Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

Plagoset me thikë pronari i një agjencie udhëtimesh në Kavajë

25 December 2025 at 11:29

Gazeta Si – Një konflikt për motive banale ka degraduar deri në përdorimin e thikës mëngjesin e kësaj të enjteje ë Kavajë, ku mbeti i plagosur pronari i një agjencie udhëtimesh, Artur Ligeja.

Fatmirësisht biznesmeni ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa mori mjekim në spital për plagën e marrë në dorë.

Raportohet se personi përgjegjës, E.V., për sulmin është ndaluar dhe dyshohet se ka probleme me shëndetin mendor.

Një grup hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur zbardhjen e plagosjes.

The post Plagoset me thikë pronari i një agjencie udhëtimesh në Kavajë appeared first on Gazeta Si.

Ronaldo blen dy vila në Detin e Kuq: të arritshme vetëm nga deti ose ajri. Të gjitha pronat e CR7

25 December 2025 at 11:20

Gazeta Si – Dy vila luksoze në Nujuma, një ishull privat ekskluziv në zemër të Detit të Kuq, i arritshëm vetëm nga deti ose hidroplani.

Ky është investimi më i fundit i Cristiano Ronaldos në një nga destinacionet më të kërkuara të Lindjes së Mesme.

Një oaz luksoz afërsisht 16 milje larg bregdetit dhe mbi 800 milje nga Riadi, dy vilat, me vlerë tre dhe pesë milionë euro, qëndrojnë si një unazë e varur mbi det dhe mbajnë firmën prestigjioze të Lord Norman Foster, arkitektit të njohur britanik.

Njëra nga rezidencat përmban tre dhoma gjumi, të projektuara për familjet, ndërsa tjetra ka dy: privatësi, rehati dhe dizajn të shkëlqyer.

Jo vetëm kaq, ishulli ofron edhe lehtësira ekskluzive: një fushë golfi, restorante të shkëlqyera dhe një plan zhvillimi që përfshin hapjen e 11 resorteve në vitet e ardhshme.

Për të arritur atje, duhet të zbarkohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Detit të Kuq dhe të vazhdohet vetëm përmes detit ose ajrit.

“Po flasim për një vend të jashtëzakonshëm”, tha CR7 në një intervistë me “Saudi Gazette”. “Që nga vizita jonë e parë, unë dhe Georgina ndjemë një lidhje të thellë me këtë ishull dhe bukurinë e tij të jashtëzakonshme natyrore. Ne gjejmë paqe dhe qetësi këtu”.

Këto vila janë vetëm dy nga shumë pasuritë në pronësi të yllit portugez. Vetëm një vit më parë, Cristiano Ronaldo bleu një avion, një “Bombardier Global Express XRS” me një trup të personalizuar që paraqet festën e tij të famshme në miniaturë.

Me vlerë rreth 70 milionë dollarë, ai mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej 950 km/orë dhe ka një rreze veprimi prej 11,390 kilometrash, duke i lejuar atij të fluturojë, për shembull, nga Londra në Tokio pa ndalesë.

Por nuk duhet harruar as vila në Riad me një pishinë olimpike dhe tetë dhoma gjumi, një më shumë se prona historike në La Finca, një zonë banimi në malet jashtë Madridit.

Apo koleksioni i tij të orëve dhe makinave luksoze me vlerë 30 milionë dollarë. Më e shtrenjta është Bugatti La Voiture Noire (11 milionë dollarë), më joshësja, McLaren Senna, e emëruar sipas pilotit legjendar brazilian. Por portugezit nuk i mungojnë as makinat Ferrari, ka tre të tilla. Shkurt, Cristiano Ronaldo i ka të gjitha.

The post Ronaldo blen dy vila në Detin e Kuq: të arritshme vetëm nga deti ose ajri. Të gjitha pronat e CR7 appeared first on Gazeta Si.

Kim Jong Un viziton një kantier detar, imazhet e para të nëndetëses së re bërthamore

25 December 2025 at 10:54

Gazeta Si – Koreja e Veriut ka treguar një përparim të qartë në ndërtimin e një nëndetëseje me energji bërthamore.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Koresë së Veriut, raportoi se Kim Jong Un vizitoi një kantier detar për të inspektuar ndërtimin e asaj që Veriu e përshkruan si një “nëndetëse me energji bërthamore 8,700 tonëshe”, të cilën udhëheqësi e quajti një hap vendimtar në modernizimin dhe armatimin bërthamor të marinës së Koresë së Veriut.

Kim Jong Un meninjau pembangunan kapal selam nuklir strategis Korea Utara.
Menurut KCNA, kapal selam ini diperkirakan berbobot ±8.700 ton dan diduga dibangun di galangan Sinpo.#NorthKorea #Submarine #NuclearSubmarine #korea pic.twitter.com/5A0uwNNtI5

— worldofwar (@UnfaedahYo74173) December 24, 2025

Sipas Penianit, nëndetësja ka një peshë prej rreth 8.700 tonësh dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në strategjinë e re të mbrojtjes së vendit, të cilën Kim e përshkruan si të bazuar në “fuqinë më të fortë sulmuese”.

Ai e cilësoi planin e Koresë së Jugut për zhvillimin e nëndetëseve bërthamore si një “akt agresiv” që, sipas tij, kërcënon sigurinë e Koresë së Veriut.

Ekspertët theksojnë se nëndetëset me energji bërthamore kanë avantazhe të mëdha, pasi mund të qëndrojnë nën ujë për periudha shumë të gjata, praktikisht me vite, janë më të shpejta dhe më të vështira për t’u zbuluar. Megjithatë, analistët vlerësojnë se flota detare e Koresë së Veriut mbetet ende inferiore ndaj asaj të Koresë së Jugut, pavarësisht këtij zhvillimi.

The post Kim Jong Un viziton një kantier detar, imazhet e para të nëndetëses së re bërthamore appeared first on Gazeta Si.

Sekuestrohet armë, drogë dhe makinë e vjedhur në Shkodër

25 December 2025 at 10:43

Gazeta Si – Një 25-vjeçar u arrestua dhe një 39-vjeçar u shpall në kërkim në Shkodër, të akuzuar për vjedhje dhe disa vepra të tjera penale. Sipas policisë, në pranga ra S.C., ndërsa B.B., 39 vjeç, është në kërkim.

Të dy akuzohen “vjedhje të kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Më datë 29.04.2025, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, në një ambient u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe automjeti tip “Toyota Hilux”, pa targa, i cili u gjet i fshehur dhe i mbuluar në një distancë rreth 100 m larg, ku pas verifikimit rezultoi se ishte i vjedhur në qytetin e Durrësit.

The post Sekuestrohet armë, drogë dhe makinë e vjedhur në Shkodër appeared first on Gazeta Si.

Pse Krishtlindjet janë sot?

25 December 2025 at 10:25

Gazeta Si – Në traditën e krishterë, Krishtlindjet janë festa që feston lindjen e Jezusit. Megjithatë, data 25 dhjetor është simbolike, pasi nuk ka burime historike mbi jetën e Jezusit që e vendosin lindjen e tij në atë ditë specifike.

