Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

Rama: RTSH-ja të riformatohet, privatizohet ose të mbyllet! S’ka më taksa për televizionin publik

16 January 2026 at 19:00

Në fjalën e tij përmbyllëse gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te situata e Televizionit Publik Shqiptar, duke deklaruar se RTSH nuk mund të vijojë më në formën aktuale.

Rama tha se duhet të shqyrtohen të gjitha opsionet, përfshirë mbylljen, riformatimin, privatizimin apo partneritetin, pasi përpjekjet për reformim deri më tani kanë dështuar. Sipas tij, nëse televizioni publik vazhdon siç është, nuk do të ketë më taksë për televizionin.

“Jemi munduar të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar. Nuk e di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm. Që do të thotë nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja në mospërfillje. Kemi një kanal atje. Unë personalisht, hera e fundit që e kam parë televizionin publik ishte para vitit 1990, para përmbysjes, kur thonin ishin ca protesta. Që atëherë, unë nuk i kam parë. Kam shkuar, kam dhënë intervista, por as intervistat e mia nuk i kam parë. Duhet ndarë mendja, drejtuesit e televizionit publik të gjithë e dinë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh sepse unë nuk e shoh. Dhe kur ndonjëri nga ju më dërgon mesazhi: ‘Shih ç’po bën televizioni publik’, unë habitem. Si e ndjek? Por ama të gjithë i kam takuar pasi janë zgjedhur. I kam thënë vetëm një gjë, mbylleni. Nxirrni në ekran: ‘Televizioni Publik Shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar. I kërkon ndjesë të gjitha familjeve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob. Ju premtojmë se do të kthehemi në ekran kur të jemi gati’. Të bëjnë reformë. Si ka mundësi që televizionet e tjera, me më shumë pak buxhet marrin më shumë sukses. Sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar. Duhet ta krijojnë çdo ditë”, u shpreh kryeministri.

Ai solli si shembull edhe të drejtat televizive për ndeshjet e Kombëtares, duke thënë se RTSH kërkon t’i transmetojë, por nuk paguan detyrimet përkatëse, ndërsa pret financim nga taksat e qytetarëve.

“E duan të drejtën e FSHF-së për të transmetuar ndeshjet e Kombëtares sepse Kombëtarja duhet të transmetohet në televizionin publik, por lekët nuk i paguajnë. Pse? Doni lekët tona, shkoni te qeveria. Nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, derisa televizioni publik t’i meritojë taksat e shqiptarëve. Mendoj se çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, përveç kësaj që është. Por unë nuk marr pjesë në këtë”, tha ndër të tjera Rama.

The post Rama: RTSH-ja të riformatohet, privatizohet ose të mbyllet! S’ka më taksa për televizionin publik appeared first on Gazeta Si.

Rama me rezerva për ‘menaxhimin’ e Kuvendit: Do ta reformojmë! Legalizimi i rrugaçërisë bashkëfajësi

16 January 2026 at 18:53

Nga Gazeta ‘SI’- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se PS do të ndërmarrë një nismë të ngjashme me praktikat e BE-së për zbatimin me rigorozitet të rregullores së Kuvendit, në fjalën e tij përmbyllëse të takimit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Rama kërkoi rritje të aktivitetit parlamentar dhe kritikoi opozitën për abuzim me procedurën, duke thënë se Kuvendi nuk duhet të merret peng dhe se praktika të tilla nuk lejohen në parlamentet e vendeve të BE-së. Ai sqaroi se nuk kërkon uljen e kohës së fjalës për opozitën, por ndalimin e bllokimit të punës parlamentare.

Kryeministri foli edhe për nevojën e reformimit të administratës së Kuvendit, me qëllim rritjen e cilësisë dhe shtimin e ekspertizës, veçanërisht për komisionet që lidhen me procesin e negociatave.

Duke komentuar përplasjet dhe tensionet në Kuvend, Rama tha se asnjë formë dhune apo cenimi i dinjitetit nuk tolerohet në një parlament demokratik dhe se masat duhet të merren menjëherë, sipas rregullores.

“Dua t’i referohem të konkluzioneve lidhur me domosdoshmërinë e  rritjes së aktivitetit diplomatik parlamentar gjë që do duhet të jetë në fokusin e kryetarit dhe jo vetëm tek, por tek të gjithë deputetët të përfshirë në grupet e miqësisë me parlamenteve të BE-së.

Besoj që është e qartë që ky proces kërkon edhe një administratë, një shërbim administrativ të kuvendit më cilësor. Kemi folur për reformën e brendshme prej disa vitesh ,janë bërë disa hapa, por një administrate e cila numëron rreth 350 vetë nga të cilët rreth 300 janë nën punës civilë, është goxha e madhe ne numër ndërkohë që barra e punës mbështetëse për komisionet, për deputetët, për kryetarin e kuvendit bie padyshim mbi një numër shumë të vogël sesa ai i përgjithshmi.

Nëse për arsye që i dimë që lidhen me sigurinë juridike të atyre që janë aty, do duhen forca të reja, duhet të shtojmë forca të reja. Ekspertizë në funksion të komisioneve për pikërisht për çështjet që lidhen me negociatat. Duhet ta ritheksoj që në ndarjen e mandateve në kuvend, diferenca është e madhe, në ndarjen e orëve të fjalës në Kuvend, po të shikosh duket ikur jemi në një parlament 1 me 49. Orët e vëna në dispozicion për opozitën janë anomalish shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare në parlamentet e BE. Nuk po them t’i ulim orët opozitës, me ketë them që duhet të shikojmë sesi do të ndërpriten orët e marra me forcë, me abuzim. Në shkelje të plotë të etikës parlamentare duke përdorur procedurën për të marrë peng publikun për 1 ose 2 orë kur fillon kuvendi, dhe për të pushuar sallën e parlamentit duke i vendosur deputetët e shumicës,  në pozitën e tyre që janë aty si spektatorë të një teatri balte. Në asnjë parlament demokratik në asnjë parlament të BE nuk i lejohet asnjë force politike. Rregullorja e parlamenti nuk është e shkruar në gurë, bazuar tek praktikat e BE, duhet ndërhyrë menjëherë që fjala procedurë të mos jetë e barabartë për fjalën pengmarrje”, tha Rama.

The post Rama me rezerva për ‘menaxhimin’ e Kuvendit: Do ta reformojmë! Legalizimi i rrugaçërisë bashkëfajësi appeared first on Gazeta Si.

Financial Times: Hyrja e Ukrainës në BE, padrejtësi për Shqipërinë dhe Malin e Zi!

16 January 2026 at 18:25

Në një opinion të shkruar nga Henry Foy, drejtues i redaksisë së “Financial Times” në Bruksel, revista britanike kundërshton idenë e zgjerimit të BE-së me pranim të menjëhershëm të Ukrainës. Duke përmendur avancimin që ka bërë Shqipëria dhe Mali i Zi për t’u integruar në bllok, FT i jep zë zyrtarëve që e quajnë anëtarësimin e Ukrainës si të padrejtë për këto dy shtete.

