Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 December 2025Main stream

Në këtë vend, varrimet bëhen vetëm natën për shkak të…

By: Fax Web
29 December 2025 at 18:44

Qyteti i Kuvajtit ka duruar një vapë aq përvëluese saqë jeta e egër po gatuhet e gjallë.

Qyteti i Lindjes së Mesme është bërë një paralajmërim i fortë për ndikimin shkatërrues të ndryshimeve klimatike, me zogj që bien pa jetë nga qielli përvëlues dhe peshq që zihen në det.

Një temperaturë marramendëse prej 54 gradësh Celsius u regjistrua në stacionin meteorologjik Mitribah më 21 korrik 2016, duke e bërë Kuvajtin vendin e tretë më të nxehtë në Tokë.

Shkencëtarët e klimës paralajmërojnë për një të ardhme të zymtë, duke parashikuar se ky vend shkretëtirë mund të shohë temperaturat të rriten deri në 5.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit krahasuar me nivelet e fillimit të viteve 2000.

Vetëm në vitin 2023, termometri u ngjit mbi 50 gradë Celsius në 19 ditë të ndara, një shifër që shumë njerëz e kanë frikë se është vetëm fillimi.

EMRI/ Barcelona piketon pasardhësin e Lewandowskit

By: Fax Web
29 December 2025 at 18:27

Dusan Vlahoviç vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes tek Juventus.

Sulmuesi serb, aktualisht i dëmtuar dhe që mund të rikthehet në fushë vetëm në mars, ka kontratë deri në qershor 2026.

Pavarësisht një nisjeje shumë të mirë sezoni, nuk ka pasur hapa përpara për rinovimin me bardhezinjtë. Kjo do të thotë se nga janari ai mund të nisë bisedimet me klube të tjera për një transferim me parametër zero, duke u bashkuar nga sezoni i ardhshëm.

Interesi për ish-lojtarin e Fiorentinës është i madh dhe, sipas zërave nga Spanja, Barcelona është në “pole position”.

Sipas të përditshmes sportive spanjolle “Marca”, katalanasit e shohin Vlahoviç si zëvendësuesin perfekt të Robert Lewandowskit.

Klubi blaugrana ka nisur kontaktet e para për transferimin falas nga sezoni i ardhshëm, por ekziston edhe hipoteza e një blerjeje që në janar, me kushte ekonomike shumë të favorshme, për shkak të skadencës së kontratës.

Edhe kontrata e Lewandowskit skadon në qershor 2026 dhe as në atë front nuk ka zhvillime për rinovim.

“Vendimi për Ballukun u diktua nga Rama”/ Kushtetuesja: Të pavërteta. Më 22 janar, seanca plenare publike

By: Fax Web
29 December 2025 at 18:14

Gjykata Kushtetuese reagon lidhur me zërat në media, përfshirë edhe liderin e Opozitës Sali Berisha, lidhur me vendimin e saj për të rikthyer në detyrë zv/kryeministren Belinda Balluku.

Përmes një sqarimi për publikun dhe median, Kushtetuesja i përgënjeshtron këto deklarata duke i cilësuar ato si të pavërteta.

“Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Gjykata u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe publikë të tregohen të matur në deklarata, duke paralajmëruar se komentet e nxituara dhe përgojimi i gjyqtarëve apo i institucionit në tërësi cenojnë procesin e rregullt kushtetues dhe krijojnë përshtypje paragjykimi.

Gjykata Kushtetuese thekson se vendimmarrja e saj duhet të mbetet e pavarur dhe e pandikuar nga presioni publik apo keqinformimi, duke ritheksuar se integriteti dhe autoriteti i saj janë thelbësore për ruajtjen e besimit të publikut.

Reagimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Sqarim për publikun dhe median

Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta.

Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.

Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.

LEXO EDHEGjykata Kushtetuese rrëzon GJKKO-në, rikthen në detyrë Belinda Ballukun

Çështja në fjalë ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria e Shqipërisë, duke e konsideruar vendimin e pezullimit si “një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave“.