Ne as nuk e dimë me siguri se kur të krishterët filluan të festonin këtë festë: sigurisht të paktën në vitin 336 pas Krishtit, siç tregohet në Kronografin e vitit 354, një lloj kalendari që është gjithashtu dokumenti i parë që përmban një referencë për Krishtlindjet.

25 dhjetori u zgjodh si një datë simbolike për të përkujtuar lindjen e Jezusit dhe për të kristianizuar festat pagane të festuara në Perandorinë Romake: Saturnalia dhe festa e të ashtuquajturit “Sole Invincito”.

Çfarë ishte Saturnalia, pra Krishtlindjet para Krishtlindjeve?

Saturnalët, ose Saturnalia në latinisht, ishte një festival fetar romak që festohej nga 17 deri më 23 dhjetor për nder të perëndisë Saturn, ekuivalenti grek i Kronit.

Ashtu si festat e lashta që me kalimin e kohës evoluan në Karnavale, gjatë Saturnalive, rregullat e zakonshme shoqërore u përmbysën: për shembull, zotërinjtë ndonjëherë u shërbenin skllevërve të tyre në tryezë.

Ashtu si shumë njerëz sot besojnë se Krishtlindjet janë dita më e bukur e vitit, po ashtu poeti Catullus besonte 17 dhjetorin.

Shumë tradita të Saturnalive janë përcjellë me kalimin e kohës në Krishtlindjet e krishtera: midis tyre është shkëmbimi i dhuratave, i cili është për këtë arsye më i vjetër se traditat e krishtera.

Ai zhvillohej në ditët e fundit të Saturnalive, gjatë Sigillarias. Meqenëse shkëmbimi i objekteve me vlerë do të kishte qenë në kundërshtim me frymën e festës, jepeshin dhe merreshin dhurata të thjeshta, simbolike. Fëmijëve u jepeshin figurina prej brumi të ëmbël – sigilla – në formën e kukullave dhe kafshëve.

Në fund të shekullit të tretë, kalendari civil romak shënonte 25 dhjetorin si solsticin e dimrit. Në të gjitha kulturat e lashta të Hemisferës Veriore, solstici i dimrit festohet sepse është dita pas së cilës orët e ditës rriten, dhe kështu shoqërohet me hyjnitë diellore.

Gjithashtu në shekullin e tretë, Perandoria Romake festonte më 25 dhjetor perëndinë e Diellit të Pamposhtur (që do të thotë “kurrë i mposhtur”), i cili kombinonte disa perëndi diellore nga fe të ndryshme: Heliosin grek, El-Gabalin sirian dhe Mithran persian.

Në shekujt e fundit të Perandorisë Romake, përpara se Krishterimi të bëhej fe zyrtare, këto kulte, të cilat mbivendoseshin me hyjni të ndryshme për të krijuar fe të reja, shumë të hapura, nuk ishin të rralla.

Feja e Sol Invictus, në veçanti, ishte një nga ato që, edhe para themelimit të Krishtërimit, po i afrohej monoteizmit.

25 dhjetori u zgjodh si ditëlindja e Jezusit – pasi u morën në konsideratë data të tilla si 18 nëntori, 28 marsi dhe 20 maji – për të “mbuluar” festën e Sol Invictus dhe për të ofruar një argument shtesë për të bindur paganët të konvertoheshin: ata nuk do ta humbnin festën e tyre pasi të bëheshin të krishterë. Figura e Jezusit u paraqitej këtyre besimtarëve si ajo e Diellit “të vërtetë”.

Tradita të tjera të Krishtlindjeve

Me kalimin e kohës dhe me përhapjen e Krishtërimit, Krishtlindjet janë pasuruar me shumë tradita që rrjedhin nga festimet e tjera të solsticit dimëror.

Pema e Krishtlindjeve, për shembull, vjen nga tradita gjermanike e festivalit të solsticit dimëror, i quajtur Yule.

Në gjuhët skandinave, sezoni i Krishtlindjeve ende përmendet me shprehje që rrjedhin qartë nga ky term: Jul në suedisht, danisht dhe norvegjisht, Jól në islandisht.

Elemente të tjera tradicionale pagane janë transferuar në festimin e Vitit të Ri në vend të Krishtlindjeve, duke përfshirë zjarret e mëdha që ndizeshin për solsticin.

Historia pas Babagjyshit të Vitit të Ri, megjithatë, është më komplekse. Enciklopedia Britanike shpjegon se kjo figurë e ka origjinën te Shën Nikolla i Barit, i njohur edhe si Shën Nikolla i Myrës, një qytet në Turqinë e sotme ku ai ishte peshkop.

Ai vdiq më 6 dhjetor 343 dhe eshtrat e tij u sollën në Bari në shekullin e njëmbëdhjetë. Kulti i këtij shenjtori ka qenë gjithmonë i lidhur me idenë e dhënies së dhuratave fëmijëve dhe me kalimin e kohës figura e tij evoluoi në atë të Babagjyshit të Vitit të Ri, duke kaluar nëpër Sinterklaas holandez, i cili u soll në koloninë amerikane të Amsterdamit të Ri, më vonë e riemëruar Nju Jork, dhe atje u transformua në Babagjysh të Vitit të Ri.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me përhapjen e kulturës amerikane në të gjithë botën, Babagjyshi i Vitit të Ri u bë popullor edhe në Itali, ku në shumicën e rajoneve ai zëvendësoi Foshnjën Jezus, Shën Luçin ose Shën Nikollën në sjelljen e dhuratave për fëmijët.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Pse Krishtlindjet janë sot? appeared first on Gazeta Si.

Zelenski, për Krishtlindje: Të gjithë kemi një ëndrrër që Putini të vdesë!

25 December 2025 at 10:08

Gazeta Si – Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelenski për të tretin vit radhazi ka uruar Krishtlindjen teksa vendi i tij ndodhet në agresion nga Rusia.

Në urimin e publikuar për qytetarët ukrainas përmes një videoje, ai tha se të gjithë luten që kjo gjë të mbarojë, luten për paqe dhe luftojnë për të.

Por mes rreshtash, tha gjithashtu se një dëshirë të cilën ukrainasit e mendojnë privatisht është edhe që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të ndërrojë jetë në mënyrë që lufta të përfundojë.

Zelensky wishing for Putin’s death on his Christmas message:

My dear people, since ancient times, Ukrainians believed that on Christmas night, the heavens open.

And if you tell them your dream, it will surely come true.

Today, we all have one dream. And we have one wish for… pic.twitter.com/spaWEIsyoz

— Clash Report (@clashreport) December 24, 2025

“Sot ne të gjithë ndajmë një ëndërr. Dhe kemi një dëshirë të përbashkët. Urojmë që ai, (Putin) të vdesë. Secili prej nesh mund ta mendojë privatisht, por kur kthehemi tek Zoti, sigurisht që kërkojmë më shumë. Ne kërkojmë paqe për Ukrainën. Ne luftojmë për këtë dhe ne lutemi për këtë”- tha Zelenski në mesazhin e tij të urimit.

Sa i përket planit të paqes, Zelenski e përshkroi atë si përpjekjen më të madhe të Ukrainës për t’i dhënë fund luftës dhe theksoi se topi tani është në fushën e Rusisë.

Ai tha se teksti i ri po i paraqitet Moskës nga Shtetet e Bashkuara dhe Kievi është duke pritur një përgjigje.