Artikulli i plotë i FT:

Brukseli po harton propozime për të hequr sistemin e anëtarësimit në BE të përdorur që nga Lufta e Ftohtë, duke e zëvendësuar atë me një model të diskutueshëm me dy nivele, i cili mund të përshpejtojë hyrjen e Ukrainës në BE si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund pushtimit rus.

Plani i ristrukturimit, që po diskutohet në Komisionin Europian dhe që është ende paraprak, ka nisur tashmë të shqetësojë kryeqytetet e BE-së, të alarmuara nga një qasje e tipit “zgjerim i lehtësuar”, me pasoja të thella për unionin, sipas shtatë zyrtarëve të lartë të përfshirë në bisedime.

Ukraina, e cila u bë zyrtarisht vend kandidat për BE menjëherë pas pushtimit të plotë nga Rusia në shkurt 2022, e sheh anëtarësimin si një element themelor të së ardhmes së saj pas luftës dhe si një deklaratë përfundimtare të orientimit të saj pro-perëndimor.

Një referencë për anëtarësimin e Ukrainës në BE në vitin 2027 përfshihet në draftet e një plani paqeje me 20 pika, të udhëhequr nga SHBA-të dhe aktualisht në negociim, pavarësisht vlerësimeve të zyrtarëve të BE-së se vendit mund t’i nevojitet deri në një dekadë reformash për të përmbushur kriteret strikte të anëtarësimit.

Por zyrtarët e Komisionit kuptojnë se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të jetë në gjendje të pranojë aspekte të tjera të një marrëveshjeje të mundshme paqeje, siç është heqja dorë nga territore në favor të Rusisë, vetëm nëse mund t’ia paraqesë anëtarësimin në BE si rezultatin pozitiv të procesit.

Plani paraprak që po diskutohet do t’i mundësonte Ukrainës të bashkohej me unionin, por me fuqi vendimmarrëse shumë më të kufizuara. Për shembull, të drejtat normale të votimit nuk do t’i jepeshin fillimisht Ukrainës në samitet e liderëve dhe në takimet ministrore, sipas zyrtarëve.

Sipas propozimeve ende në zhvillim, Kievi do të fitonte qasje graduale në pjesë të tregut të përbashkët të BE-së, në subvencionet bujqësore dhe në fondet e zhvillimit të brendshëm të unionit, pasi të përmbushte objektiva të caktuara pas-anëtarësimit.

Kjo do të ndryshonte rrënjësisht rregullat e anëtarësimit të miratuara në vitin 1993, të cilat kërkojnë që vendet të përmbushin një gamë të gjerë rregullash dhe standardesh të BE-së në shumë fusha politike, dhe të pranohen vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha kriteret.

“Kohë të jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme… Ne nuk po minojmë zgjerimin. Po zgjerojmë konceptin e zgjerimit,” tha një diplomat i lartë i BE-së, i njohur me këtë ide. “Rregullat janë shkruar më shumë se 30 vjet më parë dhe duhet të jenë më fleksibël. Ky është një moment që ndodh një herë në brez dhe duhet t’i përgjigjemi.”

Megjithatë, diplomatët nga shtetet anëtare të BE-së dhe nga vende të tjera aspirante, të përfshira në diskutime informale me Komisionin, kanë shprehur shqetësim të thellë për këtë koncept. Disa druhen se ai mund të ketë ndikim negativ në stabilitetin e ardhshëm të unionit, të zhvlerësojë vlerën e anëtarësimit dhe të dëmtojë vendet e tjera kandidate.

“Është një kurth i ngritur nga Putin dhe Trump, dhe ne po biem brenda tij,” tha një diplomat i dytë i BE-së, duke përmendur rrezikun për unitetin e bllokut.

“BE-ja është edhe një herë e bllokuar mes gurit dhe murit,” tha Mujtaba Rahman, drejtor për Europën në Eurasia Group. “Nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përshpejtojë anëtarësimin e Ukrainës, por kjo do të hapë një Kutinë e Pandorës me rreziqe politike dhe të politikave publike që askush në Bruksel nuk i kupton plotësisht.”

Përparimi i Ukrainës në procesin ekzistues të anëtarësimit është bllokuar nga Hungaria, e cila ka penguar miratimin unanim të nevojshëm për hapjen dhe mbylljen zyrtare të secilit prej 35 kapitujve të anëtarësimit.

Zyrtarë të BE-së dhe Ukrainës besojnë se, nëse SHBA-të janë nënshkruese të marrëveshjes përfundimtare të paqes, kjo do ta detyrojë Budapestin dhe aleatin e tij të afërt, presidentin Donald Trump, të tërhiqen.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të enjten e lidhi drejtpërdrejt anëtarësimin e Ukrainës me bisedimet e paqes: “Anëtarësimi është një garanci kyçe sigurie për Ukrainën, por edhe motori thelbësor për rritjen dhe prosperitetin e ardhshëm,” tha ajo.

Megjithatë, një grup i madh shtetesh anëtare të BE-së, ndonëse të gatshme të mbështesin Ukrainën, janë fuqishëm kundër çdo mase që do të krijonte hapësira në rregulla ose do të vendoste një sistem anëtarësimi me dy nivele, thanë katër diplomatë të bllokut.

Nuk mund të kesh një proces të bazuar në meritë me një datë përfundimi të paracaktuar,” tha një prej tyre.

“Nëse përpiqeni t’ua impononi këtë shteteve anëtare, ata nuk do ta pranojnë kurrë,” paralajmëroi një zyrtar i lartë i BE-së, duke thënë se kjo do të hapte një përçarje të rrezikshme mes Brukselit dhe vendeve anëtare.

Zyrtarë të tjerë thanë se çdo ndryshim i procesit të zgjerimit do të trazonte ambiciet e vendeve të tjera kandidate, duke ngritur pyetje më të gjera për mënyrën se si BE-ja ndërvepron me fqinjët e saj të afërt.

Mali i Zi dhe Shqipëria janë vendet më pranë anëtarësimit për sa i përket përparimit në kapituj dhe mund të ndihen sikur po u ofrohet një “çmim” më pak tërheqës, thanë tre nga shtatë burimet.

Po ashtu, do të ngriheshin pikëpyetje nëse vende të tjera që kanë bërë pak ose aspak përparim drejt anëtarësimit vitet e fundit, si Bosnja dhe Turqia, do të përfitonin nga i njëjti model “zgjerim i lehtësuar”.

Është e paqartë se si kjo do të ndikonte vendet e Zonës Ekonomike Europiane, si Norvegjia, që janë pjesë e tregut të përbashkët pa të drejta vote, apo vende të tjera partnere të afërta, por jo kandidate, si Mbretëria e Bashkuar.

“Me diçka të tillë po ngre pyetje shumë të mëdha dhe shumë të vështira,” tha një diplomat i tretë i lartë i BE-së. “Ka kaq shumë pasoja të paparashikuara të mundshme.”

The post Financial Times: Hyrja e Ukrainës në BE, padrejtësi për Shqipërinë dhe Malin e Zi! appeared first on Gazeta Si.

