës. Jemi biznes i vogël por në rritje. Çdo gjë ka në fokus ushqimet bio, mish kemi mish viçi, qingji, keci dhe pule. I bëjmë me jufka ose pilaf. Kemi edhe shpend të tjere si rika, pata e gjel deti. Katundi shyqyr i ka të gjitha të mirat dhe ne i mbulojmë 90% te nevojave me to”, shprehet i riu.

Edhe pse ka pritur turistë nga e gjithë bota, Jetmiri thekson se klientët vendas janë më të rëndësishmit. Ata janë ata që e mbajnë biznesin gjallë gjatë gjithë vitit, ndaj mesazhi i tij është i qartë: vlerësimi i klientëve shqiptarë është çelësi i qëndrueshmërisë për çdo sipërmarrje vendase.

“Kemi pas turistë nga e gjithë bota por klientët vendas janë primar për mua. I huaj vjen 1 herë në vit apo 1 herë në jetë por klientët vendas vijnë shumë më shumë ndaj u bëj thirrje bizneseve të tjera që të vlersojnë më shumë klientët vendas. Sepse ne jemi biznese që punojmë 12 muaj dhe na mbajnë klientët shqiptar”, tha Harapi.

Sot, në moshën 24-vjeçare, Jetmiri ka qëllime të qarta dhe plane ambicioze për të ardhmen. Agroturizmi tashmë është zgjeruar me camping, zona pikniku, shitje të produkteve tradicionale,teksa synon dhe iniciativa të reja si ture me biçikleta, kampe verore dhe aktivitete në natyrë.

“Unë jam 24 vjeç, qëllimet i kam te qarta e kryesore është të shërbej këtu. Kemi hapur edhe një camping dhe shpresoj që në pranverë të nisim edhe turet me biçikleta në zona të ndryshme për këdo që dëshiron të shohë fshatrat. Po investojmë edhe në kampe verore. Po ashtu kemi hapur pjesen piknik, ushqime që mund ti bëjnë vetë si dhe kemi hapur pjesën e shitjeve të produteve tradicionale. Nuk kemi menu fikse por jemi me ushqime të stinës”, theksoi ai.

Agroturizmin “Harapi” mund ta vizitoni çdo ditë në fshatin Melgushë vetëm disa minuta larg Shkodrës.Në këtë fundvit vjen si një ftesë për këdo sepse është një vend ku koha ngadalësohet dhe gjithçka merr kuptim tjetër. Nga pjata e përgatitur me produkte të sapo ardhura nga ferma, te qetësia e fshatit dhe kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën, ky agroturizëm ofron një arratisje të vërtetë nga rutina. Është destinacion për ata që kërkojnë shije autentike, eksperienca të sinqerta dhe një histori frymëzuese që ndihet në çdo cep të saj./kb

15:35 Bisedimet mbi planin e paqes, konfirmohet takimi Trump-Zelensky në SHBA! Ja kur do të mbahet

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:35

Takimi mes Volodymyr Zelenskyt dhe Donald Trump pritet të zhvillohet të Dielën më 27 dhjetor, siç e konfirmoi vetë presidenti ukrainas. 

Në agjendën e takimit do të jenë çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë. “Ky takim zhvillohet posaçërisht me qëllim që të finalizojmë sa më shumë çështje të jetë e mundur”, u shpreh Zelensky. 

Më herët, faqja amerikane Axios kishte raportuar për një takim Trump–Zelensky në Florida, konkretisht në resortin e presidentit amerikan në Mar-a-Lago. 

Ditën e sotme, Zelensky shkroi se ekziston një marrëveshje për një takim mes dy liderëve në një të ardhme të afërt. “Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, kishte theksuar ai. 

“Rustem Umerov më informoi për kontaktet e tij të fundit me palën amerikane. Nuk po humbasim asnjë ditë. U dakorduam për një takim në nivelin më të lartë – me Presidentin Trump në të ardhmen e afërt. Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri. Lavdi Ukrainës!”, shkroi Zelensky. /kb

15:23 SPAK kërkon ta arrestojë për aferat miliona euro, Balluku sfidon drejtësinë, shfaqet duke festuar

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:23

Zëvendës kryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga festimet e Krishtlindjes.

