Ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe numërimit të 27,600 pakove me fletëvotime, të cilat kanë ardhur nga dy kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Berlin dhe Bernë.
Sipas rezultateve përfundimtare nga ky proces, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, duke siguruar 72.20 për qind, përkatësisht 19,344 vota.
Rezultatet e partive të tjera janë si në vijim:
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)– 10.15% ose 2,720 vota
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 9.56% ose 2,560 vota
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 3.90% ose 1,045 vota
Procesi i numërimit të këtyre fletëvotimeve kishte nisur të shtunën, më 3 janar 2026, në ora 16:00, dhe ka përfunduar gjatë ditës së sotme, më 5 janar 2026.
Ndërsa sot KQZ ka tërhequr edhe rreth 20 mijë pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora.
Në total, rreth 58 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025./Telegrafi/
Valmir Elezi, Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka konfirmuar se më 5 janar 2026 është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i përkasin votimit me postë jashtë Kosovës, sipas planifikimeve të KQZ-së.
Sipas Elezit, fillimisht më 23 dhe 29 dhjetor 2025, nga dy kutitë postare të KQZ-së në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr gjithsej 28,555 pako me fletëvotime.
Pas procesit të vlerësimit 27,600 pako janë aprovuar, ndërsa 955 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Numërimi i këtyre fletëvotimeve ka nisur të shtunën, më 3 janar 2026, në orën 16:00, dhe pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme, më 5 janar 2026.
Procesi i tërheqjes së pakove ka vazhduar edhe më 2 janar 2026, kur nga kutitë postare të KQZ-së në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr edhe 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së hënë janë sjellë në Kosovë.
Elezi ka bërë të ditur se procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime është përmbyllur përfundimisht më 5 janar 2026, ndërsa nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr edhe 11,867 pako të tjera.
Në total, rreth 58 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas KQZ-së, pakot me fletëvotime të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe verifikimit, ndërsa ato që do të aprovohen do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Me qëllim të lehtësimit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, KQZ ka bërë të ditur se kutitë postare kanë qenë funksionale në 23 shtete, përfshirë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër./Telegrafi/
Autorja Alketa Gashi-Fazliu ka sjellë para lexuesit librin e saj më të ri, të titulluar “Klithma”, një vepër që përmbledh dëshmi të fuqishme dhe rrëfime tronditëse nga pasojat e luftës.
Libri shpalos klithmat e një realiteti që harrohet vetëm nga autorët dhe shkaktuesit e tij, por që mbetet i gdhendur thellë në shpirtin e një populli të mbushur me martirë dhe plagë të pashërueshme.
“Klithma” sjell rrëfimet e fëmijëve të dikurshëm, sot të rritur, të cilët u gjymtuan nga bombat dhe minat e një shteti shovinist. Përmes tregimeve të tyre, autorja ndriçon dhimbjen, traumën dhe forcën e mbijetesës së atyre që lufta ua ndryshoi jetën përgjithmonë.
telegrafi.com
Në faqet e librit, klithmat shndërrohen në fjalë të ndërgjegjes dhe shpresës.
Janë zëra të viktimave fëmijë, tashmë në moshë madhore, që kërkojnë një botë më të drejtë, më të bukur dhe me shpirt njerëzor.
“Klithma” është një homazh për guximin dhe qëndresën, por edhe një thirrje për mosharresë.
Autorja shpreh krenarinë e saj për këta heronj të heshtur, të cilët sot janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe bartës të kujtesës kolektive të një populli.
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka paralajmëruar reshje me intensitet të lartë gjatë ditës së sotme (e hënë) dhe nesër (e martë), kryesisht në veri dhe jug të Shqipërisë, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe vërshime të shpejta të lumenjve.
Sipas njoftimit zyrtar, qarqet më të rrezikuara janë Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër, ku priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Në këto zona mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe rrëshqitje dherash. Në zonat urbane pritet të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemeve të kanalizimeve.
IGJEO njofton se, si pasojë e reshjeve të rëna gjatë ditëve të kaluara dhe atyre që pritet të vazhdojnë deri të enjten, më 8 janar, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve të ujit në lumenjtë Drin-Buna, Mat, Shkumbin dhe Vjosë, si dhe në Liqenin e Shkodrës. Veçanërisht Drini, Buna dhe Liqeni i Shkodrës paraqesin rrezik të shtuar për përmbytje gjatë ditës së sotme dhe nesër.