Alarmi nga BE: Në Shqipëri janë shitur fara susami me aflatoksinë nga Bolivia

16 January 2026 at 17:07

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një ngarkesë farash susami të importuara në Shqipëri janë konstatuar nivele shumë të larta të aflatoksinës B1, një substancë tepër e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Bëhet fjalë për një ngarkesë të kompanisë “Neranxi”, me origjinë nga Bolivia, e futur në vend në fillim të muajit dhjetor. Pas analizave laboratorike të kryera në Holandë, ku ky produkt ishte eksportuar, është konstatuar prania e aflatoksinës mbi normat e lejuara.

Më 22 dhjetor 2025, RASFF i Komisionit Europian ka publikuar alert-in zyrtar për këtë ngarkesë, ndërsa në javën e parë të janarit AKU është njoftuar zyrtarisht, pasi Shqipëria rezulton një nga vendet importuese.

Sipas informacioneve të siguruara, kompania importuese ka futur rreth 300 kg fara susami, të cilat janë ripaketuar në sasi më të vogla dhe janë hedhur në treg, përmes rrjetit të dyqaneve të saj, por edhe në markete të tjera. Në momentin kur alert-i ka mbërritur në Shqipëri, pjesa më e madhe e sasisë ishte shitur, ndërsa vetëm një sasi e vogël është gjetur gjendje dhe është bllokuar.

Të dhënat e produktit të rrezikshëm:
Emri në etiketë: Natural Black Sesame Seeds non EU origin bag 25 kg
Origjina: Bolivia (jo-BE)
LOT: LO210100001

AKU njofton se sasia e konstatuar gjendje është bllokuar me destinacion asgjesimin, ndërsa konsumatorët që e kanë blerë këtë produkt duhet ta kthejnë menjëherë në pikat e shitjes.

The post Alarmi nga BE: Në Shqipëri janë shitur fara susami me aflatoksinë nga Bolivia appeared first on Gazeta Si.

Çmime reference edhe për zonat rurale. Farka, fshati më i shtrenjtë i Shqipërisë

16 January 2026 at 10:55

Nga Gazeta ‘SI’ – Pak muaj pas shpalljes së çmimeve të reja të referencës në qytetet dhe bregdetin e Shqipërisë, qeveria ka shpallur dhe ato për fshatrat e zonat rurale.

Sipas një dokumenti që pritet të miratohet, për fshatrat do të përdoren çmimet e aktuale të qyteteve, në pritje të miratimit të çmimeve të reja. P.sh në rastin e Durrësit, ku çmimi i vjetër i referencës ishte 67 mijë lekë, për zonën urbane, tashmë 67 mijë lekë do të jetë edhe për zonën rurale. Me propozimet e reja, një m2 në Durrës, qytet dhe bregdet, shkon deri në 200 mijë lekë.

Fshatrat e Durrësit, në tërësi kanë vlerën më të lartë të çmimit për m2, sipas listës së re, por fshati më i shtrenjtë rezulton Farka e Tiranës, me 115.200 lekë për m2. Petrela dhe Peza parashikohet të kenë një çmim 84.000 lekë/m2.

Në Vlorë, çmimi i referencës për zonën rurale, përfshirë Radhimën (jashtë vijës së parë bregdetare), propozohet në 61.800 lekë për metër katror. Saranda ndahet në pesë zona urbane dhe një zonë rurale të re për fshatrat, me çmim reference 56 mijë lekë për metër katror.

Në zonën e veriut, fshatrat e Shkodrës dhe Lezhës do të kenë vlerat më të larta të referencës, repsektivisht 58 dhe 56 mijë lekë për metër katror.

Asnjë nga ndryshimet nuk ka hyrë ende në fuqi dhe janë në pritje të miratimit nga Kuvendi. Në draftin e çmimeve për qytetet, zona e ish-Bllokut në Tiranë kryeson me çmimin më të lartë të referencës, 228 mijë lekë për metër katror ose 2.2 mijë euro.

Pas kryeqytetit, zonat më të shtrenjtë janë ishulli i Sazanit dhe porti i Durrësit, ku një metër katror tokë kushton 200.000 lekë ose 2 mijë euro. Çmimet e rritura duket të jenë të lidhura me dy projektet luksoze që pritet të zhvillohen në Sazan nga familja Trump dhe në Durrës nga miliarderi arab Mohammed Alabbar.

Tabela e miratuar nga ministria e Financave tregon një rritje të konsiderueshme të çmimeve përgjatë të gjithë bregdetit. çmimet e reja për Himarën kapin 1.4 mijë euro/m2.

Propozimet e qeverisë nuk u mirëpritën nga të gjithë aktorët e tregut. Profesionistët e lirë shprehën shqetësimin e tyre duke thënë se drafti ka një metodologji jo transparente dhe nuk pranon transaksionet poshtë vlerës së caktuar, duke nxitur rritje artificiale të të çmimeve të apartamenteve.

Sipas APL, përdorimi i projekteve të ardhshme të zhvillimit urban si indikatorë për rritjen e çmimeve referuese, pa u bazuar në të dhëna reale të tregut të sotëm, përbën një tjetër rrezik për deformimin e tregut.

The post Çmime reference edhe për zonat rurale. Farka, fshati më i shtrenjtë i Shqipërisë appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Projektet publike ngelen rrugëve! 33 mld lekë investime të parealizuara nga qeveria

14 January 2026 at 13:51

Nga Gazeta ‘SI’ – Një raport monitorimi i organizatës Qëndresa Qytetare ka gjetur se qindra projekte të parashikuara nga qeveria, në buxhetin e vitit 2024, kanë mbetur vetëm në letra.

Sipas QQ-së, disa nga projektet e parealizuara janë jetike për vendin dhe do të ndikonin në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

Konkretisht, bëhet fjalë për 275 projekte investimesh të parashikuara në Planin Buxhetor, me një vlerë totale rreth 33.7 miliard lekë nga 7 ministritë kryesore.

Në ministrinë e Bujqësisë 11 projekte (2.87 miliard lekë), përfshirë cilësinë dhe kontrollin e ushqimit, nuk janë nisur.

Në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, 120 projekte (11.96 miliard lekë), kryesisht ndërtimi dhe rehabilitimi i ujësjellësve; 112 projekte ujësjellësash nuk u realizuan.

Financat dhe Ekonomia: 24 projekte (2 miliard lekë), kryesisht për përmirësimin e banimit dhe lehtësimin e tregtisë.

Arsimi dhe Sportet: 59 projekte (4.3 miliard lekë), përfshirë transportin për nxënës dhe mësues, laboratorë dhe projekte kërkimore.

Shëndetësia dhe Mirëqënia Sociale: 21 projekte (836 milionë lekë), kryesisht ndërtimi i qendrave shëndetësore dhe furnizimi me pajisje laboratorike.

Brendshme: 20 projekte (1.06 miliard lekë), për modernizimin e sistemeve dhe parandalimin e rreziqeve të sigurisë.

Mbrojtja: 20 projekte (10.68 miliard lekë), përfshirë modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve në kuadër të NATO-s.

