Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 February 2026Main stream

Sigurimi i banesave nga tërmetet dhe përmbytjet/ Si do përcaktohet tarifa që do të paguhet

By: Fax Web
3 February 2026 at 20:20

Qeveria ka bërë gati projektligjin për sigurimin e banesave me detyrim, një mekanizëm ligjor që sipas saj, synon të mbulojë humbjet që mund të pësojnë pronarët e banesave nga tërmetet dhe përmbytjet.

Drafti i cili ka shkuar në Parlament parashikon kompensimin e shpejtë të tyre në rast të fatkeqësive.

“Modeli i sigurimit të detyrueshëm është frymëzuar nga praktikat e suksesshme ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet si Turqia dhe Rumania, të cilat kanë arritur të reduktojnë ndjeshëm koston fiskale dhe ekonomike që shkaktojnë ngjarjet e tërmeteve dhe përmbytjeve. Implementimi i këtij ligji pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin e menaxhimit të riskut në Shqipëri, duke siguruar një mbrojtje më të mirë financiare për qytetarët dhe duke reduktuar barrën fiskale mbi buxhetin e shtetit pas ngjarjeve katastrofike”, thuhet në projektligj.

Shqipëria është goditur nga tërmete me magnitudë mbi 6 ballë, që nga viti 1900 janë regjistruar 12 tërmete të tilla. Më i fundit dhe më shkatërruesi ishte tërmeti i nëntorit 2019 me magnitudë 6.4 ballë, i cili preku mbi 200,000 njerëz në 11 bashki, përfshirë qytetet kryesore si Tirana dhe Durrësi.

“Përmbytjet gjithashtu janë një rrezik i përsëritur dhe me ndikim të lartë ekonomik, veçanërisht në zonat e ulëta pranë lumenjve dhe rajonet bregdetare. Ngjarjet e viteve 2010, 2015 dhe 2021 kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, bujqësi dhe infrastrukturë, me humbje që arrijnë deri në qindra milionë euro. Vlerësimet e Bankës Botërore tregojnë se përmbytjet përbëjnë një barrë fiskale të konsiderueshme, duke rritur ekspozimin e familjeve ndaj varfërisë dhe duke krijuar kosto emergjente për buxhetin e shtetit. Këto rrethana imponojnë domosdoshmërinë e sigurimit të detyrueshëm të banesave si instrument ligjor për mbrojtjen financiare dhe reduktimin e pasojave socio-ekonomike”, thuhet më tej në relacion.

Neni 7

Shuma e sigurimit

  1. Kufiri maksimal i shumës së sigurimit të detyrueshëm përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat.
  2. Pjesa e zbritshme është në nivelin e 2 (dy) përqind të vlerës së dëmshpërblimit dhe mbulohet nga i siguruari për çdo dëm që shkaktohet nga ngjarjet e tërmetit apo përmbytjet të mbuluara nga sigurimi i detyrueshëm në zbatim të këtij ligji.

Neni 8

Primi i sigurimit

  1. Primi i sigurimit për sigurimin e detyrueshëm të banesave paguhet nga personi i siguruar si pagesë e plotë.
  2. Metodologjia e përcaktimit të primit për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, termat, klasifikimi i banesave mbi bazë rreziku, llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat.

LEXO EDHEAMF publikon raportin vjetor 2025: SIGAL IG paguan 26.02% të dëmeve totale të tregut të sigurimeve

“Spotify Camp Nou”, kandidat për finalen e Champions League 2029

By: Fax Web
3 February 2026 at 20:12

Barcelona ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve 2029, duke propozuar stadiumin “Spotify Camp Nou” si arenën pritëse të ndeshjes më prestigjioze të futbollit evropian për klube.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi katalanas përmes një deklarate zyrtare.

Barcelona është rikthyer të luajë në “Camp Nou” vitin e kaluar, ndonëse impianti vijon të jetë pjesërisht në proces rinovimi.

Sipas planeve të klubit, punimet për modernizimin e plotë të stadiumit pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027, duke e bërë atë plotësisht të gatshëm për organizimin e eventeve madhore ndërkombëtare, përfshirë edhe finalen e Champions League.

Përveç finales së Ligës së Kampionëve, “Camp Nou” përmendet edhe si një nga stadiumet potenciale për Kupën e Botës 2030, e cila do të organizohet bashkërisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, çka e forcon më tej pozicionin e Barcelonës si një qytet pritës i ngjarjeve të mëdha sportive.

Në deklaratën zyrtare thuhet se, FC Barcelona ka shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në fazën fillestare të procesit të kandidimit, në bashkëpunim me Këshillin e Qytetit të Barcelonës dhe Qeverinë e Katalonjës, duke propozuar qytetin dhe stadiumin “Spotify Camp Nou”, në varësi të homologimit dhe miratimit nga UEFA, me mbështetjen e Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF).

Klubi thekson se kjo fazë është paraprake dhe përfshin analizë e vlerësim nga ana e UEFA-s, ndërsa dorëzimi i dosjes përfundimtare me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm është planifikuar për fillimin e qershorit 2026.

Nën drejtimin e trajnerit aktual Hansi Flick, Barcelona synon jo vetëm sukses sportiv, por edhe rikthimin e plotë në qendër të vëmendjes së futbollit evropian.

LEXO EDHEJep dorëheqjen presidenti i Barcelonës

Izraelitët do ndërtojnë qendrën e parë të të dhënave në Shqipëri

By: Fax Web
3 February 2026 at 20:09

Shqipëria do të ketë për herë të parë një qendër të madhe të të dhënave, falë një investimi prej rreth 100 milionë eurosh nga kompania izraelite ADC, e përzgjedhur pas afrimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Lajmi bëhet i ditur nga media izraelite “Globes”.

Projekti do të ndërtohet në një zonë të lirë ekonomike pranë Tiranës, në TEDA, dhe do të ketë një kapacitet fillestar prej 32 megavatësh, me mundësi zgjerimi deri në 100 megavatë. Qendra e të dhënave do të funksionojë mbi teknologjinë e avancuar të procesorëve grafikë të Nvidia-s dhe do të shërbejë për përpunim të avancuar të të dhënave dhe inteligjencës artificiale.

