Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 January 2026Main stream

Kërkohet paraburgim për Sami Mazrekun dhe tre të dyshuar, për të tjerët paraqitje në stacion policor

9 January 2026 at 18:31


Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, ndaj katër të pandehurve që u arrestuan dje gjatë bastisjeve në të gjithë vendin si pjesë e një hetimi kundër dy ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), të cilët dyshohen për keqpërdorime që i kanë shkaktuar dëme byrosë në vlerë mbi 1 milion euro.

Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren të caktojë masën e paraburgimit për ish-drejtorin ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, si dhe F.S., dhe Y.Ç.,

Ndërkaq, për 35 të pandehurit e tjerë, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës ‘Paraqitja në Stacion Policor’ dhe’ Ndalimin’ për t’iu ofruar vendit ose personit të caktuar.

Gjyqtari i procedurës paraprake, ka caktuar seancën dëgjimore në ora 16:00, tha Gjykata Themelore e Prizrenit në një komunikatë për mediat.

Pas përfundimit të kësaj seance, gjykata tha se do të njoftojë publikun me vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake.

Mazreku dhe Berisha u arrestuan gjatë bastisjeve të djeshme nën dyshimin se kanë i kanë keqpërdorur autorizimet e BKS-së duke ua mundësuar personave të ndryshëm që përmes tyre të kryejnë transaksione të jashtëligjshme.

Prokuroria tha se ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë është vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro.

Prokurorët i kanë sekuestruar 23.700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme dhe pajisje elektronike gjatë bastisjeve.

Osmani priti Ambasadorin britanik, diskutohet formimi i institucioneve dhe bashkëpunimi strategjik

9 January 2026 at 18:28


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u diskutuan zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe procesi i themelimit të institucioneve të reja, për të cilin Osmani ka shprehur pritjen që formimi të ndodhë sa më shpejt. Ajo ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme u zhvilluan sipas standardeve më të larta demokratike dhe ka theksuar rëndësinë e funksionimit të shpejtë të institucioneve të reja.

Po ashtu, gjatë takimit u trajtua edhe iniciativa e Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar në fushat e interesit të përbashkët, përfshirë mbrojtjen, sigurinë, ekonominë dhe tregtinë.

Presidenca thekson se këto marrëveshje ishin diskutuar edhe gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Kosovë në prill të vitit të kaluar.

Takimi nënvizon përpjekjet e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimin e procesit demokratik në vend.


Uji në Kosovë pas përmbytjeve, IKSHKP tregon zonat e sigurta dhe ato të rrezikshme për konsum

9 January 2026 at 18:24


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se për shkak të reshjeve të shiut dhe vërshimeve, janë intensifikuar monitorimet e cilësisë së ujit, kësisoj, IKSHPK, ka shtuar se janë marr mostra për analizë fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga sistemet publike të ujëfurnizim.

Në komunikatën e IKSHPK’së, njoftohet edhe për situatën në rajonet e vendit, ku bëhet e ditur se fabrika për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Bivolak janë jashtë funksionit për shkak të turbullirës së madhe, ndërsa ato në Badoc dhe Batllavë funksionojnë normalisht, cilësia e ujit është brenda standardeve.

Pos rajonit të Prishtinës, IKSHPK njofton edhe për situatën në rajonet e tjera.

Njoftimi i plotë:

Si pasojë e reshjeve të shtuara atmosferike ditët e fundit, IKSHPK në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik ka intensifikuar monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar marrje të mostrave për analizë fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga sistemet publike të ujëfurnizimit.

Situata me ujin e pijshëm më 9 janar 2026

Rajoni i Prishtinës

Fabrika për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Bivolak janë jashtë funksionit për shkak të turbullirës së madhe.

Fabrika e ujit në Badoc dhe Batllavë funksionojnë normalisht, cilësia e ujit është brenda standardeve.

Rajoni i Prizrenit

Burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit është lëshuar vetëm për nevoja teknike. Burimet e tjera, si Cvilen dhe Soz, uji është brenda standardeve.

Në Suharekë dhe Dragash uji është brenda standardeve.

Në Malishevë uji përdoret vetëm për nevoja teknike.

