Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

DnV: Vështirësi në gjetjen e vendvotimeve dhe raste të votimit me asistencë

28 December 2025 at 18:29


Më pak se një orë nga mbyllja e vendvotimeve, po vërehet një interesim i shtuar i qytetarëve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë.

Sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), deri në orën 17:00 dalja në votime ka arritur në rreth 38.9%.

Për krahasim, në zgjedhjet e 9 shkurtit, dalja në votime në të njëjtin interval kohor kishte qenë përafërsisht e njëjtë, rreth 39%.

Rajonet me pjesëmarrjen më të lartë në votime janë komunat me shumicë serbe, me 47%, të pasuara nga rajoni i Prishtinës me 43% dalje në votime.

Sipas DnV, edhe gjatë pjesës së dytë të ditës janë raportuar raste të shumta kur votuesit kanë pasur vështirësi në gjetjen e vendvotimit të tyre përkatës.

Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto probleme janë evidentuar në 70% të vendvotimeve, ndërsa në 15% të tyre janë regjistruar deri në 30 raste të tilla.

Ndërkohë, komisionerët në 75% të vendvotimeve kanë vazhduar të kërkojnë dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Po ashtu, në 55% të vendvotimeve nuk është lejuar votimi me asistencë pa dokumente mjekësore, pavarësisht insistimit të votuesve.

Deri në orën 17:00, në 30% të vendvotimeve janë hasur raste të votimit me dokumente me afat të skaduar, deri në 5 raste. Gjithashtu, në 10% të vendvotimeve janë raportuar deri në 4 raste kur votuesit janë identifikuar me dokumente jo valide.

Edhe pse në përmasa të vogla, fenomeni i fotografimit të votës, i cili cenon fshehtësinë e saj, vazhdon të shfaqet. Ky veprim dyshohet se lidhet me blerjen e votës, frikësimin e votuesve dhe shtrembërimin e vullnetit të tyre. Deri në orën 17:00 janë raportuar gjithsej 21 raste të izoluara të fotografimit të votës, të evidentuara në 3% të vendvotimeve.

Dy orë para përmbylljes së procesit të votimit, është raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra të votimit. Po ashtu, në një vendvotim është raportuar se kodet në fletëvotime nuk po përputhen.


Rreth dy milionë qytetarë votojnë të dielën, KQZ: Rezultatet e para, para orës 20:00

27 December 2025 at 23:57


Rreth dy milionë qytetarë të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se “përgatitjet janë përmbyllur që votimi të zhvillohet në 910 qendra gjithandej Kosovës”. Numërimi i votave për partitë politike do të nisë menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dhe rezultatet e para pritet të publikohen “para orës 20:00”.

Të drejtë vote kanë 1,999,024 persona. Një ditë para zgjedhjeve, KQZ njoftoi se “janë zhvilluar të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit”.

“Gjatë ditës së shtunë është shpërndarë materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet nga depoja qendrore e KQZ-së për në qendrat komunale të numërimit, nga ku të dielën në mëngjes do të dërgohet në qendrat e votimit në më shumë se 900, të cilat do të hapen në orën 7:00 për qytetarët me të drejtë vote,” ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Përveç qendrave të rregullta të votimit, në secilën komunë do të ketë nga një qendër për votim me kusht.

“Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 910 qendra të votimit në 2,557 vendvotime. Pra, në to do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në çdo komunë do të kemi nga një qendër votimi me gjithsej 57 vendvotime ku do të mundësohet procesi i votimit me kusht,” ka bërë të ditur Elezi.

Numërimi i votave për kandidatët për deputetë do të bëhet në qendrat komunale të numërimit dhe do të nisë të hënën. Siguria e procesit do të monitorohet nga Policia e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit, ku janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

Përveç organizatave joqeveritare dhe disa ndërkombëtare, vëzhgues i zgjedhjeve është edhe Këshilli i Evropës, me 23 vëzhgues të akredituar.

Policia ka njoftuar se ka hartuar planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të së dielës, në aspektin e sigurisë së procesit zgjedhor dhe koordinimit ndërinstitucional. Ajo inkurajon qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar ose veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.

Institucioni i Avokatit të Popullit gjithashtu do të vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ai do të monitorojë gjithashtu procesin e votimit në institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, në shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe në shtëpitë integruese në bashkësi.

Pas një takimi me KQZ-në, KEDS njoftoi se ka përmbyllur planin operativ për furnizim të pandërprerë me energji elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve. KEDS ka bërë të ditur se do të angazhohen gjithsej 1,049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe në mbarë vendin.

Abdixhiku: Mund të mos pajtohem më atë çfarë përfaqëson, por unë s’e ofendoj Kurtin dhe elektoratin e tij

27 December 2025 at 23:26


Kandidati për Kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku në Debat Plus të Dukagjinit ka thënë se nuk ofendon Kurtin e elektoratin e tij, sado që s’pajtohet me atë çfarë përfaqëson.

Madje sipas tij një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, është rrezik.