Sipas presidentit ukrainas, shumica e pikave “pasqyrojnë kryesisht qëndrimin e përbashkët ukrainas-amerikan”.

Megjithatë, Uashingtoni dhe Kievi nuk arritën një marrëveshje për dy çështje kritike dhe të vështira: e ardhmja e territoreve ukrainase në Donetsk dhe kontrolli i një termocentrali të madh bërthamor nën pushtimin rus.

Për çështjen e fundit, Kievi propozoi menaxhimin e përbashkët të termocentralit me Shtetet e Bashkuara si një zgjidhje.

Zelensky theksoi gjithashtu se gjatë këtyre ditëve ukrainasit luten për ushtarët në vijën e frontit, që të kthehen gjallë në shtëpi, për të burgosurit e luftës që të rikthehen te familjet e tyre, si dhe për nderimin e kujtimit të atyre që kanë rënë duke mbrojtur vendin.

Ai përmendi edhe qytetarët e detyruar të jetojnë nën pushtim apo të largohen nga shtëpitë e tyre, duke theksuar se “Ukraina nuk do t’i humbasë kurrë ata që nuk e kanë humbur Ukrainën brenda vetes”.

The post Zelenski, për Krishtlindje: Të gjithë kemi një ëndrrër që Putini të vdesë! appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 24 December 2025Main stream

Operacion antidrogë në Tiranë, 22 të arrestuar. Lënda shitej në lokale, taksi e tabakino

24 December 2025 at 15:25

Gazeta Si – Një grup kriminal, prej 33 personash, që tregtonte drogë në zona të ndryshme të Tiranës, në lokale, tabakino dhe mjete taksi, është goditur nga policia në operacionin e koduar “Labirinti 2”.

Sipas njoftimit, 22 prej tyre javë vënë në pranga, 5 janë arrestuar gjatë periudhës hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 personave të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Gjatë operacionit, u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Në pranga kanë rënë: R.D., 32 vjeç, E.P., 33 vjeç, A.H., 43 vjeç, O.M., 32 vjeç, F.C. (Ç), 34 vjeç, Xh.B., 31 vjeç, L.M., 23 vjeç, A.P., 47 vjeç, E.S., 39 vjeç, B.M., 34 vjeç, G.V., 39 vjeç, V.B., 19 vjeç, O.H., 35 vjeç, D.A., 39 vjeç, A.M., 23 vjeç, M.M., 19 vjeç, J.H., 29 vjeç, E.Gj., 31 vjeç, A.B., 20 vjeç, K.Rr., 27 vjeç, I.N., 22 vjeç dhe G.K., 20 vjeç.

Gjatë periudhës hetimore, janë arrestuar: A.V., 23 vjeç, E.P., 22 vjeç, G.V., 19 vjeç, S.C., 22 vjeç dhe R.Gj., 22 vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.

Nga hetimet, rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në: Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.

Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.

The post Operacion antidrogë në Tiranë, 22 të arrestuar. Lënda shitej në lokale, taksi e tabakino appeared first on Gazeta Si.

Negociatat e çuditshme mes SHBA-ve dhe Aleksandër Lukashenkos

24 December 2025 at 15:18

Gazeta Si – Kur Departamenti Amerikan i Shtetit i kërkoi John Coale-s të udhëtonte për në Bjellorusi për të negociuar me diktatorin Aleksandër Lukashenko, ai mendoi: “Ku dreqin është ai?”

Një hetim i “Wall Street Journal”, rindërtoi negociatat pasuese, të cilat kanë dhënë rezultate: që kur Donald Trump u kthye në pushtet në janar, Bjellorusia ka liruar afërsisht 250 të burgosur politikë, duke marrë lëshime të rëndësishme nga Shtetet e Bashkuara në këmbim.

Kryesorja është një shkrirje e marrëdhënieve me Lukashenkon, e cila i ka dhënë atij legjitimitet dhe ka zvogëluar izolimin e tij ndërkombëtar.

Hetimi i “Wall Street Journal” bazohet në një intervistë me Coale-n dhe biseda të tjera me rreth një duzinë zyrtarësh anonimë amerikanë dhe evropianë ose ish-zyrtarë.

Ata thanë se Coale u takua disa herë me Lukashenkon në muajt e fundit, duke ndërtuar një marrëdhënie personale.

Figura e tij është emblematike e diplomacisë jo-konvencionale të miratuar nga administrata Trump, në të cilën njerëz të afërt me presidentin (ose anëtarë të familjes së tij) negociojnë duke anashkaluar aparatin tradicional diplomatik, me një qasje transaksionale të frymëzuar nga bota e biznesit: për çdo lëshim të bërë Lukashenkos, ai pranoi të lironte të burgosurit politikë.

Liderja e opozitës bjelloruse, Maria Kalesnikava, mbërrin në Varshavë, më 18 dhjetor

Coale ka qenë avokati i Trumpit në disa padi kundër platformave të mediave sociale, më e rëndësishmja ajo për pezullimin e profileve të tij pas sulmit në Kapitol më 6 janar 2021.

Ai është një figurë e besueshme e presidentit, aq sa ka një kopje të çekut prej 22 milionë dollarësh që kompania “Meta” pranoi të paguante për të zgjidhur një nga paditë në vend.

Gjatë pjesës publike të takimeve midis Coale-s dhe Lukashenkos në Minsk (kryeqyteti i Bjellorusisë), pati një përzemërsi të dukshme midis të pranishmëve.

Për shembull, i dërguari special i Trump për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellog, i cili thuhet se është shefi i Coale-s, dikur përgëzoi luksin e pallatit ku u pritën, duke thënë se i ngjante Mar-a-Lagos, rezidencës së Trump në Florida.

Coale ka thënë në raste të tjera se ai dhe Lukashenko kanë pirë shumë dolli me vodka dhe se ai i ka shijuar ato.

“Wall Street Journal” shtoi se në një moment, një zyrtar amerikan e këshilloi të hante, të mbushte stomakun dhe të shmangte dehjen.

Megjithatë, Coale tha se ai shmangte të gjitha gotat që i ishin servirur ose që i ishin mbushur direkt nga Lukashenko.

Donald Trump në Mar-a-Lago, 22 dhjetor

Gjatë takimeve, Lukashenko tregoi interes për gjendjen fizike të Coale-s, duke e komplimentuar për dobësimin e tij.

Coale organizoi që diktatori të merrte një furnizim me Zepbound, një ilaç kundër obezitetit të prodhuar nga një kompani amerikane. Gjatë darkave me bukë të zezë, mish dhe patate, Coale ishte mjaft i drejtpërdrejtë.

Ai i krahasoi marrëdhëniet ndërkombëtare me një mensë të shkollës së mesme, duke i thënë Lukashenkos se ishte ulur në “tryezën e humbësve” me Iranin, Venezuelën dhe Korenë e Veriut, por se me ndihmën e SHBA-ve, ai mund të ulej në “tryezën e djemve të mirë”.

Në muajt e fundit, Lukashenko ka marrë shumë më tepër sesa një furnizim me ilaçe, duke liruar të burgosur politikë në këmbim.

• Në qershor, në këmbim të premtimit për lehtësimin e sanksioneve dhe pjesë këmbimi për aeroplanin presidencial, regjimi liroi 14 të burgosur, përfshirë Sergei Tikhanovsky, bashkëshortin e Svetlana Tikhanovskaya, e cila në mungesë të tij ishte bërë udhëheqësja më e njohur e opozitës jashtë vendit.

