Pse rrodhi ujë nga Tuneli i Llogarasë? Eksperti shpjegon fenomenin që u bë viral
Një nga pamjet e shumta virale të përmbytjeve që kanë zgjatur për rreth një javë në vend ishte edhe momenti që tregonte një rrjedhje uji nga tavani në Tunelin e Llogarasë.
Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, eksperti për menaxhimin e burimeve ujore, Arduen Karagjozi, shpjegoi procesin nga pikëpamja gjeologjike, se përse mund të ketë ndodhur kjo gjë.
Biseda në studio:
Blendi Fevziu: Pati ujë në disa segmente të Tunelit të Llogarasë, që m’u duk pak e çuditshme. Karagjozi, çfarë mund të jetë? Aty nuk doli ujë gjatë punimeve për hapjen e tunelit, domethënë ishte i thatë gjithë gjithi. Tani është shkëmb shumë i fortë.
Arduen Karagjozi: Sepse punimet janë bërë përgjithësisht në kohë të thatë dhe nuk ka pasur këtë intensitet reshjesh.
Blendi Fevziu: Është punuar për 3 vjet aty, dimër-verë…
Arduen Karagjozi: Klodi e di më mirë, por nga informacioni që unë di nga gjeologjia, aty formacionet gjeologjike gëlqerore, të cilat filtrojnë ujë nga mali, dhe fakti që në pjesën e poshtme nuk ka fare burime, nënkupton që ato nuk kapin ndonjë shtresë të fisur që të krijojë mbajtje të ujit sipër dhe, normalisht, i gjithë uji, siç bie nga mali, futet nëpër këto hapësira që ka shkëmbi gëlqeror dhe shkon drejt detit. Në këtë rast, tuneli ka depërtuar në këto shtresa dhe, në rastet kur bie shi, kjo kullon ujë sipër.
Blendi Fevziu: Por kjo ndodhi këtë herë, sepse ka rënë shi një vit…
Arduen Karagjozi: Po, sepse këtë herë niveli i ujit ka qenë më i lartë dhe ka krijuar një ngarkesë më të madhe se ato të mëparshmet.
Blendi Fevziu: Krijon dëmtim?
Arduen Karagjozi: Nuk e besoj, është një ç’fryrje presioni. Besoj se do të ketë water-stop në pjesën që lidh dy segmentet me njëra-tjetrën, por presioni këtë herë duhet të ketë qenë më i madh, por s’besoj të ketë probleme të qëndrueshmërisë në asnjë rast.