Në përfundim, Qëndresa Qytetare rekomandon që për të përmirësuar situatën, duhet rritur transparenca dhe të gjurmohet me kujdes ecuria e projekteve publike, duke vendosur një kod unik për secilin projekt që të lehtësohet monitorimi. Po ashtu, projektet, sugjeron QQ, duhet të klasifikohen sipas rëndësisë, duke i dhënë përparësi atyre më strategjikë, ndërsa çdo mos-realizim duhet shpjeguar publikisht, për të garantuar llogaridhënie dhe besueshmëri ndaj qytetarëve dhe parave të tyre.

The post Projektet publike ngelen rrugëve! 33 mld lekë investime të parealizuara nga qeveria appeared first on Gazeta Si.

Miratohet ligji i ri i koncesioneve: Vendoset kufi monetar! Studim fizibiliteti për çdo kontratë

14 January 2026 at 10:43

Nga Gazeta ‘SI’ – Një ligj i ri për koncesion dhe PPP-të ka hyrë në fuqi, ku bëhet me detyrim paraqitja e një studimi fizibiliteti për çdo kontratë publike. Në studimin e fizibilitetit duhet të përcaktohet vlera totale e projektit dhe tarifat shtesë kur koncesioni të nisë zbatimin, përveç se në fushën e sportit apo shëndetësisë.

Në studimin e fizibilitetit, qeveria thekson se duhet të merren parasysh, interesi publik mbrojtja e mjedisit, qëndrueshmëria, përshtatshmëria financiare e projektit, treguesit e vlerës për para, risqet direkte e indirekte financiare si dhe interesi i tregut dhe aftësia për të tërhequr operatorët e interesuar ekonomikë dhe mbështetësit financiarë.

Një pikë e rëndësishme e ligjit të ri është vendosja e një kufiri monetar për PPP-të e koncesionit, që miratohet nga kabineti qeveritar.

Por ligji i miratuar ndryshe nga drafti fillestar, nuk vendos kufizime për “propozimet e pakërkuara”, duke e lënë këtë mundësi të hapur për çdo operator ekonomik. Fillimisht, ministria e Ekonomisë e pati kufizuar këtë mundësi vetëm në sektorët me rëndësi jetike.

Ligji i ri përfshin një nen të dedikuar parandalimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, ndërsa sjell përcaktime të reja në lidhje me konfiedencialitetin, një klauozlë që shpesh përdoret për të mos bërë publike të dhënat e kontratave koncesionare. Sipas propozimeve të reja, operatori ekonomik nuk mund të klasifikojë si konfidencial: çmimin e ofertës, listën e çmimeve, katalogun, informacionin lidhur me kriteret e përzgjedhjes së ofertës, dokumentet publike, fragmente nga regjistrat publikë, etj.

The post Miratohet ligji i ri i koncesioneve: Vendoset kufi monetar! Studim fizibiliteti për çdo kontratë appeared first on Gazeta Si.

PPP në hetim, kontrata e sterilizimit i kalon shtetit pas skandalit

14 January 2026 at 10:43

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka miratuar krijimin e një shoqërie aksionare me pronësi tërësisht shtetërore, e cila do të marrë në administrim shërbimin e sterilizimit në të gjitha spitalet publike të vendit.

Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit” SHA do të financohet fillimisht me 200 milionë lekë nga buxheti i shtetit për vitin 2026 dhe do të përfitojë pa pagesë asetet që i kalojnë shtetit pas përfundimit të kontratës koncesionare të nënshkruar në vitin 2015.

Shoqëria e re shtetërore do të menaxhojë të gjithë zinxhirin e shërbimeve të sterilizimit, nga furnizimi me instrumente kirurgjikale sterile dhe materiale njëpërdorimëshe, te funksionimi i Stacionit Qendror të Sterilizimit në QSUT, trajtimi i mbetjeve spitalore me rrezik biologjik dhe digjitalizimi i proceseve. Të ardhurat e saj do të sigurohen nga tarifat e shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme.

Sipas vendimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka një afat prej 30 ditësh nga hyrja në fuqi e aktit për miratimin e statutit dhe regjistrimin e shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa injektimi i kapitalit fillestar do të kryhet menjëherë pas regjistrimit.

Kontrata e sterilizimit, e nënshkruar në vitin 2016 me afat dhjetëvjeçar, u shndërrua shpejt në një nga kontratat më problematike për qeverinë. Kostoja e saj rezultoi ndjeshëm më e lartë se parashikimi fillestar, duke arritur rreth 15 miliardë lekë, ndërsa kontrata dhe kushtet e zbatimit të saj janë nën hetim prej vitesh, së bashku me ish-zyrtarë dhe përfaqësues të biznesit.

The post PPP në hetim, kontrata e sterilizimit i kalon shtetit pas skandalit appeared first on Gazeta Si.

Skandali me fondet e bujqësisë në Durrës, AZHBR: Kontrata u nënshkrua, por pagesa u bllokua

13 January 2026 at 15:01

Nga Gazeta ‘SI’- Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka reaguar pas një lajmi ku raportohej se i ka dhënë fonde që i dedikohen bujqësisë, një kontigjenti kriminal në qytetin e Durrësit.

Sipas lajmit të publikuar, drejtoresha e AZHBR Durrës ka firmosur dhënien e një granti 22.5 milionë lekë të vjetra për Xhevdet Troplinin.

Në një deklaratë për mediat, AZHBR thotë se proceset për dhënien e fondit janë kryer në përputhje me ligjin dhe se subjekti në fjalë ishte legjitim.

Por, AZHBR thekson se në fazën e pagesës, procedurat janë refuzuar nga autoriteti sepse subjekti, në këtë rast, Troplini, nuk i kishte përmbushur kushtet.

Reagimi i AZHBR:

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me një lajm të pasaktë që po qarkullon në disa portale, mbi një pagesë të supozuar të kryer nga AZHBR.

Në zbatim të Udhëzimit nr. 22, datë 19.09.2024, “Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, subjekti në fjalë është kontraktuar në përputhje të plotë me kriteret dhe procedurat e parashikuara në këtë akt.

Megjithatë, në fazën e pagesës, subjekti i kontraktuar në fjalë, është 𝐫𝐞𝐟𝐮𝐳𝐮𝐚𝐫 pasi nuk ka përmbushur kushtet e përcaktuara në kontratën e grantit.

AZHBR garanton fermerët dhe qytetarët se çdo proces zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me detyrimet që rrjedhin prej tij, duke zbatuar parimet e transparencës dhe përgjegjshmërisë.

The post Skandali me fondet e bujqësisë në Durrës, AZHBR: Kontrata u nënshkrua, por pagesa u bllokua appeared first on Gazeta Si.

BKT konfirmon sulmin: Klientëve iu klonuan kartat dhe iu morën fondet. Do rimbursohen!

13 January 2026 at 13:27

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Kombëtare Tregtare (BKT) ka konfirmuar se disa klientë të saj kanë rënë pre e një skeme mashtrimi, duke humbur para nga llogaritë e tyre.

Në një njoftim publik, banka bëri me dije se ishte klonuar një numër kartash, nga të cilat janë tërhequr fondet. Të gjithë klientët e prekur janë kontaktuar dhe do të rimbursohen plotësisht, njofton BKT.