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë gjithashtu kishte kërkuar pezullimin e efekteve të vendimit të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.

Më 19 nëntor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të pezullojë nga detyra zv.kryeministren Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën “ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Balluku është e pandehur dhe akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Ajo ka mbajtur postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit të vitit 2019 dhe të zv.kryeministres prej korrikut 2022.

“Ulemi dhe diskutojmë…”/ Osmani: Synoj edhe një mandat të dytë si presidente

By: Fax Web
29 December 2025 at 18:06

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026.

Osmani foli një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rezultatet preliminare të të cilave e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 49% të votave.

Nëse partitë politike nuk arrijnë ndonjë kompromis për çështjen e presidentit të ri, atëherë vendi do të përballet me një cikël të ri zgjedhor.

Presidentja Osmani tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.

Radio Evropa e Lirë: E thatë vetë, tash gjasat janë të mëdha që institucionet të zgjidhen dhe qeveria të bëhet. Pastaj Kosovën e pret një tjetër zgjedhje. Mandati juaj përfundon në prill. A synoni mandat të dytë?

Vjosa Osmani: Përgjatë këtyre pesë vjetëve kemi bërë maksimumin që të punojmë shumë për interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kemi punuar që Kosova të mos konsiderohet thjesht si një shtet që ndjek zhvillimet, por si një prej faktorëve të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare që ka rol në përcaktimin e këtyre zhvillimeve. Përgjatë këtyre pesë vjetëve, Kosova është fuqizuar si shtet, brenda dhe jashtë. Brenda, në radhë të parë, për shkak se e ka shtrirë sovranitetin në çdo milimetër të territorit të vendit, kemi fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit që ka qenë një prej prioriteteve tona të përbashkëta që nga koha kur jam zgjedhur presidente në fillim të vitit 2021, dhe natyrshëm në arenën ndërkombëtare Kosova kurrë nuk ka qenë më e përfaqësuar dhe më e fortë, sado që kemi pasur sfida, por sfidat në radhë të parë kanë ardhur nga Serbia, e cila, siç e dini, ka eskaluar edhe me akt-agresionin ndaj Republikës së Kosovës, dhe me sulme ndaj infrastrukturës tonë kritike, dhe me një sërë aktesh destabilizuese.

Në rrethana të tilla, si institucione të Kosovës, kemi bërë të pamundurën dhe besoj kemi arritur që të mbrohet interesi i Republikës së Kosovës, që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial, që në asnjë moment të mos vihet në pikëpyetje sovraniteti ynë, shtetësia jonë, parimi i unitaritetit të shtetit, dhe njëkohësisht e kemi përfaqësuar Republikën e Kosovës denjësisht para syve të botës, duke ndërtuar një imazh të denjë, të tillë siç e meritojnë qytetarët tanë. Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës. Do ta shohim se kush do të jenë ata që do të zgjidhen.

Shpresoj në maturi, shpresoj në përgjegjshmëri, dhe shpresoj që kjo votë të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit. Madje, do të propozoja që fare të mos bëjnë pauzë, të votohet Kuvendi, të votohet Qeveria paradite, dhe menjëherë pasdite të përfundojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe, pastaj, ndoshta të nesërmen, ulemi dhe diskutojmë se si t’i arrijmë dy të tretat sa i përket mandatit të dytë, siç e përmenda, me shpresën që deputetët e Kuvendit të Kosovës, të të gjitha partive, do të dëshirojnë që ta vendosin para së gjithash vazhdimësinë e punëve të mira dhe interesin e Kosovës në njërën anë, dhe respektimin e vullnetit qytetar i cili besoj është i qartë për të gjithë”.

Zgjedhjet në Kosovë, BE: Mezi presim konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re

By: Fax Web
29 December 2025 at 17:50

Bashkimi Evropian apelon për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re në Kosovë.

Zv/presidentja Kaja Kallas dhe Komisionerja për Zgjerim Marta Kos, përmes një deklarate, shprehen ndër të tjera se,

“Presim me padurim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme të lidhura me BE-në”. 