Rajoni i Gjilanit

Në qytetin e Gjilanit uji është brenda standardeve.

Në Kamenicë, Viti dhe fshatrat Makresh, Ropotovë, Ranillug dhe Berivojcë vlerat e turbullirës janë të rritura dhe uji nuk rekomandohet për pije.

Rajoni i Pejës

Në qytetin e Pejës dhe Istogut uji është brenda standardeve.

Ujësjellësi Deçan, Junik, Klinë furnizimi me ujë është vetëm për përdorim teknik.

Mbivada dhe Vrella me turbullirë, uji shfrytëzohet vetëm për nevoja teknike.

Burimi i Jarines, uji shfrytëzohet vetëm për nevoja teknike

Rajoni i Ferizajt

Uji është i pijshëm – brenda standardeve.

Rajoni i Gjakovës

Furnizimi me ujë nga rrjeti KRU Gjakova është i sigurtë për pije.

Hoqa e Madhe, Opterusha, Zaqishta vlera të rritura të turbullirës, uji nuk është i pijshëm.

Rajoni i Mitrovicës

Uji përdoret vetëm për nevoja teknike.

IKSHPK në koordinim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik dhe Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit vazhdon me monitorim të shtuar të cilësisë së ujit të pijshëm me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës.

PDK mirëpret aktgjykimin e Kushtetueses për rrëzimin e ligjeve të kontestuara

9 January 2026 at 17:59


Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin 13 ligje të miratuara nga Qeveria Kurti më 5 dhjetor 2024 janë shpallur antikushtetuese.

Ligjet ishin kontestuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së.

Sipas PDK-së, ky vendim është një konfirmim i qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetit, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe funksionimin e komisioneve parlamentare. Partia thekson se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike dhe jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes.

PDK vlerëson rëndësinë e veprimit opozitar të saj, duke theksuar se ka zgjedhur rrugën institucionale për të mbrojtur rendin kushtetues përballë një qeverisjeje që ka shfaqur prirje antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit.

PDK rithekson se Kushtetuta është themeli i shtetit dhe asnjë shumicë parlamentare nuk ka të drejtë ta shkelë atë në emër të pushtetit momental.

PDK thotë se mbetet e vendosur të vazhdojë angazhimin politik dhe institucional për mbrojtjen e rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke theksuar se shteti i së drejtës duhet të mbrohet çdo ditë./Telegrafi/

Pamje me dron nga zjarri katastrofik te Medreseja në Tiranë

9 January 2026 at 17:52


Një zjarr i madh kaishte përfshirë të enjten pasdite tregun e rrobave të përdorura në lagjen ‘5 Maji’ në Tiranë.

Zjarrfikësit kanë vënë nën kontroll zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij.

Për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme, kryesisht tekstile, flakët u përhapën me shpejtësi dhe përfshinë dy kapanone.

Pas disa orësh ndërhyrjeje intensive, forcat zjarrfikëse arritën ta vendosin zjarrin nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tij në objektet e tjera përreth.

FSK përforcon lidhjet me Gardën Kombëtare të Ajovës për avancimin e kapaciteteve profesionale

9 January 2026 at 17:29


Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim zyrtar Drejtorin e Ushtrisë së Gardave Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjenerallejtënant Jonathan M. Stubbs, i shoqëruar nga gjeneral major Levon E. Cumpton dhe delegacioni i tij.

Gjatë takimit, palët diskutuan për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, me theks të veçantë në partneritetin me Gardën Kombëtare të Ajovës. U vlerësua lart mbështetja amerikane në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta si dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me partnerët ndërkombëtarë.

Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë partneritet si thelbësor për zhvillimin, modernizimin dhe profesionalizimin e FSK-së.

Në takim u theksua gjithashtu se Programi i Partneritetit të Përbashkët (State Partnership Program – SPP) ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe FSK-së përfaqëson një shembull suksesi, me rezultate konkrete dhe aktivitete të përbashkëta në fusha të ndryshme.