“Unë nuk e ofendoj as Kurtin as elektoratin e tij.Mund të mos pajtohem me atë çfarë përfaqëson".

"Një pushtet që kërcënon demokracinë e vendit, ai kërcënon më shumë se sa vetëm fjalë, është e rrezikshme. Turmat janë të rrezikshme. Ata kanë rrënuar çdo urë të komunikimit me ne. Ne kemi qenë korrekt me ta, ata kanë ofenduar dhe propaganduar. Në anën tjetër besoj që mirë që e kanë kuptuar se gjuha duhet të ndërrohet”, tha Abdixhiku.



Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane me porosi për zgjedhjet në Kosovë

27 December 2025 at 23:20


Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQShA) ka publikuar një deklaratë publike përmes së cilës shpreh shqetësim për zhvillimet e fundit politike dhe diplomatike që lidhen me Kosovën, duke theksuar nevojën për qartësi morale dhe mbrojtje të interesit kombëtar.

Në deklaratë thuhet se, ndërsa mbështetja evropiane për qeverinë e Serbisë dhe njohja evropiane e Kosovës si forcë pro-perëndimore dhe pro-amerikane në Ballkan po zbehet, brenda Kosovës po vërehet një kthim prapa i kësaj vale mbështetëse.

LQShA vlerëson se kjo është koha që Kosova të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj rolit historik që shqiptarët kanë luajtur ndër shekuj, duke jetuar në harmoni si shqiptarë dhe si besimtarë të feve të ndryshme – katolikë, myslimanë, ortodoksë, hebrenj dhe laikë – si vlerë themelore e shoqërisë kosovare.

Organizata u bën thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që interesin kombëtar ta vendosin mbi interesat partiake, duke mbrojtur sovranitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Po ashtu, LQShA u bën thirrje diplomatëve amerikanë dhe evropianë që të mos ndërhyjnë në zgjedhjet e Kosovës dhe të mos mbajnë anë në procesin zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.

Në deklaratë kërkohet edhe nga Komisionet për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së që të mbështesin arritjet e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, veçanërisht në zbatimin e ligjit dhe rendit në veri të vendit, si dhe në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

LQShA shprehet kundër krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa njohjen paraprake të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, duke e cilësuar këtë si të papranueshme për shtetësinë e vendit.

Deklarata është nënshkruar në emër të Bordit të LQShA-së nga Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare për Çështjet e Ballkanit, dhe Joe DioGuardi, president i organizatës.

Abdixhiku: Kurti doli në foltore e tha se Serbia po e do LDK-në, nuk ia falim – i kemi ndihmuar për temat me interes

27 December 2025 at 23:09


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar deklaratat e liderëve të Vetëvendosjes për gjuhën ndaj partisë që drejton.

Ai ka thënë se nuk ia fal Albin Kurtit kur doli në foltore e tha që LDK-në po e do Serbia.

“Këta kanë kërku 500 mijë vota, nuk kanë lyp partner. Nuk kërkon partner në studio, ndërton partneritet, respekt ndaj votuesit. Momentin që Kurti del në foltore e i drejtohet LDK-së juve po iu do Serbia, ka rrënu secilën urë bashkëpunimi. Pa qartësim të kësaj, nuk mundet me iu afru LDK-së".

"Kemi qenë shumë korrekt. LDK-ja në EPP ka mbajt prezencë solide, kemi ofruar resolute për liberalizim të vizave. Sa herë që ka pasur nevojë kemi ofru komunikim. Nuk i bëjmë publike, janë tema me interes publik. Në momente shumë të vështira, LDK i ka thënë atij jemi në tërësi të përbashkët, për interesa e qëllime. Kemi folur për aleatë e aleanca. Nuk e kemi prit që ai ndërton gjuhë kundër LDK-së”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.

Votimi në diasporë, fletëvotimet do të numërohen në Kosovë

27 December 2025 at 23:01


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më tash ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe se dalja e qytetarëve për të votuar është 15.597 ose 81.29 për qind nga gjithsej 19.187 votues të regjistruar, raporton KosovaPress.

Kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi në konferencën e tretë për media, tha se gjatë gjithë ditës së sotme kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit në përgjithësi ka qenë i qetë.

“Deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në SHBA dhe Kanada...Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19.187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29 për qind apo 15,597 votues. Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë”, ka thënë Radoniqi.

Radoniqi ka pasur edhe një porosi për ditën e nesërme të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.

“Për nesër bëj apel për të gjithë këshillat e vendvotimeve dhe këshillave komunal që të jenë në nivel detyre dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin zgjedhore të KQZ-së. Na pret një ditë e gjatë nesër, një ditë ku do t’iu ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë janë në nivel të këtyre dhe të respektojnë rendin dhe ligjin”, tha Radoniqi.

Krimet e luftës, vetëm pesë prokurorë trajtojnë rreth një mijë lëndë të trashëguara nga EULEX

27 December 2025 at 22:56


Me rreth një mijë lëndë të trashëguara nga misioni i EULEX-it dhe me një numër të konsiderueshëm aktakuzash të ngritura për krime lufte, vetëm pesë prokurorë të Prokurorisë Speciale përballen me mbledhjen e fakteve për ndërtimin e aktakuzave. Gjatë dekadës së fundit janë ngritur 80 aktakuza ndaj 260 personave.