Krahas fotove, Balluku e cila është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje në 11 procedura tenderuese, të cilat kapin vlerën e 1.1 mld eurosh, shkruan se ka kremtuar festën mes familjeve lushnjare

“Gëzimi i festave është akoma më i madh kur ndahet me njerëzit që duam. Zërat e gëzuar të fëmijëve, aroma e ëmbël e gatimeve dhe bisedat e zhurmshme të miqve, krijojnë një atmosferë magjike.
E kalova ditën sot mes ngrohtësisë së familjeve lushnjare, miq të mirë, me zemër të bardhë e mikpritës të rrallë.
Gëzuar këtë ditë të bekuar! Paqja, shëndeti e lumturia të ulen këmbëkryq në vatrat tuaja!”, shkruan Balluku.

Kujtojmë se opozita ka kërkuar sot mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Ballukut, çka i hap rrugë procedurës së arrestimit të saj./kb

15:15 Një nga problemet më të mëdha sociale në Gjermani, projekti që lufton vetminë me…letra

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:15

Mjaft studime në Gjermani e kanë konstatuar vetminë si fenomen mjaft të përhapur në Gjermani, jo vetëm tek mosha e thyer, por edhe mes të rinjve. Por në ditët e festave, vetmia bëhet therëse për mjaft persona që nuk kanë familje, i kanë humbur kontaktet me të apo të dashurit kanë ndërruar jetë. Shumë njerëzve në këto ditë u mungon ngrohtësia e familjes. “Një dritë për Ty” synon të jetë një projekt shpresëdhënës për të vetmuarit në Gjermani. Dy gra nga Baden-Württemberg, Katharina Claus dhe Sandra Gründlinger iniciuan një projekt të shkrimit të letrave anonime, “Një Dritë për Ty” për të arritur njerëzit e vetmuar. Një angazhim, që tregon se si gjestet e vogla mund të kenë ndikim të madh.

Projekti “Një Dritë për Ty” filloi gjatë një takimi të rastësishëm në një kafene, rrëfejnë Katharina Claus dhe Sandra Gründlinger. Ato po flisnin për Krishtlindjet, për ritualet, familjen dhe sa shumë kjo festë lidhet me ngrohtësi njerëzor. Në të njëjtën kohë kuptuan se sa shumë të moshuar e kalojnë këtë kohë vetëm, sidomos gjatë sezonit të Krishtlindjeve. Iniciativa e letrave për këta njerëz synon të jetë një dritë kundër vetmisë dhe një ndjesi e lidhjes me shoqërinë.

“Fjalët shkojnë më thellë se çdo gjë që mund të blihet me para”
Sandra Gründlinger, e cila ka punuar në infermieri, e ka përjetuar nga afër se sa intensivisht ndihet vetmia, veçanërisht gjatë festave. Katharina Claus donte të përfshinte fëmijët që nga fillimi. Qëllimi ishte të krijoheshin pika kontakti dhe të rritej ndërgjegjësimi për këtë çështje në moshë të re. Ideja evoluoi në një iniciativë të hapur. Kushdo mund të shkruajë një letër, nuk kërkohej regjistrim ose donacione, vetëm një stilolaps dhe letër. Të dy iniciatoret theksojnë: “Nuk ka të bëjë me gjëra materiale. Fjalët shkojnë më thellë se çdo gjë që mund të blihet me para.”

