Një fëmijë i lindur në vitin 2013, i gjinisë mashkullore, është dërguar për ndihmë mjekësore mbrëmjen e sotme në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, si pasojë e goditjes nga një automjet.
Sipas njoftimit të spitalit, fëmija është paraqitur rreth orës 19:55, ku menjëherë ka marrë trajtim dhe ekzaminim emergjent nga ekipi mjekësor, përfshirë edhe masat reanimatore.
Në bashkëpunim me Shërbimin e Radiologjisë, është realizuar Tomografia e Kompjuterizuar (CT), si dhe janë kryer analizat laboratorike të nevojshme. Po ashtu, rasti është konsultuar edhe me mjekun kujdestar ortoped.
Mjekët kanë bërë të ditur se fëmija është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa për shkak të natyrës së lëndimeve, është referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për konsultë të mëtejshme me specialistët e Neurokirurgjisë dhe Kirurgjisë Maksilofaciale.
Sipas spitalit, lëndimet janë kryesisht në zonën e fytyrës dhe sinuseve, por gjendja e fëmijës është stabile dhe jashtë rrezikut jetësor./Telegrafi/
Paralajmërimi i Bashkimit Evropian për largimin e tërësishëm të masave ndëshkuese ndaj Kosovës po mirëpritet nga qeveria në detyrë. Sipas tyre, lirimi i fondeve për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillim është një vendim i duhur i BE-së, sado që, siç thonë ata, është i vonuar ky hap. Përkitazi me këtë, në ekzekutiv presin që këtë vit të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancimin në procese, siç është marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Bashkimi Evropian të enjten për KosovaPress, konfirmoi se ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove këtë fillim viti, në mbështetje financiare për vendin.
Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.
Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se lirimi i mjeteve financiare për Kosovën nga ky fillim viti, është pozitiv për vendin, siç shton, sado i vonuar që është ky hap.
Madje, thekson nevojën që BE-ja të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian.
“Bashkimi Evropian përmes presidentes Ursula von der Leyen veçse ka njoftuar publikisht se do të vazhdojë me heqjen e masave, përmes së cilës do të lirohen fondet për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillim viti. E mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian, sado i vonuar që është ky hap. Në vijim presim që të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancim në procese po ashtu të vonuara, siç është marrja e statusit të vendit kandidat”, thuhet në përgjigjen e Kadiut për KosovaPress.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojnë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.
Ajo tha se ky vendim është marrë pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale. Derisa tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.
“Kemi liruar afërsisht 50% të ndihmës financiare që arrin në rreth 216 milionë euro. Kjo do të lejojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte (që përfaqësojnë gjithsej 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe fillimin e zbatimit; për të përfunduar programimin e të gjitha fondeve të mbetura IPA III të destinuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit të Komisionit në pranverën e vitit 2026 që do të lejonte që projektet e para të fillonin në gjysmën e dytë të vitit 2026). Për më tepër, Komisioni synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti, në përputhje me Përfundimet e Presidencës për Zgjerimin të miratuara më 16 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së BE-së.
Në anën tjetër, hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëreshë Loxha, thotë për KosovaPress, se largimi i masave karshi përfitimit të mjeteve financiare është i rëndësishëm edhe në imazhin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar.
Sipas saj, posa të formohen institucionet e reja në vend, duhet të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës.
“Heqja tashmë e plotë e masave të BE-së është një hap i duhur, ndonëse i vonuar. Gjithsesi, përtej faktit që është i vonuar, në vazhdimësi ne si GLPS dhe si shtet kemi bërë thirrje që të njëjtat të hiqen, sidomos pas tejkalimit të krizës në veri me çështjen e zgjedhjeve. Ne konsiderojmë se është një hap i duhur dhe do t’i hapë rrugën zhbllokimit të fondeve që Kosova ka rrezikuar t’i humbë për shkak të masave. Të njëjtat do të jenë shumë të dobishme në momentin që do të hyjnë në ekonominë e Kosovës. Gjithashtu, largimi i masave është pozitiv dhe i rëndësishëm edhe sa i përket imazhit të Kosovës. Kosova nuk do të ketë një barrë mbi imazhin e saj në rrafshin ndërkombëtar, pasi nuk ka qenë e mirë që Kosova ka qenë e dënuar nga BE-ja. Unë uroj që sa më shpejt, me krijimin e institucioneve të reja, të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës dhe imazhit të saj në rrafshin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm”, thekson ajo.
Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.
Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.
Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informoi sot se shtetasi shqiptar Jozef Ndoci, i cili mbahej i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit (tetor 2024 – janar 2026), është liruar dhe ndodhet aktualisht në gjendje të sigurt.
Ndoci mbahej në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda dhe lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë.
Pas transferimit të përkohshëm në ambientet e DGCIM, ai u lirua dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në Karakas.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, ka ndjekur çështjen në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa rrafshe, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi diplomatike mike, duke patur në fokus mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasit shqiptar.
Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e Ndoci dhe do të vijojnë të ofrojnë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh mirënjohjen për kontributin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe për bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike partnere në Karakas.
MEPJ gjithashtu rikonfirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e shtetasve shqiptarë kudo që ata ndodhen.
Kaçaniku është komuna e dytë e cila ka përfunduar procesin e rinumërimit të votave, një ditë pas Komunës së Dragashit.
Bazuar në të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dallime të konsiderueshme janë vërejtur në mes numërimit të QKN-së dhe rinumërimit.
Diferencë e madhe votash i doli kandidates për deputete nga radhët e Partisë Demokratike, Kosovare Murseli, 100 vota më pak, saktësisht 3,889 vota nga 3,989 vota sa kishte në këtë komunë.
Ndërkaq, ish-kryetarit të kësaj komune, Besim Ilazi i dolën 53 vota më pak.
Kandidatit Elmi Reçica iu shtuan 24 vota ndërsa Përparim Grudës, 23.
Në bazë të rinumërimit të votave, nga Lëvizja Vetëvendosje, kandidati për deputet Jeton Raka është kandidati me më shumë vota të humbura, saktësisht 78 nga 5,756 vota sa kishte.
I dyti pas tij del se është Albin Kurti me 44 vota më pak e pas tij, Glauk Konjufca me 20 më pak.
Rinumërimi i votave nga zgjedhjet e fundit në Kosovë po zgjatet më shumë se sa ishte paraparë, duke vonuar certifikimin e rezultateve dhe formimin e institucioneve. Sipas KQZ-së, procesi mund të zgjasë deri në dy javë, ndërsa njohësit e çështjeve kushtetuese paralajmërojnë rrezik për shkelje të afateve ligjore duke përfshirë këtu, edhe zgjedhjen e presidentit.
19 janari ishte data e planifikuar nga KQZ-ja për shpallje të rezultateve përfundimtare por procesi i rinumërimit të votave e ka shtyrë dukshëm këtë afat.
Si rrjedhojë pritet që të vonohet edhe certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit, si hap kryesor për nisjen e konstituimit të Kuvendit e formimit të Qeverisë së re.
Për të përshpejtuar këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur numrin e komisionerëve në Qendrën e Numërimit të votave.
“Nga 10 tavolina numërimi janë shtuar edhe 10 të tjera”, ka deklaruar për Dukagjinin zëdhënësi, Valmir Elezi duke theksuar se procesi pritet të zgjasë përafërsisht 12- 14 ditë.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, në këtë ritëm, gjasat janë që të shkelet edhe afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të vendit.
“Gjasat janë që si pasojë e këtij rinumërimi të shkojmë deri ka data 10-15 shkurt kur rezultatet priten të certifikohen. Në rastin më të keq, mundet edhe më shumë sepse nëse konsiderohet se ka mospërputhje nga rezultatet paraprake, KQZ me gjasë do shkojë në rinumërim të plotë e që do ndikojë në afatet kushtetuese veçanërisht për zgjedhën e presidentes ku zgjedhja do duhej bërë jo më larg se 5 mars dhe këtu do hyjmë në një cikël që nuk mund të bëhet zgjidhje. Ç’ka ndodhë nëse Kuvendi s’arrin të konstituohet dhe qeveria s’arrin të formohet sepse afati është 5 mars”, u shpreh Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Problematikë në vete sipas Jakajt, mbetet mos-konstituimi i Kuvendit që do të lë peng procese që varen nga votimet e deputetëve.