Në përmbyllje, të dy gjeneralët u pajtuan se thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit është thelbësor për avancimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave, duke theksuar njëherësh rëndësinë e mbështetjes së SHBA-së në përmbushjen e synimeve strategjike të Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal./Telegrafi/


Cakolli: Kushtetuesja rrëzoi ligjet e 5 dhjetorit për shkelje procedurale, jo për përmbajtje

9 January 2026 at 17:21


Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese, përmes dy aktgjykimeve, ka rrëzuar pothuajse të gjitha ligjet e miratuara në seancën e Kuvendit të mbajtur më 5 dhjetor 2024, përfshirë edhe Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sipas Cakollit, asnjë nga këto ligje nuk është shpallur antikushtetues për shkak të përmbajtjes së tyre. Ai ka theksuar se Gjykata nuk është marrë fare me substancën e ligjeve, por i ka rrëzuar ato për shkak të shkeljeve serioze procedurale gjatë miratimit, të cilat kanë cenuar thelbin e funksionimit parlamentar.

Ai ka bërë të ditur se, në disa raste, komisionet parlamentare kanë qenë të obliguara të shqyrtojnë projektligje, amendamente dhe raporte brenda afateve prej vetëm 5 deri në 20 minutash. Për ligje të tjera, materialet për shqyrtim u janë shpërndarë deputetëve pas kohës së paraparë për fillimin e seancës plenare.

Cakolli ka theksuar se në rastin konkret të Ligjit për Byronë, dokumentet përkatëse u janë dërguar deputetëve rreth 21 minuta pas orarit zyrtar të fillimit të seancës, duke e bërë të pamundur një shqyrtim real parlamentar.

Sipas tij, me afate të tilla deputetët nuk kanë pasur kohë reale për lexim, debat apo vlerësim të ligjeve, çka ka bërë që roli i tyre të reduktohet në votim formal. Ai ka vlerësuar se një vit me përqindje rekord të ligjeve të miratuara nuk mund të konsiderohet sukses, nëse ky rezultat arrihet duke anashkaluar procedurat e rregullta parlamentare.

Ai ka theksuar se rëndësia kryesore e këtyre aktgjykimeve qëndron në vendosjen e një standardi të qartë se procedurat parlamentare duhet të respektohen në plotni, përveç rasteve vërtet emergjente.

Ai ka paralajmëruar se miratimi i dhjetëra ligjeve brenda një seance të vetme cenon parlamentarizmin, cilësinë e ligjeve dhe mandatin e deputetëve, duke theksuar se deputetët janë ligjvënës e jo “makineri votimi”./Telegrafi/


Jakaj nga IKD: Procedura e miratimit të 12 ligjeve cenoi demokracinë parlamentare

9 January 2026 at 17:12


Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kritikuar ashpër mënyrën se si Kuvendi i Kosovës i ka miratuar 12 ligje më 5 dhjetor të vitit të kaluar, duke vlerësuar se procedura e ndjekur ka cenuar rëndë demokracinë parlamentare dhe shtetin e së drejtës.

Përmes një reagimi publik, Jakaj ka theksuar se pavarësisht se ligjet e miratuara mund të jenë të mira dhe të rëndësishme për vendin, mënyra e miratimit të tyre ka qenë “fatale” për procedurën parlamentare.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar disa shkelje serioze në procesin legjislativ, përfshirë miratimin e ligjeve brenda një dite, në lexim të parë dhe të dytë, duke e shndërruar procesin legjislativ në një procedurë formale dhe jo përmbajtësore.

Jakaj ka kritikuar gjithashtu anashkalimin e komisioneve parlamentare, të cilave, sipas tij, u janë dhënë vetëm disa minuta për shqyrtimin e projektligjeve, gjë që ka pamundësuar analizën profesionale dhe substanciale të tyre.

Ai ka vlerësuar se ka munguar debati parlamentar, pasi deputetët nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar materialet, për të diskutuar apo për të propozuar amendamente. Po ashtu, është përdorur pa arsye procedura e përshpejtuar, pa ekzistuar situata emergjente apo arsye objektive që do ta justifikonin shmangien nga afatet e rregullta ligjore.