Lajmi u bë publik një ditë më parë, kur shumë qytetarë raportuan se fondet e tyre ishin vjedhur nga veprime të kryera në shtete të tjera të rajonit.

Bankat në Shqipëri përballen vazhdimisht me sulme kibernetike, por sipas tyre, deri tani janë prekur vetëm të dhënat dhe jo fondet financiare. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, sulmet kibernetike mbeten risku më i madh për sistemin bankar, edhe pse shpesh flitet për nevojën e rritjes së masave të mbrojtjes në infrastrukturën digjitale.

The post BKT konfirmon sulmin: Klientëve iu klonuan kartat dhe iu morën fondet. Do rimbursohen! appeared first on Gazeta Si.

Shqipëria, mes destinacioneve më tërheqëse turistike edhe për 2026-n

13 January 2026 at 12:11

Nga Gazeta ‘SI’ – Sipas parashikimeve të Oxford Economics, Shqipëria pritet të jetë në Top 40 të destinacioneve më tërheqëse për turistët gjatë vitit 2026. Studimi tregon se vendi ka shënuar rritjen më të madhe në rang global si destinacion turistik, duke kaluar nga vendi i 67-të në vitin 2010 në vendin e 36-të (të parashikuar) për vitin 2026.

Shumica e kësaj rritjeje ka ardhur vitet e fundit falë çmimeve të përballueshme, zgjerimit të linjave ajrore me kosto të ulët, lehtësirave për hyrje pa viza dhe strategjive të efektshme marketingu, analizojnë ekspertët e Oxford.

Përveç Shqipërisë, edhe Mali i Zi dhe Malta pritet të jenë destinacione të preferuara për turistët. Lista e destinacioneve më tërheqëse kryesohet nga Franca, Spanja, Italia, Turqia dhe Greqia. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara pritet të regjistrojnë një rënie të vizitorëve, e cila mund të kompensohet pjesërisht nga Kupa e Botës që do të zhvillohet atje.

Analiza e Oxford sugjeron gjithashtu monitorimin e vendeve të reja me rritje të shpejtë turistike. Një shembull është Maroku, i cili, ndonëse ndodhet më poshtë në renditjen globale, ka përjetuar një rritje të konsiderueshme falë pozicionimit si destinacion i përballueshëm dhe me oferta kulturore autentike. Ekspertët presin që Maroku të vazhdojë të rritet në turizmin ndërkombëtar gjatë vitit 2026 dhe në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë, veçanërisht për shkak të investimeve të bëra përpara Kupës së Botës FIFA 2030, ku vendi do të jetë bashkëpritës.

The post Shqipëria, mes destinacioneve më tërheqëse turistike edhe për 2026-n appeared first on Gazeta Si.

Strategjia e Bankës së Shqipërisë: Monitorim më i kujdesshëm i kredisë

13 January 2026 at 11:11

Nga Gazeta ‘SI’ -Banka e Shqipërisë ka publikuar strategjinë e saj për katër vitet e ardhshme, me fokus tek shëndeti i të gjithë sistemit bankar.

Një ndër masat kryesore që parashikon BSH është monitorimi i kujdesshëm i rrezikut të kredisë dhe cilësisë së tij, veçanërisht në rastet e ekspozimeve të ndjeshme apo në sektorët më vulnerabël.

Banka gjithashtu synon të vendosë kërkesa të diferencuara të kapitalit, në varësi të bankës dhe nivelit të rrezikut që ajo mbart. Strategjia parashikon edhe shkëmbimin e informacionit dhe realizimin e ekzaminimeve të përbashkëta me autoritete të ndryshme brenda vendit, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, si dhe me autoritete të huaja.

Një objektiv tjetër është edhe integrimi i faktorëve ESG (mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes) në procesin mbikëqyrës. Kjo përfshin edhe vlerësimin e ndikimit të rreziqeve financiare të lidhura me klimën dhe mjedisin në bilancet e bankave.

Përmirësimi i cilësisë së drejtimit, rritja e rolit dhe e pavarësisë së strukturave që menaxhojnë rreziqet dhe funksionet e kontrollit të brendshëm, mbetet një tjetër objektiv kryesor i Bankës.

Po ashtu, parashikohen kontrolle periodike për vlerësimin e ekspozimit ndaj rrezikut kibernetik dhe për adaptimin e teknologjive të reja, përfshirë Inteligjencën Artificiale, në funksion të përmirësimit të shërbimeve ndaj klientëve.

The post Strategjia e Bankës së Shqipërisë: Monitorim më i kujdesshëm i kredisë appeared first on Gazeta Si.

Mes shqetësimit për larje parash, dekretohet ‘Paqja fiskale/ Si dhe çfarë përfitojnë bizneset

13 January 2026 at 10:44

Nga Gazeta ‘SI’ – Presidenti i vendit ka dekretuar Paketën Fiskale 2026, e cila përfshin edhe marrëveshjen e njohur si “Paqja Fiskale” për bizneset. Sipas afateve zyrtare, pritet që në muajin shkurt të nisë procesi i faljes së gjobave dhe kamatëvonesave për bizneset që nuk kanë shlyer detyrimet, si dhe të krijohet mundësia për rikorrigjimin e deklaratave financiare të mëparshme.

Një element kyç i kësaj pakete është ofrimi i mundësisë që bizneset të paguajnë një tatim më të lartë, por në këmbim të mos i nënshtrohen kontrolleve tatimore. Bizneset me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë do të mund të përfshihen vullnetarisht në marrëveshjen e paqes me shtetin, duke parapaguar një tatim mbi fitimin me bazë më të gjerë dhe pa pasur vizita nga kontrollorët tatimorë gjatë periudhës së marrëveshjes.

Konkretisht, një biznes që kalon fashën e të ardhurave 14 milionë lekë do të paguajë tatim bazuar mbi deklarimet e mëhershme, të shoqëruara me një shtesë prej 18%. Në rast se fitimi real në fund të vitit tejkalon këtë nivel, diferenca do të tatohet me normën 5%. Kjo marrëveshje mund të rinovohet deri në dy herë, nga një vit secila, duke e çuar kohëzgjatjen totale deri në tre vite.