“Dy muajt e parë të këtij viti do shkojnë pa miratim të buxhetit për vitin 2026 ku dhjetëra projekte infrastrukturore do mbesin pa realizuar. Është edhe premtimi elektoral për pagën e 13 ku 94 mijë zyrtarë publik nuk iu është transferu aktualisht dhe në ndërkohë, dy marrëveshjet që vijnë nga plani i rritjes së BE-së, marrëveshja me Bankën Botërore, financimi i qëndrueshëm për RTK-në dhe katër buxhetet për komunat në veri të vendit. Janë çështje për të cilat kuvendi do duhej konstituuar dhe pasojat do jenë të menjëhershme” u shpreh ai.
Por, sipas Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, shkuarja në rinumërim të plotë mbetet e pashmangshme e telashe, konsiderohet të sjellë zgjedhja e presidentit.
“Këtu besoj që mund të ketë probleme serioze për të siguruar votat, por që në anën tjetër kjo do të tentohet që të ndahet si përgjegjësi në mes të të gjitha partive, sepse normalisht për partinë fituese të zgjedhjeve, ndonëse në parim për askënd nuk janë zgjedhjet të konvenueshme, por për partinë në pushtet e cila do ta kishte, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, dhe u.d. të presidentit mund të jetë në një pozicion pakëz më të favorshëm sesa të tjerat”, u shpreh Cakolli.
Sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual./Dukagjini/
KQZ ka bërë publike detajet financiare të fushatës së AAK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti.
Raporti i paaudituar tregon se partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar mbi 24 mijë euro, kryesisht për reklama, paga dhe detyrime të tjera, duke e lënë me suficit të konsiderueshëm të hyrash në fund të periudhës.
Sipas raportit për periudhën 9 qershor – 9 nëntor 2025, AAK ka realizuar të hyra totale prej 85 mijë e 818 euro e 33 centë, duke përfshirë donacione prej 1 mijë euro dhe kontribute në natyrë në vlerë prej 5 mijë e 185 euro.
Shpenzimet totale të fushatës kanë arritur në 24 mijë e 187 euro e 70 centë, duke përfshirë:
Pagat dhe kompenzimet: 5 mijë e 318 euro e 68 centë
Shpenzimet e transportit: 1 mijë e 641 euro e 70 centë
Reklamat, reprezentacioni dhe konferencat: 12 mijë e 250 euro e 67 centë
Blerja e mallrave: 320 euro
Shpenzimet e përgjithshme: 3 mijë e 781 euro e 65 centë
Shpenzimet e ndryshme: 875 euro
Në raport raportohet gjithashtu se gjatë periudhës janë kryer pagesa mbi 5 mijë euro, përfshirë: Gjoba dhe ndëshkime për PZAP: 20 mijë e 366 euro e 67 centë; Paga dhe blerje të objekteve: 6 mijë e 500 euro dhe 24 mijë e 343 euro e 20 centë.
Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim lokalizimin dhe identifikimin e vendndodhjes së personit, njofton opinionin publik se Xhengiz (Aliriza) Hyzeiri, i lindur më 15.07.2008, me adresë banimi në rrugën “Lufta e Gjilanit”, qyteti Gjilan, është shpallur person i humbur që nga data 02.01.2026, dhe deri më tani nuk dihet vendndodhja e tij.
Në kuadër të veprimeve hetimore dhe përpjekjeve për gjetjen e personit, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve.
"Çdo person që posedon informacion të dobishëm lidhur me vendndodhjen e personit të paraqitur në fotografinë e bashkëngjitur, lutet të njoftojë Policinë e Kosovës përmes njërës nga mënyrat në vijim: Stacioni më i afërt policor, aplikacioni digjital “Lajmëro Policinë”, e-mail: info@kosovopolice.com, numrat kujdestarë: 192".
Policia e Kosovës thotë se të gjitha të dhënat e ofruara nga qytetarët do të trajtohen me konfidencialitet të plotë./Telegrafi/
Përfaqësuesi i familjes së zyrtarit policor të vrarë, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën gjatë sulmit terrorist në Banjskë, avokati Arianit Koci, ka deklaruar se do të kërkojnë burgim të përjetshëm për të akuzuarit.