Letrat dërgohen në qendrat e kujdesit për të moshuarit si në Johanniterhaus-Tannenhof në Mosbach. Olga (89 vjeç), e cila jeton në këtë qendër të moshuarish rrëfen momentin, kur hapi letrën e shkruar me dorë nga Anna, të cilën nuk e njihte, dhe sa u emocionua. “Më shkoi ndërmend menjëherë përfytyrimi për dikë,” tha ajo. “Dikush që shkruan me kaq dashuri dhe respekt.” “Ju urojmë një Krishtlindje të gëzuar dhe të bekuar. Edhe nëse jeni në një azil pleqsh, kjo nuk do të thotë se jeni harruar.” – Anna. Mbi 90 letra anonime iu shpërndahen banorëve aty në prag të Krishtlindjeve.
Në projekt marrin pjesë edhe fëmijë nga rrethi i miqve dhe familjarëve të dy iniciatoreve. Të pyetur, të gjithë thanë se më parë kishin menduar shumë pak për temën e vetmisë. Por duke shkruar letrën, kuptuan se sa shumë mund të arrijnë edhe gjestet e vogla./kb

15:02 Tare president i FSHF-së? Duka: Përvojën që ka mund ta sjellë këtu! Shqipëria më mirë se Kosova, duhet të kemi një Kombëtare..

By: Kesjana
26 December 2025 at 15:02

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) foli për disa tema në një bisedë për moderatoren Arbana Osmani. Në intervistën e publikuar nga institucioni i futbollit, Duka shprehet qartë se dëshiron një Kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, por kjo për momentin duket e pamundur. 

Duka tha se Shqipëria ka një ekip më të mirë, por Dardanët kanë bërë arritje madhore në një kohë shumë të shkurtër. Kreu i futbollit në Shqipëri u ndal edhe te zgjedhjet për president të FSHF-së në vitin 2026. Duket se Duka pas 23 vitesh në krye të këtij institucioni, do garojë sërish i vetëm, pasi deri tani askush nuk ka dalë përballë. 

Në fund edhe një pyetje për Igli Taren, drejtorin sportiv të Milanit që ka një përvojë të madhe në futbollin ndërkombëtar. 

“Çfarë të bën të ndjesh “përfaqësuesja e Kosovës“?  Ka një skuadër të mirë. Një pjesë e tyre ka luajtur edhe për Kombëtaren shqiptare. Rrahmani, Rashica, Muriqi. 

Shqipëria apo Kosova? Ne jemi më të mirë se Kosova. Por Kosova ka futbollistë të mirë, është në play-off. Në një histori kaq të shkurtër, me kaq pak eksperiencë të shkosh në play-off është një sukses i madh dhe është një moment që duhet ta jetojnë dhe të vazhdojnë ta synojnë Botërorin.

A duhet të kemi një Kombëtare? Ne duhet të kemi një Kombëtare. Por kjo nuk varet as nga unë dhe as nga ti. Unë kështu e mendoj, por nuk kemi gjë në dorë. Për sa kohë jemi dy shtete me një komb, do kemi dy ekipe, dy kampionate. Nëse jemi bashkë jemi një vend më i madh, kemi potencial më shumë, jemi treg më i madh. Në të gjitha këndvështrimet është më mirë mendoj, jo vetëm në futboll. 

A e mendon Igli Taren si President? Çdo njeri mund të mendojë të bëjë çdo lloj pozicioni, jo veç president. Me eksperiencën që ka fituar në menaxhimin e futbollit atje, mund ta sjellë edhe në Shqipëri. Qoftë në federatë, në një klub apo kudo tjetër. Federata e Futbollit është një aktivitet shumë i gjerë. 

Duket vetëm si kampionat i Kategorisë Superiore, por sot FSHF organizon 600 ndeshje në javë, ku aktivizohen rreth 4000 zyrtarë. Por këta nuk menaxhohen vetëm me gishta, duhen edhe para. Duhen prodhuar para, duhet prodhuar një ekonomi. 

Sot FSHF është një institucion solid, me baza të shëndosha financiare dhe ka një të ardhme të sigurt. Unë e konsideroj si një nga gjërat më të mira të FSHF. Është një institucion që mund të vazhdojë të përballojë në të ardhmen”, tha Duka mes të tjerash. /kb

 

14:55 Shqipëria “pushtohet” nga acari i fundvitit, ja sa do jenë temperaturat për Vitin e Ri

By: Kesjana
26 December 2025 at 14:55

Sinoptikani Elvi Jahaj në një lidhje live në Top Channel, foli për parashikimin e motit për ditët në vazhdim dhe në ditët e ndërrimin të viteve. 