Falë statusit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian, projekti ka përfituar kushte të përshpejtuara dhe favorizuese. Leja e ndërtimit është miratuar brenda vetëm 60 ditësh, ndërsa objekti po ndërtohet në tokë shtetërore, me infrastrukturë energjetike dhe komunikimi të përgatitur paraprakisht.

Qendra do të furnizohet me energji të gjelbër nga burime hidroelektrike, ndërsa kompania publike e energjisë po ndërton një nënstacion elektrik të dedikuar për këtë projekt. Në aspektin financiar, 75% e kostos së investimit mbulohet nga një linjë kredie e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Edhe pse ndërtimi nuk ka përfunduar ende, qendra e të dhënave ka siguruar tashmë tre klientë të rëndësishëm, mes tyre një kompani shqiptare e teknologjisë, një kompani gjermane dhe një institucion qeveritar shqiptar, identiteti i të cilit mbetet konfidencial.

Sipërmarrësit e projektit synojnë të tërheqin klientë europianë dhe amerikanë që kërkojnë qendra përpunimi të inteligjencës artificiale të bazuara në energji të pastër, në një kohë kur SHBA po përballet me kufizime serioze në zhvillimin e qendrave të reja të të dhënave dhe kapaciteteve energjetike.

Ky investim vjen në një moment të afrimit të fortë politik mes Shqipërisë dhe Izraelit, i cili është intensifikuar pas sulmit kibernetik ndaj Tiranës në vitin 2022 dhe bashkëpunimit të mëvonshëm në fushën e sigurisë kibernetike dhe të mbrojtjes.

Ligji i ri grek për emigrantët/ Çfarë do të ndodhë me 84 mijë dosjet shqiptare?

By: Fax Web
3 February 2026 at 20:04

Ministria e Migracionit dhe Azilit në Greqi ka paraqitur së fundmi një projektligj që synon modernizimin e sistemit të lejeve të qëndrimit dhe reduktimin e burokracisë.

Gazetarja shqiptare Nilda Baxha, e cila jeton në Athinë, ka hedhur dritë mbi zhvillimet e fundit rreth projektligjit të ri. Ky ligj, i cili synon të rregullojë mungesën e fuqisë punëtore dhe të reduktojë burokracinë, po pritet me nota të forta kritike nga përfaqësuesit e emigrantëve.

Sipas Baxhës, ky është një moment historik, pasi për herë të parë në debate parlamentare u përfshinë zëra direkt nga komuniteti.

Javën e kaluar është zhvilluar një debat mjaft i rëndësishëm. Ishte hera e parë që morën pjesë dhe përfaqësues nga Forumi Grek i Emigrantëve. Ne shqiptarët u përfaqësuam nga Rovena Xhori dhe Alda Shashati,” raporton gazetarja.

Baxha e krahasoi projektligjin e ri me “thërrime”.

Personalisht më kujton ato thërrimet që u hidhen pëllumbave për t’i mbajtur afër. Historia jonë 35-vjeçare e emigracionit ka kaluar nëpërmjet zvarritjeve burokratike, abuzimeve të ndryshme, vonesave të pajustifikuara, dhënieve të kartave të skaduara, të cilat kanë sjellë mërzitje dhe ankth veçanërisht te ne të brezit të parë. Tashmë brezi i 50-60 vjeçarëve janë në moshën e pensionit.

Atyre u jepet mundësia për një rinovim të lejeve të qëndrimit vetëm nëse do të kenë sigurime shoqërore. Këtu ka një kleçkë, sepse nëse nuk janë në marrëdhënie pune u duhet t’i paguajnë vetë ato. Mund të jepet një lehtësim të rinovimit  të lejes së qëndrimit, ka një anë pozitive, por flasim për një brez që ka mbuluar punët më të rënda, punët në ndërtim, në turizëm, në mbledhjen e ullinjve, agrumeve e të tjerë”.

Nilda Baxha sqaroi disa nga propozimet që po shkaktojnë debat. Emigrantët që kanë mungesë punësimi prej 3-6 muajsh rrezikojnë të mbeten pa karta. Baxha shpjegoi se kjo është mjaft e vështirë pasi jo të gjithë janë në punë gjatë gjithë vitit, veçanërisht në sektorët sezonalë.

Edhe pse rikthehen kartat e identitetit 10-vjeçare, ato kushtëzohen me një provim të vështirë.

“Një 50-vjeçar që punon për një kohë të gjatë duhet të lexojë shumë dhe të japë provim për gjuhën, kulturën greke, antikitetin, gjeografinë, historinë,” u shpreh ajo, duke e konsideruar këtë shumë larg pritshmërive.

Nga rreth 400 mijë emigrantë shqiptarë në Greqi, aktualisht janë 84 mijë çështje në proces shqyrtimi që presin në radhët e gjata të administratës greke.

“Ministrit të Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, iu kërkua që të ketë një rritje të nëpunësve të cilët merren me këto dokumentacione të dorëzuara nga emigrantët, sepse zvarritjet janë shumë të gjata dhe shpesh emigrantët janë pajisur me karta të skaduara. Nuk pati përgjigje prej tij. Madje dhe ai vetë e pranon që ka pasur burokraci dhe zvarritje por nuk jep asnjë zgjidhje”.

Gazetarja sqaroi se për shkak të vonesave deri në 2 vite, shumë emigrantë pajisen me karta që janë pothuajse të skaduara në momentin që i marrin.

Zgjidhja e vetme është që ne emigrantët të organizohemi në protesta paqësore për t’i dhënë një mesazh qeverisë greke për atë pjesë emigrantësh që kanë kontribuar në mënyrë të ndershme,” përfundoi ajo.

EMRAT/ “Ngriti në ajër” me makinë pensionistin anglez! Çfarë bënë shqiptarët për të fshehur krimin

By: Fax Web
3 February 2026 at 19:55

Një shofer shqiptar ka pranuar se shkaktoi vdekjen e një dentisti të pensionuar 89-vjeçar në një aksident që tronditi komunitetin e Gillinghamit, Kent.

Viktima, Thomas Wallace, u godit nga një Mercedes gri estate rreth orës 12:00 më 29 dhjetor të vitit të kaluar.

Trupi i tij u gjet pothuajse një milje larg vendit ku u godit, në Grange Road, Medway.