Koci, i ftuar në emisionin “FIVE” në televizionin Dukagjini, tha se mbrojtja e të akuzuarve po tenton ta relativizojë të gjithë sulmin terrorist.
“Procedura është dashur të kthehet nga fillimi, gjë që është shumë e keqe për atë që ka ndodhur. Kryetari i mëparshëm i trupit gjykues ka kaluar në një pozitë më të lartë dhe është dashur të ndërrohet trupi gjykues. Megjithatë, e kam mirëpritur disponimin pozitiv të kryetarit aktual, i cili ka pranuar të udhëheqë trupin gjykues për ta mbajtur dinamikën e gjykimit. Gjykimi duhet të zhvillohet edhe brenda një kohe të arsyeshme dhe, si përfaqësues i familjes Bunjaku dhe palëve të dëmtuara, insistoj që ky proces të përfundojë sa më shpejt. Në të njëjtën kohë, nuk duhet t’u lihet hapësirë të akuzuarve që, përmes zvarritjes së procedurës, të pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre”, u shpreh Koci.
Ai shtoi se këtë të premte, ditën kur edhe ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarve, avokatja e njërit prej tyre ka tentuar të krijojë alibi.
“Sot mbrojtja po tenton, përmes disa propozimeve, ta relativizojë të gjithë këtë sulm terrorist. Avokatja e njërit prej të akuzuarve ka propozuar nëntë dëshmitarë të rinj, kinse për të gjetur alibi se i akuzuari nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, por diku tjetër. Pra, personi që akuzohet nga Gjykata për kryerjen e sulmit terrorist bashkë me të tjerët po tenton të sigurojë alibi. Aktakuza është shumë e qartë – askush nuk është i akuzuar vetëm mbi një provë, por mbi shumë prova që i ngarkojnë për veprën. Ne e kemi parë ngjarjen edhe përmes pamjeve nga dronët dhe gjithçka ka qenë e qartë”, tha Koci.
Në fund, Koci theksoi se familja Bunjaku kërkon që rasti të përfundojë sa më shpejt dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme ndaj të akuzuarve, për çka ai ritheksoi se do të kërkojnë dënim me burgim të përjetshëm.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet financiare të partive politike lidhur me shpenzimet e fushatës për zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2025.
Sipas raportit të publikuar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar shpenzime totale prej 203 mijë euro për fushatën zgjedhore, ndërkohë që të hyrat e raportuara nga kjo parti kapin vlerën prej vetëm 23 mijë e 540 euro.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve të LDK-së është orientuar në reklama dhe organizimin e konferencave, duke përbërë zërin kryesor të kostove të fushatës.
Sa i përket të hyrave, LDK ka raportuar rreth 16 mijë euro donacione në formë të mallrave dhe shërbimeve.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre donacioneve ka ardhur nga vetë zyrtarë të LDK-së apo kandidatë për deputetë.
Po ashtu, partia ka pranuar edhe donacione në të holla në vlerë prej rreth 8 mijë euro nga gjithsej gjashtë donatorë.
KQZ ka bërë të ditur se raportet financiare të partive politike janë publikuar në kuadër të transparencës dhe mbikëqyrjes së financimit të fushatave zgjedhore, ndërsa të njëjtat do t’i nënshtrohen procedurave të rregullta të verifikimit dhe auditimit.
Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të qëndrojnë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë, të paktën.
Vendimin për zgjatjen e kësaj mase ndaj tre ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjykohen bashkë me Hashim Thaçin, e mori Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në çështjen Thaçi.
Përmes një njoftimi kjo gjykatë bën me dije se në rastin në fjalë trupi gjykues ”konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund ta pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera”.
Gjithashtu, bëhet me dije se vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit të Thaçit u lëshua në dhjetor 2025, dhe rishikimi i ardhshëm pritet në shkurt..
Ky vendim erdhi një ditë pasi, Specialja njoftoi se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-katërshes së UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim për më shumë se pesë vjet.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim për tërheqjen e 16 licencave të mësimdhënësve, si pjesë e përpjekjeve për garantimin e ligjshmërisë dhe standardeve profesionale në sistemin arsimor.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka theksuar se licencimi dhe rilicencimi i mësimdhënësve mbetet një mekanizëm kyç për sigurimin e cilësisë në arsim.
