Roja Bregdetare e SHBA-së njoftoi të dielën se po gjurmon një tjetër anije-cisternë nafte në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës, duke shënuar veprimin e dytë të tillë gjatë fundjavës dhe të tretin brenda javës së fundit. Ky veprim vjen në kuadër të “bllokadës” së shpallur nga Donald Trump, e cila synon të gjitha anijet-cisterna të naftës nën sanksione që udhëtojnë drejt ose nga Venezuela.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka konfirmuar zyrtarisht planet për ndërtimin e një aeroplanmbajtëseje të re, e cila do të jetë më e madhe dhe më moderne se ajo aktuale, “Charles de Gaulle”. Ky anije luftarake e re pritet të hyjë në shërbim në vitin 2038. Njoftimi u bë nga kreu i shtetit francez gjatë qëndrimit të tij në Abu Dhabi, ku ndodhej me trupat franceze për Krishtlindje.
Erling Haaland, sulmuesi karizmatik i Manchester City, ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në Premier League. Me dy golat e tij të shënuar në ndeshjen e djeshme kundër West Ham, ku “Qytetarët” fituan 3-0, norvegjezi arriti shifrën e 104 golave me fanellën e klubit në kampionat. Kjo e vendos atë përpara legjendës së Manchester United, Cristiano Ronaldo, i cili kishte shënuar 103 gola në…
Imazhe të Donald Trump janë mes të paktën 16 dokumenteve që janë hequr nga dosjet e Jeffrey Epstein, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë (DOJ). Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga Demokratët, tërhoqi vëmendjen për heqjen e dukshme të një imazhi që tregonte dy fotografi të printuara të zotit Trump në një sirtar. Njëra prej tyre shfaqte Trumpin të rrethuar nga gra…
Juventus ka marrë lajme të reja nga infermieria e saj. Mbrojtësi Rugani, i cili hyri në lojë në vend të Bremerit gjatë fitores kundër Romës, iu nënshtrua kontrolleve mjekësore në J|Medical. Ekzaminimet zbuluan një dëmtim të shkallës së mesme në muskulin gastrocnemius medial të këmbës së djathtë. Koha e rikuperimit të tij do të përcaktohet në ditët në vijim. Në të njëjtën kohë…
Oficerët e policisë kanë qëlluar për vdekje një person të armatosur me thikë, i cili po kërcënonte kalimtarët në Korsikë, një ishull francez në Mesdhe.
Prokurori i qytetit, Nicolass Set deklaroi se ka nisur një hetim paraprak për ngjarjen, ku ndaj oficerit që qëlloi 26-vjeçarin rëndojnë akuzat për vrasje të qëllimshme. I riu, me origjinë nga Senegali, u qëllua më shumë se një herë dhe ndërroi jetë nga plagët e marra.
“Unë po përjashtoj një sulm terrorist në këtë fazë sepse ai nuk bëri ndonjë kërcënim të tillë”, tha Sett para gazetarëve në vendngjarje.
Policia fillimisht u përpoq të përdorte një armë elektrike për të neutralizuar 26-vjeçarin, por kur dështuan, njëri prej tyre e qëlloi disa herë./mxh
Gazeta New York Times ka publikuar listën ku renditen emrat e viktimave të sulmit të rëndë të ndodhur në Bondi Beach, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar dhimbje të thellë te familjarët dhe komuniteti më gjerë.
New York Times ka publikuar emrat dhe moshat e tyre. Mes viktimave ndodhen persona të moshave të ndryshme, përfshirë edhe një fëmijë 10-vjeçar, si dhe figura fetare e qytetarë të moshuar.
Matilda, 10 vjeçe
Rabini Eli Schlanger, 41 vjeç
Peter Meagher, 61 vjeç
Tibor Weitzen, 78 vjeç
Dan Elkayam, 27 vjeç
Alex Kleyman, 87 vjeç
Reuven Morrison, 62 vjeç
Marika Pogany, 82 vjeçe
Rabini Yaakov Levitan, 39 vjeç
Sofia Gurman, 61 vjeçe
Boris Gurman, 69 vjeç
Edith Brutman
Boris Tetleroyd
Adam Smyth, 50 vjeç
Tania Tretiak, 68 vjeçe/mxh
Chris Minns, Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, ka kërkuar ligje më të ashpra për gjuhën e urrejtjes pas sulmeve në Bondi.