• Në shtator, ai liroi 52 të tjerë, dhe administrata Trump në fakt hoqi sanksionet ndaj linjës ajrore bjelloruse (“Belavia”).

• Rreth dhjetë ditë më parë, ndodhi lirimi më i madh, me 123 të burgosur të liruar, përfshirë udhëheqësit e opozitës Maria Kalesnikava dhe Viktar Babaryka dhe aktivistin Ales Bialiatski, fitues i Çmimit Nobel për Paqen 2022.

Një takim midis Coales dhe Lukashenkos më 11 shtator në Minsk

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara lehtësuan sanksionet mbi eksportet e karbonatit të kaliumit (ose potasit), një përbërës kimik i përdorur kryesisht në bujqësi, si pleh për të cilin Bjellorusia është prodhuesi i tretë më i madh në botë, për tre kompani me vlerë 4 përqind të produktit të brendshëm bruto të vendit.

Disa zyrtarë të administratës Trump i shpjeguan “Wall Street Journal” se qëllimi i operacionit, përveç sigurimit të lirimit të të burgosurve, është të shfrytëzojë afërsinë e Lukashenkos me presidentin rus, Vladimir Putin për të ndërmjetësuar negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Për shembull, Lukashenko kishte folur me Trumpin para takimit të tij me Putinin në Alaska gushtin e kaluar.

Lukashenko ka ofruar edhe këshilla të tjera të pakërkuara. Javën e kaluar, ai ofroi të priste në Minsk, presidentin venezuelan, Nicolás Maduro, të cilin Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ta rrëzojnë nga posti. Ai e tha këtë në një intervistë me gazetaren e “Newsmax”, Greta Van Susteren, gruan e Coale-s.

Qëllimi i Lukashenkos në këtë fazë, është të sigurojë një takim personal me Trump, i cili do të kishte një rëndësi të madhe simbolike.

Kohët e fundit ai tha se po diskuton me Shtetet e Bashkuara mundësinë e rihapjes së ambasadës së saj në Minsk, e mbyllur që nga viti 2022, kur Bjellorusia shërbeu si një bazë logjistike për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Lukashenko me Vladimir Putinin më 21 dhjetor në Shën Petersburg

Kjo situatë ka paraqitur një problem për opozitën bjelloruse, e dobësuar ndjeshëm nga vitet e shtypjes. Nga njëra anë, udhëheqësit e saj kryesorë ia detyrojnë lirimit të tyre negociatave dhe për këtë arsye, lëshimeve, nga Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, këto negociata rrezikojnë të forcojnë Lukashenkon dhe regjimin e tij. Gjatë gjithë kësaj, diktatori po mban një retorikë armiqësore dhe tallëse.

Kohët e fundit, ai tha se Rusia i kishte dërguar “Oreshnikun”, një lloj i ri rakete balistike që përdoret në Ukrainë dhe që është veçanërisht e vështirë për t’u kapur.

Nga ana tjetër, ai ka tallur disidentët, duke argumentuar se Babaryka (një nga të liruarit e fundit), duhet ta falënderojë atë që humbi peshë në burg, sepse “ai duket i pashëm”.

“Për Lukashenkon, lirimi i njerëzve ka një kosto dhe ai po përpiqet t’i shesë ata ndërsa mundet”, tha për “Wall Street Journal” Tikhanovskaya, udhëheqësja e opozitës që fitoi zgjedhjet presidenciale të manipuluara të Lukashenkos në vitin 2020.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Negociatat e çuditshme mes SHBA-ve dhe Aleksandër Lukashenkos appeared first on Gazeta Si.

‘Çmenduria’ e Agron Hotit në Dubai për pikturën më të madhe dhe miqësia me futbollistët e famshëm

24 December 2025 at 14:30

Gazeta Si – Do të ndërtohet në shkretëtirë, midis Dubait dhe Abu Dhabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Do të jetë vepra më e madhe piktoriale ndonjëherë: 100.000 metra katrorë në madhësi.

Do të projektohet nga Agron Hoti, një artist shqiptar që jeton në Verona dhe ekspozitat e pikturat e të cilit janë shfaqur në të gjithë botën, nga Nju Jorku në Londër, nga Shangai në Paris, Tiranë dhe Kazablanka.

“Ndonjëherë më kap çmenduria dhe ky është një prej atyre rasteve”, – buzëqesh ai. Me Agronin mund të takohesh në studion e tij, në Palazzo Carlotti, në qendrën historike, ku disa nga pikturat e tij më të famshme varen në mure.

Më 9 janar, Hoti do të fluturojë për në Dubai për hapjen që do të shënojë fillimin e instalacionit: “Priten gjithashtu kampionë të mëdhenj të futbollit: Roberto Baggio, Ronaldo, Francesco Totti. Kam një miqësi të shkëlqyer me ta”, shpjegon ai.

“Nata e mbretërve”

Hoti flet për “çmendurinë” e tij, një jetë aventureske që e çoi në Greqi për tetë vjet, përpara se të mbërrinte në Itali dhe të vendosej në Verona.

Ai shpjegon: “Më 2 qershor 2019, pikturova një kanavacë prej 800 metrash katrorë në Romë, për një ngjarje të quajtur ‘Nata e Mbretërve’. Gjatë izolimit, pikturova 400 metra katrorë në ‘Arena’, me shoqërimin e një DJ. Në stadiumin e Tiranës, një vit më parë, pikturova ‘Everflow’, një vepër prej 7,600 metrash katrorë”.

Instalacioni

Numra rekord, të destinuar të tejkalohen shumë nga ajo që Hoti do të bëjë në Dubai, brenda pavionit të ankorimit të anijeve turistike të metropolit të Emirateve: “Por nuk më pëlqen të flas për rekorde”, – shpjegon ai.

“Kur përpiqesh të vendosësh një rekord, fikson një limit. Gjithmonë dua të shkoj përtej kësaj. Për ta tejkaluar, limitin. Nuk kam qenë kurrë i interesuar të hyj në Librin e Rekordeve Guinness”.

Për të pikturuar veprën gjigante, Hoti vlerëson se do të duhen 15 muaj punë. Një kohë e gjatë, gjatë së cilës ai do të udhëtojë midis Dubait dhe Veronës.

Instalacioni, pasi të përfundojë, do të vendoset në një strukturë alumini dhe do të çohet në shkretëtirë: “Do të jetë aq i madh, sa mund të fotografohet nga sateliti. Për të parandaluar erozionin për shkak të agjentëve atmosferikë, do të aplikohen ngjyra shumë rezistente. Titulli i veprës do të jetë Clio”.

“Gjithçka rrjedh”

Artisti shqiptar synon të përfaqësojë pafundësinë, “gjithçka rrjedh”, se si gjithçka është gjithmonë në lëvizje”, thotë Hoti.

Sponsorët, vazhdon ai, “do të jenë Shamal, një kompani e madhe ndërtimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe X Dubai, një kompani e madhe aktive në sektorin e sporteve ekstreme. Ata gjithashtu do të mbështeten nga kompania e filmave Dubai Film. Do të përfshihen edhe shumë sponsorë. Investimi total do të arrijë në 50 milionë euro”.