Trajtimi i çështjeve penale për krime lufte paraqet vështirësi të mëdha për shkak të mosbashkëpunimit të Serbisë. Megjithatë, lehtësim ka sjellë ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, i cili nga viti 2023 parasheh mundësinë e gjykimit në mungesë. Që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Prokuroria Speciale ka ngritur 20 aktakuza në mungesë ndaj 102 personave, përfshirë rastin e masakrës së Mejës dhe dëbimin e popullsisë civile.

“Për 20 vjet nuk kemi pasur një autoritet të mirëfilltë për hetimin e këtyre veprave penale. Mundësitë tona janë krijuar kryesisht gjatë pesë viteve të fundit, brenda kapaciteteve që kemi. Vetë fakti se kemi një numër të konsiderueshëm aktakuzash tregon se jemi duke shkuar në drejtimin e duhur. Zgjidhja për këtë çështje është hartimi i një strategjie nacionale për adresimin e të gjitha problemeve në fushën e krimeve të luftës”, tha Ilir Morina, prokuror në Prokurorinë Speciale.

Gjatë vitit 2025 janë ngritur 11 aktakuza për krime lufte, prej të cilave 7 në mungesë. Ndërkohë, janë shpallur 10 aktgjykime, 9 dënuese dhe 1 lirues, me 9 persona të arrestuar.

“Zhvillimet më të mëdha kanë ndodhur si pasojë e ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, me lejimin e gjykimeve në mungesë. Meqë prokurorisë dhe gjykatës u është mundësuar vazhdimi i gjykimeve edhe pa praninë e të akuzuarve, ka pasur rritje të numrit të aktakuzave dhe të gjykimeve në përgjithësi. Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zero: nuk ka shkëmbim informatash, dokumentacioni, as dërgim ftesash apo njoftimesh për rastet që po hetohen ndaj shtetasve të tyre. Çdo refuzim për bashkëpunim përbën pengesë për një hetim të mirëfilltë dhe një gjykim të drejtë, si dhe pengon vërtetimin e fakteve”, theksoi Nisa Ferati nga FDHK.

Aktualisht, për masakrën e Mejës është ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 53 personave, pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe. Për këtë rast është mbajtur shqyrtimi fillestar, ndërsa masakra e Reçakut vazhdon të jetë ende në fazën e hetimeve.

Sfidë e vazhdueshme në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës mbetet edhe numri i vogël i gjyqtarëve, si pasojë e avancimeve në gjykata, çka po ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e këtyre proceseve./RTK

Yesterday — 27 December 2025Main stream

Abdixhiku: Qytetarët nuk kanë rrymë, faturat me rritje, këta thonë “jeta është e mirë”

27 December 2025 at 22:51


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar gjuhën e Vetëvendosjes, për jetën e qytetarëve.

Ai ka thënë se qytetarët kanë halle me rrymë e fatura, përderisa VV-ja thotë që jeta është e mirë.

“Qytetarët nuk kanë rrymë, iu kanë ardhë faturat me rritje, tregoju që jeta është më mirë. Një pushtet po mendon që qytetarët e kanë jetën mirë, nuk e kanë as mendjen me ua ndreq jetën, çmimet nuk janë rrit, rrogat janë rrit, ekonomia po lulëzon. Nuk kanë bo gjë. Këta e marojnë një sistem paralel e nuk e kanë mendjen me i ndihmu qytetarëve”, tha Abdixhiku në RTV Dukagjini.

Numri 87 i LDK-së, Hatmane Sada thirrje qytetarëve: Dil, voto dhe bëhu pjesë e drejtimit që do ta marrë Kosova

27 December 2025 at 22:37


Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete, Hatmane Sada, ka bërë thirrje për qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhjet e nesërme, duke theksuar rëndësinë e votës si një instrument fuqiplotë për dinjitet, stabilitet dhe progres të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Sada shkroi se çdo votë ka peshë dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit.

“Një votë që flet për dinjitet. Një votë që flet për stabilitet. Një votë që flet për një Kosovë që ecën përpara,” theksoi ajo, duke bërë thirrje që qytetarët të mos qëndrojnë anash.

Kandidatja e LDK-së për deputete gjithashtu falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe energjinë gjatë fushatës, duke e cilësuar këtë periudhë si të mrekullueshme.

Sada u kujtoi votuesve numrat që duhet votuar nesër: LDK – 123 dhe Hatmane Sada – 87, duke u shprehur optimiste se pjesëmarrja qytetare do të bëjë diferencën.

“Zgjidh Shpresën,” përfundoi ajo, duke inkurajuar qytetarët të votojnë dhe të jenë pjesë e drejtimit të ardhshëm të Kosovës.