Sipas mediave të huaja, shteti australian ku ndodhën të shtënat në Bondi planifikon të ndalojë frazën “globalizoni intifadën” si pjesë e një goditjeje ndaj sloganeve “të urrejtjes”.
Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor (NSW), Chris Minns, ka bërë thirrje gjithashtu për një Komision Mbretëror për të studiuar sulmin në Bondi, i cili shënon të shtënat më vdekjeprurëse në Australi në gati 30 vjet.
Pesëmbëdhjetë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën të dielën e kaluar, kur dy persona të armatosur, që besohet se ishin të motivuar nga “ideologjia e Shtetit Islamik”, hapën zjarr në një festival hebraik në plazhin më ikonik të vendit.
Qeveritë shtetërore dhe federale të Australisë kanë njoftuar një sërë masash për të luftuar ekstremizmin që nga nisja e sulmit, shkruan A2 CNN.
Minns planifikon të thërrasë parlamentin e shtetit javën e ardhshme për të miratuar ligje më të rrepta për gjuhën e urrejtjes dhe kufizimet e armëve./mxh
Negociatorët amerikanë zhvilluan të shtunën takime në Florida me zyrtarë rusë, në kuadër të një iniciative të re të administratës së Donald Trump për të çuar përpara përpjekjet drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Takimet, të mbajtura në Majami, vijnë vetëm një ditë pas kontakteve që Shtetet e Bashkuara patën me përfaqësues të Ukrainës dhe vendeve evropiane, si pjesë e një plani paqeje që ka krijuar pritshmëri të kujdesshme për uljen e tensioneve në konfliktin e nisur me pushtimin rus në shkurt të vitit 2022.
I dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, mbërriti në Majami për bisedime me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump. Sekretari amerikan i Shtetit dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Marco Rubio, ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes në një pjesë të këtyre takimeve.
Takime të ngjashme janë zhvilluar edhe më herët në klubin e golfit të Witkoff në Hallandale Beach, pranë Majamit. Zyrtarë amerikanë, ukrainas dhe evropianë kanë raportuar progres gjatë javës, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë për Kievin, megjithatë mbetet e paqartë nëse këto kushte do të pranohen nga Moska. Një burim rus theksoi se nuk parashikohet takim mes Dmitriev dhe negociatorëve ukrainas.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina do të mbështesë një propozim amerikan për bisedime trepalëshe SHBA–Rusi–Ukrainë, nëse ato ndihmojnë shkëmbimin e të burgosurve të luftës dhe krijojnë terrenin për një samit të liderëve. “Nëse këto iniciativa sjellin rezultate konkrete, ne do t’i mbështesim”, u shpreh Zelensky.
Megjithatë, përpjekja diplomatike e Donald Trump për t’i dhënë fund luftës përballet me qëndrime thellësisht të kundërta mes Moskës dhe Kievit. Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të këmbëngulë në kërkesat maksimale, duke paralajmëruar se Rusia do t’i arrijë objektivat e saj me mjete ushtarake nëse Ukraina nuk i pranon kushtet e vendosura. Ndërkohë, forcat ruse vijojnë përparimin e ngadaltë në vijën e frontit.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian miratoi një paketë mbështetjeje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën për dy vitet e ardhshme, pa arritur megjithatë konsensus për përdorimin e aseteve ruse të ngrira. Fondet do të sigurohen përmes huamarrjes në tregjet financiare.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ukraina do të ketë nevojë për rreth 137 miliardë euro shtesë gjatë periudhës 2026–2027, teksa ekonomia e vendit ndodhet në kufijtë e kolapsit dhe nevojat financiare konsiderohen urgjente.
Raportet e inteligjencës amerikane vijojnë të paralajmërojnë se Putin nuk duket i gatshëm për kompromis real dhe se synimi i tij mbetet kontrolli i plotë i Ukrainës. Ky qëndrim u ritheksua edhe gjatë konferencës vjetore për shtyp në Moskë, ku Putin deklaroi se kushtet e Rusisë për përfundimin e luftës mbeten të pandryshuara që nga qershori i vitit 2024, përfshirë heqjen dorë të Ukrainës nga aspiratat për anëtarësim në NATO dhe tërheqjen nga disa rajone.