Sipas Jakajt, materialet ligjore janë shpërndarë me vonesë, madje edhe pas fillimit të seancave, duke cenuar transparencën dhe cilësinë e procesit vendimmarrës. Ai ka theksuar se deputetëve u është pamundësuar ushtrimi real i mandatit, duke u reduktuar në votues formalë, pa rol të vërtetë në hartimin e ligjeve.

Në fund, Jakaj ka vlerësuar se kjo mënyrë e miratimit të ligjeve ka cenuar standardet e shtetit të së drejtës, pasi procedurat e shkurtra kanë shkelur parimet e ligjshmërisë, përgjegjshmërisë dhe procesit demokratik./Telegrafi/


Kushtetuesja bllokon ligjin për konfiskim të pasurisë, reagon ashpër ministri i Drejtësisë

9 January 2026 at 17:04


Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas pranimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar procesin si të vonuar dhe të dëmshëm për luftën kundër korrupsionit.

Përmes një postimi në Facebook, Sallahu ka bërë të ditur se aktgjykimi është pranuar pas një viti e 28 ditësh, duke tejkaluar, sipas tij, afatet ligjore të parapara. Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje procedurale gjatë miratimit të projektligjit në Kuvend, për çka ligji duhet të kthehet sërish për rishqyrtim dhe miratim.

Sallahu e ka cilësuar të papranueshme mbajtjen e një ligji kaq të rëndësishëm për më shumë se një vit për arsye procedurale, duke e quajtur këtë veprim joligjor, joprofesional dhe joetik.

Sipas tij, vonesa të tilla cenojnë kompetencat kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në procesin e miratimit të ligjeve dhe dëmtojnë përpjekjet institucionale për luftimin e krimit dhe korrupsionit, veçanërisht të zyrtarëve publikë.

Megjithatë, ministri në detyrë i Drejtësisë ka shprehur bindjen se, pavarësisht pengesave, procesi i konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme do të nisë gjatë këtij viti./Telegrafi/


Reshjet rrisin prodhimin, Shqipëria shet energji në tregun e huaj

9 January 2026 at 16:54


Reshjet e ditëve të fundit kanë përmirësuar situatën e prodhimit të energjisë elektrike ndërsa prurjet në Kaskadën e Drinit kanë shënuar nivele të larta. Për këtë arsye, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur procedura për të shitur energji elektrike në tregun e huaj.

Përmes një procedure të zhvilluar për periudhën 10–11 janar, KESH ka arritur të shesë 19 000 megavat-orë energji, me çmim mesatar 57.6 euro, duke gjeneruar rreth 1.1 milionë euro të ardhura.

Ndërkaq, sipas të dhënave të përditësuara mbi situatën në Kaskadën e lumit Drin, prurjet natyrore në Fierzë janë 1500 m³/s, në Koman 500 m³/s, ndërsa në hidrocentralin e Vaut të Dejës 60 m³/s. Në raport me një ditë më parë, prurjet natyrore kanë shënuar rënie të ndjeshme. Ndërkohë, prodhimi ditor në të tre HEC-et është 16 300 MWh dhe, në krahasim me një ditë më parë, vihet re një rritje e prodhimit ditor, sipas të dhënave të raportuara nga KESH.

Sa i takon niveleve në liqenet e Kaskadës së Drinit, Fierzë ka arritur nivelin 290 metra mbi nivelin e detit, Koman 173 m, ndërsa Vau i Dejës 75 m. Po ashtu, KESH njofton se po vazhdojnë shkarkimet nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës.

Ditët e para të këtij viti tregojnë për një situatë krejt tjetër nga ajo e vitit të kaluar, kur për shkak të mungesës së reshjeve të shiut, KESH kërkonte të blinte energji elektrike jashtë vendit./Euronews Albania/

- YouTube youtu.be

Ankesa e PDK-së, Gjykata Kushtetuese rrëzon 12 vendime të Kuvendit

9 January 2026 at 16:12


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e paraqitura nga dymbëdhjetë deputetë të Kuvendit nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimeve të Kuvendit për miratimin e 15 ligjeve më 5 dhjetor 2024.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata ka vendosur që 12 nga vendimet e kontestuara të Kuvendit nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

Vendimet që Gjykata i ka shpallur jokushtetuese janë ato përmes të cilave janë miratuar këto ligje:

Ligji për Shërbimet e Pagesave;
Ligji kundër dukurive negative në sport;
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit;
Ligji për provimin e maturës shtetërore;
Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm;
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim;
Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale;
Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore;
Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore;
Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore;
Ligji për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.