Shoferi shqiptar, 29-vjeçari Albert Matraxhiu, nga Edgware, Londër, së bashku me pasagjerin e tij po shqiptar, Erald Paci., 29 vjeç nga Chatham, Kent, braktisën makinën dhe më pas hodhën telefonat, rrobat dhe targat e automjetit.

Të dy shqiptarët u paraqitën në Maidstone Crown Court për të dhënë versionet e tyre. A.M. mohoi se kishte shkaktuar vdekjen nga drejtimi i mjetit në mënyrë të rrezikshme, por pranoi një akuzë më të butë, për shkaktim të vdekjes nga drejtimi i pakujdesshëm.

Shqiptarët pranuan gjithashtu se kishin vepruar me qëllim që mos zbulohej ngjarja, menjëherë pas aksidentit. Të dy u vendosën në paraburgim.

 

Gjyqtari Julian Smith e përshkroi ngjarjen si me rrethana të jashtëzakonshme, duke theksuar se makina kishte vazhduar të lëvizë me Wallace-n mbi makinë për pothuajse një kilometër, para se ai të binte në rrugë.

Matraxhiu do të përballet në gjyq për akuzën “shkaktim të vdekjes nga drejtimi i rrezikshëm” më 13 korrik. Ai po ashtu akuzohet për drejtim pa sigurim, drejtim në kundërshtim me lejen, mosndalim pas aksidenti dhe mosraportim të aksidentit.

Të dy shqiptarët kanë status imigrant të papërcaktuar. Erald Paci është deportuar më parë nga Britania e Madhe dhe po priste vendimin e Home Office, ndërsa Matraxhiu ka status imigrant i refuzuar.

Familja e Wallace-s, disa prej të cilëve ishin në sallën e gjyqit, lëshoi një deklaratë përmes policisë duke theksuar se ai ishte bërë së fundmi stërgjysh.

“Ai ishte një anëtar i respektuar dhe i dashur i komunitetit dhe meritonte një fund më të mirë të jetës së tij sesa ky”, thanë ata.

LISTA/ 8 futbollistë ndryshuan skuadër në janar, merkatoja e futbollistëve të Kombëtares

By: Fax Web
3 February 2026 at 19:29

Shumë futbollistë të Kombëtares shqiptare ndryshuan skuadër në merkaton e janarit.

Transferimi më i bujshëm ishte ai i Kristjan Asllanit, nga Torino te skuadra e Besiktashit, me bekimin e Interit që zotëron kartonin e mesfushorit kuqezi. Pas një muaji me lajme të shumta, zyrtarizimi i tij erdhi vetëm një ditë para fundit të merkatos.

Po ashtu, në Turqi u rikthye Rei Manaj, pasi mbylli aventurën e tij me skuadrën e Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sulmuesi vendosi ta vazhdojë karrierën te Sivaspori.

LEXO EDHEZyrtare! Rey Manaj firmos kontratë 3.5 vjeçare me Sivasspor

Anis Mehmeti vendosi të largohej nga Bristol City për të luajtur me Ipswich Town, klub që ka synime të qarta për ngjitjen në Premier Ligë këtë sezon.

Mbrojtësi Klisman Cake u transferua nga Shkëndija e Tetovës drejt kampionatit rus, për të vazhduar karrierën me Akhmat Grozny, një mundësi e mirë për të provuar veten në një kampionat më të fortë.

Edhe Maldin Kaçuri u largua nga Morecambe, për t’u transferuar në ekipin e Grimsby Town, ndërsa talenti Elton Fikaj la Panathinaikosin në Greqi për të luajtur me Piast Gliwice në Poloni.

Alen Sherri ndërpreu huazimin e tij me skuadrën e Frosinones, për t’u rikthyer te Cagliari në Serinë A. Edhe Marvin Çuni u huazua nga Sampdoria te Bari. Shumë të tjerë si Mitaj dhe Arbër Hoxha patën oferta, por marrëveshjet nuk u konkretizuan.

Lëvizjet e Legjionarëve

Kristjan Asllani: Torino → Besiktas

Rei Manaj: Al Sharjah → Sivaspor

Klisman Cake: Shkëndija → Akhmat Grozny

Alen Sherri: Frosinone → Cagliari

Maldini Kaçurri: Morecambe → Grimsby

Anis Mehmeti: Bristol City → Ipswich

Elton Fikaj: Panathinaikos → Piast Gliwice

Televotimi është anuluar, çfarë do të ndodhë sonte në “Big Brother VIP”

By: Fax Web
3 February 2026 at 19:12

Një zarf i zi ka mbërritur në shtëpi dhe televotimi aktual është anuluar.

Vëllai i Madh ka dërguar dje një zarf të zi në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, pas mosbindjes së grupit të Gretës për të marrë pjesë në provat e sfidës së kërcimit.
Kur ra gongu që banorët të shkonin të nisnin provat, Baby G u shpreh se fillimisht do të përgatiste ushqimin dhe më pas do t’i bashkohej provave.

 

Zarfi i zi thotë:

Banorë, Vëllai i Madh ka ndjekur me vëmendje sjelljen tuaj gjatë ditës së sotme (e hënë).

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të realizuar sfidën e kërcimit, grupi i Gretës ka zgjedhur të mos i bindet Vëllait të Madh.

Siç u njoftuat, kjo sfidë është shumë e rëndësishme për spektaklin e radhës, ndaj për shkak të moszbatimit të këtij urdhri, Vëllai i Madh ju njofton se televotimi aktual anulohet.

Vendimi për pasojat që do të ketë grupi që nuk është bindur do t’iu komunikohet gjatë mbrëmjes së nesërme.

Ndërkohë, Vëllai i Madh njofton se grupi i Selin shpallet automatikisht fitues i kësaj sfide dhe do të jetë ai që do të performojë live.
Vëllai i Madh ju rikujton se autoriteti i tij nuk anashkalohet dhe se mosbindja ndaj urdhrave të tij sjell pasoja për ju”.

Çfarë do të ndodhë sonte në Big Brother VIP Albania?
Për ta zbuluar ndiqni sot spektaklin e madh në Top Channel, DigitAlb me dy kanalet e dedikuara “Big Brother VIP 1” dhe “Big Brother VIP 2”.