Kievi ka refuzuar kategorikisht çdo lëshim territorial. Ndërkohë, negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov, bëri të ditur se delegacionet ukrainase, amerikane dhe evropiane kanë rënë dakord të vijojnë koordinimin e ngushtë edhe në ditët në vijim. Uashingtoni pranon se është shënuar progres, por thekson se “ende ka rrugë për të bërë” drejt një marrëveshjeje përfundimtare./mxh
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është shprehur se në protestën e opozitës ditën e hënë, nuk përjashtohet asnjë nga skenarët.
Komentet Mziu i bëri në emisionin ‘Terminal’ me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, ku tha se nuk përjashtohet as skenari që deputetët e PD-së të futen në grevë urie, me qëllim kthimin e standardeve të demokracisë.
Teksa e cilësoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama si të korruptuar dhe të kapur nga krimi, Mziu theksoi se protestat e Partisë Demokratike mund të jenë të vazhdueshme, për të bërë të mundur arritjen e qëllimit.
“Unë sapo vij nga terreni dhe ka një javë që po alternojnë të gjitha degët e Partisë Demokratike ose bashkitë e qarkut Dibër, por njëherazi kam punuar edhe në Tiranë. Ka një angazhim maksimal jo vetëm në strukturat e PD-së, por edhe qytetarë të tjerë jashtë Partisë Demokratike që duan të marrin pjesë në këtë protestë, sepse vullneti i tyre është cënuar rëndë në zgjedhjet e 11 majit. Sepse raporti i ODIHR ishte raporti më i keq, më i keq edhe se ai i vitit 1991.
Do të përdoren të gjitha skenaret, duke filluar që nga protesta, deri te vazhdimi i protestave në mënyrë seriale, por nuk përjashtohet që unë dhe kolegët e mi deputetë të shkojmë deri në grevë urie, për ta kthyer standardin e demokracisë në Shqipëri, sepse është më i cënuar se asnjëherë tjetër”, tha mes të tjerash Mziu./mxh
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi sot se Shqipëria duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Sipas Shehajt, vendimi i mazhorancës për të bllokuar arrestimin e Belinda Ballukut, ndërkohë që drejtësia po heton korrupsionin dhe kërkon arrestime në nivelet më të larta, i ka hequr çdo legjitimitet qeverisë Rama dhe e bën të domosdoshme shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të vendosin me votë mes drejtësisë dhe një pushteti të korruptuar.
“Është e qartë që pas vendimit të mazhorancës për të ndaluar arrestimin e Belinda Ballukut duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Nuk ka më asnjë kuptim që ndërkohë që drejtësia po heton dhe kërkon arrestimin e të korruptuarve, mazhoranca i merr në mbrotje. Kjo mazhorancë nuk ka më legjitimitet! Nuk ka më arsye pse të qëndrojë në pushtet! Duhet që qytetarët shqiptarë të kenë mundësi të zgjedhin midis drejtësisë dhe kësaj qeverie të korruptuar. Të vendosin nëse kemi të bëjmë me një grusht shteti nga ana e drejtësisë, siç thotë Edi Rama, apo kemi të bëjmë me një drejtësi të vërtetë. Dhe këtë mund ta vendosin vetëm qytetarët shqiptarë. Duhen zgjedhje të parakohshme! Duhet të bëhemi gati për zgjedhje të parakohshme! Ky është një moment historik për Shqipërinë! Më në fund edhe në Shqipëri ka drejtësi. Të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Dhe duhet që me votën tonë t’ju tregojmë vendin!” – deklaroi kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj./mxh
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se është arrestuar një ish-pjesëtar i MPB-së të Serbisë lidhur me “kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviq”.
Sipas Sveçlës, i arrestuar V.M., ishte integruar në Policinë e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje. Sipas tij, ai u arrestua gjatë një operacioni të Policisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në Leshak.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i arrestuar ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Millan Vukashinoviq, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi”, shkroi Sveçla në Facebook.
Sipas autoriteteve të Kosovës, Vukashinoviq dyshohet se u rrëmbye në brendësi të territorit të Kosovës më 1 nëntor./mxh
Ish-kryeministri pakistanez Imran Khan dhe gruaja e tij, Bushra Bibi, janë dënuar me 17 vjet burg për shfrytëzim dhe shitje të dhuratave të marra nga shtetet e huaja.
Ata akuzohen se, gjatë kohës që Khan ishte në detyrë, shisnin dhuratat e shtetit nga Arabia Saudite, përfshirë bizhuteri, duke deklaruar vetëm 8 500 €, ndërkohë që vlera e tyre reale ishte 244 700 €.