Deklaratë nga Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendëspresidentja Kallas dhe Komisionerja për Zgjerim Kos:

Të dielën, më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës ushtruan të drejtën e tyre demokratike duke votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Pas ngërçit politik që pasoi zgjedhjet e shkurtit 2025, presim me padurim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme të lidhura me BE-në. 

Bashkimi Evropian vlerëson pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje. Procesi zgjedhor dëshmoi një përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike. Bashkimi Evropian ka dërguar një Mision Ekspertësh për Zgjedhjet (EEM), i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore.

I bëjmë thirrje Kuvendit që sapo të konstituohet, të ratifikojë marrëveshjet e lidhura me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron ai, për të mirën e popullit të saj.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të mbetet e vetmja rrugë për të dyja palët për të arritur përparim në rrugën e tyre evropiane. Presim që të gjitha obligimet që rrjedhin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut, të zbatohen pa vonesa të mëtejshme ose parakushte. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë sapo kushtet ta lejojnë atë.

Përkujtojmë se BE-ja po ecën përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës. 216 milionë euro ndihmë financiare tashmë janë liruar nga masat pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale. Po ashtu, synojmë të lirojm nga masat edhe 205 milionë euro shtesë në fillim të vitit të ardhshëm.

Vlora 4 ditë pa ujë, mbërrijnë në Rinas pajisjet nga Turqia

By: Fax Web
29 December 2025 at 17:38

Kanë mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas pajisjet nga Turqia, të cilat do të shërbejnë për rregullimin e defektit me ujin e pijshëm në qytetin e Vlorë.

Pajisjet e nevojshme për riparimin e defektit kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit nga Turqia, ndërsa pritet që të transportohen drejt Vlorës për të nisur ndërhyrjen teknike.

Pak orë më parë, kryeministri Edi Rama, përmes një reagimi në Twitter, do të shprehej:

“Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer.

Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën

LEXO EDHE“Përgjegjëse, kunata e…”/ Vlora pa ujë, Berisha publikon videon e “qytetarit digjital”: Vodhën materialet…

FOTO/ Ronaldo, “sheik” në Dubai! Ora 750 mijë dollarëshe që tërhoqi vëmendjen

By: Fax Web
29 December 2025 at 17:31

Cristiano Ronaldo ishte protagonist absolut gjatë ceremonisë “Globe Soccer Awards”, të zhvilluar në Dubai.

Ylli portugez u shpall si futbollisti më i mirë në Lindjen e Mesme, por 40 vjeçari “vodhi” vëmendjen edhe me një objekt të çmuar që pasuron akoma më shumë koleksionin e tij të bizhuterive.

Ronaldo u pikas të kishte në dotë një orë të markës “Patek Philippe Nautilus”, me ar të bardhë 18 karatësh dhe me diamantë në të.

Bëhet fjalë për një orë vlera e të cilit sipas ekspertësh kap vlerën e plot 705 mijë euro, një shifër marramendëse për njerëzit normalë, por jo për Cristiano Ronaldon.

Futbollisti në kontratën e tij me Al Nassr përfiton një pagë prej 600 mijë eurosh në ditë çka do të thotë se kjo orë zvicerane i ka kushtuar atij pak më shumë se 24 orë “punë”.

Tragjedi në familje! Vëlla e motër gjenden të pajetë në shtëpinë e tyre, dyshohet se…

By: Fax Web
29 December 2025 at 17:11

Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në Greqi, në zonën e Krya Vrysi, Kalambaka, ku vëlla dhe motër janë gjetur të pajetë në banesën e tyre.

Sipas mediave lokale, viktimat janë një burrë rreth 73 vjeç dhe një grua 65 vjeç.

Hetimet paraprake po përqendrohen në mundësinë që vdekjet të jenë shkaktuar nga tymi i një sobe që ata përdornin për ngrohje.

Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe rrethuan zonën për kryerjen e veprimeve hetimore.

Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të mësuar shkaqet e sakta të vdekjes së dyfishtë.