500 mln euro falje

Sipas draftit, qeveria parashikon t’u falë bizneseve më shumë se 500 milionë euro detyrime të papaguara në kuadër të Paqes Fiskale. Projektligji i Ministrisë së Financave parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore direkte dhe indirekte të papaguara që i përkasin periudhave deri më 31 dhjetor 2014, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Për debitorët e periudhës janar 2015 deri në dhjetor 2019 parashikohet fshirja e pjesshme e detyrimeve nëse tatimpaguesi zgjedh të paguajë 50% të detyrimit njëherësh brenda datës 30 qershor 2026, ndërsa pjesa tjetër shuhet, ose nëse zgjedh pagesën me këste mujore të barabarta deri më 31 dhjetor 2026 të 75% të detyrimit. Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

Si do të kryhen procedurat e “Paqes” dhe fshirjes së detyrimeve

Marrëveshja e Paqes Fiskale mes biznesit dhe administratës tatimore do të realizohet përmes një aplikimi elektronik nga tatimpaguesi në platformën e-filing, brenda afatit të dorëzimit të deklaratës vjetore të të ardhurave për vitin paraardhës. Për vitin e parë të zbatimit, afati i aplikimit do të përcaktohet me udhëzim të posaçëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Pas aplikimit, administrata tatimore harton propozimin e marrëveshjes dhe ia komunikon biznesit përmes e-filing, duke përcaktuar vlerën e fitimit të tatueshëm dhe detyrimin tatimor për periudhën përkatëse. Tatimpaguesi ka të drejtë ta pranojë ose ta refuzojë këtë propozim deri më 15 prill dhe, në rast pranimi dhe nënshkrimi elektronik, marrëveshja konsiderohet e lidhur dhe prodhon efekte ligjore për vitin tatimor përkatës. Biznesi është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë tatimin sipas marrëveshjes, ndërsa mosrespektimi i saj trajtohet si shkelje tatimore.

Ndërkohë, ligji për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe doganore do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të zbatohet për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026. Brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi, ministri përgjegjës për financat do të nxjerrë udhëzimin përkatës për zbatimin e tij.

Debati

Ideja e qeverisë për një Paqe fiskale me bizneset nuk është mirëpritur nga askush, përveç  mazhorancës.

Opozita e ka quajtuar nismën një “goditje” ndaj biznesit të ndershëm që favorizon pastrimin e parave. Edhe vetë bizneset kanë pasur rezerva për ligjin e ri, të cilët po ashtu e quajnë hapësirë të larjes së parave të pista.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, po ashtu e ka vlerësuar me risk iniciativën e qeverisë shqiptare duke theksuar se mund të “shtrembërojë regjimin tatimor”.

The post Mes shqetësimit për larje parash, dekretohet ‘Paqja fiskale/ Si dhe çfarë përfitojnë bizneset appeared first on Gazeta Si.

Strehim dhe kujdes mjekësor për fëmijët me zgjebe në Durrës. Punë të rregullt për mamanë

12 January 2026 at 19:57

Nga Gazeta ‘SI’ – Grupi Teknik Ndërsektorial, autoriteti përgjegjës për menaxhimin e rasteve të braktisjes së fëmijëve, ka vendosur që tre fëmijët e gjetur në kushte të rënda në Durrës të marrin trajtim të specializuar për infeksionin e lëkurës (zgjebe). Ata do të qëndrojnë të shtruar në spital deri në përfundimin e plotë të kurimit.

Masat e marra përfshijnë sigurimin e të gjitha barnave të nevojshme, ndërhyrje mjekësore për nënën dhe fëmijët, si dhe veprime të menjëhershme higjieno-dizinfektuese në banesën ku ata jetonin. Po ashtu, është planifikuar pastrimi i plotë i apartamentit me qëllim eliminimin e çdo rreziku për përhapjen e infeksionit.

Për nënën e fëmijëve, Blerina Basha, nëpërmjet Zyrës së Punës do të shqyrtohet mundësia e sigurimit të një vendi pune me orar të rregullt 8-orësh. Kjo masë synon të reduktojë ngarkesën e saj aktuale të punës, e cila arrin deri në 16 orë në ditë, dhe t’i krijojë mundësi për t’u kujdesur më mirë për fëmijët. Ajo do të përfitojë gjithashtu mbështetje psiko-sociale.

Drejtuesja e Shërbimit Social në Bashkinë e Durrësit, Diola Xhango, bëri me dije se në mbledhjen e Grupit Teknik morën pjesë përfaqësues nga Shërbimi Social, Policia, Shëndetësia dhe organizata joqeveritare. Sipas saj, u dakordësua një plan i koordinuar për mbështetjen, rikthimin dhe integrimin e familjes në komunitet.

Autoritetet do të ndjekin edhe procedurat administrative për pajisjen e familjes me dokumentacionin e nevojshëm dhe ndryshimin e regjistrimit civil, i cili aktualisht figuron në Vaun e Dejës, ndërsa Blerina Basha është me origjinë nga Berati. Regjistrimi i ri në Durrës do t’u mundësojë atyre akses në skemat e strehimit social të bashkisë.

Nga ana e saj, 33-vjeçarja Blerina Basha ka deklaruar se nuk i ka braktisur fëmijët, por ka qenë e detyruar të punonte me orë të zgjatura për të siguruar mbijetesën. Ajo pretendon se e gjithë situata është një kurth i ngritur nga ish-vjehrra e saj.

Në dëshminë e dhënë, Basha tha se si një nënë e divorcuar me tre fëmijë, ishte e detyruar të punonte deri në 16 orë në ditë për një pagë prej 400 mijë lekësh të vjetra, nga të cilat 300 mijë shkonin për qira.

Ndërkohë, gjyshja e fëmijëve tregoi me detaje momentin kur u zbulua gjendja e tyre. Ajo tha se, pasi u kthye nga Italia, ku ka jetuar për 33 vite, shkoi për të takuar nipërit, por u përball me një situatë alarmante: fëmijët ishin të mbyllur brenda banesës, të mbuluar me batanije, ndërsa shtëpia ishte e paorganizuar dhe me erë të rëndë.

The post Strehim dhe kujdes mjekësor për fëmijët me zgjebe në Durrës. Punë të rregullt për mamanë appeared first on Gazeta Si.

Protesta e 24 janarit/ Berisha: Ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e qytetarëve

12 January 2026 at 19:18

Nga Gazeta ‘SI’ – Duke ftuar qytetarët dhe opozitarët në protestën e 24 Janarit, kreu i PD-së, Sali Berisha, në ‘Foltoren’ te kryeministria, u shpreh se, ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e shqiptarëve.

Kryedemokrati tha se mesazhi i protestës duhet të jetë i qartë: të heqë dorë nga grushti i shtetit, referuar mbrojtjes që po i bën Rama Ballukut.

‘U ftoj të bëjmë gjithçka për një kryengritje paqësore, për një revolucion të ri, i cili do të fshijë nga harta e Shqipërisë narkodiktaturën e Enver Hoxhës, do shndërrojë në vendin e bekuar të qytetarëve të ndershëm, punëtorë, të aftë’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ te kryeministria.

Në fjalën e tij, Berisha tha se kreu i qeverisë po i poshtëron përditë shqiptarët duke u nxjerrë përpara zëvendës kryeministren e pandehur, Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si “maskën e tij”.

“Edi Rama ndërkohë që shqiptarët janë të vendosur t’i japin ndëshkimin e merituar, po ecën drejt grushtit të shtetit. Po ecën drejt bllokimit të sistemit të drejtësisë. Ai, një një akt të papërgjegjshëm, sfidon dhe poshtëron shqiptarët çdo ditë, duke u nxjerrë maskën e tij, Lubi Ballukun, për t’u thënë atyre që ne as që pyesim për ju. Po ja ku do i themi ne në emër tuaj, edhe ne në mënyrë absolute nuk do pyesim për ju, dhe do kesh fatin që meriton.