Jep dorëheqjen presidenti i Barcelonës

By: Fax Web
3 February 2026 at 19:05

Joan Laporta do të japë dorëheqjen nga pozicioni i Presidentit të Barcelonës të hënën me 9 shkurt. Laporta, ka deklaruar diçka të tillë, për të bërë kështu të mundur kandidaturën e tij për rizgjedhje në votimin e planifikuar për 15 mars 2026, raporton “Mundo Deportivo“.

Në fjalën e tij, ai theksoi se kjo periudhë është e rëndësishme për të ardhmen e klubit, ndërsa mirëpriti kandidatura si Victor Font, Marc Ciria, Xavi Vilajoana dhe Joan Camprubi Montal.

Ndjehem i motivuar dhe me energji që ky të jetë një proces institucional shembullor, me pjesëmarrje të gjerë, ku kandidatët të paraqesin propozimet e tyre në një klimë korrektësie dhe normaliteti në mënyrë që të jetë një festë e barcelonizmit.”, u shpreh ndër të tjera presidenti i Barcelonës.

Laporta foli edhe për të ardhmen. Nëse ai fiton zgjedhjet, gjëja e parë që do bëjë është rinovimi me trajnerin gjerman Hansi Flick.

Ndërsa jemi në muajin shkurt, Barcelona mbetet një nga skuadrat më të forta në Evropë dhe është ende në garë për katër tituj.

33 urdhërarreste për 2100 tonë mbetje të rrezikshme, si u fshehën 10 kontejnerët?/ Zullumet e vazhdueshme të “Kürüm” në Shqipëri

By: Fax Web
3 February 2026 at 18:56

Një operacion është në zhvillim e sipër në Durrës dhe në Tiranë për 2100 ton mbetjet e rrezikshme të kompanisë “Kürüm International” që u kthyen nga Tajlanda.

Në total janë lëshuar në total 33 urdhërarreste nga Prokuroria e Durrësit, nga të cilat 26 masa arrest në burg dhe 6 të tjera arrest shtëpie.

LEXO EDHE: FOTO-EMRI/ Mes të ndaluarve për skandalin e mbetjeve të rrezikshme, kush është drejtoresha e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar? 

Operacioni është në zhvillim për ekzekutimin e masave të sigurisë në 3 qytete, Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Masat vijnë pas mbërritjes nga Italia të rezultateve të analizave laboratorike për mostrat e mbetjeve të sekuestruara, të cilat, sipas burimeve hetimore, i klasifikojnë ato si të dëmshme dhe potencialisht kancerogjene për shëndetin e njeriut.

Masat e sigurisë

Arrest me burg

Erdal Demir – Administratori i “Kürüm International

Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë i “Kürüm International

Gjovana Sokolaj – Pronare e kompanisë “Sokolaj”

Doni Sokolaj – Administrator i kompanisë D.o.o Minerals

Olizana Pemati – Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj”

Mujo Ilazaj – Drejtori i Transportit në kompaninë “Kürüm International

Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kürüm International

Harun Sarica – Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kürüm International

Arif Shkalla – Drejtues në kompaninë “Kürüm International

Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit të shitjeve në “Kürüm International

Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition”

Mbarime Koroci – Aksionere e kompanisë “Alliance Resource”

Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë “Bajrami N”

Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N”

Petrit Qosja – Person fizik në tregtinë e mbetjeve

Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës

Helidon Lila – Dega e Doganës Durrës

Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës

Shkëlqim Jakupi – Dega e Doganës Durrës

Florian Çimo  – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO

Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO

Ingo Hesse – administrator i kompanisë EMS APO

Dritan Seferaj – Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM

Xhulio Golgota – Inspektor i Autoritetit Portual Durrës

J.K   arrest me burg

K.M   arrest me burg

Arrest shtëpie

Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj”

Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM

Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, AKM

Iva Musa – Inspektore e Autoritetit Portual Durrës

Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM

Arta Dollani – Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM

B.T  arrest shtëpiak

Si u fshehën 10 kontejnerët me mbetje të rrezikshme?

Brenda 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë turke, që do të eksportoheshin drejt Tajlandës nëpërmjet kompanisë “Sokolaj” sh.p.k. të Gjovana Sokolajt, është verifikuar se ishte futur hiri i furrave të metalurgjikut, një mbetje e rrezikshme.

Sipas dokumenteve të Prokurorisë, rezulton se të dyja kompanitë kanë kryer një sërë veprimesh për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjes.

Analizat laboratorike dhe aktet e ekspertimit kanë konfirmuar se bëhet fjalë për mbetje të koduara 10 02 07*, të cilat konsiderohen të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.

Duke iu referuar akteve të administruara dhe rezultateve të ekspertimit, rezulton se subjektet Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum International, në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve të rrezikshme, të cilat kualifikohen sipas kodit 10 02 07*, kanë kryer një sërë veprimesh për fshehjen e llojit të vërtetë të mbetjes, në bashkëpunim edhe me të tretë, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë, duke iu shmangur të gjitha detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

2100 tonë mbetje

102 kontejnerët me 2100 tonë mbetje që kishin destinacion Tajlandën, u kthyen në nëntor 2024 në vendin tonë pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.

Pas denoncimit, Prokuroria e Durrësit nisi hetim ndaj kompanisë eksportuese “Sokolaj” sh.p.k, e cila nga ana e saj ka deklaruar se i kishte blerë mbetjet nga kompania e prodhimit të shufrave të hekurit, “Kürüm International”.

Ngarkesa u nis nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan, për një vlerë 141 mijë dollarë dhe ia shiti subjektit kroat “GS Minerals Doo” për një vlerë 141 mijë dollarë.

Pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara, anija u kthye në Shqipëri dhe mbërriti mëngjesin e 28 tetorit 2024, në radën e jashtme të portit detar të Durrësit, ndërsa u ankorua në port më 8 nëntor 2024.

Kush është “Kürüm International”

“Kürüm International”, pjesë e “Kürüm Holding” në Turqi, vepron në ambientet e privatizuara të ish Kombinatit Metalurgjik në Elbasan që prej vitit 2009.

Uzinat e Prodhimit të Çelikut Elbasan të cilat kanë një kapacitet të gjerë shtrihen në një kompleks me sipërfaqe totale 219.410 m2 të përbërë nga një uzinë çeliku, tre uzina petëzimi dhe një hapësirë pjesërisht të mbyllur prej 88.410 m2 .

Sot kompleksi me kapacitet prodhimi 700.000 ton të hekurit për ndërtim të petëzuar në të nxehtë dhe 510.000 ton prodhim çeliku të lëngshëm.

