Gjykata Kushtetuese reagon lidhur me zërat në media, përfshirë edhe liderin e Opozitës Sali Berisha, lidhur me vendimin e saj për të rikthyer në detyrë zv/kryeministren Belinda Balluku.
Përmes një sqarimi për publikun dhe median, Kushtetuesja i përgënjeshtron këto deklarata duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Gjykata u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe publikë të tregohen të matur në deklarata, duke paralajmëruar se komentet e nxituara dhe përgojimi i gjyqtarëve apo i institucionit në tërësi cenojnë procesin e rregullt kushtetues dhe krijojnë përshtypje paragjykimi.
Gjykata Kushtetuese thekson se vendimmarrja e saj duhet të mbetet e pavarur dhe e pandikuar nga presioni publik apo keqinformimi, duke ritheksuar se integriteti dhe autoriteti i saj janë thelbësore për ruajtjen e besimit të publikut.
Reagimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Sqarim për publikun dhe median
Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta.
Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.
Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.
LEXO EDHE: Gjykata Kushtetuese rrëzon GJKKO-në, rikthen në detyrë Belinda Ballukun
Çështja në fjalë ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria e Shqipërisë, duke e konsideruar vendimin e pezullimit si “një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave“.
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë gjithashtu kishte kërkuar pezullimin e efekteve të vendimit të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.
Më 19 nëntor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të pezullojë nga detyra zv.kryeministren Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Balluku është e pandehur dhe akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Ajo ka mbajtur postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit të vitit 2019 dhe të zv.kryeministres prej korrikut 2022.