Për herë të parë në QKUK, tri pacientet e para me IVF në pritje të konfirmimit të shtatzënisë

27 December 2025 at 22:11


Për herë të parë te tri paciente është kryer transferimi embrional dhe tani ato janë në pritje të konfirmimit të shtatzënisë. Këto tri gra i kanë kryer procedurat në repartin e Infertilizimit të Asistuar Mjekësor pranë Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjisë, i cili është përuruar para një viti.

Ndërsa, kjo klinikë po vazhdon të ketë mungesë të dy medikamenteve, të cilat pacientet që tashmë kanë kryer transferimin embrional, është dashur t’i sigurojnë ato vetë.

Përgjatë vitit 2025 në këtë repart rreth dy mijë paciente janë trajtuar, duke përfshirë analiza dhe procedura paraprake.

Udhëheqësi i Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj njofton se procedurat e IVF-it në këtë klinikë vazhdojnë normalisht pavarësisht vështirësive në furnizimin me disa preparate.

Ai thotë se krahas tri pacienteve që po presin konfirmimin e shtatzënisë, ka edhe paciente të tjera në listën e pritjes.

“Procedurat e IVF vazhdojnë me ritëm normal. Ato ndoshta janë zvogëluar, por jo sa kemi pritur. Deri më tash janë diku dy mijë paciente që kanë kërkuar ndihmë ose për nevojat e infertilitetit dhe kanë kryer shërbimet. Prej janarit e deri më tash janë 2 mijë paciente që kanë kaluar nëpër duart e mjekëve tanë edhe janë përgatitur, me një fjalë, janë përgatitur me analiza, me procedurat e nevojshme paraprake të cilat kanë nevojë për t’iu nënshtruar procedurës IVF. Disa janë klasifikuar dhe ndodhen në listën e pritjes, por ka pasur intervenim te disa të tjera të cilat janë më me prioritet. Janë bërë tri transfere te pacientet pas stimulimit dhe jemi në pritje të konfirmimit të shtatzënive të para. Kemi pritur një fluks më të madh, por nuk kemi mundësi për momentin për shkak të problemeve në tenderim dhe furnizim me preparate”, tha ai.

Ndrejaj thotë se tashmë janë bërë specifikimet e reja dhe pritet hapja e tenderit për të vazhduar procedurat.

E tri gratë të cilat tashmë vetëm pritet të konfirmojnë shtatzëninë medikamentet në mungesë i detyruan t’i siguronin vetë.

“Shumica e preparateve janë në barnatoren qendrore, ku është bërë furnizimi dhe i kanë përdorur pacientët. Ndërsa, dy preparatet të cilat presin të hapet tenderi, ato preparate ka mundësi që i kanë siguruar vetë pacientët. Janë dy preparate me kosto shumë të ulët, por për shkak që të mos ngecë puna, ato kanë shprehur vetë dëshirë dhe i kanë siguruar. Ndërsa, shumica e preparateve janë siguruar nga QKUK-së”, tha ai.

Drejtori i Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, thotë se të gjitha aparaturat dhe procedurat janë funksionale, dhe mjekët janë të përgatitur për çdo intervenim.

“Çdo aparaturë është në funksion. Çdo procedurë e cila duhet të bëhet është në funksion, kryhet nga mjekët e Klinikës Obstetrike. Mjekët janë të përgatitur për të gjitha procedurat, për të gjitha intervenimet të cilat duhet të bëhen në gjinekologji”, tha ai.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se IVF nuk ishte ofruar më herët dhe se investimi në laboratorin dhe repartin e IVF është unik në Kosovë. Ai tha se sistemi është funksional dhe nuk ka kthim prapa, duke siguruar që çiftet të përfitojnë nga ky shërbim brenda vendit.

“IVF-i nuk është realizuar asnjëherë në sistemin publik. Ka qenë një vullnet, jo vetëm politik, por edhe një punë e madhe që është bërë me profesionistët shëndetësorë që këtë shërbim, qytetarët, çiftet tona, të mos të shkojnë në shtetet e tjera dhe në klinikat private, por ta marrin në sistemin publik. Laboratori dhe investimi i bërë në repartin e IVF-it është një prej investimeve që asnjë spital privat sot në Kosovë nuk i ka. Dhe të gjitha shërbimet e para kur fillojnë, natyrisht janë edhe gjëra të paparashikueshme. Por, ajo që ka ndodhur është se sistemi ka filluar punën dhe nuk ka më kthim prapa”, tha Vitia.

Në dhjetor të vitit të kaluar u përurua reparti i Fertilizimit të Asistuar Mjekësor. Deri tani në Kosovë shërbimi i IVF-të është ofruar vetëm në spitalet private.

Rama bën thirrje të votohet Ermal Sadiku: Mbështetja për të, mbështetje për inovacionin dhe të ardhmen e Kosovës

27 December 2025 at 21:51


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka shprehur mbështetjen e tij për Ermal Sadikun, kandidat i LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e inovacionit, dijes dhe teknologjisë për të ardhmen e vendit.

Rama vlerësoi eksperiencën e Sadikut në industrinë e teknologjisë, duke theksuar se kjo përvojë i jep atij njohuritë e nevojshme për të udhëhequr transformimin digjital të Kosovës.