Sipas saj, gjatë këtij mandati janë miratuar legjislacioni dhe udhëzimet e nevojshme, si dhe janë zhvilluar takime nëpër komuna për të siguruar që ky proces të zhvillohet me sukses, transparencë dhe në përputhje me standardet përkatëse.
Vendimi për tërheqjen e licencave vjen pas një inspektimi tematik të realizuar nga Inspektorati i Arsimit në një shkollë në Rahovec, ku janë konstatuar shkelje dhe mospërfillje e procedurave ligjore.
Bazuar në këto gjetje, janë dhënë rekomandime konkrete për institucionet përkatëse, të cilat duhet të zbatohen brenda afateve ligjore.
Raporti me gjetjet inspektuese i është dërguar paraprakisht Komunës së Rahovecit, ndërsa Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve ka vepruar në përputhje me kompetencat e tij ligjore.
Ministrja Nagavci ka theksuar se ky veprim dëshmon përkushtimin institucional për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të proceseve arsimore. Ajo ka paralajmëruar se MAShTI do të vazhdojë monitorimin dhe ndërhyrjen në çdo rast të shkeljes, duke garantuar transparencë, barazi dhe integritet institucional.
“Reformat në arsim kërkojnë përgjegjësi. Ne mbesim të përkushtuar për një arsim cilësor dhe me standarde,” ka deklaruar Nagavci./Telegrafi/
Historia e një problemi në Fier ka marrë rrjedhë tjetër pasi motra e policit Fredi Lamaj ka publikuar mesazhet e plota që i kishte marrë nga Altin Meçaj.
Meçaj deri tani kishte pretenduar se efektivi policor Fredi Lamaj e kishte rrahur vetëm pse ia kishte bërë “like” dhe një koment “komplimentues” së motrës.
Motra e policit shqiptar ka publikuar edhe mesazhet që ka marrë prej Meçajt, duke thënë se e ka denoncuar për përndjekje, pasi i shkruante vazhdimisht dhe i shprehte dashurinë.
Reagimi i plotë:
Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media, dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.
Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta.
Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet.
Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.
Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë.
Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.
Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve.
Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar.
Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time.
Për këtë arsye, kam ardhur ditën e djeshme nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time familjare dhe kanë prekur edhe vëllain tim.
Po ashtu, nga informacione që na janë komunikuar nga persona të ndryshëm, rezulton se këto sjellje nuk janë të izoluara, por të përsëritura edhe ndaj vajzave të tjera.
Sa i përket dhunës që ky shtetas pretendon se ka pësuar së fundmi, kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen tonë, dhe sipas dijenisë sonë nuk është shkaktuar nga vëllai im apo persona të afërt me ne, por nga individë të tjerë për të cilët ne nuk kemi dijeni.
Nuk kam pasur asnjë interes të dal në media, por nuk mund të lejoj që gënjeshtrat e përsëritura të dëmtojnë dinjitetin e një personi të pafajshëm dhe të shtrembërojnë të vërtetën.
Kërkoj vetëm që kjo çështje të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin njerëzor.
Venezuela ka liruar nga burgu shtetas të Shqipërisë, Çekisë, Hungarisë, Holandës dhe Gjermanisë dhe shteteve të tjera, njoftuan disa nga këto vende.
Lirimi i tyre është pjesë e një vale të lirimeve nga burgu pasi Shtetet e Bashkuara arrestuan presidentin e rrëzuar, Nicolas Maduro.
Një burrë nga Çekia që u lirua ishte në burgjet venezuelase që nga viti 2024, kur autoritetet në Venezuelë e akuzuan atë se planifikonte të merrte pjesë në një komplot për të vrarë Maduron dhe për të rrëzuar Qeverinë, raportuan mediat në Republikën Çeke.
Ministria e Jashtme e Çekisë kishte deklaruar vitin e kaluar se një shtetas çek ishte arrestuar pa “ndonjë aktakuzë dhe pa një gjykim të drejtë”. Grupi venezuelas për të drejtat e njeriut, Foro Penal, tha se ai u arrestua për arsye pilitike.