“Zullumet” në Shqipëri

“Kürüm International”, që prej vitit 2009, duke shkrirë çdo ditë tonelata me hekurishte të ardhura nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria, Mali Zi, e deri nga Serbia,  helmoi gjithçka. Tokën, ajrin, lumin, pyjet, rrugët, pemët, të mbjellat, bagëtitë, pulat, lopët, dhe mbi të gjitha jetën e banorëve të zonave ku punon si Bradasheshin, Shijonin, Kusarthin, Katundin e Ri, dhe deri ata të Elbasanit.

Madje për dëmin e madh të ndotjes vite më parë iu pezullua edhe leja nga Inspektorati i Mjedisit, por pavarësisht kësaj ajo solli sërish helme.

Mashtrime me bankat

Në vendin e origjinës, Turqi, pronari Asmet Kürüm ka qenë protagoniste e një tjetër skandali mashtrimi ku mediat turke e akuzuan se u mori qindra miliona euro bankave turke e britianike dhe 210 milion euro bankave shqiptare në formë kredie duke gënjyer me bilancet.

Skandali mori përmasa më të mëdha pasi pjesë e listës së bankave të mashtruara ishin turke, shqiptare, madje edhe britanike duke e kthyer në një skandal ndërkombëtar.

Gazeta turke “Sabah” raportonte se skandali i kompanisë turke “Kürüm Demir”, e cila ka operuar në Shqipëri përmes kompanisë “Kürüm International” ka të bëjë me një mashtrim gjigant që i është bërë bërë 33 bankave në Turqi, Shqipëri dhe Angli. S

iç shkruante gazetarja turke Dilek Güngor, mashtrimi ishte aq mirë i menduar sa “nuk do t’i shkonte ndërmend as djallit”.

Balla: Ndalimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, domosdoshmëri

By: Fax Web
3 February 2026 at 18:55

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se të rinjtë dhe fëmijët janë grupi më i ekspozuar ndaj rrezikut të drogës, duke theksuar nevojën për rritjen e sigurisë brenda dhe përreth shkollave.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se është detyrim i Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe i të gjithë aktorëve të tjerë institucionalë të forcojnë masat për mbrojtjen e fëmijëve nga shpërndarja e lëndëve narkotike, të cilat sot përfshijnë jo vetëm drogat tradicionale, por edhe substanca të reja të shpallura të paligjshme me ligj.

Do ta votoja me shumë kënaqësi një vendim për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një praktikë që po ndiqet nga vende që marrin përgjegjësi si Franca, Spanja dhe Australia”, u shpreh Balla, duke theksuar se një vendim i tillë duhet të merret përmes një konsultimi të gjerë publik.

Pak kohë pasi Spanja, Australia, Franca dhe Portugalia njoftuan se planifikon të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën 16 vjeç, duke miratuar një ligj që do t’i bëjë drejtuesit e mediave personalisht përgjegjës për gjuhën e urrejtjes në platformat e tyre, edhe Greqia duket se po merr të njëjtat masa.

Në një aktivitet me titull “Mbrojtja e Fëmijëve në Epokën Digjitale”, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia është e gatshme të shqyrtojë edhe “ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale duke vendosur një prag për moshën e pjekurisë digjitale”, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Nuk mund t’i përdorim vështirësitë e zbatimit të këtyre politikave si justifikim për të mos bërë asgjë për këtë problem”, theksoi ai.

Më shumë se 50,000 njerëz të arrestuar në Iran, SHBA rrëzon dronin që po i afrohej aeroplanmbajtëses

By: Fax Web
3 February 2026 at 18:46

Ushtria amerikane ka rrëzuar një dron iranian që po i afrohej aeroplanmbajtëses USS Lincoln, raporton Reuters.

Incidenti ndodhi në Detin Arabik dhe vjen në mes të një periudhe tensioni, me forca të forta amerikane të grumbulluara në rajon dhe Shtëpinë e Bardhë që nuk e përjashton plotësisht ndërhyrjen ushtarake.

Ndërkohë, më shumë se 50,000 persona janë arrestuar në Iran nga autoritetet, tha sot një organizatë joqeveritare, duke thënë se shtypja vazhdon në vend.

Republika Islamike shtypi me gjak një lëvizje të madhe proteste që shpërtheu në fund të dhjetorit dhe arriti kulmin më 8 dhe 9 janar në fillim të janarit.

Autoritetet iraniane pranojnë se mijëra njerëz kanë vdekur, por thonë se shumica dërrmuese ishin anëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë të vrarë nga “terroristët” që vepronin në emër të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), e cila më parë kishte raportuar më shumë se 42,000 arrestime, e rishikoi shifrën e saj lart sot, duke regjistruar tani të paktën 50,235 arrestime në lidhje me protestat.

Këto arrestime kishin në shënjestër “një gamë të gjerë qytetarësh, kryesisht studentë, shkrimtarë dhe mësues”, sipas organizatës me seli në SHBA, e cila shton se në disa raste, arrestimet u shoqëruan me “kontrolle shtëpish dhe sekuestrim të sendeve personale”. HRANA gjithashtu raporton më shumë se 300 “rrëfime të detyruara” të transmetuara në televizion.

Javën e kaluar, Amnesty International shprehu gjithashtu shqetësim për arrestimin e mijëra njerëzve, përfshirë fëmijë.

Këta njerëz, sipas OJQ-së, janë “në rrezik të madh zhdukjeje me forcë, torturës dhe keqtrajtimeve të tjera, vdekjes në paraburgim dhe ekzekutimeve arbitrare pas gjyqeve që janë qartësisht të padrejta”.

Vritet me thikë 23-vjeçarja, çfarë zbuluan hetimet

By: Fax Web
3 February 2026 at 18:37

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë pasdite, ku një grua e re është gjetur e vrarë në rrethana ende të paqarta.

Ilenia Musella, 23 vjeçe, mbërriti pa shenja jete në Spitalin Villa Betania, pasi kishte marrë një plagë të thellë me thikë në shpinë.

Sipas “La Repubblica“, ajo ishte transportuar me makinë nga banorët e parkut “Conocal”, zona ku aktualisht po zhvillohen hetimet.