Parashikimi i motit
Reshjet:
Reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër
Reshje mesatare deri lokalisht intensive në Lezhë, Berat dhe Korçë
Reshje të dobëta deri mesatare në qarqet e tjera
Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata
Temperaturat (e martë, 6 janar):
Bregdeti: 13 – 17°C
Vendet e ulëta: 12 – 17°C
Vendet malore: 5 – 11°C
Era:
Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë, veçanërisht në bregdet dhe në veri.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në zonat pranë lumenjve dhe në zonat me rrezik për rrëshqitje dherash./Telegrafi/
Barometri i Ballkanit për vitin 2025 tregon rezultate pozitive për Shqipërinë, lidhur me dëshirën dhe ambicien për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.
Kështu, sipas Barometrit, 64% e Ballkanit Perëndimor ndihet “e sigurt” se bashkëpunimi rajonal mund të përmirësojë situatën ekonomike të vendeve.
Në këtë aspekt, Shqipëria mban rekordin me 77% për nga besueshmëria e qytetarëve se bashkëpunimi rajonal është një mjet i madh ndihmës. Në vend të dytë vjen Maqedonia e Veriut (71%), më pas Kosova (67%), Mali i Zi (67%), Serbia (61%) e në fund Bosnje Hercegovinë (52%).
Mbështetja e qytetarëve për integrimin e vendit në unionin evropian është shumë i rëndësishëm, ku dhe këtu Shqipëria kryeson me 86% përkrahje.
Në vend të dytë vjen Kosova me 78% të qytetarëve që suportojnë integrimin në BE, e më pas Maqedonia e Veriut (62%), Bosnja Hercegovinë (59%), Mali i Zi (59%), e në fund Serbia (42%).
Sa i përket mbështetjes civile për anëtarësimin në BE, sipas Barometrit janë rreth 64% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që e suportojnë këtë hap, pra rreth 10% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Kryeministri Edi Rama ka pasur si slogan në zgjedhjet e 11 majit “Shqipëria 2030 në BE”, zgjedhje këto të cila i fitoi bindshëm. Edhe një herë tjetër, popullsia shqiptare krahasuar me ato të rajonit, kanë më shumë besueshmëri se vendi ynë mund të jetë pjesë e BE-së në 2030-ën.
Sipas Barometrit, 43% e shqiptarëve presin anëtarësimin në 2030, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi renditen me 39% secila. Bosnja Hercegovina ka besueshmërinë më të ulët për anëtarësimin e tyre në BE, me rreth 9%. Pritshmëri të ulëta vijnë dhe nga Serbia e Maqedonia e Veriut, nga të cilat 15% e secilës popullsi duket optimiste për bashkimin e tyre me BE brenda kësaj dekade.
66% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor parashikojnë përfitime nga udhëtimi vetëm me kartë identiteti brenda rajonit, pra rreth 6% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Lidhur me këto përfitime, shqiptarët shprehen 69% me besim për udhëtimin përmes ID Card, ashtu sikurse dhe Bosnje Hercegovina (69%). Por, lista kryesohet nga Serbia, ku rreth 77% e qytetarëve të saj besojnë se mund të kenë përfitime nga lëvizja përmes kartës së identitetit. Kosova shpreh 58% besueshmëri.
39% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor thonë se regjimi i lirë i roaming-ut brenda rajonit uli kostot e operacioneve të biznesit, ndërsa 35% thonë se përfituan nga ulja e tarifave të roaming-ut të të dhënave me BE-në.
Sa i përket shërbimit roaming, vetëm 31% e shqiptarëve janë shprehur për benefite nga ulja e tarifave me BE. Duket se përfitimi më i madh ka ardhur nga Bosnja Hercegovina, ku 63% e qytetarëve kanë shprehur kenaqësi, ndërsa më e ulëta shënohet për Kosovëm (12%).
Në tërësi, Barometri i Ballkanit 2025 e pozicionon Shqipërinë si vendin më optimist dhe më të konsoliduar në rajon në rrugën drejt Bashkimit Evropian, me mbështetje të gjerë qytetare dhe pritshmëri konkrete për anëtarësim brenda kësaj dekade. Kosova paraqitet me një nivel të qëndrueshëm mbështetjeje për integrimin evropian, por me pritshmëri më të ulëta për afatin e anëtarësimit krahasuar me Shqipërinë./Tv Klan
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në Kryeqytet.