Ministri i Jashtëm i Çekisë, Petr Macinka, tha se ai u lirua së bashku me të burgosur të tjerë nga Shqipëria, Irlanda, Rumania, Gjermania, Ukraina dhe Holanda.
Ende nuk dihet se sa është numri i shqiptarëve të liruar nga burgjet në Venezuelë dhe ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar për këtë çështje.
“Pas negociatash prej disa javësh, kemi arritur lirimin e tij”, tha Macinka gjatë një konference për media, duke shtuar se Republika Çeke është e gatshme që të përmirësojë raportet diplomatike me Venezuelën.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shkroi në X se janë liruar tre shtetas gjermanë, duke e cilësuar si “gjest drejt raporteve më konstruktive”.
Holanda tha se tre shtetas të saj janë liruar, ndërkaq Hungaria njoftoi për lirimin e një shtetasi të saj që kishte qenë në një anije kërkimore.
Jorge Rodriguez, president i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë deklaruar se një numër i madh i të burgosurve do të lirohen pasi SHBA-ja kapi Maduron në fillim të janarit.
Venezuela tha gjatë kësaj jave se më shumë se 400 persona janë liruar, por grupet për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se numri i të liruarve është më i vogël./Radio Evropa e Lirë/
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë përfunduar hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq, duke konstatuar se ato nuk qëndrojnë. Si rezultat, ndaj ankuesit është iniciuar rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.
Sipas njoftimit të IPK-së, para mesnatës së 13 janarit 2026, hetuesit janë informuar nga Policia e Kosovës për një person i cili kishte raportuar se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë. Incidenti pretendohej se kishte ndodhur tek Ura e Bistricës në Leposaviq, rreth orës 22:00.
Ankuesi kishte deklaruar se ishte ndaluar në një pikë kontrolli derisa po drejtonte një automjet të tipit Audi A4 me targa të Republikës së Serbisë, në të cilin ndodheshin edhe dy pasagjerë.
Ai kishte pretenduar se gjatë kontrollit ishte goditur nga zyrtarët policorë, duke pësuar lëndime në qafë, bërrylin e majtë, dorën e djathtë dhe këmbë, për çka kishte kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri. Po ashtu, ai kishte deklaruar se njëri nga zyrtarët policorë kishte goditur edhe shokun e tij me kondakun e armës së gjatë.
Pas pranimit të informatave, IPK-ja, në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore.
Ankuesi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, në prani të avokatit mbrojtës.
Në kuadër të hetimeve, hetuesit e IPK-së kanë siguruar prova materiale, përfshirë edhe video-incizime nga kamerat e sigurisë që mbulojnë vendin e ndalesës policore. Pas analizimit të këtyre provave, është konstatuar se pamjet nuk mbështesin pretendimet e ankuesit dhe se zyrtarët policorë nuk kanë tejkaluar autorizimet e tyre ligjore, as nuk kanë përdorur forcë.
IPK-ja ka vlerësuar se pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe këtë konstatim ia ka përcjellë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Me kërkesë të prokurorit kompetent, ndaj ankuesit tashmë të dyshuar është iniciuar rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”./Telegrafi/
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku një shtëpi banimi është përfshirë nga flakët, duke i marrë jetën një gruaje të moshuar.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës.
Sipas tij, rreth orës 22:20 Policia ka pranuar njoftimin se një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri, ndërsa njësitet policore dhe zjarrfikëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Si pasojë e përfshirjes së shtëpisë nga zjarri, në vendngjarje ka humbur jetën viktima femër, rreth 80-vjeçare. Ekipet emergjente mjekësore kanë konstatuar vdekjen e saj në vendin e ngjarjes,” ka deklaruar Zahiti.
Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin kompetent, po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion./Telegrafi/
Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka folur edhe për postin e presidentit.
Sipas tij, PDK-ja duhet të marrë pjesë në tryezë dhe duhet ta mbështesë idenë e presidentit të opozitës.
“Dhe duhet ta mbështesë idenë që presidenti duhet me qenë nga PDK-ja, tani e bëjnë se bëjnë varet nga vendimet e partisë”, tha ai në RTV21.
