Lahuta është shpirt i Malësisë: Lumturije Nonaj ruan artin e të parëve
TIRANË, 10 janar /ATSH/ Lahuta është shpirti i Shqipërisë së Veriut. Historitë e dala prej tingujve të saj, udhëtojnë më shpejt se njerëzit në rrugët e këtyre zonave.
Dikur rapsodët e malësisë ishin të shumtë. Ata luanin në lahutë dhe këndonin këngë trimash, por edhe histori njerëzore të atyre anëve, duke përcjellë në këtë mënyrë dijen dhe artin e të luajturit në vegla muzikore. Nga trungu i njërit prej tyre, legjendarit Gjok Nonaj, i cili interpretoi në moshën 105-vjeçare në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, ka dalë edhe një lahutare, Lumturije Nonaj.
Ky art, të cilin tashmë na e njeh edhe UNESCO-ja, është përvetësuar nga Lumturija, mbesa e Gjokës, që kur ajo ishte fëmijë.
Lahutarja shqiptare ka lindur në Lezhë, por me origjinë është nga Shkreli i Malësisë së Madhe. Mbesa e rapsodit legjendar Gjok Nonaj (1910-2017) thotë se trashëgimia e lahutarit tashmë jeton ndër nipër e mbesa që ruajnë amanetin e tij, lahutën.
“Unë pothuajse kam lindur lahutare, sepse brez pas brezi familja ime quhej familje lahutarësh. Çiftelisë i kam rënë që 5 vjeç, ndërsa lahutës kam filluar t’i bie në moshën 12-vjeçare”, thotë Lumturija, të cilën e trishton fakti se tashmë kanë mbetur shumë pak lahutarë, aq sa mund t’i numërosh me gishta.
Në familjen e saj, janë lahutarë edhe katër vëllezërit: Nikolla, Luigji, Gjeta e Gjovalini, ndërkohë që Lumturija po ia mëson lahutën edhe bashkëshortit të saj, Gjovalinit.
Sipas lahutares, nuk është e vështirë t’ia mësosh dikujt tjetër lahutën.
“Dëshira ime e madhe është jo vetëm ta luaj, por edhe tua mësoj të rinjve. Pas hyrjes së lahutës në UNESCO kam vënë re një dëshirë më të madhe për të mësuar mbi këtë instrument, që është një pasuri e çmuar. Edhe në rrugë kur më kanë parë, veshur me xhubletë dhe me lahutë në dorë, më kanë ndalur dhe më kanë pyetur. Njerëzit kanë kuriozitet. Duan të dinë për identitetin e instrumentit, pasaportën e lahutës”, thotë Lumturija. Ajo është shpresëplotë se Shqipëria do të vazhdojë të ketë lahutarë, madje edhe lahutare.
Lumturia këndon dhe luan me lahutë këngë trimërie, këngë të Eposit të Kreshnikëve, vargje të “Lahutës së Malcis” nga i madhi At Gjergj Fishta.
“Lahutës sime i kam dhënë për “detyrë” të mos këndojë vetëm këngë lufte e vaji, por edhe këngë dashnije”, thotë Lumturie Nonaj. Kështu, ajo këndon këngë që krijon vetë për Malësinë e Madhe, bjeshkët, për shtegtimin e bagëtive (edhe kjo tashmë në UNESCO).
Lumturija thotë se kurrë nuk do t’i ndajë xhubletën dhe lahutën, të cilat i konsideron si motra.
Lahutarët e konsiderojnë lahutën si amanet të të parëve. Përmes saj ata mbajnë gjallë kulturën dhe ua përcjellin atë brezave, së bashku me pasionin dhe krenarinë për këtë art të vjetër shqiptar.
Lumturije Nonaj thotë se tashmë ndihet krenare që lahuta jonë njihet nga mbarë bota si pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s. “Kjo është një fitore jo vetëm për muzikën tonë tradicionale, por për të gjithë kulturën shqiptare. Fakti që bota e vlerëson, na jep forcë dhe emocion të veçantë që ta ruajmë e ta çojmë përpara këtë art të shenjtë të të parëve tanë”, thotë Lumturija.
/r.e/a.f/
The post Lahuta është shpirt i Malësisë: Lumturije Nonaj ruan artin e të parëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.