Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 3 February 2026Main stream

22:59 Dy ish-emisarë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi të përfshirë në ”skandale ndërkombëtare”

By: Monika
3 February 2026 at 22:59

Dy ish-emisarë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini dhe Miroslav Lajçak, janë përfshirë në skandale që kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme (2014–2019) dhe aktualisht drejtuese e kolegjit pasuniversitar “College of Europe”, u arrestua në dhjetor 2025 në Bruksel, bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë, si pjesë e një hetimi mbi një skemë të dyshuar mashtrimi që lidhej me fondet për trajnime diplomatike diplomatike. Hetimi përfshiu ambientet e kolegjit dhe zyrat e Shërbimit Diplomatik të BE-së.

Lajçak, ish-dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, dha dorëheqje pas publikimit të dokumenteve nga SHBA-të që zbardhnin shkëmbime mesazhesh të tij lidhur me Jeffrey Epstein. Ai ka pranuar se komunikimi ishte i papërshtatshëm dhe e ka përshkruar atë si “gjykim të dobët”, por nuk e konsideron akt kriminal. Bashkimi Evropian ka theksuar se kjo nuk e komprometon procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që ai e ndërmjetësoi për pesë vjet.

Skandalet nënvizojnë sfidat e transparencës dhe përgjegjësisë në diplomacinë evropiane, ndërsa hetimet për Mogherinin dhe kritikat ndaj Lajçak vazhdojnë. Rastet e tyre pasqyrojnë ndikimin e figurave të larta evropiane dhe ndjeshmërinë e rolit të tyre në proceset ndërkombëtare./mxh

22:47 E ardhmja e Ronaldos te Al Nassr në dyshim pas mungesës në stërvitje

By: Monika
3 February 2026 at 22:47

Cristiano Ronaldo , i cili po i afrohet ditëlindjes së 41-të, thuhet se nuk është i lumtur në Al Nassr dhe mund të largohet nga klubi i Ligës Profesionale Saudite në qershor.

Sipas gazetës portugeze Record, sulmuesi ndihet i keqtrajtuar nga Fondi i Investimeve Publike (PIF), i cili zotëron Al Nassr së bashku me Al Hilal, Al Ittihad dhe Al Ahli.

Ronaldo beson se PIF po bllokon transferimet kyçe të Al Nassr për të penguar shanset e tyre për titull, pavarësisht se skuadra është vetëm një pikë prapa liderëve të ligës, Al Hilal.

Ai përmendi shembuj të tillë si transferimi i Karim Benzemas nga Al Ittihad në Al Hilal dhe nënshkrimi i sulmuesit të ri Georges Ilenikhena nga Monaco nga Al Ittihad, ndërsa Al Nassr shtoi vetëm mesfushorin irakian Abdulkareem nga Al Zaëraa në afatin kalimtar.

Në shenjë proteste, ai refuzoi të luante në fitoren e fundit 1-0 të Al Nassr ndaj Al Riyadh në ligë.

Sipas Fabrizio Romanos, Ronaldo pasi e bojoktoi ndeshjen dje (e hënë), sot ai nuk ka dal në stërvitje.

Kontrata e tij përfshin një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh që mund të lehtësojë një largim, me destinacione të mundshme që përfshijnë Major League Soccer (MLS) ose një rikthim në Evropë./mxh

22:36 Aktivizohet rrjeti i bashkëpunëtorëve të Iranit mes rrezikut të një lufte me SHBA-në

By: Monika
3 February 2026 at 22:36

Kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kryen një fushatë intensive të bombardimeve në Iran vitin e kaluar, rrjeti i bashkëpunëtorëve dhe partnerëve të armatosur rajonalë të Iranit qëndroi kryesisht në heshtje.

Por, i ashtuquajturi bosht i rezistencës pritet të hyjë në lojë dhe të mbështesë Iranin nëse presidenti amerikan, Donald Trump, jetëson kërcënimet e tij dhe autorizon një veprim ushtarak kundër Republikës Islamike, thonë ekspertët.

Irani e sheh një konflikti të ri të mundshëm me SHBA-në si kërcënim ekzistencial, ndryshe nga lufta e qershorit 2025, tha Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Kjo nënkupton se Teherani është “gati të futet plotësisht në lojë dhe të përdorë çdo kapacitet që ka, në kuptim të kapaciteteve të veta ushtarake, dhe në të njëjtën kohë kapacitetin asimetrik të boshtit të rezistencës” për të siguruar mbijetesën e tij, tha Azizi.

Veçse ka sinjale që aleatët e Iranit në Irak, Liban dhe Jemen po përgatiten për luftë në rast të një sulmi të SHBA-së ndaj Teheranit.

Irani ka shpenzuar dekada duke e ndërtuar boshtin, që është një rrjet i bashkëpunëtorëve të armatosur dhe grupeve militante të mbështetura nga Teherani në Lindjen e Mesme. Anëtarët e boshtit përfshijnë Hezbollahun e Libanit, rebelët Huthi të Jemenit dhe milicitë proiraniane në Irak.

Ky rrjet ka qenë element kyç i strategjisë frenuese të Teheranit kundër kërcënimeve të perceptuara nga Shtetet e Bashkuara dhe kryesisht nga Izraeli.