Haliti u pyet edhe për themeluesin e PDK-së, i cili gjendet aktualisht në Hagë, Hashim Thaçi.
Ai nuk dha një prognozë se a do ta rikthente Thaçi PDK-në aty ku ishte.
“Varet prej tij, varet prej angazhimit, prej shumë faktorëve”, tha ai, duke shtuar se në PDK e ka aureolën e liderit të madh në parti.
Ai tha se PDK është partia e vetme që mund ta sfidojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.
“Tani për tani kush do me sfidu, LDK-ja?… Unë mendoj në qoftë se duam mundemi me bo shumë, shiko janë disa pengesa që unë nuk mundem me i zbërthy, por janë disa pengesa që na kanë detyru ndoshta nganjëherë edhe të heshtim dhe besoj që të bëhet më mirë”, shtoi deputeti PDK-së.
Rrëfimet e dëshmitarëve të Masakrës së Reçakut vazhdojnë të mbeten dëshmi të gjalla të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Një prej tyre është edhe Ramë Shabani, i cili ka ndarë një përjetim tronditës nga momentet kur forcat serbe hynë në fshatin Reçak.
Duke përshkruar skenat e dhunës, Shabani rrëfen momentin kur forcat serbe i kishin mbledhur dhjetëra burra në oborrin e një shtëpie.
“Qikës ia dhanë një flakaresh, e nënës i than gjej armët, nënës tem. Nana i tha me pas pas armë, ti sun i kishe rrëzu gjithë këta burra këtu. Nuk kanë pas armë e tash lyp prej meje armë. E unë armë me të dhënë nuk kam i tha”, ka thënë Shabani në Debat Plus.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryetari i partisë ka vepruar në pajtim të plotë me statutin e partisë.
“Lumir Abdixhiku ka dhënë dorëheqje më 28 dhjetor. Statuti i LDK-së e njeh aktin e dorëheqjes si akt personal dhe Lumi në këtë rast e din çka ka bo. Ka dal e ka marrë përgjegjësinë dhe ka vepruar në frymën e statutit të LDK-së”, ka thënë Lutfi Haziri në RTV Dukagjini.
Dorëheqjen e deputetes Hykmete Bajrami nga pozita e nënkryetares, Haziri e ka cilësuar si qëndrim personal të saj. Haziri ka folur edhe për raportin e tij me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Unë jam nënkryetar i LDK-së dhe kam qenë kundërkandidat i Lumir Abdixhikut. Rrjedhimisht unë s’kam votuar për Lumir Abdixhikun në atë Kuvend. Dallimi me vota s’ka qenë i madh, por ia kemi zgjatur dorën njëri-tjetrit dhe asnjëherë nuk i kemi shfaqur dallimet”, ka thënë Haziri ndër të tjera.
Një nga temat e diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme është vendimi më i fundit i Departamentit të Shtetit, sipas të cilit duke filluar nga 21 janari, do të pezullohet lëshimi i të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të 75 vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë, si dhe 4 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në një lidhje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, avokatja dhe ekspertja e emigracionit Olsa Alikaj Cano, foli për këtë çështje, duke sqaruar se për çfarë lloj vizash bën fjalë ky bllokim. Avokatja sqaroi se vendimi për pezullim prek vetëm aplikimet për viza emigruese, pra për qëndrim të përhershëm në SHBA dhe jo ato për qëndrim të përkohshëm, siç janë vizat turistike.
Pjesë nga biseda në studio:
Blendi Fevziu: Ky vendim nuk prek asnjë nga vizat e vizitorëve apo jo?
Olsa Alikaj Cano:Keni shumë të drejtë. Deklarata e Departamentit të Shtetit Amerikan bën fjalë vetëm për vizat e emigrantëve. Vizat jo-emigrante, nuk janë vetëm ato të turistëve, ka viza fetare, viza të artistëve, të diplomatëve, të vizitorëve, është një listë e madhe, janë shumë viza jo-emigrante. Ata kanë të drejtë të aplikojnë për viza, këto intervista do vazhdojnë.
Blendi Fevziu:Më fal, përfshirë edhe vizat e studentëve?