Mjekët e urgjencës nuk ishin në gjendje ta shpëtonin, dhe hetimi i policisë nisi menjëherë pas ngjarjes.

Pjesëmarrës në hetime janë skuadra fluturuese e Shtabit të Policisë, stacioni i policisë së Ponticelli-t dhe Zyra e Parandalimit të Përgjithshëm.

Rrethanat e vrasjes janë ende të paqarta, por hetimet fillestare sugjerojnë se krimi ka ndodhur pas një grindjeje të papritur në rrugë, ku janë përfshirë disa persona. Policia nuk ka mundur të identifikojë ende autorin, pasi zona nuk mbulohet nga kamerat e sigurisë. Hetuesit janë duke intervistuar familjarët e Ilenias dhe disa dëshmitarë të mundshëm.

Zero tituj dhe zemërim/ Cristiano Ronaldo në krizë

By: Fax Web
3 February 2026 at 18:26

Thonë se paratë nuk e blejnë lumturinë. Dhe Cristiano Ronaldo duket të jetë shembulli më i kuptueshëm i kësaj shprehjeje.

Pavarësisht shumave astronomike që ka marrë që nga transferimi i tij në Arabinë Saudite, superylli portugez duket i tërbuar dhe i frustruar me situatën në Al Nasr.

40-vjeçari, pesë herë fitues i Topit të Artë, u la jashtë ndeshjes së ekipit të tij kundër Al Riyadh të hënën, me raportet që raportojnë se kjo ishte në thelb një formë “greve”, si shenjë pakënaqësie me menaxhimin dhe politikën e përgjithshme të klubit.

Transferimi i tij në Lindjen e Mesme në fund të vitit 2022 tronditi futbollin. Pas fundit të turpshëm të periudhës së tij të dytë te Manchester United dhe debatit publik me Erik ten Hag, Ronaldo nënshkroi kontratën më të pasur që sporti kishte parë ndonjëherë.

Përtej parave, zgjedhja e tij ishte edhe simbolike, pasi asnjë lojtar tjetër i klasit botëror, në ose afër kulmit të tij, nuk kishte provuar diçka të ngjashme. Dhe përfundimisht, ai hapi rrugën për: Neymar, Mane, Joao Felix dhe Benzema që e ndoqën.

Financiarisht, marrëveshja ishte shumë e lartë. Me një pagë bazë prej rreth 500,000 stërinash në ditë, CR7 vlerësohet të ketë fituar rreth 441 milionë £ në kontratën e tij të parë. Zgjatja që ai nënshkroi verën e kaluar përfshinte një bonus nënshkrimi prej 24.5 milionë stërlinash, një paketë aksionesh prej 33 milionë £ të Al Nassr, dhe të ardhurat e tij totale nga Arabia Saudite tani vlerësohen të jenë afër 600 milionë stërlinash.

Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, klubi i siguroi atij 16 punonjës me kohë të plotë, nga shoferët dhe kuzhinierët deri te siguria personale, si dhe një avion privat për të, partneren e tij Georgina Rodriguez dhe pesë fëmijët e tyre.

Megjithatë, Ronaldo mbetet mbi të gjitha një konkurrent. Dhe në një nivel konkurrues, rekordi gjatë tre viteve është i dobët: një Kupë Klubesh Arabe, një ngjarje që as nuk njihet zyrtarisht nga FIFA.

Kupa e fundit dukej se ishte merkato e dimrit. Al Nassr u kufizua në blerjen e të riut irakian Haider Abdulkarim, ndërsa “motra” e saj Al Hilal, gjithashtu nën kontrollin e PIF, u forcua ndjeshëm.

Sipas gazetës portugeze A Bola, Ronaldo beson se Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite po i jep përparësi klubeve të tjera, duke e lënë Al Nassr në vendin e dytë. Çështja është veçanërisht e ndjeshme, me Jorge Jesus që e bëri të qartë së fundmi kur shkaktoi trazira duke deklaruar se Al Hilal ka më shumë “pushtet politik”.

Ylli portugez, i cili po i afrohet moshës 41 vjeçare, nuk e ka fshehur faktin se qëllimi i tij i madh është të arrijë 1,000 gola në karrierë, madje duke lënë të hapur mundësinë e një ndryshimi mjedisi. “Etja ime mbetet e madhe. Nuk më intereson se ku luaj, qoftë në Lindjen e Mesme apo në Europë”, tha ai në dhjetor.

Kjo nuk është hera e parë që Ronaldo ka reaguar ashpër. Në vitin 2023, ai doli me nxitim nga fusha pas një humbjeje ndaj Al Ittihad, ndërsa disa muaj më vonë u kërkoi tifozëve të heshtnin kur brohoritën emrin e Lionel Messit.

Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një rikthim pas këtij episodi të fundit, pavarësisht 117 golave ​​në 133 paraqitje me Al Nassr.

EMRI/ Bëri namin në Angli duke grabitur 31 shtëpi, arrestohet “skifteri” nga Laçi

By: Fax Web
3 February 2026 at 18:20

Një i dyshuar për grabitje u paraqit sot në Gjykatën Magjistrale te shkalles së parë, pasi akuzohet për më shumë se 30 grabitje në të gjithë Anglinë.

Sipas policisë, 14 prej këtyre veprave penale dyshohet se kanë ndodhur në Kent, në Sevenoaks, Tonbridge dhe Ashford.

Gledis Uka, 29 vjeç, pa adresë të fiksuar, u akuzua të shtunën, më 31 janar, me 31 akuza për vjedhje me thyerje dhe dy akuza për tentativë vjedhjeje me thyerje.

Sipas raportimeve shumë prej pronave kishin një dritare ose derë xhami të thyer nga një burrë i maskuar, i cili më pas vodhi bizhuteri dhe para.

Uka u arrestua në Essex nga oficerët e Policisë së Kentit të premten. Ai do të paraqitet në Gjykatën e Kurorës në Maidstone të hënën, më 2 mars.

Veprat e tjera të dyshuara kanë ndodhur në prona në Berkshire, Bristol, Buckinghamshire, Essex, Suffolk dhe Surrey.

Takimi në Fier, Salianji: Kundërshtari ynë është Rama, lidershipi i PD nuk i kanë bërë mirë llogaritë

By: Fax Web
3 February 2026 at 18:04

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji vijon turin e takimeve me qytetarët.