Opozita shqiptare ka vendosur të thërrasë një protestë me datën 24 janar, në të cilën të japim mesazhet e qarta, përfundimtare Edi Ramës. Hiq dorë nga grushti i shtetit, prano ligji dhe Kushtetutën, përndryshe do të nxjerrim ne jashtë ligjit, jashtë Kushtetutës.Ndaj dhe me 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar”, u shpreh Berisha. 

The post Protesta e 24 janarit/ Berisha: Ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e qytetarëve appeared first on Gazeta Si.

Kolaudimi/ Kontroll i detyrueshëm kur ndryshon pronësia ose mjeti kalon 160.000km

12 January 2026 at 13:42

Nga Gazeta ‘SI’ – Një udhëzim i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sjell ndryshime rrënjësore në procesin e kontrollit teknik të mjeteve rrugore në Shqipëri, duke synuar përafrimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Sipas këtij dokumenti, i cili i shtrin efektet e tij nga data 1 dhjetor 2026, kontrolli teknik i mjetit bëhet i detyrueshëm në momentin që ndryshon titullari i certifikatës së regjistrimit, si dhe në rastet kur mjeti ka përshkuar 160.000 kilometra.

Një tjetër risi e rëndësishme është shtimi i kritereve teknike që mund të penalizojnë qytetarët, ku si mangësi do të njihet mosfunksionimi i sistemit “eThirrje” (eCall), i cili mundëson thirrjet e urgjencës në raste rreziku.

Përveç këtij sistemi, gjatë kontrollit do të verifikohet me imtësi edhe funksionimi i sinjalit GPS, gjendja e njësisë së kontrollit elektronik dhe lidhja e komponentëve të audios, duke i konsideruar defektet në këto elemente si arsye për dështimin e mjetit në testimin teknik.

Udhëzimi zgjeron ndjeshëm gamën e mjeteve që duhet t’i nënshtrohen kolaudimit, duke përfshirë mjetet me dy ose tri rrota të kategorive L3e, L4e, L5e dhe L7e me kapacitet motorik mbi 125cm3. Gjithashtu, në skanerin e kontrollit teknik do të kalojnë edhe mjetet bujqësore dhe traktorët e kategorive T1b, T2b, T3b, T4.1b, T4.2b dhe T4.3b, që qarkullojnë kryesisht në rrugë publike me një shpejtësi maksimale që tejkalon 40km/h.

The post Kolaudimi/ Kontroll i detyrueshëm kur ndryshon pronësia ose mjeti kalon 160.000km appeared first on Gazeta Si.

Kreu i Bankës Federale në SHBA nën hetim për kontratën 2.5 mld$ të rinovimit të godinës

12 January 2026 at 12:55

Prokuroria amerikane ka nisur një hetim kriminal ndaj Jerome Powell, kreut të Bankës Federale në SHBA, lidhur me një projekt rinovimi të godinës prej 2.5 miliardë dollarësh, duke përshkallëzuar ndjeshëm përplasjen e administratës Trump me bankën qendrore.

Powell deklaroi të dielën se Rezerva Federale ka marrë të premten thirrje nga juria e madhe (grand jury), si dhe një kërcënim për padi penale nga Departamenti i Drejtësisë, në lidhje me dëshminë e tij para Kongresit verën e kaluar për projektin e rinovimit.

Ai tha se ky veprim ligjor është një pretekst për të frenuar pavarësinë e Rezervës Federale në përcaktimin e normave të interesit. Kjo vjen në një kohë kur Trump e ka sulmuar vazhdimisht Powell-in, duke e quajtur një “mushkë kokëfortë” për refuzimin e tij për të ulur ndjeshëm kostot e huamarrjes.

“Kërcënimi i ri nuk ka të bëjë me dëshminë time të qershorit të kaluar apo me rinovimin e godinave të Rezervës Federale,” tha Powell. “Kërcënimi për akuza kriminale është pasojë e faktit që Rezerva Federale po vendos normat e interesit bazuar në vlerësimin tonë më të mirë për atë që i shërben publikut, dhe jo sipas preferencave të presidentit,” shtoi ai.

Trump mohoi çdo përfshirje në hetimin e Departamentit të Drejtësisë.

“Nuk di asgjë për këtë, por ai sigurisht që ai nuk është shumë i mirë në krye të Fed-it dhe nuk është shumë i mirë as në ndërtimin e godinave,” tha presidenti amerikan për NBC News të dielën në mbrëmje, duke pretenduar se hetimi nuk ka lidhje me refuzimin e Powell-it për të ulur normat e interesit.

Megjithatë, hetimi pritet të përkeqësojë shqetësimet e investitorëve mbi pavarësinë e bankës qendrore më të rëndësishme në botë, një shtyllë themelore e politikës ekonomike amerikane, e konsideruar jetike për stabilitetin e tregjeve financiare.

Krishna Guha, ish-zyrtar i Rezervës Federale të Nju Jorkut, e quajti këtë zhvillim “thellësisht shqetësues”.

“Administrata Trump nuk po lë asnjë dyshim mbi vendosmërinë e saj për të ndikuar drejtpërdrejt dhe në mënyrë të ashpër veprimet e politikës monetare të Fed-it, përmes çdo rruge të mundshme, përfshirë kërcënimet ligjore,” tha Eswar Prasad, profesor në Universitetin Cornell.

Powell, për të cilin Trump ka thënë disa herë se do të “donte” ta shkarkonte deklaroi të dielën se nuk do të largohet nga posti për shkak të hetimit.

“Shërbimi publik ndonjëherë kërkon që të qëndrosh i palëkundur përballë kërcënimeve,” tha kreu i Fed-it. “Do të vazhdoj të bëj punën për të cilën jam konfirmuar nga Senati, me integritet dhe përkushtim ndaj shërbimit të popullit amerikan.”

Pas deklaratës së Powell-it, dollari ra rreth 0.2% kundrejt një shporte valutash në tregtimin e hershëm në Azi të hënën, ndërsa kontratat futures për indeksin S&P 500 ranë rreth 0.4%.

Juritë e mëdha vendosin nëse prokurorët kanë paraqitur prova të mjaftueshme për të ngritur akuza penale. Gjatë hetimeve, prokurorët ndonjëherë njoftojnë subjektet përpara se të kërkojnë një aktakuzë, për t’u dhënë mundësinë të dëshmojnë, sipas udhëzimeve të Departamentit të Drejtësisë.

Mendohet se thirrjet përmbajnë kërkesa për informacion mbi përgatitjet e Poëell-it për dëshminë, si edhe dokumente të brendshme që lidhen me rinovimin e selisë.

Administrata ka përdorur projektin e rinovimit, i cili ka tejkaluar ndjeshëm buxhetin, si një linjë sulmi ndaj bankës qendrore dhe Powell-it, të cilin Trump e ka quajtur “budalla” për refuzimin e tij për të ulur normat e interesit në 1%.

Powell, i cili pritet të largohet nga posti i kryetarit në maj, i ka hedhur më parë poshtë pretendimet e Russell Vought, një aleat i ngushtë i Trump-it dhe drejtues i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, se ai ka mashtruar Kongresin lidhur me rinovimin. Presidenti amerikan pritet të shpallë në javët në vijim kandidatin e tij për të zëvendësuar Powell-in. Ekonomisti i Shtëpisë së Bardhë dhe aleat i Trump-it, Kevin Hassett, shihet si një nga favoritët për këtë rol.