Ndërkaq, Gjykata ka vendosur se tre vendime të Kuvendit janë në përputhshmëri me Kushtetutën, përkatësisht vendimet për miratimin e:

Ligjit për Bankat;
Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut;
Ligjit për Gjykatën Administrative.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se, për ligjet e shpallura jokushtetuese, procedurat e ndjekura nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 nuk kanë qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese që rregullojnë ushtrimin e funksionit të deputetëve, rregulloren e punës dhe rolin e komisioneve parlamentare.

Aktgjykimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesave të bashkuara KO246/24 deri KO260/24, të parashtruara nga deputetët e PDK-së, dhe është miratuar më 9 janar 2026.

Aktgjykimi i plotë

Mustafa: Votimi i Hashim Thaçit për president ishte gabim trashanik për LDK-në

8 January 2026 at 23:19


Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë një paraqitjeje në emisionin Debat Plus, ka deklaruar se votimi i Hashim Thaçi për president nga LDK-ja ka qenë, sipas tij, një gabim i madh.

“Ajo që ka rezultuar me Hashim Thaçin ka qenë gabim trashanik për LDK-në kur e ka votuar dhe ky është mendim personal i imi që ka qenë gabim atëherë dhe LDK duhet me qenë e vetëdijshme për të gjitha veprimet”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar se për zgjedhjen e presidentit është thelbësore arritja e një konsensusi të gjerë ndërmjet partive politike.

“Ajo që është e rëndësishme për me zgjedh një president është me pas konsensus mes partive politike”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka shtuar se qëndrimi në sallë apo votimi kundër, në rastin e zgjedhjes së presidentit, prodhon të njëjtin efekt

“Pra, e krijon kuorumin, votove a s’votove e krijon kuorumin, rezultati është i njëjtë – zgjidhet ose nuk zgjidhet presidenti”, ka thënë ai.

Në fund, Mustafa ka theksuar se konsensusi ndërpartiak është i domosdoshëm edhe në rast se kryeministri Albin Kurti synon rizgjedhjen e Vjosa Osmani si presidente, duke nënvizuar se një gjë e tillë kërkon marrëveshje me partitë e tjera politike.

Yesterday — 8 January 2026Main stream

Lushaku-Sadriu e LDK-së: S'kemi obligim t’i japim mbështetje Osmanit - ishte e njëanshme

8 January 2026 at 22:55


Jehona Lushaku-Sadriu e Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë një paraqitjeje në emisionin Debat Plus, ka deklaruar se partia e saj nuk ka obligim as të qëndrojë në sallë, as t’i japë mbështetje Vjosa Osmani për një mandat tjetër si presidente.

Ajo ka kritikuar Osmanin për, siç tha, njëanshmëri gjatë ushtrimit të detyrës.

“Gjatë këtyre pesë viteve kemi parë një presidente që në shumë momente ka qenë e anshme. Presidentja duhet të jetë mbi partitë politike dhe të ketë një rol unifikues e përbashkues, dhe vendimet e saj të jenë në interes të vendit. Shpeshherë kemi parë vendime që kanë dhënë efekte dhe anësi politike ndaj partisë që ka qenë në pushtet”, ka thënë ajo.

Lushaku-Sadriu theksoi se për këto arsye, LDK nuk e sheh si obligim pjesëmarrjen në sallë apo dhënien e mbështetjes për Osmanin.

“Prandaj ne nuk e shohim si diçka që neve na obligon që të rrimë në sallë e as që t’i japim mbështetje. Pra, ne si deputetë duhet ta kryejmë obligimin tonë duke votuar ose duke marrë një qëndrim politik. Normalisht që si parti politike, në këtë moment, për aq sa kemi përgjegjësi, duhet të jemi edhe përgjegjës në kuptimin e marrëveshjeve politike”, ka deklaruar ajo.