Rasti ka ndodhur më 05.01.2026, ndërsa arrestimi është realizuar pas një pune intensive hetimore dhe operacionale nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin A.K., 29 vjeç.
Gjatë operacionit policor është sekuestruar edhe arma e zjarrit, e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Telegrafi/
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Riza (Rrustem) Thaqin, i lindur më 15.10.1983 në Rogovë të Hasit, Komuna e Gjakovës, me vendbanim në Prizren, i cili është raportuar i zhdukur që nga data 23 dhjetor 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti është raportuar nga familjarët më 25 dhjetor 2025. Menjëherë pas raportimit, Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren ka iniciuar rastin dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, por deri më tani personi i zhdukur nuk është gjetur.
Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, në përputhje me nenin 76, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Policia ka publikuar fotografitë e Riza Thaqit në media televizive dhe rrjete sociale, me qëllim të ndriçimit të rastit dhe lokalizimit të tij.
Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë çfarëdo informate apo dinë diçka për vendndodhjen e personit në fjalë, të raportojnë menjëherë në numrin emergjent 192, në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës në Facebook, ose në cilindo stacion policor në Kosovë.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi përmes postës. Sipas të dhënave të deritanishme, pas numërimit të 18 kutive të votave, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë bindshëm.
Rezultatet aktuale tregojnë këtë renditje:
Lëvizja Vetëvendosje – 68.02% (3,826 vota)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 11.68% (657 vota)
AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 10.44% (587 vota)
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 8.11% (546 vota)
Procesi i numërimit po vazhdon, ndërsa rezultatet përfundimtare do të qartësojnë ndikimin e plotë të votave me postë në shpërndarjen e mandateve/Telegrafi/
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Gjakovë, ku një vajzë e mitur ka mbetur e plagosur nga një plumb aksidental gjatë një incidenti me të shtëna me armë zjarri.
Vajza, e cila ishte kalimtare e rastit, është goditur në shpinë dhe ka pësuar lëndime.
Zëdhënësi i Policisë per Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka deklaruar se rasti ka ndodhur rreth orës 21:25, në rrugën “Bardhyl Qaushi”.
Ai bëri të ditur se një person mashkull i moshës madhore dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të disa individëve, me të cilët kishte pasur një mosmarrëveshje.
“Si pasojë e të shtënave, vajza ka mbetur e plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas personelit mjekësor, gjendja e saj është stabile,” ka deklaruar Elezaj.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa po punohet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit si dhe për sekuestrimin e armës së përdorur.
Me përfshirjen e votave të diasporës në sistemin e numërimit, gara për mandatet e fundit brenda Lëvizjes Vetëvendosje është ashpërsuar ndjeshëm. Derisa për një kohë dilema ishte për dy mandate, tashmë mandati i 53-të është konsoliduar, ndërsa beteja kryesore është zhvilluar për mandatin e 56-të.
Sipas gjendjes aktuale, Ilir Kërçeli është futur në “zonën e sigurt”, duke u renditur i 53-ti me 17,952 vota.
Ndërkohë, Naim Bardiqi ka arritur ta mbajë mandatin e 56-të me 17,569 vota, vetëm 6 vota më shumë se Vigan Qorrolli, i cili mbetet i 57-ti me 17,563 vota.
Dallimi minimal e bën këtë një nga garat më të ngushta brenda listës së LVV-së në këto zgjedhje, ndërsa çdo ndryshim eventual nga votat e mbetura do të ishte vendimtar.
Lista e plotë e 56 kandidatëve fitues të LVV-së (aktualisht)
Sistemi gjyqësor i Kosovës gjatë vitit 2025, ka shënuar përparime në aspektin e transparencës dhe hartimit të dokumenteve që e mbështesin funksionimin e tij. Megjithatë, të njëjtën rrugë nuk e ndoqi Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili aktualisht ndodhet në fazën e një reforme të parashikuar me Ligjin për Këshillin Prokurorial, ligj që hyri në fuqi gjatë vitit të kaluar.
