Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion të përhapur, kapje të shtetit dhe bashkëpunim me krimin e organizuar, duke deklaruar se Shqipëria po shndërrohet në një vend të pasigurt për qytetarët.
Në një deklaratë publike nga Kryesia e Kuvendit, Balliu tha se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe Bashkimi Europian, kanë ndërmarrë masa kufizuese ndaj Shqipërisë, duke i lidhur ato me, sipas tij, skandale të rënda korrupsioni dhe keqpërdorimi të fondeve publike.
Ai iu referua veçanërisht situatës në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke pretenduar se aty është ngritur një sistem i lidhur me krimin e organizuar, që sipas tij ka çuar në vendimin e Bashkimit Europian për të pezulluar fondet për dixhitalizimin.
DEKLARATA
Të nderuar qytetarë,
Si pasojë e vjedhjes sistematike, korrupsionit të shfrenuar, kapjes së shtetit, mungesës së lirisë dhe, mbi të gjitha, bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të qeverisë me kartelet e drogës, Shqipëria sot është kthyer në një vend të pasigurt. E ardhmja e çdo qytetari është e errët dhe e kërcënuar.
Jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë masa kufizuese, por edhe Bashkimi Europian, si pasojë e skandalit të fundit tek AKSHI, ku u faktua ngritja e një sistemi narko-terrorist nën drejtimin e Edi Ramës. Një sistem ku kartelet kontrollojnë segmente të sigurisë kombëtare dhe marrin peng biznesmenë që nuk pranojnë të tërhiqen nga tenderat publikë. Për këtë arsye, komuniteti europian vendosi të pezullojë fondet për dixhitalizimin, pasi tashmë është e provuar se Shqipëria ka një qeveri që vjedh fondet publike.
Ndërkohë, Edi Rama tallet me shqiptarët duke folur për integrim në Bashkimin Europian, në një kohë kur vetë Bashkimi Europian pezullon fondet për Shqipërinë për shkak të vjedhjeve dhe bashkëpunimit të tij me bandat kriminale.
Sot vendi ndodhet në rrezik serioz, ndërsa e ardhmja e qytetarëve është e kërcënuar, sepse qeveria po negocion interesat kombëtare të Shqipërisë për interesa të ngushta monetare të pushtetit.
Çdo ditë e më shumë po largohemi nga misioni ynë për t’u integruar në botën euro-atlantike, dhe kjo ndodh vetëm për faj të Edi Ramës.
AKSHI është pasqyra më e qartë e sistemit narko-terrorist të ngritur nga Rama, ku trafikantët dhe grupet kriminale kontrollojnë institucionet shtetërore.
Sot, Edi Rama është i vetmi kryeministër në botë që ka ngritur një post të posaçëm për të kontrolluar gjithçka: koordinatorin e krimit të organizuar brenda qeverisë.
Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Shqipëria vizitohej nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara; sot, shqiptarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm drejt SHBA-së, sepse udhëhiqen nga një qeveri e karteleve. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Bashkimi Europian sillte fonde për Shqipërinë, si në bujqësi ashtu edhe në dixhitalizim; sot këto fonde janë bllokuar, sepse BE deklaron qartë se ato vidhen nga qeveria.
Më 24 janar, të bashkohemi për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë nga babëzia, korrupsioni dhe kartelet e qeverisë.