Olsa Alikaj Cano:Vizat e studentëve janë viza jo-emigrante, pra janë të vlefshme. Çdo vizë që është për një periudhë jo të gjatë, pra është e përkohshme, vetëm për të ardhur, të mbarosh punë dhe të kthehesh. Janë ca viza pune, sigurisht, është një periudhë e vogël që të vish, të punosh pak dhe të kthehesh.
Blendi Fevziu: Cilat aplikime pezullohen?
Olsa Alikaj Cano: Aplikimet që pezullohen janë aplikimet me qëllim emigranti, i njohin gjithë shqiptarët. Janë vizat për bashkimet familjare. Këto janë vizat që po bllokohen. Aplikimet e nënshtetasve amerikanë për familjarët e tyre, për bashkëshortët, vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët. Këto janë kryesoret. Pjesa e Lotarisë Amerikane, pra qëllimi për të marrë Green Card, për të jetuar tërë kohën në SHBA, përjetësisht. Janë disa viza të punëtorëve, të sponsorizuara nga punëdhënësit, për personat apo individët me shkollë të lartë. Ka disa viza fetare që janë të veçanta, viza speciale. Këto janë vizat që janë pezulluar për momentin.
Blendi Fevziu: Dihet se sa do zgjasë pezullimi?
Olsa Alikaj Cano:Ne nuk kemi asnjë informacion për këtë pezullim. Kjo qeveri është shumë eficente, besoj se do i marrin vendimet shpejt dhe do i verifikojnë të dhënat shpejt.
Blendi Fevziu: A ka një kriter se përse Shqipëria dhe Kosova janë në këtë listë dhe Serbia e vende të tjera nuk janë? Pra cili ka qenë kriteri që është përdorur për të përfshirë këto 75 vende në listë?
Olsa Alikaj Cano:Sipas të dhënave që kemi, lista e 75 vendeve është lista e shteteve me rrezik të lartë, pra që nënshtetasit e këtyre vendeve vijnë në SHBA, ‘abuzojnë’ le të themi dhe që janë barrë financiare publike e SHBA-ve. Besoj se ka një lidhje me postimin e presidentit Donald Trump të katër janarit, një listë e 120 shteteve, shtetasit e të cilëve marrin ndihmë financiare/sociale në SHBA. Shqiptarët ishin mbi 45%. Ndoshta shtetet që kanë marrë ndihmë sociale/publike, janë risk financiar i atyre që paguajnë taksa në SHBA. Ndoshta kjo është.
Blendi Fevziu: Ka shumë shqiptarë që vijnë me viza të zakonshme dhe kërkojnë më pas të marrin Green Card përmes procedurave ligjore.
Olsa Alikaj Cano: Plot, madje sot kisha një kliente që ishte shumë e interesuar për familjen. Kemi shumë viza që po presin të bëhet intervista. Të gjithë janë të alarmuar. Shqiptarët këtu vijnë me vizë shumica, ndaj më habiti lista e presidentit tonë. Nuk e di ku e kanë marrë këtë listën, sepse nuk është e verifikuar lista e personave që marrin ndihmë sociale.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke theksuar se qëndrimi aktual i LDK-së është që posti i presidentit të mbulohet nga një emër i pranueshëm për të gjitha partitë politike.
Haziri theksoi se, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar fitore historike në zgjedhje dhe ka siguruar shumicën për formimin e institucioneve të reja, çështja e presidentit mbetet ende e hapur dhe kërkon konsensus politik.
Ai rikujtoi se herën e kaluar deputetët e LDK-së e kishin votuar për presidente, Vjosa Osmanin për hir të stabilitetit politik. Sipas tij, këtë herë situata është ndryshe dhe vendimi nuk do të merret në të njëjtën mënyrë.
“Për momentin qëndrimi i jonë është se duhet një emër i pranueshëm për të gjithë. Që ushtron detyrën e presidentit/tes. Ky është qëndrimi zyrtar që e kemi… realisht deputetët e LDK-në herën e kaluarën e kanë dhënë votën për stabilitet politik dhe pa inati. Dhimbja ka qenë e madhe por e kanë dhënë. Kësaj herë do ta vlerësojnë krejt ndryshe votën për president”, ka thënë Haziri.