“E ardhmja e Kosovës ndërtohet me inovacion, dije dhe teknologji. Ermal Sadiku, përveç se zotëron këto tre dimensione, ka edhe vullnetin për ta realizuar këtë përmes besimit të qytetarëve,” tha Rama.

Ai shtoi se vizioni i Sadikut për një Kosovë të mençur përfshin institucione transparente, shëndetësi moderne dhe arsim efikas.

Rama nënvizoi gjithashtu se vullneti i Sadikut për të shërbyer transformimit digjital duhet të bashkëpunohet me përkushtimin e qytetarëve për t’i besuar këtë sfidë.

“Mbështetja për Ermal Sadikun është mbështetje për inovacionin, dijen dhe të ardhmen e Kosovës,” përfundoi Rama, duke bërë thirrje për besimin dhe përkrahjen qytetare në këtë garë zgjedhore.


Lahi Brahimaj kërkon besimin e qytetarëve: Besoj në fuqinë e votës suaj për ndryshim

27 December 2025 at 21:36


Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, ka shprehur falënderimet e tij për qytetarët për dashurinë, mbështetjen dhe besimin gjatë fushatës së tij zgjedhore.

Në një postim në Facebook, Brahimaj theksoi rëndësinë e ditës së nesërme, kur qytetarët do të shprehin votën e tyre në zgjedhje, duke e cilësuar si një ditë vendimtare për të ardhmen e përbashkët të Kosovës.

“Me përulësi dhe përgjegjësi, jam kandidat për deputet dhe besoj në fuqinë e votës suaj për ndryshim,” shkroi ai, duke bërë thirrje për angazhim qytetar dhe pjesëmarrje aktive në procesin zgjedhor.


Arben Gega e përfundon fushatën me tubim masiv në Studençan

27 December 2025 at 21:17


Një nga deputetët me vëmendjen më të madhe të tërhequr gjatë fushatës së zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Arben Gega me numër 68 në listën e PDK-së, ka mbyllur fushatën me një tubim masiv.

Ai ka zgjedhur fshatin e tij, një nga më të mëdhenjtë në komunën e Suharekës, Studençanin, për të mbyllur dy-javorin intensiv të fushatës.

“Unë do të jem gjithmonë i njëjti, do të më gjeni këtu në fshat mes jush mes familjeve tona. Ndoshta premtimi më i madh është që nuk do të ndryshojë, pasi për punë dhe për të përçuar zërin tuaj atje, ajo është veçse punë e kryer”, ka folur Gega, duke marrë një përkrahje të madhe.

Gjatë fushatës, ai ka pasur një paraqitje të madhe në media vendore dhe ka përçuar mesazhin e tij te votuesi, duke prezantuar veten si një profesionist inxhinier që do të merret me problemet reale të qytetarëve.


Uran Ismaili: Bedri Hamza simbol i stabilitetit dhe mirëqenies në Kosovë

27 December 2025 at 21:12


Kandidati i PDK-së për deputet, Uran Ismaili, ka shprehur mbështetjen e tij për Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, duke e cilësuar atë si mishërim të idealit për një Kosovë më të mirë dhe më të qëndrueshme.

Ismaili theksoi se rrënjët e Partisë Demokratike të Kosovës burojnë nga ideali i palëkundur për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Sipas tij, Bedri Hamza përfaqëson këtë ideal përmes 25 viteve përvojë në shërbim publik, me integritet të lartë dhe rezultate të dëshmuara në çdo pozitë udhëheqëse që ka mbajtur.

“Nesër e hapim kapitullin e Kosovës stabile, të bashkuar, me Bedri Hamzën kryeministër dhe me zhvillim ekonomik e mirëqenie për të gjithë,” ka deklaruar Ismaili.

Ai nënvizoi se vizioni i PDK-së është i orientuar drejt stabilitetit politik, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke e parë Bedri Hamzën si figurën kyçe për realizimin e këtij vizioni.


Përfundon procesi i votimit në 25 përfaqësi diplomatike, pjesëmarrja 81.29%

27 December 2025 at 20:55


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në ora 19:00 ka përfunduar procesi i votimit në 25 përfaqësi diplomatike të Kosovës, ndërkohë në orën 01:00 pas mesnatës, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

“Ju njoftojmë se deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada”, ka thënë Radoniqi, kryetar i KQZ-së.

Ai tregoi se gjatë gjithë ditës së sotme, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe nga zyrtarët e shërbimit votues u janë ofruar udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e votimit sipas ligjit dhe procedurave.

“Në përgjithësi, nga komunikimi i vazhdueshëm, procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë. Në emër të KQZ-së, falënderojmë shefat dhe stafin e misioneve diplomatike dhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për angazhimin e tyre gjatë ditës së sotme”, theksoi ai.

Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, KQZ-ja thotë se nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29% apo 15,597 votues.

Radoniqi tha se, sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë.

Kryesuesi i KQZ-së e mbylli konferencën e sotme me një apel lidhur me procesin votues të së dielës në Kosovë.