Por, aleanca ka pësuar goditje të mëdha në vitet e fundit. Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, aktorja e vetme shtetërore në këtë rrjet përveç Iranit, u rrëzua në dhjetor të vitit 2024.

Hezbollahu, ndërkaq, është dobësuar jashtëzakonisht shumë pas luftës njëvjeçare me Izraelin, gjatë së cilës u vra udhëheqësi i kamotshëm i grupit, Hassan Nasrallah.

Megjithatë, pavarësisht kapaciteteve të dobësuara ushtarake, rrjeti mund t’i ofrojë fuqi shtesë zjarri Iranit në rast të një konflikti me SHBA-në, thonë ekspertët.

Gjatë luftës 12-ditore me Iranin në qershor, Izraeli dhe më pas SHBA-ja bombarduan objektet kyç bërthamore dhe ushtarake iraniane. Teherani u përgjigj duke gjuajtur qindra raketa balistike dhe dronë drejt Izraelit, armikut të tij të përbetuar, si dhe duke shënjestruar një bazë amerikane në Katar.

Anëtarët e boshtit të rezistencës të Iranit nuk u përfshin në këtë konflikt të shkurtër.

“Irani nuk e tërhoqi këmbëzën gjatë luftës së qershorit”, tha Azizi. “Atëbotë, Irani erdhi në përfundim se mund ta menaxhonte vet konfliktin. Nuk deshi ta zgjeronte konfliktin dhe deshi që t’i jepte fund atij sa më shpejt që ishte e mundur”.

Por, një konflikt i ri i mundshëm me SHBA-në mund të ndryshojë kalkulimet e Iranit, thanë ekspertët.

Udhëheqja klerikale e Iranit ndodhet në pikën e saj më të dobët në dekada, duke u përballur me trazira dhe kolaps ekonomik në vend si dhe me një grumbullim masiv ushtarak amerikanë pranë kufijve të Iranit. Duke luftuar për mbijetesë, sundimtarët e Iranit janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet në arsenalin e tyre, sipas ekspertëve.

“Ne veçse po shohim sinjale që boshti i rezistencës – çfarëdo që ka mbetur nga ai – po aktivizohet”, tha Azizi.

Udhëheqësi i Hezbollahut tha më 26 janar se grupi po përgatitet për “një agresion të mundshëm dhe është i vendosur të mbrojë” veten, por nuk tregoi se si do të reagojë nëse Irani sulmohet.

Hezbollahu, që për një kohë të gjatë ka qenë bashkëpunëtori më i fuqishëm i Iranit, vazhdon të jetë kërcënim i madh, thanë ekspertët.

“Hezbollahu është goditur rëndë, por nuk është eliminuar”, tha Sascha Bruchmann, analist për çështje ushtarake dhe të sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër. “Ai ka humbur një pjesë të madhe të kapaciteteve të tij strategjike, një pjesë të konsiderueshme të arsenalit të raketave, punëtorive për prodhimin e dronëve dhe tunelet përgjatë kufirit me Izraelin që i përdorte për sulm, por ai mbetet një milici e fuqishme”.

Në Irakun fqinj, milicitë proiraniane kanë nisur një fushatë për rekrutimin e luftëtarëve, përfshirë edhe sulmuesve vetëvrasës.

Udhëheqësi i Kataib Hezbollah, që është një nga milicitë, lëshoi një deklaratë të ashpër më 25 janar, duke i bërë thirrje luftëtarëve të tij të përgatiten për luftë.

I themeluar më 2007, Kataib Hezbollah është një nga anëtarët më të fuqishëm të Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), një organizatë ombrellë e grupeve të armatosura, kryesisht shiite, të mbështetura nga Irani, që është pjesë e Ushtrisë së Irakut që nga viti 2016. PMF është një aktor i rëndësishëm ushtarak dhe politik në Irak.

“Përfshija e Irakut në këtë konflikt mund t’i kushtojë politikisht”, tha Bruchmann. “Por, të gjitha bastet bien poshtë nëse [udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali] Khamenei vritet ose nëse regjimi beson se po rrëzohet, pasi disa nga milicitë shiite irakiane kanë shpallur besnikëri ndaj Khameneit”.

Në Jemen, rebelët Huthi kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga një marrëveshje armëpushimi që u arrit me SHBA-në vitin e kaluar. Rebelët jemenas u pajtuan të ndalnin sulmet e tyre me raketa dhe dronë ndaj transportit ndërkombëtar në Detin e Kuq. Në këmbim, SHBA-ja u zotua për ndalim të sulmeve ajrore që kishin për shënjestër grupin.

Colin Clarke, drejtor ekzekutiv i Qendërs Soufan, një institut kërkimor me seli në Nju Jork, tha se nëse boshti i rezistencës do të mbetet sërish i heshtur pas një sulmi tjetër kundër Iranit, ai mund të “rrezikojë të humbasë rëndësinë”.

“Këta bashkëpunëtorë janë dizajnuar si mekanizma pengues për ta mbrojtur regjimin, prandaj përdorimi i tyre në kohë krize do të dukej thelbësor”, tha ai./mxh

22:18 Publikoi skandalet Fedez-Ferragni & Signorini: mbyllen profilet e Fabrizio Corona-s!