Kështu po vlerësojnë monitorues e njohës të sistemit të drejtësisë në vend, të cilët potencojnë se udhëheqja e pozitës së kryeprokurorit të shtetit me ushtrues detyre dhe sulmet publike karshi këtyre dy institucioneve që ndodhën edhe gjatë vitit të kaluar, e kanë goditur rëndë sistemin e drejtësisë.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se sistemi prokurorial po pëson dëm si pasojë e asaj që pozita e kryeprokurorit të shtetit vazhdon të jetë me ushtrues detyre nga viti 2022.
“Ajo është një, është një proces që, dhe ose një precedent që rrallë e hasni në institucionet e drejtësisë kudo në glob. Nga viti 2022 jemi pa kryeprokuror, që për bindjen time ka shkaktuar dëm të parikuperueshëm në sistemin e ndjekjes së shtetit, në sistemin prokurorial, po edhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Ani pse ata arsyetohen se jo, ushtruesi i detyrës i ka të njëjtat juridiksione, po ndryshe është kur e ke kryeprokurorin…. sistemit të drejtësisë i ka pasur probleme të shumta, përkundër, punëve të mëdha që janë bërë në sistem, edhe në sistemin prokurorial, edhe në sistemin gjyqësor. Mirëpo, sulmet e shpeshta që kanë ndodhur karshi sistemit të drejtësisë, qoftë prokurorial, gjyqësor, pastaj Gjykatës Kushtetuese, mos-emërimi i kryeprokurorit, unë këtë e vlerësoj si një goditje e rëndë e sistemit të drejtësisë dhe tendencë e hapur për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë”, theksoi Hasani.
Ndërsa, hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Flamur Kabashi thotë se sistemit gjyqësor ka avancuar në kuptim të transparencës, por për dallim nga Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial ka qenë i mbyllur.
“Sistemi gjyqësor ka pasur avancim në kuptimin e transparencës. Sistemi gjyqësor ka pasur përmirësim në kuptimin e hartimit të dokumenteve që e zhvillojnë këtë sistem. Në anën tjetër, në sistemin prokurorial kemi pasur dhe po e shohim tash edhe së fundmi një tendencë për vazhdim të korporatizmit, një tendencë për vazhdim të qasjes korporatiste që një grup i caktuar t'i shërbejnë individëve për interesa personale. Pra, janë këto çështje dhe kjo është situata që ka ndodhur brenda dy sistemeve. Në anën tjetër, te Këshilli Gjyqësor i Kosovës e keni një ftesë standarde për monitorim të procesit, prej procesit të pozitës më të ulët qysh është referenti deri tek ajo më e larta. Në anën tjetër e keni Këshillin Prokurorial që duhet të dërgoni njoftim që dëshirojmë të monitorojmë një proces. Por kjo është situata midis këtyre dy këshillave dhe ky zhvillim apo ngecje që kanë ndodhur midis këtyre këshillave gjatë vitit 2025”, tha ai.
Duke theksuar se gjatë vitit 2025 janë ngritur disa aktakuza për korrupsion, Kabashi konsideron se ato aktakuza duhet të kenë karakter hetimor penal dhe jo administrativ.
“Aktakuzat të mos jenë të karakterit hetimit administrativ, por të jenë të një karakteri të hetimit penal në administrimin me prodhimin e masave, me zbatimin e masave të ndryshme që i njeh Kodi i Procedurës, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, legjislacioni ynë në fuqi. Sepse, nga përshtypjet që jep leximi i aktakuzave, më shumë i ngjajnë një karakteri administrativ sesa ndoshta një karakteri penal….Probleme me politikën ndëshkimore brenda për brenda vendimeve gjyqësore kemi parë dhe vazhdimisht çdo ditë hasim. Pra, politika ndëshkimore që është e rregulluar edhe përmes një udhëzuesi të Gjykatës Supreme nuk gjen jetësim në vendimet gjyqësore. E kjo duhet të gjejë jetësim, thjesht standardi i dënimeve të jetë asisoj që personit t'i arrihet preventiva që i njëjti mos ta përsërisë veprën në të ardhmen, por edhe për shoqërinë që të mos përsëriten veprat”, theksoi ai.
Zhvillimet pozitive në sistemin gjyqësor drejtë transparencës i nënvizon edhe drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli-Nimani.