“Apel për të gjithë Këshillat e Vendvotimeve, Komisioneve Komunale që të jenë në nivel detyre, të respektojnë ligjin rregullat zgjedhore të KQZ. Na pret një ditë e gjatë nesër, ku duhet të iu ofrojmë qytetarëve të drejtën e votës, andaj shpresojmë që të gjithë jemi në nivel detyre e të respektojmë rregullat e ligjin. U urojmë të gjithëve një ditë të mbarë”, tha Radoniqi.



Bedri Hamza: Bëhuni pjesë e ndryshimit, me paga më të lartë dhe pensione dinjitoze

27 December 2025 at 20:47


Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, njëherësh Kandidat i PDK-së për Kryeministër, ka thënë se Kosova ka nevojë për unitet, stabilitet dhe një qeveri që punon për qytetarët e saj.

“Kosova ka nevojë për unitet. Ka nevojë për stabilitet. Ka nevojë për një qeveri që punon për qytetarët e saj. Një qeveri që angazhohet për ish-udhëheqësit e UÇK-së, presidentin Thaçi, kryetarin Veseli, bacin Jakup, Rexhën dhe të gjithë luftëtarët e lirisë, që padrejtësisht po na i mbajnë në Hagë”, ka thënë ai.

Hamza ka thënë se të bashkuar kanë fituar në të kaluarën dhe të bashkuar do të fitojnë edhe këtë herë.

“Do të fitojmë për të tashmen dhe të ardhmen. Për paga më të larta. Për pensione dinjitoze. Për çmime më të ulëta. Për një shtet që punon për qytetarët e vet. Dhe të gjitha këto fillojnë me një veprim. Në një ditë. Me një votë. Të dielën, dilni dhe votoni për Partinë Demokratike të Kosovës. Për familjen tuaj. Për të ardhmen tuaj. Për Kosovën. Bashkë. Përpara. Faleminderit.”, ka përfunduar fjalimin e tij kreu i PDK-së, Bedri Hamza.



Numri 19 i LDK-së, Ermal Sadiku: Fokus në inovacion, teknologji dhe shtet digjital

27 December 2025 at 20:33


Inxhinieri, ndërmarrësi dhe opinionisti Ermal Sadiku garon për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe mban numrin 19 në këtë listë zgjedhore.

Ai e ka cilësuar këtë hap si një rrugëtim të ri politik, të nisur me bindje personale dhe pa “pozita të dhuruara”.

Në një deklaratë, Sadiku tha se vendimi për t’u përfshirë në politikë ka ardhur pas shumë dilemash, veçanërisht për shkak të kohës së shkurtër për prezantim në garë.

Megjithatë, ai theksoi se ka zgjedhur të hyjë në proces zgjedhor si kandidat, e jo përmes një pozite ekzekutive të negociuar paraprakisht.

“Kam pasur mundësi të negocioj një pozitë në ekzekutiv pas zgjedhjeve, por kam vendosur të hyj në garë vetë. Pozitat e dhuruara nuk të japin peshë politike dhe as autoritet për të sjellë ndryshim,” u shpreh Sadiku, duke shtuar se beson se pozitat duhet të merren me meritë dhe përmes garës demokratike.

Sipas tij, angazhimi politik ka një fokus të qartë: zhvillimin e industrisë së teknologjisë dhe shtyrjen përpara të proceseve të digjitalizimit në Kosovë.

Sadiku bëri të ditur se LDK i ka besuar atij rolin për të avancuar këto procese, të cilat, siç tha, prekin drejtpërdrejt jetën e çdo qytetari, biznesi dhe brezi të ri.

Sadiku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, inovacionit dhe përkushtimit ndaj sektorit të teknologjisë si shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

Ai tha se Kosova ndodhet në një periudhë polarizimi të thellë, por ai beson se shumica e qytetarëve kërkojnë një politikë më të qetë, pa ofendime dhe pa linçime, të bazuar në punë konkrete dhe jo në zhurmë.

“Qytetarët duan përgjigje për të ardhmen: ku do të punojnë, çfarë do të zhvillohet dhe çfarë mundësish do të kenë fëmijët e tyre. Për shumë prej këtyre pyetjeve, përgjigjja gjendet në inovacion dhe teknologji,” tha ai.

ATK me “llupë” ndaj bizneseve, kush po e mbush arkën e shtetit?

27 December 2025 at 20:30


Struktura e të hyrave tatimore në Kosovë vazhdon të dominohet nga tatimet mbi konsumin, duke reflektuar karakterin aktual të ekonomisë dhe nivelin e formalizimit të bizneseve. Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, vlerëson se analiza e të hyrave duhet parë më shumë përmes llojit të tatimeve sesa ndarjes sipas sektorëve, ndërsa thekson se proceset e fiskalizimit dhe analiza e riskut kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e të hyrave dhe uljen e informalitetit.

Sipas Hysenit, identifikimi i sektorëve që kontribuojnë më së shumti në të hyrat tatimore nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë, pasi ATK fokusin kryesor e ka te llojet e tatimeve.