Ndahet nga jeta ish-basketbollisti, vëllai binjak i aktores së njohur

By: Fax Web
29 December 2025 at 17:02

Mëngjesin e kësaj të hëne sporti dhe mediat u zgjuan me një lajm të trishtë. Ish-basketbollisti i Dinamos dhe gazetari i njohur Enea Andrea ka ndërruar jetë.

Enea Andrea, 55-vjeç, ndërroi jetë pas një ataku kardiak kur po stërvitej në palestër. Rreth shtatë vjet më parë, ai kaloi një problem me zemrën, por pas asaj periudhe u rikthye në formën optimale fizike.

Enea ishte një emër i njohur për sportin e basketbollit shqiptar, ku ka luajtur për shumë vite me ekipin e Dinamos dhe duke qenë pjesë e ekipit kombëtar.

Pas karrierës si lojtar, ai shquhej për rolin e tij si specialist dhe komentator në transmetimet televizive të basketbollit amerikan NBA, duke u bërë një figurë e njohur edhe në median shqiptare.

Përveç karrierës së tij sportive, Enea ishte gjithashtu vëllai binjak i aktores së njohur shqiptare, Ema Andrea. Lajmi për ndarjen nga jeta të tij ka tronditur jo vetëm familjarët e tij, por edhe të gjithë ata që e njohën si sportist dhe komentator.

VIDEO/ Shija e fitores zgjati pak, plagoset në aksident boksieri i njohur! Vdesin 2 persona

By: Fax Web
29 December 2025 at 16:50

Boksieri britanik Anthony Joshua është përfshirë në një aksident automobilistik në Nigeri, ku dy persona kanë humbur jetën.

Ngjarja ka ndodhur të hënën në mëngjes në autostradën Ogun–Lagos.

Sipas policisë lokale, Joshua është dërguar në spital pas aksidentit.

Fillimisht autoritetet kanë bërë me dije se ai ka pësuar lëndime të lehta dhe gjendja e tij është e stabilizuar.

Dyshohet se automjeti ku ndodhej Joshua është përplasur me një kamion gjatë një parakalimi, ndërsa ishte mbi kufirin e lejuar të shpejtësisë.

Joshua ndodhej në sediljen e pasme të mjetit në momentin e aksidentit. Mediat lokale raportojnë se kamioni ishte i qëndruar në momentin e përplasjes.

Ende nuk janë bërë të ditura identitetet e dy personave që humbën jetën. Po ashtu, nuk ka informacion zyrtar mbi natyrën e saktë të dëmtimeve të Joshua. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit dhe numrin e të lënduarve të tjerë.

VIDEO/ Për herë të dytë rradhazi! Goli i Muçit shpallet “Goli i Muajit” në Turqi

By: Fax Web
29 December 2025 at 16:41

Ernest Muçi ka shkëlqyer në muajin nëntor dhe dhjetor me Trabzonsporin.

Formë e shkëlqyer nga sulmuesi i Kombëtares, që së fundmi fitoi edhe çmimin e dytë radhazi për “Golin e Muajit” në Turqi.

Për muajin dhjetor është vlerësuar goli i dytë i shënuar nga ana e tij ndaj Goztepes. Një realizim mjaft i bukur, që erdhi pas krosimit nga goditja e dënimit.

Muçi e gjuajti topin në ajër, dhe e kapi të papërgatitur trajnerin rival pasi kaloi mes këmbëve të dy lojtarëve.

 

Muçi është lojtari momentit te Trabzonspori. Dhe pse nuk luan si sulmues, ka realizuar në pesë ndeshje radhazi ku në dy prej tyre kanë qenë dopieta.

LEXO EDHE: Thelbësor për Trabzonspor, por klubit turk i duket shumë kjo shifër për Muçin

Meta padit në SPAK Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve: Persekutim politik, janë shkelur të drejtat e njeriut

By: Fax Web
29 December 2025 at 16:30

Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka kallëzuar penalisht në SPAK Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose.