Sipas saj, reforma në sistemin prokurorial nuk duhet të pengohet, pasi çdo tentim për pengim në këtë drejtim do të dështojë.
“KGjK viteve të fundit ka ecur me hapa më të shpejt është bërë shumë më transparentë, llogaridhënës në çdo hartim të politikave dhe rregulloreve kërkohet edhe impute i shoqërisë civile në hartimin e këtyre dokumenteve ftohemi të monitorojmë çdo proces të rekrutimit qoftë për gjyqtar apo pjesëtarë të administratës. Është shumë i hapur në përgjithësi në krahasim me KPK e kuptojmë edhe natyrën e Prokurorisë që duhet disa gjëra t’i ketë konfidenciale, për shkak të hetimeve që zhvillojnë, por nuk duhet të jetë i mbyllur hermetikisht... 02’16 Është një reformë në proces e cila duhet të vazhdoj, nuk ka kthim prapa pavarësisht a iu pëlqen apo jo disa personave brenda KPK reformat duhet të ndodhin, mos të harrojmë shumica nga anëtarët nga janari nuk do të jenë pjesë e KPK, andaj edhe çdo tentim për ndërhyrje në reformë konsideroj se do të jetë i dështuar nga ajo pjesë e cila do të jetë pa mandat”, thotë ajo.
Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës si sfidë kryesore e konsiderojnë reformën nëpër të cilën po kalojnë, si dhe mungesën e prokurorëve.
Visar Krasniqi, anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës nga shoqëria civile, për KosovaPress, thotë se ndryshimet ligjore nuk janë pranuar lehtë nga këshilli, duke sjellë probleme në funksionimin e komisioneve dhe trupave të tjera.
Por, ai shton se problematike gjatë vitit 2025 ka qenë dhe çështja e buxhetit dhe mungesa e prokurorëve.
“Sfida kryesore është shfaqur kjo çështja e reformës, e thashë e kam thënë, në qershor kur ka filluar hyrja në fuqi e ligjit të ri, do të thotë kanë filluar këto sfidat. Nuk është pranuar lehtë le të bëhem realist, nuk është pranuar lehtë në Këshill ndryshimet e reja ligjore ndonëse kanë qenë të pritshme sepse me vite janë diskutuar. Këto kanë qenë problematika të vazhdueshme dhe si rrjedhojë këto kanë sjellë mandej edhe çështje të tjera problematike, qoftë në përbërjen e komisioneve, qoftë në trupa të tjerë që i ka formuar Këshilli….rrjedhimisht vazhdon me qenë problem çështja e buxhetit. Këshilli ka nevojë për prokurorë të rinj, ka nevojë për kapacitete të reja, qoftë në kuptim të prokurorëve të rinj, qoftë të stafit administrativ, bashkëpunëtorëve profesionalë. Krejt këto janë sfida që po përballemi për çdo ditë”, tha ai.
KosovaPress ka kërkuar një përgjigje edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Edhe gjatë vitit 2025 raporti i Monitorimit të Drejtësisë 2025 i publikuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka vu në pah se drejtësia kosovare vazhdon të sfidohet nga rastet e profilit të lartë, të cilat kanë ngecur për vite të tëra dhe disa nuk kanë arritur në fazën e aktgjykimeve edhe një dekadë pas kryerjes së veprave. Po ky raport ka ngritur si shqetësim mosaplikimin e dënimeve plotësuese, si dhe shqiptimi në numër të madh i masës së paraburgimit.
Kujtojmë që në fundin e vitit të kaluar Këshilli Prokurorial i Kosovës e shkarkoi Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar. Kelmendi në një konferencën për medie i kishte mohuar të gjitha pretendimet.
Më pas, Kelmendi u ankua në Gjykatën Supreme e cila më pas më 16 dhjetor 2025 e ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit nga detyra e ushtruesit të detyrës së kryeprokuror të shtetit, duke thënë se shkarkimi i tij ishte i kundërligjshëm.
Ndërsa, aktualisht ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të shtetit është Agron Qalaj.
Kosova ka përmbyllur vitin 2025 duke siguruar katër njohje të reja ndërkombëtare. Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet kanë njohur pavarësinë e vendit, një zhvillim që është mirëpritur në përgjithësi nga spektri politik dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Megjithatë, këto arritje po shoqërohen edhe me kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme për mungesën e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe për, siç thuhet, regres në raportet bilaterale me vendet aleate.