By: Monika
3 February 2026 at 22:18

Pas muajsh polemikash, skandalesh publike dhe përmbajtjesh shpërthyese, rrjetet sociale të Fabrizio Corona-s janë mbyllur. Meta ka çaktivizuar llogaritë e ish-paparacit dhe të formatit të tij online “Falsissimo”, duke konfirmuar se masa është marrë për “shkelje të shumta të Standardeve të Komunitetit”.

Në vitin e fundit, Fabrizio Corona është shndërruar në një nga figurat më destabilizuese të showbiz-it italian, pasi bëri publike krizën martesore mes Fedez dhe Chiara Ferragni-t, duke publikuar video, audio, mesazhe private dhe prapaskena të marrëdhënies së çiftit më të famshëm të Italisë.

Zbulimet e Corona-s kanë thyer narrativën publike të “familjes perfekte” dhe kanë shkaktuar një stuhi mediatike, me pasoja të rënda në imazhin publik të Ferragni-t dhe në marrëdhënien e saj me sponsorët dhe opinionin publik. Ky episod shënoi pikën e kthesës, duke e vendosur Corona-n sërish në qendër të vëmendjes kombëtare.

Paralelisht me çështjen Fedez–Ferragni, Corona ka intensifikuar sulmet ndaj asaj që ai e ka quajtur “sistemi mediatik i Alfonso Signorini-t”, duke akuzuar ish-moderatorin e Grande Fratello-s se disa të rinj kanë përfituar hyrjen në program në këmbim të favoreve seksuale. Një nga ish-konkurrentët, Antonio Medugno, deklaroi në “Falsissimo” se kishte përjetuar afrime të padëshiruara në vitin 2021 dhe formalizoi kallëzimin për dhunë seksuale dhe zhvatje.

Në disa episode të “Falsissimo”, Corona ka përdorur gjuhë të ashpër dhe akuza personale, të cilat janë konsideruar nga palët e përmendura si shpifje dhe shkelje e rëndë e të drejtave personale. Këto përmbajtje kanë çuar në ankesa ligjore, të dërguara drejtpërdrejt te platformat online.

Pse iu mbyllën profilet

Meta ka sqaruar se heqja e profileve nuk lidhet me një urdhër penal të menjëhershëm, por me shkelje të përsëritura të rregullave të platformës, që përfshijnë:

– përmbajtje potencialisht shpifëse

– publikim materialesh private pa pëlqim

– shkelje të privatësisë dhe dinjitetit personal

– përdorim të përsëritur të gjuhës agresive dhe denigruese

Vendimi është marrë pas sinjalizimeve të shumta dhe vlerësimeve të brendshme, në përputhje me politikat e kompanisë.

Pak ditë para mbylljes së profileve, Gjykata Civile e Milanos kishte vendosur një masë ndaluese ndaj disa përmbajtjeve të “Falsissimo”, duke i kërkuar Corona-s të ndalojë publikimin e materialeve që cenojnë reputacionin e Alfonso Signorini-t. Megjithatë, Meta ka theksuar se veprimi i tyre është autonom dhe i bazuar në standardet e platformës, jo thjesht në vendimin gjyqësor.

Reagimi i Corona-s

Përmes avokatit të tij, Corona e ka cilësuar vendimin si “censurë” dhe ka folur për një rrezik serioz për lirinë e shprehjes, duke pretenduar se mbyllja e profileve është pasojë e presioneve të fuqive mediatike dhe ekonomike që janë ndier të kërcënuara nga zbulimet e tij./mxh

22:10 Vëmendje! Këto detaje në shtëpinë e një burri tregojnë se ai është…i mërzitshëm(Lifestyle)

By: Monika
3 February 2026 at 22:10

Nëse ke hyrë ndonjëherë në shtëpinë e një burri dhe ke menduar se duket sikur nuk ka ndodhur asgjë interesante që nga viti 2012, ka shumë mundësi që ai të bëjë një jetë… shumë të mërzitshme. Jo domosdoshmërisht në kuptimin e keq të fjalës, por në atë mënyrën e qetë të të jetuarit, të parashikueshme dhe pa asnjë surprizë.

Mbetet në dorën tënde nëse kjo është diçka që e vlerëson te një burrë ose jo, gjithsesi, ja 11 detaje në shtëpinë e një burri që tregojnë se ai bën një jetë të tillë:

1. Enët e kuzhinës janë shumë bazike

Nëse në kuzhinë ka vetëm minimumin e domosdoshëm, ka gjasa që ai të mos jetë i interesuar të eksperimentojë me receta apo shije të reja. Erëza bazë, enë standarde dhe receta të njëjta, gjithçka tregon një rutinë të qëndrueshme dhe pa surpriza.

2. Dekori i shtëpisë është i përgjithshëm

Burrat që jetojnë jetë të sigurta dhe të parashikueshme, shpesh zgjedhin ambiente neutrale. Pa elementë trendi apo objekte që “bien në sy”, shtëpia e tyre reflekton qetësi, qëndrueshmëri dhe rehati.

3. Televizori është pika qendrore

Kur hapësira është e ndërtuar rreth televizorit, e jo rreth mikpritjes për shembull, kjo mund të tregojë një jetë më të izoluar. Por jo domosdoshmërisht të keqe, filmat dhe serialet shpesh janë mënyra më e thjeshtë për t’u çlodhur pas një dite të ngarkuar.