Elizabeth Warren, demokratja kryesore në komitetin bankar të Senatit, akuzoi Trump-in se po përpiqet të “vendosë një tjetër kukull për të përfunduar marrjen e korruptuar të bankës qendrore të Amerikës”.

Trump ka tentuar tashmë të shkarkojë guvernatoren e Fed-it, Lisa Cook, për akuza për mashtrim hipotekor, të cilat janë nën hetim. Cook i ka mohuar akuzat dhe është përfshirë në një betejë ligjore kundër presidentit amerikan.

Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim një çështje që pritet të jetë historike, lidhur me kompetencat e degës ekzekutive për të shkarkuar zyrtarë të lartë të bankës qendrore, dhe do të dëgjojë argumentet më vonë gjatë këtij muaji.

Departamenti i Drejtësisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./FinancialTimes

The post Kreu i Bankës Federale në SHBA nën hetim për kontratën 2.5 mld$ të rinovimit të godinës appeared first on Gazeta Si.

Ulet stoku i kredive me probleme

12 January 2026 at 11:26

Nga Gazeta ‘SI’ – Në muajin nëntor të vitit 2025, stoku i kredive të këqija ra lehtë në 4.2%, nga 4.3% që ishte në tetor.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues nuk përbën gjithmonë një përkthim të saktë të vlerave absolute, pasi shpesh ndikohet nga efekte statistikore, si diferencat nga kursi i këmbimit apo ecuria e kredisë së re.

Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë raporton një zgjerim të stokut të huave me probleme në vlerë nominale, si rezultat i prurjeve të reja. Ky tregues do të ishte edhe më i lartë nëse nuk do të ishin fshirë rreth 6.3 miliardë lekë kredi të humbura.

Vlera e kredive të fshira në periudhën e fundit përfaqëson rreth 17.6% të tepricës së përgjithshme të kredive me probleme në portofolin e bankave, nga rreth 2.7% në gjashtëmujorin e kaluar.

Shifrat duket se pasqyrojnë shqetësimin e Bankës Qendrore, e cila ka bërë thirrje për moderim të kreditimit, veçanërisht në sektorin imobiliar. Për këtë segment, Banka e Shqipërisë ka vendosur kufizime në financim, duke përcaktuar që maksimumi i huasë të mos tejkalojë 80% të vlerës së pronës që blihet.

The post Ulet stoku i kredive me probleme appeared first on Gazeta Si.

Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Forcohet euro

12 January 2026 at 11:04

Nga Gazeta ‘SI’ – Për sa kohë që EUR/USD tregtohet mbi nivelin 1.162, trendi në fillim të javës pritet të mbetet rritës, me target fillestar në 1.169. Një reagim pozitiv mbi këtë nivel mund të pasohet nga një avancim i mëtejshëm drejt rezistencës 1.172. Në rast se çmimi zbret nën 1.162, rënia thellohet drejt suportit 1.1565.

Për sa kohë që GBP/USD tregtohet nën nivelin 1.3415, trendi mbetet negativ, me target në 1.33. Tregtimi mbi nivelin 1.3415 hap rrugën për testimin e rezistencës 1.346.

Për sa kohë që USD/JPY tregtohet mbi nivelin 157.5, trendi mbetet pozitiv, me objektiv 158.9. Tregtimi nën 157.5 do ta vononte këtë tentativë, duke u paraprirë nga testimi i suportit 157.3.

Për sa kohë që indeksi Dow Jones tregtohet mbi nivelin 49,300, trendi mbetet bullish, me target 50,100. Tregtimi nën 49,300 do të shoqërohej me testimin e suportit 48,850.

Për sa kohë që Crude Oil tregtohet nën nivelin 59.1, trendi mbetet rënës, me target 58. Tregtimi mbi nivelin 59.1 rikthen tentativën për testimin e rezistencës 59.75.

Për sa kohë që BTC/USD tregtohet nën nivelin 90,750, trendi mbetet bearish, me target 83,800. Tregtimi mbi nivelin 90,750 do të pasohej nga testimi i rezistencës 93,600.

The post Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Forcohet euro appeared first on Gazeta Si.

Parku eolik në Tropojë, Rama: Koha kur Shqipëria blen energji në treg po shkon drejt fundit!

12 January 2026 at 10:55

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, vizituan sot parkun eolik të Tropojës, një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e energjisë vendas.

Për kreun e qeverisë, parku me kapacitet 600 MW, me financim nga kompania amerikane CWP është dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se tashmë Shqipëria do të jetë një vend sovran në prodhimin e energjisë.

“Më vjen shumë mirë që ne sot finalizojmë një përpjekje 2-vjeçare. Një përpjekje e përbashkët me kompaninë e mirënjohur për gjithë procesin përgatitor. Ne shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet. Ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë, të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Edhe ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe në rrugën e përmbushjes së atij objektivi të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë vend sovran në prodhimin e energjisë. Kur na ka munguar shiu na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar dhe të blejmë energji me çmime të kripura, ndërsa kur shiu ka ardhur me shumicë shumë nga kjo vlerë potenciale që është uji të derdhet. Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit. Do të jemi në kategorinë e atyre vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna të prodhimi i kësaj lënde vitale për organizmin e një shteti”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, deri në fund të kësaj dekade, 30% e energjisë së prodhuar në vend do të jetë nga era dhe dielli. “Me këtë 30% do kemi të garantuar që sistemi ynë do të jetë i vetëmjaftueshëm dhe cdo gjë e prodhuar përtej nevojave tona do ta eksportojmë. Kjo do të thotë jo më para për të blerë energji, por energji e shitur për të sjellë më shumë të ardhura”, tha kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër, për ministren Balluku, projekti i financuar nga amerikanët është një provë që tregon besimin e investitorëve të huaj në Shqipëri.

Parku eolik i Tropojës nuk është vetëm një investime energjike, por është dëshmi i transformimit që po merr Shqipëria. Dëshmon sektori energjetik shqiptar po kalon në një fazë të re. Shqipëria tashmë nuk është më e varur. Po shkojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme. Ku tranzicion nuk është vetëm një ide apo premtim, është një realitet që po merr formë çdo ditë. Është një skemë e re energjetike që bazohet në krijimin e energjive alternative. Është një realitet që po merr formë çdo ditë. Investimet e huaja janë një tregues mbi besimin tonë strategjik. Ky besim, sot është i dukshëm dhe i gatshëm. 1.5 miliardë euro investime private janë në proces”, tha ministrja Balluku.

Balluku theksoi se këto investime rrisin te ardhurat dhe fuqizojnë ekonominë lokale duke sjellë edhe vende të reja pune duke shtuar se sektori energjitik luan një rol kyç edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

The post Parku eolik në Tropojë, Rama: Koha kur Shqipëria blen energji në treg po shkon drejt fundit! appeared first on Gazeta Si.

❌
❌