Ligji pakistanez parashikon që zyrtarët e qeverisë të paguajnë vlerën e tregut për dhuratat që duan t’i mbajnë dhe të deklarojnë çdo fitim nga shitja e tyre.
Avokati i Khan tha se do të apelojnë vendimin. Zëdhënësi i Khan e quajti gjykimin të padrejtë, ndërsa qeveria theksoi se vendimi bazohej në prova të forta.
Khan, 73 vjeç, u rrëzua nga posti i kryeministrit në prill 2022 dhe mbetet figurë popullore, megjithëse partia e tij nuk fitoi shumicën në zgjedhjet e 8 shkurtit 2024.
Ai ka pretenduar se largimi i tij ishte pjesë e një komploti të mbështetur nga SHBA-të dhe ushtria pakistaneze, pretendime të mohuara nga të gjitha palët.
Ish-kryeministri ndodhet në qeli që nga viti 2023 për akuza korrupsioni dhe çështje të tjera, të cilat ai dhe mbështetësit e tij, i kanë cilësuar si përpjekje për të penguar karrierën e tij politike./mxh
Vladimir Putin e ka thënë dhe vetë se është i dashuruar. Madje, beson në dashurinë me shikim të parë.
Gjatë konferencës së fundvitit në Gostinyj Dvor, për herë të parë foli për jetën sentimentale. Zyrtarisht, imazhi që ka promovuar gjithmonë është ai i mbrojtësit të “vlerave tradicionale të familjes”, edhe pse në 2014-ën u divorcua nga gruaja dhe nëna e dy vajzave të tij, Lyudmila, e cila ishte lodhur nga tradhtitë e shumta.
Putin nuk ka qenë kurrë shumë besnik.
Që nga fillimi i viteve ’90, si zëvendës kryetar i San Petersburgut, sipas dy gazetarëve të opozitës, Romand Badanin dhe Mikhail Rubin, ai frekuentonte klubin e natës “Luna”, duke pretenduar se aty mbaheshin takime të lidhura me detyrën e tij.
Ata tregojnë se festa e tij e fundit aty, me shumë vajza, ishte në dhjetor të 1999-ës, kur ai ishte kryeministër, pak para se të zëvendësonte Boris Eltsin si president. Në murin e klubit shkroi me spray:
Ju uroj lumturi në mijëvjeçarin e ri!
Shkrimi qëndroi aty për vite me radhë, deri kur lokali u mbyll përfundimisht.
Dashuria e parë jashtë martese e Putin, kur ai nuk ishte ende president, ishte me Svetlana Krivonogikh, një ish-punonjëse pastrimi, 20 vjeç atëherë, e cila i ishte prezantuar nga truprojat e tij. Lidhja zgjati disa vite.
Sipas Proekt, një faqe investiguese, në 2003-in, Krivonogikh solli në jetë një vajzë, Elizaveta, që Putin nuk e ka njohur zyrtarisht, megjithatë ka qenë shumë bujar me nënën e saj.
Svetlana, që vinte nga një familje shumë e varfër, u bë pronare e një resorti luksoz pranë San Petersburgut dhe aksionere në një bankë pranë Kremlinit. Për takimet e tyre përdorej edhe apartamenti i shokut dhe kolegut të tij të vjetër në KGB, Igor Sechin, shefi i Rosneftit. Lidhja përfundoi kur gruaja e Sechin, Marina, zbuloi gjithçka dhe e tregoi Lyudmilës, e cila më pas i dha fund martesës.
Por dashuria më e madhe e Putin thuhet të ketë qenë me Alina Kabaeva, ish-gjimnasten olimpike që fitoi medalje të arta në Atene. Me sa duket, ajo ishte personi që ai kishte në mendje kur foli për dashurinë me shikim të parë. Lidhja e tyre sekrete zgjat 18 vjet dhe ishte arsyeja kryesore e ndarjes nga Lyudmila.
Putin dhe Kabaeva kanë dy fëmijë, Vladimir dhe Ivan, që sipas librit të Badanin dhe Rubin janë regjistruar me mbiemrin Spiridonov.
Kjo zgjedhje ka kuptim: gjyshi i Putinit quhej Spiridon Putin dhe siç thuhet ishte kuzhinieri i Leninit dhe Stalinit.
Kabaeva është pronare e një pasurie të madhe dhe ka shumë ndikim në botën e gimnastikës ruse: shkarkimi i fundit i Irina Viner, trajneres historike të kombëtares dhe gruas së oligarkut Alisher Usmanov, thuhet se lidhet me konfliktet e saj me Kabaevën.