Ndikimi do të jetë i gjerë, pasi një industri e rëndësishme turistike do të zhvillohet rreth Clio-s: “Priten një milion vizitorë. Ata do të arrijnë në vendin e punimeve në shkretëtirë me karroca për në rërë. Ai do të jetë i rrethuar nga një qendër arti prej 3,000 metrash katrorë, me restorante, mikpritje dhe zona relaksi. Valentina Baldini, gruaja e Andrea Pirlos, do të jetë këshilltarja ime e artit”, vëren Hoti.

Po projektet e tij të radhës? Një çast pushim dhe udhëtimi rifillon: “Gjithmonë kam diçka në mendje. Nuk ndalem kurrë. A ndihem i famshëm? Andy Warhol foli për 15 minuta famë, por për mua, të qenit i famshëm do të thotë tre gjëra: të siguroj jetesën me artin tim, të mbështes familjen time dhe të kem gjithmonë lirinë për të bërë atë që dua dhe shijoj. Pra, po, ju them se jam i famshëm”.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”

The post ‘Çmenduria’ e Agron Hotit në Dubai për pikturën më të madhe dhe miqësia me futbollistët e famshëm appeared first on Gazeta Si.

Hodhën molotovë drejt kryeministrisë, lirohen nga qelia 4 protestuesit e opozitës

24 December 2025 at 13:42

Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Tiranës, ka liruar nga qelia 4 mbështetësit e opozitës, të cilët u mbajtën në paraburgim pas protestës që Partia Demokratike zhvilloi pasditen e së hënës.

Gjykata vendosi caktimin e masës “detyrim paraqitje”, ndërsa edhe prokuroria kishte kërkuar të njëjtën masë, pasi dyshohet e ata hodhën bomba molotov drejt kryeministrisë pas fjalimit të kreut të PD, Sali Berisha.

Të pranishëm në seancë ishin edhe disa prej deputetëve të PD, si Flamur Noka e Klevis Balliu, të cilët kërkonin lirimin e protestuesve.

Deputeti Flamur  Noka, komentoi lirimin e tyre në një prononcim për mediat, ku tha se qytetarët protestuan kundër korrupsionit, krimit dhe lidhjeve të tij me pushtetin.

“Këta qytetarë kanë dalë për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar, krimit dhe lidhjeve të tij me pushtetin, Gys Agasit dhe karteleve, ndërsa në gjykatë akuzoheshin si destabilizues. Realiteti është se Edi Rama sot dhe banda e tij po bëjnë gjithçka për të destabilizuar Shqipërinë. Sot kam nxjerrë një provë me zë e figurë, që ndërkohë që qytetarët protestonin, Gysi lëvizte me makinën e kryeministrit”, – tha Noka.

Pasi Berisha përfundoi fjalimin e tij në protestën e 22 dhjetorit, drejt kryeministrisë u hodhën bomba molotov, të cilat dëmtuan edhe 3 policë, të cilët morën ndihmë mjekësore janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa atë mbrëmje u shoqëruan 10 persona, 6 prej të cilëve u liruan, ndërsa këtë të mërkurë u liruan edhe 4 të tjerët.

The post Hodhën molotovë drejt kryeministrisë, lirohen nga qelia 4 protestuesit e opozitës appeared first on Gazeta Si.

Dyshohet se u pagua për 7 ndërhyrje në zemër, shkon në gjyq dosja ndaj mjekut Edvin Prifti

24 December 2025 at 12:56

Gazeta Si – Rreth dy vite pas përfundimit të hetimeve nga SPAK për mjekun Edvin Prifti, Gjykata e Posaçme vendosi këtë të mërkurë të kalojë çështjen në proces gjyqësor.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Priftit akuzat, “korrupsion pasiv kryer në 7 raste”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “pastrim parash” dhe “fshehje të ardhurash”.

Sipas hetimeve, është ngritur dyshimi i arsyeshëm se Edvin Prifti në 7 raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Në një nga rastet, Prifti dyshohet se mori ryshfet për të operuar pa radhë nënën e një zyrtareje të Gjykatës së Krujës.

Prokurorët e SPAK pas rreth 5 vite hetimesh, thirrën mjekun dhe i komunikuan zyrtarisht akuzën. Prifti doli në përgjime në dosjen e ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, teksa fliste me një nga punonjësit e gjykatës.

Sipas përgjimeve, Prifti dyshohet se mori ryshfet për të operuara pa radhë nënën e ish-kryesekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi.

Më herët, SPAK po ashtu i ka bllokuar edhe disa llogari bankare, në të cilat u konstuan shuma të mëdha parash dhe euro. Pavarësisht se ai ka bërë një betejë të gjatë për zhbllokimin e tyre, kërkesat e mjekut janë rrëzuar nga gjykatat.

Në shtëpinë dhe zyrën e mjekut, me detyrë kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, u gjetën në total 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë.

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë kryer një hetim të thelluar për pasuritë e kardiokirurgut Priftit dhe subjekteve tregtare të krijuara prej tij.

Dyshohet se mjeku nëpërmjet disa faturave fiktive ka krijuar një skemë për të shmangur detyrimet tatimore.

Nga verifikimet e llogarive bankare të Edvin Priftit apo personave fizik të regjistruar në emër të tij, dyshohet se mjeku kryente depozitime cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.

E vetmja betejë që ka fituar Edvin Prifti me drejtësinë pas gati 5 vitesh, lidhet me të drejtën për të ushtruar profesionin e tij të kardiokirurgut.

The post Dyshohet se u pagua për 7 ndërhyrje në zemër, shkon në gjyq dosja ndaj mjekut Edvin Prifti appeared first on Gazeta Si.

Trafik droge drejt Greqisë, kapen 51 kg kanabis në Gjirokastër

24 December 2025 at 12:27

Gazeta Si – Një 30-vjeçar u arrestua gjatë një operacioni antidrogë të koduar “Black Scale” në Gjirokastër, ku u sekuestrua rreth 51 kg kanabis sativa, të ndarë në 48 pako, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin drejt Greqisë.

Policia thotë se në pranga ka rënë N.P., banues në fshatin Rusan, Delvinë, i cili transportonte lëndën narkotike të fshehur në një hapësirë të improvizuar tek shasia e automjetit tip “Nissan”.

Policia identifikoi edhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë të 30-vjeçarit, të cilët i ka shpallur në kërkim. Njëri prej tyre është vëllai i të arrestuarit, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kanë pasur role organizatore dhe ndihmëse.

Gjatë operacionit, përveç lëndës narkotike, u sekuestruan automjeti tip “Nissan” dhe tre celularë të të arrestuarit. Hetimet vazhdojnë për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë të përfshirëve.

The post Trafik droge drejt Greqisë, kapen 51 kg kanabis në Gjirokastër appeared first on Gazeta Si.

Gjykata Supreme kundër Trumpit, ndalon trupat e Gardës Kombëtare në Çikago

24 December 2025 at 10:48

Gazeta Si – Donald Trump ka pësuar një tjetër pengesë për politikat e tij të emigracionit. Gjykata Supreme hodhi poshtë kërkesën e presidentit për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare në Illinois, konkretisht në Çikago, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga autoritetet lokale.