Cakolli: Gjasat për zgjedhje janë reale, mund të mbahen në javën e dytë të prillit

8 January 2026 at 22:45


Eugen Cakolli nga KDI, në RTV21, nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve në prill të 2026.

Siç vlerësoi ai, mosgatishmëria e liderit të LVV-së, Albin Kurti, që të ketë një koalicion me ndonjë parti për postin e presidentit, bën që gjasat për zgjedhje janë reale.

“Megjithëse unë besoj që mund të gjendet ndonjë zgjidhje deri në atë kohë, por nëse do të kemi zgjedhje, ato do të mbahen në javën e dytë të muajit prill, respektivisht diku nga data 1 deri më 20 prill”, tha ai.

Sipas tij, presidenti duhet të votohet më së largu deri më mars, ose vendi do të shkojë automatikisht drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Tutje, ai tha se presioni më i madh për votat për presidenten Vjosa Osmani do të bjerë mbi LDK-në.

“Meqenëse LVV pritet t’i ketë 57 deputetë, numër të cilit nëse i shtohen edhe 11 deputetët nga komunitetet jo-shumicë dhe një nga komuniteti jo-serb, atëherë e çon numrin në 68 deputetë, por që zakonisht partitë janë kujdesur që mos ta lënë për një deputet dhe, natyrisht, barra më e madhe e presionit do të bjerë mbi LDK-në… për faktin se po tentohet që të gjendet një fajtor kujdestar në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit”, tha ai.

Cakolli shtoi se Kurtit nuk i bëhet vonë nëse dështon zgjedhja e presidentit, pasi që ka tri mandate.

Votat e fundit nga diaspora, këto janë rezultatet

8 January 2026 at 22:39


(E përditësuar) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon verifikimin dhe numërimin e 3,185 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur së fundmi nga diaspora.

Deri më tani janë numëruar 28 kuti votimi, ndërsa mbeten për t’u numëruar edhe 9 të tjera.

Rezultatet e përkohshme nga këto fletëvotime janë:

LVV: 1779 vota
PDK: 276 vota
LDK: 160 vota
AAK: 85 vota

Këto rezultate nuk kanë ndryshuar raportin e mëparshëm të mandateve në Kuvend.

Fletëvotimet janë tërhequr nga kutitë postare në disa qytete të diasporës: Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404).

Numërimi i këtyre votave shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025./Telegrafi/

Lidhja e Bizneseve: Zjarri në Comodita goditje e rëndë për ekonominë dhe prodhimin vendor

8 January 2026 at 21:59


Zjarri që ka përfshirë kompaninë “Comodita” në Gjakovë përbën një goditje të rëndë për industrinë prodhuese të Kosovës dhe për ekonominë e vendit. Ngjarja prek drejtpërdrejt mijëra punëtorë dhe familjet e tyre, qytetin e Gjakovës dhe gjithë zinxhirin ekonomik që varet nga kjo ndërmarrje strategjike.

“Comodita” përfaqëson një shtyllë të prodhimit vendor dhe është një histori suksesi kosovare, e ndërtuar me punë dhe sakrificë ndër vite. Çdo dëmtim i kësaj kompanie reflekton si humbje për ekonominë e Kosovës dhe prodhimin vendor.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh solidaritet të plotë me pronarin, Shkëlqim Devollin, menaxhmentin dhe punëtorët e “Comodita”. Po ashtu, ajo kërkon reagim të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës, institucionet përgjegjëse dhe pushteti lokal, përmes mbështetjes institucionale, financiare dhe administrative, me qëllim rimëkëmbjen sa më të shpejtë të kompanisë dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Në situata të tilla, shteti duhet të qëndrojë fuqishëm pranë prodhuesve vendorë. Mbrojtja e industrisë është njëkohësisht mbrojtje e punëtorëve, familjeve dhe ekonomisë kombëtare.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shpresën që dëmet të jenë sa më të vogla dhe që “Comodita” të ringrihet shpejt dhe më e fortë se më parë, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit vendor.

PDK-ja kërkon shfuqizimin e mijëra votave me postë

8 January 2026 at 21:47


Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar zyrtarisht shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke u thirrur në shkelje ligjore.

