Shfaqjet me kukulla në kopshtet e kryeqytetit, mënyrë edukimi përmes artit
TIRANË, 20 janar/ATSh/ Ditët e ftohta të dimrit nuk ia kanë ulur gjallërinë e zakonshme kopshteve të kryeqytetit.
Daljet e herëpashershme nëpër muze apo institucione të tjera, tashmë janë zëvendësuar nga teatri me kukulla në mjediset e brendshme të kopshtit.
“Për të evituar daljet në motin e ftohtë, kemi ftuar aktorë të cilët japin shfaqje me kukulla, në mënyrë që të thyejmë rutinën dhe qëndrimi në kopsht të jetë më i këndshëm për fëmijët”, tha për ATSH-në, Artjavola Mile, drejtoreshë e Kopshtit 101 Dalmatët.
Sot, më shumë se 110 fëmijë të këtij kopshti ndoqën me kërshëri shfaqjen “Frozen”. Reagimet e tyre ishin të ndryshme. Pjesa më e madhe u argëtuan me kullat: Elsën, Anën dhe Olafin, të cilët i shihnin të flisnin e këndonin. Ndërkohë edukatoret ishin pranë atyre fëmijëve që u frikësuan nga perdja e errët e skenës.
Teatri brenda mjediseve të kopshtit është kthyer tashmë në një traditë. Këto shfaqje janë jo vetëm argëtim, por edhe një mënyrë edukimi i fëmijëve përmes artit. Drejtoresha Mile, u shpreh se kjo praktikë nisi gjatë periudhës kur Teatri i Kukullave ndërpreu aktivitetin për shkak se ishte në rikonstruksion. Ajo tha se, përveç shfaqjeve brenda institucionit, kur moti e lejon, fëmijët e grupit të madh, kanë kryer vizita edhe nëpër muzetë e kryeqytetit, si te Muzeu i Forcave të Armatosura, Kopshti Botanik, piknik nga Liqeni i Tiranës etj.
/a.f/r.e/
The post Shfaqjet me kukulla në kopshtet e kryeqytetit, mënyrë edukimi përmes artit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.