Megjithatë, dashuria për Kabaevën nuk e ka penguar Putinin të ketë lidhje të tjera.
Një nga këto, që ka shkaktuar shumë zhurmë, ishte me Alisa Kharcheva, një studente që kishte pozuar me të brendshme për një kalendar erotik dedikuar presidentit, me mbishkrimin “Vladimir Putin je më i miri!”.
Problemi është se ajo kishte vetëm 17 vjeçe atëherë. Sipas Badanin dhe Rubin, për një vit të tërë, Alisa shkonte dy herë në javë në rezidencën e presidentit.
Edhe në këtë rast, si Berlusconi, ai tregoi bujari: vajza mori vend pune të përhershëm si kërkuese në Universitetin Shtetëror të Moskës dhe u bë pronare e një apartamenti luksoz në një zonë të shtrenjtë të Moskës, falë një biznesmeni që kishte ndihmuar më parë miq të presidentit./mxh
Përleshje midis protestuesve dhe policisë janë shënuar në një protestë që u zhvillua pasditen e sotme në Torino. Demonstrata u organizua në shenjë proteste kundër evakuimit të qendrës sociale “Askatasuna”, e cila u zhvillua tre ditë më parë, me vendim të Ministrisë së Brendshme italiane.
Disa nga protestuesit hodhën fishekzjarrë, shishe dhe u vunë flakën kazanëve të mbeturinave, të cilët i zhvendosën në mes të rrugës. Policia përdori gaz lotsjellës, shkopinj dhe pompa zjarri për të shpërndarë protestuesit. Sipas mediave italiane, një numër tjetër i paspecifikuar protestuesish u plagosën, ndërsa policia njoftoi, në të njëjtën kohë, se të paktën nëntë oficerë u plagosën.
Mbi dy mijë njerëz morën pjesë në protestën që filloi nga Palazzo Nuovo. Shumë të rinj dhe familje, banorë të lagjes Vanchiglia, ishin të pranishëm, si dhe fëmijë që mbanin pankarta me gjurmët e duarve të tyre. Grupe protestuesish mbërritën nga qytete të tjera, duke përfshirë Milanon, Xhenovën dhe Verilindjen.
“Askatasuna do të thotë liri, askush nuk do të na ndalë” dhe “Mjerë kushdo që na prek” ishin disa nga sloganet e brohoritura nga protestuesit./mxh
Elon Musk mund të forcojë pozicionin e tij si njeriu më i pasur në botë. Gjykata e Lartë e shtetit amerikan Delaware ka rikthyer shpërblimin gjigant prej 56 miliardë dollarësh që kompania Tesla i kishte dhënë atij në vitin 2018.
Ky bonus ishte anuluar në vitin 2024 nga një gjykatë më e ulët, pas një padie nga një aksioner, i cili e quajti shpërblimin “të tepruar” dhe kundër interesave të aksionerëve. Por Gjykata e Lartë e Delaware e rrëzoi këtë vendim, duke thënë se heqja e plotë e shpërblimit ishte e padrejtë, sepse Musk kishte punuar për Teslën për 6 vite (2018-2024) pa marrë pagesë.
Çfarë fiton Musk nga ky vendim?
Falë marrëveshjes së vitit 2018 që tani është rikthyer:
TË LIDHURA
Bordi i Tesla-s fiton 3 miliardë dollarë nga shpërblimet në aksione, ua kalon rivalëve
Çfarë bën Elon Musk me gjithë pasurinë e tij?
-Musk mund të blejë aksione të Tesla-s me çmim shumë të ulët
-Pjesa e tij në kompani rritet nga 12,4% në 18,1%
-Vlera e aksioneve të tij rritet me rreth 139 miliardë dollarë
Musk e quajti këtë vendim një “hakmarrje të merituar” në një postim në rrjetin e tij social “X”. Pas problemeve ligjore në Delaware, ai e ka zhvendosur selinë e Tesla-s në Teksas.
Bonusi i ri, edhe më i madh
Përveç rikthimit të bonusit të vitit 2018, Elon Musk ka siguruar edhe një shpërblim të ri edhe më të madh.