4. Çdo dhomë është vetëm funksionale

Nëse shtëpia duket më shumë si vend për “të mbijetuar” sesa për të shijuar jetën, ka gjasa që rutina e tij të jetë e pandryshueshme. Mungojnë hapësirat spontane, personale apo sociale, gjithçka është praktike.

5. Shtëpia duket sikur ka mbetur në kohë

Mobilje të vjetra, objekte familjare dhe sende të ruajtura prej vitesh tregojnë një lidhje me të shkuarën dhe mungesë interesi për ndryshime. Për këta burra, ajo që kanë është e mjaftueshme.

6. Nuk ka kafshë shtëpiake apo bimë

Pa kafshë dhe pa bimë, jeta në shtëpi mbetet thuajse në vijë të drejtë. Këta burra nuk kanë nevojë për përshtatje apo për të treguar kujdes të vazhdueshëm ndaj një individi tjetër, gjithçka ndjek rregullat e tij dhe vetëm të tijat.

7. Ka një librari të pasur

Ironikisht, një jetë “e mërzitshme” mund të jetë shumë e pasur nga brenda. Burrat që lexojnë shumë dhe kalojnë kohë vetëm, shpesh janë më empatikë dhe më të lidhur me botën sesa duken në pamje të parë.

8. Mobiljet janë zgjedhur për rehatinë e tij

Nëse gjithçka në shtëpi është menduar për komoditetin personal dhe jo për mysafirët, kjo tregon se ai vlerëson vetminë dhe qetësinë. Dhe e vërteta është se vetmia e zgjedhur me vetëdije është jashtëzakonisht e shëndetshme.

9. Mungon arti

Një shtëpi pa piktura, fotografi apo objekte personale shpesh reflekton mungesë shprehjeje emocionale. Megjithatë, nëse ai krijon art, por e mban për vete, kjo mund të jetë e vlefshme për mirëqenien e tij.

0. Dhoma e gjumit duket si hotel

Dhoma shërben vetëm për gjumë: çarçafë perfektë, ndriçim i matur dhe asgjë personale. Një hapësirë e pastër, e kontrolluar dhe e pandarë me askënd tjetër.

11. Banjoja ka vetëm gjërat bazë

Pa produkte trendi, pa rutina të ndërlikuara. Vetëm ato që i duhen vërtet. Një rutinë e qëndrueshme, e cila sipas studimeve, lidhet edhe me mirëqenie mendore më të mirë./mxh

21:57 Vajza e Lasgush Poradecit shpërthen në lot: Prej dekadash po keqpërdoret figura e babait tim

By: Monika
3 February 2026 at 21:57

Marie Poradeci, vajza e poetit të shquar Lasgush Poradeci, ka shprehur publikisht indinjatën e saj, duke rrëfyer se familja e shkrimtarit nuk është përfshirë në një aktivitet përkujtimor që pritet të zhvillohet në Vjenë.

Ajo bëri të ditur se është informuar vetëm në mënyrë zyrtare për vendosjen e një pllake përkujtimore në banesën ku Lasgush Poradeci ka jetuar për rreth dhjetë vite, por pa marrë një ftesë për të qenë e pranishme në ceremoni. Sipas saj, ky veprim është fyes dhe i pajustifikueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për familjen e një figure të tillë kombëtare.

Marie Poradeci theksoi se informacionet për vendndodhjen e pllakës dhe detaje të tjera janë siguruar prej saj, çka sipas saj e bënte të domosdoshme përfshirjen e familjes në aktivitet. Ajo tregoi se, edhe pse i është ofruar mbulimi i shpenzimeve të udhëtimit, kjo nuk mund të zëvendësojë mungesën e një ftese zyrtare dhe respektin institucional.

Në deklaratën e saj, ajo kritikoi ashpër Bashkinë e Pogradecit, duke e akuzuar për trajtim të padrejtë dhe neglizhent ndaj figurës së babait të saj ndër vite. Sipas saj, prej më shumë se 35 vitesh janë marrë vendime që kanë fshirë gradualisht emrin dhe trashëgiminë e Lasgush Poradecit nga hapësirat publike të qytetit.

Ajo përmendi heqjen e emrit të poetit nga Pallati i Kulturës, degradimin e monumenteve përkujtimore dhe dështimin për ta kthyer banesën e tij në muze, duke e cilësuar gjithë procesin si një seri premtimesh të pambajtura dhe keqmenaxhimi.

“Ndjej se figura e babait tim është përdorur dhe keqpërdorur për interesa të tjera, ndërsa familja është lënë në harresë”, u shpreh ajo, duke theksuar se zhgënjimi i saj vjen jo vetëm si vajzë, por edhe si qytetare që sheh se si trajtohet trashëgimia kulturore në Shqipëri./mxh

21:45 Marrëveshje për planin e armëpushimit mes Ukrainës, Evropës dhe SHBA-ve: kur pritet përgjigjja e koordinuar?

By: Monika
3 February 2026 at 21:45

Ukraina ka rënë dakord me partnerët e saj perëndimorë se çdo shkelje e vazhdueshme e një marrëveshjeje të ardhshme armëpushimi nga Rusia do të shkaktojë një përgjigje të koordinuar ushtarake nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, raportoi sot Financial Times.

