Shtatë ankesa në PZAP, Haxhiu optimist se do ta fitojë mandatin e deputetit
Katër parti politike nga komunitetet joshumicë, si dhe kandidati për deputet nga Partia Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, kanë paraqitur ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).
Në PZAP thanë për KosovaPress, se kanë pranuar shtatë ankesa dhe se për të gjitha do të vendosin brenda afatit ligjor prej katër ditësh nga data e parashtrimit të secilës ankesë.
Lista Serbe, Nova Demokratska Stranka–NDS me dy ankesa, Koalicioni PAI–PDAK–LPB dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK, janë partitë që u ankuan lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Dy ankesa i ka parashtruar kandidati për deputet i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili thotë për KosovaPress, se PZAP duhet të refuzojë përfshirjen e mbi 23 mijë pakove me fletëvotime me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, të cilat, sipas tij, janë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Krahas kësaj, Haxhiu bëri të ditur se konteston edhe llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar të KQZ-së, i cili ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Është një mundësi e mirë që PZAP, bazuar në Ligjin për Zgjedhje, që në përfundim të procesit mund të kontestohen të gjitha ato të cilat përbëjnë shkelje esenciale të barazisë së votuesve dhe barazisë para votës… Ne kemi një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 2019 në aneksin e Nismës Socialdemokrate, ku Supremja ka vendosur në favor të saj, ku votat që kanë ardhur nga jashtë Kosovës dhe janë proceduar jashtë afatit ligjor nuk munden të futen në proces. Procesi zgjedhor, për të qenë i drejtë dhe i barabartë, votuesit duhet të votojnë në të njëjtën kohë të përcaktuar në ligj”, deklaron Haxhiu.
Ankesë në PZAP ka parashtruar edhe Lista Serbe, për shkak se KQZ-ja, më 31 janar nuk e miratoi listën e kandidatëve të Listës Serbe, të cilët kanë fituar mandatin në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në lidhje me këtë ankesë, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, thotë për KosovaPress, se ka elemente që ankesa e Listës Serbe të aprovohet nga PZAP.
Sa i përket ankesës së kandidatit për deputet të PDK-së, Bekim Haxhiu, ai deklaron se tani PZAP ka mundësi ta trajtojë në përmbajtje këtë ankesë, pasi e njëjta dy herë ishte shpallur e pasafatshme më herët.
“Besoj që ka elemente, sidomos ankesa e subjektit Lista Serbe, për t'u trajtuar nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në kuptimin e vlerësimit meritor të gjetjes së shkeljeve me rastin e vendimmarrjes nga ana e KQZ-së… PZAP-i ka mundësi që ta shqyrtojë në tërësi, në përmbajtje, ankesën e tij (kandidatit për deputet të PDK-së, Bekim Haxhiu), edhe sa i përket pranimit të atyre votave… Partitë politike dhe kandidatët kanë pasur mundësinë që, në momentin kur KQZ-ja ka vendosur mbi zgjatjen e afateve sa i përket pranueshmërisë së votimeve ose fletëvotimeve të votimit me postë, brenda asaj periudhe ta shfrytëzojnë mjetin ankimor. Sa i përket këtij elementi, mbase mund të ndodhë që paneli zgjedhor t’ia refuzojë ankesën, për faktin se në kohën kur kanë qenë afatet e ankesave mbi këto procedura nuk janë shfrytëzuar nga kandidatët apo partitë politike për t’i ankimuar me kohë këto procedura”, thekson ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 31 janar ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo erdhi pas një procesi të gjatë të numërimit dhe rinumërimit të votave, për shkak të parregullsive me votat e kandidatëve për deputetë.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ-ja do të presë afatet ankimore dhe pastaj do të bëjë certifikimin e rezultateve përfundimtare.