Mbrëmjen e sotme ai është ndalur në qytetin e Fierit nga ku bëri thirrje për bashkim, ndërsa nuk kurseu edhe kritikat ndaj lidershipit të PD.

Anëtarësia e PD janë pasuria jonë më  e madhe. Janë njerëzit që besojnë ende se Shqipëria mund të bëhet ndryshe. Unë besoj tek gjenerata e re dhe besimi po më shpërblehet. Ata duan garë të ndershme, meritë, dinjitet sepse ndryshimi gjeneracional nuk është biologji, por kulturë politike. Është kalimi nga individët tek parimet nga heshtja tek fjala e lirë. Ne nuk e mundim pushtetin duke pasur frikë nga gara. Ne fitojmë me hapje ndaj brezit të ri që pret prej vitesh PD-në.

PD duhet të jetë parti e garës, e normave dhe e shpresës sepse vetëm kështu mund të fitojmë besimin e qytetarëve. Ndryshimi është bashkim mbi parime. Ne jemi këtu për ta ndërtuar PD-në me kolona e themele më të forta. Jemi për të bashkuar edhe ata demokratë që po përjashtohen nga lidershipi”.

Kundërshtarin nuk e zgjedhim dot ne, ai është Edi Rama dhe do të përmbyset në kutinë e votimit. Duhet përmbysur duke frymëzuar njerëz. Të gjithë të tjerat janë ëndrra në sirtar që i kemi parë tash e 13 vite me radhë. Jemi këtu në Fier për të hapur një shteg shprese, për të hapur një kapitull të ri për PD-në dhe Shqipërinë. Demokratët dinë të presin e durojnë, por kanë duruar boll. 13 vite në opozitë dhe 13 vite që përsëriten të njëjtat përralla. Dua ta them qartë se disa prej lidershipit nuk i kanë bërë mirë llogaritë, sepse unë nuk kam ardhur në politikë për të heshtur, por për të folur të vërtetën”, u shpreh Ervin Salianji.

Prononcimi për mediat pas takimit:

EMRI-FOTO/ Masat e sigurisë për mbetjet e “Kürüm”, arrest shtëpie edhe për ish-kandidaten e PS

By: Fax Web
3 February 2026 at 17:55

Kledina Skëndo, punonjëse në Sektorin e Monitorimit të Lejeve Mjedisore pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), është përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Durrësit për skandalin e mbetjeve të rrezikshme të eksportuara nga kompania “Kürüm International”.

Ajo ka marrë masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si pjesë e një procedimi penal që ka përfshirë disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lidhur me aktivitetin e kompanisë.

Skëndo ka qenë gjithashtu kandidate për deputete e Partisë Socialiste, e renditur e 34-ta në listën e Tiranës gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

LEXO EDHE: FOTO-EMRI/ Mes të ndaluarve për skandalin e mbetjeve të rrezikshme, kush është drejtoresha e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar? 

Shuhet familja! Prindërit vrasin dy djemtë e tyre dhe më pas i marrin jetën vetes

By: Fax Web
3 February 2026 at 17:48

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Australinë Perëndimore, pasi dy prindër dhe dy djemtë e tyre adoleshentë me autizëm janë gjetur të pajetë brenda banesës së tyre në një lagje elitare të Perth.

Trupat e pajetë të Jarrod Clune, 50 vjeç, Maiwenna Goasdoue, 49 vjeç, si dhe të djemve të tyre Leon, 16 vjeç dhe Otis, 14 vjeç, u gjetën në shtëpinë familjare në Mosman Park.

Të dy fëmijët vuanin nga autizëm i rëndë dhe ishin joverbalë, shkruan “The Telegraph“.

Shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 08:15 të mëngjesit të së premtes nga një punonjëse kujdesi, e cila vizitonte rregullisht familjen, por nuk kishte arritur të kontaktonte me ta. Ajo gjeti pranë banesës një shënim paralajmërues që këshillonte të mos hynte brenda dhe udhëzonte që të njoftohej policia.

Brenda shtëpisë, policia gjeti të pajetë katër anëtarët e familjes, si edhe dy qentë dhe një mace. Autoritetet thanë se vdekjet nuk dukeshin të dhunshme dhe nuk janë përdorur armë, ndërsa trupat u gjetën në pjesë të ndryshme të banesës.

Të shtunën u zbulua edhe një shënim i dytë, që besohet të ketë qenë një letër, e cila ndihmoi hetuesit të arrinin në përfundimin se bëhej fjalë për një vrasje të dyfishtë të ndjekur nga vetëvrasja. Sipas mediave lokale, letra përmbante edhe detaje mbi planifikimin e financave të familjes, duke sugjeruar se prindërit kishin vendosur t’i jepnin fund jetës së bashku.

Detektivja në detyrë e Policisë së Australisë Perëndimore, Jessica Securo, deklaroi se nuk kishte asnjë histori të raportuar më parë për dhunë në familje. “Kjo është një ngjarje tragjike dhe shkatërruese, ku një familje ka humbur jetën dhe ndikimi do të ndihet në të gjithë komunitetin,” tha ajo.

Sipas policisë, të dy djemtë përballeshin me sfida serioze shëndetësore, ndërsa besohet se familja kishte humbur një pjesë të financimit shtetëror për mbështetjen e njërin prej fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Leon, Otis dhe babai i tyre kishin ndjekur më parë Christ Church Grammar, një nga shkollat private më prestigjioze në Perth. Mediat raportojnë se Otis ishte përjashtuar nga shkolla dy vite më parë pas një incidenti, ndërsa një mësuese ka treguar se prindërit ishin të përkushtuar dhe të dashur, por të rraskapitur nga mungesa e gjumit, pasi fëmijët nuk flinin gjatë natës.

Ajo shtoi se prindërit kishin kërkuar ndihmë profesionale në mënyrë të vazhdueshme, përfshirë terapi dhe konsultime edhe jashtë shtetit.

Për herë të parë/ FIFA shet edhe vendet e parkimit, ja sa kushton një post gjatë Kupës së Botës

By: Fax Web
3 February 2026 at 17:39

Me kalimin e ditëve FIFA po vendoset në një pozicion gjithmonë e më të vështirë karshi tifozëve, të cilët duan që të ndjekin direkt ndeshjet e Botërorit 2026.