Sipas raportit, të cilin Reuters nuk mundi ta verifikonte menjëherë, plani u diskutua vazhdimisht në dhjetor dhe janar midis zyrtarëve ukrainas, evropianë dhe amerikanë dhe parashikon një përgjigje shumështresore ndaj çdo shkeljeje të një armëpushimi të rënë dakord nga Rusia.

Të dërguarit nga Kievi, Moska dhe Uashingtoni do të takohen në Abu Dhabi të mërkurën dhe të enjten për bisedime që synojnë përfundimin e luftës, raportoi Financial Times. Sipas propozimit, çdo shkelje e armëpushimit nga Rusia do të shkaktonte një përgjigje brenda 24 orëve, fillimisht me një paralajmërim diplomatik dhe, nëse është e nevojshme, me veprime nga ushtria ukrainase për të ndaluar shkeljen.

Nëse armiqësitë vazhdojnë përtej kësaj, plani parashikon një fazë të dytë, me ndërhyrjen e forcave nga i ashtuquajturi koalicion i të vullnetshmëve, i cili përfshin shumë shtete anëtare të BE-së, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Islandën dhe Turqinë. Publikimi shton se në rast të një sulmi më të gjerë, një përgjigje e koordinuar nga një forcë e mbështetur nga Perëndimi, e cila do të përfshijë edhe ushtrinë amerikane , do të aktivizohet 72 orë pas shkeljes fillestare./mxh

21:37 Familjarët e Stenaldos reagojnë pas deklaratës ofenduese të Rogertit në “Big Brother VIP”

By: Monika
3 February 2026 at 21:37

Një debat i fundit në shtëpinë e “Big Brother VIP” ka shkaktuar reagime të ashpra jashtë saj, pas një koment i rëndë nga Rogerti ndaj Stenaldos. Gjatë përplasjes, Rogerti tha se Stenaldo “e ka mallkuar Zoti” për shkak të aftësisë së tij të kufizuar në shikim, një deklaratë që ka shkaktuar indinjatë të menjëhershme.

Familjarët e Stenaldos, që menaxhojnë edhe llogarinë e tij zyrtare në Instagram, kanë dënuar publikisht këtë gjuhë, duke e cilësuar si thellësisht çnjerëzore dhe të papranueshme. Në një postim ku është shpërndarë edhe video e momentit të ofendimit, ata theksojnë se përdorimi i emrit të Zotit për të justifikuar fjalë urrejtjeje ndaj një personi me aftësi të kufizuara është një mungesë totale empatie dhe një nga nivelet më të ulëta të etikës njerëzore.

Familjarët bëjnë thirrje publike ndaj produksionit të “Big Brother VIP” dhe Top Channel, duke kërkuar që raste të tilla të mos normalizohen dhe të ketë përgjegjësi për gjuhën e përdorur brenda formatit. Ngjarja ka nxitur gjithashtu një debat të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë përdorues shprehin shqetësim për kufijtë e etikës dhe mesazhet që transmetohen në prime-time./mxh

21:25 Akuzat se Mandelson i ka dhënë informacione qeveritare ‘Epstein’, “Sky News”: Nisin hetimet

By: Monika
3 February 2026 at 21:25

Pas daljes së publikimeve të dosjes së bujshme “Epstein”, policia ka nisur hetimet lidhur me pretendimet se Peter Mandelson i ka dhënë Epstein informacione të ndjeshme ndaj tregut, raporton “skynews”.

Në email dolën biseda mes Epstein dhe Mandelson për çështje qeveritare e politike, në kohën kur Lord Mandelson shërbente si sekretar biznesi dhe zëvendëskryeministër de facto në qeverinë e Gordon Broën.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se Epsteinit iu dërguan diskutime të brendshme të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar pas krizës globale financiare./mxh

21:18 Forcat amerikane rrëzojnë një dron iranian në Detin Arabik

By: Monika
3 February 2026 at 21:18

Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë rrëzuar një dron që i përket Iranit në ujërat e Detit Arabik.

Incidenti vjen ndërsa prania ushtarake amerikane në rajon është rritur për t’iu kundërvënë kërcënimeve ajrore dhe për të siguruar rrugët e transportit detar, dhe tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit kanë hyrë në një fazë të re.

Zëdhënësi i CENTCOM-it, kapiteni Tim Hawkins, përshkroi detajet e dy përballjeve ushtarake të sotme. Sipas raportit, më 3 shkurt, një avion luftarak amerikan F-35C e rrëzoi atë pasi një dron iranian Shahd-139 me një regjim pushtimi u drejtua drejt aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në Detin Arabik.

Anija transportuese ishte e stacionuar 500 milje larg bregdetit jugor të Iranit, dhe droni kishte vazhduar të përparonte pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për të ulur tensionet. Trupat dhe pajisjet amerikane nuk u dëmtuan në incident./mxh

20:43 “Dhurata jote e Shën Valentinit”/ Oriola Marashi “shkrin akujt” e veshur me bikini të kuq

By: Monika
3 February 2026 at 20:43

Last Updated on 03/02/2026 by Monika

Modelja Oriola Marashi ka postuar në rrjetet sociale një album fotografik, ku shfaqet mjaft sensuale.