Në padi, ndër të tjera thuhet se, prej datës 23 tetor 2024, ditë kur ish-presidenti u fut në qeli, “autoritetet e këtij institucioni kanë përdorur mënyra nga më të ndryshmet për ndalimin e ushtrimit të aktiviteteve sportive, takimet me anëtarët e kryesisë së Partisë së Lirisë, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, eurodeputetëve, takime apo komunikime me mediat, si dhe ndalimin e përdorimit të çdo forme argëtimi”.

“Pra ndaj politikanit, presidentit të Partisë së Lirisë, është përdorur persekutimi politik, por jo vetëm; atij i janë shkelur dhe mohuar liritë dhe të drejtat të cilat janë të garantuara në Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, gjithashtu edhe të drejtat e sanksionuara nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës”.

Ish-presidenti e akuzon kreun e Burgjeve për shpërdorim detyre si dhe për vepra të tjera penale që mund të dalin gjatë hetimit.

Në fillim të muajit dhjetor, një inspektim i Avokatit të Popullit mbi kushtet e paraburgimit të Ilir Metës, pas ankesës së tij, evidentoi një sërë problematikash që lidhen me trajtimin e ish-presidentit në qeli. Sipas raportit zyrtar, Meta nuk po trajtohet në përputhje me standardet e parashikuara nga ligji.

Pjesë nga padia:

PRAKTIKA E GJYKATËS SË STRASBURGUT (GJEDNJ)

  1. Ilgar Mammadov kundër Azerbajxhanit

Gjykata ka theksuar se: përdorimi i masave të ndalimit për qëllime politike dhe kufizimi i veprimtarisë publike të opozitës përbën shkelje të nenit 5 dhe 18 të KEDNJ.

Analoge me rastin konkret, ku kufizimet nuk justifikohen me nevoja procedurale.

  1. Selahattin Demirtaş kundër Turqisë (nr. 2)

Gjykata konstatoi:

ndalimi i komunikimit dhe veprimtarisë politike të një lideri opozitar në paraburgim cenon pluralizmin demokratik.

Rasti aktual përfshin kufizime të ngjashme ndaj një figure politike opozitare.

  1. Mehmet Hasan Altan kundër Turqisë

GJEDNJ thekson se:

paraburgimi nuk mund të përdoret për të heshtur mendimin politik dhe lirinë e shprehjes.

Ndalimi i komunikimit me media bie drejtpërdrejt nën këtë praktikë.

  1. Yankov kundër Bullgarisë

Gjykata ka sanksionuar:

censurimin dhe kufizimin disproporcional të komunikimit të personave të ndaluar.

Kufizimet absolute pa vendim individual përbëjnë shkelje të nenit 10 KEDNJ.

  1. Kudła kundër Polonisë

GJEDNJ thekson:

shteti ka detyrim pozitiv të sigurojë kushte dhe trajtim në përputhje me dinjitetin njerëzor për personat në paraburgim.

Përfshin edhe respektimin e lirive themelore.

KONKLUZION

Mosveprimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve: nuk është thjesht keqadministrim; përbën sjellje të qëllimshme dhe të vazhdueshme; bie ndesh me Kushtetutën, ligjin dhe jurisprudencën evropiane; ekspozon shtetin shqiptar ndaj përgjegjësisë ndërkombëtare.

KËRKESË

Në përfundim, kërkojmë: Regjistrimin e procedimit penal; Hetimin e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve; Verifikimin e përgjegjësisë penale të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve; Marrjen e masave për ndalimin e shkeljeve të vazhdueshme.

Aksident në aksin Korçë-Ersekë, plagosen dy të rinj

By: Fax Web
29 December 2025 at 16:21

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Korçë-Ersekë në afërsi të fshatit Kamenicë.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, auto mjeti ka dalë nga rruga duke përfunduar në tokë bujqësore ndërsa brenda tij ndodheshin një djalë e një vajzë.