PDK - e cila doli e dyta në zgjedhje - parashtroi ankesë në Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të enjten.

Ajo tha se mbi 20.000 fletëvotime ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.

Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu një ditë pas zgjedhjeve.

Neni 96 thotë se “vota përmes votimit jashtë Kosovës, e dërguar me postë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, pranohet nga KQZ-ja deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00, me kusht që të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve”.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, shkroi të enjten në Facebook se propozimi për pranimin e fletëvotimeve pas afatit u miratua në KQZ “me vetëdije se po bëhej shkelje ligjore, edhe pse kjo u arsyetua me qëllimin që të mos keqkuptohej se jemi kundër mërgatës”.

“Prandaj, organet kompetente duhet të vendosin në mënyrë meritore lidhur me vendimin e KQZ-së për pranimin e fletëvotimeve jashtë afatit ligjor”, shkroi Gashi.

Por, Alban Krasniqi - anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, e cila i fitoi bindshëm zgjedhjet përfshirë edhe votat me postë – e akuzoi PDK-në për ankesë të “turpshme” kundër mërgatës.

“Vetë e votuan në KQZ procedurën dhe afatet, e tash kur mërgata u vetorganizua dhe arriti të sjellë fletëvotimet nga gjithandej globit, këtyre u djeg ky fakt duke harruar që humbjen nuk e kanë nga mërgata, e as nga votuesit në Kosovë, por nga sjellja, veprimet dhe vendimet e dëmshme të vet PDK-së”, shkroi Krasniqi në Facebook të enjten.

Rreth 51.000 qytetarë të Kosovës në mërgatë ishin regjistruar për të votuar përmes postës në këto zgjedhje.

Kur janë numëruar rreth 80 për qind të votave me postë, Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti i ka fituar 30.671 vota, ndërsa PDK-ja vetëm 4.335 vota.

Para fillimit të numërimit të votave me postë, PDK-ja ishte në rrugë për t’i fituar 23 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por tani ajo ka humbur një ulëse.

Vetëvendosje, ndërkohë, ka fituar 57 ulëse dhe Kurti pritet ta themelojë qeverinë e re të vendit sapo të verifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

KQZ-ja njoftoi të enjten vonë se është buzë përfundimit të numërimit të votave me postë, të fundit, para shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe verifikimit të tyre.

"Ka filluar numërimi i pjesës së fundit fletëvotime, mbi 3 mijë, që gjatë ditës janë sjellur në Kosovë", tha KQZ-ja në Facebook./Radio Evropa e Lirë/

Belgjika shqyrton burgje në Kosovë dhe Shqipëri për migrantët e parregullt

8 January 2026 at 21:29


Ministrja e Migracionit e Belgjikës, Anneleen Van Bossuyt, ka bërë të ditur se qeveria belge po shqyrton “çdo zgjidhje të mundshme” për të rritur kthimin e migrantëve të parregullt, përfshirë edhe ndërtimin ose marrjen me qira të hapësirave të burgimit në Kosovë dhe Shqipëri.

Në një intervistë për Euronews, Van Bossuyt konfirmoi se gjatë vizitave në Shqipëri dhe Kosovë janë zhvilluar bisedime konkrete me autoritetet përkatëse. “Ne po shikojmë çdo zgjidhje të mundshme për të rritur shkallën e kthimeve. Kjo është një nga mundësitë që po e shqyrtojmë së bashku me ministrinë e drejtësisë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, bisedimet me Shqipërinë synojnë strehimin e shtetasve shqiptarë që aktualisht ndodhen në burgjet belge. Ndërsa për Kosovën, ministrja tha se qeveria e saj po shqyrton mundësinë e strehimit të personave që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë dhe ndodhen në burgje, pavarësisht kombësisë së tyre.

“Në Kosovë, ne po shikojmë mundësinë për të strehuar njerëz që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë, por që ndodhen në burgjet tona”, deklaroi Van Bossuyt.

Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor po shihet si një hapësirë për zgjidhje “inovative” në fushën e migracionit dhe se Belgjika mbetet e hapur edhe për partneritete të tjera. “Ne kemi qenë në Shqipëri dhe Kosovë, kemi folur me ministrat përgjegjës, por ndoshta në të ardhmen do të ketë edhe mundësi apo vende të tjera”, tha ministrja belge.