Çështja kryesore, e cila ka bërë që të gjithë të rebelohen është ajo që ka lidhje me çmimet e biletave.

FIFA ka pranuar se nuk mund të bëjë asgjë për të evituar rishitjen e biletave pasi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një veprimtari e tillë është e ligjshme.

Me kalimin e ditëve ka dalë në pah edhe një tjetër problem. Siç dihet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës transporti publik nuk është i zhvilluar ashtu si në Europë dhe për këtë motiv shumë struktura spotive aksesohen vetëm nëpërmjet veturave. Sipas Henry Bushnell të “The Athletic”, FIFA po shet edhe vendet e parkimit pranë impianteve sportive.

Një vend parkimi pranë “SoFi Stadium” në Los Angeles po shite për rreth 250 deri në 300 dollarë amerikanë. Si të mos mungonte çmimi i lartë i vendeve të parkingut, tifozët janë ankuar edhe për vendndodhjen e tyre pasi për të shkuar deri në stadium duhet që të ecin për gati 1500 metra.

Kupa e Botës FIFA 2026 do të jetë edicioni i 23-të i Kampionatit Botëror të Futbollit për meshkuj, organizuar nga FIFA.

Turneu do të zhvillohet për herë të parë në tre vende: Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Ky do të jetë edicioni i parë që do të përfshijë 48 skuadra pjesëmarrëse, në vend të 32 që ishin në fuqi që nga viti 1998.

Finalja do të zhvillohet në stadiumin “MetLife” në New Jersey.

LEXO EDHEUEFA publikon oraret e ndeshjeve “Play Off”/ Ja kur luan Shqipëria dhe Kosova

Superiorja dhe Kupa e Shqipërisë, FSHF publikon kalendarin e ndeshjeve

By: Fax Web
3 February 2026 at 16:36

Komisioni i Ligave dhe Garave ka përcaktuar kalendarin për dy javët e ardhshme të kampionatit “Abissnet Superiore”, si edhe për ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Java e 23-të e kampionatit do të luhet të premten dhe të shtunën, më 6 dhe 7 shkurt. Ndërkohë, në mesjavë, më 10 dhe 11 shkurt, janë programuar të zhvillohen ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Java e 24-t është planifikuar të luhet më 14 dhe 15 shkurt, duke nisur me përballjen FK Vora – Egnatia dhe duke u mbyllur me derbin e kryeqytetit, Partizani – Tirana.

Java 23

Bylis – Partizani, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Adush Muçaj”

Vllaznia – FK Vora, 06.02.2026 13:30 Stadiumi “Vora”

AF Elbasani – Teuta, 06.02.2026 16:30 Stadiumi “Elbasan Arena”

Flamurtari – Egnatia, 06.02.2026 19:00 Stadiumi “Flamurtari”

Tirana – Dinamo City, 07.02.2026 13:30 Stadiumi “Selman Stermasi”

Java 24

FK Vora – Egnatia, 14.02.2026 13:30 stadiumi “Vora”

Teuta – Bylis, 14.02.2026 16:30 stadiumi “Niko Dovana”

Vllaznia – AF Elbasani, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Loro Boriçi”

Dinamo City – Flamurtari, 15.02.2026 16:30 stadiumi “Elbasan Arena”

Partizani – Tirana, 15.02.2026 19:30 stadiumi “Air Albania”

Kupa e Shqipërisë

Bylis-Vllaznia, 10.02.2026 13:30 stadiumi “Adush Muçaj”

Teuta-Egnatia, 10.02.2026 16:30 stadiumi “Niko Dovana”

Tirana-Dinamo City, 11.02.2026 13:30 stadiumi “Selman Stermasi”

AF Elbasani-Partizani, 11.02.2026 16:30 stadiumi “Elbasan Arena”

EMRAT/ Drejtues të kompanisë, biznesmenë dhe zyrtarë! Mbetjet e rrezikshme të “Kurum”, lëshohen 33 masa sigurie

By: Fax Web
3 February 2026 at 16:11

Një operacion i përbashkët i Policisë së Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit është zhvilluar për zbatimin e masave të sigurisë të firmosura nga gjykata në lidhje me çështjen e mbetjeve të kompanisë “Kurum”.

Raportohet se janë firmosur gjithsej 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë çështje.

Nga këto, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.

Këtu përfshihen edhe biznesmenë, zyrtarë të AKM dhe Doganave.

“Arrest shtëpie” është lëshuar për Arta Dollanin, ish-drejtoreshë e AKM (Agjencia Kombëtare e Mjedisit).

Aktualisht ajo mban detyrën si drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar.

Masat e sigurisë

Arrest me burg

Erdal Demir – Administratori i “Kurum International”

Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë i “Kurum”

Gjovana Sokolaj – Pronare e kompanisë “Sokolaj”

Doni Sokolaj – Administrator i kompanisë D.o.o Minerals

Olizana Pemati – Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj”

Mujo Ilazaj – Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum”

Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum”

Harun Sarica – Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum”

Arif Shkalla – Drejtues në kompaninë “Kurum”

Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum”

Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition”

Mbarime Koroci – Aksionere e kompanisë “Alliance Resource”

Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë “Bajrami N”

Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N”

Petrit Qosja – Person fizik në tregtinë e mbetjeve

Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës

Helidon Lila – Dega e Doganës Durrës

Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës

Shkëlqim Jakupi – Dega e Doganës Durrës

Florian Çimo  – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO

Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO

Ingo Hesse – administrator i kompanisë EMS APO

Dritan Seferaj – Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM

Xhulio Golgota – Inspektor i Autoritetit Portual Durrës

J.K   arrest me burg

K.M   arrest me burg

Arrest shtëpie

Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj”

Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM

Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, AKM

Iva Musa – Inspektore e Autoritetit Portual Durrës

Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM

Arta Dollani – Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM

B.T  arrest shtëpiak

Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht nga “Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara.

Më 5 gusht 2024 organizata ngriti alarmin se një anije gjigande kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës ‘Maersk’ u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.

Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Network”, BAN, beson se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontejnerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kanë ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut 2024 rreth 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.

Ministria e Mjedisit, në një reagim për mediat në vitin 2024, pranoi se mbetjet e ngarkuara në Durrës vinin nga metalurgjiku.

Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan”, sqaronte ministria, ndërsa kompania “Kurum” ka mohuar të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.

❌
❌