Vendimi ndau gjashtë gjyqtarët konservatorë të Gjykatës Supreme, me tre pro dhe tre kundër vendosjes. Tre gjyqtarët liberalë u rreshtuan në anën e atyre që ishin kundër.

Edhe pse vendimi është paraprak dhe ka të bëjë vetëm me Çikagon, ka të ngjarë të forcojë argumentet në gjykata të atyre që kundërshtojnë vendosjen e ushtrisë në qytete të tjera, siç është Uashingtoni, D.C.

Vendimi kontrovers i Trump për të vendosur Gardën Kombëtare në Çikago, u bazua në vlerësimin e administratës së tij se qyteti dhe zona përreth po zhyteshin në kaos dhe paligjshmëri.

Por autoritetet lokale, siç është Guvernatori Demokrat i Illinoisit, J.B. Pritzker, e akuzuan presidentin se kishte një motiv të fshehtë: ndëshkimin e kundërshtarëve të tij politikë.

Në dosjet gjyqësore, shteti i Illinoisit dhe Çikago, argumentuan se thirrja e Trump në ligjin federal ishte e pajustifikuar dhe se veprimet e tij shkelën gjithashtu Amendamentin e Dhjetë të Kushtetutës, i cili kufizon pushtetin federal.

The post Gjykata Supreme kundër Trumpit, ndalon trupat e Gardës Kombëtare në Çikago appeared first on Gazeta Si.

SHBA i ndalon hyrjen ish-komisionerit të BE dhe 4 zyrtarëve të tjerë për ‘fjalën e lirë’

24 December 2025 at 10:36

Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë njoftuar sanksione kundër pesë figurave evropiane që punojnë për të promovuar rregullime më të rrepta të sektorit të teknologjisë.

Midis tyre është ish-Komisioneri i BE-së, Thierry Breton, të cilit i është ndaluar hyrja në vend. Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, i justifikoi masat duke deklaruar se veprimet e tyre përbëjnë “censurë” dhe janë të dëmshme për interesat amerikane.

“A është Rikthyer gjuetia e shtrigave McCarthy?”, – pyeti Breton në mënyrë kontroverse në mediat sociale. Uashingtoni pretendon se ligji i shtyrë nga ish-Komisioneri Evropian, Akti i Shërbimeve Dgjitale, ka dëmtuar interesat amerikane.

“Le të kujtojmë se 90% e Parlamentit Evropian, organi ynë i zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe të gjitha 27 shtetet anëtare votuan unanimisht për Aktin e Shërbimeve Digjitale. Për miqtë tanë amerikanë: censura nuk është aty ku mendoni se është”, paralajmëroi Breton.

Në një deklaratë nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, Departamenti i Shtetit “po ndërmerr veprime vendimtare kundër pesë individëve që kanë udhëhequr përpjekje të organizuara për të detyruar platformat amerikane të censurojnë, demonetizojnë dhe shtypin pikëpamjet amerikane që i kundërshtojnë ata. Këta aktivistë radikalë dhe OJQ-të e tyre të instrumentalizuara, kanë promovuar masa të ashpra nga shtetet e huaja ndaj censurës, duke synuar vazhdimisht folësit dhe bizneset amerikane”.

Prandaj, vazhdon Rubio, “kam përcaktuar se hyrja, prania ose aktivitetet e tyre në Shtetet e Bashkuara kanë potencialin për pasoja serioze negative për politikën e jashtme të SHBA-së”.

Deklarata e Rubios përfundon duke theksuar se “presidenti Trump e ka bërë të qartë se politika e tij e jashtme ‘Amerika e Para’, hedh poshtë shkeljet e sovranitetit amerikan. Ndërhyrja ekstraterritoriale e censorëve të huaj që synojnë lirinë e fjalës amerikane nuk është përjashtim. Departamenti i Shtetit është i gatshëm të zgjerojë listën e sotme nëse aktorë të tjerë të huaj nuk ndryshojnë kursin”.

The post SHBA i ndalon hyrjen ish-komisionerit të BE dhe 4 zyrtarëve të tjerë për ‘fjalën e lirë’ appeared first on Gazeta Si.

Kultivuan drogë, vëllai i ish-deputetit socialist dhe 2 bashkëpunëtorët e tij dënohen me 17 vite burg

24 December 2025 at 10:18

Gazeta Si – Gjykata e Lezhës ka dënuar me 17 vite e 6 muaj burg në total tre persona të arrestuar në prill 2024 për kultivimin e lëndëve narkotike në një stan të fshatit Kashnjet, ku u gjetën 2973 bimë kanabisi me pajisje ventilimi.

Të dënuarit janë, Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit socialist, Eduart Ndreca, Elvis Shpellzaj dhe Armel Ndikdukaj. Të tre kanë përfituar lehtësimin e dënimeve nga gjykimi i shkurtuar.

Konkretisht, Armando Ndreca do të vuajë dënimin me 4 vite e 4 muaj burg që i llogaritet që prej ditës së arrestimit në flagrancë, Elvis Shpellzaj do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg, si dhe Armel Ndikdukaj 6 vite e 8 muaj burg.

Ata u arrestuan nga Policia e Lezhës në muajin prill të vitit 2024, pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur një stan për kultivimin e drogës.

Nga ky ambient u sekuestruan 2 973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe 3 aparate celularë.

Goditja e këtij rasti të kultivimit të bimëve narkotike erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Policia e Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, e cila finalizoi operacionin.

The post Kultivuan drogë, vëllai i ish-deputetit socialist dhe 2 bashkëpunëtorët e tij dënohen me 17 vite burg appeared first on Gazeta Si.

‘Shtëpi bari’ në Velipojë, arrestohet 22-vjeçari dhe punonjësi i OSHEE-së

24 December 2025 at 10:07

Gazeta Si – Një 22-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi kishte përshtatur një banesë në Velipojë për të prodhuar lëndë narkotike.

Gjovalin Binaku, kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për të prodhuar kanabis nëpërmjet llambave.

Policia njoftoi se ka arrestuar edhe punonjësin e OSHEE-së, Robert Vata 25 vjeç i akuzuar për veprën penale “shpërdorim detyre”. Policia ka vënë nën hetim dhe 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së.

Nga operacioni policia sekuestroi 300 bimë të dyshuara narkotike kanabis, një sasi kanabisi, 125 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 4 celularë dhe një përforcues grushti.

Gjatë kontrolleve në banesën e përshtatur për veprimtari kriminale në Velipojë, Policia gjeti dhe sekuestroi: 308 bimë të dyshuara narkotike kanabis; 85 gramë kanabis të tharë; 122 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike; 4 aparate celularë; Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e Robert Vatës, u sekuestruan: 3 llamba; 1 përforcues grushti.

The post ‘Shtëpi bari’ në Velipojë, arrestohet 22-vjeçari dhe punonjësi i OSHEE-së appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Turqi / Rrëzohet avioni me Shefin e Shtabit të Libisë në bord, 5 të vdekur

23 December 2025 at 22:12

Gazeta Si – Aeroplani që transportonte një delegacion libian, përfshirë Shefin e Shtabit të Ushtrisë Mohammed al-Haddad, u rrëzua në kodrën Selamalmaz, dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak në distriktin Haymana, pranë Ankarasë në Turqi. Të pesë personat në bord u vranë, ndërsa avioni po shkonte drejt Tripolit.