Shtëllunga deri në qiell, shkrumbohet tregu i rrobave të përdorura në Tiranë

8 January 2026 at 21:01


Një zjarr i përmasave masive ka rënë mbrëmjen e sotme në Tiranë, duke përfshirë një zonë industriale dhe tregtare. Sipas raportimeve, flakët kanë “pushtuar” disa magazina të tregut të rrobave të përdorura, të cilat ndodhen përgjatë rrugës “5 Maji”.

Për shkak të natyrës së materialeve që ndodhen në magazina (tekstile, rroba), zjarri ka marrë përmasa të mëdha në një kohë të shkurtër, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e menjëhershme.

Tym i zi dhe flakë të larta janë të dukshme nga disa zona të Tiranës. Deri më tani, raportohet për dëme materiale, me disa magazina që dyshohet se janë përfshirë nga flakët.

Fatmirësisht, raportohet se nuk ka persona të lënduar apo rrezik për jetën e banorëve përreth, megjithëse paniku ka qenë i madh.

Ende nuk dihen shkaqet që kanë shkaktuar këtë zjarr masiv. Ekspertët pritet të nisin hetimet sapo të bëhet e mundur shuarja e plotë e flakëve. Shumë forca zjarrfikëse dhe mjete policie ndodhen aktualisht në vendngjarje duke punuar për lokalizimin e vatrës./RTSH

Drejtori Llugaliu: Viti 2025 konfirmoi rekorde të reja për Doganën e Kosovës

8 January 2026 at 20:57


Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka bërë të ditur se viti 2025 ka siguruar vijimësinë e rezultateve rekord për këtë institucion, duke e cilësuar atë si një vit të performancës së lartë fiskale, operacionale dhe institucionale.

Në një postim të publikuar në rrjetin social LinkedIn, Llugaliu thekson se të hyrat e Doganës kanë arritur në 1.965 miliard euro, me një rritje prej 132 milionë euro krahasuar me vitin 2024 dhe mbi 3.5 për qind më shumë se projeksioni qeveritar. Sipas tij, këto rezultate janë dëshmi e menaxhimit efikas edhe në kushte të politikave lehtësuese për bizneset.

Llugaliu sqaron se vetëm gjatë vitit 2025, lirimet nga taksat për prodhuesit dhe nga marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë arritur vlerën prej 67 milionë euro, duke e çuar totalin e taksave të liruara në këto kategori në 407 milionë euro.

Drejtori i Doganës vë në pah edhe intensifikimin e luftës kundër ekonomisë joformale, e cila ka ndikuar në rritjen e qëndrueshme të të hyrave, pothuajse dy herë më shpejt se rritja ekonomike. Ndërkohë, sekuestrimet dhe konfiskimet kanë tejkaluar ndjeshëm nivelin e vitit 2024 dhe janë mbi katër herë më të larta krahasuar me vitin 2019.

Sipas Llugaliut, mbrojtja e shoqërisë është forcuar përmes goditjeve të drejtpërdrejta ndaj narkotikëve, armëve, eksplozivit dhe mallrave të rrezikshme, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sigurisë së vendit.

Ai nënvizon se, sipas të dhënave të CEFTA-s, Kosova prin në rajon për kohën më të shpejtë të zhdoganimit, duke e pozicionuar Doganën e Kosovës si një nga administratat më efikase doganore në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të zhvillimit institucional, Llugaliu përmend reformat e vazhdueshme, dixhitalizimin dhe inovacionin, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në menaxhimin e riskut dhe sistemet Track & Trace, që po e bëjnë Doganën më moderne dhe më funksionale.

Po ashtu, ai thekson rëndësinë e rekrutimit të gjeneratës së re prej 107 zyrtarësh doganorë, si investim strategjik në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme për të ardhmen.

“Në thelb, këto rezultate përkthehen në një Doganë më të fortë, për një ekonomi më të drejtë dhe një shoqëri më të sigurt”, përfundon Llugaliu në mesazhin e tij.

❌
❌