Pas anulimit të kompensimit të vjetër, ai kishte paralajmëruar se mund të largohej nga Tesla nëse nuk do t’i jepej një paketë e re që do t’i forconte kontrollin mbi kompaninë. Për të mos e humbur, aksionerët pranuan t’i ofrojnë një skemë të re shpërblimi, e cila, nëse plotësohen disa objektiva, do t’i mundësojë Musk të rrisë pjesën e tij në Tesla nga 13% në rreth 25%, me një vlerë të mundshme që mund të arrijë deri në 1 000 miliardë dollarë.
Ende mbetet e paqartë nëse ky bonus i ri do të shtohet mbi atë të vjetrin që sapo u rikthye dhe sa realisht do të rritet pjesëmarrja e Musk në kapitalin e Tesla-s./mxh
Rusia është e gatshme për negociata dhe një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë, megjithatë topi tani është te mbështetësit perëndimorë të Kievit, tha Presidenti rus Vladimir Putin.
Ukraina dhe disa vende të Evropës Perëndimore e hodhën poshtë planin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili sipas Moskës pasqyronte gjerësisht marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve në Anchorage, për të zgjidhur konfliktin. Plani i udhëtimit përfshinte braktisjen e aspiratave të Ukrainës për në NATO dhe heqjen dorë nga një numër pretendimesh territoriale.
Në seancën e tij të pyetjeve dhe përgjigjeve të fundvitit të premten, Putin vlerësoi “përpjekjet serioze dhe të sinqerta” të Trump për t’i dhënë fund konfliktit dhe hodhi poshtë pretendimet se Rusia e hedh poshtë propozimin e tij të paqes si “të pasakta dhe të pabaza”.
“Në takimin tonë me Presidentin Trump në Anchorage, ne pajtuam qëndrimet dhe ramë dakord kryesisht për propozimet e tij. Prandaj, të thuash se hedhim poshtë çdo gjë është absolutisht e pasaktë dhe nuk ka bazë”, pohoi Putin. “Na u kërkua të bënim kompromise të caktuara. Kur mbërrita në Anchorage, thashë se këto do të ishin vendime të vështira për ne, por ne ramë dakord .”
Presidenti theksoi se “topi është tërësisht në fushën e kundërshtarëve tanë perëndimorë, mbi të gjithë udhëheqësve të regjimit të Kievit dhe sponsorëve të tyre evropianë”./mxh
Njësi të manipuluara të një testi të kombinuar për COVID-19 dhe gripin kanë mbërritur në tregun evropian.
Prodhuesi ka konfirmuar se seria FCO24090516 është e falsifikuar.
Agjencia Spanjolle për Barnat dhe Produktet Shëndetësore është njoftuar nga autoritetet portugeze në lidhje me qarkullimin e kompleteve të falsifikuara të vetë-testimit që kombinojnë zbulimin e koronavirusit dhe gripit A+B.
Produkti origjinal u prodhua nga Safecare Biotech, me seli në Hangzhou (Kinë), por njësitë e zbuluara mbajnë numrin e serisë FCO24090516, të cilin kompania e ka deklaruar si të falsifikuar.
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:10, në aksin rrugor rreth rrotullimi i Bradasheshit – Paraburgimi i Elbasanit. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar panik dhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në këtë segment me qarkullim jo të paktë .
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur pas një manovre parakalimi të gabuar nga njëri prej automjeteve të përfshira, çka ka sjellë përplasjen e fortë mes mjeteve.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesit e të dy automjeteve si edhe dy pasagjerë kanë mbetur të plagosur. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet nga bluzat e bardha.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe ambulancat, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe normalizimin e qarkullimit rrugor.
Policia italiane njoftoi sot se ka arrestuar 384 persona dhe ka sekuestruar 1.4 ton drogë në një operacion të madh kundër trafikantëve të narkotikëve.
Përveç arrestimeve, oficerët e policisë hapën një hetim ndaj 655 individëve, përfshirë 39 të mitur, dhe sekuestruan 35 kilogramë kokainë dhe mbi 40 armë zjarri, tha policia në një deklaratë.
Operacioni, i cili përfundoi dje në disa provinca, çoi në mbylljen e përkohshme të pesë dyqaneve të kanabisit në tri qytete pas 312 inspektimeve.
Italia miratoi një dekret sigurie në qershor që ndaloi të ashtuquajturin kanabis “ligjor” dhe ndaloi shitjen e të ashtuquajturit “kanabis i lehtë”, që ndryshe nga marihuana nuk ka efekte psiko-aktive./mxh