E veshur me një set lingerie të kuq, të kombinuar me geta me zemra të kuqe dhe me një pellush, Oriola nuk i lë shumë vend imagjinatës.

Krahas fotove të shkrepura në Gstaad të Austrisë, Oriola shkruan “Dhurata jote e Shën Valentinit”.

Foto të shkrepura në kuadër të fushatës së firmës prestigjoze të modës “Guess”, ku modelja shqiptare Oriola Marashi është imazh prej kohësh./mxh

20:30 “Më 10 shkurt nuk rrihet urtë”/ Noka për protestën: Mblidhemi kundër narkoshtetit

By: Monika
3 February 2026 at 20:30

Last Updated on 03/02/2026 by Monika

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar sërish sot lidhur me protestën e thirrur nga opozita më 10 shkurt.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Noka ka ndarë pamje nga një takim me demokratë, teksa thekson se para Kryeministrisë do të ketë pjesëmarrrës nga e gjithë Shqipëria kundër narkoshtetit.

“E vërteta është se përpara kryeministrisë do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, nga veriu, jugu, mali dhe fusha, se protestuesit janë shqiptarë pa dallime dhe se kudo nëpër Shqipëri jeta është vështirësuar dhe po kudo vota blihet e manipulohet haptas. Narkoshteti aplikon një standard si në veri dhe në jug: Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Shqiptarët i bashkon halli”,-shkruan ndër të tjera Noka./mxh

20:26 Merz do ta nisë që këtë vit reformën e pensioneve

By: Monika
3 February 2026 at 20:26

Në marrëveshjen e koalicionit midis konservatorëve dhe socialdemokratëve,qeveria gjermane i vendosi vetes objektivin e mëposhtëm: “Ne do të krijojmë një sistem pensioni të besueshëm për të gjitha brezat.” Për ta arritur këtë, Friedrich Merz beson se sistemi i pensioneve duhet të reformohet dhe kancelari gjerman dëshiron të përshpejtojë procesin.

Një “reformë gjithëpërfshirëse e pensioneve” do të nisë këtë vit
Këtë e njoftoi Friedrich Merz e deklaroi në pritjen vjetore të Bursës Gjermane (Deutsche Börse) në Eschborn, pranë Frankfurtit. Ideja e tij themelore për reformën e planifikuar është që sigurimi i detyrueshëm i pensioneve të ruhet, por të jetë vetëm një element ndër të tjerët në një nivel të ri gjithëpërfshirës mbulimi. Sigurimet private të pensioneve dhe pensionet e ndërmarrjeve, të cilat financohen me bazë kapitalizimi, duhet të luajnë një rol shumë më të rëndësishëm se më parë, theksoi Merz, duke iu referuar një “ndryshimi të afërt të paradigmës në politikën gjermane të pensioneve”.

Pensionet janë një prioritet në reformat sociale
Në një intervistë për gazetën Tagesspiegel, kreu i kancelarisë, Thorsten Frei, gjithashtu vendosi si qëllim nisjen e reformës së pensioneve në vitin 2026. “Deri në fund të vitit, ne do të kemi zbatuar reformat e para të mëdha sociale, dhe përparësi u kemi dhënë pensioneve,” tha politikani i CDU-së. Por gjithashtu është e qartë “se jo gjithçka do të jetë gati deri në dhjetor.” Aktualisht, një komision për pensionet po shqyrton propozime të mundshme. Ai duhet t’i paraqesë ato deri në fund të tremujorit të dytë. Sipas Frei-t, disa nga këto propozime mund të zbatohen mjaft shpejt, ndërsa të tjera do të kërkojnë një periudhë më të gjatë përgatitore.

Vitin e kaluar, pensionet ishin subjekt i polemikave të ashpra, edhe brenda partive konservatore unioniste. Organizata e rinisë e CDU-së, Junge Union (JU) protestoi kundër planeve për reformën e pensioneve të dakorduara midis partive unioniste dhe SPD-së dhe kërcënoi se do të refuzonte paketën ligjore që duhej të miratohej nga Bundestagu para fundit të vitit 2025. Në fund, projektligji u miratua, pas një premtimi të bërë për të rinjtë se do të nisë një reformë themelore e pensioneve në vitin 2026.

Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në kërkon shkurtime në sistemin e pensioneve
Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në, një shoqatë sipërmarrjesh, së fundmi paraqiti propozime për reformimin e sistemit të pensioneve. Për të reduktuar shpenzimet federale, Këshilli propozoi shkurtimin e pensionit të posaçëm për nënat dhe eleminimin e daljes në pension në moshën 63 vjeç. Në vend të kësaj, mosha e daljes në pension duhet të lidhet “në afat të mesëm” me pritshmërinë e jetës.

Ndërsa propozimet e Këshillit Ekonomik u kritikuan ashpër nga të gjitha partitë, tani ato kanë mbështetjen e ekonomistes Veronika Grimm. “Na duhen propozime që reduktojnë barrën mbi buxhetin federal, por edhe mbi landet federale dhe komunat,” tha ajo në emisionin e përbashkët të mëngjesit të ARD dhe ZDF. Sepse krahasuar me vendet e tjera evropiane, barra e taksave dhe e sigurimeve shoqërore ka arritur në “nivel rekord”.