Madje edhe njohjet e reja nuk konsiderohen direkt si sukses i drejtpërdrejtë i diplomacisë kosovare, pasi sipas tyre kanë ardhur kryesisht si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike globale. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk kthyen përgjigje për KosovaPress, në lidhje me angazhimin e tyre për vitin 2025.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti dhe drejtimin e diplomacisë së vendit. Sipas tij, politika e jashtme e Kosovës është “suspenduar”.
“Qeveria Kurti, edhe zonja Donika Gërvalla bashkë me presidenten, e kanë suspenduar politikën e jashtme. E kanë suspenduar fushatën për njohje të Kosovës. E kanë suspenduar aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Ministria e Punëve të Jashtme është boshatisur nga diplomatët me përvojë që kanë pasur trashëgimi në njohje dhe anëtarësim. Janë larguar mbi tridhjetë diplomatë karriere dhe diplomatë të cilët kanë pasur suksese të prekshme. Në vend të tyre, ministria, misionet diplomatike dhe ambasadat janë mbushur me militantë të cilët i shërbejnë jo interesit nacional të Kosovës, por interesave të LVV-së”, thotë ai.
Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur kritika për mungesë të rezultateve konkrete në diplomaci. Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku, ka vlerësuar se nuk ka pasur intensifikim të veprimeve diplomatike gjatë qeverisjes aktuale.
“Diplomacia dhe raporti i Kosovës bilateral me shtetet e ndryshme të botës ndërtohet me seriozitet të hatashëm, ku ke edhe shkëmbim të ambasadorëve dhe përfaqësive, pastaj bën lobim për çështje të cilat janë në interes. Ne nuk kemi parë një intensifikim të këtyre veprimeve diplomatike. S’kemi parë anëtarësime të reja të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërkohë ka pasur njohje simbolike për të cilat edhe kemi aplauduar. Duhet thënë që Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar raporte dhe për t’i mirëmbajtur miqësitë, të cilat nuk janë bërë gjatë qeverisjes Kurti. Kosova ka humbur pozicionin e vet, ka humbur aleancat e veta, s’ka pasur intensifikim ose nënshkrim të marrëveshjeve bilaterale me shtetet mike. Po ashtu, s’ka pasur koordinim për shumë politika, ku do të duhej që Kosova të përfitonte nga situatat e caktuara politike. Për këtë mendoj që ka shumëçka për t’u përmirësuar dhe Kosova e ka humbur pozicionin e saj, për çka do të na kushtojë për vitet e ardhshme”, deklaron ai.
Ndërkohë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, vlerëson se politika e jashtme e Kosovës duhet parë në një konteksti më të gjerë dhe si reflektim i politikës së brendshme.
Sipas tij, njohjet e fundit nuk mund të quhen sukses i drejtpërdrejtë i diplomacisë kosovare, pasi kanë ardhur kryesisht si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike globale.
“Në politikën e jashtme gjithmonë ekziston një teori që thotë se politika e jashtme është reflektim i politikës së brendshme. Edhe po të kishte qenë Bill Gates dhe Elon Musk ministër i jashtëm, nuk do të mund ta rregullonte politikën e jashtme të Kosovës, pasi ajo lidhet me politikat dhe vendimmarrjen e brendshme, e cila reflekton më pas në politikën e jashtme. Nuk mund ta quaj sukses, pasi njohjet kanë ardhur si pasojë e ndryshimeve gjeopolitike në botë. Duhet kuptuar se normalisht shteti i Kosovës ka merita, por personat shumë pak. Duhet një koherencë e gjatë e punës që të vijë deri te një njohje. Duhet të ndryshojnë rrethanat te një vend për të na njohur. Njohja nga Siria nuk ka ardhur sepse kemi lobuar fuqishëm, por ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimeve brenda Sirisë dhe raporteve Siri–SHBA. Më pas involvimi i Turqisë, Arabisë Saudite dhe disa faktorëve të tjerë kanë ndikuar që të arrihet kjo çështje”, thotë ai.
Kosova para katër njohjeve të reja në vitin 2025, njohjen e fundit e ka pasur në vitin 2020 nga Izraeli, e cila erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kosova gjatë viteve 2023–2024, ka kaluar dy faza për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mirëpo nuk u përfshi në agjendë në mbledhjen e ministrave të punëve të jashtme të KiE-së, ku vendoset për anëtarësim.