Mediat turke raportuan se avioni pësoi një defekt në sistemin elektrik menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ankarasë, duke dërguar një sinjal alarmi ndërsa përpiqej të kthehej për një ulje emergjente.

Një shpërthim ndodhi gjatë operacionit të derdhjes së karburantit. Ende është e paqartë nëse shpërthimi ndodhi në fluturim apo pas përplasjes me tokën.

🔴#SONDAKİKA | Libya Genelkurmay Başkanı'nın bulunduğu uçağın iletişimin kesildiği noktaya yakın bölgede meydana gelen patlamanın görüntüsü:

Arama-kurtarma çalışmaları devam ediyor. https://t.co/0YAeTbkoiN pic.twitter.com/msQCqybnCc

— ibrahim Haskoloğlu (@haskologlu) December 23, 2025

Ekipet e shpëtimit gjetën rrënojat e avionit pranë distriktit Haymana të provincës së Ankarasë. Zona është rrethuar dhe autoritetet turke kanë filluar operacionet e rikuperimit dhe hetimet teknike për të përcaktuar shkakun e aksidentit.

Pas njoftimit në median lokale, konfirmimi erdhi nga autoritetet turke. “Mbetjet e aeroplanit që u ngrit nga Aeroporti i Ankarasë, Esenboğa dhe po shkonte drejt Tripolit u gjetën nga xhandarmëria jonë dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak, në rrethin Haymana”, tha Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya në X.

Pesë persona ishin në bordin e aeroplanit, përfshirë Shefin e Shtabit të Ushtrisë Libiane, Gjeneral Mohamed al-Haddad, një nga figurat më të larta ushtarake të vendit afrikan. Të gjithë anëtarët e delegacionit libian u vranë.

Kush ishte gjenerali i vdekur? Al-Haddad ishte komandanti më i lartë ushtarak në Libinë perëndimore dhe luajti një rol vendimtar në përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësuara nga OKB për të unifikuar ushtrinë e ndarë libiane dhe institucionet e vendit.

Autoritetet turke fillimisht thanë se kishin humbur kontaktin me radarin me një aeroplan “Falcon” që transportonte pesë persona, përfshirë Shefin e Shtabit të Ushtrisë Libiane, pasi u ngrit nga Ankaraja me destinacion Tripolin.

“Në orën 20:52 (6:52 GMT), kontakti u humb me aeroplanin privat Falcon 50, me numër 9H-DFJ, i cili ishte ngritur nga Aeroporti Esenboğa i Ankarasë në orën 20:10 me destinacion Tripolin. Një kërkesë për ulje emergjente u mor pranë Haymanas. Megjithatë, kontakti me aeroplanin nuk u rivendos më pas”, raportuan autoritetet turke para zbulimit.

The post Turqi / Rrëzohet avioni me Shefin e Shtabit të Libisë në bord, 5 të vdekur appeared first on Gazeta Si.

Dyshohet se morën ryshfet, SPAK merr të pandehur dy ish-prokurorë të Sarandës

23 December 2025 at 20:52

Gazeta Si – SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur dy ish-prokurorë të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini, në kuadër të një hetimi për dyshime korrupsioni që lidhen me lehtësimin e masave të sigurisë ndaj biznesmenit Pando Papuçi, i hetuar më herët për ndërtim pa leje.

Sipas SPAK, Llaho akuzohet për veprën penale të korrupsionit, ndërsa Shahini, i cili aktualisht ushtron profesionin e avokatit, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Organi i akuzës dyshon se dy ish-prokurorët i kanë kërkuar Papuçit shumën totale prej 55 mijë eurosh, në këmbim të ndërhyrjes në procedurat gjyqësore, me synim zbutjen e masave të sigurisë.

Hetimet kanë evidentuar se Papuçi ishte shmangur nga drejtësia për rreth dy vite dhe u arrestua më pas, ndërsa masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua brenda një ore nga gjyqtarja Edona Vajushi, pas kërkesës së prokurorisë.

SPAK dyshon se kjo lëvizje ka qenë pjesë e një skeme të paracaktuar, ku pagesat e paligjshme do të shërbenin për të ndikuar vendimmarrjen gjyqësore.

Sipas prokurores Manjola Kajana, Llaho dyshohet se ka përfituar 30 mijë euro, të cilat, sipas hetimit, janë dorëzuar përmes biznesmenit Vasil Bakalli, i akuzuar se ka vepruar si ndërmjetës (sekser). Paratë dyshohet se janë siguruar në Greqi.

Pas daljes nga burgu dhe vendosjes në masën “arrest shtëpie”, Papuçi dyshohet se i ka paguar edhe 25 mijë euro të tjera Çlirim Shahinit, me qëllim që ky i fundit të ndërhynte për zëvendësimin e masës me “detyrim paraqitjeje”. Edhe kjo kërkesë është pranuar më pas nga gjykata.

Çështja ndaj dy ish-prokurorëve pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Ndërkohë, në gusht të këtij viti, Gjykata e Apelit ka konkluduar se Pando Papuçi nuk kishte konsumuar vepër penale lidhur me akuzën për ndërtim pa leje, duke rrëzuar thelbin e çështjes ndaj tij.

The post Dyshohet se morën ryshfet, SPAK merr të pandehur dy ish-prokurorë të Sarandës appeared first on Gazeta Si.

Rrjedhje uji radioaktiv nga termocentrali bërthamor në Japoni

23 December 2025 at 19:49

Gazeta Si – Gjatë punimeve të çmontimit në reaktorin eksperimental të konvertimit të avancuar Fugen në prefekturën Fukui, afërsisht 20 mililitra ujë që përmbante tritium, rrodhën nga një tub.

Agjencia Japoneze e Energjisë Atomike (JAEA), njoftoi rrjedhjen, duke specifikuar se nuk pati të lënduar apo ndikime mjedisore.

Sipas agjencisë, incidenti ndodhi në qytetin Tsuruga, ndërsa ishte duke u zhvilluar prishja e pajisjeve eksperimentale brenda reaktorit Fugen.

Ndërsa prisnin një tubacion, punëtorët zbuluan një rrjedhje uji të mbetur që përmbante tritium radioaktiv brenda tubave.

Sasia e rrjedhur u vlerësua në afërsisht 20 mililitra dhe rrjedhja tani është ndaluar. Operacionet u kryen brenda një impianti të izolimit nga përdorimi, i projektuar për të parandaluar lëshimin e materialeve radioaktive.

Tre punëtorë ishin të pranishëm brenda zonës, të cilët e braktisën menjëherë vendin. Agjencia Japoneze e Energjisë Atomike (JAEA), deklaroi se të gjithë punëtorët mbanin maska ​​​​të plota për fytyrën dhe kostume mbrojtëse, dhe se nuk kishte pasur thithje ose kontakt të drejtpërdrejtë me ujin, duke përjashtuar kështu çdo ekspozim ndaj rrezatimit.

Nuk u zbulua asnjë rrjedhje e materialit radioaktiv jashtë zonës së kontrolluar. Për më tepër, vlerat e regjistruara nga stacionet e monitorimit të rrezatimit të instaluara brenda objektit dhe zonave përreth, nuk treguan anomali, duke përjashtuar çdo efekt në mjedisin e jashtëm.