Në fushën e sigurimeve të pensioneve, për shembull, shteti ka ecur kryesisht në drejtimin e gabuar, paralajmëroi Grimm. Dhe miliardat e parashikuara për vitet e ardhshme po ushtrojnë presion edhe më të madh mbi buxhetin federal. Prandaj, rritja e moshës së daljes në pension sipas saj, është një “faktor i rëndësishëm”. Në mënyrë të ngjashme, “dalja në pension në moshën 63 vjeç dhe pensioni për nënat duhet në fakt të vihen në diskutim”./mxh

20:22 Muçi nuk di të ndalet, shënon tjetër supergol në Turqi

By: Monika
3 February 2026 at 20:22

Last Updated on 03/02/2026 by Monika

Ernest Muçi nuk di të ndalet në Turqi. Sulmuesi i Kombëtares, ka gjetur sërish rrugën e rrjetës me Trabzonspor.

Shqiptari shënoi golin e avantazhit për skuadrën e tij ndaj Fethiyespor në Kupën e Turqisë.

Në minutën e 69-të, Muçi lëshoi një gjuajtje të fortë, të cilën e ndali në rrjetë./mxh

20:11 Vjen në çezma me erë të rëndë, banorët në Korçë frikë për helmim nga uji i pijshëm

By: Monika
3 February 2026 at 20:11

Last Updated on 03/02/2026 by Monika

Banorë të fshatit Tërovë në bashkinë e Korçës kanë denoncuar se prej disa javësh edhe pse furnizimi me ujë është i pandërprerë gjatë 24 orëve, uji që u vjen në çezmat e tyre mban erë të rëndë dhe është i pakonsumueshëm as për pirje dhe as për gatim.

Në të tilla kushte ata po detyrohen të blejnë ujin për të pirë pasi kanë frikë nga helmimi, gjë që po u rëndon situatën ekonomike.

Në lidhje me këtë shqetësim të banorëve drejtoria e ujësjellës kanalizime të Korçës shprehet jashtë kamerave se i janë bërë analizat e ujit, i cili del brenda parametrave normale për t’u konsumuar.

Por duke patur parasysh shqetësimin e banorëve ka ndërhyre edhe drejtoria rajonale e shëndetit publik e cila gjithashtu ka marrë mostra të ujit dhe pritet të japë edhe ajo një përgjigje mbi cilësinë e ujit dhe sa qëndron shqetësimi i banorëve./mxh

18:55 Shëndeti i zorrëve/ 6 këshilla të thjeshta përmes ushqimit

By: Monika
3 February 2026 at 18:55

Disa lloje ushqimesh ndihmojnë në mbajtjen e shëndetshme të zorrëve, duke u fokusuar kryesisht te ndikimi i dietës në ekuilibrin e mikrobiomës së zorrëve, një faktor kyç për mirëqenien e trupit të gjithanshme.

Çfarë të hani për një zorrë të shëndetshme:

1. Ushqime me bazë bimore

Të përfshini në dietë ushqime bimore, si fasule, qiqra, tofu dhe arra, ndihmon në mbështetjen e mikrobiomës së zorrëve, sepse ato sigurojnë fibra dhe polifenole që “ushqejnë” bakteret e mira në traktin tretës. Kjo ndihmon në një ekuilibër të shëndetshëm të mikroorganizmave dhe një tretje të rregullt.

2. Peshqit me yndyrna të mira

Peshqit, si salmoni dhe sardelet, të pasura me omega-3 (acide yndyrore me efekt anti-inflamator), konsiderohen të dobishëm për shëndetin e zorrëve dhe mund të ndihmojnë në mbështetjen e baktereve të mira.

3. Kufizoni ushqimet shumë të përpunuara

Ushqimet me përpunim të lartë, sidomos mishi i tej përpunuar, mund të dëmtojnë funksionin normal të zorrëve dhe të reduktojnë bakteret e dobishme, gjë që me kalimin e kohës mund të çojë në probleme kronike të sistemit tretës.

4. Fibra dietike

Ndihmon tretjen dhe ushqen baktere të mira. Përfshi fruta, perime dhe drithëra integrale.

5. Ushqimet fermentuese

Kefiri, kimchi ose kombucha përmbajnë probio­tikë që mbështesin mikrobiomën e zorrëve.

6. Hidratimi i mirë

Uji ndihmon në funksionimin normal të zorrëve dhe në ruajtjen e një mjedisi të shëndetshëm për bakteret.

Kombinoni një dietë të pasur me bimë me ushqime fermentuese, pini mjaft ujë dhe kufizoni ushqimet e përpunuara për të mbështetur mirëqenien e zorrëve dhe funksionimin e sistemit tretës./mxh

18:44 Spiropali vizitë në Shtëpinë e Bardhë/Pritet nga asistenti Special i Trump

By: Monika
3 February 2026 at 18:44

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi ditën e sotme Shtëpinë e Bardhë ku u prit nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump.

Spiropali shkruan se takimi u fokusua në potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes.

Gjatë takimit, Ministrja e Jashtme konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, i cili do të thellojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjitik e zhvillimor.

Postimi i Spiropalit

Me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC).