Krahas kësaj, aplikimi i vitit 2022 për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është shqyrtuar ende./KosovaPress
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës.
Sipas të dhënave të deritanishme, pas numërimit të 11 kutive të votave me postë, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me 62.69 për qind, duke grumbulluar 1,687 vota.
Befasia në këtë fazë të procesit është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila renditet e dyta me 422 vota apo 15.68 për qind.
Në vendin e tretë pozicionohet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 337 vota (12.52 për qind), ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 192 vota, që përbëjnë 7.13 për qind.
Numërimi i votave me postë po vazhdon, ndërsa pritet të shihet nëse këto rezultate do të ndikojnë në ndarjen përfundimtare të mandateve në Kuvendin e Kosovës.
Një grua rreth 44 vjeçe ka humbur jetën këtë të shtunë, më 3 janar, në fshatin Selitë-Mal, në zonën e Zall Bastarit, në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ajo është marrë nga rrjedha e lumit gjatë një tentative për ta kaluar atë.
“Në fshatin Selitë-Mal, Zall Bastar, dyshohet se gjatë tentativës për të kaluar lumin, shtetasja B. P., rreth 44 vjeçe, është marrë nga rrjedha e tij dhe për pasojë ka humbur jetën.”, bën me dije policia.
Trupi i pajetë i 44-vjeçares është gjetur dhe është nxjerrë nga lumi, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Autoritetet po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes./tv klan
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me kapjen e Nicolas Maduros, duke e cilësuar këtë veprim si një shembull të rëndësishëm të lidershipit global të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe dëshmi të qartë se askush nuk është mbi parimet universale të sundimit të ligjit.
Në një postim publik, Haradinaj theksoi se SHBA-të, nën udhëheqjen e presidentit Donald J. Trump, kanë riafirmuar vendosmërinë për të mos toleruar regjime që mbijetojnë përmes sponsorizimit, bashkëpunimit apo partneritetit me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Sipas tij, ky veprim përçon një mesazh të fuqishëm për përgjegjësi globale dhe për respektimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në ligj.
Haradinaj theksoi gjithashtu se Kosova ka qëndruar dhe duhet të vazhdojë të qëndrojë e rreshtuar krah vlerave dhe parimeve demokratike, si dhe pranë aleatëve të saj strategjikë, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“SHBA-të mbeten garant i lirisë, paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, përfundoi Haradinaj.
Gjykata Speciale ka njoftuar se është caktuar Paneli i Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së re referuese të Hashim Thaçit në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, që ka të bëjë me veprat kundër administratës së drejtësisë.
Në një njoftim të Gjykatës, thuhet se më 30 dhjetor, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Alenka Trendafilova, caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në lidhje me kërkesën që Thaçi e dorëzoi në të njëjtën ditë.
Paneli do të përbëhet nga gjyqtarët Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański, të cilët do të shqyrtojnë kërkesën në vijim të vendimit të Gjykatës së Apelit të 28 tetorit 2025.
“Më 30 dhjetor, Kryetare Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në lidhje me kërkesën referuese të dorëzuar nga Hashim Thaçi në të njëjtën ditë. Gjykatësit Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański do të vendosin në lidhje me këtë kërkesë referuese që pason vendimin e Gjykatës së Apelit të 28 tetorit 2025”, njofton Specialja.
Pak pas orës 16:00 të ditës së shtunë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës.
Sipas të dhënave të deritanishme, pas numërimit të 5 nga 92 kutitë, apo 5.43 për qind të totalit të votave me postë, Lëvizja VETËVENDOSJE! prin me 68.08 për qind, duke grumbulluar 785 vota.
Në këtë fazë të procesit, befasia është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila aktualisht është renditur e dyta me 177 vota apo 15.35 për qind të votave me postë.
Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 147 vota (12.75 për qind), ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 29 vota, që përbëjnë 2.52 për qind.
Numërimi i votave me postë po vazhdon, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të tregojnë nëse ky trend do të ketë ndikim në shpërndarjen finale të mandateve në Kuvendin e Kosovës./Telegrafi/
Nëse jeni të aftësuar në financë, teknologji informacioni apo kujdes shëndetësor… atëherë 2026-a është viti juaj. Nuk është parashikim astrologjik, por analizë e mirëfilltë e bazuar te kërkesa dhe oferta e tregut të punës.