Ata janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore nga ku mësohet se, fatmirësisht, janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

EKSKLUZIVE/ Rrokadë në Policinë e Shtetit, ikën drejtori i Lezhës dhe jo vetëm… (EMRAT)

By: Fax Web
29 December 2025 at 16:10

Shkarkohet nga detyra Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë Lezhë, Altin Mena dhe zëvendës Drejtori i Drejtorisë për rendin dhe sigurinë publike në këtë drejtori, Taulant Gjoka.

Burime për gazetaren Vanesa Rrahmani bëjnë me dije se shkarkimet kanë ardhur si pasojë e performancës së dobët. Proces i cili do të vazhdojë për të gjitha drejtoritë vendore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka firmosur mesditën e sotme shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore Lezhë, Drejtues Altin Mena, dhe të zv.drejtorit për Rendin, Kryekomisar Taulant Gjoka, me motivacionin për performancë të dobët.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm ka komanduar në detyrën e Drejtorit të DVP Lezhë, zv/drejtorin për Hetimin e Krimit, në DVP drejtues Kujtim Gjoka.

Po me të njëjtin motivacionin janë shkarkuar nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër Mariglen Duçi dhe shefi i Komisariatit të Policisë Kamëz, Besmir Dervishi, mëson Fax News.

Altin Mena është emëruar zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në DVP Kukës.

Ndërsa Taulant Gjoka është emëruar shef i Sektorit të Sigurisë Publike në DVP Shkodër.

Mariglen Duçi, shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Kukës.

Besmir Dervishi, shef i Seksionit të Krimeve ndaj Pronës në DVP Tiranë.

Ervis Gjoshi, eshte emëruar shef i komisariatit në Dibër.

Sentilian Ndreu, emërohet përkohësisht, shef i Komisariatit nr. 5.

Ndërkohë priten lëvizje të tjera në Policinë e Shtetit.

FOTO/ Zgjedhjet në Kosovë, këta janë më të votuarit për secilën parti

By: Fax Web
29 December 2025 at 16:01

Prej orës 12:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur numërimin e votave për kandidatët për deputetë.

Deri në këto momente, sipas rezultateve të përditësuara nga KQZ, kandidatët nga Lëvizja Vetëvendosje kryesojnë sa i përket numrit të votave të marra.

Në vijim i gjeni edhe grafikisht, për katër partitë politike, pesë kandidatët më të votuar nga zgjedhjet nacionale të mbajtura dje.

Të dielën në mbrëmje është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike në 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt, ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në një konferencë për media.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezit, të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr nga vendvotimet dhe janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komunat e vendit.

Lëvizja Vetëvendosje i fitoi këto zgjedhje duke marrë 49.3% të votave dhe duke siguruar 56 mandate në parlament, 8 më shumë sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Pas LVV-së renditet Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Bedri Hamza me 21.01% dhe në vend të tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kryetar Lumir Abdixhiun, i cili ka arritur të sigurojë 13.59%.

Pjesë e rëndësishme e projektit të klubit, Juventus rrit ofertën për yllin turk

By: Fax Web
29 December 2025 at 15:57

Juventusi po punon për rinovimin e kontratës me yllin turk Kenan Yildiz, duke rritur ofertën ekonomike.

Klubi torinez synon të bindë talentin turk të firmosë një marrëveshje të re, duke e konsideruar pjesë qendrore të projektit të saj.

Oferta e re e Juventusit parashikon një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon dhe kontratë deri në vitin 2031. Më parë, klubi kishte ofruar 4.5 milionë euro në vit, shifër që nuk ishte konsideruar e mjaftueshme për rinovimin.

Me këtë propozim, bardhezinjtë synojnë ta bindin Yildiz të refuzojë interesimin e disa klubeve të mëdha europiane, përfshirë Real Madridin.

Edhe pse marrëveshja nuk është mbyllur ende, negociatat konsiderohen në fazë konkrete.

Spalletti e sheh Yildiz si një lojtar me rol të rëndësishëm në fushë.

Nën drejtimin e tij, Yildiz ka regjistruar 5 gola dhe ka dhënë 2 asiste.