Hyseni në emisionin ekonomik “Shtylla”, shpjegon se pjesa më e madhe e të hyrave buxhetore vjen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili përbën afërsisht gjysmën e të hyrave totale, ndërsa tatimet në të ardhura personale dhe ato në fitimin e korporatave përbëjnë pjesën tjetër.

Ndiqni emisionin e radhës “Shtylla”, këtu: https://www.youtube.com/watch?v=orxa7xi0G8Y

Kjo strukturë, sipas tij, tregon qartë se Kosova ka një ekonomi të orientuar më shumë drejt konsumit sesa prodhimit, pasi TVSH-ja lidhet drejtpërdrejt me shpenzimet dhe jo me investimet apo fitimin. Në të njëjtën kohë, kjo dëshmon se fiskalizimi i bizneseve që merren me shitje dhe prodhim është në një nivel relativisht të mirë.

“Po tash me sektorët është pak problematike me ditë, sektorët më problematikë i dijmë, ndërsa ne te tatimet më shumë e masim me llojin e tatimeve. Për shembull, TVSH-ja bën pjesë diku me 45.5%, 49.5% të të hyrave të përgjithshme. Diku me 29 janë tatimet në të ardhura personale dhe 21 janë tatimet në të ardhura në korporata. Më e rëndësishme është me treguar çfarë tregon kjo përqindje e të hyrave sipas ndarjes tatimore, sesa me shikua cila, cili sektor prodhon më shumë. Në këtë aspekt tregon që Kosova është më shumë shoqëri konsumuese, që i bie se pse tatimi mbi vlerën e shtuar është tatim në konsum. Nuk është tatim në investime ose në fitim që bëhet. Kështu që në njërën anë tregon që shoqëria kosovare është shumë konsumuese, pra prodhimin e kemi të ulët. Edhe në anën tjetër tregon që ka fiskalizim goxha të mirë të pjesës së bizneseve të cilat merren me shitje ose prodhim në Kosovë”, thekson Hyseni.

Duke folur për komunat veriore, Hyseni vlerëson se situata atje është më komplekse jo vetëm për ATK-në, por edhe për institucionet e tjera publike. Megjithatë, ai thekson se ka nisur një proces konkret i fiskalizimit përmes një projekti identifikues me stikersa, që synon evidentimin e bizneseve të regjistruara dhe atyre që operojnë pa u regjistruar.

Ky proces tashmë është shtrirë në të gjitha komunat e vendit dhe pritet të përfundojë brenda rreth gjashtë muajve, i mbështetur edhe nga angazhimi i praktikantëve në terren.

Pjesa e katër komunave është pak më komplekse, jo vetëm për Administratën Tatimore, por edhe për krejt shërbimet që ofrohen atje. Megjithatë, ne e kemi filluar një proces të fiskalizimit atje përmes procesit të stikersave. Është një projekt i stikersave ku një stikers me formatin A3 vendoset në secilin biznes që është i regjistruar. Kjo ka për qëllim me pa që cilat janë biznese të tjera që operojnë e cilat janë të paregjistruara. Domethënë aktivitetin kryesor e kemi filluar në komunat e veriut, mandej i kemi përfshirë edhe të gjitha komunat e Kosovës kështu, që qëllimi është me mbërri me i regjistruar të gjitha ato biznese dhe me i fiskalizuar. Procesi është duke ec mirë, kemi filluar edhe me rekrutimin diku të 60 praktikantëve të cilët do të shpërndahen nëpër regjione, vetëm e vetëm për këtë qëllim të implementimit të këtij projekti që po mendojmë që na i merr diku gjashtë muaj. Edhe besoj që ka me qenë hapi i parë që ka me ndihmuar në luftimin e mirëfilltë të ekonomisë joformale”, theksoi Hyseni.

Sa i përket kontrolleve tatimore, Hyseni sqaron se shumica dërrmuese e bizneseve përzgjidhen për kontroll bazuar në analizën e riskut, e cila merr parasysh dhjetëra indikatorë për të vlerësuar nivelin e rrezikut të secilit biznes. Për të shmangur çdo dyshim për qasje selektive, edhe rastet që propozohen nga strukturat rajonale tashmë i nënshtrohen të njëjtës analizë, duke u kontrolluar vetëm nëse rezultojnë me risk të lartë.

“Tash të them të drejtën, kur kam ardhur unë prej gushtit të këtij viti, në ATK ka qenë një procedurë që 90% të bizneseve që kontrollohen, kontrollohen në bazë të analizës së riskut, që është një departament që e bën analizën e riskut, si platformë ajo i analizon diku nja 72 faktorë për me vlerësuar se cili biznes, në cilën kategori të riskut është. Normalisht kur ke staf pak është e rrugës që ti me u orientu te bizneset që kanë risk më të lartë. 10% të bizneseve të tjera ju dha liria drejtorëve rajonalë me i përzgjedhur ata në bazë të dyshimeve që i kanë në terren, në bazë të inspektorëve që i sjellin. Tash ishte vendimi i parë, po më duket është vendimi i pestë i parëve që e kam marrë, që edhe kjo pjesa e 10%-shit nuk duhet me qenë subjektive. Kjo mandej e zvogëlon këtë qasjen selektive për kontrollim të bizneseve, meqenëse, të them të drejtën, ajo 90% prapë është bërë me analizë të riskut. Po ne kemi dashur me heq edhe këtë 10%-shin që mos me lënë as më të voglin dyshim që bizneset me dyshu që ATK-ja i kontrollon ata në mënyrë selective”, theksoi ai.