Megjithatë, agjencia raportoi se përqendrimi i tritiumit brenda objektit të izolimit tejkalonte kufijtë e përcaktuar nga rregulloret aktuale dhe për këtë arsye informoi Autoritetin Rregullator Bërthamor Japonez.

Ky i fundit kërkoi paraqitjen e një raporti mbi shkaqet e incidentit dhe mbi masat parandaluese për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme.

Reaktori Eksperimental i Konvertimit të Avancuar Fugen ishte pjesë e politikës së ciklit të karburantit bërthamor të Japonisë dhe ishte një strukturë kërkimore që përdorte plutonium të nxjerrë nga karburanti bërthamor i shpenzuar si lëndë djegëse.

Reaktori ndërpreu funksionimin në vitin 2003 dhe aktivitetet e çmontimit kanë vazhduar që nga viti 2008.

The post Rrjedhje uji radioaktiv nga termocentrali bërthamor në Japoni appeared first on Gazeta Si.

AI ka mësuar të gjenerojë imazhe që duken si foto të këqija

23 December 2025 at 19:32

Gazeta Si – Nëntorin e kaluar, Google zbuloi Nano Banana Pro, versionin më të fundit të modelit të saj të inteligjencës artificiale, i aftë të gjenerojë imazhe bazuar në përshkrime tekstuale.

Modeli menjëherë bëri përshtypje me realizmin dhe saktësinë e tij, madje edhe në gjenerimin e fotografive.

Fotografitë e gjeneruara nga inteligjenca artificiale shpesh kanë një estetikë artificiale lehtësisht të dallueshme, me fytyra dhe sipërfaqe të lëmuara, jo natyrale.

Imazhet e Nano Banana Pro janë më bindëse, sepse ngjajnë me foto reale, me të metat dhe kufizimet e tyre.

Në mënyrë specifike, modeli kopjon karakteristikat tipike të fotografisë me smartphone, e cila mbështetet në lente dhe sensorë më pak të përparuar, duke rezultuar në foto me më pak thellësi dhe kontrast sesa kamerat profesionale.

Realizmi në rritje i arritur nga Nano Banana Pro padyshim që përfaqëson një problem potencial, duke pasur parasysh zbatimin e teknologjive të ngjashme në dezinformata dhe mashtrime, por gjithashtu përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për industrinë.

Nano Banana vs Nano Banana Pro

We’re cooked. 💀 pic.twitter.com/LRoJhALaZD

— sid (@immasiddx) November 24, 2025

Ka disa arsye pse fotografitë sintetike (domethënë, të gjeneruara nga AI) zakonisht duken të panatyrshme. E para lidhet me trajnimin e këtyre programeve, të cilat zhvillohen duke analizuar miliona imazhe të të gjitha llojeve, shumë prej të cilave vijnë nga uebi, ku ka shumë imazhe të stilizuara dhe të stokut, zakonisht me një estetikë shumë të shkëlqyeshme.

Një tjetër, është teknika me të cilën trajnohen këto AI, e quajtur difuzion. Pas zhvillimit të programeve të afta për të njohur elementët e një imazhi, zhvilluesit i ekspozojnë ato ndaj përmbajtjes së korruptuar digjitalisht, domethënë, me piksel shtesë që e turbullojnë pamjen e përgjithshme, si efekti i borës në televizorët e vjetër.

Me kalimin e kohës, modeli mëson të njohë dhe heqë këtë “zhurmë” për të rindërtuar imazhin themelor; pasi të ketë mësuar ta bëjë këtë, hapi tjetër është të fillojë nga zhurma e pastër për të gjeneruar një imazh të rastësishëm, i cili për këtë arsye do të jetë jashtëzakonisht i pastër.

Sipas Valentina Tanni, historiane arti dhe autore e librit Antimacchine. Duke mos respektuar Teknologjinë, modele si Nano Banana Pro po “ulin efektin me shkëlqim dhe estetikën hiper-të detajuar, karakteristikat që ne priremi t’i shoqërojmë me imazhe të rreme, të ndërtuara dhe të manipuluara”.

Përhapja e AI-së gjeneruese ka ndryshuar tashmë kriteret që përdorim për të përcaktuar realizmin e një fotografie: “Një imazh i papërsosur, shpesh na duket shumë më real dhe autentik, sepse largon dyshimin për manipulim”.

Silvio Lorusso, shkrimtar dhe autor i librit “The Designer Without Quality”, pajtohet se, vetëm në pak vite, inteligjenca artificiale ka “përmbysur plotësisht idenë tonë të realizmit”.

🚨 CREATE YOUR REALISTIC ROOFTOP NIGHT CITYSCAPE 🏙 MOMENT with a fast moving 🚁 in background

Copy the prompt below and CREATE YOUR OWN PHOTO LIKE THIS 🫵 with Nano Banana Pro

Bookmark 🔖 this now and recreate this with your selfie later.

How to:
1) Download the Gemini app… pic.twitter.com/qVpclGF8iy

— Nano Banana Labs (@NanoBanana_labs) December 20, 2025

Përpara këtyre teknologjive, krijimi i një fotografie të mirë kërkonte ndriçim, skena, makina cilësore dhe personel të kualifikuar, si dhe kohë; sot, megjithatë, këto modele ju lejojnë të krijoni imazhe të çdo lloji vetëm në pak sekonda.

Nano Banana Pro demonstron se ekziston një mënyrë tjetër për të rritur fotorealizmin e AI-së: jo duke përsosur detajet anatomike të trupit të njeriut (modelet dihet se kanë vështirësi në paraqitjen e saktë të gishtërinjve, për shembull), por duke imituar mjetet me të cilat bëhen fotografitë.

Kjo përfshin të metat dhe kufizimet e tyre teknike, të tilla si “rezolucioni i ulët, kokrriza digjitale, vinjetimi, syri i kuq e kështu me radhë”, thotë Lorusso.

Sipas Ben Sandofsky, bashkëthemelues i aplikacionit të fotografisë Halide, “Google mund ta ketë anashkaluar luginën e çuditshme”, atë ndjenjë neverie dhe shqetësimi që ndiejmë ndaj robotëve, makinave dhe kukullave që janë si realiste, por jo tërësisht.

Siç shpjegon “The Verge”, Google nuk është i vetmi që ofron modele të afta për ta bërë këtë: Meta AI dhe Adobe Firefly gjithashtu u lejojnë përdoruesve të menaxhojnë “intensitetin vizual” të imazheve, duke i bërë ato më pak të shndritshme dhe më “të papërsosura”.

E njëjta gjë ndodh edhe në gjenerimin e videove. Dy modelet kryesore në industri, Sora 2 i OpenAI dhe Veo 3 i Google, janë të afta të gjenerojnë video me kokrriza dhe rezolucion të ulët, sikur të ishin xhiruar nga pajisje me cilësi të ulët.

Janë pikërisht këto lloje përmbajtjesh sintetike që përdoruesit i ngatërrojnë më shpesh me të vërteta, siç demonstrohet nga rasti i fundit i një videoje virale që imitonte regjistrimet e kurtheve të kafshëve gjatë natës.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post AI ka mësuar të gjenerojë imazhe që duken si foto të këqija appeared first on Gazeta Si.

❌
❌