“Ramaduro e ka shndërruar procesin në një farsë”, Berisha përshëndet zgjedhjet në Kosovë: Frymëzim për shqiptarët në Shqipëri

By: Fax Web
29 December 2025 at 15:51

Kryetari i PD-së, Sali Berisha uron kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti për suksesin e arritur në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha e quan procesin e mbajtur në Kosovë “një sukses frymëzues për Shqipërinë”, ku sipas tij, armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.

Berisha uroi edhe forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit.

“Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor.

Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.

Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.

Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve!”, shkruan Berisha.

LEXO EDHE: Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ publikon përditësimin e fundit, LVV siguron 49.30% të votave, ja si renditen partitë e tjera

“Përgjegjëse, kunata e…”/ Vlora pa ujë, Berisha publikon videon e “qytetarit digjital”: Vodhën materialet…

By: Fax Web
29 December 2025 at 15:37

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama mbi atë se çfarë po ndodh në Vlorë, për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, vjen edhe kundërpërgjigja në distancë nga kryetari i PD, Sali Berisha.

Përmes një mesazhi denoncues nga qytetari digjital, Berisha thotë se ndryshe nga sa përpiqet ta shesë Rama situatën, e vërteta është krejt tjetër.

Teksa i referohet mesazhit qytetarit digjital, Berisha shkruan se, vjedhja e materialeve të ujësjellësit, tubave dhe makinerive në magazinë, është shkaku i mungesës së ujit në Vlorë.

Milani i pamëshirshëm para portës me “snajperin” e tij, një gol çdo dy goditje

By: Fax Web
29 December 2025 at 15:02

Konkretësia është një nga shtyllat e futbollit të Massimiliano Allegrit, filozofia ku mjafton një top për të vendosur një ndeshje.

Milani i këtij sezoni e ka përvetësuar plotësisht këtë mësim dhe është ndër skuadrat më efikase të Serie A.

Në 5 nga 16 ndeshje të kampionatit, kuqezinjtë kanë shënuar që në goditjen e parë drejt portës: Saelemaekers kundër Napolit dhe Parmës, Rafa Leão kundër Pisa, Ricci kundër Atalantës dhe Rabiot kundër Torinos.

Milani ka përqindjen më të lartë të realizimit në Serie A, 12.6%, e barabartë me Interin. Por protagonisti absolut është Christian Pulisic: 8 gola me 11 goditje drejt portës (16 gjithsej).

Një shifër “e çmendur”; një gol çdo dy goditje (50%), që shkon në 73% për goditjet në kuadrat, nivel i barabartë vetëm me Rasmus Højlund të Napolit (73.3%).

Edhe më mbresëlënëse janë minutat: nga 1440 të mundshme, Pulisic ka luajtur vetëm 595.

Me 10 kontribute në gola (8 gola + 2 asiste), ai shënon një gol çdo 74 minuta.

Numra “snajperi” me të cilët Milani mund të vazhdojë të ëndërrojë.

Vlora pa ujë, Rama: Në 2009-10 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve

By: Fax Web
29 December 2025 at 14:49

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e zhvilluar nga qytetarët e Vlorës dje dhe sot pas disa ditësh pa ujë.

Rama ka publikuar pamje nga transportimi i pajisjeve të nevojshme të nisura nga Stambolli që do të shërbejnë për të rikuperuar dëmin e ndodhur në tubacionin kryesor që furnizon me ujë qytetin.

Në reagim, kryeministri thotë se pjesët hidraulike aktuale janë instaluar në vitin 2009-2010 dhe janë jashtë standardeve.

Reagimi i plotë:

Drejt aeroportit të Stambollit për të ardhur sot brenda ditës, pjesët e reja hidraulike për riparimin e difektit të rëndë në ujësjellësin e Vlorës, ku në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standarteve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer…

Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën.

Vlonjatëve të mi u them ndjesë për tërë këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona plasi më në fund edhe syri i keq pas tërë këtyre viteve të mira për Vlorën, e ja që kush i do të keqen Vlorës, veç të keqen do i marrë.

❌
❌