‘Moti në fundjavën e fundit të vitit parashikohet të jetë i ftohtë. Në Korçë reshjet e dëborës pritet të ndërpriten me kalimin e orëve, ndërsa vendi ynë në përgjithësi do të ndikohet nga kushte ajrore të ftohta dhe të acarta. Moti do të jetë i kthjellët por i ftohtë në të gjithë territorin me vranësira të pakta në relievet malore. Temperaturat në vlerat minimale për fundjavën priten të kapin vlerat -3 deri në -4 gradë celcius në vendet malore, ndërsa në ultësirën perëndimore -1 deri 0 gradë celcius.
Por duke filluar nga dita e hënë dhe e martë deri në ditët e ndërrimit të viteve kryesisht datat 31 dhjetor dhe 1 janar pritet të jenë të acarta, në relievet malore do të jenë -8 dhe -9 gradë, në vendet e ulëta -4 dhe -5 gradë, ndërsa në bregdet 0 deri në -1 gradë celcius. Temperaturat e mesditës gjatë fundjavës do të jenë 13 dhe 14 gradë, ndërsa për ditët e ndërrimit të viteve pritet të mos kalojnë vlerat 7 dhe 8 gradë përgjatë ultësirës perëndimore. Era do të fryjë nga kuadrati i veriut‘, tha Jahaj. /kb

14:52 Sulm me thikë në një fabrikë në Japoni/ 15 persona të plagosur

By: Kesjana
26 December 2025 at 14:52

Pesëmbëdhjetë persona janë plagosur dhe shtruar në spital pas një sulmi me thikë në një fabrikë gomash të rënda në Japoninë qendrore. Sipas një raporti të ri nga shërbimet e emergjencës, disa nga të plagosurit pësuan plagë të shkaktuara më thikë, ndërsa të tjerë u sulmuan me një lëng që thuhet se ishte zbardhues.

Një zëdhënës shpjegoi se kishin marrë një telefonatë nga një fabrikë gome fqinje me informacion se pesë ose gjashtë persona ishin therur dhe se në sulm ishte përdorur edhe një lëng në formë spreji.

Mediat japoneze raportuan se lidhur me ngjarjen është arrestuar dhe autori i dyshuar me akuzën për tentativë vrasjeje. Nga 15 të plagosurit, të paktën gjashtë vijojnë të trajtohen me ndihmë mjekësore në spital. Krimi i dhunshëm është relativisht i rrallë në Japoni, ku shkalla e vrasjeve është e ulët dhe ligjet për armët janë ndër më të rreptat. /kb

13:58 Rama ndan pamjet nga punimet për Teatrin e ri Kombëtar: Hapësirë ikonike për artin dhe kulturën në Shqipëri

By: Kesjana
26 December 2025 at 13:58

Projekti i Teatrit të ri Kombëtar ka hyrë zyrtarisht në etapën e realizimit ndërtimor, ndërsa punimet po vijojnë me intensitet pas përfundimit të fazës komplekse të ndërhyrjeve nëntokësore dhe hedhjes së themeleve. 

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë pamje nga kantieri i ndërtimit në rrjetet sociale, duke theksuar se godina e re po merr formë si një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën. 

“Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG. Pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën”, shkruan Rama në Facebook.  

Teatri i Ri Kombëtar është vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels, dhe studios daneze BIG. 

Godina e re po ndërtohet në vendin ku ndodhej teatri i vjetër dhe, sipas projektit arkitektonik, është e ndarë në dy pjesë funksionale: një pjesë e dedikuar për aktorët dhe administratën dhe një tjetër për publikun. 

Më herët, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e prezantoi projekin si “nga teatrot më të bukur dhe më përfaqësues të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”. /kb

❌
❌