Qeveria në detyrë, javë më pare ka marrë vendim për rritjen e pagës minimale, që fillimisht do të jetë 425 euro nga janarim e në korrik në 500 euro. Njoëhës të ekonomisë patën thënë se ky vendim për rritjen e pagës minimale do të ndikojë në informalitet, pasi që bizneset dhe odat e bizneseve thonë se nuk janë konsultuar për një vendim të tillë.

Megjithatë, Hyseni po ashtu vlerëson se rritja e pagës minimale nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rritjen e informalitetit. Ai thekson se të hyrat nga tatimi në paga janë dukshëm më të ulëta krahasuar me TVSH-në, prandaj rritja e pagave pritet të ketë efekt pozitiv në rritjen e të hyrave tatimore.

Sipas Hysenit lidhja e rritjes së pagës minimale me informalitet nuk është ë e qëndrueshme

Video

“Lidhja e rritjes së pagës minimale me informalitet nuk është ë e qëndrueshme. Ë, ne i kemi diku 457 mijë punëtorë mesatarë që lajmërohen në baza mujore në ATK, edhe ku thashë përpara që 49.5% janë të hyrat nga TVSH-ja, vetëm 29% nga të hyrat në të ardhura personale. Kjo tregon që të hyrat në paga tatohen mjaft pak. I bie që me rritjen e pagës minimale ose me rritjen e pagave në përgjithësi, që rritja e pagës minimale i ngre ato në të gjitha kategorinë e pagave, për ATK-në dhe për shtetin ka me shënuar rritje të të hyrave tatimore. Domethënë nuk e, nuk e shoh ndonjëfarë ndërlidhje me informalitetin çështjen e ngritjes së pagës minimale.

Sa i përket diasporës, ai sqaron se Kosova ka nënshkruar dhjetëra marrëveshje ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë, duke u mundësuar investitorëve që të mos tatohen dy herë për të njëjtin fitim. Megjithatë, nuk ekzistojnë politika fiskale të veçanta që favorizojnë mërgatën, përtej lehtësimeve administrative për regjistrimin dhe hapjen e bizneseve përmes modelit “one-stop-shop”.

Megjithatë, pika më fragjile e ATK-së, siç e përshkroi vetë drejtori, mbetet borxhi i grumbulluar prej 600 milionë eurosh. Për të adresuar këtë problem, Hyseni njoftoi një plan për ristrukturimin e procesit të mbledhjes së borxheve. Plani parasheh decentralizimin e kësaj përgjegjësie, duke fuqizuar drejtoritë rajonale për të ndjekur borxhlinjtë./KosovaPress

Votojnë në Hagë ish-drejtuesit e UÇK-së

27 December 2025 at 20:14


Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë, të dielën më 28.12.2025.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë javës, shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Elezi më 27.12.2025.

Hamza kërkon të votohet numri 130: Mos e lini votën tuaj në shtëpi

27 December 2025 at 20:02


Bedri Hamza ka thënë se fushatën nuk e ka bërë nga zyra.

Ai ka thënë se atë e ka bërë në rrugë, në shtëpi, në fabrika, në tregje, në fshatra e qytete.

“Kam dëgjuar shpresë. Por kam dëgjuar edhe zhgënjime. Mbi të gjitha, kam dëgjuar një kërkesë të qartë: “Mos na lini vetëm. Fitoni dhe bëjeni ndryshimin”. Sonte dua t’ua tregoj këtë rrugëtim. Jo për mua. Por, për qytetarët e Kosovës. Ju ftoj ta ndiqni një rekapitulim të këtij rrugëtimi që e kemi bërë bashkë këtë muaj”, ka thënë Hamza, ku më pas është transmetuar edhe një video e fushatës së tij.

“Kjo që patë nuk është vetëm një fushatë. Është Kosova reale. Janë qytetarët që presin përgjegjësi. Janë familje që presin drejtësi. Janë të rinj që duan ta ndërtojnë jetën këtu, jo të largohen. Tani jemi në momentin vendimtar. Mos e lini dikë tjetër të vendosë për ju. Mos e lini votën tuaj në shtëpi. Flisni me familjen. Me miqtë. Me fqinjët. Dhe të dielën në mëngjes dilni dhe votoni. Sigurohuni që të gjithë të dalin dhe ta votojnë numrin 130. Merreni me vete familjen. Ndihmoni prindërit, gjyshërit, fqinjët. Telefononi një mik dhe kujtojani. Sepse, çdo votë është përgjegjësi”, ka thënë Hamza.


❌
❌