“Bazuar te artikujt e (revistës) Forbes dhe parashikimeve të ndryshme ndërkombëtare, aftësitë më të kërkuara të 2025-s vazhdojnë të jenë ato kompjuterike, inteligjenca artificiale… por me rritje të fokusit te aftësitë ndër-personale si dhe aftësitë teknike që kanë të bëjnë kryesisht me kujdesin shëndetësor”, tha Lutjona Lula, eksperte e tregut të punës.
“Teknologjia, inteligjenca artificiale do të jenë gjithmonë pozicione me kërkesë. Por nuk mendoj se kjo vlen për ne. Ne kemi të tjera probleme më emergjente”, u shpreh Emin Shini, ekspert i tregut të punës.
Me krizë edhe më të thellë për burime njerëzore, e alternativa më të kufizuara, Shqipëria i ka të orientuara nevojat kryesisht te turizmi, ndërtimi e më pas te teknologjia e informacionit.
“Në vijim të trendit nga 2024-s, sigurisht një kërkesë e madhe mbetet për disa profesione që ne i quajmë “teknikë të mesëm” si elekstriçistë, mekanikë apo hidraulikë. Turimi dhe ndërtimi janë dy sektorët e tera që vuajnë dhe do të vuajnë për fuqi punëtore”, tha Shini.
Kriza e veçanërisht dy viteve të fundit ka kthyer vëmendjen e sipërmarrjeve si kurrë më parë te punonjësit. Por bizneset ende nuk po arrijnë të joshin “Gjeneratën Z”, të rinj të lindur në fund të viteve 90’.
“Të rinjtë e ‘Gjeneratës Z’ i mëshojnë më shumë rëndësisë së mirëqenies mendore, trajtimit të barabartë në punë, të ndierit të motivuar për të bërë detyra kuptimplota. Ndaj shpesh ata kanë një përplasje kulturore”, u shpreh Lula.
2025-a ishte viti i katërt radhazi në Shqipëri ku pagat pësuan rritje. Mesatarisht një kamerier po paguhet nga 800 deri në 1 mijë euro, një shef kuzhine deri në 1 mijë e 200 euro. Me 700 deri në 900 euro paguhet edhe një punonjës ndërtimi, ndërsa rroga e një inxhinieri IT apo ndërtimi luhatet nga 1 mijë e deri në 2 mijë euro. (A2 CNN)
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet e bashkatdhetarëve për dalje nga Kosova janë më të gjata në pikëkalimin kufitar të Merdarës, ku ato arrijnë deri në 150 minuta.
Sipas të dhënave të fundit të orës 16:39, situata më e ngarkuar paraqitet në pikëkalimet kufitare Merdar, Dheu i Bardhë dhe Jarinjë.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, aktualisht në pikëkalimin Dheu i Bardhë pritjet për dalje nga Kosova kanë arritur deri në 60 minuta, me një kolonë automjetesh rreth 300 metra. Në Merdar, pritjet variojnë nga 120 deri në 150 minuta, ndërsa kolona e automjeteve ka arritur rreth 1.200 metra. Në pikëkalimet Jarinjë dhe Bërnjak, pritjet sipas sistemit llogariten nga 15 deri në 20 minuta.
Në pikat e tjera kufitare, si Vërmicë, Hani i Elezit dhe Kullë, qarkullimi po zhvillohet normalisht, ndërsa pritjet në hyrje dhe dalje janë minimale, nga 4 deri në 5 minuta.
Pak pas orës 16:00 të ditës së shtunë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës.
Sipas rezultateve nga dy kutitë e para të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm me 322 vota, që përbëjnë 81.31 për qind.
Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 47 vota apo 11.87 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 12 vota, që përbëjnë 3.03 për qind.
Më pas renditen:
AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 vota (2.02%)
FJALA me 1 votë (0.33%)
Nisma Socialdemokrate (NISMA) me 1 votë (0.33%)
Numërimi i votave me postë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa rezultatet e plota do të jenë përcaktuese për çdo ndryshim eventual në shpërndarjen përfundimtare të mandateve në Kuvendin e Kosovës./Telegrafi/