U ndalëm te potenciali i thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes. Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontribuese aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkëkoordinimit me aleatin tonë historik.

Ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve.

Shqipëria është e nderuar të jetë gjithashtu në krah të SHBA-së si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20-pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri.

Gjatë takimit konfirmova gatishmërinë tonë për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, për të thelluar më tej marrëdhëniet tona në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjetik e zhvillimor./mxh

18:38 Ndërron jetë aktori i njohur i serialit Narcos!

By: Monika
3 February 2026 at 18:38

Aktori dhe balerini i njohur meksikan Gerardo Taracena, i famshëm për rolin e tij të ashpër si Middle Eye në filmin Apocalypto të Mel Gibson dhe për interpretimin e Pablo Acostës në serialin Narcos: Mexico, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga Akademia Meksikane e Arteve dhe Shkencave Kinematografike, e cila e përshkroi Taracenën si një “aktor themelor të kinemasë meksikane”, duke theksuar praninë e tij intensive, të sinqertë dhe thellësisht njerëzore në ekran. Akademia shprehu gjithashtu ngushëllime për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.

Deri më tani, shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë publik, çka ka ngjallur shumë pikëpyetje mes fansave dhe ndjekësve të aktorit. As familja dhe as autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi rrethanat e ndarjes së tij nga jeta.

Gerardo Taracena arriti njohje ndërkombëtare falë rolit të tij në serialin e suksesshëm Narcos: Mexico, por karriera e tij përfshin një filmografi të pasur dhe të larmishme. Një nga interpretimet e tij më të paharrueshme mbetet ai në filmin Apocalypto (2006). Ai ka luajtur gjithashtu në filma si El Violín, Saving Private Perez, Sound of Freedom dhe Surviving My Quinceañera, si dhe në seriale të njohura si Queen of the South dhe Pedal to Metal.

Në vitin 2024, Taracena u shfaq në disa episode të serialit Cometierra në Amazon Prime Video. Sipas IMDb, në momentin e vdekjes ai kishte dy projekte në post-produksion dhe dy të tjera në zhvillim, çka tregon se ishte ende aktiv profesionalisht.

Gjatë karrierës së tij, ai u nominua tri herë për çmimin Ariel, një nga vlerësimet më prestigjioze të kinemasë meksikane./mxh

18:26 Gargash: Lindja e Mesme nuk ka nevojë për një tjetër përplasje SHBA–Iran

By: Monika
3 February 2026 at 18:26

Këshilltari diplomatik i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Anwar Gargash, deklaroi se Lindja e Mesme nuk ka nevojë për një tjetër përballje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke theksuar se Teherani duhet të arrijë një marrëveshje bërthamore me Uashingtonin.

Duke folur në një panel të Samitit Botëror të Qeverive në Dubai, Gargash tha se rajoni ka kaluar tashmë “përballje shkatërrimtare” dhe se një konflikt i ri do të ishte i panevojshëm. Ai u shpreh se do të dëshironte të shihte negociata të drejtpërdrejta mes Iranit dhe SHBA-së për të shmangur tensionet e vazhdueshme.

Ndërkohë, zyrtarë iranianë dhe amerikanë konfirmuan se bisedimet bërthamore mes dy vendeve do të rifillojnë të premten në Turqi. Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se “gjëra të këqija” mund të ndodhin nëse nuk arrihet një marrëveshje, ndërsa anije të mëdha luftarake amerikane janë pozicionuar pranë Iranit.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, pritet të takohen në Stamboll në përpjekje për të ringjallur diplomacinë mbi programin bërthamor të Iranit dhe për të shmangur rrezikun e një lufte të re rajonale. Sipas një diplomati rajonal, në proces do të përfshihen edhe përfaqësues nga vende si Arabia Saudite dhe Egjipti.

Tensionet janë përshkallëzuar në javët e fundit për shkak të grumbullimit ushtarak amerikan pranë Iranit, si dhe pas shtypjes së dhunshme të protestave kundër qeverisë në Iran muajin e kaluar, të cilat u cilësuan si trazirat më vdekjeprurëse që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979./mxh

16:56 Sekretari i NATO-s viziton Ukrainën pas sulmeve ruse

By: Monika
3 February 2026 at 16:56

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku së bashku me Presidentin Volodymyr Zelenskiy vendosën qirinj në një memorial për ushtarët e rënë, ndërsa dëgjohej sirena e sulmit ajror.

Video e publikuar nga shërbimi i shtypit presidencial ukrainas tregon rojet e nderit pranë monumentit, teksa Rutte dhe Zelenskiy vendosnin qirinj dhe mbanin një minutë heshtje në nder të të rënëve.

Gjatë një fjalimi në parlamentin ukrainas, Rutte theksoi se arritja e një marrëveshjeje paqeje për përfundimin e luftës me Rusinë kërkon vendime të vështira. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e programit të blerjes së armëve PURL, i cili furnizon 90% të raketave të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Vizita e Rutte-s vjen pas një sulmi të Rusisë ndaj Ukrainës me 450 dronë dhe mbi 60 raketa gjatë natës. Javën e kaluar, Rusia dhe Ukraina njoftuan pezullimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të njëri-tjetrit, por mbeten të ndarë për kohëzgjatjen e armëpushimit./mxh

❌
❌